Familja mbreterore shqiptare, ne prag te rikthimit ne atdhe pas nje mergimi prej 63 vjetesh. Si u pergatit nisma e deputeteve qe kerkojne kthimin e oborrit Nga Sokol Shameti Familja mbreterore e dinastise se Zogut eshte ne prag te rikthimit ne Shqiperi. Pas tri tentativave te deshtuara, ruajalistet kane besim se kesaj radhe askush nuk ta pengoje me pretendentin per fronin mbreteror, familjen dhe oborrin e tij, per te jetuar lirisht ne Tirane pas nje ekzili te gjate 63 vjecar ne Angli, Egjypt, France, Spanje dhe Afrike te Jugut. Por si erdhen punet qe te kthehet ne Shqiperi Leka Zogu, i cili nga disa konsiderohet trashegimtar i ligjshem i kurores mbreterore te shqiptareve dhe nga disa te tjere, thjesht nje shqiptar i diaspores. Fillimisht ai u debua kur ishte ende 2 ditesh nga pushtimi italian i Shqiperise me 7 prill 1939. Me pas, ne listen e personave qe u ndalohej hyrja ne Shqiperi nga ana e pushtetit komunist, Leka ishte personi numer dy (pas te atit, mbretit Zog I). Nderkohe qe nga korriku i vitit 1997 mbi te rendonte edhe akuza e organizimit te kryengritjes se armatosur te mbeshtetesve te monarkise ndaj KQZ-se pas shpalljes se rezultatit te referendumit per formen e regjimit ne vend. Murat Basha, nje nga lideret e Partise se Legalitetit qe mbron interesat e rikthimit te regjimit monarkik ne Shqiperi, thote se kane ndryshuar shume gjera ne favor te rikthimit te Lekes. Vetem pak jave me pare, gjykata shqiptare e hodhi poshte akuzen e organizimit te kryengritjes se armatosur nga ana e tij dhe me se fundi pasardhesi i Ahmet Zogut se bashku me familjen e tij nuk eshte me person ne kerkim nga policia. "Tani dihet qe ai ishte nje gjyq politik", thote Basha i cili deshmoi edhe vete ne nje nga seancat ne favor te Lekes. "U paraqiten rreth 52 deshmitare te cilet hodhen poshte akuzen e ngritur ndaj Mbretit. Midis tyre edhe Albert Rakipi, ish- shefi i komisariattit te policise si dhe Pashk Tusha, ish drejtor i atehershem i policise se Tiranes, te cilet konfirmuan se Leka Zogu nuk kishte drejtuar turmen ndonese bente pjese ne te, nuk kishte bere thirrje per sulm, madje perkundrazi kishte kerkuar ruajtjen e gjakftohtesise. Ata qe acaruan situaten, jane ata qe bene 14 shtatorin dhe qe dihet se nxiten nga Beogradi", thote Basha. Se fundi edhe vete lideret e rinj te partise Lidhja e Legalitetit pohojne qe vete mbajtja e referendumit ne vitin e paqarte 1997 ishte nje loje ne te cilen Leka u fut pa dashjen e tij dhe se atehere ai u hodh ne aventure nga nje krah radikal qe qendronte ne krye te partise por qe ishte shitur tek ata qe shikonin tek Leka ardhjen e nje figure qe do t'u merrte popullaritetin. Fluturak Germenji, nje monarkist i njohur i cili prezantohet si personi i autorizuar nga familja mbreterore per te mbajtur marrdheniet me shtypin, thote se kohet e fundit po krijohet nje look i ri i partise se ruajaleve gje qe sherben sidomos per sqarimin e opinionit. "Opinioni duhet sqaruar se, pavaresisht nga fakti qe monarkizmi ne Shqiperi eshte identifikuar me te djathten, per shkak te rrethanave, ne te vertete ai nuk ka ndonje lidhje me te, ashtu sic nuk ka edhe me te majten. Partia e monarkise eshte atdheu", thote Germenji. Ai thote se Leka ka bere disa deklarata pasi u largua nga Shqiperia ku sqaron pozicionin e tij, ndonese per fat te keq ky pozicion u kompromentua nga rrjedha e ngjarjeve te atij korriku te nxehte. "Une megjithate jam i autorizuar te them se ne momentin e mberritjes se mbretit ne Rinas, deklarata e tij e pare do te jete: 'Vij per te jetuar pergjithmone ne Shqiperi, bashke me te gjithe shqiptaret. Vij me moton Paqe, Bashkim, Vellazerim'", thote Germenji. Kolegu i tij, Basha kujton madje se edhe me 1990 kur Leka shkoi ne kampet e refugjateve te eksodit shqiptar ne Brindisi, thirrjeve te atyre qe i kerkonin arme, ai iu pergjigj: "Arme, por kunder kujt? Une jam per te luftuar komunizmin, por jo komunistet, pasi edhe ata jane shqiptare". Mbeshtetesit aktuale te idese monarkiste ne Shqiperi, besojne se Leka Zogu me te mberritur ne atdhe, do te ndermarre disa hapa konkrete per te shuar keqkuptimet qe ekzistojne midis levizjes monarkiste dhe krahut te majte te politikes. Kane qene te here pas hereshme tentativat per restaurimin e mbreterise shqiptare. Me 1942, mbretit te shfronesuar Ahmet Zogu, i cili ndodhej ne ekzil ne Londer, iu dergua nje kerkese nga Foreign Office qe ai te kthehej ne Shqiperi per te organizuar levizjen antiitaliane gjate kohes qe Ducja po sulmonte Greqine nepermjet territorit shqiptar. "Mbreti pranoi por me kusht qe pas lufte Britania e Madhe dhe Greqia te njihnin pa kushte kufijte e Shqiperise", thote Fluturak Germenji i cili po boton edhe nje liber ne lidhje me disa aspekte historike te familjes mbreterore shqiptare. Kjo tentative e pare per rikthimin e Zogut ne Shqiperi deshtoi sepse Greqia refuzoi te njihte kufijte e Shqiperise (gje qe vazhdon te beje edhe tani qe jemi ne vitin 2002). Me 1990, Leka Zogu, trashegimtari i fronit, shperndau nje thirrje per kombin shqiptar per te rrezuar diktaturen pas ngjarjes se ambasadave me 2 korrik. Premtimi per nje kthim te shpejte te monarkise pershkonte gjithe mesazhin. Me 1992 pas marrjes se pushtetit nga opozita e djathte ne vend, kthimi i familjes mbreterore u lejua dhe me 26 qershor 1993, oborri mbreteror i parapriu zbarkimit te Lekes ne Rinas me 19 nentor te po atij viti ne aeroportin e Rinasit. Kjo ishte tentativa e dyte e deshtuar per riinstalimin e dinastise mbreterore shqiptare. Leke Zogu u largua ne menyre misterioze nje dite me vone, ndonese perkrahesit e tij thone se ai qysh me 1993 kishte ardhur per te qendruar pergjithmone ne Shqiperi. Hipotezat e largimit te tij jane te shumta - perfshire episodin e paraqitjes se nje pasaporte te nje shteti shqiptar inekzistent para autoriteteve nga ana e Leke Zogut perpara autoriteteve te policise kufitare shqiptare te Rinasit e cila perfaqesonte nje shtet shqiptar krejt tjeter. "Ky ishte vetem pretekst", mendojne perfaqesuesit e sotshem te legalitetit, te cilet shtojne se jane te bindur qe ne pengimin e Lekes per t'u vendosur ne Shqiperi me 1993 ka pasur gisht me siguri lobi grek ne Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe ndikimi i tij ne administraten amerikane e cila keshillonte ate shqiptare ne levizjet politike. Tentativa e trete, u shemb me 1997, kur Leka u lejua te hyje ne Shqiperi. Turma te pamata te zhgenjyerish nga politika e priten neper rruget e qyteteve me shpresen se bashke me te po vinte shpresa e kombit per rilindje. Por sic thone udheheqesit e Legalitetit, ashtu si edhe heret e kaluara kur Leka kishte ardhur ne Shqiperi, edhe kesaj radhe ishte kurdisur nje kurth per ta diskretituar ate. Pjesa tjeter e historise, me referendumin, rezultatin dhe protesten monarkiste qe solli procesin ndaj Lekes dihen me hollesi. Se fundi, kushtet qe familja mbreterore te rikthehet perfundimisht ne Shqiperi jane krijuar. Akuzat ne ngarkim te Lekes nuk ekzistojne me, ne Kuvend po pergatitet me shpejtesi nje kerkese nga nje grup deputetesh te te gjithe spektrit politik per rikthimin e familjes mbreterore, nje bulevard i madh ne qender te Tiranes quhet tanime "Zog I", madje edhe shkrimtari me i njohur dhe me ndikim ne vend, Ismail Kadare, ka shprehur publikisht kenaqesine qe familja mbreterore po kthehet, ne nje korrespondence galante me nenen mbretereshe Geraldine, bashkeshorten e Ahmet Zogut. "Ne dhe vete mbreti nuk deshem qe kerkesa per rikthimin e familjes mbreterore te dale nga Partia e Levizjes se Legalitetit", thote Fluturak Germenji i cili shton se me ardhjen e familjes mbreterore ne Tirane, edhe aktiviteti i kesaj partie do te limitohet pasi permbushet kesisoj misioni i saj. Sipas perfaqesuesve legaliste, nisma per kthimin e familjes dhe oborrit mbreteror eshte marre nga nje grup deputetesh ku benin pjese Arbnori, Imami, Starova, Zogaj, Lesi, Melo, Mediu, Ndoka, Spahia si dhe disa socialiste te cilet deri te premten pasdite ende nuk konfirmoheshin nominalisht. "Ne besojme se kesaj radhe asgje nuk do te ndodhe me ardhjen e mbretit ne Shqiperi. Jane kthyer te gjithe monarket e Ballkanit, madje edhe mbreti Konstandin i Greqise, i cili as qe kishte shprehur ndonjehere deshiren per t'u rikthyer ne vendin e paraardhesve por donte te vazhdonte jeten e tij prej playboy. Si mund te ndalohet kthimi i mbretit te shqiptareve qe ka punuar tere jeten per kombin", thote Germenji. Ata shpresojne se dita kur me ne fund gjithe cka mbetur nga lavdia e dikurshme e dinastise shqiptare, se bashku me titujt honorifike, pazhet, oborrin dhe dekoratat do te lejohet te marre e qete me qera nje kat te hotel Dajtit. Prej andej, ndoshta ajo ta kete me te lehte se nga Johanesburgu, te kuptoje nuancat e lojes politike ne kancelarite e Tiranes. |