Nr 326 04/10/2003
Dialog ok, por pa qejf
Kosova rrezikon të shkojë drejt tryezës së bisedimeve me Beogradin, pa asnjë strategji të koordinuar. Kjo për arsyen, se të gjitha forcat politike po humbin shumë kohë duke ngurruar të bashkëpunojnë për të hartuar një strategji të tillë, pasi druhen se ky hap do t u sillte humbje në zgjedhjet e ardhshme
Nga Ridvan Berisha, IWPR Prishtinë

Liderët shqiptarë të Kosovës janë kryesisht të papërgatitur për bisedimet me Serbinë të cilat po afrohen, pasi ata frikësohen se do të humbasin vota nëse mbështetësit i shohin të diskutojnë me Beogradin. Negociatat historike, të cilat pritet të mbahen në Vienë muajin e ardhshëm, do të trajtojnë çështje praktike si kthimi i personave të zhvendosur nga konflikti i vitit 1999 dhe dokumentat e reja të udhëtimit dhe patentat e automjeteve.
Por liderët shqiptarë druajnë se edhe duke folur për çështje kaq minore mund t i çojnë ata drejt humbjes së zgjedhjeve të vitit tjetër, meqë kundërshtarët politikë do të ishin të gatshëm t i portretizonin dialoguesit me Beogradin si tradhtarë të vendit.
Shumë njerëz në Prishtinë besojnë se takimi i vendosur nga grupi i kontaktit për t u mbajtur nga mesi i tetorit, do të jetë shumë më tepër se një shtrëngim duarsh përpara kamerave televizive për t i bërë qejfin komunitetit ndërkombëtar. Ndonëse çështja e madhe - statusi përfundimtar i protektoratit - nuk do të preket në takim, nisja e dialogut mendohet të jetë pikënisja për bisedime të ardhshme më të detajuara në kohë të tjera. Të gjitha partitë shqiptare, kanë pavarësinë pikën kryesore të programeve të tyre gjë që u jep të gjithë liderëve një ndjenjë shumë të lartë përgjegjësie për çdo hap afrimi me ish armiqtë e së djeshmes. Si rezultat, politikanët shqiptarë, ende nuk kanë arritur në ndonjë konsensus rreth temave të dialogut me Beogradin, ose qoftë edhe nëse ky dialog duhet të zhvillohet apo jo. As Presidenti shqiptar i Kosovës, Ibrahim Rugova e as kryetari i Kuvendit Nexhat Daci, nuk e kanë vënë ujin në zjarr për t iu bashkangjitur kryeministrit Bajram Rexhepi për të ndërtuar bashkë ndonjë strategji për dialogun me Serbinë. Pas një takimi me Harri Holkerin, Rugova nuk tha ndonjë gjë të qartë se ç rol do të luanin institucionet e Kosovës në këtë dialog. Ne do të shohim nëse ky dialog është i mundshëm apo jo. Ne po presim , tha Rugova. Ramush Tahiri, zëdhënës kryesor i Kuvendit të Kosovës dhe një anëtar i LDK-së së Rugovës, thotë se duhet të jetë qeveria ajo që duhet të nisë përgatitjet për bisedime pa e përzier edhe Kuvendin në këtë çështje. Nuk ka nevojë që kuvendi të merret me çështje teknike , tha Tahiri. Nga ana e tij, kryeministri Rexhepi ka nënvizuar nevojën për një konsensus parlamentar përpara nisjes së dialogut. Gjatë sesionit të fundit të Kuvendit të Kosovës ai tha: Ne si qeveri, s mund të nisim bisedime për këto çështje teknike pa këtë konsensus . Një nga drejtuesit e PDK-së që preferoi të mbetej anonim tha se është e vështirë për kryeministrin të marrë flamurin e negociatave, në një kohë që perceptimi që partia e tij po punon me Beogradin do të çonte në humbje votash. Negociatat praktike do të kërkojnë bashkëpunim në disa çështje dhe të bësh kompromis me Beogradin është ende një tabu në Kosovë ku ne kemi qindra njerëz që ende konsiderohen të zhdukur gjatë luftës , tha ai. Por frika nga imazhi i bërjes së kompromiseve me Beogradin, është gjithashtu e pranishme edhe tek LDK-ja, reputacioni i së cilës u dëmtua rëndë më 1999 kur Rugova takoi Sllobodan Milosheviçin, asokohe president i Jugosllavisë gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s. Shumë udhëheqës shqiptarë besojnë se ndonëse komuniteti ndërkombëtar thotë se në axhendë ka vetëm disa çështje praktike , në fund do të nxirret mbi tryezë edhe çështja e statusit final të Kosovës. Ata nuk duan ta diskutojnë këtë çështje me Beogradin meqë ata thonë se do të jetë populli i Kosovës ai që do të vendosë së bashku me komunitetin ndërkombëtar. Dhe përderisa kjo çështje qendrore do të qëndrojë e pazgjidhur, ata nuk kanë ndonjë dëshirë të flasin me Serbinë as për çështje të tjera praktike .

 
© 2003 Gazeta Panorama

 
 
4Tetor 2003                  Faqe 14 - Ekonomi

 

Korridori
 
Poçi theksoi se pritet një ndihmë financiare nga Italia dhe nga vetë shqiptarët. Korridori mund të financohet edhe nga vendet ku kalon. Një tjetër rrugë për realizimin e Korridorit 8 është financimi nga biznesi dhe dhënia me koncension
 
Ministri i Transporteve konfirmon dështimin. “Nuk ka faj as Bashkimi Evropian dhe as Qeveria shqiptare”
 
Poçi: Korridorin 8 do ta ndërtojmë vetë
Shpresë vetëm nga qeveria italiane dhe nga koncensionet
 

 

Tiranë

Korridori 8 mund të jetë pjesë e planeve të BE-së vetëm pas 10 viteve.

Përfundimisht, të vetmit të cilët mund të ndërtojnë dhe paguajnë Korridorin 8, do të jenë shqiptarët me një ndihmë të vogël nga Italia. Për herë të parë hidhet ideja e koncensionit, edhe pse Korridori 8 deri tani është ndërtuar në rrugët e vetme kombëtare. Sidoqoftë dje, ministri shqiptar i Transporteve pranoi se Korridorri 8 do të jetë jashtë planeve të BE-së deri pas 10 vitesh. Nga ana tjetër, Poçi theksoi se pritet një ndihmë financiare nga Italia dhe nga vetë shqiptarët. Korridori mund të financohet edhe nga vendet ku kalon. Një tjetër rrugë për realizimin e Korridorit 8 është financimi nga biznesi dhe dhënia me koncension. Megjithatë, ministrat e Transporteve të vendeve nga ku kalon Korridori 8 kanë parashikuar dhe mundësinë e marrjes së një kredie nga bankat e fuqishme botërore. Korridori 8 nuk ishte në listën e financimeve të BE-së, për shkak se në këtë listë janë futur vendet anëtare të BE-së dhe vendet kandidate për anëtarësim. Edhe pse Bashkimi Evropian tashmë e ka lënë Korridorin 8, përfundimisht jashtë prioriteteve të fazës së dytë të financimeve, Shqipëria së bashku me vendet e rajonit nga ku kalon ky korridor, ka vendosur që ta realizojë me ose pa ndihmën financiare të vendeve të BE-së. Deri tani, Italia është i vetmi vend anëtar i BE-së që ka mbështetur projektin e Korridorit 8, duke kërkuar që ky të jetë një nga prioritetet e Bashkimit Evropian për financim. Deri tani kanë përfunduar disa pjesë të Korridorit VIII në Maqedoni, Shqipëri dhe Bullgari. Tashmë duhet të përfundohen me projekte dhe financime segmentet që mungojnë në këtë korridor. Ndërkohë, veprat që përfshihen në Korridorin 8 do të kalojnë në një dokument të vetëm në Bruksel. Brenda pak ditësh pritet që të vijë në Shqipëri kryetari i Komisionit të posaçëm të BE-së për korridoret paneuropiane, Van Miert, i cili do të kryesojë grupin e ekspertëve të BE-së. Miert së bashku me ekspertët do të inspektojnë punimet që janë bërë nga qeveria shqiptare për Korridorin VIII.

DATAT

  • 2006
    Deri në vitin 2006 trafiku i makinave do të rritet me 63 për qind
  • 2015
    Deri në vitin 2015 trafiku i makinave do të rritet me 299 për qind
  • 2025
    Deri në vitin 2025 trafiku i makinave do të rritet me 850 për qind
  • 2006
    Deri në vitin 2006 trafiku i pasagjerëve do të rritet me 20 për qind
  • 2025
    Në vitin 2025 trafiku i pasagjerëve do të jetë 136 për qind më i lartë
  • 2006
    Deri në vitin 2006 trafiku ajror do të rritet me 59 për qind
  • 2025
    Deri në vitin 2025 trafiku ajror i Shqipërisë do të rritet 833 për qind


Shqipëria, rrugët më të këqija

Në raportin e përgjithshëm të BE-së për rrugët thuhet se, Shqipëria renditet e fundit në Ballkan për cilësinë e tyre. Rrugët më të mira janë ato të Kroacisë, ndërkohë që Shqipëria është e fundit, pasi një pjesë e mirë e rrugëve kanë nevojë për rindërtim total. Për rrjetet rrugore, e gjithë gjatësia e Korridorit 8 në Shqipëri (përveç autostradës Tiranë-Durrës) plotëson vetëm kushtet minimale, pra rrugë dykalimëshe prej 7 metrash. Kështu, në Shqipëri, rrugët janë ose në kushte që mund të cilësohen si të mira (pa probleme), ose në kushte ekstremisht të rënduara dhe që kërkojnë rindërtim të plotë. Sipas studimit, Shqipëria po përdor standardet italiane për ndërtimin e rrugëve të reja, siç është shembulli i autostradës Tiranë-Durrës.


Qeveria 13.7 miliardë lekë për rrugët

Burimet financiare të caktuara nga buxheti i shtetit për vitin 2003 për sektorin e transportit dhe telekomunikacionit, janë rreth 13.7 miliardë lekë. Kjo shumë monetare përben 1.9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB)


Raporti Van Miert
Grekët devijojnë për herë të dytë

Në vitin 2001, ishte pikërisht ndikimi i lobeve dhe qeverisë greke, ai që ndryshoi kalimin e Korridorit të 10-të. Sipas parashikimeve, ky korridor do të hynte në Shqipëri nga Hani i Hotit, për të vazhduar deri në Gjirokastër dhe për të përfunduar matanë kufirit shqiptar. Këtë projekt, pala greke e ka kundërshtuar vazhdimisht, deri sa një ditë, në vitin 2001, Bashkimi Evropian vendosi që Korridori i 10-të, nuk do të prekte fare kufirin shqiptar, por do të kalonte nga Serbia, Maqedonia për të përfunduar në Greqi. E njëjta gjë duket se po ndodh edhe me Korridorin 8. Edhe ky korridor është kundërshtuar gjatë nga qeveria dhe lobet greke dhe, pikërisht, gjatë presidencës së saj, është hartuar dhe pranuar projekti Van Miert, i cili ka vendosur që Korridori 8-të, të shtyhet edhe për 10 vite të tjera. Në rastin e parë, Greqia përfitonte realisht nga Korridori i 10-të, dhe në këtë mënyrë, përfitimet e përligjnin ndryshimin e këtij korridori. Por në rastin e dytë, nuk ka asnjë shpresë që Korridori i 8-të të kalojë në Greqi. Në rastin e dytë është diçka tjetër. Eshtë një mënyrë ballkanase e të menduarit se, fqinji nuk duhet të jetë i zhvilluar. Eshtë një mënyrë që po përsëritet përditë e më shumë dhe, qeveritë shqiptare, të paktën ato të pas 1997-ës, po heshtin përditë e më shumë, thua se janë dakord.

Të dhëna

  • 960 km
    Gjatësia e rrugëve në të cilat kalon Korridori 8
  • 1270 km
    Gjatësia e hekurudhave që duhen për Korridorin 8
  • 80 për qind
    E fondeve duhet të jepen nga qeveritë përkatëse
  • 10-20 për qind
    E Korridorit 8 mund të financohet nga Bashkimi Evropian
 
http://www.lajmet.com/

   Lumturimi i Nënë Terezës; më 18 tetor spektakli "Shenjtorja jonë"

   
Tiranë - "Shenjtorja jonë", titullohet spektakli i madh që do të mbahet në mbrëmjen e 18 tetorit, në sheshin "Nënë Tereza" në Tiranë me rastin e Lumturimit të Nënë Terezës. Programi do të përmbajë vetëm krijime shqiptare, nga folklori deri tek muzika e lehtë shqiptare. Në mbrëmjen e 18 tetorit do të jenë të pranishëm në Sheshin "Nënë Tereza" edhe njëmbëdhjetë grupe bamirësish që i përkasin Misionit të Nënë Terezës, nga vende të ndryshme të botës si nga India, Amerika, Greqia, Austria, Kosova, të cilët tashmë kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Spektakli ka si konsulent Kujtim Laron dhe drejtor artistik Ermir Dizdarin. Më 19 tetor në ditën e Lumturimit të Nënë Terezës, nga Selia e Shenjtë e Vatikanit, do të jenë të pranishëm 54 presidentë nga e gjithë Bota, si dhe mijëra besimtarë të kombësive e vendeve të ndryshme ku Nënë Tereza ka kryer misionin e saj të bamirësisë.