17/05/2003 - http://www.korrieri.com/

 
Berisha, Pashko, Selami dhe Edi Rama


Nga Eduard Zaloshnja/ Deri nga fundi i vitit '90 debati mbi rolin e individit ne histori kishte qene per mua thjesht nje kuriozitet filozofik. Cdo gje ndryshoi naten e 11 dhjetorit 1990. Atehere kur ne godinen 15 te Qytetit "Studenti", mora pjese ne diskutimet e nje grupi te vogel pedagogesh lidhur me hapat konkrete qe do te ndermerreshin per themelimin e partise se re te sapo lejuar nga Ramiz Alia. Ne grupin e pedagogeve spikasnin dy njerez, te cilet kishin qene figura qendrore ne mitingun e madh spontan qe sapo kish mbaruar. Ata ishin Sali Berisha dhe Gramoz Pashko. Nga menyra se si Berisha fliste dhe si na veshtronte, krijova bindjen qe shume shpejt ai do te vihej ne krye te partise se re. Ne ato caste, mu kujtuan ato qe kisha lexuar rreth rolit te individit ne histori dhe qe prej asaj kohe, pyetja "a mund te kish dale dikush tjeter ne krye te PD dhe si do kishin rrjedhur ngajrjet ne nje rast te tille?", ma ka goditur vazhdimisht trurin si nje qukapik i palodhur. Poshte po rendis shkurtazi pergjigjet, qe i kam dhene kesaj pyetje gjate viteve.

Ne dhjetorin e vitit '90, me gishtat e njeres dore numeroheshin ata intelektuale qe deri atehere ishin shprehur publikisht pro transformimit te Shqiperise ne nje vend demokratik. Per nje levizje desidente, si ne Poloni, Cekosllovaki, apo Hungari as qe mund te behej fjale. Nderkohe, njerezit qe i perkisnin klases politike shqiptare te viteve '30-' 40 si dhe pasardhesit e tyre, ose kishin vdekur burgjeve dhe internimeve, ose ishin atrofizuar intelektualisht si rezultat i persekutimit te eger komunist. Me pak fjale, partise se re, qe u mbeshtet me entuziazem nga qindra mijera shqiptare, i mungonte nje grup i konsoliduar udheheqes qe te ishte i pergatitur realisht per sfiden e cuarjes se vendit drejt nje demokracie te shendoshe te tipit perendimor. Grupi i intelektualeve qe u vu ne krye te PD ishte nje amalgame njerezish, qe kishin te perbashket vetem deshiren per t'i dhene fund regjimit komunist dhe per ta orientuar Shqiperine drejt Perendimit. Duke pasur parasysh qe nga ky grup vetem Berisha dhe Pashko ishin intelektualet qe ishin shprehur publikisht per ndryshimin e regjimit para dhjetorit, ishte e natyrshme qe ata te dy te pozicionoheshin qe ne fillim si udheheqesit krysore te partise se re.

Lindur e rritur ne bjeshket e Tropojes dhe milituar ne Partine Komuniste per 25 vjet, Berisha do te percillte ne stilin e tij drejtues ate cka eksperienca jetesore kishte latuar ne karakterin e tij. Nderkohe qe ndjenja e hakmarrjes eshte e gdhendur thelle ne psiqiken e cdo shqiptari, ajo ka qene tradicionalisht me e thelle ne malesine nga e cila vinte Berisha. Dhe ai nuk mund te bente perjashtim nga kjo trashegimi. Nga ana tjeter, pervoja e militimit ne Partine Komuniste i kishte riforcuar ndjenjen se pas cdo guri e ledhi mund te jete fshehur pushka e hasmit. Per nje njeri qe femijerine dhe rinine e tij e kishte kaluar ne nje ambjent patriarkal te mbizoteruar nga psikologjia e klanit dhe hasmerise dhe qe me vone kish milituar me devotshmeri te spikatur ne Partine Komuniste per te care rrugen e karrieres se tij, ishte e kuptueshme qe te kishte mangesi te ndjeshme ne cilesite qe do t'i duheshin per te udhehequr popullin drejt krijimit te nje shoqerie demokratike, ne te cilen te mbizoteronte debati konstruktiv, toleranca dhe mirekuptimi.

Gramoz Pashko, udheheqesi tjeter qe spikati qe ne fillim te levizjes demokratike, ishte perfaqesuesi tipik i atyre intelektualeve te cilet, lindur e rritur ne kryeqytet nga familje me peshe ne strukturen shteterore komuniste, militonin ne Partine Komuniste, jo me ndonje devocion te madh. Duke qene te ekspozuar, qe heret ndaj ideve perendimore, keta intelektuale ishin te bindur qe sistemit komunist i kishte ardhur fundi e qe ai duhej zevendesuar me nje sistem demokratik. Nje karakteristike dalluese e ketij grupi intelektualesh ishte tendenca per te nencmuar opinionin e njerezve perreth si rezultat i ekskluzivitetit qe ata perceptonin dhe qe relativisht e kishin ne njohjen e botes perendimore. Nderkohe qe keta intelektuale ishin me pak te influencuar nga kultura klanore, prape se prape nuk mund t'i shmangeshin prejardhjes se tyre ballkanike. Ma do mendja se te gjithe ata, pa perjashtim, kishin pasur rastin ne femijeri qe, pasi kishin perplasur koken tek nje tavoline, te degjonin prinderit e tyre te thoshin: "Ja, e rraha tavolinen, tani nuk do te dhembi me koka". Ma do mendja gjithashtu qe te gjithe ata kishin degjuar ne rinine e tyre prinderit duke biseduar per favore qe do t'u kerkonin ose qe i'u kishin bere miqve te tyre duke shfrytezuar poziten zyrtare.

Ne duelin midis Berishes dhe Pashkos per te dale zyrtarisht ne krye te partise, Berisha doli fitimtar pa shume veshtiresi si rezultat i zgjuarsise se tij natyrale, karizmes dhe pervojes me te madhe ne luften politike brenda rradheve te nje partie politike. Nuk kam as dyshimin me te vogel qe nje fitore e Pashkos do te kishte krijuar nje klime me demokratike si brenda partise, ashtu edhe ne qeverisje. Por kam gjithashtu bindjen qe, ne rolin e e numrit nje te Shqiperise, Pashko do kishte demonstruar te meta te ngjashme me ato qe Fatos Nano ka demonstruar me bollek gjate qeverisjeve te tija.

Nje tjeter intelektual qe deshironte dhe qe potencialisht mund te kish dale ne krye te PD qe ne krijimin e saj ishte Edi Rama. Ai ishte bere i njohur per pikepamjet e tij anti komuniste nga seria e bisedave publike qe kishte organizuar ne Institutin e Larte te Arteve, te quajtur "Refleksione". Rastesia e deshi qe, pikerisht kur revolta e studenteve filloi, ai te ishte ne Greqi per nje vizite pune. Kur u kthye nga Greqia (14 dhjetor 1991) ishte shume vone per te qe te vihej ne krye te Demokrateve, strukturat fillestare udheheqese te partise tashme ishin krijuar. Si Berisha edhe Pashko e pane Ramen si nje kercenim per ambiciet e tyre politike dhe e siluruan qe ne tentativen e tij te pare per te dominuar ne grupin udheheqes te PD. Sic demonstroi ne nje miting te mbajtur ne sheshin para stadiumit "Qemal Stafa" ne fund te dhjetorit 1990, Edi Rama e kishte karizmen dhe mesazhin politik qe do t'i duheshin per te fituar te pakten 90 % te zemrave te anetareve dhe simpatizanteve te PD te asaj kohe. Ne qofte se do kishte qene ne Shqiperi me 8 dhjetor, ai padyshim do te ishte vene ne krye te revoltes studentore qe ne fillim te saj. Ndryshe nga Azem Hajdari, qe naten e 11 dhjetorit e mirepriti bashkepunimin me Berishen, Edi Rama do ta kishte perzene ate me motivacionin se dy nete me pare ishte paraqitur tek studentet si emisar i Ramiz Alise. Ne duelin me Pashkon, mendoj se Rama do te kishte dale fitimtar fale karizmes se tij dhe mesazhit me te ashper antikomunist qe percillte tek simpatizantet. Eshte veshtire te gjykosh se si do te kishin rrjedhur ngjarjet ne qofte se Rama do te kish marre ne dore drejtimin e PD qe ne themelimin e saj. Kjo sepse ai ishte shume i ri atehere. Sidoqofte, duke presupozuar qe performanca e tij tashme si kryebashkiak mund te ekstrapolohet 10 vjet mbrapa, une mendoj se sot Shqiperia do te kishte qene me mire se c'eshte.

Nje tjeter udheheqes qe pati shansin te zinte vendin e Berishes ne vitin '91 ishte Neritan Ceka. Me prejardhje familiare dinjitoze, (i ati i tij kish qene nje intelektual anti komunist) me nje karizem te spikatur qe ne momentet e para te perfshirjes se tij ne PD dhe me imazhin e nje njeriu te pjekur, Ceka arriti qe shume shpejt te behej sfidanti kryesor i Berishes per postin e kryetarit te PD. Vetem 6 muaj pasi Ceka u anetaresua zyrtarisht ne PD, perkrahesit e tij ne kryesi (15 nga 21 anetare qe kishte kryesia) votuan qe ne listen e kandidateve per kryetar partie qe do te votohej ne Kuvendin e Pare te PD te ishin vetem Neritan Ceka dhe Azem Hajdari. Por Berisha, duke perdorur karten e populizmit, arriti te marre aprovimin e aktivit kombetar te PD qe kandidaturat per kryetar partie t'i sugjeroheshin Kuvendit te Pare nga aktivi dhe jo nga kryesia e partise. Ne kete menyre, Berisha e shtoi emrin e tij ne listen e kandidateve qe kryesia kishte sugjeruar. Duke perdorur te njejten karte dhe duke shfrytezuar lidhjet personale qe tashme kishte krijuar me udheheqesit e degeve te PD, Berisha arriti te fitonte postin e kryetarit ne Kuvendin e Pare. Qe prej asaj kohe, asnje njeri nuk ka qene me ne gjendje te rrezikoje seriozisht pozicionin dominues te Berishes ne PD. Ne qofte se Ceka do te kish arritur te linte Berishen jashte listes ne aktivin qe propozoi kandidaturat per kryetar, kishte shume te ngjare qe PD te ndahej ne dy pjese dhe eventualisht pjesa e Berishes te dominonte kampin anti komunist. Me pak fjale, Berisha perseri do te behej President; qeverisja e tij do te kish qene relativisht me e bute; por sidoqofte, ma do mendja qe ngjarjet do te precipitonin pashmangshmerisht ashtu sic precipituan.

Marrja ne dore plotesisht e timonit te PD nga Berisha beri qe pozitat kyce te pushtetit te dominoheshin nga kategoria e intelektualeve qe ai perfaqesonte. Ne poste me pak te rendesishme u vune ata qe ne nje menyre ose nje tjeter ishin persekutuar nga regjimi komunist. Periudha e qeverimit te Berishes u karakterizua nga nje shtet pothuajse autokratik dhe qe mbahej ne kembe nga zyrtare servile, te cileve i'u lejua te abuzonin me pushtetin per aq kohe sa i bindeshin dhe i sherbenin atij. Nder zyrtaret e larte te periudhes se qeverisjes se Berishes, ne menyre te vecante bene perjashtim nga kjo karakteristike e pergjithshme Eduard Selami, Genc Ruli dhe Dashamir Shehi. Keta politikane vinin nga brezi i intelektualeve te rinj, qe nuk kishin milituar ne Partine Komuniste, prejardhjen e kishin nga shtresa e mesme qytetare, ishin ekspozuar ndaj ideve perendimore ne nivelin qe i lejonin kushtet e atehershme dhe luftonin qe te vendosnin ne Shqiperi nje sistem demokratik perendimor. Ata deshtuan ne perpjekjet e tyre per te marre timonin e partise sepse i bene keto perpjekje duke ndjekur modelin perendimor te lojes politike, konkurrence e lire idesh, ne forumet e partise. Fatkeqesisht, nje strategji e tille nuk mund te funksiononte sepse kundershtari i tyre nuk zbatonte te njejtat rregulla te lojes.

Ne vitin '97, shumekush mendoi se Berisha me se fundi do te zhdukej nga skena politike shqiptare. Por te gjithe ata qe e paten kete shprese u deziluzionuan. Pas rrezimit me dhune nga pushteti, Berisha jo vetem qe nuk u largua nga politika, por i riforcoi edhe nje here pozitat e tronditura brenda partise dhe per 4 vjet e drejtoi opoziten me te njejtin mentalitet. Nuk kam as me te voglin dyshim qe ne qofte se ne mars 1997 Berisha do te kishte pranuar oferten e Eduard Selamit per t'u terhequr nga politika (Selami vinte nga SHBA me porosi te Departamentit te Shtetit), opozita shqiptare e udhehequr nga Selami do te kishte qene shume me konstruktive dhe qeverisja e socialisteve do te kishte qene me e pergjegjshme. Fatkeqesisht, Berisha e kishte shume te veshtire te bente ate qe cdo udheheqes demokratik i tipit perendimor do te kishte bere po te kishte qene ne vend te tij.

Duke ndjekur karrieren politike te Berishes, kronologjia e ngjarjeve na sjell ne ditet e sotme. Hyrja ne mijevjecarin e ri duket sikur e ka bere Berishen qe t'i shkepuse lidhjet shpirterore me boten nga e cila e ka prejardhjen. Eshte veshtire te kuptosh nese kjo shkeputje eshte thjesht nje kalkulim i ftohte politik, apo eshte rezultat i nje transformimi te brendshem psikologjik qe ka ardhur si rezultat i ekspozimit te gjate me realitetet e botes se re ne te cilen po jeton. Pavaresisht se cila eshte aresyeja e ndryshimit te tij, e rendesishme eshte qe gjasat qe ai t'i kthehet stilit te vjeter te luftes politike nuk duken fort te medha- perfitimet nga stili i ri jane aq te dukshme sa qe edhe politikani me miop nuk do t'i injoronte. Po te gjykosh nga hapat politike qe ka bere deri me sot, nuk eshte cudi qe para zgjedhjeve te ardhshme Berisha te ftoje per bashkepunim real Eduard Selamin, Genc Rulin, Dashamir Shehin, dhe ish-politikane te tjere demokrate qe e kane ruajtur reputacion te mire ne syte e opinionit publik. Aleanca me kete kategori politikanesh mund te jete dhe shtysa magjike qe do t'i duhet per te kaluar kufirin e shumedeshiruar 50 %, te cilit Berisha ka vite qe i afrohet dhe nuk e kapercen dot. Ne rast te nje fitore te tij, shqiptareve u ngelet te luten qe dekada e ardhshme mos t'i ngjaje asaj qe shkoi.