Partia "Lëvizja e Legalitetit"
Bulevardi "Zog I", Tiranë.
legaliteti@gmail.com
Tel&Fax: +355 4 230076

Sot paradite, kryetari i PLL Ekrem Spahiu, së bashku me drejtuesit e tjerë, n\kryetarin M. Basha dhe Sekretarin e Përgjithshëm A. Tujani, dhanë një konferencë për shtyp.

Më poshtë po ju përcjellim tekstin e plotë të deklaratës së lexuar me këtë rast.

 

Zëdhënësi i PLL

______________________________________

 

Tiranë, më 3 qershor 2007

 

Deklaratë për mediat

 

Vizita e presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, shënon një nga fitoret më të mëdha politike e diplomatike të kauzës shqiptare në këtë fillimshekulli Ajo shënon njëkohësisht riformatimin dhe ridimensionimin e çështjes shqiptare në hapësirën ballkanike, pikërisht në kohën e zgjidhjeve madhore të çështjeve kombëtare të vendeve aspirante për pavarësi, pas shpërbërjes së federatave sllavo-komuniste në kontinent.

PLL e konsideron vizitën e presidentit Bush si fitorja më e rëndësishme e aksionit gjeopolitik shqiptar, që prej një shekulli, dhe si kurorëzim të përpjekjeve për ngjizjen e aleancave strategjike të kombit shqiptar në funksion të zgjidhjes së çështjes kombëtare shqiptare.

PLL, konform programit të saj kombëtar, ka qenë dhe mbetet konsekuente në vlerësimin e kahershëm, se ndihma dhe përkrahja e kombit amerikan për kauzën e nëpërkëmbur të kombit shqiptar, ka qenë dhe mbetet jetike, për shkak të angazhimit të drejtpërdrejtë  e të vazhdueshëm të SHBA-ve, si vendi kampion i lirisë së kombeve të shtypur, që në vitet '20 të shekullit të kaluar.

PLL gjithashtu i përmbahet mendimit se vizita e presidentit Bush është përshkallëzim i natyrshëm i vëmendjes dhe ndihmës madhore të SHBA-ve, që nga Presidenti Uillson, në njohjen e shtetit të pavarur shqiptar; tek Presidenti Bush senjor, në rrëzimin e diktaturave sllavo-komuniste; tek presidenti Klinton, për çlirimin e Kosovës nga Serbia; e deri tek Presidenti Bush i ri, për pavarësimin përfundimtar të saj.

          PLL i propozon qeverisë dhe maxhorancës së djathtë, që në shenjë mirënjohjeje dhe nderimi për kontributet madhore të këtyre burrave të kombit amerikan, të ideojë dhe realizojë me shpejtësi ngritjen e monumenteve të tyre në sheshet kryesore të Tiranës.

 PLL u bën thirrje institucioneve të shtetit shqiptar, që me rastin e vizitës së Presidentit amerikan, të hartojnë një program të detajuar dhe konkret, me afate të përcaktuara për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, dhe t'ia dorëzojnë Presidentit Bush.

PLL, me rastin e vizitës së presidentit amerikan, u bën thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo ku ndodhen, në trojet etnike dhe disaporë, qeverisë, forcave politike dhe komuniteteve fetare, që, të bashkuar, të dalim e të presim sipas traditës së mikpritjes shqiptare, Presidentin e SHBA-ve, aleatit strategjik dhe vendit mik të kombit shqiptar, Xhorxh W. Bush.