Ditëlindja e princit të shqiptarëve Leka II, fëmija e vetme e të ndjerit
Mbretit Leka i Parë, i lindur në Klinikën Sandton në Johanesburg, Afrika e
Jugut më 26 mars 1982, ditë krenarie kombëtare/
Nga BEQIR SINA, New York/
NEW YORK : Mbretëria shqiptare është një pasuri e vyer kombëtare, e
themeluar nga Mbreti i të gjithë Shqiptarëve Zogu i Parë, si shenjë e
dashurisë dhe krenarisë së lart tonë kombëtare. Ashtu si Britania e Madhe,
Hollanda, Japonia, Monako, Suedia, Danimarka, Norvegjia, Luksenburgu,
Austria, dhe shumë shtete, të tjera kryq e tërthor globit, edhe ne
shqiptarët e Bardhylit dhe të Teutës, kemi një mbretëri, që të krenohemi me
historinë dhe kulturën e tonë kombëtare. Duke i dhënë asaj vendin që i takon
gjatë periudhës së Monarkisë Shqiptare, e cila është një pjesë shumë e
rëndësishme e historisë dhe kulturës së kombëtare, jo vetem në Shqipëri,
Kosovë e trojet shqiptare, por edhe për të na prezantuar edhe jashtë.
Mbasi, familja mbretërore shqiptare, sot meriton më shumë se çdo politikan
në Shqipëri të nderohet me të gjitha atributet që i takojnë, prej kombit
shqiptar. E jo të flitet ende si gjysmë shekulli më parë gjatë sundimit
komunistë - kur foli propaganda komuniste e Enver Hoxhës, dhe baballarët e
tyre. Dhe, më keq, është se kur një njeri që i ka mbushur mendja “top” që
ai(Edi Rama) të bëhet Kryeministri i ardhshëm i Shqipërisë, flet akoma ashtu
si ja ka konfigurar Enveri atë pak tru që ka, flet me të njëjtën “urrejtje”
ndaj figurës së Mbretit Zogu i Parë.
Madje edhe shtypi dhe propaganda majtiste, e cila ka pothuajse nën
kontrollin e saj më se 90 përqind të medias shqiptare, teksa merret për ditë
me një lajmë ordinere, “injoron” totalisht ditëlindjen e Lartësisë së Tij
Mbretërore Princi Leka, jo pa qëllim. Ndërsa, kujtohet ditëlindja e
diktatorit me lajme të ndryshme, dhe “bëmat” e tij – jo pa qëllim harrohet
Mbretëria shqiptare, madje ajo me të njëjtën propogandë si në kohën e
komunizimit sulmohet edhe sot.
Dje më 26 shkurt, mbushi 31 vjeç Crown Prince Leka II i Shqipërisë ! Ku,
vetëm në Shqipëri mund të ndodhi kjo që 90 përqind e shtypit të mos e
permend fare ditëlindjen e Princit Leka, pinjollit të vetëm të familjes
mbretërore shqiptare. Në një kohë që disa nga vendet më të zhvilluara dhe të
qytetruara të botës, si : Britania e Madhe, Hollanda, Japonia, Monako,
Suedia, Danimarka, Norvegjia, Luksenburgu, Austria, e tjera, e kan
ditëlindjen e Mbretit të tyre festën më të madhe kombëtare, dhe e kan
kujtuar edhe ditëlindjen e Crown Prince Leka II i Shqipërisë .
Dhe, kjo është fatëkeqsia më e madhe për ne shqiptarët, ngaqë se për
Mbretin dhe mbretërinë shqiptare, më shumë flasin dhe e nderojnë të huajt,
se sa ne vetë shqiptarët. Kështu, ndodhi edhe në maj(19 Maj, 2012) të vititi
të kaluar, kur LTM Princi Leka II u dekorua me kordonin e madh të Urdhërit
Santi Maurizio e Lazzaro, i cili është një nga urdhrat kalorsiakë më
prestigjozë të Europës, shtypi i majtë u ngërthye si në kohën e Enver Hoxhës.
Dje, Kalendari Mbretëror Botëror, kujtoi 26 Marsin 2013, me Ditëlindjen e
64-të, të Princeshës së Kurorës Margarita e Rumanisë, e cila ka lindur më 26
Mars 1949. Ditëlindjen e 31-të, Crown Prince Leka II i Shqipërisë i lindur
më 26 Mars 1982. 26 Marsin kur Hollanda festoi Ditëlindjen e 8-të, të
konteshës, Emma Luana e Orange-Nassau, Jonkvrouwe van Amsberg e lindur më 26
Mars 2005. Më 26 Mars Luksemburgu dhe Austria, kremtuan Ditëlindjen e 19-të,
të Archduchess Gabriella së Austrisë, Princesësh Imperiale e Austrisë,
Princess Royal së Hungarisë,
/ Crown Prince Leka II i Shqipërisë/
Leka II ka lindur më 26 Mars 1982, në orën 13:43, në Johanesburg, Afrika
e Jugut në “Sandton Clinic”. Klinika në të cilën ka lindur NTM është
shpallur nga qeveria e Afrikës së Jugut si tokë shqiptare për 24 orë, me
kërkesë nga NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Princi Leka II është i fejuar
me aktoren Elia Zaharia. LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve u shpall
Trashëgimtar i fronit në vitin 2000, mbas një betimi që Ai bëri përpara
arkivolit me trupin e NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve. Nga ajo ditë, Ai
zgjodhi të ishte LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve.
Në vitin 2004 deri në vitin 2005 , Ai vijoi studimet në akademinë me famë
botërore”Royal Military Academy of Sandhurst” në Mbretërinë e Bashkuar.
Gjatë këtyre studimeve mori edhe disa çmime si psh: “The King Hussein Price”
dhe Toga e LTM Leka II, Princ i Shqiptarëve është shpallur si “The
Sovereign’s Platoon”në Universitetin Mbreteror Iliria dega Marrdhenie
Nderkombetare dhe Diplomaci.
Dekoratat :
Oficer i Urdherit te Skenderbeut.
The Irish Nobility “ The Nobiliary Fraternity of the Nia Naisc”.
President Nderi Presidenti i Federates Shqiptare te Golfit.
President i Shoqates “Mati”.
President Nderi i Shoqatës Italiane për Jetimet “Fiaba”.
Pratrone: “The International Comission and Association on Royalty and
Nobility”
Antari i Nderit te: SOS Orphans of Albania (SOS Avenir Orphelins d’Albanie –
France)
Antari i Nderit te: Albanian Olympic committee 2011.
LTM Princi Leka II është dekoruar me kordonin e madh të Urdhërit Santi
Maurizio e Lazzaro, i cili është një nga urdhrat kalorsiakë më prestigjozë
të Europës.
Gjuhët: Shqip dhe Anglisht
Shpallja e Titullit Princ Trashëgimtar është bër në bazë Statutit të Vitit
1928, të Mbretërisë Shqiptare, Princi Trashëgimtar i fronit mbretëror është
djali më i madh i Familjes Mbretërore. Kështu që Ai shpallet trashëgimtar i
Fronit Mbretëror mbasi të ketë mbushur moshën 18 vjeçare, nga NMT Mbreti.
NTM Leka II, Princ i Shqiptarëve u shpall Trashëgimtar i fronit në vitin
2000, mbas një betimi që Ai bëri përpara NMT Leka I, Mbret i Shqiptarëve, në
Johanesbug. Nga ajo ditë, Ai u zgjodh të ishte NTM Leka II, Princ i
Shqiptarëve.
Princi Leka II: Pse qau babai në çastet e
fundit të jetës |
|
Nga: REZARTA
DELISULA |
|
|
TIRANE
- Ai është një djalë i edukuar, i kulturuar, e me të folurën e tij të
qetë, të bën ta dëgjosh me kujdes. Në këtë drejtim i ngjan shumë atit të
tij, të cilit me kalimin e viteve, ka nisur t'i ngjasojë edhe në portret.
E takojmë Princin Leka II, në rezidencën mbre-tërore në qendër, takim që
përkoi me ditëlindjen e tij të 31-të. Me politesën karakteristike, ai
pranon të na japë kohë dhe të flasë për një moment shumë të vështirë të
jetës së tij, humbjen e babait, njeriut që e mësoi mbi të gjitha të jetë
ky që është sot, një djalosh me zemër e mendje të madhe. Në këtë
intervistë të dhënë për "Gazetën Shqip-tare", Princi Leka II na përcjell
përjetimet, bisedën e fundit me të atin, planet që ka në të ardhmen dhe
veçantinë e punës së tij, tashmë si këshilltar i presidentit.
Dje festuat 31-vjetorin dhe është hera e dytë që e festoni
ditëlindjen tuaj pa babain. Sot, gati 18 muaj pas vdekjes së tij, cila
është pjesa në të përditshmen tuaj ku ia ndjeni më tepër mungesën?
Më mungon jashtëzakonisht dashuria prindërore, afërsia që
kishim dhe diskutimet që ndanim çdo ditë së bashku. Më mungojnë
këshillat e tij në aktivitetet e përditshme, të shprehurit lirshëm për
problemet me të cilat përballet Shqipëria dhe Kombi shqiptar, si dhe e
ardhmja e tij. Janë gjithnjë një sërë gjërash nga më të thjeshtat që të
kujtohen kur humbet njerëzit më të dashur, krahas dhimbjes së përhershme
shpirtërore që nuk shërohet kurrë.
Dy humbje të njëpasnjëshme brenda pak vitesh, nëna dhe babai,
... a ju kanë rritur para kohe?
Unë kam qenë me fat, edhe si fëmijë i vetëm, që gjithnjë kam
ndjerë shumë dashuri nga prindërit e mi dhe nëpërmjet edukimit ata më
kanë dhënë gjithnjë mbështetje. E gjitha kjo dhe, jeta në vetvete në
situata specifike, të jep pjekuri dhe forcë që të përballesh me sfidat e
kohës, dhe mund të them se prindërit e mi më kanë përgatitur mirë e me
një edukatë shembullore. Në sajë të formimit tim, të edukatës dhe
përgatitjes, unë ndjej shumë përgjegjësi dhe detyrim për të përmbushur
aspiratat e Familjes Mbretërore, si simbol i unitetit të Kombit shqiptar,
dhe për këtë kam një besim të patundur.
Keni pasur një marrëdhënie shumë të ngushtë me Mbretin Leka I,
keni po ashtu një ngjashmëri shumë të madhe edhe në fizik; çfarë keni
marrë më shumë prej karakterit të tij?
Durimin, gjakftohtësinë, vetëpërmbajtjen dhe përkushtimin ndaj
idealit që ne besojmë.
Cila ka qenë biseda e fundit me babain tuaj në fund të nëntorit
2011 kur ai u shua?
Biseduam për z. Ramush Haradinaj, i cili në atë kohë ndodhej në
Gjykatën e Hagës, dhe kjo bisedë u zhvillua pas vizitës në spital të
vëllait të tij, Gjeneral Daut Haradinajt. Babai kishte një respekt të
veçantë për familjen Haradinaj dhe sigurisht, për të gjithë ata që
sakrifikuan për idealet kombëtare me gjakun dhe jetën e tyre. Padyshim,
unë kam trashëguar të njëjtën dashuri për këtë familje, si dhe për
familjen Jashari dhe familjen Rugova.
Cili ka qenë meraku i babait tuaj?
Asnjëherë nuk ka pasur ndonjë merak vetjak apo familjar. Ai ua
kushtoi gjithë jetën e tij idealeve kombëtare, një Shqipërie të lirë,
demokratike dhe të begatshme në kuptimin perëndimor të fjalës. Meraku i
parë ishte shembja e diktaturës komuniste dhe pavarësia e Kosovës, që u
realizuan dhe i përjetoi. Pas kësaj, merak kishte një Shqipëri më të
begatë dhe një komb të bashkuar, - aspiratë kjo që i mbetet brezit tonë
për ta realizuar. Sistemin e Monarkisë Kushtetuese nuk e shihte aq si
ambicie personale, sesa si një sistem më të efektshëm dhe të
përshtatshëm mbarëkombëtar.
Vjet erdhën në Tiranë eshtrat e Ahmet Zogut, gjyshit tuaj; a
ndiheni më i lehtësuar nga kjo ngjarje dhe cili ka qenë roli juaj në
gjithë këtë?
Viti i kaluar ishte një vit i paharruar për gjithë shqiptarët
kudo që ndodhen, si vit jubilar i 100-vjetorit të Pavarësisë, dhe në
këtë kuadër u bë i mundur dhe rikthimi i eshtrave të Mbretit Zog,
ngjarje për të cilën unë i jam shumë mirënjohës qeverisë. Roli im ishte
si anëtar i Komisionit Qendror, posaçërisht për këtë eveniment, dhe gjej
rastin të falënderoj z. Flamur Noka, Aldo Bumçi, Lulzim Basha dhe Ekrem
Spahia për punën e palodhur. Njëkohësisht, falënderoj tej mase edhe
ambasadorin tonë në Francë, z.Ylljet Aliçka, për ceremoninë solemne të
organizuar në Paris, ku morën pjesë shumë personalitete të shquara të
qeverisë franceze dhe të aristokracisë evropiane. Pa dyshim që
mirënjohjen më të thellë, Familja Mbretërore ia dedikon kryeministrit,
z. Sali Berisha, pa të cilin, rikthimi i eshtrave, rindërtimi i
Mauzoleumit dhe përmendorja kushtuar Mbretit Zog në Tiranë do të ishin
të pamundura.
A ishte ky, një premtim juaji i mbajtur?
Kjo është e vërtetë, por jo e gjitha. Ne, me të vërtetë jemi të
qetë që dinjiteti i Familjes Mbretërore u vu në vendin që i takon, por
duhet menduar dhe punuar edhe për gjithë ato familje pro-monarkiste që
janë persekutuar çnjerëzisht gjatë periudhës së regjimit komunist.
Eshtrat e Mbretit Zog nuk do të gjejnë qetësinë e plotë pa u vënë në
vend edhe dinjiteti i përkrahësve të tij, dhe ky nuk është vetëm një
obligim i Familjes Mbre-tërore, por mendoj se duhet të jetë obligim i
gjithë shoqërisë demokratike, për të cilën ata u persekutuan.
Thoni që eshtrat e Mbretit Zog nuk do gjejnë qetësinë e plotë pa
u vënë në vend dinjiteti i përkrahësve të tij; çfarë nënkuptoni me këtë?
Unë shpresoj që me realizimin e përfundimin e Mauzoleumit të
Familjes Mbre-tërore, do të kemi mundësi që të bëjmë një mur kuptimor,
për të gjithë ata njerëz, ato familje që kanë sakrifikuar e kanë dhënë
kontributin e tyre për ndërtimin e shtetit shqiptar në kohën e Ahmet
Zogut, por edhe që janë persekutuar në regjimin komunist, për të
siguruar që historia e tyre të mos harrohet nga populli shqiptar, dhe në
këtë drejtim, ne e kemi obligim që si Familje Mbretërore, të sigurojmë
që të vërtetat historike të mos harrohen nga gjeneratat që do vijnë e
nga rinia e sotshme.
Kur do të bëhet bashkimi i të gjithë anëtarëve të Familjes
Mbretërore në Mauzoleumin e ndërtuar?
Pyetja është e drejtë, pasi fillimisht Mauzoleumi i ndërtuar në
vitin 1936 u quajt "Varri i Nënës Mbre-tëreshë" dhe në kujtesën e
popullit ky emërtim nuk u shua edhe gjatë viteve të diktaturës komuniste,
e cila në mënyrë barbare kishte shkatërruar varrin e një nëne. Deri tani
në Mauzoleumin e rindërtuar prehen eshtrat e gjithë anëtarëve të
familjes, me përjashtim të Nënës Mbretëreshë Sadije, së cilës dhe iu
kushtua ky Mauzoleum në kohën e Mbretërisë.
Projekti ynë imediat është që Nëna Mbretëreshë Sadije të jetë së bashku
me djalin dhe nipin e saj, si dhe me Mbre-tëreshën Geraldinë dhe
Mbretëreshën Suzanë, duke restauruar themelet e varrit origjinal si
pjesë përbërëse e plotësuese të Mauzoleumit të rindërtuar dhe ndërkohë,
duke krijuar edhe një dimension tjetër historik, për t'u treguar brezave
të rinj egërsinë dhe aktet çnjerëzore të regjimit komunist.
Babai juaj, Mbreti Leka I, u shua vetëm pak ditë pas 28 nëntorit
2011, e fjalët që u thanë ishte se ai lëshoi lot në shtratin e vdekjes
kur pa flamurin që e kishte kërkuar nga ju ta vinit në dritaren e dhomës
së tij në spital. E vërtetë?
Kjo është absolutisht e vërtetë, ishin çastet më emocionale e
më të paharruara. Mbreti në ato momente nuk ishte në gjendje të fliste
dhe unë kujtoj prekjen e flamurit me dorën e tij... vështrimin nga
dritarja ku e vendosëm flamurin... disa pika lot që u rrokullisën... e
që nuk i kisha parë kurrë në sytë e këtij njeriu të fortë... Të tjerat,
mund t'i imagjinoni vetë.
Cila ka qenë këshilla më e vlefshme që ju ka thënë Mbreti Leka
I?
Dëgjoji të tjerët. Nuk ka rëndësi rangu që ka në shoqëri
personi që flet. Konsiderojeni atë sikur të jetë njeriu më i fuqishëm,
duke i vlerësuar mendimet e tij dhe jo vetëm mënyrën e të shprehurit.
Po ju, e këshillonit ndonjëherë për diçka? Për tymosjen e
duhanit, për shembull?
Jam përpjekur gjithnjë t'ia largoj duhanin, por pa sukses. Ai
kishte lirinë për ta zgjedhur vetë mënyrën e tij të jetës. Siç duket,
kishte shumë strese dhe duhani e qetësonte.
Elia, krah jush për shumë vite tashmë; do kemi dasmë sivjet siç është
përfolur apo është ende herët? Detajet, nëse ka ardhur momenti t'i
zbuloni?
Jemi ende duke bërë plane dhe do t'ju informojmë në kohën e duhur.
Nga Ministria e Jashtme si këshilltar, i të Brendshmes deri në
2012-ën e, prej pak muajsh në Presidencë si këshilltar politik. Cila nga
të tria është puna më tërheqëse, ajo që ju bën të mendoheni më gjatë, me
më shumë përgjegjësi, edhe pse në thelb janë të ngjashme?
Secila nga detyrat ka pasur të veçantat e veta, por them se kam
qenë me fat që gjatë gjashtë viteve më është dhënë mundësia të përfitoj
përvoja të ndryshme. Nëse puna në Ministrinë e Brendshme ishte shumë
teknike, në Ministrinë e Jashtme ishte më tepër dinamike, ndërsa në
Presidencë ka karakter më krijues. Më kujton studimet e mia, kur
qëndroja gjatë duke shkruar dhe analizuar çdo zhvillim nëpërmjet
llogarive të detajuara.
Keni punuar me presidentin aktual Bujar Nishani si këshilltar i
tij edhe në Ministrinë e Bre-ndshme; aty u vendos komunikimi mes jush,
pasuar më pas edhe me ftesën për t'u bërë kë-shilltar i tij?
Jam shumë i nderuar që presidenti Nishani më propozoi të bëhem
pjesë e kabinetit të tij, gjë të cilën unë e konsideroj së pari si
vlerësim të punës sime në Ministrinë e Punëve të Brendshme. E ndjej që
na bashkon një gjë e përbashkët dhe shumë e rëndësishme: Dashuria për
Kombin shqiptar, pavarësisht nga forma e qeverisjes së shtetit, ku
ndajmë pikëpamje të ndryshme. Por synimet dhe qëllimet tona janë
plotësisht të njëjta: Të punojmë me përkushtim për të mirën dhe begatinë
e popullit dhe Kombit shqiptar.
Sa kohë keni pa shkuar në Afrikën e Jugut, vendin ku u lindët e
rritët?
Nuk jam kthyer në Afrikën e Jugut qysh nga viti 2002 kur erdha
për herë të parë në Shqipëri dhe mund të them se këto 11 vite kanë
kaluar me një shpejtësi të pabesueshme.
Ju mungon ajo pjesë e fëmijërisë suaj?
Unë kam shumë kujtime të bukura për Afrikën dhe shpresoj se në
një kohë të përshtatshme, së bashku me Elian do të vizitojmë vendin ku
kam kaluar fëmijërinë time. Çdo gjë bëhet në kohën e duhur.
Mbani qen tani? E keni pasur pasion, apo jo?
Qentë janë krijesa të mrekullueshme dhe mbajtja e tyre ka qenë
në traditën e familjes sonë. Di se edhe gjyshi im, Mbreti Zog, ka pasur
një të tillë.
Cilët janë miqtë që ju ndenjën më pranë pas humbjes së babait?
Ju them se jam me shumë fat që kam pasur një mbështetje të
gjithanshme vitin e kaluar. Miqësia është një gjë shumë e rëndësishme.
Më kanë rrethuar kaq shumë miq, sa nuk numërohen.
Ka pasur njerëz që dikur, kur Leka I ishte gjallë vinin e pas
vdekjes së tij u 'zhdukën'?
Unë vetë kam zgjedhjet e mija, por miqësia e vërtetë mbetet
gjithnjë e tillë, pavarësisht nga rrethanat dhe situatat që ndodhin.
Babai im ka pasur shumë miq gjatë jetës së tij dhe ata kanë mbetur
përsëri të tillë.
Sot jeni trashëgimtari i vetëm i fronit mbretëror; si janë
marrëdhëniet tuaja me Partinë e Legalitetit?
Është një marrëdhënie e natyrshme, pasi Partia e Legalitetit ka
qenë dhe është mbështetësja kryesore e Monarkisë. Është një zë i
rëndësishëm për vizionin që kanë pasur gjyshi dhe babai im për një
Shqipëri moderne dhe të lirë si dhe një komb të bashkuar e të fortë.
Partia e Legalitetit synon një shtet të mirëfilltë ligjor, për një
familje të shëndoshë, duke ruajtur traditat më të mira të popullit
shqiptar. Ajo është një parti konsekuente ndaj vlerave morale dhe kundër
çdo devijimi. Është parti që ka në programin e saj krijimin e kushteve
të përshtatshme për rimbajtjen e një referendumi lidhur me formën e
organizimit të shtetit, duke synuar vendosjen e sistemit të Monarkisë
Kushtetuese, si sistemi më garant i demokracisë dhe prosperitetit të
popullit, gjë kjo e dëshmuar pothuajse në të gjitha Monarkitë evropiane
dhe shtetet më të zhvilluara të Evropës dhe të botës.
Keni bërë kërkesë për kthimin e pronave të familjes suaj, së
fundmi dhe Pallatit të Brigadave; keni besim se do i merrni?
Unë kam kërkuar që Pallati i vjetër Mbretëror të jetë i hapur
për gjithë publikun. Ai është një pasuri, e ndërtuar nga gjyshi im,
Mbreti Zog, si shenjë e dashurisë së tij ndaj Mbretëreshës Geraldinë.
Tirana duhet të krenohet me historinë dhe kulturën e saj, dhe periudha e
Monarkisë është një pjesë shumë e rëndësishme e historisë dhe kulturës
së kryeqytetit. Për sa u përket pronave, unë jam i sigurt se edhe
Shqipëria do të veprojë si vendet e tjera të Rajonit për trajtimin e
këtij problemi, si dhe për statusin që gëzojnë Familjet Mbretërore në
këto vende.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb) |
PYETJE: Kuadri tërësor i veprimtarive dhe festimeve të 100-vjetorit të
pavarësisë së Shqipërisë.
PRINCI LEKA: Festimet e 100 vjetorit ishin të
pabesueshme, ndërsa të shihje popullin shqiptar të bashkuar në këto kremtime
ishte tejet emocionuese. Në një aspekt më personal kthimi i eshtrave të
Mbretit Zog ishte një ngjarje historike dhe gjithashtu një mundësi për të
reflektuar mbi këto 100 vite të kaluara në tërësinë e tyre. Megjithëse
historia shqiptare ka kaluar peripecitë e saj, unë mbetem shumë optimist
duke ndjerë forcën e popullit shqiptar.
PYETJE: Analiza Juaj për gjendjen në Shqipëri.
PRINCI LEKA: Shqipëria është një vend
dinamik, sistemi politik mbetet i polarizuar ndërmjet dy partive kryesore
dhe zgjedhjet e ardhshme do të mbartin një rëndësi të veçantë dhe
përcaktojnë zhvillimin e mëtejshëm të vendit. Në mënyrë më specifike në
ecjen përpara në marrjen e statusit te vendit kandidat ne Be dhe në
projektin e integrimit europian.
Shpresoj se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të lira dhe demokratike dhe që
deputetët që do të zgjidhen në parlamentin e ri do të përfaqësojnë votuesit
gjatë mandatit të tyre. E theksoj këtë pasi në Shqipëri përfaqësimi mbetet
ende problem.
Jam i lumtur që prej vitit 2005, Shqipëria ka ndryshuar pozitivisht për të
mirën e popullit dhe se ndjenjat e patriotizmit po rilindin te Shqiptarët.
PYETJE: Pritshmëria e Princit Leka për përparimin e shqiptarëve.
PRINCI LEKA: Mbetem i besimit se shqiptarët
në rajon do të njohin zhvillim të vazhdueshëm, por ne duhet të jemi të
ndërgjegjshëm për rolin tonë si faktor stabiliteti në Ballkan dhe të
sigurohemi që përpjekjet tona të mos minohen e të shkojnë dëm. Bashkimi i
Shqiptarëve në një kontekst europian është në proces dhe unë jam i bindur se
me iniciativat e mëtejshme administrative, ekonomike dhe kulturore, kombi
shqiptar do të bashkohet fuqimisht për të kontribuuar në familjen europiane.
PYETJE: Përpjekjet Tuaja të sotme, të Mbretit Leka I dhe Mbretit të
Shqiptarëve Zog I për forcimin e shtetit shqiptar.
PRINCI LEKA: Në vitet e kaluara unë jam
fokusuar kryesisht në sferën ndërkombëtare. U përkujdesa që ta kryej vizitën
time të parë pas vdekjes të Mbretit Leka I, në Shtetet e Bashkuara të
Amerikës ku kryesija e Partisë Levizja e Legalitetit në New York u kujdes
për pritjen dhe programin e vizites. Më atë rast, mora pjesë në festimet e
Federatës “Vatra” dhe pata takime në Kongresin e Shteteve të Bashkuara. Unë
mendoj se Familja Mbretërore mund të luajë një rol të rëndësishëm në
aspektin social në vend. Në këtë kontekst, Elia dhe unë kemi menduar
themelimin e një fondacioni të fokusuar në përmirësimin e jetës së
shqiptarëve dhë në një fushatë marrëdhënieje publike për të promovuar
Shqipërinë në komunitetin ndërkombëtar.
Sa për Mbretin Zog, dihet tashmë se ai ishte themeluesi i shtetit të parë
modern shqiptar. Kontributi i tij në ndërtimin e institucioneve dhe të një
ndërgjegjeje kombëtare po del çdo ditë e më shumë në dritë. Ndërsa Mbreti
Leka ia kushtoi jetën e vet çlirimit të vendit, lirisë dhe demokracisë si
dhe bashkimit kombëtar. Dhe kjo nuk është pak, kur merren parasysh kushtet
dhe rrethanat e asaj kohe.
PYETJE: Puna e Familjes Mbretërore për bashkimin kombëtar dhe si e shihni
këtë proces në vazhdimësi, raportet me serbët, grekët dhe fqinjët
PRINCI LEKA: Familja Mbretërore Shqiptare do
të jëtë përherë mbështetëse e Kombit Shqiptar si një simbol i bashkimit të
shqiptarëve dhe do të bëjë më të mirën që ata të mbrohen e të gëzojnë të
gjitha liritë që janë të natyrshme në një demokraci. Kemi shumë për të bërë
për forcimin e kombit shqiptar brenda një Europe ku kufijtë do të kenë
rëndësi gjithnjë e më pak. Sigurisht që jam i bindjes së Monarkia do të
luajë një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, tok më aleatët tanë europianë
dhe amerikanë. Sesi do të materializohet kjo, do të vendoset, por me kohë
edhe durim.
PYETJE: Mundësia e një referendumi të ri për sistemin shtetëror, republikan
apo Mbretëri. Kjo, sepse meqë referendumi i vitit 1997 nuk u kontrollua dot
për shkak të gjendjes që kalonte Shqipëria dhe mungesës së komisionerëve të
legalistëve në numërimin e votive.
PRINCI LEKA: Fitorja e referendumit në vitin
1997 ishte një shembull i mbështetjes së popullit për shpresën e ndryshimit
dhe stabilitetit që Monarkia mund të kishte siguruar. Megjithëse jam i
ndërgjegjshëm për vështirësitë që mbartte ajo kohë e tmerrshme për
shqiptarët, jam i mendimit që Monarkia duhet të jetë më aktive në zhvillimin
e vendit. Me kohën do të jemi në një pozicion më të fortë për të propozuar
mundësinë e një referendumi të ri që do të përcaktojë llojin e sistemit që
do ti përgjigjet më së miri nevojave të kombit në të ardhmen.
PYETJE: Marrëdhëniet Tuaja me shqiptarët, klasën politike dhe institucionet
e tyre në Kosovë, shtetin maqedonas, Çamëri, Serbi dhe në Malin e Zi.
PRINCI LEKA: Ruaj marrëdhënie kordiale me
shumicën e partive politike shqiptare. Sigurisht çdo rast bazohet mbi
specifika dhe situata të veçanta.
PYETJE: Integrimi në Bashkimin Europian, çfarë duhet të bëjë politika.
PRINCI LEKA: Meqë shumica e shqiptarëve janë
pro integrimit europian unë besoj se të gjitha partitë politike duhet të
lënë mënjanë ndasitë dhe të bashkojnë qëndrimet në një front të përbashkët
për të punuar për procesin e integrimit, në mënyrë të veçantë në lidhje me
skeptikët e procesit të zgjerimit. Duhet të fokusohemi më pak në politikën
lokale të Tiranës, dhe të trajtojme çështjet jetike për perspektivën e
Brukselit. Viti 2013 do të jetë një vit vendimtar, si rrjedhojë e zgjedhjeve
dhe para se të parashikohet statusi i vendit kandidat në 2014.
PYETJE: Gjykimi Juaj mbi qëndrimet për Mbretërinë nga klasa politike brenda
dhe jashtë Shqipërisë
PRINCI LEKA: Çëshjta e Monarkive është
rajonale dhe duhet analizuar si e tillë. Qeveria malazeze sapo ka vënë në
zbatim një status mbretëror për Princin Nikolai, i ka ndërtuar atij një
pallat të ri dhe e ka financuar me fonde shtetërore fondacionin e tij.
Ndërsa në Rumani aktualisht janë duke u diskutuar ndryshime kushtetuese, ku
Monarkia do të njihet madje mund të ndryshohet sistemi qeverisës. Vlen të
përmendet këtu edhe ndryshimet pozitive që kanë arritur vitet e fundit
familjet mbretërore Serbe dhe Greke. Familja Mbretërore Shqiptare ka shumë
për të punuar që të ndryshojë propogandën e vjetër komuniste që ka
influencuar negativisht shoqërinë në 60 vitet e fundit.
PYETJE: Përgjigja Juaj për kundërshtarët e Mbretërisë.
PRINCI LEKA: Të gjithë shqiptarët duhet të
bashkohen dhe të punojnë për idealet tona kombëtare pavarësisht ndasive
politike.
PYETJE: Marrëdhëniet personale me krerët e partive
PRINCI LEKA: Në përgjithësi shumë të
mira.
PYETJE: Si e shihni funksionimin e institucioneve
PRINCI LEKA: Termi institucion nuk
është zhvilluar si duhet ende, pasi sistemi qeveritar në Shqipëri është i
përcaktuar nga figura me influencë dhe jo qëndrueshmëria institucionale. Kjo
është arsyeja që shpesh kur flas për aktivitetet e Oborrit Mbretëror përmend
rëndësinë institucionale që mbart ai dhe jo forcën e individëve të veçantë.
PYETJE: Mesazhi Juaj për komunitetin e fortë shqiptaro-amerikan dhe
mbështetësit e Mbretërisë në SHBA
PRINCI LEKA: Të vazhdojnë të mbeten
ambasadorët tanë më të mirë dhe të sigurojnë që vlerat tona të përbashkëta
të mbeten gjithmonë të gjalla. Ne duhet të jemi krenarë për trashëgiminë
kombëtare.
PYETJE: Zgjidhja e çështjes së pronës, a mund të kemi ligj të ri,
përderisa shumë pronarë ende nuk e kanë marrë atë që u takon.
PRINCI LEKA: Nuk do të preferoja të
komentoja për këtë çështje pasi kjo është një plagë në zhvillimin ekonomik
të vendit.
PYETJE: Qëndrimi për ish-të përndjekurit politikë
PRINCI LEKA: Ka shumë çështje që
presin zgjidhje, ndërsa media ka reflektuar një pakicë ekstremistësh që nuk
po ndihmojnë aspak në zgjidhjen e problemeve të vërteta të ish-të
përndjekurve politikë. Në anën simbolike të çështjes, është absurd fakti që
Enver Hoxha mban ende titullin e Heroit të Popullit, ndërsa është
domosdoshmëri krijimi i një muzeu qëndror për krimet e komunizmit sikundër
kanë bërë vende të tjera. Ne nuk duhet të harrojmë vuajtjen e aq shumë
patriotëve të vërtetë. Po ashtu, skema e pensionit të funksionarëve të ish-komunizmit
është absurde në krahasim me të persekutuarit politikë. Megjithatë unë besoj
se qeveria është e përkushtuar totalisht në plotësimin e detyrave të saj
ndaj kësaj shtrese.