Oficerë të lartë, njerëz të afërt të Ahmet Zogut, pjesë e ushtrisë franceze, ku dhe janë nderuar.
Qëndrimi i Francës ndaj vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri.
Zogu-grekëve: Më mirë mbështes Enver Hoxhën se t’ju jap Epirin.
“Pas mynxyrave të qershorit, në territorin anglez kishin mbërritur sovranët dhe ministrat e Norvegjisë, Holandës, Luksemburgut, presidenti dhe ministrat e qeverisë polake dhe më vonë kabineti qeveritar belg. Çekosllovakët nisën të organizoheshin, ndërkohë që Mbreti i Shqipërisë ndërmerrte disa kontakte”. Në “Kujtimet e luftës” së gjeneralit De Gaulle është i vetmi aluzion që i bëhet qeverisë shqiptare mbretërore në mërgim.
Lakonik, pothuajse i parëndësishëm, ky shënim kumton gjithsesi opinionin që kreu i Francës së lirë kishte mbi situatën e Mbretërisë shqiptare gjatë viteve të para të Luftës së dytë Botërore: ai njihte legjitimitetin e Mbretit të shqiptarëve dhe, duke e radhitur përkrah sovranëve të tjerë të mërguar të vendeve aleate (Holandë, Luksemburg, Poloni, Çekosllovaki), e konsideronte Shqipërinë si një vend aleat rezistent. Ai nuk e ndryshoi as më pas këtë opinion dhe do të shprehet vazhdimisht me keqardhje për faktin që ky vend aleat ra nën zgjedhën e sundimit sllav dhe komunist. Bindja që gjenerali De Gaulle kishte mbi këtë pikë nuk ishte e parëndësishme në vitet 1940.
Duke njohur rezistencën shqiptare, Franca e lirë përmbyste pozicionin franko-anglez të prillit 1939, që konsistonte në mosdenoncimin e hapur të agresionit italian mbi Shqipërinë të datave 7-12 prill të të njëjtit vit. Nëse Republika III franceze kishte heshtur mbi këtë agresion, kjo i detyrohej faktit që Franca nuk donte të ripërsëritej kundërvënia e saj e hapur në Lidhjen e Kombeve ndaj pushtimit italian të Abisinisë, tre vjet më parë. Ky reagim e kishte shtyrë Duçen të nënshkruante “Paktin e hekurt” me Hitlerin, ndërkohë që vetë Musolini vazhdonte të shprehte një vullnet afrimi me “Plutokracitë” perëndimore, siç i cilësonte ai demokracitë e pasura kapitaliste, Anglinë dhe Francën në veçanti.
Më 1939-n, ndërkohë që qeveria fashiste projektonte aneksimin e Shqipërisë, e cila ndodhej tashmë prej kohësh nën influencën italiane, për të kundërpeshuar aneksimin e Çekosllovakisë nga Rajhu gjerman, dhe bënte përpjekje për të mos bashkëndarë fatin e Gjermanisë dhe Japonisë, Franca nuk mund të bënte gjë tjetër, veçse të shpresonte një zbutje të konfliktit në dukje të menjëhershëm dhe të paevitueshëm me Romën. Mosangazhimi i Italisë duhej ruajtur me çdo kusht, edhe pse Parisi e Londra ishin në dijeni të faktit që Roma nuk ishte në gjendje të angazhonte njësi të plota ushtarake përpara 1942-shit. Kështu duhej hequr dorë nga çdo përplasje frontale me Boshtin, mbi çështjet ballkanike dhe në mënyrë të veçantë në lidhje me Shqipërinë, për të evituar ndërhyrjen e Gjermanisë, gjë e cila mund të zgjonte simpatitë e fjetura të qeverisë greke, jugosllave, bullgare ose asaj rumune për Rajhun III. Kjo është arsyeja për të cilën Republika III franceze, jo vetëm që kishte pranuar në mënyrë të heshtur uzurpimin e kurorës mbretërore shqiptare prej Mbretit Viktor Emanuel III, por kishte vepruar në mënyrë të tillë që denoncimi i agresionit italian mbi Shqipërinë, i transmetuar zyrtarisht kryetarit të Lidhjes së Kombeve, Jozef Avenol, nga vetë Mbreti Zog I, i ndodhur në Greqi, më 9 prill 1939, të mos kishte asnjë jehonë në arenën ndërkombëtare. Si për cinizëm të historisë, Franca do të ndodhet në një situatë të ngjashme me atë të Shqipërisë në maj-qershor të vitit 1940, pasi, e agresuar nga Italia e Musolinit, do ta shohë veten të shkelur prej “çizmes” së Duçes.
Në mënyrë të logjikshme dhe si pasojë e denoncimit të politikës së jashtme të papërgjegjshme të viteve 1930 të Republikës III, gjenerali De Gaulle do të konsiderojë të pavlefshme dhe të paqenë rrëzimin e mbretit Zog I i shqiptarëve nga italianët, gjë për të cilën dëshmon korrespondenca midis dy liderësh shteti, nëpërmjet së cilës udhëheqësi i Francës së lirë i drejtohet një sovrani legjitim, jo thjesht përfaqësuesit të një grupimi të caktuar në mbrojtje të interesave shqiptare.
Ishte pikërisht pushtimi italian ai që e detyroi familjen mbretërore të braktisë Shqipërinë. Mbreti Zog I nuk mundi të organizojë një rezistencë të brendshme, për arsye të ndryshme për të cilat historianët debatojnë ende. Por ai shpresoi në organizimin e një rezistence jashtë Shqipërisë me trupa dhe materiale më të shumta në krahasim me ato ç’ka dispononte aktualisht Shqipëria dhe që ndodheshin prej kohësh në duart e italianëve.
Për të, një rikthim në vend ishte i mundshëm, nëpërmjet bashkimit të forcave që i kishin qëndruar besnike, ashtu si kishte ndodhur në vitin 1924, kur, i larguar nga pushteti dhe i mërguar për shkak të një revolucioni, ai kishte triumfuar mbi kundërshtarët. Megjithatë, konteksti ndërkombëtar në vitet 1939-1940 nuk ishte më i njëjti si në vitin 1924. Si përfaqësues i unitetit të të gjithë kombit shqiptar, autokton në disa territore jugosllave dhe greke, prezenca e Mbretit Zog nuk ishte më e mirëpritur as në Beograd, as në Athinë. I detyruar të largohej nga trojet shqiptare nëpërmjet një udhëtimi të gjatë në det, ai kaloi nëpër Turqi, në vendet baltike, në Francë ku, mes të tjerash, ai njohu dhe disfatën e Republikës III.
Mbreti Zog dhe suita e tij u instaluan në Angli më 26 qershor të vitit 1940, si fillim në hotelin “Ritz”, pastaj në vila “Forest Ridge” të Sunningale Ascot dhe më së fundi në vilën e Parmoor House, në Oxfordshire. Nuk është e pamundur që Mbreti Zog dhe një pjesë mirë e të rinjve shqiptarë, të ndodhur brenda dhe jashtë territorit shqiptar, të kenë dëgjuar apelin e 18 qershorit ose atë të 22 qershorit 1940 të gjeneralit De Gaulle nëpërmjet valëve të BBC, ashtu siç është pranuar nga disa dëshmi. Edhe pse anglezët i kishin ndaluar kategorikisht çdo lloj akti rezistence, Mbreti Zog tentoi dy herë ndërmjet nëntorit të vitit 1940 dhe prillit të vitit 1941 të organizojë trupa luftimi, të cilët do të depërtonin në territorin shqiptar nëpërmjet Jugosllavisë ose Greqisë për të destabilizuar italianët dhe për të nxitur popullin shqiptar në kryengritje. Po në këtë periudhë, Mbreti Zog u përpoq të hidhte bazat e një aksioni të përbashkët antifashist greko-shqiptaro-jugosllav, por pa sukses.
Këto projekte nuk u miratuan nga anglezët, të cilëve regjenca jugosllave, në afrimitet me Rajhun, i kishte bërë të ditur oponencën e saj formale. Qeveria greke nuk dëshironte në asnjë mënyrë përforcimin e një rezistence shqiptare nacionaliste, konkurrente me të sajën, e cila mund të bëhej pengesë në të ardhmen për aneksimin e jugut të Shqipërisë nga Greqia. Vlen të nënvizohet që anglezët besonin më shumë në të ardhmen e rezistencës komuniste të organizuar dhe të konsoliduar fuqishëm, falë ideologjisë së emisarëve të Partisë komuniste jugosllave.
Në këto rrethana mjaft të vështira, Mbreti Zog, i cili përpiqej të kishte sa me tepër kredibilitet përpara fuqive aleate, e shihte të arsyeshme të mos braktiste mundësinë për të peshuar sadopak në zgjidhjen e ardhshme të konfliktit botëror. Për këtë arsye, ai vendosi të ndihmojë rezistencën mbretërore të krijuar brenda Shqipërisë rreth një oficeri të ish-ushtrisë së rregullt shqiptare, majorit Abas Kupi. Po për këtë arsye, Mbreti filloi të inkurajonte dhe të autorizonte oficerët e rrethit të tij, por gjithashtu dhe të gjithë shqiptarët që e mbështetnin jashtë Shqipërisë, të angazhohen në kuadrin e forcave të armatosura të fuqive aleate për të qenë prezent në teatrot e ndryshëm të operacioneve luftarake. Edhe pse ky angazhim nuk mund të ishte, numerikisht, veçse simbolik, ai duhej të kontribuonte në pjesëmarrjen e Shqipërisë në fitoren përfundimtare.
I frymëzuar nga shembulli i rezistencës goliste jashtë Francës, Mbreti i shqiptarëve dëshironte një pjesëmarrje ushtarake, simbolike, por konkrete. Këtë dëshmojnë memorandumet e ndryshme që monarku i dërgoi Ruzveltit, por edhe fuqive të mëdha të mbledhura në Konferencën e Londrës, më 23 shtator 1941. Gjenerali De Gaulle iu përgjigj kërkesës së Mbretit nëpërmjet një letre të 3 dhjetorit 1941, në të cilën mes të tjerash lexojmë: “Madhëria Juaj mund të jetë i sigurt se Franca e shumëvuajtur nga lufta dhe pushtimi i huaj merr pjesë në hidhërimin dhe vuajtjet e popullit shqiptar dhe i qëndron besnike miqësisë tradicionale midis dy vendeve”.
Gjenerali De Gaulle kishte dijeni për organizimin e një rezistence në Shqipëri. Ai i ndiqte nga afër dhe me mjaft interes luftën dhe rezistencën greke e jugosllave, duke shprehur një parapëlqim të theksuar dhe pa komplekse për nacionalistët në dëm të partizanëve komunistë të Titos. Ai kishte synuar që prej vitit 1940 dërgimin e një kontingjenti francez në Shqipëri, me qëllim pjesëmarrjen në çlirimin e këtij vendi dhe të Greqisë, por Foreign Office i ishte kundërvënë duke u bazuar mbi pretekste të rreme. Në fakt, qeveria angleze nuk e shihte me sy të mirë vendosjen e një kontingjenti francez në Greqi, i cili mund të vinte në rrezik të nesërmen e fitores përfundimtare, influencën angleze në rajon. Në Shqipëri, rezistenca komuniste, e cila kishte bërë disi të vetën moton e gjeneralit De Gaulle, “Një luftë të vetme, nën një udhëheqës të vetëm”, ishte e organizuar dhe e përgatitur mjaft mirë falë misioneve angleze. Megjithatë, edhe pse Enver Hoxha, shef i rezistencës komuniste, dëgjonte në radio emisionet e Londrës, asnjë kontakt nuk duket të jetë ndërmarrë me Francën e lirë, deri në krijimin e qeverisë provizore të Republikës franceze në Algjer dhe hyrjen e komunistëve në kabinetin qeveritar. Gjenerali De Gaulle pati rastin të njihte dhe të vlerësonte elementë të rezistencës mbretërore shqiptare të ndodhur jashtë vendit. Këtyre të fundit iu desh të luftonin nën flamurin e Francës luftëtare, për atdheun dhe sovranin e tyre, por edhe për Francën dhe për lirinë kudo në botë. Ky angazhim nuk do të ishte pa pasoja në konceptimin e politikës ballkanike të Francës gjatë momenteve të para të pas-Luftës së Dytë Botërore.
Angazhimi i shqiptarëve dhe i diasporës nën flamurin francez
Të parët që shfaqën hapur angazhimin e tyre, ishin anëtarët e një grupimi shqiptar të Stambollit, besnikë të Mbretit, të inkuadruar nga oficerët e Ushtrisë shqiptare, veçanërisht nga oficerët e Gardës mbretërore që ndodheshin në kryeqytetin e vjetër të Perandorisë Osmane, një ndër të rrallët ku konsullata shqiptare ishte ende e hapur. Republika e Turqisë nuk e kishte njohur, në fakt, aneksimin italian të Shqipërisë dhe vazhdonte të kishte marrëdhënie diplomatike me Mbretin Zog. Të mobilizuar nga agjentët anglezë të SOE (Special Operations Excecutive), shqiptarët që jetonin në Stamboll këmbëngulnin për pjesëmarrjen e tyre në luftë nën uniformën franceze dhe jo nën atë angleze. Disa ditë pas përgjigjes që gjenerali De Gaulle i drejtoi Mbretit, në lidhje me Konferencën e aleatëve, në fundvitin e 1941-shit, 38 shqiptarë u bashkuan me Forcat franceze të lira të Legjionit të huaj në Siri, Liban dhe Palestinë.
* * *
Shumica e vullnetarëve shqiptarë ishin pro monarkisë. Kontaktet e tyre të përhershme me Mbretin Zog siguroheshin nëpërmjet oficerëve të Gardës mbretërore: kapitenit Adem Shehi dhe Faik Elmazi, nëntogerit Rexhep Bajraktari dhe rreshterit Ismail Shemsedini. Të gjithë udhëhiqeshin nga kreu këshillues i Mbretit, koloneli i Gardës, Hysen Selmani. Midis atyre që u angazhuan nën forcat franceze të lira nuk pati vetëm individë mbi të cilët harresa ka hedhur pluhurin e kohërave. Rrethi intim i Mbretit Zog nuk mungoi të jepte shembullin. Nuk mundemi të mos kujtojmë komandantin Hysen bej Agolli-Doshishti (1914-2004), nipin e Mbretit Zog, anëtar i familjes mbretërore ish-student i Saint Cyr, i cili iu bashkua Legjionit të huaj, që në vitin 1941 dhe luftoi përkrah forcave shqiptare të inkorporuara në Forcat franceze të lira në Levant. Që në momentin e rekrutimit si vullnetar, ai mori pjesë në Batalionin VI të këmbësorisë, të Brigadës III të forcave të Levantit, të krijuara pas riorganizimit të tyre nga gjenerali De Gaulle, më 16 korrik 1943. Mbretit Zog iu desh gjithashtu të ndahej për shumë vite nga një ndër personat më besnikë të tij, togeri i Gardës Jusuf Begeja (1912-1992). Ky ish-student i Shkollës Ushtarake të Romës (Collegio Scoula Militare di Roma) e kishte filluar karrierën e tij ushtarake si toger i këmbësorisë të Batalionit I të regjimentit I të Gardës mbretërore në Tiranë në vitet 1930, ashtu si komandanti Hysen bej Agolli-Doshishti. Oficer i Mbretit Zog në mërgim, ai i kishte kërkuar leje sovranit për t’u angazhuar vullnetarisht nën forcat franceze të lira.
Ashtu si komandanti Agolli-Doshishti (miku i tij më i mirë i armëve), ai u emërua fillimisht në kampin ushtarak Old Dean të Anglisë, për të kaluar disa kohë më vonë në Algjer, më 1943-shin. Pasi u vu në dijeni të shkrirjes së forcave të armatosura vishiste të Levantit prej gjeneralit De Gaulle, në nëntor 1942, togeri Begeja u bë pjesë e forcave ushtarake të Levantit të riorganizuara, në 1943-shin. Po në këto njësi u angazhua edhe komandanti Agolli-Doshishti. Mjaft i vlerësuar prej oficerëve dhe ushtarakëve francezë, togeri Begeja iu rikthye jetës civile në 1946-n, pasi kishte luftuar denjësisht për çlirimin e Francës. I cituar në rendin e ditës së Brigadës I franceze të pavarur, nën komandën supreme të Levantit, më 1 shkurt të vitit 1946, koloneli Sajous e përshkruan me këta terma: “Ky oficer i huaj i angazhuar vullnetarisht në forcat franceze të lira ka dhënë prova në çdo rrethanë, të ndërgjegjes dhe vlerave të larta profesionale, të denja për t’u marrë shembull, duke merituar vlerësimin dhe miqësinë e shokëve të tij. Largohet nga brigada me kujtimin më të mirë pranë eprorëve, trupave që komandoi dhe të gjithë atyre që e njohën”.
Me një besnikëri të padiskutueshme ndaj kujtimit të gjeneralit De Gaulle dhe Francës luftëtare, ky njeri modest dhe vetëmohues, i cili u dekorua mes të tjerash edhe me Medaljen përkujtimore të shërbimeve vullnetare të Francës së lirë, i shërbeu për vite të tëra kurorës mbretërore shqiptare, si oficer i shtatmadhorisë të Mbretit Zog, e më vonë mbretit Leka I i shqiptarëve. Me dekret mbretëror të datës 2 tetor 1975 të publikuar në Madrid, Mbreti e emëroi kolonel komandant të Gardës mbretërore në mërgim. Mbi varrin e tij në varrezat parisiene të Thias, aty ku ndodhej, deri në nëntor 2012, varri i Mbretit Zog, kryqi i madh i Lorenës shihet i gdhendur dhe, bashkë me të, edhe një pllakë përkujtimore, në të cilën mund të lexohet letra që gjenerali De Gaulle i shkroi togerit Begeja më 1 shtator të 1945, në homazh të angazhimit të tij.
Franca mirënjohëse
Në letrën që gjenerali De Gaulle i shkruante togerit Begeja, më 1 shtator 1945, gjenden këto fjalë: “Duke iu përgjigjur thirrjes së Francës dhe duke rrezikuar jetën, ju u bashkuat me Forcat franceze të lira. Ju u bëtë pjesë e ekipeve vullnetare të shokëve tanë të luftës, falë të cilëve vendi ynë mundi të vazhdonte, me nder, luftën e nisur. Ju ishit ndër më të meritueshmit e atyre që i mundësuan vendit tonë fitoren. Tanimë që qëllimi është arritur, më lejoni t’ju falënderoj miqësisht, thjeshtësisht, në emër të Francës!”
Për gjeneralin De Gaulle, kontributi i dhjetëra shqiptarëve që luftuan me krenari nën flamurin francez, nuk ishte thjesht prova e vërtetësisë së thirrjes universale të Francës në luftën për liri. Ky kontribut dëshmonte hapur se populli shqiptar nuk kishte reshtur së dashuri, me gjithë vështirësitë e panumërta, të luftonte përkrah Francës së lirë dhe aleatëve. Kështu, kur më 22 janar 1959, Charles de Gaulle, president i Republikës, takoi për herë të parë në Paris ministrin fuqiplotë të Shqipërisë, e cila ishte tashmë një Republikë popullore, ai pati rastin të shprehë këto konsiderata: ”Jam i lumtur që po ju njoh. Kam një vlerësim tepër të madh për popullin shqiptar trim, i cili luftoi me armë në dorë. Shpresoj se marrëdhëniet midis dy vendeve tona do të zhvillohen dhe do të përmirësohen, ashtu siç ka ndodhur kur një fuqi e tretë s’ka mundur të ndërhyjë mes nesh”. Diplomat i hollë, gjenerali De Gaulle i referohej si Italisë, e cila kishte penguar Mbretin Zog në vitet 1930 të vendoste marrëdhënie më të forta me Francën, ashtu edhe Bashkimit Sovjetik, i cili i bllokonte vazhdimisht marrëdhëniet midis Perëndimit dhe Shqipërisë. Sjellja në kujtesë dhe në bashkëbisedim me diplomatin shqiptar i rezistentëve shqiptarë që luftuan përkrah tij, dëshmon kujdesin e gjeneralit De Gaulle për të mos i lënë në harresë vullnetarët shqiptarë, të cilëve kreu i Francës së lirë pati rastin t’u njihte dhe t’u admironte vlerat dhe virtytet. Ishin pikërisht këto vlera dhe virtyte që e bindën gjeneralin De Gaulle për t’i dhënë Shqipërisë, vendin e një fuqie aleate dhe fitimtare pas mbarimit të Luftës. Kështu, më 1945-n, i mbështetur nga Quai d’Orsay (Ministria e Punëve të Jashtme franceze), ai ishte i mendimit që kushdo të ishte regjimi që do të vendosej në Shqipëri, me kusht që të garantonte pavarësinë e vendit, duhej të gëzonte ushtrimin e sovranitetit mbi të gjithë territorin shqiptar në kufijtë e para 1939-s.
Më 7 janar 1945, gjenerali De Gaulle dërgoi në Tiranë misionin e parë ushtarak zyrtar pranë qeverisë së përkohshme shqiptare. Shqipëria sapo ishte çliruar (29 nëntor 1944) pa ndihmën e ushtrisë së kuqe dhe shefi i rezistencës komuniste, Enver Hoxha, ishte ende thjesht komandanti i Ushtrisë nacionalçlirimtare dhe jo kreu i një republike sovjetësh. Qëllimet e tij totalitare do të dalin në dritë pak kohë më vonë.
Raporti i parë, drejtuar në datën 20 janar 1945 kreut të qeverisë franceze, nënvizonte faktin se ky vend është tashmë i pavarur, edhe pse influenca jugosllave e Titos ishte shumë e ndjeshme. Raporti nxirrte në dukje rrezikun e copëtimit të vendit midis influencës sllave dhe asaj italo-angleze dhe theksonte faktin se Franca kishte të paktën një rol moral për të luajtur në favor të garantimit të unitetit të vendit.
Por në vitin 1945, rreziku më i madh nuk ishte që Shqipëria të binte nën orbitën sllavo-komuniste. Vendi rrezikonte sërish – ashtu si dhe shumë herë të tjera – një copëtim në përfitim të Greqisë, e cila megjithëse i njihte mirë meritat e rezistencës shqiptare, këmbëngulte, me aprovimin gjysmë të heshtur të anglezëve, të kishte të drejta kompensimi territoriale mbi Shqipërinë, meqenëse Greqia ishte sulmuar nga ky vend “bashkëpunëtor” i fuqive të boshtit, më 1940-n.
Mbreti Zog, i ndodhur fillimisht në Angli, pastaj në Egjipt, ku mërgoi pas luftës, nuk rreshti, për vite me radhë, së luftuari pretendimet greke në Shqipëri. Emisarëve grekë të cilët i propozuan disa herë ndihmë për ta rivendosur në fron, në shkëmbim të lëshimit në favor të Athinës të një pjese të territoreve të Epirit të Veriut, ai u përgjigjej se preferonte të ndihmonte komunistët shqiptarë që luftonin përkrah Enver Hoxhës, të cilët kishin në plan të parë sovranitetin kombëtar, sesa t’i jepte Greqisë qoftë edhe një grimcë të territorit shqiptar. Gazetat e Athinës e akuzuan madje Zogun I se ishte në shërbim të komunistëve të Tiranës, ndërkohë që në realitet ai ishte armiku i tyre i betuar. Në kundërshtim me atë ç’ka pohuar një autor, nuk ka fakte të pakundërshtueshme që Franca të ketë mbështetur – në vitet 1940 – rivendikimet greke mbi të ashtuquajturin Epir të Veriut, dhe as që të ketë inkurajuar planet e inkorporimit të vendit të vogël në federatën jugosllave, mundësi që nuk përjashtohej as nga Beogradi, as nga Moska dhe as nga Londra.
Drejtoria politike e Quai d’Orsay, në një letër të datës 25 qershor 1945, e inkurajonte gjeneralin De Gaulle për të bërë gjithçka që ishte e mundur për ruajtjen e integritetit dhe sovranitetit shqiptar prej orekseve territoriale të fqinjëve të saj, nëpërmjet një aktiviteti të dendur në fushën ekonomike dhe kulturore, duke evituar fërkimin me interesat anglezë dhe sovjetikë në vend. Në këtë letër rekomandohej një ndërhyrje pranë niveleve më të larta të Selisë së shenjtë, për të emëruar në Tiranë një nunc apostolik me kombësi franceze. Kjo do të zhvillohej në traditën më autentike të mbrojtjes së katolikëve shqiptarë nga Franca, aq më tepër që në këtë fushë Italia e mundur sapo kishte humbur rangun e saj të privilegjuar në Shqipëri.
Franca nuk i neglizhoi elementët e lartpërmendur dhe, megjithëse tregoi kujdes të madh që politika e saj të mos dukej si një aprovim pa kusht i regjimit të ri, ajo e njohu qeverinë shqiptare në dhjetor të 1945-s, nëpërmjet një letre të firmosur nga Gjenerali. Me këtë akt, Parisi jepte një sinjal në favor të ekuilibrimit të forcave në rajon, duke kontribuar kështu në dobësimin e të gjithë pretendimeve të shpallura haptazi nga Athina dhe hoveve aneksioniste më të përmbajtura të Beogradit. Edhe pas largimit të gjeneralit De Gaulle nga pushteti, një muaj pas njohjes zyrtare, Franca bëri gjithçka që ishte e mundur për mbajtjen e ekuilibrit dhe nuk u bashkua me oponencën greko-angleze–amerikane lidhur me ftesën e Shqipërisë në Konferencën e Paqes së Parisit, e cila filloi punimet më 29 korrik 1946. Duke konsideruar se Shqipëria duhej të njihej si një vend viktimë e agresionit italian, Georges Bidault, president i Konferencës, votoi kundër pretendimeve territoriale greke të Kryeministrit Caldaris, dhe mundësoi njohjen e së drejtës se dëmshpërblimeve të luftës nga ana e Italisë, në favor të Shqipërisë. Franca ishte gjithashtu në favor të njohjes përfundimtare të sovranitetit shqiptar mbi ishullin e lakmuar të Sazanit në gjirin e Vlorës. Mbështetja që Franca i ofroi shtetit shqiptar të asaj kohe, mbështetje e bazuar mbi kujtimet e një rezistence të përbashkët, nuk do të thotë se Parisi zyrtar i dha, në çdo kohë, “carte blanche” regjimit të Tiranës. Në emër të kujtimeve të përbashkëta të rezistencës, që mishëronte në një farë mënyre figura e Mbretit Zog, si dhe të ushtarakëve vullnetarë të tij, qeveria franceze e bëri veshin shurdh ndaj të gjitha kërkesave të përsëritura të Republikës popullore të Shqipërisë për arrestimin dhe rikthimin e emigrantëve politikë, të cilët rreth Mbretit Zog kishin krijuar në 1949-n Komitetin e Shqipërisë së Lirë. Ky komitet vazhdoi në mënyrë të lirë aktivitetet politike dhe propagandistike antikomuniste, gjatë presidencës se gjeneralit De Gaulle midis 1959-s dhe 1969-s, situatë që krijoi një konflikt madhor ndërmjet Parisit dhe Tiranës, në fillimet e Republikës V. Por ka edhe më. Gjenerali De Gaulle nuk hezitonte të shkëmbente letra zyrtare, kur qe nevoja, me Mbretin Zog, sidomos në muajt që paraprinë ndarjen e tij nga jeta, në prill 1961. Disa herë, madje, korrespondenca zyrtare që shërbimet postale të Quai d’Orsay, duhet të dorëzonin pranë përfaqësisë së “Mbretërisë shqiptare”, në pamundësi për të lokalizuar këtë të fundit, depozitohej në kutinë e Ambasadës së Republikës Popullore të Shqipërisë, gjë që s’kishte si të mos i dëshpëronte diplomatët e Tiranës. Sipas të dhënave të kundërspiunazhit shqiptar, Gjenerali e kishte takuar të paktën një herë Mbretin dhe princin Leka, por ky informacion nuk është konfirmuar aktualisht nga asnjë burim tjetër. Duke mos harruar qëndrimin e Mbretit Zog gjatë luftës dhe besnikërinë e ushtarakëve të tij ndaj Francës, gjenerali De Gaulle, president i Republikës Franceze, i bëri homazh sovranit, kur ai ndërroi jetë në spitalin amerikan të Neuilly-sur-Seine, në prill 1961. Ai dërgoi si përfaqësues Roger Frey, ministër i Brendshëm, i cili kishte lidhje të vjetra me rrethet antikomuniste dhe njihte mirë familjen mbretërore. Roger Frey asistoi edhe në funeralin e njërës prej motrave të Mbretit Zog më 1965-n.
Përktheu nga frëngjishtja dr. Jonilda Bejko
Thomas Frashëri*
(* I ngarkuar me punë pranë Mbrojtësit të të Drejtave të Republikës franceze, anëtar i fondacionit “Charles de Gaulle”. Laureat i Akademisë së Shkencave morale dhe politike të Francës dhe i Fakultetit të Drejtësisë së Parisit.)