http://www.panorama.com.al/2013/09/02/ramush-haradinaj-qytetar-nderi-ne-burrel/#.UmUqR5_qBmA.email

Ramush Haradinaj, “Qytetar Nderi” në Burrel

 

Haradinaj duke marrë titullin “Qytetar Nderi” në Burrel

 

BURREL – Në qytetin e Burrelit u organizua ceremonia e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj. Fillimisht ai është pritur nga kryebashkiakja e Burrelit, Adelina Farrici. Ajo falënderoi Haradinajn për vizitën në qytetin e Burrelit dhe nënvizoi se shpallja “Qytetar Nderi” e tij është bërë nga qytetarët, Këshilli Bashkiak dhe Bashkia Burrel, duke vlerësuar kështu kontributin e madh të tij për pavarësinë e Kosovës, rolin që Haradinaj ka luajtur në drejtimin e UÇK-së. Kjo trevë, shtoi Farrici, ka vlera të mëdha dhe nuk është rastësi që Mbreti i Shqiptarëve ishte nga kjo krahinë. “Ne vërtet jemi dy shtete, por jemi një komb”. Nga ana e tij Haradinaj falënderoi Bashkinë e Burrelit, në veçanti kryetaren Adelina Farrici për respektin, vlerësimin dhe mikpritjen. Pasi vlerësoi lart rolin e Mbretit Zog për shtetbërjen, ai nënvizoi se “vijmë këtu në Burrelit për t’u afruar më shumë me njëri-tjetrin dhe Bashkimin Europian. Gjatë ceremonisë që u zhvillua për dorëzimin e titullit të nderit, salla e Këshillit Bashkiak u tejmbush me drejtues të pushtetit lokal, këshilltarë, intelektualë të qytetit dhe qytetarë. Kryetari i Këshillit Bashkiak, Qazim Gjoni, lexoi para të pranishmëve vendimin e këshillit, marrë në janar të këtij viti. Ai tha se Haradinaj vlerësohet me këtë titull nderi për ndihmën dhe veprimtarinë e çmuar që ka dhënë për zgjidhjen e çështjes kombëtare. “Unë, theksoi Haradinaj, jam i gëzuar që isha pjesë e atyre burrave e grave të Kosovës që kontribuuan për pavarësinë e Kosovës. Bashkimi mes dy qeverive tona do të jetë më i dobishëm në të ardhmen. Prej ditës së sotme, unë do të jem një pjesë e juaja”.