http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=35673&kat=88

 

Legalistët nuk do ta lidhin më fatin me PD-në

 

Publikuar më 28.11.2013 | 15:12

 

http://www.shekulli.com.al/web/timthumb.php?src=http://shekulli.com.al/website/images/images16/1/Sulejman-Gjana.jpg&w=350&zc=1&a=t

Suela Topi

-Ndryshimi i regjimit në Shqipëri do të rriste mundësitë e saj për integrimin në Bashkimin Evropian. Kështu pohon kreu i ri i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Sulejman Gjana. në një intervistë për gazetën “Shekulli”. “Kosova dhe Shqipëria janë i njëjti popull dhe nuk besoj se BE do të anëtarësojë 2 shtete shqiptare në gjirin e saj. Pra, mund të jetë dhe një mundësi për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, për tu bashkuar në një formë juridike dhe institucionale të mundshme që mund të jetë një shtet i përbashkët me një mbret”, - pohon ai. Gjana informon më tej lidhur me të rejat që do të sjellë në PLL, ndërsa kritikon disa nga vendimet e ish-kryetarit Ekrem Spahiu. 

Shekulli: Pse vendosët të garonit për kryetar të Partisë Lëvizja e Legalitetit?

S. Gjana: Vendimi për të garuar për postin e kryetarit të Lëvizjes së Legalitet rrjedh nga dy arsye kryesore, e para angazhimi i familjes sime dhe imi personal në radhët e PLL-së, përkrah familjes mbretërore, një angazhim historik. Unë prej më shumë se 20 vitesh jam aktiv në Partinë Lëvizja e Legalitetit, kam pasur dhe pozicione të ndryshme si sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë, sekretar politik dhe nënkryetar i partisë. Ky angazhim vjen dhe nga fakti i vullnetit tonë për të dhënë një kontribut për partinë, për familjen mbretërore, për popullin nëpërmjet partisë sonë, për idealet dhe vlerat e PLL-së. Sigurisht që arsyeja tjetër pse vendosa të garoj për kryetar është dhe gjendja në të cilën ndodhet Partia Lëvizja e Legalitetit aktualisht, sidomos pas rezultatit të zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Unë gjykoj se PLL përfaqëson më shumë se sa evidentohet aktualisht në rezultate elektorale, përfaqëson vlera, parime, një model dhe një vizion të veçantë që i shërben shoqërisë. Mendoj se Lëvizja e Legalitetit duhet të ripozicionohet në spektrin politik shqiptar dhe kjo është sigurisht arsyeja kryesore pse unë vendosa të kandidoj për postin e kryetarit.

Shekulli: Duket se zoti Spahiu nuk doli i kënaqur nga gara dhe jo vetëm për shkak të rezultatit...

S.Gjana: Jo nuk pati kontestime. Procesi shkoi në rregull. Ishin katër kandidatë që garonin. Në turin e parë rezultati ishte 23 vota për zotin Agim Kraja, 26 për zotin Murat Basha, 78 për zotin Ekrem Spahia dhe 85 për mua, që do të thotë se Ekrem Spahiu dhe unë dolëm në balotazh. Në turin e dytë të votimit unë mora 109 vota, ndërsa Ekrem Spahiu mori 92. Procesi ishte transparent, me votim të fshehtë. Në turin e parë morën pjesë 212 delegatë që votuan, në turin e dytë votuan 202 dhe vetëm një fletë votimi ishte e pavlefshme. Besoj se procesi ishte korrekt, i pranuar nga të gjithë kandidatët. Në fund të procesit kur u shpall rezultati zoti Spahiu më uroi për detyrën e re, e falënderova sigurisht për punën që ka bërë deri më sot. U pranua ky rezultat nga të gjithë kandidatët. Duhet të dini se PLL është një parti me praktikë demokratike. Ky ishte kongresi i XVIII, që nga themelimi, në vitin ’43. Kemi pasur shumë kryetarë, zotin Abaz Kupi, Muço Kota, Fuad Myftia, Nderim Kupi, Guri Durollari, Ekrem Spahiu dhe tani unë. Pra, e njohim mirë rotacionin në drejtimin e partisë sonë, e njohim mirë zhvillimin e zgjedhjeve brenda partisë. Sigurisht në Shqipëri ekziston një lloj mungese e njohjes së normave demokratike në të gjitha partitë politike, ku kryetarët i konsiderojnë partitë si prona private dhe i përvetësojnë ata, por shpresoj se shembulli i dhënë nga PLL do t’u shërbej edhe të tjerëve.

Shekulli: E kishte këtë problem dhe zoti Spahiu?

S. Gjana: Unë po flas në mënyrë të përgjithshme. Realiteti i lidershipit në shumicën e partive politike në Shqipëri e vërteton këtë argument që buron në një mentalitet që nuk njeh normat demokratike, por ju siguroj se zoti Spahiu ka ditur të pranojë rezultatin e votimit. Madje ai kishte drejtuar të gjitha mbledhjet përgatitore të kryesisë për këtë kongres. Ky kongres u organizua pas marrjes së 21 vendimeve në kryesinë e PLL-së. Ju siguroj se nuk ekziston ndonjë kontestim nga ana e tij.

Shekulli: Çfarë do të sillni të re për Partinë Lëvizja e Legalitetit?

S. Gjana: Në radhë të parë, në platformën time kam qenë shumë i qartë që PLL duhet të kthehet në vlerat e saj, parimet e saj, profilin dhe identitetin e saj që është një identitet i ndryshëm nga ai i partive të tjera. Deri më sot partia e ka lidhur fatin e saj me një parti tjetër. Nuk gjykoj se duke e lidhur fatin e saj me një parti tjetër, një parti si PLL-ja, e cila rrjedh nga një traditë shtetformuese, mund të jetë efikase.

Shekulli: Kthim në identitet do të thotë kthim në idealet monarkiste?

S. Gjana: Idealet monarkiste nuk do të thotë vetëm rikthimi i monarkisë. Rikthimi i monarkisë buron nga kjo ide e shtetformimit dhe shtetformimi nuk është vetëm rikthimi i monarkisë. Rikthimi i monarkisë sigurisht që sjell stabilitet, garanton vazhdimësi, ofron unitet të popullit, por është sigurisht dhe fakti se shtetformimi gjen shtyllat e veta në drejtësinë e shëndoshë, sigurinë e popullit, prosperitetin e vendit, në orientimin e shtetit. Janë një sërë elementësh që integrohen në këtë objektiv të rikthimit të monarkisë.

Shekulli: Do ketë një kërkesë për referendum lidhur me formën e regjimit?

S. Gjana: Sigurisht Partia Lëvizja e Legalitetit në vazhdimësi ka pasur në programin e saj rikthimin e monarkisë. Nuk është se do të paraqesim kërkesa të veçanta për rikthimin e monarkisë. Besoj se gjithçka do të vijë në vendin e duhur, në momentin e duhur. Rikthimi i monarkisë është një nga qëllimet e PLL-së dhe ne do të punojmë në këtë drejtim.

Shekulli: Do ndryshojë marrëdhënia me aleatët, në mënyrë të veçantë me Partinë Demokratike?

S. Gjana: Nuk është se Lëvizja e Legalitetit do të ndryshojë në marrëdhëniet e asaj me aleatët e djathtë. Do të ruajmë marrëdhëniet e mira me të gjithë partitë politike shqiptare. PLL-ja duke u rikthyer në identitetin e saj, profilin e saj, duke u pavarësuar, duke u larguar nga ideja e lidhjes së fatit të saj me një parti tjetër politike, besoj se do të kthehet si një vlerë e shtuar në spektrin politik shqiptar. Përndryshe, në rast se një parti politike vazhdon të lidhë fatin e saj me fatin e një partie tjetër, mund të shkrihet me të ose konsiderohet si e tillë në opinionin publik. Mendoj se PLL-ja duhet të forcohet duke u bazuar në parimet, vlerat, idealet dhe programin e saj të veçantë që mund t’i ofrojë një alternativë serioze elektoratit shqiptar. Në këtë formë kthehet në një parti interesante dhe për partnerët e saj politikë.

Shekulli: Cili mendoni se duhet të jetë në vazhdimësi pozicioni i trashëgimtarit të fronit, Princit Leka?

S. Gjana: Gjykoj se në funksionin e vet si këshilltar i kryetarit të Shtetit ofron diçka pozitive për vendin tonë. Mendoj se ai do të vazhdojë të ofrojë gjatë gjithë jetës së vet, të gjitha energjitë e veta në shërbim të popullit. Në momentin që ne shpresojmë sa më të afërt, të rivendosjes së monarkisë, normalisht ai është trashëgimtari i fronit dhe do të marrë pozicionin e vet.

Shekulli: Do jetë e afërt kjo ditë?

S. Gjana: Shpresoj se klasa politike dhe populli në tërësi do të ndërgjegjësohet për nevojën e vendosjes së monarkisë. Jo vetëm si një objektiv final në vetvete, por si një orientim i ri për vendin tonë.

Shekulli: Politika shqiptare ka si prioritet integrimin në Bashkimin Evropian. Si ndikon ky fakt në kërkesën tuaj për ta kthyer formën e regjimit nga republikë parlamentare në monarki?

S. Gjana: Zhvillimet që priten, jo vetëm për Shqipërinë në kuadër të Bashkimit Evropian, por dhe për Kosovën, na lënë të kuptojmë se integrimi në BE i Ballkanit Perëndimor nuk do të bëhet aq lehtë. Aq më tepër kur dihet se Kosova dhe Shqipëria janë i njëjti popull dhe nuk besoj se BE do të anëtarësojë 2 shtete shqiptare në gjirin e saj, të paktën në kushtet aktuale të funksionimit të institucioneve të Bashkimit Evropian. Pra mund të jetë dhe një mundësi për shqiptarët e Shqipërisë dhe të Kosovës, për tu bashkuar në një formë juridike dhe institucionale të mundshme që mund të jetë një shtet i përbashkët me një mbret.

Shekulli: Bashkim juridik, jo territorial? Është diskutuar ideja e Shqipërisë së Madhe...

S. Gjana: Koncepti i Shqipërisë së Madhe është një koncept serb. Është akademia serbe që e ka shpikur këtë koncept që për fat të keq përdoret shumë. Shqipëria e Madhe është një koncept i gabuar. Ekzistojnë dy shtete, që janë Kosova dhe Shqipëria, që janë të prirur për në Bashkimin Evropian. BE-ja ka problemet e veta të funksionimit të saj, të institucioneve të saj dhe opinionit publik në secilin vend përbërës të Bashkimit Evropian, kështu që do jetë e vështirë të anëtarësohen dy vende shqiptare. Politikanët tanë duhet të ndërgjegjësohen nëse duan të anëtarësohen sa më shpejt, në propozimin e kësaj alternative. Mund të jetë në forma të ndryshme juridike, konfederatë apo federatë shqiptare, por gjithmonë me një mbret në krye të këtij entiteti.

Shekulli: Pra, sipas jush në dhjetor ne do të marrim një përgjigje negative nga BE-ja?

S. Gjana: Jam i bindur se Bashkimi Evropian do t’i ofrojë Shqipërisë statusin e vendit kandidat, por anëtarësimi ne BE dhe integrimi është diçka tjetër që do të marrë shumë e shumë vite. 

“Kandidimi në listat e PD-së ndëshkoi Spahiun dhe PLL-në”

Shekulli: Para procesit të votimit pati një analizë të punës së PLL-së. Ju vetë thatë se rezultati në zgjedhjet e 23 qershorit ishte i dobët, mendoni se përgjegjësinë për këtë e ka kryetari? Në një kohë që edhe ju ishit pjesë e strukturave të partisë, si nënkryetar...

S.Gjana: Absolutisht nuk e konsideroj se ka përgjegjësi vetëm kryetari. Ne bëmë një analizë të katërvjeçarit të fundit që na ndante nga kongresi i fundit. Në këtë analizë dolën shumë elemente të jetës dhe aktivitetit të PLL-së gjatë këtij katërvjeçari. Një vend të veçantë zunë zgjedhjet e 23 qershorit. Nuk besoj se mund t’ia faturojmë vetëm zotit Spahiu arsyet e dështimit të Partisë Lëvizja e Legalitetit. Por, duhet të dini se, unë sigurisht kam qenë nënkryetar, por në PLL ekziston diversiteti i mendimit, debati i brendshëm dhe konfrontimet e mendimeve që janë lehtësisht të pranuara përderisa zhvillohen në interesin e partisë. Në këtë drejtim mund të them se pavarësisht mendimeve të ndryshme që mund të kemi pasur në raste të veçanta, në PLL ekziston gjithashtu një normë e pranimit të konsensualitetit dhe unitetit në qëndrimet publike. Kjo vjen dhe nga fakti se PLL është me traditë demokratike, ka në përbërje të saj familje dhe individë që rrjedhin nga një eksperiencë fisnike. Nuk dalim publikisht me qëndrime të kundërta me atë të kryetarit dhe në këtë drejtim ne kemi mbështetur gjithmonë qëndrimet e zotit Spahiu si kryetar, pavarësisht se mund të kemi pasur mendime të ndryshme. Sa i përket analizës mendoj se disa faktorë kanë sjellë rezultatin e 23 qershorit. Mendimi im është se ky rezultat dhe gjendja aktuale e PLL-së rrjedh nga një proces i gjatë që nuk lidhet gjithnjë me vullnetin e partisë tonë. Një nga problemet thelbësore, një nga fenomenet e veçanta të zgjedhjeve të 23 qershorit është se kryetari i partisë kandidonte në listën e një partie tjetër, Partisë Demokratike. Kjo mendoj u keqkuptua nga elektorati jonë, madje jo vetëm kaq, por u interpretua si shkrirje e vlerave, parimeve të një partie me një tjetër. Personalisht kam qenë kundër faktit që kryetarët e partive të dalin në listat e PD-së. Për mendimin tim nuk ka sens, është një veprim krejtësisht i gabuar që u pasqyrua dhe në rezultatet. Elektorali shqiptar nuk mund ta kuptojë. Është dhe një problem parimor kur një kryetar partie kandidon në listën e një partie tjetër. Nuk di asnjë shembull tjetër të ngjashëm në botë. Besoj se kjo ka qenë një prej arsyeve pse humbi koalicioni ku bënim pjesë në 23 qershor.

 

 

http://www.tiranaobserver.al/gjana-pll-ja-fari-ndricues-i-se-djathtes-se-vertete/

Gjana: PLL-ja, fari ndriçues i së djathtës së vërtetë

Kryetari i sapozgjedhur i Partisë Lëvizja e Legalitetit Sulejman Gjana në një intervistë për “Tirana Observer” shprehet se kanë qenë legalistët e thjeshtë, por edhe idealet, vlerat, programi i partisë që i kanë dhënë shtysë të marrë vendimin për të kandiduar për këtë post.  Tanimë i zgjedhur në detyrën e kryetarit të partisë si pasues i Ekrem Spahisë, ai shprehet se nuk do të dorëzohet para asnjë vështirësie dhe do të punojë fort për të kthyer PLL-në një parti të njerëzve të lirë që duan t’i shërbejnë popullit, kombit dhe atdheut, pa pritur asgjë në këmbim. Nuk mund të mos cekeshin në këtë intervistë platforma e z. Gjana, marrëdhëniet me aleatët, pozicionimi i PLL-së në opozitë si dhe ajo që kryetari i ri e quan “hapje e dyerve dhe zemrës për Diasporën Shqiptare”.

Cilat janë sfidat tuaja? Z. Gjana, do të punojë me limë, apo me çekan; pra presim ndryshime radikale apo pak, por të goditura brenda partisë dhe strukturave të saj ?

Në radhë të parë, dua të falenderoj të gjithë legalistët për besimin që më dhanë duke më zgjedhur kryetar. Thelbi i pyetjes suaj është i qartë, por metafora e përdorur me çekanin nuk e gjen vendin e vet në filozofinë e partisë tonë.  Është simbol i huaj për ne dhe nuk na përshtatet aspak. Shumë punë na pret në ditët dhe muajt në vijim. Së pari, duhet që të ripozicionojmë PLL-në në vendin që i takon në spektrin politik shqiptar.  Kjo do të jetë një përpjekje titanike që do të na marrë shumë energji, sidomos po të kihet parasysh se PLL-ja ndodhet sot për sot jashtë parlamentit.  Do të na duhet, së dyti, që të riprofilizojmë PLL-në si një parti moderne dhe bashkëkohore, që ofron alternativa të besueshme dhe zgjidhje konkrete ndaj shqetësimeve të gjithanshme të shoqërisë tonë.  Po ashtu një riorganizim do të jetë i nevojshëm në të gjitha nivelet e strukturave tona partiake, pasi duhet të përgatitemi edhe për fushatën elektorale të radhës.

Të ndalemi pak te Kuvendi juaj. PLL-ja duhet theksuar se zhvilloi zgjedhje plot me konkurrencë dhe demokratike, ku krahas jush kandiduan z. Spahia, por edhe z. Basha dhe z. Agim Kraja. Si do ta vlerësonit procesin dhe kandidatët?

Dua të falenderoj konkurrentët në këtë garë, z. Ekrem Spahia, z. Murat Basha dhe z. Agim Kraja. Është meritë e padiskutueshme edhe e tyre që PLL-ja zhvilloi një kongres shembullor e demokratik, për t’u marrë shembull edhe nga partitë e tjera në Shqipëri.  Falenderoj për kontributin dhe përpjekjet e tij z. Spahia që e ka drejtuar partinë në kohë të vështira. Mbetem i besimit që ndihmesa e tyre për ta ngritur në këmbë Partinë Lëvizja e Legalitetit do të jetë e pakushtëzuar. Sigurisht, procesi u zhvillua në mënyrë krejtësisht demokratike në vazhdën e traditës së PLL-së. Ishte Kuvendi i 18-të i partisë tonë çka nënkupton se kemi përvojë në rotacionin e drejtimit të partisë.  PLL është një parti e veçantë nga partitë e tjera të spektrit politik shqiptar edhe në këtë aspekt, pasi tek ne kryetarët nuk e konsiderojnë partinë si një pronë private dhe japin shembullin më të mirë demokratik.  Ishte shumë emocionues dorështrëngimi me z. Ekrem Spahia pas shpalljes së rezultatit përfundimtar dhe dua ta falenderoj edhe një herë për urimet që më shprehu para delegatëve në Kuvend.

Zoti Gjana, ju keni paraqitur platformën tuaj të re për një rizgjim të ndjenjave të djathta dhe nacionaliste. Pra flitet për ndryshime rrënjësore. Si do ta kryeni këtë kapërcim jo të lehtë për hir të së vërtetës?

Faleminderit për pyetjen e ngritur. Do të synojmë të kthehemi në promotor të së djathtës, aty ku në fakt e kemi vendin, e që sot po lëngon. Por jo vetëm kaq! Besoj se PLL-ja duhet të luajë një rol më të gjerë pasi ideologjia jonë është gjithëpërfshirëse dhe mbarëkombëtare.  Në fakt, shtresat e djathta vuajtën gjatë diktaturës komuniste jo vetëm pse ishin të djathta në kuptimin politik të fjalës, por sepse e donin Shqipërinë dhe orientimin perëndimor të saj, dhe jo atë lindor dhe majtist. Me resurset tona edhe jashtë vendit, PLL-ja do të ngrejë zërin e do të përpiqemi që të konsiderohemi nga kancelaritë e huaja dhe qendrat vendim-marrëse të aleatëve të vendit tonë si një parti serioze, me një platformë specifike dhe si një alternative e mundshme për qeverisjen e vendit. Një pikë tejet e rëndësishme dhe jetike e programit tonë, është ngritja e një platformë specifike për bashkimin kombëtar dhe integrimin e vendit tonë në BE. Në këtë mision të shenjtë do të përfshijmë të gjitha organizatat politike ose jo që ndajnë të njëjtin qëndrim me ne, brenda ose jashtë atdheut.

Për 50 vjet regjimi komunist i internoi nacionalistët dhe u hodhi shumë baltë partive tradicionale shqiptare dhe eksponentëve kryesorë të tyre. Pas 23 vitesh a mendoni se e keni gjetur elektoratin tuaj tradicional?

Unë bashkohem plotësisht me ata të cilëve u dhimbset akoma PLL-ja, që nuk janë të kënaqur me gjendjen aktuale të partisë dhe që besojnë se ka ardhur koha e një ndryshimi rrënjësor. Për të realizuar konkretisht dhe me sukses këtë ndryshim, PLL-ja do të rikthehet në vlerat, profilin, identitetin dhe parimet për të cilat ka lindur kjo parti si dhe në idealet e themeluesve dhe ideologëve të Legalitetit si Abaz Kupi, Nuçi Kotta, Fuad Myftija, etj…Vetëm kur të kthehemi te bazat tona ideologjike dhe programore do të afrohen përsëri rreth nesh, në familjen tonë politike, të gjithë zogistët dhe legalistët si dhe çdo bashkatdhetar që ndan të njëjtat vlera me ne. Bazuar mbi këtë, unë gjykoj se PLL-ja duhet të pozicionohet në spektrin politik shqiptar si një parti e pavarur dhe që përfaqëson një vlerë te shtuar për partnerët tonë politikë. PLL do të kthehet një parti e gjallë dhe aktive në jetën e Shqiptarëve me paraqitjen pa komplekse të programit dhe vizionit tonë nëpërmjet të gjitha formave moderne dhe të mundshme. Do të nisim ta bëjmë këtë duke ua hapur dyert e partisë tonë personaliteteve publike dhe jo-publike, intelektualëve si dhe të rinjve e të rejave që bashkohen me projektin tonë për të ardhmen.

Si do të pozicionohet PLL tani në këtë opozitë?

Po e nënvizoj, si një parti e pavarur që përfaqëson në radhë të parë vetveten dhe një vlerë të shtuar për partnerët tonë politikë. Si një partner, jo si një vasal. Do të përfaqësojmë shtresën më të vuajtur të shoqërisë, do të mbrojmë deri në fund interesat e tyre dhe do të bëjmë ç’është e mundur që të flasim me zërin e tyre. Objekt i debatit tonë do të jetë problematika e akumuluar dhe mbartur ndër vite si dhe oponenca e fortë dhe konstruktive ndaj qeverisjes aktuale.

Kush e solli humbjen e së djathtës më 23 Qershor? Moskonsolidimi i të djathtës apo ndonjë arsye tjetër. A keni zhvilluar ju një analizë për këtë çështje dhe si e shpjegoni faktin që partitë tradicionale si PLL-ja nuk arrijnë dot të fitojnë qoftë edhe një mandat?

Kjo ka padyshim disa arsye. Më kryesorja dhe ajo ku unë dëshiroj të ndalem lidhet me natyrën e marrëdhënieve brenda koalicionit. Vetë fakti që z. Spahia njëherë deklarohej si i treti në listën e PD për Dibrën dhe mandej pozicionohej i katërti, tregon se partneri kryesor në koalicion nuk i ka qëndruar korrekt marrëveshjes me PLL-në. Legaliteti e zogistët e kanë mbështetur atë, ndërsa ata kanë parë interesat e tyre të çastit. Udhëheqja e PLL-së kërkon të ngrejë një partneritet të dobishëm, mbi baza të shëndosha morale e kombëtare, të bazuar mbi qytetarin dhe interesin e përgjithshëm publik. Ne kemi ofruar gjithë resurset tona në një koalicion që koha provoi që nuk ishte me përfitime reciproke.

Te kritikët para 23 qershorit vihej re një entuziazëm “in extremis” i qeverisë mbi rezultatet e punës së vet, nga ana tjetër opozita akuzohej për nihilizëm. Si do të silleni ju si opozitë?

Partia Lëvizja e Legalitetit ka qenë gjithnjë një parti elitash, themeluar nga intelektualë dhe nacionalistë patriotë, që kanë formuar shtetin shqiptar. Ne do të qëndrojmë larg ekstremizmave dhe afër realitetit në mënyrë që të përfaqësojmë një alternativë dhe një shpresë për të ardhmen e popullit dhe të vendit. Ju siguroj se PLL-ja nuk do të lëvizë nga bazat e saja programore dhe ideologjike duke mos e lidhur fatin e saj me atë të ndonjë politikani ose partie tjetër. Në do të kritikojmë çdo iniciativë të nxituar që do të dëmtonte qytetarin ashtu sikundër do të bëhemi nxitës të çdo ndërmarrjeje në funksion të përmirësimit të jetës së qytetarit shqiptar.

Ekziston një mendim, deri diku popullor, që partitë e vogla gabuan gjatë këtyre zgjedhjeve të fundit duke u afruar rreth partive të mëdha, e duke mos krijuar një koalicion të djathtë të mirëfilltë, me parti si Legaliteti ose Balli Kombëtar apo edhe ndonjë parti tjetër…

Përgjigjen time do ta sjell përmes një shembulli konkret. Më lejoni t’iu kujtoj zgjedhjet e vitit 1996 kur Partia Lëvizja e Legalitetit, bashkë me Ballin Kombëtar, sfiduan PD dhe PS në Shkodër duke fituar Bashkinë e atij qyteti. Ishte një fitore historike për ne, që tregon se elektorati tradicionalisht i djathtë nuk është rrudhur, porse qëndron i strukur dhe i papërfaqësuar. Ne do të jemi aty për t’u ngritur të gjithë bashkë.

Sa keni arritur ju ta shfrytëzoni ndjenjën nacionaliste jashtë trojeve për të bashkuar dhe për t’u lidhur me forcat progresive që janë pro Shqipërisë etnike. Sa keni arritur ju t’i gjeni këto forca, t’i afroni afër vetes dhe të bashkoheni rreth një qëllimi?

Së pari, më lejoni të them se populli i shumëvuajtur në Kosovë dhe trojet etnike është i tejngopur me fjalime demagogjike të politikanëve dhe nuk mund t’i besojë më ata. Në këtë aspekt, PLL-ja do të bashkëpunojë me gjithë aktorët politikë ose jo, që janë demokratikë dhe që mbështesin konceptin e bashkimit kombëtar. Falë Zotit, Mbretit Zog dhe familja mbretërore priten në trojet tona ashtu siç priteshin mbretër dhe përcillen si shqiptarë patriotë që e kanë dashur fort dhe kanë punuar për bashkimin e trojeve shqiptare. Fatmirësisht përkrahja po shtohet dita-ditës edhe me Princin Leka, i cili po ecën në gjurmët e gjyshit dhe atit të tij dhe gëzon një simpati të lakmueshme në Kosovë. Nuk besoj se ka ogur më të mirë për të bashkuar forcat me faktorët patriotikë këndej e andej kufiri.

Ku e shihni Partinë Lëvizja e Legalitetit në të ardhmen e saj?

Me qëllimin e saj fisnik të zgjidhjes së çështjes shqiptare, me përfaqësimin dinjitoz të shtesës më të vuajtur të regjimit gjakatar komunist, me një ideologji patriotike, bashkuese dhe jo-përjashtuese, dhe me dëshirën përvuajtur për t’i shërbyer këtij kombi të familjes mbretërore, PLL-në e shoh padyshim si një forcë që përgatitet të marrë vendin që meriton në qeverisjen e Shqipërisë.

A planifikoni një riorganizim të degëve të PLL-së në diasporë, duke pasur parasysh faktin që legaliteti ka ndoshta bazat më të shëndosha nga të gjitha partitë shqiptare jashtë atdheut?

Më lejoni t’u them se nuk ka njerëz më fisnikë, më patriotë e liridashës sesa shqiptarët e Diasporës. Ne jemi krenarë që ata kanë qenë shtysë e zhvillimeve edhe në Partinë Lëvizja e Legalitetit dhe jemi të sigurtë se do të kemi bashkëpunim edhe më të ngushtë me ta. Kemi ç’të mësojmë nga përvoja e tyre, por më e rëndësishmja ata kanë se çfarë t’i japin këtij vendi: përvojën profesionale, kulturën perëndimore, dashurinë e besnikërinë ndaj atdheut, që sot në vendin tonë fatkeqësisht shumëkush nga politikanët e shesin lirë.

Folët me kaq pathos për Diasporën. Çfarë mesazhi do të kishit për bashkatdhetarët tanë në ShBA, në Evropë, por edhe gjetkë?

U them me përulësi se e vlerësoj maksimalisht kontributin e vyer të Diasporës shqiptare. Kontributi që ata kanë dhënë gjatë kohës kur perdja e hekurt kishte mbështjellë dhe vendin tonë ka qenë i çmuar. Dëshira juaj gjatë këtyre dy dekadave për zhvillimin e Shqipërisë, demokratizimin dhe integrimin e saj ka qenë i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ne do të mbajmë lidhje të ngushta me degët e Partisë Lëvizja e Legalitetit në Diasporë, do të përcjellim zërin e tyre në Shqipëri dhe jam i sigurtë që edhe mbështetja e tyre, e kësaj pjese anti-komuniste dhe demokraci-dashëse nuk do të mungojë si për të gjallëruar të djathtën shqiptare, ashtu edhe për të nxjerr Shqipërinë njëherë e mirë nga tranzicioni i tejzgjatur dhe për ta përkrahur drejt integrimit.

Bisedoi Ervin HYKA

 

 

http://www.gazetatema.net/web/2013/11/28/kreu-i-ri-i-pll-nuk-do-e-lidhim-me-fatin-me-partine-demokratike/

28/11/2013

 

 sulejman

Sulejman Gjana, kryetari i ri i Partisë Lëvizja e Legalitetit, thotë në një intervistë për Shekullin, se kjo parti nuk do e lidhë më fatin me Partinë Demokratike.

Në radhë të parë, në platformën time kam qenë shumë i qartë që PLL duhet të kthehet në vlerat e saj, në parimet, profilin dhe identitetin e saj, që është një identitet i ndryshëm nga ai i partive të tjera. Deri më sot partia e ka lidhur fatin e saj me një parti tjetër. Nuk gjykoj se duke e lidhur fatin e saj me një parti tjetër, një parti si PLL-ja, e cila rrjedh nga një traditë shtetformuese, mund të jetë efikase,” shprehet Gjana.

Ai shton se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkohen në një monarki për të lehtësuar hyrjen në BE.

http://www.panorama.com.al/2013/11/25/iken-spahia-sulejman-gjana-kreu-i-ri-i-pll/

 

Ikën Spahia, Sulejman Gjana kreu i ri i PLL

Politike e Hënë, 25 Nëntor, 2013 | 11:29 am

http://www.panorama.com.al/wp-content/uploads/2013/11/sulejman-Gjana-300x226.jpg

Sulejman Gjana, kreu i ri i PLL

Partia Lëvizja e Legalitetit do të drejtohet në katër vitet e ardhshme nga Sulejman Gjana. Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike, i mbledhur dje, ka vendosur të “ndëshkojë” kreun e PLL-së që nga viti 1998, duke mos i dhënë votat e duhura për një mandat të ri katërvjeçar. Në raundin e parë të votimit u regjistruan katër kandidatë. Ekrem Spahia zyrtarizoi kandidaturën vetëm gjatë ditës së djeshme në Kuvend, kur mblodhi 25% të firmave të delegatëve. Pas votimit të 212 delegatëve, Sulejman Gjana, deri dje nënkryetar i PLL-së, mori 85 vota, Ekrem Spahia 78 vota, Murat Basha 26 vota dhe Agim Kraja 23 vota. Sipas statutit të PLL-së, nëse asnjëri nga kandidatët nuk merr 50% plus 1 të votave të vlefshme, bëhet një raund i dytë me kandidatët që kanë marrë më shumë vota. Në këtë raund Sulejman Gjana arriti të marrë 109 vota, kundrejt 92 votave që mori Ekrem Spahia, ndërsa një votë doli e pavlefshme. Në këtë mënyrë, pas 15 vitesh Partia Lëvizja e Legalitetit do të ketë një kryetar të ri. PLL-ja bëhet kështu e para forcë politike e atyre që quhen parti të vogla që ndryshon kryetarin, që nga krijimi i tyre.

 

 

http://www.balkanweb.com/gazetav5/artikull.php?id=141128

 

Sulejman Gjana zgjidhet kryetari ri i Partisë së Legalitetit

 

» Dërguar më: 25/11/2013 - 07:04

 



Sulejman Gjana, që prej mbrëmjes së djeshme është kryetari i ri i Partisë Lëvizja e Legalitetit, i zgjedhur në kongresin e 18-të të kësaj partie. Figura e spikatur shumë së fundmi në drejtimin e partisë si nënkryetar i saj, fitoi përballë ish-kryetarit Ekrem Spahia. Në këtë garë morën pjesë 4 kandidatë: z. Agim Kraja, z. Ekrem Spahiu, z. Murat Basha dhe z. Sulejman Gjana. Deri ditën e djeshme ishin vetëm tre kandidatë në konkurrim, ndërsa ish-kryetari Spahia e deklaroi në fillim të punimeve të kongresit kandidaturën, pasi u mbështet nga 98 delegatë që firmosën pro kandidimit të tij. Raundi i parë i votimit prodhoi balotazh, sepse kandidatët e mësipërm siguruan përkatësisht nga 23, 78, 26 dhe 85 vota, rezultat në të cilin asnjë nga kandidatët nuk mundi të sigurojë 50% + 1 të votave. Në raundin e dytë të votimit dolën kandidatët Ekrem Spahiu dhe Sulejman Gjana. Në këtë raund z.Gjana siguroi 109 vota, kundrejt 92 votave të z.Spahiu, duke u shpallur kështu kryetari i ri i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Pas shpalljes së rezultatit, Ekrem Spahiu i dha dorën dhe i uroi suksese kryetarit të ri të PLL-së, ndërsa Gjana falënderoi në fillim të gjithë ata që nuk e votuan por votuan Ekrem Spahiun, e më pas falënderoi të gjithë votuesit e vet, duke i siguruar se do të jetë kryetari i të gjithë legalistëve.
Sulejman Gjana është me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit, lindur e rritur në Bruksel. Familja e tij u arratis në vitin 1956 për arsye politike. Është diplomuar në Shkenca Tregtare dhe Konsullore në ICHEC - Bruksel dhe ka Master në Administrim Biznesi. Ka punuar si drejtor i shtypit të huaj për afro 14 vjet dhe njëkohësisht drejtor i një filiali të një grupi të madh francez, “Hachette”.
Anëtar i bordit drejtues të “DistriPress”, organizatë ndërkombëtare aktive në sektorin e medias së shkruar me seli në Zyrih. Që prej vitit 2009, Gjana është pedagog në “International Marketing” në “Universtité Libre Internationale” – Bruksel, si dhe këshilltar i kabinetit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës që prej nëntorit 2011.

 

 

 

 

http://illyriapress.com/kryetari-legalist-spahia-nuk-kandidon-synojne-basha-dhe-gjana/

 

Spahia-Ekrem

 

Kryetari legalist, Spahia nuk kandidon, synojnë Basha dhe Gjana

- 11/23/2013 - 10:01 AM 0 Comments

Nënkryetari në detyrë Murat Basha tha se ka në platformën e tij tri projekte për këtë forcë politike. Kurse, mëtonjësi tjetër i detyrës së kryetarit Sulejman Gjana theksoi synon që PLL të rikthehet në vlerat, profilin, identitetin dhe parimet, për të cilat u krijua

Aristir Lumezi

Partia Lëvizja e Legalitetit do të zgjedhë të dielën kryetarin e saj të ri, pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të Ekrem Spahisë. Burime nga kjo forcë politike bëjnë të ditur se deri në datën 17 nëntor, kur ka qenë edhe afati i fundit për të shpallur kandidaturat për kryetar, në Kryesinë e kësaj force politike janë miratuar tre emra: nënkryetarët Murat Basha e Sulejman Gjana si dhe sekretari Organizativ, Agim Kraja.

Ndërsa kryetari aktual, Ekrem Spahia, i cili e mban këtë post që prej vitit 1998 deri tani nuk ka shpallur ende kandidaturën. Megjithatë, statuti i kësaj force politike i krijon mundësinë atij të mbledhë të dielën 25% të firmave të delegatëve (nga 265 delegatë që janë gjithsej) dhe të kandidojë. “Çdo anëtar i Partisë Lëvizja e Legalitetit ka të drejtë të vendosë kandidaturën për kryetar partie. Kandidaturat deklarohen brenda strukturave të partisë ose në kongres, kur mbështeten nga 25% e delegatëve.

Kandidaturat për kryetar partie që deklarohen brenda strukturave të partisë miratohen nga Kryesia në konsultim me kryetarin dhe sekretarin e Senatit”, thuhet në nenin 30 të Statutit të PLL-së.

Nënkryetari aktual i PLL-së, Murat Basha njëherësh edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, tha për gazetën se ka në platformën e tij tri projekte për këtë forcë politike. “E kam detyrim moral të kandidoj për kreun e PLL-së.

Politikani ka tri shtylla ku mbështetet: idealizmi, idetë dhe pragmatizmi për të zhvilluar më pas idetë në shërbim të idealit. Së dyti, kërkoj që nëpërmjet Legalitetit, si partia më e vjetër e djathtë konservatore, një rikonstruksion politik dhe moral të mendimit të djathtë konservator. Së treti, Legaliteti ka nevojë të ringjallet dhe të ecë me hapin e kohës. Zogizmi të mos mbetet një ëndërr e së shkuarës, por të bëhet një poemth i së ardhmes, dhe për këtë nevojitet një neozogizëm. Gjithashtu ne do të mbështetemi te rinia dhe intelektualët”, tha Murat Basha.

Ndërsa kandidati Sulejman Gjana theksoi: “Unë do të synoj dhe punoj që PLL të rikthehet në vlerat, profilin, identitetin dhe parimet për të cilat ka lindur partia jonë, si dhe në idealet e themeluesve dhe ideologëve të PLL, si Abaz Kupi, Nuçi Kota, Fuad Myftiu; të bashkoj në PLL të gjithë legalistët dhe mbretërorët shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit, rreth një programi dhe projekti të përbashkët për të ardhmen”.