http://www.panorama.com.al/2014/02/02/kapiten-qazim-preni-historia-e-kujdestarit-te-mbretit-leka-i/
02/02/2014
Kapiten Qazim Preni, historia e kujdestarit të Mbretit Leka I
Zogu
me
familjen
Qazim
Preni, nga Mati, ka shërbyer në Pallatin Mbretëror në Tiranë. Kur lindi Princ
Leka, më 5 prill 1939, Mbreti Zog e caktoi si kujdestar për mbrojtjen e djalit
të tij.
Qazimi
ka udhëtuar bashkë me një guvernante zvicerane gjithë rrugën në mërgim Tiranë-
Greqi- Stamboll-Sofje-Bukuresht-Poloni-Suedi- Paris. Misioni i dhënë nga Zogu I
ishte që ai të ruante Princin trashëgimtar. Në kohë lufte në Londër, kur
bëheshin bombardimet gjermane, familja mbretërore një pjesë të ditës e kalonte
nëpër tunele të metrosë me gjithë popullsinë. Qazimi rrezikonte jetën dhe
shkonte në hotel të merrte qumështin për Princin dhe ndërresat, edhe pse ishte
me shumë rrezik. Një mëngjes kur hyri në dhomën e Princit që të merrte ushqimet,
plasi bomba dhe dritat e hotelit u shuan, megjithatë Qazimi arriti të shpëtonte
dhe mbërriti te tuneli i sigurisë ku ishte strehuar edhe Princi. Qazimin e kam
njohur në Aleksandri, Egjipt, në 1947-n. Atje si kujdestar vazhdonte të kishte
detyrë të mbronte Princin. Ishte njeri i ndershëm, fisnik dhe trim. Kur shkonim
në plazh në Aleksandri afër pallatit të Mbretit Faruk dhe bënim not, Qazimi me
dylbi na kontrollonte dhe nuk na lejonte të largoheshim. Kur shkonim në shkollë,
ai ishte gjithmonë me Princin, madje gjatë periudhës së shkollës, nga mëngjesi,
ora 8:30, deri në 16:30 rrinte në lulishten e shkollës, pinte cigare dhe lexonte
gazetat shqip që na vinin nga Amerika. Shoferi i oborrit, zoti Ali Temali, vinte
ta merrte Princin. Një herë kur shkuam si fëmijë në « Luna
Park » i hipëm « Rrotës
së Madhe ». Qazimi kur e pa se ishim vendosur dhe
rrota filloi të lëvizte, nxori koburen dhe nga shqetësimi detyroi operatorin të
ndalonte rrotën. Fëmijët janë në rrezik, i bërtiti, duke e frikësuar atë dhe na
zbriti. Unë kam pasur me Qazimin lidhje të mira. Isha më i madh, por Princi me
motrën time Vera bënin shejtanllëqe dhe Qazimi më thoshte: Ore Bubi (Nëna
Mbretëreshë, Sadije Zagolli, ma kishte vënë këtë emër, që gjermanisht ka
kuptimin djali i vogël), të lutem mos i lër të hipin në pemë, se është rrezik!
Kështu, gjatë tetë viteve që kaluam në Aleksandri, Qazimi jo vetëm ishte në
kujdesin e Princit, por edhe neve na jepte këshilla. Merrte pjesë në festat,
sidomos më 28 Nëntor. Ishte kryelartë kur bashkë këndonim këngën
« edhe flamuri kuq e zi do të valëzojë përsëri në
Kosovë dhe Çamëri ». Kur u nisëm nga Egjipti në
1955-n me një anije franceze, zoti Shaqir Sula u ngarkua të merrte biletat.
Firma greke « Phenos »
mori paret për kabinat e familjes mbretërore dhe për suitat. Ata na dhanë vetëm
katër kabina dhe të tjera vende nuk kishte, përveçse atje poshtë në klasat e
fundit.
Unë isha student dhe oficerët atje do të flinin bashkë me mua. Qazimi nuk pranoi,
por gjeti një kolltuk dhe qëndroi jashtë kabinës së Princit me një batanije për
3 net. I bënim bukën, i thoshim hajde me ne, por nuk pranonte, duke na thënë se
jam roja i Princit, nuk lëviz. Erdhëm në Francë, u vendosëm familjarisht në Kanë
dhe secili u stabilizua në dhomat e veta. Qazimi sapo mori vesh se komunistët e
Ambasadës shqiptare në Paris kishin qëllim të vrisnin Mbretin Zog, flinte në
ballkon me armë në dorë.
Ai qe i
vendosur të jepte jetën për Princ Lekën. “Jam
biri i Mbretit, ia kam dedikuar jetën Princit dhe s’ka mundësi të afrohen
armiqtë »,- thoshte.
Në Kanë vinin personalitete të
ndryshme të takonin Mbretin, Mbretëreshën e familjen mbretërore dhe Qazimi i
kontrollonte me kujdes dhe kortezi.
Atje i mësoi Princ Lekës si të shtinte me pushkë dhe me
kobure. U thirrëm të merrnim pjesë në një konkurs « Shtije
të Antibes », me të tjerë pjesëtarë të familjeve
mbretërore, nga Egjipti, Bullgaria, Perandoria Osmane, Italia dhe kontë e dukë
francezë. Qazimi përfaqësonte shqiptarët me Princin Leka dhe fitoi duke dalë i
pari dhe Princi i treti. Në Paris, Mbreti, Mbretëresha, princeshat dhe suita u
stabilizuan në janar 1961, por fati i keq ishte se Mbreti u shtrua në spital. Në
atë kohë, Qazimi e shoqëronte Princin në Sorbonë, ku vazhdonte studimet për
Shkenca Politike dhe Ekonomike, dhe natën e kalonte në spitalin ku qëndronte
Mbreti. Kur vdiq Mbreti Leka I, Qazimi ishte në radhën e parë të funeralit si
roja me oficerët, Muharrem Gjoka, Ali Çupi, Bajram Neli, Jusuf Begeja, Sefedin
Çollaku, për 3 ditë e 3 net, duke mbajtur flamurin kuq e zi. Princi, Toti
(Kryeziu), Salih Doshishti dhe nipat e Mbretit rrinim me radhë në këmbë gjatë
këtyre ditëve të vështira përpara varrimit.
Deri në
janar të vitit 1979, Mbreti Leka I qëndronte në Madrid. Kur u largua për në
Rohdezi (Zimbabve), Qazimi i tha: « Unë do të rri
në këtë pallatin tuaj dhe nuk do t’ia lë askujt, ma jepni këtë detyrë ».
Mbreti e pranoi dhe i tha « kujdesu për nënën
mbretëreshë që po rri këtu ». Mbas disa kohësh që
jetoi vetëm në vilën në Pozuela (bazë ushtarake) u sëmur dhe ndërroi jetë me
fotografinë e Mbretit Leka në dorë. Nëna Mbretëreshë dhe komandant Hyllë
Spahija, që e vizitonte 3 herë në vit (vinte nga Parisi), u kujdesën për
varrimin e tij në një lulishte të xhamisë marokene. Kujtimi i tij është në
zemrat tona dhe e nderojmë edhe sot. Gjatë mërgimit të Mbretit Zog I dhe të
familjes së tij ka pasur një grup oficerësh, që i dedikuan jetën jo vetëm
shërbimit ndaj Mbretit, por edhe kauzës kombëtare. Këta oficerë besnikë dhe
atdhetarë që lanë Atdheun dhe familjet e tyre me një devotshmëri të madhe, ishin
një shembull që i habiti shumë të huaj që vizitonin familjen mbretnore në Angli,
në Egjipt dhe në Francë. Në Turqi, oficerët me gradë të naltë që qëndruan pranë
Mbretit, ishin kolonel Hysen Selmani, kolonel Shefki Shatku dhe major Alloman
Çupi; oficerët e tjerë Zejnel Shehu, Halil Sufa Branica, Ali Çupi, Bajram Neli,
Muharrem Gjoka, Adem Shehu, Faik Elmazi, Halil Drice dhe Qazim Preni.
Mbas
vrasjes së vajzës në Stamboll, kolonel Selmani në vitin 1946 shkoi pranë
familjes mbretnore në Egjipt. Në Turqi, oficerët që jetuan atje e vazhduan
aktivitetin kombëtar kundër okupatorëve fashistë dhe me emigrantët shqiptarë
formuan një forum nën kryesinë e diplomatit Asaf Xhaxhuli, që ishte i ngarkuari
me punë i Legatës Mbretnore në Turqi, e cila qëndroi e hapur deri në vitin 1950.
Kur erdhi në krye të Turqisë si President, Adnan Menderesi, qeveria e mbylli
Legatën dhe Turqia njohu regjimin komunist shqiptar. Këtu është interesante me e
përmendë kujtimin e Shkëlqesisë së Tij, Asaf Xhaxhuli që ishte miku i ngushtë i
Mustafa Qemal Ataturkut. Kur Ahmet Zogu u shpall Mbret, Ataturku u shqetësua,
pasi ishte republikan i flaktë dhe kështu u krijue një ftohtësi në marrëdhëniet
ndërmjet dy kryetarëve të shtetit. Asaf Xhaxhuli vazhdoi takimet me Ataturkun
dhe me shumë durim ia mbushi mendjen. Pyetja e Ataturkut ishte pse monarki dhe
jo republikë për Shqipninë, Asafi i tha « titulli
nuk është Mbreti i Shqipnisë, por Mbreti i shqiptarëve »
dhe qëllimi i Mbretit ishte me i bashkue trojet tona, si Kosova, Çamëria, një
pjesë e Shkupit dhe Preshevën. Kur e kuptoi hollësinë e qëllimit të Ahmet Zogut,
Ataturku zyrtarisht e njohu Monarkinë Shqiptare dhe i uroi sukses Mbretit Zog.
Në Francë erdhën në shërbim të Mbretit kapiten Jusuf Begeja, kapiten Sefedin
Çollaku dhe kapiten Hajreddin Halluli. Kur u nis familja Mbretnore në Angli,
Jusuf Begeja, Sefedin Çollaku hynë në forcat e Francës, të tjerët vazhduan me
Mbretin. Në vitin 1946, Mbreti me familjen erdhën në Egjipt, ku Mbreti Faruk i
priti me një miqësi të madhe. Neve me nanën, zonja Hurijet Allaj, erdhëm në
Egjipt në tetor 1947 dhe gjatë qëndrimit tim 8 vite aty pata kënaqësinë me njoh
oficerët e Gardës Mbretnore të familjes. Përveç dy diplomatëve të lartë, si z.
Sotir Martini dhe Kemal Bey Messare, agjitanti i Mbretit, kolonel Selmani, vinte
shpesh me na vizitu dhe na jepte lajmet që merrte nga Shqipnija. Bajram Neli
kishte detyrën e organizimit të brendshëm, lidhjet me shërbimet e sigurisë dhe e
kryente këtë detyrë me shumë kujdes. Zejnel Shehu ishte një person shumë i
kujdesshëm. Ai kishte mësue gjuhën anglisht e frëngjisht dhe kryente detyrën e
tij me ndërgjegje të lartë. Ai dhe Halil Branica u hodhën vullnetarë në Shqipni
kundra regjimit komunist dhe dhanë jetën e tyre për atdhe, komb e mbret. Në
shumë raste i nderojmë këta dy dëshmorë, bashkë me mijëra dëshmorë shqiptarë.
Muharrem Gjoka, kujdestari i Tatit (Esat Kryeziu), nipi i Mbretit, ishte roja i
parë. Ai shkroi kujtimet e tij nga fundi i mërgimit në Angli, ku edhe vdiq. Adem
Shehu, kushëri me Zenelin, ishte në kujdesin tonë, të fëmijëve dhe priste
mysafirët. Ai ndërroi jetë në Amerikë. Ali Çupi, një person shumë i dashtun dhe
i devotshëm, më kërkonte t’i lexoja lajmet e gazetës që vinte në frëngjisht në
pallat dhe na fliste me nostalgji për fshatin e tij në Mat.
Alinë e thirrshim Ali Baba, vdiq në Paris, e përcollëm me trishtim.
Kur në korrik të vitit 1955 u larguam nga Egjipti për
në Francë me familjen mbretnore, oficerët erdhën bashkë me anijen franceze “Marechal
Joffre”, ku zbritëm në Marseille. Pak kohë ma
vonë, Mbreti u stabilizua në Cannes, ndërkohë që Jusuf Begeja me Sefedin
Çollakun na pritën me kënaqësi. Në Paris na shërbente edhe Zejnel Çami, ushtarak.
Ai gatuante për familjen, ishte çam dhe kishte vuajtur në kampin e të burgosurve
në Shqipni. Po ashtu edhe kapiten Hakik Elmazi qëndroi pranë Mbretit. Këta dy
patriotë ndërruan jetë në Paris. Në janar të vitit 1961, Mbreti Zog dhe familja
e tij erdhën në Paris, pasi shëndeti i Mbretit u keqësua. Mbreti u vendos në
spitalin Foche. Garda, me në krye kolonel Selmanin, qëndruan në spital në
detyrën e tyre në ruajtje të Mbretit, deri në minutën e fundit. Një flamur kuq e
zi ishte vendosë në sallën e madhe. Unë shkova në spital më 9 Prill. Sa hyna në
dhomë ku qëndronte Mbreti, ai dha frymën e fundit dhe ndërroi jetë.
Salla e madhe e spitalit u
vu në dispozicionin tonë. Oficerët qëndruan në roje nderi rreth trupit të
Mbretit Zog I për tri ditë e tri net. Me qindra shqiptarë vinin me lot në sy dhe
përuleshin para trupit të tij. Unë organizova ceremoninë funerale dhe oficerët
më ndihmua.
SKËNDER ZOGU