KLAN - 10/07/2002 - http://www.revistaklan.com/
Kopertina Nr 264
Kush eshte princi trashegimtar Leka Junior? Si e mendonte ai atdheun dhe cfare gjeti. Miqte dhe armiqte e tij te rinj. Jeta ne hijen e badigardeve, legjendave per kreshniket e iliret dhe vanitetit metropolitan
nga Sokol Shameti, foto Gent Shkullaku
Leke Zogu, I biri I Leka Zogut ne oborrin e viles se tij |
Si per ironi te fatit, te premten qe shkoi me 28 qershor, Leke Zogu i ri, pa per here te pare nga dritarja e avionit Boing 727, po ate vije te thyer bregdetare te Adriatikut nga ku ushtria italiane zbarkoi me 1939 duke debuar gjyshin e tij nga froni mbreteror i Shqiperise.
Ky eshte nje vend te cilin ai nuk e pat njohur kurre me pare. Por te cilit, tani pas 63 vjetesh, ai i trashegon fronin, duke qene Princi aspirant Leka II, i biri i pretendentit per fronin Leka I, birit te Ahmet Zogut, i cili jo vetem nga perkrahesit, por ne pergjithesi nga publiku thirret gjeresisht me nickname-in "mbreti".
Njezetevjecar, i rritur me tregime per kete vend te vogel, thuajse nje pike ne harten e botes, qe familja e tij e ka bredhur per 63 vjet me radhe, nipi i Ahmet Zogut, mbretit te pare dhe te fundit te Shqiperise, mund te mendoje tanime i qete se edhe ai e ka nje atdhe. Nje atdhe i cili atij i ka munguar qysh nga 26 marsi i vitit 1982, kur ai lindi ne kliniken Viktoria, ne Senton te Johanesburgut. Nje toke te cilen ai e ka pasur perhere ne enderrat e tij te femijerise. Se ciles ia njeh historine e lashte dhe te re, fatkeqesite, festat, lufterat, kenget dhe deri tek klubet e futbollit me suksese nderkombetare. Por se ciles vetem 28 qershorin qe kaloi ia ndjeu per here te pare eren neper floke, teksa limuzina e bardhe qe perkrahesit legaliste kishin pajtuar per te pritur familjen mbreterore, ecte me shpejtesi neper magjistralen Rinas- Tirane.
Nder shqiptaret, Leke Zogu i ri eshte ndoshta 20 vjecari me me shume pergjegjesi per te ardhmen. Askush tjeter, por vetem ai ndoshta do te behet mbret nese ne ndonje referendum te se ardhmes qytetaret e Republikes vendosin keshtu. Ky destin i parashkruar, eshte pergjigja e te gjitha "pse"-ve qe e rrethojne. Eshte kjo arsyeja pse kujdesen per te kaq shume. Dhe eshte kjo arsyeja perse me te filluar viti i ardhshem akademik, ai do te udhetoje drejt Londres per te vazhduar studimet per diplomaci dhe art ushtarak ne Akademine Mbreterore Britanike.
"Nuk e di me saktesi. Ndoshta do te shkoj edhe ne Amerike, por shanset jane per ne Londer, sepse aty pergatitja eshte me e mire dhe une dua te jem sa me i pergatitur per te ndihmuar ne te ardhmen sa me shume Shqiperine", thote princi. Ai ka nje fjalor mjaft te pazakonte per nje adoleshent te moshes se tij. Ai permend vazhdimisht terma te tille si "atdheu", "rrofte Shqiperia" etj, me te cilat do te gajasej cdo gjimnazist apo student i rendomte ne kryeqytet, por qe do te rrinin mjaft mire ne gojen e ndonje politikani te perkushtuar patriot rreth te 60-ave.
Ndonese te gjithe e therrasin princ Leke, emri i tij i vertete eshte mjaft i gjate. Zyrtarisht ai quhet Leka Anwar Zog Reza Baudoin Msiziwe. "Quhem Leka sepse kjo ka lidhje me babain tim. Ky eshte nje emer i paster shqiptar qe vjen qe nga koha e Lekes se Molloseve apo Leke Dukagjinit", thote vete princi. Sa per shtesat e tjera, pervec Zog, qe i eshte vene ne nderim te gjyshit te tij Zog I, te gjithe te tjeret jane emra apo mbiemra sundimtaresh te ndryshem te botes me te cilet familja mbreterore shqiptare deshi te shprehe mirenjohjen per ndihmen, duke i dhene te birit emrat e tyre, nje zakon i njohur aristokratik. Anwar i eshte vene ne kujtim te presidentit Sadat. Reza, per te nderuar Shahun e Iranit, nje mik i familjes, i cili i ka ndihmuar jo pak. Baudoin, sipas ish mbretit te Belgjikes, ndersa Msiziwe, eshte mbresa afrikane e qendrimit te gjate te familjes ne Johanesburg. Kesisoj quhet sovrani zulu i popullit me ngjyre te Afrikes se Jugut dhe me te cilin familja mbreterore ka lidhje shume te mira. Ky festival emrash, i pergjigjet pak a shume edhe gjuheve te huaja qe flet princi.
"Flas anglisht, frengjisht, zulu, afrikan southern", rreshton Leka. Por natyrisht, pavaresisht nga keto njohje ekzotike dhe te denja per nje monark, ai ndjen se ka mangesi ne ate qe duhej te ishte gjuha e tij baze. "Po mesoj shqip dhe shume shpejt do te kem nje mesues per te me ndihmuar. Me pare ne Johanesburg kam pasur nje mesues per rreth pese muaj, por nuk ishte e mjaftueshme. Tani jam ketu, ne Shqiperi, dhe besoj se edhe duke qene ne komunikim te perditshem gjithcka do ta kem me te lehte", thote ai.
I veshur me nje xhakete mjaft shik dhe me roje qe kontrollojne gjithcka, deri tek sirtaret e zyres se shtypit te vete oborrit mbreteror, Leka Junior, po mundohet te hyje sa me shume ne kontakt me vendin qe i eshte parathene te prije. Nje nga miqte e tij te rinj, Besian Germenji, e ka prezantuar se fundi edhe me disa nga brezi i ri i artisteve vendas dhe princi thote me kenaqesi edhe emrat e tyre: "Kam takuar Elia Zaharian e grupit Spirit Voice, kam takuar edhe Klevin e grupit 2 FARM. Ata kane zemer te mire".
Ky djalosh me shtatlartesi basketbollisti, te cilin kur e pyet per gjatesine thote se eshte gjithsesi me pak se 2 metra, po mundohet qe pak nga pak te krijoje mikrokozmosin e tij ne qytetin ku do te jetoje tani e tutje. I cilter, ai pohon se ende nuk ka krijuar ndonje lidhje me ndonje vajze ndonese sipas parashikimeve te kronikaneve roze, ai ka nje "te ardhme" te ndritur perpara ne kete drejtim.
Eshte tifoz me ekipin e Flamurtarit si dhe simpatizon Vllaznine, por thote se ende nuk i ka pare ekipet e tjera ne fushen e lojes qe te beje zgjedhjen e tij. Futbolli shqiptar ka fituar me te sic duket nje tifoz me shume. Madje edhe diten e ndeshjes se Teutes se Durresit me La Valleten e Maltes, ai ishte se bashku me dy shoke te tij, i veshur me t-shirt e xhinsa, duke perpire me sy ekranin popullor tek QNK-ja.
Me nje edukate e cila centrifugon teresisht rrotull kultures shqiptare, princi Leke, gjate gjithe kohes se qendrimit te tij ne Johanesburg eshte ndjekur nga afer nga kujdestari i tij, Sami Kori, nje besnik i mbretit, i cili i ka mesuar zakonet e lashta dhe traditen e vendit. Kete sfond edukativ, princi e shfaq ne kontaktet me te gjithe. Kjo menyre te menduari si prej kreshniku te Veriut, bashkejeton me anglishten e tij amtare, te cilen ai me heroizem refuzon ta perdore ne kontakt me gazetaret shqiptare, ndonese ndjen veshtiresi ne te kuptuarit dhe te shprehurit e shqipes.
Ne pamje te pare ai nuk te le kete pershtypje, por Leka jr, eshte nje i apasionuar pas arteve marciale. Gjate kohes kur oborri mbreteror ishte i instaluar ne Johanesburg, nje nga rojet mbreterore, lejtnanti Laungmook eshte kujdesur posacerisht qe princi te jete nje "karaté kid" i vertete. Ne nje material me te dhena biografike per Princin Leke, te cilin vete zyra e shtypit e oborrit mbreteror e ofron si material per gazetaret, madje te organizuar ne formen e nje interviste te gatshme, thuhet se ai eshte gjithashtu i apasionuar pas bilardos, kompjuterave, shumices se sporteve e madje edhe pas hipizmit ku ai ka fituar disa trofé. Figura e tij paraqitet e kompletuar ne te gjitha drejtimet, e denje per te qene ne te ardhmen nje vendparking vemendjeje. "A do te kishit deshire te benit nje jete te thjeshte, larg te qenurit Princ?", pyetet ne kete material Leka jr dhe ai pergjigjet po aty: "Jam rritur gjithmone per te punuar dhe jetuar per Shqiperine. Kjo eshte deshira dhe zgjedhja ime". Madje kur edhe ne e pyetem me vone, se ne c'rol e shihte vetveten ne te ardhmen, ai perseriti pike per pike te njejten pergjigje, ndonese keshilltaret e tij u ankuan per karakterin politik te pyetjes. Gjithcka pra eshte e qarte. Leka II ka deshire te shkoje me tej se babai i tij Leka I.
Njezetevjecari Leke Zogu, megjithate tani ka nje shtepi te re. Nje vile ndoshta me te ngushte se hapesira natyrore me te cilen ai ishte mesuar ne Afrike. Jeta e tij qe per 20 vjet kishte rrjedhur ne periferite me savana te pafundme te Johanesburgut, tani duhet te zhvillohet ne zemer te nje qyteti te madh, me shume makina, zhurme, tym, vape dhe thashetheme.
Por jo vetem shtepia eshte e re per princin. Se bashku me te, qysh nga 28 qershori, Lekit, sic e therrasin ne familje, do t'i duhet te mesohet me nje shoqeri te re, nje menyre te re jetese, ushqim te ri, madje edhe me nje klime krejt tjeter, sepse edhe atdheu per te cilin i kane treguar legjenda tere jeten, ne fund te fundit, per te eshte krejtesisht i ri dhe i panjohur. I rrethuar nga nje kujdes shpesh i ekzagjeruar badigardesh, kujdestaresh, rojesh e madje edhe nga nje shpure puthadoresh te bezdisshem qe s'mungojne kurre ne kesi rastesh, princi i ri ngjan si i derguar direkt e nga planeti i naivitetit ne nje bote te bezdisshme lajkash. Ne gare kush e kush te duket me i devotshem, njerezit qe e rrethojne nuk e lene te beje thuajse asgje vete. Te tjere i zgjedhin librat qe duhet te lexoje, i sugjerojne shoket, i perzgjedhin aktivitetet. Ka te ngjare qe ne oborr te funksionoje madje edhe ndonje lloj censure qe cakton paraprakisht copat e artikujve te gazetave qe ai duhet te lexoje. Njerez te tjere i thone fjalet enkas per te. Madje ka njerez, te caktuar per te menduar ne vend te tij. I rrethuar nga ajo qe i shitet per kujdes prekes, Leke junior Zogu ngjan me teper i rrethuar nga nje vakuum i merzitshem lirie.
Me cehren e trishte te njeriut qe e kalon shumicen e kohes mbi libra te vjeter, ai endet neper oborrin e viles 4, as pesedhjete metra larg kryeministrise se shtetit qe babai i tij aspiron ta zevendesoje me nje forme tjeter regjimi. Nuk ngjan aspak i shpenguar. Flet me ze mjaft te ulet dhe fjalite e tij permbajne perhere nga nje formule te edukates standarte. Veshjen e mban te ngjashme me ate te djelmoshave anglosaksone te kolegjeve dhe si per te plotesuar gjithe kete aureole fisnike, perreth tij vrapojne perhere nje mori qensh gjakpaster te races boxer. Por qente duket se ai i ka miqte me besnike ne kete shpeshtim te papritur miqesish ku po e sheh veten qysh pas 28 qershorit.
"Une dua te njoh rinine shqiptare", thote djaloshi shtatlarte me nje shqipe te sforcuar por kembengulese dhe pastaj shton: "dua te njoh atdheun tim, Shqipnine". Ne fakt kjo ishte fjalia me e shpeshte e tij, kur ne e takuam princin Leke ne oborrin e viles ku eshte stabilizuar prej nje jave familja mbreterore dhe me pas ne nje nga zyrat ku eshte vendosur administrata, tek qendra "Dimal".
Mirepo kjo kerkese e perseritur me aq sinqeritet nga ky njeri, i cili po pergatitet te jete nje mbret i denje ne nje te ardhme hipotetike, ka rrezik te jete e parealizueshme he per he. Do te duhet kohe qe ai te njohe Shqiperine e vertete. Shqiperia qe po i tregojne nuk eshte ajo e partizanit te panjohur, masoneve me anoreksi, invalideve te nje lufte jo perfundimisht te harruar apo varrezes masive buze Otrantos. Shqiperia qe po i rrefejne atij tani eshte nje nderthurje e asaj te perbere nga tradita e lashte malesore e groposur prej kohesh nen dheun e harreses, perzier me nje kulture snobe avangardiste, me koken ne re dhe qe ende nuk ka zbritur realisht ne truallin vendas. Ne mendjen e tij perzihen kullat e malesise me sallat shterpe te konferencave te OJQ-ve. Pleqte me mustaqe dhe me pisqolle ne brez i vijne te perzier me kokeboshet me kulture te plackitur nga interneti. Lahutat dhe eposi i ngaterrohen me muziken hip hop dhe slangun mendjemadh te down toun-it kryeqytetas. Princ Leka eshte ne rrezik. Perkujdesja e teperuar qe i injektojne, e rrezikon ate qe te perftoje nje imazh te deformuar te Shqiperise. Ketij vendi qe ai e do vertet shume. Madje ndoshta me shume se cdo 20 vjecar tjeter i ketyre aneve.
Ky mund te kishte qene nje artikull i sjellshem, i mbushur me pershkrime te sofistikuara mbi stilin barok te ndertimit te viles kater, veshjet elegante te princit, ushqimet e vyera qe po shijon ne atdhe dhe shume e shume delikatesa te tjera. Per fat keq, ketu behet fjale per dicka me te madhe. Ka disa njerez, hierarke te lindur, fati i te cileve permban perqindje me te larta probabiliteti per te qene lidere te se ardhmes se kombit. Askush nuk e di sesi do te rrjedhin ujerat derisa ky 20 vjecar qe sot flet shqipen me veshtiresi, te kete pergjegjesine per te marre vendime per ne. Kush mund te thote me siguri se cila do te jete prirja politike e shqiptareve te ndoshta 20 a 30 vjeteve me vone? Ajo mund te jete forma republikane e regjimit, ashtu sikurse mund te jete edhe monarkia. Dhe nese kjo e fundit ka qofte edhe 1% mundesi, atehere per te tashmen e trashegimtarit te fronit Leke II nuk mbeten shume shanse per te gabuar. Eshte hera e pare qe kemi rast te shohim tek rritet nje mbret i mundshem. Per kete arsye Leka Junior eshte i denuar te jete perfekt.