Archives 2006 Part I
ATDHEU"
Gazete e Partise Levizja e Legalitetit
versioni 'on line' i gazetes "Atdheu"
Kryeredaktor
: Astrit
Kola
Webmaster :
Ibrahim Koka
&Neritan Kolgjini
levizja_legalitetit@yahoo.com
___________________________
26 Mars 2006
___________________________
PLL përshëndet qeverinë Berisha për ligjin e dëmshpërblimit të të burgosurve politikë
PLL: Dëmshpërblimi i të burgosurve, akt përgjegjshmërie
Legalistët besojnë se dëmshpërblimi financiar është veprimi më i pakët që mund të bëjë një qeveri shqiptare për një shtresë të martizuar si ish-të burgosurit politikë. Askush nuk mund t'ua heqë vuajtjet e dhimbjet, por të paktën një pushtet i vetëdijshëm për qytetarët që qeveris, e kupton se akte të tilla janë në dobi të zhvillimit të të gjithë shoqërisë shqiptare.
Editorial
Opozitarizmi i munguar...
Nga Murat Basha
Lindur dhe edukuar në një familje antikomuniste të kultivuar, ku nokoqirllëku, përveçse si traditë e trashëguar, ishte edhe mjeti kryesor i mbijetesës nën shtypjen dhe mjerimin socialist, që në rini e kam përcjellë rënien graduale e të shumëpritur të diktaturës, nëpërmjet krahasimit të buxheteve që ajo publikonte e propagandonte si instrumente të marshimit triumfal drejt komunizmit. Dhe teksa shikoja dështimin ekonomik të këtij sistemi të urryer, çka reflektohej në buxhetet fantazmagorike, e kuptoja se "Pllanet 5-vjeçare të sociallizmit fitimtar...", nuk ishin gjë tjetër veçse dëshmi e rrënimit tonë të parapërgatitur, që neve do të na gjente, siç edhe na gjeti, nën gërmadhat e "Murit të Berlinit" allashqiptar.
Mbrujtur me këtë filozofi, të konsiderimit të buxheteve si paradigmë e dështimit, stanjacionit, apo suksesit, gjithmonë i kam kushtuar vëmendje maksimale politikave buxhetore dhe miratimit të buxhetit në Kuvend dhe "parlamentin" e bashkisë së Tiranës. Sepse kam qenë dhe jam i bindur se buxheti reflekton cilësinë e projekteve për ardhmërinë, vizionin për zhvillimin, apo të kundërtin, si dhe frymën programore të buxhet-hartuesit-qeverisës, bazuar në prioritete dhe skema me kahje të njëjta, të ndryshme, apo të kundërta me interesat e qytetarëve.
Pikërisht për këtë arsye, e prita me emocion mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak të Tiranës për miratimin e projekt-buxhetit të këtij viti ushtrimor e kalendarik, ndonëse isha i bindur se këtë buxhet e ka marrë lumi, përderisa hartuesit e tij janë vonuar mbi tre muaj në sipërmarrjen e tyre, të dështuar që në nisje, për shkak të paaftësisë dhe qëllimeve të mbrapshta.
Me përvojën dy vjeçare të dështimit socialist në kokë, (aqsa edhe mbaj mandatin e këshilltarit opozitar), edhe kësaj here hyra në mbledhje me votën "kundër" në dorë, votë-kartonin e kuq të së cilës e vendosa publikisht mbi suprinë.
Por më kot, sepse buxheti as që u shqyrtua, ngaqë mbledhja dështoi. Dështoi sepse pikërisht kur nuk duhej, ndoca këshilltarë të opozitës së djathtë, (plot 8 të tillë), të cilët as vetë nuk e kuptojnë përse e kanë dashur mandatin e këshilltarit përderisa nuk vijnë as në mbledhjet më të rëndësishme, munguan pa shkaqe të arsyeshme, duke pamundësuar kuorumin për shqyrtimin dhe miratimin e buxhetit bashkiak të Tiranës për vitin 2006.
Dhe kur mendon se këta myteberë-mungues kanë shqyer mëngët dhe timpanin e të mëdhenjve të partive të tyre, me duart e gjata dhe turfullimat për "respekt kontributesh e vlerash", e kupton sesa poshtë ka rënë niveli i tyre i "opozitarizmit" dhe përgjegjësisë qytetare e asaj para votuesve që u dhanë votën e u besuan shpirt-idealin, teksa nuk denjojnë të vijnë në mbledhje, një herë në muaj.
E ku kishte rast më të mirë për ta coptuar draft-buxhetin e pushtetarëve aktualë të dështimit recedivist, sesa ai që këshilltarëve të opozitës së kryeqytetit, iu krijua atë ditë fatlume, ku unë jam i bindur se buxheti do të dështonte të miratohej, pasi votat "pro" ishin të pamjaftueshme? Por jo, nuk menduan dhe nuk mendojnë kështu ata që munguan, dhe kushediseku e dreqiedisepse kanë menduar ta marrin e ta përdorin votën dhe shpirtin e tyre, si dhe mandatin e militantëve të pangrënë e qëndrestarë! Dhe pas kësaj që ata bënë e nuk bënë, pra ata që gjithë jetën, jam i bindur, se e kanë kaluar duke kërkuar e duke mos dhënë, "duke bërë shatin dhe asnjëherë lopatën", e kuptova se opozitarizmi i tyre vlen vetëm për "t'u aksidentuar me kujdes në karambolet me pozitën socialiste" e për të munguar, me qëllim që "edhe mishi socialist të piqet, edhe helli i tyre që ia kanë ngulur mbështetësve, të mos digjet". Pra edhe ata të lajnë duart, edhe socialistët ta kalojnë lumin, pa i larë mëkatet për shkatërrimin e kryeqytetit. E përse duhen votuar njerëz të tillë, të cilët jam i bindur se sërish do të grisin mëngë dhe do të ulërasin se përse "nuk i fusin në formacion", teksa ditën e ndeshjes "humbasin PIN-in e telefonit" dhe nuk dihet se në cilin kotec kanë përfunduar, teksa lus Zotin t'i ruajë nga... e socialistëve pushtetarë vendorë?!
Ndoshta duhen votuar se nuk ka kuptim loja politike pa ndeshje dhe shpirtëra të shitura, ndoshta edhe për të kataloguar tradhtinë dhe thikat pas shpine, e për të mos harruar kur të vijë dita e formacionit dhe ndeshjes së radhës..., ndoshta kjo është politika...
Por unë jam i bindur se kjo është veçse politika e dështimit përballë atyre që duhet të shporren nga qeverisja e Tiranës, për të cilën jo vetëm duhet dëshmuar përkushtim dhe përgjegjshmëri, por edhe keqardhje për gjendjen ku e kanë katandisur, e për të cilën nuk janë më pak të përgjegjshëm edhe ata që mungojnë "aksidentalisht" dhe fashojnë këmbë e duar, sa të mbarohen punët dhe të davariten dyshimet për "rastësitë" e përsëritura kaq shpesh, e që po na i lënë socialistët mbi shpinë. Në këtë botë, secili bën të tijën..., por kur vjen puna për "tonën", gjithkush ka të drejtë të flasë e të ulërasë kundër atyre që mbushin xhepat me mandate që i këmbejnë me para turpi... Sepse ndryshe, opozitarizimi do të diskretitohej dhe qëndrestarët do të nëpërkëmbeshin në mënyrën më poshtëruese, çka do ta bënte të pavlerë e të dyshimtë edhe politikën më të ndershme, e jo më atë të ndeshjeve të shitura e rezultateve të paracaktuara.
KRYESORE
PLL përshëndet qeverinë Berisha për ligjin e dëmshpërblimit të të burgosurve politikë
PLL: Dëmshpërblimi i të burgosurve, akt përgjegjshmërie
Legalistët besojnë se dëmshpërblimi financiar është veprimi më i pakët që mund të bëjë një qeveri shqiptare për një shtresë të martizuar si ish-të burgosurit politikë. Askush nuk mund t'ua heqë vuajtjet e dhimbjet, por të paktën një pushtet i vetëdijshëm për qytetarët që qeveris, e kupton se akte të tilla janë në dobi të zhvillimit të të gjithë shoqërisë shqiptare.
DEKLARATA
Partia Lëvizja e Legalitetit
Departamenti Informacionit
Deklaratë për mediat
Partia Lëvizja e Legalitetit përshëndet sinqerisht nismën e qeverisë së Kryeministrit Berisha për hartimin e kuadrit të plotë ligjor për rregullimin e problemit të dëmshpërblimit e rehabilitimit të ish të burgosurve politikë e të përndjekurve nga regjimi komunist.
PLL ka besim se ky vullnet i shprehur i kryeministrit Berisha do të sendërtohet në akte konkrete ligjore dhe vendime të zbatueshme për rregullimin njëherë e përgjithmonë të kësaj plage ende të rëndë të shoqërisë shqiptare, siç është dëmshpërblimi i të burgosurve politikë antikomunistë.
PLL gjen rastin të shprehet se ndaj kësaj shtrese, qeveritë e mëparshme nuk kanë bërë gjë tjetër veçse kanë ndërmarrë masa gjysmake për ta mbajtur këtë shtresë në zgrip të ekzistencës. Asnjëherë nuk është vepruar me ligje efektive që do ta mbyllnin përfundimisht këtë problem.
PLL u rikujton forcave politike dhe opinionit publik se kjo shtresë të burgosurish ka derdhur në buxhetin e shtetit, përmes punës skllavëruese e të papaguar, miliarda e miliarda dollarë, në miniera, këneta, ndërtime uzinash, pallatesh, rrugësh, aeroportesh e mjaft veprash të tjera publike, të cilat janë ende para syve të të gjithëve.
Ne si legalistë besojmë se dëmshpërblimi financiar është veprimi më i pakët që mund të bëjë një qeveri shqiptare për një shtresë të martizuar si ish-të burgosurit e të përndjekurit politikë. Sot askush nuk mund t'ua heqë vuajtjet e dhimbjet, por të paktën një pushtet i vetëdijshëm për qytetarët që qeveris, e kupton se akte të tilla ligjore e përmbaruese, janë në dobi të zhvillimit të të gjithë shoqërisë shqiptare.
PLL kujton këtu se gjatë sundimit të PS-së nga 97-ta e deri më 2005, kjo shtresë është injoruar pothuajse totalisht, me përjashtim të disa sahanlëpirsëve që u kanë shërbyer të gjitha pushteteve.
Tiranë më 25 mars 2006
Njoftim për shtyp i kryeministrisë
Berisha, porosi Rusmalit për ligjin e dëmshpërblimit
Kryeministri Sali Berisha, kërkoi të martën, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, që të paraqitet sa më shpejt në qeveri projektligji për dëmshpërblimin e të përndjekurve politike, duke vlerësuar se dëmshpërblimi i kësaj shtrese është një kusht themelor për paqen e vertetë sociale në vend.
Ai vlerësoi punën e bërë nga zv/kryeministri Ilir Rusmali për këtë çështje, ndërsa theksoi se edhe shoqatat e të përndjekurve kanë bërë propozimet e tyre. Kryeministri vuri në dukje se në fakt ligji ekziston, por kjo shtresë shoqërore është diskriminuar. "Kodi penal i Shqipërisë përcakton qartë dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga shteti, mirëpo ky nuk është zbatuar dhe ky kod duhet të zbatohet teresisht, ndaj dhe duhet paraqitja sa më shpejt e këtij ligji", vijoi z. Berisha.
Ai tha se qeveria krijoi fondin në buxhet për dëmshpërblimin e tyre. Ky fond ka një shumë modeste, por ai do të rritet. Duke vlerësuar edhe konsultat me shoqatat dhe të përndjekurit, z. Berisha tha se ata kanë dëshmuar një arsyetim të shëndoshë në kërkesat e tyre, kanë pranuar shtrirjen e këtij procesi, gjë që eshtë e domosdoshme. "Një gjë duhet ta kemi të qartë se pa dëmshpërblimin e shekujve e shekujve vite burgjesh, rini të tretura në kampe përqëndrimi, jetësh të rëna për vlera universale të njeriut, shoqëria shqiptare nuk bëhet e drejtë", u shpreh kryeministri Berisha.
Tiranë më 21 mars 2006
Ja si do të dëmshpërblehen ish të përndjekurit politikë
Kryeministri Sali Berisha i kërkoi zëvendësit të tij, Ilir Rusmali të përfundojë hartimin e ligjit për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë. Shefi i ekzekutivit, duke folur në mbledhjen e rradhës së qeverisë u shpreh se kodi penal parashikon në një nga nenet e tij dëmshpërblimin për të përndjekurit dhe të dënuarit politikë, teksa shtoi se fondi i parashikuar në buxhet për dëmshpërblimin e kësaj kategorie do të rritet. Qeveria vendosi në fund të vitit të kaluar të caktojë tre milion dollarë fondin për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve dhe të dënuarve politikë. "Desha të sjell në vëmendje të zv kryeministrit Rusmali çështjen e ligjit për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë, të të përndjekurve të diktaturës. Ky ligj duhet të paraqitet në qeveri sa më parë. Shoqatat kanë bërë propozimet e tyre. Natyrisht këtu në fakt ligji ekziston, por ata u diskriminuan. Kodi penal i Shqipërisë përcakton qartë dëmshpërblimin e të dëmtuarve nga shteti. Mirë po ky nuk është zbatuar dhe ky kod duhet të zbatohet tërësisht. Ndaj dhe paraqitja sa më shpejt e këtij ligji, ne krijuam fondin në buxhet për dëmshpërblimin e tyre. Fondi ka një shumë modeste por fondi do të rritet", u shpreh kryeministri Berisha.
Në 20 dhjetor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë nenin 1 të ligjit 92 60 të dt. 15/ 7/ 2004 ku caktohet shuma e dëmshpërblimit të ish të përndjekurve të të dënuarve politikë. Sipas nenit 1 të ligjit 92 60 të firmosur një vit më parë nga ish-kryeministri Fatos Nano, personat që kishin vuajtur dënimin në kohën e diktaturës nga një deri në pesë vjet do të merrnin 1500 lek të reja në muaj, personat e dënuar nga pesë deri në dhjetë vjet do të përfitonin 2 mijë lek të reja në muaj, personat nga 10 deri në 15 vjet do të përfitonin 2500 lek të reja në muaj, personat nga 15 deri në 20 vjet përfitonin 3 mijë lek të reja në muaj, nga 20 deri në 30 vjet 3500 lek të reja në muaj dhe ata që kanë persona të pushkatuar gjatë regjimit komunist do të shpërbleheheshin me 5 mijë lek të reja.
Në fund kryeministri Berisha vlerësoi arsyetimin e shoqatave të ish përndjekurve dhe të dënuarve politikë, duke shtuar se: "Mund të them se shoqatat dhe të përndjekurit kanë dëshmuar një arsyetim në kërkesat e tyre, i kanë të arsyetuara, kanë pranuar shtrirjen e këtij procesi gjë që është e domosdoshme, por që ta kemi të qartë se pa dëmshpërblimin e shekujve, vite burgjesh, rini të tretura në kampe përqëndrimi, jetësh të rëna për vlerat universale të njeriut, shoqëria shqiptare e drejtë nuk bëhet. Ndaj dhe ne i rikthehemi një procesi që është kusht themelor për paqen e vërtetë sociale. Rusmali ka punuar, por shpresoj ta finalizojë dhe t'ia dorëzojmë parlamentit në përputhje me programin që ne kemi patur" tha Berisha.
Korres. "Atdheu"
AKTIVITETE
Durrës, takim i drejtuesve më të lartë të PLL, me krerët lokalë të degës
Spahiu, Basha dhe Tujani në Durrës: Së shpejti Legaliteti do të rifitojë vendin e mohuar në politikën shqiptare
Durrës - Ditën e djeshme më datë 25 mars 2005, kryetari i PLL Spahiu, nenkryetari Basha dhe sekretari i përgjithshëm Tujani, morën pjesë në mbledhjen e Komitetit drejtues të degës së PLL Durrës.
Në rendin e ditës të mbledhjes e cila u zhvillua në zyrën e PLL dhe në praninë e të gjithë anëtarëve të Komitetit drejtues, ishin parashikuar çështje të tilla si, caktimi i personave përgjegjës për secilin nga pesë rajonet që ka qyteti i Durrësit, ndërgjegjësimi i anëtarëve të Komitetit drejtues për detyrat që ka gjithsecili për zgjedhjet e ardhshme vendore, caktimi i objektivave elektoralë për ato zgjedhje, etj..
Gjatë zhvillimit të mbledhjes ra në sy përbërja intelektuale dhe qytetare e një klasi të lartë e atij komiteti që u shpreh me diskutime me përmbajtje të thellë, racionale, realiste, por njëkohëshisht mobilizuese dhe optimiste, larg retorikave boshe dhe debateve pa bukë.
Legalistët veteranë si Zihni Dervishi dhe Kadri Dajko por edhe të tjerë, ashtu si edhe në të kaluarën, vazhdojnë të mbeten jo vetëm simbole frymëzuese idelistësh të vendosur, por edhe pjesëmarrës dhe kontribues të drejtpërdrejtë duke marrë përsipër angazhime dhe detyra konkrete.
Vlen të përmendet puna e mirë përgatitore që ishte bërë nga drejtuesit e degës Riza Dajko, Islam Aliko, Gjergji Thanasi, etj, çka solli ndikim të drejtpërdrejtë në ato çfarë u diskutuan dhe u miratuan.
Ne fjalën e tij kryetari i PLL Spahiu, pasi foli për situatën politike në Shqipëri e vuri theksin në një proces ringritjeje të PLL, i cili pas dështimit të pamerituar të 3 korrikut, është i prekshëm, i pakthyeshëm dhe i sigurt. Ai foli për turin e takimeve që PLL ka nisur në bazë dhe u transmetoi të pranishmëve entuziazmin dhe vendosmërinë e legalistëve që ekziston kudo, të cilët pavarësisht zhgënjimit të pësuar, e ndjejnë veten po aq të motivuar sa dikur, për të arritur rezultate të mira në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Z.Spahiu shfrytëzoi rastin për të falenderuar legalistët durrsakë, por edhe ata të gjithë Shqipërisë, për kontributet e vazhdueshme në dobi të Legalitetit, pjekurinë e tyre politike dhe qëndrueshmërinë e tyre ndaj idealit zogist dhe atij kombëtar.
Kryetari Spahiu foli për zërin e PLL që i mungon parlamentit shqiptar duke e quajtur këtë të pazëvendesueshëm, sepse partia Lëvizja e Legalitetit është partia e vetme që i ka të materializuar qartasi në program çështjet madhore si ajo kombëtare, forma e regjimit, qëndrimi ndaj pronës dhe shtresës së persekutuar. Zoti Spahiu e konsideroi këtë gjendje të përkoshme dhe u shpreh i sigurtë se shumë shpejt Legaliteti do të fitojë vendin e merituar në politikën shqiptare.
Ai u ndal edhe në disa porosi konkretë për degën e Durrësit, ku ra në sy nevoja për të punuar më shumë në komuna, pamvarësia më e madhe që do të kenë degët e PLL në zgjedhjet lokale, nevoja për të qenë elastikë në veprime si dhe më të pranishëm në media.
Basha në Durrës: PLL, e vetmja parti monarkiste
Nënkryetari Basha në fjalën e tij e quajti LZHK-në një kapitull të mbyllur dhe u ndal më shumë në atë që i përket legalitetit si e vetmja parti që e ka të shprehur në program se synon për formën monarkiste të regjimit dhe vazhdimin e Dinastisë Zogu.
Ai përshëndeti prurjet e reja intelektuale në degën e Durrësit dhe u shpreh i sigurt për integrimin e tyre në jetën partiake, çka është një siguri më shumë për rezultate të larta.
Pikat e rendit të ditës kaluan përmes një diskutimi të natyrshëm dhe mirëkuptim të plotë ku u vendos që kryetarë për rajonet 1-5 të qytetit të Durresit të jenë përkatësisht zotërinjtë Dervish Shehu, Shkëlqim Kokomani, Kadri Tarelli, Rudolf Koka dhe Mahmud Demiri, indivitë që manifestojmë vlera të larta intelektuale, qytetare, besueshmëri dhe siguri për detyrat që morën përsipër.
Gjithashtu me inisiativën e z.Thanasi u diskutua që të materializoheshin me sukses veprimtaritë me rastin e përkujtimit të rezistencës antifashiste.
Mbledhja e radhës e komitetit drejtues u caktua për në datën 27 maj.
Korresp. "Atdheu"
Kreu legalist Spahiu, takim në degën e PLL Mirditë
Spahiu në Mirditë: Përvoja dhe puna juaj, garanci për dyfishimin e rezultatit zgjedhor
Rrëshen - Kryesia e partisë "Lëvizja e Legalitetit" e degës Mirditë, në mbledhjen e saj të datës 15 mars, kishte vendosur mbledhjen e Komitetit drejtues në datën 22 të po këtij muaji.
Në këtë mbledhje, që u zhvillua në një nga sallat e bashkisë së qytetit të Rrëshenit, morën pjesë të gjithë anëtarët e Komitetit drejtues, pavarësisht distancave të larta dhe kushteve të vështira atmosferike për disa prej tyre.
Për të ndjekur punimet e kësaj mbledhjeje dhe për të dhënë disa porosi të drejtpërdrejta, morën pjesë edhe kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu si dhe anëtari i Komitetit drejtues të PLL që mbulon prefekturën e Lezhës z.Vasil Muça.
Kryetari i degës së PLL z.Petrit Jushi informoi te pranishmit dhe kryetarin Spahiu rreth aktivitetit të kësaj dege, duke u treguar edhe kritik në disa raste për punë të mefshtë dhe josistematike.
Sekretari i degës z.Mark Ndoi, përveç vlerësimeve që në përgjithësi drejtoheshin ndaj qëndrimeve të kryesisë së PLL qendër, shprehu kritika të drejtpërdrejta për disa anëtarë të Komitetit drejtues, të cilët, sipas tij, nuk kishin qenë efektiv aq sa duhej në punën e tyre, e kjo e shfaqur sidomos gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme.
Nënkryetari i degës, idealisti Anton Çupi, i cili është njëkohësisht edhe anëtar i këshillit bashkiak të Rubikut dhe anëtar i këshillit të qarkut Lezhë, me një shkallë të lartë urtësie, kërkoi mirëkuptim dhe bashkëpunim të sinqertë midis të gjithë anëtarëve të Komitetit drejtues, për të hedhur kështu vështrimin dhe për tu përqëndruar në zgjedhjet e ardhshme vendore.
Anëtarët e Komitetit drejtues Nikolin Gjaci dhe Gjon Arapi, ndërmjet të tjerave folën edhe për punën e këshilltarëve të PLL në komunat Fan dhe Selitë, ku Legaliteti përfaqësohet me nga dy këshilltarë në secilën komunë. Njëkohësisht ata shprehën sigurinë e tyre se në zgjedhjet e ardhshme vendore, përveçse do të shtojnë votat për PLL, do të synojnë që të marrin një nga funksionet kryesore drejtuese në ato komuna.
Me ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe nota optimiste folën edhe anëtarët e tjerë të Komitetit drejtues Pashk Përloshi, Lekë Gjoni, Tom Biba, Lek Pali, Ndrec Tuci dhe Leon Molla.
Z.Vasil Muça, shprehu kënaqësinë e tij marrjen pjesë në atë mbledhje dhe tha se ndjehej i befasuar për nivelin e lartë të diskutimeve dhe të debatit që po gjente atje, si dhe solli përvojën e tij nga dega e PLL Lezhë, ku ai është i zgjedhur si kryetar.
Pas një debati konstruktiv që kishte synim të vetëm përmirësimin e punës për të ardhmen, e mori fjalën kryetari Spahiu.
Z.Spahiu i falenderoi të pranishmit përatë që ai e konsideroi "punë të tyre sistematike" dhe tha se "Dega juaj renditet ndër degët më të mira të PLL, e cila sigurisht që me rezultatet e deritanishme, me përvojën e fituar, me angazhimin e gjithë anëtarëve të Komitetit drejtuesve dhe këshilltarëve legalistë në njesitë vendore të rrethit Mirditë, me marrjen prej tyre të përgjegjësive në mënyrë të detajuar, në zgjedhjet e ardhshme vendore do të ketë rezultate më të dukshme".
Së fundmi, u ndanë detyra të detajuara për të gjithë anëtarët e Komitetit drejtues duke realizuar mbulimin e të gjithë hapësirës gjeografike të rrethit Mirditë.
Korresp "Atdheu"
KOMENT
Legalistët e kanë të shenjtë çështjen Çame
Nga Ekrem SPAHIU
Një ndër kolonat më të fuqishme të programit të PLL, është çështja kombëtare, të cilën e kemi fiksuar si detyrim programor, në përmbushje të detyrimit moral, kontributeve atdhetare dhe idealeve të bashkimit kombëtar, të cilat na i përcollën ndër breza dhe na i mbrujtën baballarët tanë, që janë njëkohësisht edhe baballarë të shqiptarizmës. Nga këto pozita, ne legalistët jo vetëm që nuk jemi tërhequr, por do të vazhdojmë t'i mbrojmë ato pavarësisht nga çmimi, edhepse shpesh na kanw kushtuar shtrenjt gjatë kohërave, madje edhe tani.
Ne legalistët mendojmë se shqiptarëve në trojet e tyre etnike, u takon e drejta e mohuar e vetëvendosjes për ardhmërinë, në respektim të konventave ndërkombëtare.
Megjithë ndërkombëtarizimin e të drejtave legjitime të shqiptarëve të Çamërisë, PLL do të jetë konsekuente deri në zgjidhjen përfundimtare, dhe sërish do të insistojmë që Kuvendi i Shqipërisë të rifusë për shqyrtim dhe të miratojë projekt-rezolutën për Çamërinë, refuzuar në legjislaturën e kaluar.
Skandali i presidentit Papulias që u pasua me ndërprerjen e vizitës së fundit me pretekstin e protestave demokratike të qytetarëve çamë, nënshtetas të ligjshëm të Greqisë; vendimi arbitrar i Gjykatës së Lartë të Greqisë për përfundimin e afateve të zbatimit të sekuestros konservative mbi pronat e çamëve dhe dhënia e së drejtës organeve shtetërore greke për shitjen e tyre; rasti skandaloz i humbjes së gjyqeve në të tre shkallët e gjyqësorit grek të procesit të hapur për kthimin e 1800 hektarë tokë në Paramithi, pronë e trashëguar e qytetarit çam Mihal Mehmet Dalipi; sabotimi i apelimit dhe shqyrtimi i penguar i procesit gjyqësor nga segmentet greke, nëpërmjet referentit grek në Gjykatën e Strasburgut, në kundërshtim me të gjitha konventat ndërkombëtare, si dhe angazhimi ynë i vazhdueshëm në mbështetje të aktiviteteve dhe kërkesave të ligjshme të qytetarëve çamë nëpërmjet Shoqatës Çamëria, janë dhe do të mbeten shqetësime të vazhdueshme të PLL dhe shtysa për vazhdimësinë e qëndrimeve tona në favor të çështjes Çame, si pjesë e pazgjidhshme e çështjes sonë kombëtare.
Ne legalistët kemi qenë, jemi dhe do të insistojmë që Shteti shqiptar t'i kërkojë institucioneve dhe shtetit grek: Pranimin e të vërtetës dhe ndjesës për genocidin gjakatar ndaj çamëve; Abrogimin e Ligjit anakronik të Luftës me Shqipërinë, mbartur që nga viti 1940; Njohjen dhe respektimin e të drejtave qytetare të çamëve; Njohjen dhe respektimin e të drejtave pronësore të tyre; Rikthimin në trojet stërgjyshore; Dëmshpërblimin pasuror për shfrytëzimin prej dekadash të pronave të çamëve dhe shqiptarëve të tjerë.
Kemi besim se institucionet shtetërore dhe partitë politike shqiptare, do të angazhohen në këtë proçes të vështirë por jo të pamundur, në përgjigje të detyrimit atdhetar, moral dhe kushtetues.
Traktati i Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Greqi, i marsit të vitit 1996, nuk mund të përdoret pafundësisht si argument i marrëdhënieve të përmirësuara ndërshtetërore, nëse nuk ngrihen sa më parë grupet dypalëshe të punës për zgjidhjen e problemeve pronësore të mbetura pezull midis dy vendeve. Dhe këtu ne legalistët kemi parasysh problemet e pronave të shtetit shqiptar të sekuestruara nga shteti grek me pretekstin e vazhdimësisë së mbetjes në fuqi të ligjit të luftës së vitit 1940 midis dy vendeve, viktimë e të cilit ka mbetur edhe ndërtesa madhështore e ish ambasadës së Mbretërisë Shqiptare në mes të Athinës. Kemi parasysh edhe problemin e pazgjidhur të pronave të shtetasve shqiptarë në Greqi, si dhe pronat e nënshtetasve grekë me origjinë etnike shqiptare (çamët), ndërkohë që shteti shqiptar, me ligjin 7501 u ka dhënë padrejtësisht minoritarëve grekë pronat e pronarëve shqiptarë, përveç rikthimit paraprak të pronave të tyre të ligjshme.
Këto qëndrime të kundërta të Greqisë dhe Shqipërisë në dhënien dhe respektimin e të drejtave të pronwsisw për shtetasit etnikë respektivë, janë njëkohësisht edhe kontraste të forta midis mendësive që ekzistojnë në klasat politike respektive, si dhe në raport me të drejtat legjitime të afirmuara edhe në kartat dhe konventat ndërkombëtare që janë firmosur nga të dy shtetet. Fatkeqësisht, Greqia, ndonëse është shtet anëtar i BE, akoma reflekton mendësitë anakronike antishqiptare në trajtimin e të drejtave të shqiptarëve etnikë, por vazhdon edhe të insistojë në plotësimin e kërkesave absurde në favor të minoritetit grek dhe përhapjes së shkollave e gjuhës greke.
PLL do të vazhdojë t'i përmbahet detyrimeve programore, morale e atdhetare për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare si edhe atyre të çamëve, si pjesë e rëndësishme dhe e pashkëputur e saj.
ANALIZA
Mercenarizmi dhe disponimi kombëtar
Nga Arbër XHAFERRI
Në politikë, ose punon sipas bindjeve të tua, ose i pranon ato të huajat, thonë ata që kanë përvojë të madhe në këtë fushë. Do të doja që këtë konstatim të urtë, ta zgjeroja në dimensione të tjera. Pra, popujt e ndryshëm, ose punojnë për vete, ose u shërbejnë të tjerëve.
Shpesh herë, popujt që kanë qëllime të qarta dhe kapacitete të mëdha ekonomike, financiare, teknologjike dhe ushtarake arrijnë që projektet e tyre t'ua imponojnë të tjerëve, duke i shndërruar ata në kontingjent të interesave të tyre. Forma më banale e shërbimit ndaj të tjerëve është mercenarizmi, të qënit ushtar me pagë. Ekziston një pandehmë, që vështirë se mund të verifikohet, sipas së cilës pohohet se shqiptarët, në mungesë të një elite projektuese të kauzës kombëtare, më shumë kanë luftuar si mercenarë për të tjerët, sesa për veten. Po ashtu thuhet se kanë qenë, sa të shkëlqyeshëm, po aq të tmerrshëm në këtë punë.
Nga ana e tyre, moralistët thonë se në këto ekspedita, mercenarët shqiptarët paskan bërë shumë mëkate, të cilat sot e kësaj dite i paguajnë.
Si mercenarë, shqiptarët kanë ndikuar që të mbrohen perandoritë, feudalët e ndryshëm, kanë dhënë kontribut të madh në çlirimin e popujve të tjerë nga zgjedha e huaj, të flijohen për interesat e të tjerëve që sot bëjnë çmos që ta ngulfatin çështjen shqiptare, si grekët dhe serbët, bie fjala.
Të gjithë dinë për rolin frymëzues të arvanitasve për çlirimin dhe themelimin e shtetit grek, por pak dihet për rolin e shqiptarëve në kryengritjet serbe për çlirim, për prejardhjen shqiptare të prijësit të tyre legjendar, Karagjorgjeviqit, apo për faktin se sulmin dhe pushtimin e kazermës së fortifikuar turke në Beograd, Kalamegdanit, i ka udhëhequr një çam, Kondo Bimbasha, me njësitin e tij shqiptar.
Shumë popuj, ideologë të ndryshëm politikë dhe fetarë, lindorë a perëndimorë, për shkak të konfuzionit lidhur me interesin kombëtar shqiptar, në vazhdimësi e trajtojnë atë si kontingjent të interesave të tyre. Këtë dukuri, të të qënit kontingjent për interesa të huaja, në mënyrë gjeniale e ka portretizuar shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, në tregimin "Lamtumira e së keqes". Kadare rrëfimin e vendos në periudhën e ngrysjes së Perandorisë Osmane: "Beqir Aliu, qeveritari N, e dalloi karrocën qysh se u shfaq në rrugën madhe, në krye një brumbull i vogël e pastaj një arkë e zezë, që avitej me ngut", kështu e nis rrëfimin anticipues shkrimtari ynë i madh.
Në këtë rrëfim, Beqir Aliu, pushtetar i Portës së Lartë, diku në skajet e territoreve shqiptare, e pret me drojë ardhjen e një zyrtari të lartë, të dërguar nga Dollma Bahçeja. Frika e tij është instiktive. Ai pandeh se dinjitari i oborrit të sulltanit ka ardhur t`ia marrë kokën. Pas shumë hetimeve, vuajtjeve, Beqir Aliu i llahtarisur kupton se në çfarë misioni paskësh ardhur i dërguari i sulltanit, i cili tregon me brengë se Porta e Lartë është e detyruar t`i lëshojë këto troje dhe të tërhiqet në Azi, por hulumtojnë mundësinë se si ta bëjnë Shqipërinë dhe shqiptarët të varur, vullnetarisht dhe përjetësisht nga Perandoria Otomane.
Në vazhdim ai shkoqit idenë e mbjelljes së frymës otomane që duhet ta pushtojë mendjen dhe shpirtin e shqiptarit, që ata, edhe pas tërhiqjes së administratës osmane, të jenë shpirtërisht të varur prej saj. Pra, Porta e Lartë duke e trajtuar popullin shqiptar si kontingjent të vlefshëm në kuadër të strategjisë së tyre, harton një projekt për t'i vartësuar shqiptarët përjetësisht prej tyre, pa represion, pa ndihma, pa shpenzuar asnjë metelik, por thjeshtë me vullnetin e tyre. Shpesh herë shqiptarët, edhe pa projekte të tilla, të hartuara kushedi se kur, e kanë vënë veten në pozicion të kontingjentit për interesa të huaja ideologjike, qytetëruese apo shpirtërore. Kur Republika Popullore e Kinës ende nuk kishte prodhuar raketa interkontinentale, vendosi marrëdhënie të ngushta me Shqipërinë për shkak të interesave të saj gjeostrategjike. Nga Shqipëria ajo rrezikonte çdo qytet të Evropës Perëndimore, si dhe një pjesë të madhe të qyteteve të rëndësishme të Bashkimit Sovjetik me Moskën në krye. Pra, theksi i analizës bie te përcaktimi i lehtë i shqiptarëve që të punojnë për interesa të huaja, të pranojnë misione të rrezikshme për mbijetesën kombëtare. Imagjinoni çdo të ndodhte me shqiptarët dhe Shqipërinë e shndërruar në kontingjent të të tjerëve, në rast të një lufte botërore.
Në këtë periudhë, pas Luftës së Dytë Botërore, Shqipëria po ashtu trajtohej si kontingjent, si material harxhues nga jugosllavët dhe sovjetikët. Kohët e fundit shfaqen sërish projekte ideologjike, që synojnë sërish që popullin shqiptar ta trajtojnë si kontingjent të interesave dhe botëkuptimeve të huaja. Një kohë të gjatë ideologët e integralizmit islamik, i trajtojnë myslimanët e Evropës si instrument, kontingjent të tyre në Evropë dhe në botë, në përgjithësi. Kjo u pa qartë gjatë periudhës së krizës që u inicua me botimin e karikaturave degutante të figurës së Profetit Muhamed, të porositur nga një gazetë daneze.
Pjesa dërrmuese e personaliteteve botërore, pa marrë parasysh përkatësinë fetare dhe Ideologjike, u distancua dhe e cilësuan këtë provokim si blasfemi. Ata, po ashtu u distancuan nga reagimet vandaliste të protestuesve që shkaktuan vdekjen e dhjetëra njerëzve të pafajshëm. Me këtë rast, është me rëndësi të analizohen reagimet e ideologëve dhe islamistëve të ndryshëm, që popujt i trajtojnë si kontingjente për realizim të botëkuptimeve të tyre.
Njëri ndër prijësit dhe dijetarët më autoritativë islamikë, Yusuf el-Qaradavvi në Hutben, fjalimin e jashtëzakonshëm të mbajtur në njërën nga xhamitë më të mëdha të Katarit sugjeron masa konkrete, pragmatike, si përgjigje ndaj përbuzjes së myslimanëve të të gjithë botës me botimin e karikaturave fyese, të botuara në disa gazeta evropiane.
Ky ideolog i projektit për krijim të një uniteti mbi baza të parimeve islame, fjalimin e vet e nis me një konstatim të shpifur se, dikur, nuk saktëson se kur, myslimanët kanë qenë unikë, kanë qenë të bashkuar, Ummet, me plot kuptimin e fjalës, të mbrojtur nga përbuzjet e të tjerëve. Këtë e dëshmuan me një të dhënë nga e kaluara ideale, që vështirë mund të haset në realitet.
"Kur Omer Abdul - Azizi ka kuptuar se një i burgosur mysliman paska qenë i përbuzur nga bizantinët, i është drejtuar mbretit bizantin me këto fjalë: Kuptova se një mysliman qenka i përbuzur prej jush, kështu që kur ta merrni këtë letër, lirojeni atë ngaqë kundër jush do të nis një ushtri aq të madhe, saqë balli i saj do të jetë tek ju, ndërkaq ushtari i fundit tek unë". Pas kësaj, teologu i nderuar pohon se mbreti bizantin s'ka pasur çajre pa e liruar të burgosurin mysliman.
Ideologu Yusuf el-Qaradavvi sajon një të kaluar ideale, kur paska ekzistuar një Ummet absolutisht solidar dhe unik, kur myslimani ka qenë i lumtur dhe i mbrojtur. Këtë pohim vështirë se mund ta mbështesin faktet historike, që janë të pamëshirshme.
Që në fillim të vendosjes së shtetit islam, tre nga katër kalifët e parë, kanë qenë të vrarë në mënyrë mizore, me atentate, për qëllime politike, nga vetë myslimanët. Këto ditë, tetë ambasadorë nga shtetet myslimane të vendosura në Beograd, e vizituan liderin e partisë
radikale serbe, Tomislav Nikoliq, duke kërkuar nga ai që të ndikojë që Serbia të distancohet nga karikaturat famëkeqe. Këta ambasadorë nuk merrnin parasysh një fakt elementar që ka të bëjë me rolin e pamohueshëm të kësaj partie ekstreme, klerofashiste, për gjenocidin e myslimanëve të Bosnjes dhe Kosovës. Kërkuan ndihmë nga njerëz, që jo vetëm i përbuzin myslimanët, por kanë qenë edhe hartues të planeve për gjenocid.
Duke u nisur nga një fakt inekzistent, të unitetit ideal në një të kaluar të pacaktuar, i nderuari Yusuf el-Qaradavvi sugjeron masa konkrete se si duhet të reagojnë të gjithë myslimanët e botës:
- të gjithë myslimanët e botës ta manifestojnë mllefin e tyre;
- të bojkotohet ai që përbuz vlerat e shenjta myslimane;
- të kërkohet nga myslimanët që të ushtrojnë presion ndaj shteteve të tyre, pra edhe ndaj Shqipërisë, që t`i tërheqin ambasadorët e tyre nga ato shtete që kanë lejuar botimin e karikaturave të tilla përbuzëse, dhe
- të kërkohet nga Kombet e Bashkuara të nxirret vendimi ose ligji për ndalim të përbuzjes së profetëve të Zotit dhe vlerave të tjera të shenjta.
Në këtë kohë kur myslimanët në mënyrë mizore, të pandalshme dhe irracionale e vrasin njëri tjetrin, në kohën kur myslimanët nuk arrijnë të gjejnë gjuhë të përbashkët, që për pasojë ka zvetënimin dhe përkeqësimin, gjithnjë e më brengosës të sistemit të vlerave islame, në kohën kur shumë myslimanë jetojnë në shtetet të udhëhequra nga oligarkitë feudale, që nuk kontestohen nga ideologët islamistë, në kohën kur në shtetet perëndimore botohen libra që mohojnë dogmën e krishterë, si bie fjala "Kodi i Da Vinçit", kërkohet nga të gjithë myslimanët, pra edhe nga shqiptarët, të krijojnë një unitet të paarritshëm vlerësimi dhe veprimi, një Ummet përrallor, ku popuj të ndryshëm trajtohen si kontingjente për projekte aventureske, joreale dhe të rrezikshme për mbijetesën e vetë myslimanëve.
Nuk kërkohet mbështetja për humanizim dhe demokratizim të shoqërive myslimane, nuk kërkohet që të ndërpritet përbuzja e myslimanëve brenda shteteve islame, nuk shfaqet brengosja për shkelje të vazhdueshme të sunnetit të profetit Muhamed a.s. nga vetë myslimanët, por kërkohet uniteti kundër sistemit të vlerave perëndimore.
Me këtë rast e shoh të udhës të përmend porosinë nga një hadith interesant: "Kur Pejgamberi a.s. hyri në Mekkë dhe filloi t'i rrënojë përmendoret brenda Kaabes, pat thënë: tani përfunduam me xhihadin e vogël, para nesh e kemi xhihadin e madh.
Ashabët e pyesin, vallë çlirimi i Kaabes nuk qenka xhihad i madh?! Jo, u përgjigj, xhihadi i madh është lufta jonë me vetveten, me shpirtin tonë...". Kjo porosi sokratiane, e urtë e profetit, është e përjetshme dhe universale, që ndriçon mendjen dhe shpirtin e njeriut duke e fisnikëruar atë. Shpesh herë njerëzit që nuk e analizojnë vetveten, nuk janë të vetëdijshëm për sjelljet dhe deklaratat e tyre përbuzëse dhe cinike, që popullin e vet apo të tjerët, për shkak të interesave personale, politike, fetare, e trajtojnë si kontingjent.
Në antologjinë e cinizmave të këtilla, do të hyjnë gjithsesi edhe deklarata e një komandanti të UÇK-së së Maqedonisë, tani politikan, i cili gjatë fushatës elektorale iu drejtua masës: "Më parë ju kërkuam djemtë, tani kemi ardhur t'ua kërkojmë votat". Çdo koment është i tepërt.
Vetëvendosja, e drejta e pakundërshtueshme e shqiptarëve
Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, më se fundi bëri atë që, gjatë afro 60 vjetëve të fundit, nuk ka guxuar ta bëjë asnjë ministër i Jashtëm i Shqipërisë. Ai, ndryshe nga të gjithë ministrat e Jashtëm paraardhës, demokratë a socialistë, pati guximin dhe kurajon atdhetare të deklarojë se, nëse Kosova ndahet, Shqipëria nuk jep garanci për mosndryshim kufijsh, jo vetëm me Kosovën, por edhe me pjesën shqiptare të Maqedonisë.
Rajoni i Ballkanit po jeton në një kohë tensionesh dhe zhvillimesh të papara ndonjëherë, qysh pas përfundimit të luftrave ballkanike, të cilat e dogjën dhe e shkatërruan Shqipërinë, duke e lënë në pikë të hallit, në mëshirë të fqinjve aspak dashamirës dhe të fuqive që nuk kishin asnjë interes për ekzistencën e një shteti të shqiptarëve.
Historinë tashmë e njohin i madh e i vogël, dhe nuk ka vlerë të futemi gjatë në të. Porse, një e vërtetë e madhe është se, qysh me lindjen e shtetit të parë zyrtar shqiptar, asnjëherë nuk kanë rreshtur së linduri brenda trungut shqiptar, njerëz që, qysh me hapjen e syve, e kanë parë Shqipërinë dhe fatet e saj, si tregun më të mirë për përfitime, politike apo ekonomike qofshin.
Qysh në themelim kanë ekzistuar mostra të tilla që jo vetëm nuk kanë kërkuar kurrë bërjen e një shteti të vërtetë, panshqiptar, por, përkundrazi, me një fjalomani, që vetëm një burri shqiptar nuk mund t'i shkojë për shtat, e kanë kundërshtuar vazhdimisht një gjë të tillë, medemek, për hir të "fqinjësisë së mirë", apo për të kënaqur orekset e ndonjë fuqie europiane, që tek Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë parë asnjëherë miqtë e tyre.
Ndaj dhe kundërshtia në kor, që iu bë deklaratës mëse të drejtë dhe të arsyeshme të ministrit aktual të Jashtëm, Besnik Mustafajt, prej një spektri të gjerë politikanësh, të cilët të ardhmen në politikë nuk besoj se e shohin duke mbrojtur interesat e Shqipërisë, por thjesht, duke i bërë elozhe politikave të fqinjve që kërkojnë tkurrjen e vazhdueshme të
shqiptarëve dhe të shqiptarizmës, nuk ishte e papritur. Veçse të vjen vërtetë keq kur dëgjon nga goja e politikanëve të rinj si Blushi, Majko, apo ndonjë tjetër, se ata na qenkëshin kundër projektit të një "Shqipërie të Madhe". Dhe deklaratat e tyre kundër, do të thonë se janë pro projekteve të fqinjëve për një Shqipëri tjetër, ku kufiri jugor të vijë deri në Shkumbin, dhe ai verior të vijë deri në Mat!!!
Në këtë rast funksionon vërtetë aksioma e famshme "O me ne, o kundër nesh!".
Në vitin 2006, bota ka hyrë në një tjetër fazë zhvillimi. Rendi i ri global, i cili i ka themelet në kartërat ndërkombëtare për liritë dhe të drejtat e njeriut e të popujve, nuk mund të tolerojë më zgjidhje që cënojnë interesat e popujve. Ndaj dhe shqiptarët, ashtu si dhe serbët, malazezët, grekët, maqedonasit, etj., kanë të drejtën e tyre për të zgjedhur alternativën që dëshirojnë. Dhe të zgjedhësh alternativën "Të gjithë shqiptarët në një shtet!", nuk do të thotë të krijosh "Shqipërinë e Madhe", siç komenton Blushi, apo ndonjë politikan tjetër. Ajo do të thotë thjesht SHQIPËRIA REALE.
Parë në këtë këndvështrim, kuptohet qartazi se në bazë të kartave ndërkombëtare, edhe shqiptarët në trojet e tyre që i ka falur Zoti, kanë të drejtën e patjetërsueshme për të vendosur si ta gjykojnë më së miri për të ardhmen e tyre. Qoftë kjo PAVARËSI, apo edhe BASHKIM me Shqipërinë.
Dhe zëri i ministrit Mustafaj, gjykoj unë, ishte zëri i vërtetë që i bëhet pengesë pretendimeve serbe në territoret shqiptare të Kosovës. Çdo interpretim tjetër i shprehjes "nëse Kosova ndahet, Shqipëria nuk jep garanci për mosndryshim kufijsh, jo vetëm me Kosovën, por edhe me pjesën shqiptare të Maqedonisë", është një dashakeqësi kundrejt të drejtës së shqiptarëve për të pasur mundësinë e vetëvendosjes.
DOSSIER
Jemi vonë për hapjen e dosjes së 97-ës
Astrit Kola
Kur gazeta "Atdheu" rihapi dosjen e rebelimit të përgjakshëm, menduam se do të jemi të vetmit që u rikthehemi tragjedive rrënqethëse, si për të risjellë ngjarje të përzishme, e për t'u prishur humorin të lumturve që pandehin se po përjetojnë mrekullinë në "El Doradon" tonë hallemadhe.
Përveç atyre që na etiketuan si grindavecë që kërkojmë sherre, dhe që prandaj rihapim historitë tragjike të sherrnajave shqiptare me armë dhe gjakderdhje, pati edhe nga ata që na kërkuam që t'i lëmë rehat e të mos ua rikujtojmë gjakun dhe tragjedinë e 97'ës, që ua sillte "zorrët në gojë" dhe u prishte limontinë prej pacifistësh naivë. Por ndryshe nga prelatët e historiografisë enveriste, që shpreheshin me zulmë se historinë e shqiptarëve do ta bënin duke projektuar të sotmen (komuniste - shën. i A.K) mbi të kaluarën, ne atdhetarët jemi të bindur se e kaluara nuk mund të mos projektohet mbi aktualitetin dhe ardhmërinë e shqiptarëve, dhe se historia nuk harron e kurrsesi nuk mund të harrohet. Amnezia individuale apo harresa kolektive, nuk mund të jenë alibi për qëndrimet ndaj historisë, e cila është e mbrapshtë dhe sapo harron, të rikthehet, shpesh me përdhunë, dhe pikërisht kur s'e pandeh.
Shqipëria është përgënjeshtrimi më ekselent i maksimës se "Historia... përsëritet si farsë", sepse historia jonë gjithnjë është përsëritur si tragjedi, madje gjithnjë e më e rëndë se precedentët.
E si mund ta harronim ne, pra josocial-komunistët, vitin 1997, përderisa atë na e rikujtuan socat dhe enveristët tanë gjatë fushatës zgjedhore të 3 korrikut, kur me '97-ën deshën të trembin shqiptarët?!
Pra, ne thjesht po vazhdojmë lojën që ata hapën, për t'u rikujtuar shqiptarëve varret dhe varrmihësit, teksa shpresa për të bërë drejtësi po bjerret gjithnjë e më shumë, ndonëse ne do të ngulim këmbë edhe për këtë. Do të ngulim këmbë sepse shumë nga emrat e gjakësorëve, (të cilët do t'i botojmë me shumicë në numrat e ardhshëm), sot vazhdojnë të mbushin borderotë e shtetit të cilin para 9 vjetësh e dogjën dhe shkatërruan. Do të këmbëngulim, sepse nuk mund të pajtohemi me faktin se të ashtuquajturit "studentë vlonjatë të grevës së urisë", që kaluan në orgazmë kur ua coptuan para syve, me sëpatë, trupin akoma të gjallë të oficerit të shtetit, kanë mbushur zyrat tona. Nuk do të heqim dorë sepse nuk mund ta suportojmë faktin se "grevistët e urisë", që dolën nga majmëria dhe e festuan me shampanjë fitoren mbi shtetin e rrënuar të shqiptarëve, pasi lyen me gjak duart, si Luiza Hoxha, sot vazhdojnë të bëjnë "drejtësi" të tipit "Gaba" në institucionet tona të Drejtësisë, të cilat i kanë uzurpuar thuajse plotësisht. E si mund të harrohet studentesha vlonjate që përmendi "gjak..., thika" në sheshin e flamurit, ku u ngrit simboli i shqiptarëve të rënë për atdhe dhe i atyre që jetuan për kombin?
Por tashmë dosja e rebelimit u hap, ndonëse duan ta shtrembërojnë e retushojnë me fytyrën e Sudes dhe prononcimet idioteske të gazetarëve që dikur shpërndanin lajmet e valëve të rebelimnit nëpër mediat e huaja. Duan ta falsifikojnë për të krijuar barazpeshëm midis shembësve të shtetit dhe të të shemburve me gjak.
Dhe kjo është të vësh shenjën e barazimit midis Zani Çaushit dhe Lekë Çokut, apo Skënder Gjinushit dhe Azem Hajdarit, për kokën e të cilit i pari bëri nëntë orë rrugë drejt Tropojës tre ditë para vrasjes, e në gjurmët e të cilit (Gjinushit), erdhi në Tirabë dhe kreu ekzekutimin një komisariat i tërë i rebelimit, për "hasmëri". Sepse për "hasmëri" u vranë edhe Lekë Çoku dhe Besnik Hidri!!!
Por rrëfimi i të penduarit të dossierit të sotëm, zbardh gjëmën që përfshiu Vlorën dhe më pas gjithë Shqipërinë.
Ne do të paraqesim faktet tona, kurse të tjerët të paraqesin versionin e tyre për ngjarjet, nga të cilat përfitoi Gjinushi me shokë, nëse do të përdorim si provë logjike të fajësisë identifikimin e "autorit", sipas teoremës së stërnjohur gjinushiane.
Rrëfimi vullnetar i komitarit të zhgënjyer, protagonist dhe dëshmitar okular i ngjarjeve tragjike në Vlorë, 1997
Ja si e masakruam dhe e dogjëm Vlorën
Unë kam qenë anëtar i Komitetit të Shpëtimit Publik për Vlorën dhe po rrëfehem për të larë shpirtin, ngaqë nuk arrita ta shpëtoj popullin e Vlorës, bashkë me të tjerët, por ai u mbyt në det gjaku, nga Zani me shokë dhe politikanët që na prinin. Aty s'kishte Berishë dhe PD, kishte vetëm vlonjatë dhe socialistë. Kur plasi gjaku, Vlora kishte javë të tëra që provokohej dhe ndërsehej ndaj një armiku imagjinar, i cili nuk kish ekzistuar kurrë. Provokimet kishin filluar një vit më parë, para zgjedhjeve të 26 majit të vitit 1996, që në pranverë, kur ne socialistëve militantë, anëtarë dhe simpatizantë, na kërkohej doemos që të ngrinim Vlorën në këmbë dhe t'i fitonim zgjedhjet pavarësisht nga çmimi. Ata që u përzgjodhën si deputetë, bënin si të shkalluar, donin mandate me çdo kusht, edhe sikur të derdhej gjak. "Duam pushtetin që na e ka marrë Berisha dhe ballistët", thonin... Dhe ne bëmë të pamundurën për të fituar, por populli ua dha votën demokratëve. Ndaj kur e pamë se humbëm, na erdhi urdhëri nga Tirana për t'u larguar nga qendrat e votimit, dhe e bëmë, në ora 2.00 të drekës së datës 26 maj. Kur pyetëm se nga kush erdhi urdhëri, se kryetarin Nano e kishim në burg, askush nuk jepte përgjigje, por vetëm ngrinin supet... Madje edhe sot nuk e dimë se nga erdhi urdhëri për të braktisur qendrat e votimit...
Asnjë vërejtje nuk patëm për organizimin e zgjedhjeve, për listat, apo për manipulime, sa kohë ishim nëpër komisione. Më pas mësuam se në vende të tjera të Shqipërisë, pasi kishim ikur neve nga komisionet, disa të çmëndur nga të PD-së, që ishin po aq të babëzitur sa tanët për t'u bërë deputetë, kishin futur fletë votimi me tepricë dhe shumë kuti votimi kishin dalë me më shumë vota se sa zgjedhës.
Po të jetë për para firmash, e them me ndershmëri se gjatë fushatës, firmat na kanë ndihmuar neve socialistëve shumë më tepër se sa ata të PD-së, sepse krerët e firmave ishin tanët, ishin socialistë nga bindjet, por atyre të PD u jepnin për servilizmë. Ama nuk qahem, as të tjerët jo, sepse neve militantëve të Partisë Socialiste, Eduardi na dha para, nuk na la pa gjë..., megjithëse më shumë na jepnin premtime. Por megjithatë ne jetonim gjene mirë, sepse kishte bollëk dhe çmimet ishin të lira. Pa punë ishim, po e shtynim paq dhe njerëzia ishin të kënaqur, prandaj votuan për PD-në, sepse nuk harronin që para disa vitesh kishim vuajtur edhe nga uria, pasi u shemb qeveria Nano dhe filloi operacioni "Pelikan". Kurse tani, jo vetëm që ushqeheshim më mirë, por edhe për të blerë pajisje elektroshtëpiake na dilte hesapi. Prandaj unë mendoj se ne socialistët, humbëm në zgjedhjet e 26 majit, se nuk na votoi populli, që s'kish qënë ndonjëherë më mirë.
Të gjithë donim punë. Kush nuk do të punojë dhe të dërgojë rrogë në shtëpi, por ama ata që na drejtonin, nuk ishin mësuar të rrinin pa punë, ndaj ishin bërë si të çmëndur, për poste e ofiqe. Një gjë e them me bindje, se në administratë kishte më shumë socialistë se sa demokratë. Kjo është e vërteta, dhe ajo që thonë duke gënjyer, se gjoja i hoqën të gjithë socialistët nga puna. Të paktën këtu në Vlorë.
Lidhur me ngjarjet pas zgjedhjeve, gjërat dihen se si vajtën dhe askush nuk mund të thotë se njerëzia e mbajti mëndjen atje, se nuk kishte çfarë të mbaje mend edhe po të doje. Aq më tepër kur deputetët socialistë nuk shkonin në parlament dhe ne militantët, në vënd që të dëgjonim luftën politike të deputetëve tanë atje, dëgjonim lloqet e tyre nëpër popull, ku ata mungonin vetëm ditët e rrogave, pasi suleshin në Tiranë për të marrë paratë e deputetllëkut. Më falni se harrova. Të vinte për të qeshur se flisnin për papunësi e varfëri pikërisht ata drejtues, tanët, që pas zgjedhjeve, si të varfër që ishin, u fshehën nëpër plazhe të huaja dhe në vjeshtë erdhën të na bënin përsëri propagandë kundër regjimit të Berishës, por ama të nxirë e të thekur. Askush prej vlonjatëve nuk i pa ata dhe familjet e tyre në plazhin tonë të Vlorës, apo të bregut, sepse ata kishin shkuar në plazhet e huaja, kryesisht të Greqisë. Madje kur flisnin nëpër kafenera, ndërsa ne militantët e thjeshtë dëgjonim, më shumë flisnin për Athinën se sa për Tiranën, më shumë për Greqinë se sa për Shqipërinë. Madje lëvdoheshin se kush të tregonte më tepër historira takimesh, premtimesh për pushtet, mbështetje politike e miqësirash, me politikanë e afaristë grekë. Dhe kur këto gjëra ia thosha kunatit tim, që është ballist i thekur dhe i dërrmuar në atë kohë nga biografia, një herë më tha se "kështu e keni patur tabjat ju komunistët, gjithmonë për Beogradin, Moskën dhe Pekinin, për Jugosllavinë, Rusinë dhe Kinën keni llafosur, atje e keni mendjen dhe shpirtin, atje i keni edhe shpresat dhe miqësirat...". Unë u nxeha, u zura me të dhe i ika nga shtëpia ku i kisha vajtur për vizitë. Dhe më vjen keq që u zura me të, sepse ai më pas u largua me gjithë familje në Tiranë, pasi shpërtheu lufta në Vlorë, dhe unë nuk e kam takuar më që prej asaj dite. Më thanë se e kishin kërcënuar me vdekje ata të bandës së Zanit, që nuk pyesnin për asnjë, përveçse për Brokajt, Eduard Alushin, Arben Malajn, Skënder Gjinushin e Neritan Cekën. Edhe ne socialistët e gjorë dridheshim prej tyre. Madje po të jetë për dëme dhe krime, prej tyre më shumë e kemi pësuar neve, se sa demokratët. Sepse, pasi ata të takëmit të Zanit u tërbuan, ata pëdëistët ikën nga Vlora, dhe nuk ishin pak, por afro 20 mijë frymë, dhe këtë e dinë të gjithë. Kështu që përballë ujqërve mbetëm ne të tjerët, që nuk dinim ku të shkonim, sepse pandehëm se shpëtuam nga SHIK-u, që na e kishin bërë gogol, dhe ramë në dorë të Zanit dhe Gërdhuqëve. Tani zotër të Vlorës ishin bërë ata të Çoles, që gjithmonë kanë qënë fundërria dhe evgjitëria e qytetit. Unë edhe sot e kësaj dite nuk kam arritur të njoh asnjë nga ata të SHIK-ut të Berishës, dhe prandaj nuk mund ta kuptoja se nga vinte kjo urrejtje për ta dhe çfarë na kishin bërë! Madje kur i pyesja shokët se cilët ishin ata, që të ruhesha prej tyre, kur na thoshin se ata i kemi hasëm, asnjë për be nuk dinte të më thoshte qoftë edhe një emër. Dhe kur unë shprehja habinë se si ka mundësi që janë kaq të liq dhe nuk i njohkërka askush në Vlorë, as për fytyrë..., më thoshin se nuk njihen ngaqë janë malokë që i ka sjellë Berisha për të na spiunuar neve! Po kur unë i pyeta i habitur se si do të na spiunonin neve pa na njohur, ata në fillim mblodhën supet, pastaj u nxehën dhe më pas më thanë se prandaj i urrejmë aq shumë, se na qënkërshin djaj, që nuk njihen dhe që të vihen pas e të bëjnë gjëmën dhe se prandaj duhej shporrur pushteti i Berishës, që t'i përzinim edhe ata! Më vonë për ta dhe të tjerët thanë se janë serbë dhe se gjoja para se të plasë lufta, kur studentët kishin hyrë në grevë, ata u paskëshin thënë shokëve tanë "Stoj", që domethënë "ndal", dhe se ishin të maskuar. Mirëpo unë që kam bërë rusisht, e di që "Stoj" është fjalë ruse dhe jo serbe..., sepse këtu në Vlorë gjithnjë janë kapur stacionet jugosllave, ku asnjëherë nuk e kam dëgjuar fjalën "Stoj". Unë edhe tani nuk e di se si i thonë serbët fjalës "ndal", por ama e di mirë që nuk i thonë "Stoj", dhe se kjo ishte dhe mbeti një gënjeshtër me bisht e tanëve, që të na armiqësonin ne shqiptarëve me njëri-tjetrin, sepse të gjithë ne shqiptarët e ndershëm dhe patriotë, e urrejmë serbin për atë që ka bërë mbi vëllezërit tanë.
Por tani të gjithë e dimë se përse u bë gjithë kjo kasaphanë, kjo mënxyrë, këto varre dhe pse u derdh gjithë ky gjak. Për pushtetin e Eduard Alushit e të Arben Malajt u bë, për pushtetin e Nanos dhe të Fahrudin Arapit, që na premtuan paratë, sepse as paratë na u kthyen dhe as Berisha me të tijët, që na i kishin "vjedhur", nuk u dënuan. Dhe më e keqja ishte se kur filloi parlamenti i zgjedhjeve të 29 korrikut, Berisha dhe të tijët bubullonin me akuza kundër tanëve për punën e parave të fajdeve dhe për djegiet e qyteteve e fshatrave, ndërsa tanët dredhonin dhe gjithnjë përmëndnin 26 majin si përgjigje. Unë edhe sot e kësaj dite nuk e di se ku shkuan gjithë ato para që u grabitën, por një gjë e di mirë, se ishin tanët ata që u vunë flakën gjithë zyrave të shtetit në Vlorë, se ishin tanët ata që grabisnin, vrisnin e prisnin, se demokratët nuk shiheshin gjëkundi...
Vlonjatët e dinë mirë se kush i vrau dhe dogji, dhe unë nuk ia fal vetes që nuk arrita të bëj asgjë për ta shpëtuar Vlorën tonë me të famshmin Komitet të Shpëtimit, ku me llafe të mëdha pandehje se do të shpëtonim Vlorën dhe gjithë Shqipërinë nga Berisha dhe të tijët, por kur erdhi puna nuk shpëtuam dot as jetët tona dhe as pasuritë, prandaj po rrëfehem, sepse zemrën e kam të coptuar...
Albert Shyti ka ardhur shumë vonë në radhët e protestës popullore vlonjate, i dërguar nga një person i padukshëm, të cili populli i Vlorës e mori vesh më pas, dhe që patjetër i shërbenin që të dy agjenturës greke, vetëm për të përmbysur regjimin.
Lidhur me identitetin e këtij personi nuk ka nevojë për koment. Ai lidhej vetëm me gazetarët grekë. Veprimtaria dhe puna e Albert Shytit ishte e tillë që e denigroi protestën popullore demokratike, e cila kishte vetëm një qëllim, kërkesën dhe protestën për kthimin e parave.
Albert Shyti, si njeri që mori detyra dhe urdhëra nga grekët, edhe në Himarë ngriti flamurin grek, Shyti, veprimtarinë e vazhdon edhe sot.
Ju më pyesni se kush e propozoi për kryetar të Komitetit Albert Shytin?
Albert Shytin për kryetar e propozuan Luftar Petoshati, Luiza Hoxha dhe disa persona të tjerë që u vinin mbrapa dhe që kishin marrë udhëzime nga për ta denigruar lëvizjen popullore dhe për t'ia prishur drejtimin asaj: nga kërkesa për kthimin e parave, në kërkesë për të sjellë në pushtet Fatos Nanon.
Syrja Sherifi, ish anëtar i Partisë Demokratike dhe i përjashtuar nga kjo parti si person i padëshirueshëm, u fut në rradhët e lëvizjes popullore për qëllime të caktuara. Sherifi, akuzohet edhe për spiunazh. Si spiun ka kryer një sërë veprimesh të ndyra. Atë e ka përdorur edhe Sigurimi, edhe SHIK-u. Sherifi është bërë vegla e pushtetarëve komunistë dhe ka harruar vdekjen e të vëllait në burgun e komunizmit. Ky mallkim do ta zërë.
Dilaver Aliaj, ky anëtar i Komitetit ka punuar me mish e me shpirt në Komitetin e Shpëtimit për interesat e tij personale. Thanas Laluci, është nipi i Paskal Milos, ka zaptuar Drejtorinë e bankës dhe është bërë drejtor i saj. Në Komitetin e Shpëtimit, Thanas Laluci ka luajtur rolin e financierit, sepse Komiteti i Shpëtimit është financuar nga disa afaristë vlonjatë, emrat e të cilëve, Thanasi, Albert Shyti dhe Luiza Hoxha i mbajtën gjithnjë sekret dhe nuk i deklaruan kurrë.
Një gjë nuk u muarr vesh: Pse u financua Komiteti i Shpëtimit; pse e drejtoi Thanas Laluci financën e tij dhe cilat ishin shumat?; Ku vajtën këto shuma dhe kush i përvetësoi? Lidhur me këto shuma, është diskutuar shumë herë në Komitetin e Shpëtimit se ka përvetësuar para Luiza Hoxha, Albert Shyti. Edhe Thanas Laluci është akuzuar nga shokët e Komitetit të Shpëtimit si përvetësues i këtyre parave. Gjithsesi punoi dhe luftoi për përmbysjen e pushtetit me dhunë dhe për emërimin e tij Drejtor i bankës.
Luiza Hoxha. Në figurën dhe portretin e Luiza Hoxhës, sheh të bijën e Enver Hoxhës, sheh një njeri që e ka destabilizuar situatën në Vlorë dhe e ka përçarë atë.
Luiza si deputete, ka parë vetëm interesat e saj, duke çuar vëllain e saj, Luan Hoxhën, drejtor të Doganës. Kunatin e saj, Luiza e ka emëruar Shefin e Kufirit, që mbulon kufirin në Vlorë dhe e ka çuar në këtë post, për arsye përfitimi, sepse ky mbulon portin e Vlorës dhe kjo ka lidhje direkte me kontrabandën, sepse këtu bëhet e gjithë kontrabanda. Shefi i kufirit është i lidhur me Drejtorinë e Doganës. Dhe nipi i Luizës bën pjesë në policinë financiare. Njëkohësisht Luiza ka zaptuar politikën dhe ekonominë e Vlorës.
Në këto momente, ne nuk jemi asgjëkundi me ato që kishin premtuar si anëtarë të Komitetit të Shpëtimit Publik, kur neve të Komitetit na doli kallaji bashkë me partinë që na udhëhoqi. Kështu, ndonjëri që ka marrë pjesë në pushkatime politike, në vrasje ordinere, në djegie, në thirrje antikombëtare, ndonjëri që ishte krenuar me miqtë e tij grekë dhe të gjitha këto, deri para disa muajve i servirte si grada, në bazë të të cilave duhet të shpërblehej, tani bën të kundërtën; përpiqet të thotë se "Nuk ka qenë...". Në fakt, dëshmitarët më të rrezikshëm janë të heshturit e ditës së revoltës në Vlorë, bile edhe të tremburit.
Aktualisht po ndodhin shumë fenomene, brenda gjirit të ish anëtarëve të Komitetit të Shpëtimit. Unë kam të dhëna se jo më pak se tre vetë prej tyre, nga më të egrit kanë dorëzuar në partinë Demokratike, dega e Vlorës, dëshmi për të tjerët. Nuk kanë mohuar përgjegjësinë e tyre, por thonë se janë të penduar.
Unë nuk dua të mbetem gjithë jetën kështu, i vrarë shpirtërisht për ato që kam bërë keq dhe ato që nuk arrita t'i bëj dot për të mirën e Vlorës dhe së shpejti do ta marrin vesh të gjithë se çfarë do të bëj. Edhe fëmijët e mi, i kam sqaruar, edhe gruan edhe të afërmit dhe do të sqaroj gjithë popullin.
Ju më pyesni për anëtarët e Komitetit të Shpëtimit Publik, se kush janë dhe çfarë kanë bërë. Po ua them unë, që ta hiqni merakun.
Edmond Tahiraj në Komitet ka qenë pjesëmarrës i Komisionit të protestës, bashkë me shokët që ai kryesonte udhëhoqi protestat popullore për kthimin e parave të humbura dhe përkraheshin nga grupe të armatosura. Ai ishte një nga njerëzit më të egër dhe është në gen enverist e komunist primitiv. Ka luajtur një rol të madh dhe voluminoz në veprimtarinë e Komitetit. Tani ka dhënë ca intervista lart e poshtë dhe e bën prapë me porosi të Sigurimit.
Eqerem Osmani, ka shërbyer në Komitetin e Shpëtimit si shef i Shtabit të Luftës. Osmani ka qënë oficer, shef Shtabi në Brigadën e 11-të dhe në Komitetin e Shpëtimit ai mori këtë detyrë dhe organizoi shumë oficerë të armatosur për të asgjësuar të gjitha institucionet shtetërore të shtetit të asaj kohe.
Çlirim Hoxha u fut në Komitetin e Shpëtimit për interesat e tij personale.
Luftar Petoshati është ideatori dhe inisiatori i Komitetit të Shpëtimit, i cili udhëhiqej dhe ka marrë urdhra nga krerët e Partisë Socialiste.
Pa qenë anëtar i partisë Socialiste ai u bë njeriu më i afërt i PS-së për përmbysjen e pushtetit demokratik.
Luftar Petoshati ka qënë i afërt i PD-së së Vlorës, në fillim. Gjithë kohës që ka punuar si oficer ka qënë komunist, po në ato konjuktura të komunizmit që donte t'i bënte të gjitha rolet, të ishte në të gjithë postet, në të gjitha klanet. Sot është kthyer në vegël të pushtetarëve dhe do të mbrojë pronat e tij si Luftar.
Ku i ka pronat?
Pronat i ka në Ujë të Ftohtë, vilat që i kanë ndërtuar në kohën e demokracisë dhe sot duan që t'i ruajnë.
Luftar Petoshati në Komitetin e Shpëtimit bëri disa kohë detyrën e nënkryetarit.
Kush e hodhi i pari idenë e krijimit të Komitetit?
Idenë e krijimit të Komitetit e ka hedhur Luftar Petoshati, Luiza Hoxha dhe Nedin Xhelili, të iniciuar nga politikanë të Partisë Socialiste.
Këtë Luftar që sot nuk bën asnjë lloj përçapje për kthimin e pareve të popullit, e shohim në ekranin e Televizionit kur ka pritje prefekti, kur vjen Arben Malaj dhe kur vijnë pushtetarë të tjerë të lartë nga Tirana. Edhe në mitingun për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, e shikoje Luftar Petoshatin në tribunë.
E do Kosovën Luftar Petoshati? Kush është qëllimi i Luftar Petoshatit që del në tribunë?
Po mos u çuditni që mund të ketë filluar të shesë edhe dokumentat e Komitetit.
Azem Lamaj ka qenë oficer aviacioni në Kuçovë, i transferuar kohët e fundit në Vlorë. U mor me protestat dhe gjithsesi e drejtonte gjithnjë Luftari.
Thoma Vasili, Thoma Kaçani, Sefer Jonuzi, Bashkim Çaushi, ishin anëtarë të Komitetit të Shpëtimit dhe luftuan për interesat e tyre.
Neshat Tozaj ka qenë nënkryetar i Partisë Balli Kombëtar, sepse në Komitetin e Shpëtimit u futën edhe partitë. Nga Partia Demokratike ishte Çaush Banushi, i cili u përjashtua nga Komiteti i Shpëtimit, sepse anëtarët e tij nuk donin që të merrej vesh çorba që gatuhej aty.
Avdul Canaj, si anëtar i Komitetit të Shpëtimit, e mori shpërblimin nga Partia Socialiste, që e bëri Sekretar të kësaj Partie në Vlorë. Canaj ka ndihmuar grupet terroriste që ngriti Partia Socialiste për përmbysjen e pushtetit me dhunë.
Dashamir Beja, si pjellë e Partisë Demokratike, kur babai i tij sot disponon shumë lokale në Vlorë, ka qenë dhe është edhe sot anëtar e Partisë Demokratike. I biri i tij u vu në rradhët e para të kryengritjes vlonjate për interesat e tij dhe sot punon me Interpolin në Tiranë. Partia Socialiste e shpërbleu kështu këtë ushtar të sajin besnik.
Edmond Shënedjela, me shkollë të mesme, është emëruar oficer dhe punon në doganë në port. Në Komitetin e Shpëtimit Edmondi mbulonte seksionin ekonomik dhe është anëtar i Partisë Aleanca Demokratike.
Bashkim Murati, anëtar i Komitetit të Shpëtimit, vuri në dispozicion makinën e tij, sepse Komiteti i Shpëtimit këtë makinë kishte dhe të gjitha lëvizjet bëheshin me këtë makinë. Sot ka mbetur pa punë.
Shpëtim Bani, ish-anëtar i Komitetit të Shpëtimit.
Muhamet Gapaj, emëruar në Tiranë në një detyrë të lartë në INSIG.
Dallëndyshe Gapaj, pritet të zërë një detyrë në Partinë Socialiste, si shpërblim për punën e bërë.
Vjollca Seriani, ish anëtare e Komitetit.
Burbuqe Gjoleka, si sekretare e Komitetit të Shpëtimit disponon gjithë dokumentacionin ku përfshihet gjithë historiku i Komitetit të Shpëtimit. Një kopje të këtij dokumentacioni e ka edhe Partia Socialiste. Mirëpo me këtë rast, përsëris që ka filluar shitja e dokumentave të Komitetit, bile njëri nga ish anëtarët e Komitetit, meqë ka rënë vlera e lekut, ka filluar t'i shesë me valutë. Pazari i fundit është bërë tek Kapelja.
Albert Gjahtari, kushëri i Skënder Gjinushit.
Gjergji Muço, ish anëtar i Komitetit.
Nedin Xhelili, siç dihet është Kryetar Këshillit të Rrethit. Eshtë kupola e Komitetit të Shpëtimit dhe shërbëtori më besnik i Partisë Socialiste.
Pelivan Duka, Qemal Duka, Dhimua dhe Petraqi, janë ish-anëtarë të Komitetit të Shpëtimit.
A është e vërtetë që tre anëtarë të Komitetit të Shpëtimit kanë shkuar tek Sali Berisha dhe kanë kërkuar ndjesë, madje me kërkesën e tyre ky takim është filmuar, që të përdoret në një kohë tjetër. A keni qenë ju njëri nga këta të tre?
E kam dëgjuar dhe unë këtë gjë, bile që i ka filmuar një Televizion privat. Për vete nuk kam qenë, sepse unë aktualisht nuk dua të shoh me sy këta qeveritarët që na mashtruan dhe nuk kam ardhur në pikën që ta dua Sali Berishën. Po një gjë mund ta them: Kështu si po vjen puna, ajo treshja do të bëhet trembëdhjetë.
A ekziston Komiteti i Shpëtimit tani? Ky Komitet polli dy shoqata. Njëra është Komiteti i Mbrojtjes së interesave të popullit dhe kryesohet nga Albert Shyti. Rreth tij janë vetëm Luftar Petoshati dhe Azem Lamaj dhe që nuk kërkojnë asnjë gjë. I thonë qeverisë "Amin", jemi me ty, neve na ke prapë.
Do t'i themi gjithmonë popullit që do t'u kthehen paratë. Gënje e mashtro, dhe nga ana tjetër të dy venë në qeveri për të përfituar, për të rregulluar njerëzit e tyre: si Luftar Petoshati, ashtu edhe Albert Shyti që merr një shpërblim jo të vogël me nxjerrjen e vizave greke.
Shoqata tjetër është "Bashkim-vëllazërimi" dhe udhëhiqet nga Syrja Sherifi. Dhe Sherifi, rreth vetes thuajse nuk ka asnjë shok të Komitetit. E krijoi shoqatën me kokën e tij.
Se cilat janë qëllimet e këtyre njerëzve, nuk po merret vesh. Po një gjë është kryesore dhe për t'u nënvizuar. Paratë e popullit nuk po kthehen dhe nuk po i kërkon kush. Edhe populli i Vlorës ka filluar të protestojë në mënyrën e tij kundër anëtarëve të Komitetit të Shpëtimit, duke i akuzuar ata, duke i fyer nëpër rrugë dhe duke u thënë: Pse nuk e çoni deri në fund verdiktin tonë?, madje Albert Shytin edhe e rrahën te "Kapelja".
Duke hedhur një vështrim mbi këto shoqata, vetiu lindin disa pyetje:
Ju më pyesni përse janë krijuar këto shoqata, cili është qëllimi dhe përse nuk kërkohen paratë e popullit?
Populli i Vlorës dhe më gjerë, duhet të bindet njëherë e mirë se para nga partia Socialiste nuk ka. Gjithë lufta e pranverës së vitit që shkoi, ishte për rrëzimin e pushtetit dhe për ardhjen në pushtet të Fatos Nanos.
Si e manipulojnë akoma opinionin?
Opinionin e manipulojnë duke mashtruar. Luiza Hoxha kur vjen në Vlorë, u thotë vlonjatëve se i kërkon Fatos Nanos transparencë, i kërkon këtë apo atë gjë, në një kohë që Luiza Hoxha në zyrën e Fatos Nanos nuk shkel fare. Nuk shkon në zyrën e Fatos Nanos, vetëm bën politikën e rrugës për të rregulluar njerëzit e vet. Vjen në Vlorë, premton, thotë shumë gjëra, vetëm për të rregulluar gjithë njerëzit e saj. Gjithë Vlora e di dhe e shikon një gjë të tillë.
A mund të vijë aktualisht Fatos Nano në Vlorë?
Fatos Nano nuk mund të vijë në Vlorë, sepse opinioni i Vlorës Fatos Nanon nuk e do, as si Kryetar partie, as si kryeministër, madje, opinioni i Vlorës është përgatitur për një revoltë mbarëpopullore. Është përgatitur sepse në Shqipëri ndodhi çudia. Mbi gërmadhat e luftës u ngritën vampirët e rinj, të cilët me gjakun e Vlorës po fitojnë, po vjedhin dhe nuk ka më asnjë lloj shprese, në një kohë që humbi Gjallica dhe u përmbys një shtet. Fatos Nano gllabëroi pesë firma, mbi të gjitha gllabëroi VEFA-n, Vehbi Alimuçën, i cili i kishte paratë. Nano ia mori paratë e VEFA-s dhe populli nuk po ndihet. Nuk po ndihet se nuk di gjë, sepse nuk e di të vërtetën.
Ai ishte i armatosur Komiteti i Shpëtimit?
As që nuk bëhet fjalë fare që të mos ishin të armatosur. Në atë kohë ishte gjithë populli i armatosur, detyrimisht edhe anëtarët e Komitetit të Shpëtimit ishin të armatosur.
Si lidhej Komiteti i Shpëtimit me shtypin, me televizionin?
Ç'është Teleblu-ja?
Financimi i Teleblu-së sot bëhet nga pushtetarët. Dje financohej nga disa tregtarë të mëdhenj që ishin shërbëtorë besnikë të Partisë Socialiste. Teleblu-ja që i thoshte dje popullit që paratë janë, por janë vjedhur, sot jep lajme duke thënë që paratë do të kthehen, pra gënjejnë përsëri. Telebluja thuhet se financohet nga burime greke.
Po Zani a kishte lidhje me Komitetin e Shpëtimit?
Po, me Komitetin e Shpëtimit kishte shumë lidhje. Lidhjet më të ngushta i mbante me Albert Shytin, i cili bënte më pas, siç i thoshte Zani, Komiteti i Shpëtimit, gjithçka.
A kishte bashkëpunim të anëtarëve të Komitetit me bandat?
Po kishte, Luftar Petoshati p.sh, kishte me bandën e Gaxhait, të Çentales.
Përse i pati këto lidhje kaq të ngushta me bandat Petoshati?
Të them të drejtën nuk di si do përfundojë ky Petoshati. Karakterin ia njoh unë dhe gjithë Vlora, po fijet i ka si këmbët e gjarpërit. Si nuk i pëlcet koka nga e keqja që ka bërë. Ca gjëra dihen mirë.
A kanë marrë pjesë në mbledhjet e Komitetit të Shpëtimit, pushtetarët e sotëm?
Po kanë ardhur. Eduart Alushi ishte gjithnjë i pranishëm në mbledhjet e Komitetit dhe kanë ardhur edhe politikanë thuajse të gjithë politikanët e Partisë Socialiste si dhe politikanë të koalicionit.
Por ajo që më dhëmb më shumë dhe më lë pa gjumë, pra që ma ka humbur qetësinë dhe ma ka coptuar zemrën, është nata e goditjes së SHIK-ut, e cila ishte nata më tragjike në historinë e Vlorës, dhe ngjarjet i di shumë mirë Albert Shyti. Pothuajse të gjithë anëtarët e tjerë të Komitetit të Shpëtimit, atë natë ishin shpërndarë nëpër shtëpi dhe ngjarjet rrodhën shumë shpejt. Por rreth orës 20.00-20.30, Albert Shyti ishte në takim me disa persona të paidentifikuar, të cilët i shërbenin një shteti fqinj dhe politikanëve të sotëm që janë në pushtet, dhe nuk mund të hiqet sikur nuk di asgjë rreth përgatitjeve për të sulmuar SHIK-un.
Arben Malaj ishte një tjetër personazh me lidhje të fuqishme me Komitetin. Ai ishte inicuesi i të gjitha gjërave dhe zhvillimeve në Komitetin e Shpëtimit, ndër anëtarët e të cilit Arben Malaj më i afërt ishte me Luiza Hoxhën. Për gjithçka që shtrohej dhe vendosej në Komitetin e Shpëtimit, iniciatori dhe programatori i lëvizjeve politike ka qënë Luiza Hoxha, e cila sillte në Komitetin e Shpëtimit, skemat e gatshme të Arben Malajt dhe Sabit Brokajt.
Njerëzit më aktivë rreth Komitetit të Shpëtimit, ishin të besuarit e Sabit Brokajt, Eduard Alushit, Arben Malajt dhe Pandeli Majkos. Më kryesorët shërbëtorë të të parëve, në Komitet ishin dhe bënin ligjin: Luiza Hoxha, Avdyl Canaj dhe Luftar Petoshati. Të gjithë pyesin se kush e hapi dhe e grabiti Bankën e Vlorës? Bankën e Vlorës, ka njerëz që e dinë kush e hapi, por me emra nuk mund të flasim dot. Ato para dihet që janë grabitur dhe shteti e di se ku janë sot, por nuk do që t'i zbulojë. Numri i serive të këtyre parave, me sa di unë, është siguruar nga njerëzit e shtetit dhe ata e ndjekin edhe tani këtë çështje. Bile, njëri nga këta persona ka ardhur në datën 3 mars dhe ka bërë disa takime me personat që u janë gjendur këto para. Kjo është bërë në rrugë miqësore, përmes një krushqie që kanë këtu në Vlorë. Kjo puna e parave, më kujton gjithnjë Arben Malajn, meqë është Ministër i Financave.
Ju më pyesni përse u shndërruam në ushtarë politikë dhe pse nuk i kërkojmë paratë ne anëtarët e Komitetit të Shpëtimit? Por ju më parë duhet ta dini se Arben Malaj, si deputet i Partisë Socialiste, jo vetëm që nuk ka përfaqësuar asnjëherë interesat e popullit, por ka përfaqësuar gjithmonë interesat e partisë që e zgjodhi.
Arben Malaj është akuzuar se ka dorë tek nisja e anijes së Otrantos, dhe është akuzuar sepse ishte dhe mbeti deri në fund bashkëpunëtori më i ngushtë i Zanit dhe sa herë që vinte nga Tirana në Vlorë, shkonte dhe paraqitej tek shtëpitë e Çaushëve, në Çole.
Luiza Hoxha u bë deputete në sajë të Komitetit të Shpëtimit, sepse u vu në krye të protestave popullore dhe të Komitetit të Shpëtimit të Vlorës. Po të mos ishte krijuar Komiteti i Shpëtimit, po të mos kishin shpërthyer protestat popullore, Luiza Hoxhën nuk e bënte Fatos Nano deputete.
Tek anija "San Giorgio", ku u zhvillua takimi me Forestin, nga Komiteti i Shpëtimit kanë qenë Luiza Hoxha, Luftar Petoshati, Edmond Tahiraj, Shpëtim Bani, Thoma Vasili, Gjergji Muço. Këta përfaqësues i zgjodhi Komiteti i Shpëtimit dhe Albert Shyti nuk shkoi në atë takim për arsyet e tij personale.
Në takimin që u zhvillua, një pjesë e anëtarëve të Komitetit i kërkuan Forestit përmbysjen e pushtetit dhe dorëheqjen e Berishës. Nuk i kërkuan Forestit kthimin e parave të popullit.
Foresti nuk ishte dakord me kërkesat e anëtarëve të Komitetit të Shpëtimit dhe u përgjigj se "do ta ndihmojmë Vlorën për infrastrukturën, me medikamente të ndryshme", etj..
Arsyeja themelore që nxitej urrejtja kundër Berishës, ishte se këta deputetë që janë sot në parlament, nuk kishin fituar më 26 maj dhe donin medoemos që të bëheshin deputetë dhe të merrnin pushtetin. Kjo ishte arsyeja e vetme. Vetëm të merrnin pushtetin, të bëheshin deputetë dhe të bëhej Fatos Nano kryeministër. Sepse po të kishte arsye të tjera, këta që sot kanë marrë pushtetin, do të godisnin gjithë kriminelët dhe gjithë hajdutët që vodhën paratë e popullit dhe të gjithë ata që shkaktuan tragjedinë.
Koha dëshmoi fajësinë totale dhe rolin negativ që kanë luajtur politikanët e PS-së, ndër të cilët jo më pak përgjegjës janë njerëzit që u bënë deputetë.
Nga Komiteti i Shpëtimit racionin më të madh e pati Luiza Hoxha, të cilën Nano e bëri deputete, duke thënë: "Ja ku është përfaqësuesja e Komitetit të Shpëtimit të Vlorës". Dhe Luiza është përfaqësuar si deputete e Komitetit të Shpëtimit të Vlorës, në Tiranë.
Pasi u vranë oficerët e SHIK-ut, Komiteti i Shpëtimit e mori në analizë këtë ngjarje.
Mbi vrasjen e oficerëve të SHIK-ut, u kërkua të diskutohej nga disa persona, që të dihej diçka rreth vrasjes së tyre, por në përgjithësi asnjeri nuk prononcohej. Nuk prononcoheshin, sepse eprori i tyre u thoshte: mos fol.
Për Brokallarët, p.sh. për Petrit Brokën, që sot ka marrë frenat e Vlorës dhe thuhet se bën trafik me skaf, mund të them se shërbeu si komisar në periudhën e luftës.
Ju më pyesni për Eduart Alushin? Eduart Alushi, si kryetar partie, e braktisi selinë e Partisë Socialiste, së bashku me gjithë krerët e kësaj partie, dhe ia dha atë dikujt që edhe sot vazhdon të jetojë në selinë e dikurshme të Partisë Socialiste Vlorë. Eduart Alushi nuk e la PS-në e Vlorës pa seli, sepse e shndërroi shtëpinë e tij në seli të Partisë Socialiste. Aty gatuhej çorba, deri në orët e vona të natës. Eduart Alushi, kur njerëzit vriteshin dhe vdisnin, merrej me kalimin e klandestinëve për në Greqi e vende të tjera, për fitime personale, dhe me këto para ka blerë një shtëpi të madhe dhe luksoze në Tiranë, në një kohë që para luftës ankohej se ishte pa punë.
Braktisja e Vlorës prej tij, tregon se Eduard Alushi është një komunist tipik, një njeri i inkriminuar, që kurrë nuk i ka dalë të vërtetës në sy. Por nuk e shpëton dhe nuk mund ta shpëtojë Tirana Eduard Alushin, që gjithmonë është përpjekur dhe kërkonte që të gjithë militantët e Partisë Socialiste dhe të gjithë njerëzit që derdhën gjak dhe djersë, t'i shmangte për të mos i patur në kurriz. Më në fund ai bëri edhe lojën më të madhe: dha dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Socialiste dhe në vend të tij u vu kryetari tjetër, gjinekologu Niko Veizi, i cili tani thotë "... unë nuk di gjë fare se çfarë ka ndodhur, unë drejtoj punët e partisë dhe shkoni flisni me Eduardin, t'ua zgjidhë problemet ai".
Eduard Alushi sot nuk gëzon reputacionin e Vlorës, nuk gëzon besimin e elektoratit socialist dhe e ka braktisur atë, ka braktisur njerëzit e ndershëm.
Ju më pyesni si aktivizoheshin sigurimsat? Operativët e Sigurimit, bashkë me instruktorët e Komitetit të partisë së kohës së Enver Hoxhës, ishin njerëzit me aktivë. Midis tyre janë Platon Arapi, sot Prefekt i Vlorës, Mejtim Meçe, ish-nëndrejtor i Drejtorisë, etj..
NDERIM
Dhimbje dhe lot për martirin e zogizmit Sherif Allamani
U nda nga jeta antikomunisti Sherif Allamani
Para disa ditësh u nda prej nesh një ndër heronjtë e qëndresës antikomuniste, burri i mënçur, i përndershmi, martiri i gjallë, qëndrestari dhe i pamposhturi i diktaturës komuniste, Sherif Allamani.
Sherifi lindi në një familje atdhetare, që dha shumë për Shqipërinë dhe kombin. Ai u rrit dhe eci i sigurtë në gjurmët heroike të baballarëve, që gjithë jetën dhe pasurinë e shkrinë për atdheun. Lindi dhe u rrit në familjen që dha aq shumw pushkë për liri, për atdhetari, për Mbret e kundër komunizmit. Kjo ishte edhe arsyeja se përse, që para ardhjes përfundimtare në pushtet të komunizmit, që në korrik e gusht 1944, kur Brigada V komuniste dhe Divizioni V kaluan në Veri për ta "çliruar" Shqipërinë dhe Veriun nga shqiptarët nacionalistë, hordhitë e kuqe u vërsulën si bisha mbi Kurdarinë, në krye të së cilës ndodheshin fisi luftëtar i Allamanajve të pamposhtur, me në krye të famshmit Dylejman bej Allmani dhe oficerin akademist Isuf Allamani. Ishte pikërisht urrejtja për këta heronj, të cilëve u shkonte mbrapa e gjithë Kurdaria antikomuniste, ajo që dha shtysën për masakrën e famshme të Kurdarisë, kryer nga komunistët mbi njerëz të pafajshëm, e në të cilën humbën jetën 24 martirë, ndërmjet të cilëve edhe gra shtazëna dhe fëmijë.
Komunistët nuk mund ta toleronin faktin që Dyle Bej Allmanin e nderonin thellë dhe e vlerësonin edhe oficerët britanikë pranë Shtabit të rezistencës zogiste me në krye Heroin Abaz Kupi dhe major Murat Bashën, ndaj edhe u hakmorrën egërsisht ndaj fisit Allamanaj.
Sherifi u rrit mes vuajtjesh dhe mjerimi të paparë, mes shtypjes dhe krimeve të luftës së klasave, por ai e mbante mend shumë mirë se cilët ishin gjakatarët komunistë që e përgjakën familjen dhe Kurdarinë e tij, sepse në atë kohë ai ishte afro 16 vjeçar dhe vetëm rastësia e shpëtoi nga masakra.
Por nuk ishte e thënë që diktatura ta linte të qetë njeriun e halleve të mëdha, që punonte në kushte çnjerëzore për të mbajtur me bukë familjen, por gjithmonw me kokën lart e të papërkulur ndaj atyre që donin t'i shihnin pinjollët e Allamanajve, të zvarriteshin para xhelatëve. Por nuk mposhteshin Sherifi, Petriti, Asllani, Mani, Shefkiu dhe djemtë e tjerë të këtij fisi martirësh, megjithëse komunistët pushkatuan prijësit e shquar të antikomunizmit matjan, Dylejmanin dhe Isufin.
Nuk u përkulën Allamanajt edhe kur komunistët fabrikuan akt-akuzën më absurde ndaj Sherifit dhe Petritit, në të famshmin gjyq-farsën greteske të vitit 1968, zhvilluar në qytetin e Burrelit, kur i akuzuan ata se kishin dashur të vrisnin Enver Hoxhën gjatë rrugës Burrel-Peshkopi, kur gjoja kryekomunisti do të shkonte për të vizituar familjet dibrane të dëmtuara rëndë nga tërmeti. Edhe vetë hartuesit e kësaj akuze, e dinin mirë se kjo nuk ishte aspak e vërtetë. Dhe jo sepse Sherifi dhe Petriti nuk e urrenin komunizmin dhe kryexhelatin e shqiptarëve, por sepse nuk kishin armë për ta luftuar.
Të gjithë matjanët e mbajnë mend mirë dënimin e vëllezërve Sherif dhe Petrit Allamani, sikurse mbajnë mend edhe qëndrimin e pamposhtur të Sherifit, i cili qëndroi si burrat dhe i bëri leckë akuzatorët xhelatë, bashkë me akt-akuzën e sajuar. Në atë gjyq, Sherif Allamani e pranoi se e urrente komunizmin dhe se ishte antikomunist i bindur, por nuk pranoi se ishte vrasës, si komunistët. Pranoi se urrente Enver Hoxhën, sikurse pranoi se do të luftonte me armë kundër këtij regjimi kriminelësh, që kishin përgjakur familjen e tij, Kurdarinë, Matin zogist dhe mbarë Shqipërinë. Ndaj edhe e dënuan Sherifin, bashkë me vëllanë Petritin, dënim për të cilin ata, në fjalën e fundit, nuk pranuan të kërkonin mëshirë. Ata iu nënshtruan kushteve nga më çnjerëzoret të burgut komunist, sikundër edhe Mani, Shefkiu dhe Asllani, ndonëse lanë vatrat pa zotër shtëpie dhe fëmijët e mitur e pa përkrahje. Ata mbajtën një qëndrim të shkëlqyer gjatë viteve pambarim të burgut, duke lënë mbresat më të thella për burrërinë dhe trimërinë e pashoqe, tek të gjithë bashkëvuajtësit, për të cilët ata ishin dhe mbetën karta morale e përndjekjes dhe e martirizimit për idealet zogiste e antikomuniste. Pikërisht për këtë qëndrim dinjitoz, diktatura e keqtrajtoi Sherifin në burgjet skëterrë, por ai nuk u thye, përveçse u përlot dhe vuajti nga malli për familjen dhe të afërmit.
Sherif Allamani, djali shtatlartë dhe bukurosh, sykaltër e shpatullgjërë, që e humbi pothuajse gjysmën e jetës nëpwr burgjet e diktaturws, ishte dhe mbeti një ikonë e qëndresës përballë xhelatëve. Të tillë e njohu atë edhe demokracia, gjatë së cilës ai ishte ndër antikomunistët e parë që kontribuoi në radhët e PLL që në vitin 1992.
Sherifi ishte dhe mbeti shembull frymëzimi për brezat, për zogistët dhe demokratët matjanë. Ai ishte dhe mbeti ndër personazhet më të dashur të bisedave të bashkëvuajtësve, për stoicizmin e pashoq, për burrërinë, për trimërinë, për vlerat njerëzore dhe gjithshka tjetër për të cilën u shquan dhe bënë emër burrat e kësaj dere atdhetare, famën e së cilës e mbajti lart deri në çastet e fundit të jetës edhe martiri i gjalllë i qëndresës antikomuniste Sherif Allmani.
Me vdekjen e tij që hidhëroi të gjithë qëndrestarët e burgjeve të komunizmit dhe diktaturës, të gjithë të afërmit, miqtë dhe dashamirët, PLL humbi një ndër anëtarët më të shkëlqyer të saj, që e nderoi gjithmonë emrin e saj dhe zogizmin, që nderoi Kurdarinë Matin, Shqipërinë dhe kombin shqiptar.
I lehtë i qoftë dheu i tokës amë.
I përjetshëm qoftë kujtimi i tij.
Akil Basha
Ramiz Mena
Seit Preni
Qemal Selmani
Hamit Kurti
PORTRETE
Të nderojmë figurat e nacionalizmit të trevës së Matit
Osman Cenaj, kryebashkiaku poliglot i Burrelit
Tani që zgjedhjet për pushtetin vendor po afrojnë, shumë emra kujtohen si drejtues të njësive vendore. Një ndër ata është edhe Osman Mehmet Cenaj, kryetar i bashkisë Burrel në kohën e Mbretërisë Shqiptare.
Osmani lindi në vitin 1895 në fshatin Shëlli të rrethit të Matit, në një familje me tradita patriotike. Shkollën fillore e mbaroi në fshatin Lis dhe pastaj mbaroi edhe shkollën e mesme në fshatin Lis dhe pastaj mbaroi edhe shkollën e mesme në Tiranë, me rezultate shumë të mira. Në kohën e Zogut, dërgohet në Austri, ku mbaroi Fakultetin Juridik. Pastaj dërgohet për kurse specializimi në Francë dhe Itali. Zotëronte gjuhët frengjisht, italisht dhe turqisht. Në vitin 1933, deri në vitin 1936, zgjidhet kryetar i bashkisë Burrel. Pas kësaj, emërohet sekretar i prefekturës në Dibër dhe në vitin 1937 zgjidhet kryetar komune në Shënavlash të Durrësit, detyrë të cilën e vazhdoi deri në pushtimin e vendit nga Italia fashiste. Gjatë kohës si kryetar i kësaj komune, ka qendruar familjarisht në shtëpinë e Riza Troplinit. Edhe sot, nga trashëgimtarët dhe të afërm të kësaj familjeje, për Osmanin, ruhen kujtime shumë të mira.
Në kohën e pushtimit fashist, pushohet nga puna si shumë të tjerë, por asnjëherë nuk pranoi të bashkëpunojë me fashizmin. Përkundrazi, mori pjesë në disa aksione kundër pushtuesit, siç qe aksioni i çetës së Matit më 9 shtator 1942, në fshatin Vig. Për këtë arsye arrestohet bashkë me disa fshatarë të tjerë dhe mbahet 4-5 muaj në burgun e Burrelit. Edhe mbas mbarimit të burgut, asnjëherë nuk do t'i nënshtrohej fashizmit, por si shumë nacionalistë të tjerë, punoi e luftoi për çlirimin e vendit. Kudo ku mblidheshin kuvende dhe merreshin detyra, Osmani do ta thoshte fjalën e tij. Ai mori pjesë në Kuvendin e Bruçit, të Burgajetit dhe në organizimin e luftës për çlirimin e Burrelit. Mbas çlirimit të vendit, nuk pajtohet me idetë dhe regjimin komunist, por gjithmonjë qendroi në krahun e nacionalistëve. Por kjo i kushtoi shumë, mbasi më 13 gusht 1946, arrestohet me disa të tjerë nga Sigurimi i Shtetit dhe dënohet nga gjykata ushtarake e Elbasanit me 10 vjet burg, me akuzën sabotator i pushtetit popullor. Dënimin nuk arriti ta mbaronte, mbasi më datë 9 nëntor 1949, vdiq në burgun e Elbasanit në moshën 54-vjeçare.
Për vdekjen nuk njoftohet familja, ndërsa lajmi merret vesh vetëm 4-5 muaj, nga një person që lirohet nga burgu. Ndërsa, për gjetjen e eshtrave, as që bëhej fjalë të varroseshin nga familjarët, pasi rregjimi nuk lejonte një gjë të tillë. Megjithë përpjekjet që u bënë pas vitit 1991, kjo nuk u arrit. Pra, si shumë të tjerë, Osman Mehmeti është pa varr, por emri i tij kujtohet jo vetëm nga të afërmit, por kudo ku punoi dhe luftoi. Ai kujtohet edhe nga veteranët, statusin e të cilëve e mori vetëm pas vitit 1992.
Hamit Kurti
Portret/ Mësuesi që nuk pranon t'i thonë "Pensionist"
Islam Alikaj, një jetë kushtuar pedagogjisë
Një jetë të tërë punë, mundim, sakrifica, studim, krijim, mësim dhe përkushtim ndaj
nxënësve, shkollës, edukimit të brezave të rinj. Islam Alikaj edhe sot pas 44 vjet pune si
mësues, nuk i ndahet profesionit të nderuar të mësuesisë. Kënaqet dhe ndien një lloj krenarie të heshtur kur qytetarët e
Durrësit, jo vetëm ish nxënësit e tij, e thërrasin profesor. Një emër që shpreh
fisnikëri, shumë i nderuar, por edhe shumë i lakmuar. Titullin që të japin organizmat shtetërore apo
shoqërore, natyrisht ka vlerën e tij, por kur të "pagëzon"
shoqëria, është si të thuash, nderim i shumëfishtë: si profesionist,
mësimdhënës, studiues, botues, si njeri me vlere qytetarie.
Po kush është Islam Alikaj, profesori ynë i nderuar?
Biografitë, zakonisht shkruhen e flenë sirtareve të zyrave të zyrtarëve. Vetëm njerëzit e
vegjël, ata që rrahin gjoksin dhe mburren, nuk rrinë pa përmendur vend-pavend e kohë-pakohë
"veprat e tyre" të ndritura. Ndryshe ndodh me njerëzit e thjeshtë, ata që dinë të vlerësojnë punën e të shqetësohen për
të, që kanë në shpirt idealizëm, se mundimi i tyre i vlen dhe i shërben
shoqërisë, e lënë kohën që t'i vlerësojë. Qytetarët e Durrësit, apo më mirë durrsakët e kanë parë Islamin të rritet bashkë me qytetin duke lënë gjurmët e tij si mësues dhe krijues në fushën e matematikës dhe
astronomisë. Megjithatë duhet thënë diçka më tepër për të: lindi në qytetin e Kuçovës më 1939, por pak vite jetoi
atje, pasi fill pas "çlirimit" shtëpia i shtetëzohet dhe familja e tij dëbohet nga qyteti për t'u vendosur në Durrës. Cili ishte
shkaku? Për ata që e kanë jetuar atë kohë apo kanë pak njohuri mbi historinë e atyre
viteve, nuk përbën aspak çudi. I jati, Nasipi, si njohës i mirë i gjermanishtes ka qenë përkthyes i komandës ushtarake austriake në Shijak gjatë Luftës së Parë
Botërore, dhe përkthyesi i komandës ushtarake gjermane në Kuçovë gjatë Luftës së Dytë
Botërore. Ndërsa xhaxhai i tij, emrin e të cilit e mban Islami, ka rënë në krye të detyrës në vitin 1922 si oficer xhandarmërie i qeverisë së parë të dalë nga Kongresi i
Lushnjes. Këto mjaftonin që familja e Islamit të futej në "rrethin e
kuq", si "e padëshiruar".
Ishin me fat që u vendosën në Durrës, pasi, pavarësisht nga vështirësitë, këtu kishte punë dhe
durrsakët, të shquar për qytetari, me "indiferentizmin" e tyre i ofruan
qetësi. Islami mbaroi 7-vjeçaren dhe të mesmen me rezultate shumë të mira dhe UT në vitin 1962 në degën e
Matematikës. Përsëri fati e desh që të emërohet në Durrës për të dhënë mësim në shkollat e mesme në Durrës "N. Frashëri" dhe
"Gj. Kastrioti" dhe më vonë si pedagog në "Filial" ku shquhet për punë serioze dhe plot pasion në lëndën e matematikës dhe sidomos të
astronomisë. E dashuroi profesionin e mësuesit dhe i kushtoi jetën edukimit dhe arsimimit të brezave të të rinjve për t'u bërë atdhetarë dhe qytetarë të
mirë. Njeri korrekt, metodist dhe i palodhur në mësimdhënie, studiues i
zellshëm, këmbëngulës dhe autodidakt, zotërues i disa gjuhëvë si
frengjisht, gjermanisht, rusisht e italisht. Fillon të botojë në organe të ndryshme të
shtypit, artikuj të shumtë shkencorë, punime të veta dhe përkthime për matematikën dhe
astronominë. Të shumtë janë librat e botuar. Në listën e gjatë (plot 40) mund të përmendim disa
tituj: "Pajisje tip të laboratorit të fizikës për shkollat e mesme" përkthyer nga gjermanishtja për Ministrinë e Arsimit në vitin 1973. Me radhë libra të
tjerë: "Probleme të vështira të gjeometrisë në tekstet e shkollave të
mesme", "Hëna në ndihmë të peshkimit dhe të bujqësisë",
"Jëtëshkrimi i yjeve" dhe romani "Simiasina" (përkthim nga
frengjishtja). "Matematika, teori dhe ushtrime" në ndihmë të shkollave të mesme
etj. . Në bisedë me të nuk ka dëshirë të përmendë ato momente të vështira që i krijonin pushtetarët e asaj
kohe. Ne mësuesit e vjetër, që e kemi përjetuar atë sistem, nuk habitemi kur dëgjojmë histori apo ndodhi të shëmtuara ndërsa të rinjtë e sotëm e kanë shumë të vështirë të kuptojnë dhe të besojnë se çka
ndodhur. Thjesht për motive politike në biografinë e tij. E lejojnë të
botojë. I pranojnë dhe i vlerësojnë mendimet dhe vërejtjet. Ja si shprehet Luan
Omari, sekretar shkencor i Akademisë së Shkencave në një letër që i dërgon z. Islam në vitin 1981:
"Vërejtjet tuaja që na duken të drejta ia dërguam për kompetencë Ministrisë së
Arsimit. . . " dhe interesant se pas këtyre vlerësimeve, nuk e lejuan të mbrojë disertacionin në fushën e
matematikës. Disa libra nuk u botuan me emrin e autorit, e plot "çudira" të tilla, që sot shkaktojnë
humor, por humor të hidhur. Profesor Islami sot është në pension, por nuk ia pranon vetes e aq më pak nuk ia ka ënda
t'ia përmendin e të tjerë ta quajnë "pensionist".
Janë plot 44 vjet që nuk i ndahet mësimdhënies së matematikës. Sot si konsulent për matematikën shumë të rinj gjimnazistë dhe universitarë vijnë e marrin mësime plotësuese nga
"profesori" i cili me durim dhe kënaqësi u jep atyre dije, por edhe një pjesë të shpirtit dhe idealizmit të
tij. Ndoshta, jo vetëm ndoshta, kjo është mënyra më e mirë për t'i shërbyer qytetit që e do aq shumë dhe
shoqërisë, për të lënë gjurmë dhe një emër të nderuar që brezat ta
kujtojnë. Dikush mund të pyesë se ç'pasuri ka bërë në këto 44 vjet pune të
mundimshme? Eh, dihet. Profesioni i mësuesit nuk bën kurrë pasuri, ai çdo ditë dhuron
pasuri. Të rinjve u jep dije, kulturë, përkushtim e dashuri për kombin,
atdheun, fisnikëri e qytetari. Ai bën që mijëra njerëz (të thjeshtë dhe të
shquar) ta takojnë e ta përshëndesin me respekt e adhurim, ta kujtojnë e ta nderojnë
"profesorin" e tyre.
I urojmë shëndet, fuqi dhe jetë, për ta vazhduar sa më gjatë punën e tij fisnike të
mësuesit.
Kadri Tarelli
Marrë nga gazeta "Durrës Bulevard"
___________________________
19 Mars 2006
___________________________
Pas përleshjeve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, prononcohen drejtuesit legalistë
Obstruksionizmi i PS në Kuvend, rrugaçëri politike
Basha: "Kjo "risi" e parlamentarizmit që po na tregojnë socialistët përmes bilbilave, gërnetave, megafonëve e përleshjeve me oficerët e Gardës, nuk mund të funksionojë më tej. Nëse socialistët e kanë pasur seriozisht këtë lloj opozicioni, tashmë ka ardhur koha që të kuptojnë se këto nuk janë veprime politike, por lojëra rrugaçërie"
EDITORIAL
Kush shqetësohet nga deklaratat e Mustafajt
Nga Murat Basha
Mjaftoi një deklaratë e ministrit Mustafaj se Shqipëria mund të bënte sakrifica për integritetin e Kosovës, që taborri i majtistëve nga "zona e parë operative" të ngriheshin si me komandë për ta portretizuar ministrin shqiptar si inkarnacion të "perëndisë Ares", që kërkon të shkrumbojë "Ballkanin". Në fakt, deklarata e z.Mustafaj ishte në kushtore, kur shprehej pakashumë se "Nëse do të kishte ndarje të Kosovës, në këto kushte, ne nuk mund të garantojmë paprekshmërinë e kufijve shtetërorë." Por kjo deklaratë në kushtore, e thënë në një kontekst të caktuar, u keqpërdor duke e nxjerrë nga rrjedha logjike e saj. Kësisoj u ngrit një furtunë në një gotë uji, duke e pikturuar ministrin e jashtëm të Shqipërisë si një diplomat luftënxitës. Ky është kulmi, sidomos kur kemi parasysh natyrën e tij mjaft romantike e shpirtin prej poeti. Megjithë përgënjeshtrimet dhe ankesat e kësaj ministrie, fjala mori dhenë se me demek ministri Mustafaj ka kërcënuar shtetet fqinje me luftë. Kjo propagandë qesharake, e potencuar nga partitë e majta ish komuniste, apeloi në kujtesën e shqiptarëve pikërisht atë refren që e njohim mirë, që është bastardimi i çdo akti sakrifikues për Kosovën. Pinjollët e komunistëve nuk mund ta pranojnë as në parim që shteti shqiptar të marrë edhe angazhime diplomatike të kësaj natyre ndaj Kosovës. Prandaj trashgimtarët e partisë së Miladinit e të Enverit, nuk mund të mbanin qendrim tjetër nga ai tradicional ndaj tezave të deklaruara nga kreu i diplomacisë shqiptare. Dihet se prej kur mori portofolin e ministrit, z.Mustafaj kishte deklaruar në agjendën e tij, përpjekjet maksimale për realizimin e pavarësisë së Kosovës. Kësaj teze të qartë dhe pa ekuivoke, taborri majtist nuk mund t'i kundërvihej ballazi, prandaj shfrytëzoi një deklaratë të thënë në një televizion, e cila kishte kuptim vetëm në atë kontekst, për të nxitur deklarata antishqiptare nga diplomacitë e shteteve fqinje, të cilat janë për ruajtjen e kësaj statuskuoje që është në dëm të shqiptarëve. Gjithsesi, tashmë çështja e Kosovës është në fazën e saj finale për zgjidhjen e statusit, i cili, brenda të gjitha gjasave, do të jetë pavarësia dhe integrimi i afërt në BE. Ky ka qenë një ndër qëllimet e angazhimit të demokracive perëndimore me në krye atë amerikane, dhe në këto kushte nuk mund të ketë "shkja" ndaç ballkanik, ndaç shqipfolës që mund ta pengojë. Ajo që të pezmaton në gjithë këtë histori, është fakti se në ambjentin shqiptar dhe sidomos në atë të rangjeve të larta politike, ka ende qendra të fuqishme që janë vendosmërisht kundër bashkimit të shqiptarëve në një shtet, ose së paku, kundër çlirimit të tyre nga vargonjtë e robërisë së shteteve fqinje. Ne si PLL kemi një ndër dy kollonat kryesore të programit tonë, realizimin e Shqipërisë etnike. Mbreti Leka I ka deklaruar pa ndërprerë se "për Shqipërinë etnike është gati të ngrihet edhe nga varri!" Në këtë optikë, deklarata e ministrit Mustafaj, është mjaft afër asaj që ne aspirojmë për të ardhmen e shqiptarëve dhe prandaj ajo meriton të gjithë mbështetjen tonë e përgëzimet maksimale. Eshtë mjaft pozitiv fakti që politika e diplomacia shqiptare po lëviz fort në këtë drejtim dhe nuk është rastësi që deklaratën e z.Mustafaj e përshëndeti edhe mendimtari vizionar Arbën Xhaferri. Për ta kuptuar se sa shqiptare është ajo deklaratë, ndoshta edhe e paparashikuar, do të mjaftonte të shihje se cilët janë ata që e kanë kundërshtuar. Të njëjtët njerëz e të njëjtat qendra të politikës antishqiptare prej shekujsh. Paskal Milo, Ben Blushi, Arta Dade, Edi Rama etj., brenda Shqipërisë londineze, si dhe diplomacitë serbe, greke e maqedonase. Normalisht ishte për të ardhur keq kur shihje se deputetë e partiakë të majtë sulmonin ministrin shqiptar, për shkak se shprehu një angazhim hipotetik pro kauzës kombëtare. Por ne e dimë se cilët janë ata njerëz dhe çfarë përfaqësojnë në politikën shqiptare, prandaj edhe nuk konsiderojmë se mund të përfillen në ndonjë mënyrë për atë që shprehin. "Shqetësimi" i tyre flet vetë se ku e kanë hallin...
KRYESORE
Pas përleshjeve të fundit në Kuvendin e Shqipërisë, prononcohen drejtuesit legalistë
Obstruksionizmi i PS në Kuvend, rrugaçëri politike
Basha: "Kjo "risi" e parlamentarizmit që po na tregojnë socialistët përmes bilbilave, gërnetave, megafonëve e përleshjeve me oficerët e Gardës, nuk mund të funksionojë më tej. Nëse socialistët e kanë pasur seriozisht këtë lloj opozicioni, tashmë ka ardhur koha që të kuptojnë se këto nuk janë veprime politike, por lojëra rrugaçërie"
Skema e PS-së për të lëvizur politikën shqiptare është e bazuar kryekëput në obstruksionizëm. Shprehja më e dukshme e kësaj strategjie është zhurmnaja në kuvendin e Shqipërisë ku nuk kanë lënë vegël frymore pa përdorur në funksion të nxitjes së tensionit politik. Në lidhje me këtë pozicion të PS-së, nënkryetari i PLL z.Murat Basha u shpreh se kjo është një politikë në kundërshtim me rregullat e pranuara të saj dhe se në këtë mënyrë nuk mund të vazhdohet gjatë. Parlamenti shqiptar nuk mund të rrijë peng i disa njerëzve që rastësisht kanë përfituar mandatin e deputetit dhe janë të pajisur me imunitet parlamentar. Skenat që shohim sa herë ka seancë parlamentare, janë me vite drite larg parlamentarizmit, - u shpreh z.Basha për gazetën "Atdheu". Ai theksoi se kjo "risi" e parlamentarizmit që po na tregojnë socialistët përmes bilbilave, gërnetave, megafonëve e përleshjeve me oficerët e Gardës, nuk mund të funksionojë më tej. Nëse socialistët e kanë pasur seriozisht këtë lloj opozicioni, tashmë ka ardhur koha që të kuptojnë se këto nuk janë veprime politike, por lojëra rrugaçërie, - tha ai. Po qe se socialistët mendojnë të protestojnë për të drejtat kinse të mohuara, tha nënkryetari Basha, ata nuk mund ta bëjnë këtë gjë pambarimisht në sallën e Kuvendit, sepse në këtë rast nuk do të kishte dallim parlamentarizmi nga rrugaçëria e mirëfilltë. Rrugët për të protestuar janë të shumta dhe jo me domosdo duhen shkelur në këtë mënyrë institucionet më të larta të një demokracie, nënvizoi z.Basha.
"Atdheu"
INTERVISTA
Intervistë me z.Gjergj Thanasi drejtor i Marrëdhënieve Publike në PLL
Gjergj Thanasi: Qeveritarë, respektoni mandatin e 3 Korrikut
Ç'mund të na thoni për përleshjet në parlament?
Brutalitetit dhe egërsisë së polico-gardistëve të Olldashit, socialistët dhe aleatët e tyre po u kundërvënë mençurinë dhe dinakërinë tradicionale. Kështu, bllokadës së vendosur për hyrjen e mjeteve muzikoro-zhurmuese në parlament, vetë z.Ruçi iu përgjigj me një propozim interesant: "Deputetët dhe deputetet e devotshme socialiste, t'i fshihnin këto mjete në vende intime, ku malokët e Gardës nuk do të guxonin t'i kontrollonin.
Anëtarja e Kryesisë së PS zonja Dade, menjëherë mori angazhimin të fshihte, jo më pak sesa 10 bilbilë. Ish prefektja e Fierit zonja Stefa, duke i gjykuar drejt mundësitë e saj të kufizuara, premtoi të fshihte vetëm një megafon.
Fatkeqësisht, Erion Braçja i shkretë, u gjet në pozitë të vështirë, sepse, sado të përpiqej, zor se mund të fuste më shumë se 5 bilbilë kontrabandë në parlament.
Qeveritarë, ju lutem respektoni mandatin e 3 korrikut. Qeverisni Shqipërinë, riktheni besimin e shqiptarëve tek shteti, nxirrni lekun nga burgu ku e futën socialistët dhe mos u merrni me ata përfaqësues të popullit të majtë, që karnavalet i transferojnë nga sokakët e Korçës në sallën e parlamentit.
Socialistët duhet të merren seriozisht vetëm në atë moment kur do të dalin nga salla e parlamentit me urët e zjarrit në dorë, për të djegur Shqipërinë me qëllim që të fitojnë në rrugë, atë që humbën në kutinë e votimit.
Çfarë keni parasysh me "burgosje të lekut"?
Në Kinë, Komiteti i Partisë përcakton se cili do bëhet milioner, e cili do të hajë një tas orizi në ditë. Për 8 vjet, Komiteti i Partisë në Shqipëri, e burgosi lekun me metoda jashtë ekonomisë së tregut, krijoi miliarderë, monopolistë, të cilët thuajse asgjësuan shtresën e mesme si një "borgjezi e ndyrë kompradore", plaçkitën xhepat e konsumatorëve shqiptarë dhe u majmën edhe me valutën e siguruar nga krahët dhe shalët e punës së eksportuar, veçanërisht nëpërmjet skafeve të vdekjes, si zakonisht, të menaxhuara nga kupola rozë.
Thyerja e monopoleve, hapja e tregut, sekuestrimi dhe shitja në ankand e pasurisë së patundshme dhe mjeteve motorrike të banditërisë së kuqe, jep impakt për tre milionë shqiptarë dhe jo thjesht për 3 mijë njerëz që kanë përfituar nga ndryshimi i 3 korrikut.
Kjo zhburgosje e lekut rrëzon një nga dy shtyllat ku mbështetet pushteti okult i së Majtës. Shtylla tjetër, pushka e grupeve kriminale, neutralizohet me pranga e me larje hesapesh, në shkëmbime zjarri me policinë. Përndryshe, paret e zeza dhe pushkët e kuqe, do ta rrëzojnë rezultatin e 3 korrikut dhe z.Fevziu, pas 9 vjetësh, do të bëjë një cikël tjetër opinionesh.
A janë të realizueshme këto objektiva nga kabineti "Berisha 1"
Kryeministrin Berisha mos ta gënjejë mendja se është herkuli i Bjeshkëve të Namuna dhe se do ta mundë "Anteun" qimekuq, pa e shkëputur nga "toka mëmë" e pareve të pista dhe kallashëve të gjatë.
Edhe me shkopinjtë në rrota, futur sollakshe, instrumentat e ministrisë së Punëve të Brendshme, të asaj të Financave dhe asaj të Drejtësisë, janë të mjaftueshme për t'ia shkulur dhëmbët së Majtës, duke e shndërruar, në mënyrë figurative, dinosaurin e tmerrshëm, në zhapik të pështirë.
Prokurori Sollaku, a nuk është "mision i pamundur" në luftën kundër krimit?
Në drejtësinë anglo-saksone, funksionon sistemi i precedentit. Kështu, edhe prokurori i Përgjithshëm e ka parasysh precedentin "Rakipi".
Pararendësi i Sollakut, i ngatërruar me kokainën e Përballës, i shquar si prokuror politik anti-opozitë, i specializuar në mbylljen e skandaleve kriminalo-seksuale të Vipave të koalicionit të xhepistave të shtetit, sot gëzon paratë e fituara me djersën e ballit, jep leksione drejtësie brenda dhe jashtë atdheut tonë socialist, pra jeta vazhdon.
Z.Sollaku është njeri praktik, me bonsens, kështuqë nuk ka përse të mos mbyllë, për "mungesë faktesh e provash", çfarëdolloj skandali financiar të zbuluar në dokumentat që na ka lënë trashëgim administrata rozë.
Nuk ka përse, ai dhe vartësit e tij, të mos i vënë kapak çdo krimi kundër personit, në ato raste kur personazhe janë Vipat e së Majtës... Pak rëndësi ka nëse bëhet fjalë për zbrazje armësh në plazhin "Miami" të Sarandës; për vetëvrasje gruaje me 3 plumba në superstradën Kakavijë-Gjirokastër, apo për shtypje pensionisti skraparli në Shkallnur të Durrësit.
Normalisht, prokurori dhe vartësit e tij, nuk kanë nge të zhbirilojnë vetëvrasjen e badigardit në paradhomën e zv/kryeministrit për do marka të fallsifikuara, ardhur nga Bullgaria, apo vrasjen enigmatike të burrit të femrës simbol të Partisë Socialiste. Normalisht, kryeprokurori i Republikës është në të drejtën e tij që t'i përshëndesë socialistët me vargjet e këngës popullore: "Hani, pini dhe këndoni / sa të jetë gjallë lala Gjoni...". Dhe thonë pastaj se pushteti ka ndërruar më 3 korrik.
"Mjaft"-i mbushi tre vjet nga lindja! Cili është urimi juaj për këtë përvjetor, dhe më pas...?
Eshtë për të të ardhur keq që mbas tre vjetësh kemi një fëmijë rakitik, me një anoreksi të theksuar. Qeveri të shteteve partnere e dashamirëse të Shqipërisë, kanë investuar miliona në dollarë, jo lekë, për një fëmijë rakitik...
Të mendosh që udhëheqësit e "Majft"-it, nën shembullin e komunistëve shqiptarë të viteve '40-të, që thuajse adoleshentë, u kanë dhënë mend kryeministrave afrikanë, sot, megjithë financimet super-bujare, nuk arrijnë të prodhojnë veçse kopje të shpëlara e anemike çeguevarash, me të vërtetë ndjehesh ligsht.
Mbas tre vjetësh, në mendjet e shqiptarëve kanë ngelur shumë-shumë pak nga "Mjaft"-i. Përjashtim bën këtu stigmatizimi i Madalenës së Penduar, që dikur u shndërrua në Zonjë të Parë, si dhe sherret për ndarje fonde-llokmash.
Të rinj intelektualë, që pretendojnë të ndryshojnë Shqipërinë dhe konkurrojnë me shoqatën e Naser-jordanezit për fonde, për mbledhje fondesh për fusha jashtëzakonisht specifike... Ky është rezultati i tre vjet lufte dhe përpjekjesh, në salla sheshe e krevate...
Donatorë euro-atlantikë: thuajini "Mjaft"-it, mjaft... Harxhojini më mirë paratë, për të sëmurët me Sida, që dergjen spitaleve të Zambias.
Më mirë Sida e Zambias sesa Sida e "Mjaft"-it... Jo për ndonjë gjë..., por ne shqiptarët gjithnjë jemi karakterizuar nga një shpirt bamirësie.
Intervistoi: Zamir GJURGJI
AKTIVITETE
Spahiu dhe Ndregjoni, takime në Rrëshen
Spahiu në Mirditë: Pavarësisht vonesës në reformën zgjedhore, PLL po vazhdon përgatitjet e saj.
Rrëshen - Në vazhdën e turit nëpër rrethe, kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu, i shoqëruar nga drejtori i departamentit të Organizimit z.Nevruz Ndregjoni, ditën e mërkurë, më datë 15 mars, ishte në Rrëshen, ku zhvilloi një takim me kryesinë e PLL të degës Mirditë.
Drejtuesit e degës, Petrit Jushi, Mark Deda, Anton Çupi, etj., e informuan kryetarin Spahiu mbi aktivitetin e PLL, që megjithëse i cunguar për shkak të kushteve të vështira atmosferike, mund të konsiderohet pozitiv.
Z.Spahiu në fjalën e tij, ndërmjet të tjerave e vuri theksin tek masat organizative që duhen detajuar në të gjtha nivelat e strukturave lokale, për të filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme vendore.
"Është e kuptueshme që, vonesa në reformën zgjedhore, ndikon negativisht në këtë proces të rëndësishëm, por ne do të bëjmë më të mirën e mundshme, që varet drejtpërdrejt nga ne si struktura drejtuese të PLL", - tha Spahiu.
Në këtë takim u caktuan detyra konkrete dhe u vendos që, më datën 22 mars 2006, ora 10.00, të zhvillohet mbledhja e komitetit drejtues të degës.
Korresp. i "Atdheu"
Drejtuesit e PLL Tiranë, Ndregjoni dhe Kurti, takime intensive me nëndegët
Dega e PLLTiranë, takime nëpër seksione
Tiranë - Gjatë javës që u mbyll, drejtuesit e degës së PLL Tiranë, Ndregjoni, Kurti e Kola e Kolgjini, kanë vazhduar kontaktet me nëndegët e seksionet e kësaj dege, për forcimin e strukturave për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij viti. Në këto takime, krerët legalistë të degës kanë theksuar se zgjedhjet e ardhshme lokale ofrojnë një mundësi që duhet shfrytëzuar sa më shumë për ringritjen e PLL në lartësitë politike që ajo meriton.
Kryetari Ndregjoni u ka kërkuar strukturave lokale që të angazhohen totalisht në këto zgjedhje, qoftë për arsye të detyrimit që kanë legalistët për të ngritur më lart imazhin e PLL, ashtu edhe për interesa direkte të bazës, meqenëse këto zgjedhje janë për pushtetin lokal dhe anëtarët e degëve e nëndegëve mund të fitojnë direkt, duke u bërë këshilltarë, ose edhe drejtues njësish vendore.
Ndregjoni është shprehur optimist për punën e bërë deri më sot, dhe ka deklaruar se kjo punë e bërë, nuk mund të na nxjerrë të zhgënjyer.
Në takimet e bëra në nëndegët e Tiranës, veterani Hamit Kurti ka shprehur nevojën për një aktivizim më të dukshëm të pinjollëve të familjeve zogiste. Ai tha se ne kemi qenë të shtypur egërsisht nga regjimi komunist, por tani kemi rastin të tregojmë se jemi bij të denjë të atyre burrave që e kanë ndërtuar këtë vend.
Legalistët janë shumë optimistë se këto zgjedhje do të tregojnë realisht forcën e padiskutueshme që ka kjo parti në bazë me elektoratin e vet natyral. Drejtuesit e degës së Tiranës në mbledhjen e fundit të KD ka marrë angazhime e detyra konkrete për punën organizative e strukturuese për periudhën mars-prill.
Korresp. i "Atdheu"
KOMENTE
Xhindi i PS-së, xhindet e Erionit dhe dilema "Vranicki"
Nga Zamir GJURGJI
Për afro një muaj, parlamenti shqiptar mbetet i ngërthyer nga disa lloj provokimesh, që vështirë t'i kapërdinte edhe një popull flegmatik si ai nordik, e jo më një popull sanguino-kolerik si shqiptarët, ndërsa me ridaljen në skenë të një prej figurave kyç të rebelimit të tregishtorëve socialistë, kokë-rruajturit të Fierit Petro Koçi, skenari i socialistëve për të përsëritur ngjarjet tragjike të marsit të vitit 1997 po konturohet plotësisht.
Nëse në mars të vitit 1997, ishin turmat lushnjaro-vlonjate që përdorën preshin, në mars 2006 turmat e deputetëve socialistë u kapën me presh në dorë, kur u përleshën fizikisht me gardistët e parlamentit, e ku ishte e vështirë të dalloheshin forcat e përgatitura fizikisht, nga forcat e përgatitura politikisht?!
(Si për ironi të fatit, 9 vjet më parë doktori-pacient Tritan Shehu "u bë me zemër" në dhomat e zhveshjes së stadiumit të Lushnjes, ndërsa 9 vjet më pas iu kthye zanatit fillestar, "për t'i dhënë zemër" z.Memushi, ish-homologut të kryetarit të partisë së tij).
Sakaq, tregishtorët e djeshëm rikthyen edhe një mizanskenë të skenarit të tyre të vjetër, duke u konfrontuar dialektalisht edhe me tropojanin gardist, ashtu si dikur në Vlorë, ku grushtat dhe shkelmat e lebërve sulmonin mizorisht të gjithë ata individë që flisnin me dialekt tropojan, si Berisha e Mulosmani.
Ndërkohë, gardistët e parlamentit u shfaqën si njerëz jo të aftë për të përballuar grushtat dhe shkelmat e Xhindit, Ballës, Harasanit e Toles (deri edhe pëllëmbat e deputetes Arta Dade, që duket se mezi kishte pritur rastin që të prekte-dhunonte fizikisht ndonjë prej gardistëve muskulozë), ashtu si dikur, ku forcat e ndërhyrjes së shpejtë të mars 1997-ës në Vlorë, u përballën me një sulm frontal e të dhunshëm nga të xhindosurit e horr-dhive tregishtore socialiste.
E megjithatë, ajo që të bën më shumë përshtypje në këtë këtë furi-zallamahi socialiste të përfshirë krejtësisht nga xhinde djallëzore, ishin fyerjet me një fjalor vulgar dhe dhuna fizike që ushtroi deputeti Erion Braçe ndaj një kameramani të një prej mediave vizive më të hershme në vend.
Personalisht, nuk do ta kisha dëshiruar qoftë edhe për një moment të vetëm të isha vënë në pozitën e kameramanit të Shijak-TV, kur u përball me një deputet pseudo-gazetar, që mendon se mund të tolerohet në gjithçka që bën e flet, vetëm e vetëm se ka imunitet rozë. Të mos reagosh ndaj këtij akti është një flegmatizëm i tejskajshëm, që rrallë gjendet në genin e shqiptarit autentik. Në çdolloj rrethane, reagimi ndaj brutalitetit të histerikut Braçe, që tregon arrogancë dhe brutalitet ndaj qënies njerëzore me imunitet gazetaresk, do të ishte mëse i natyrshëm dhe i drejtë. Shtaza nuk ka asgjë të përbashkët me njeriun, përveçse në një pikë, si frymorë. Por, me shtazën nuk ka kuptim përdorimi i gjuhës njerëzore, pasi çdo lloj beteje me "mjete demokratike" rezulton betejë e humbur.
Nëse për një "frymor" si Braçe nuk është për gjë të jesh edhe xhepist-politikan, e njëherazi nuk është për gjë, që konceptualisht, të kesh bërë "ua"-në e parë me urdhër verbal dhe dhunë fizike të sekretarit të partisë së ndërmarrjes a fermës bujqësore, vetëm e vetëm se baba-oficer ishte në krie të detyrës, kjo nuk është e kapërdishme nga të gjithë ata shqiptarë në mazhorancë, që kanë parë gjithë jetën vetëm xhepat e tyre, e për më tepër, për ata shqiptarë, që nënat dhe baballarët i kanë gjenetikisht të së njëjtës stampë.
Të jesh sot njeri me dinjitet dhe shqiptar në identitet qënkërka fort e vështirë, pasi në rastin më të mirë, do të dhunohesh akustikisht (perifrazoj Olldashin) nga edvinizmi (perifrazoj Berishën), e në rastin më të keq do të dhunohesh e përdhunohesh saksonisht nga kromosomet e përçudnuara të Erion Braçes dhe Arta Dades, apo do të përballesh me grushtat e shkelmat e Ballës, Toles, Xhindit, etj., këtyre pasardhës-bastardëve të orgjive të Dushanit e Miladinit, në Zonën e Parë Operative.
(Vlen të sillet në kujtesë historia e lebërve me lalucët, ku lebërit në betejat e para, edhe pse shtinin pushkë ndaj lalucëve, nuk merrnin asnjë lloj reagimi, ndërsa disa dhjetra vite më pas, kur laluci i përgjigjej me të njëjtën batare labit, ky i fundit shprehej: "u rritën bijtë tanë". Çdo lloj analogjie nuk është e parastësishme).
Po shqiptarët e vërtetë, kuvendarë apo jo të tillë, çfarë duhet të bëjnë? Apo duhet të rrijnë, presin e vështrojnë, vetëm e vetëm që të vijë edhe njëherë nga Vjena Franc Vranicki, që pas 9 vjetësh, ta ketë zgjidhur më në fund atë dilemën e tij kuazi-hamletiane, se në cilën anë janë xhindet ngatërrestarë, e në cilin krah janë engjëjt qëndrestarë?! E më pas, njëzëri të brohorasim: Eureka, e fituam betejën më të rëndësishme që e kishim shpallur në fushatën elektorale, e gjetëm farmakun (ilaçin) e integrimit në BE dhe NATO.
Mjafton që NE, nuk jemi "xhindet", për të tjerat nuk ka edhe aq rëndësi, se janë efekte anësore...!!!
Dossier
Ju rrëfej të vërtetën e llahtarshme të rebelimit 1997 (3)
1997, plani për formimin e Zonës së Parë Operative
Nga Kostandin KOLIQI
(Vijon nga numri i kaluar)
Kujtesë për minoritarë-politikanët e opozitës
Tashmë Kutia e Pandorës u rihap dhe Blendi Fevziu, që dikur, në emisionin "Opinion" të TVSH nuk pranoi të vinte në video kasetat e Azemit, që shqiptarët të shihnin fytyrat e gjakatarëve të rebelimit, të enjten që shkoi na paraqiti në ekrane fytyrën e "Kushërirës Bet"-Sude Kadënës së '97-ës, duke na dhënë kësisoj shpresë të shohim më pas edhe fytyrën e "Kushëririt Pons"-Gjin(Ca)ushit. Shpresojmë të na nxjerrë mallin edhe me fytyrë-shpretkat e kuqe të Zabitit dhe Nero(ta)nit të rebelimit; me fytyrat e murrëtyera të gram-Gramozit, Xhep majdanozit, Kacangjelit dhe Namik goran-xisë; me fytyrat prej idiotësh të Ben lla-lla-lla Katundit dhe Pandelejmon-bishtukut të demokracisë, si dhe të të gjithë kopukëve të djeshëm që, sot, po duan të masakrojnë policët e gardistët, jo më nëpër rrugët e Vlorës dhe Cërrikut, por bash në dyert e parlamentit.
Tashmë, minoritarë-politikanët e opozitës, besoj se janë frymëzuar dhe karikuar edhe nga vargjet e asaj minoritares zeshkano-"egjiptiane", që Fevziu na e dha duke i recituar me përlotje vargjet lapidare të rebelimit bash në Sheshin e Flamurit: "Ty avni-artur Rustem nuk do të të harrojmë... / ndaj me gjak, lot e thika / qeverinë do ta rrëzojmë...".
Ata janë të karikuar edhe për faktin se kanë për protektor bash kasapin e dikurshëm të qelive të Sigurimit të Shkodrës, Zoi Themel-Theodhoraq-sallaksin, të cilin askush nuk po merr guximin ta flakë që nga karrigia, teksa u kërkon revizorëve të KLSH të ofrojnë si prova flagrance se në cilin xhep i futën miliardat e vjedhura mega-hajdutët, që nuk e dogjën Shqipërinë vetëm për t'u ngrohur në ato ditë dimri dhe pranvere të ftohtë, por edhe për ta plaçkitur e grabitur.
Mirë e bëjnë..., teksa e kanë marrë peng vendin: fillimisht me moslëshimin për dy muaj të pushtetit, derisa pastruan shumicën e defterëve; pastaj me krizën energjitike që ua lanë në derë atyre që erdhën; pastaj me sherret për Rrapi Minon e Demokraturës; pastaj me mocionin anti-Topalli; pastaj me "kutitë e votës së fshehtë", tamburet, sazet, buritë, bilbilat, megafonët dhe, sëfundmi, me grushtat dhe shkelmat mbi ata që janë gati të çajnë ferrën, si në vitin 1997, e që e dinë mirë se këta nuk bëjnë shaka, pasi e kanë dëshmuar me prova se dinë ta djegin Shqipërinë sa herë të duan dhe t'ua kërkojnë padronët... Por edhe për faktin se ata që ua marrin lëkurën e jevgut dhe ua bëjnë daulle, si dikur, në fillim-shekullin e kaluar, sot numërohen me gishta dhe fatkeqësisht nuk ndodhen në pushtet...
Si për ironi dhe harresë të pushtetit aktual, nënkolonel Mete Shyti, ish punonjës rezultativ i Sigurimit të Shtetit, që me firmën e Xhep majdanozit zëvendësoi në 1997-ën Kostandin Koliqin, sot vazhdon me përkushtim punën në dikasterin që ka më shumë zyra sesa ushtarë. Ndërsa autori i këtij dossieri, kolonel Kostandin Koliqi, vazhdon të jetë i papunë, ngaqë nuk mori pjesë në rebelim, ndonëse pushteti u ndërrua më 3 korrik dhe zabiti nuk është më ministër.
Tashmë, në dikasterin grandoman që imiton Pentagonin, mungon vetëm Sheme-shembësi i Kosovë-Shqipërisë (Sheme Kosova), sepse 99 zabit-ët e rebelimit që zëvendësuan 1500 ish oficerët e përgatitur nga NATO para vitit 1997, janë që të gjithë në punë. Edhe ata që janë pensionuar, i gëzofshin dhe i paçin hallall pensionet e stërmëdha, në shpërblim të djegies së atdheut
Ky dossier do të vazhdojë derisa pushtetarët aktualë të rikujtohen për mënxyrat e atyre që kanë përballë dhe të kuptojnë se viti 1997 nuk ishte rastësi, dhe se historia përsëritet nëse e harrojmë...
Gjëmat e tyre s'ka kalem që i shterr..., por atyre do t'u vëmë si paralele kohët dhe ngjarjet kur, po të njejtën gjë baballarët e gjyshërit e tyre e bënë edhe në fillim-shekullin e kaluar, por pa sukses...
Astrit Kola
(Vijon nga numri i kaluar)
Efektivi ishte armatosur vetëm për të mbrojtur zyrat e tyre të punës. Ata nuk mund të vritnin gra dhe fëmijë. Por edhe si organ informativ, ne asnjëherë nuk kishim detyrë për të hapur zjarr, aq më tepër kundër turmave.
Orët më të tmerrshme të jetës sime... Televizionet kishin filluar të jepnin lajmin e sulmit të turmave të armatosura kundër SHIK-ut. Lajmet ishin nga më të ndryshmet dhe më të tmerrshmet. Mjet komunikimi ishte vetëm telefoni..., të paktën në ato momente. Me familjen bisedova për herë të fundit rreth orës 22.00 të datës 28 shkurt, pastaj rreth fatit tim, familja dinte vetëm nga ato që thoshte televizori.
Tirana kërkonte informacione të hollësishme. Me ata që vriteshin dhe piqeshin të gjallë në godinë, duhej të komunikoja në çdo sekondë, ndonëse isha tepër i pafuqishëm t'i ndihmoja. Nga komunikimi telefonik me Tiranën, në një moment vërej habinë e Presidentit për faktin që godina e SHIK-ut u sulmua!!! Përse kjo habi?! A mos vallë Presidenti nuk e kishte marrë informacionin gjatë gjithë muajit?
Që Presidenti nuk ishte vënë në dijeni për zhvillimet e situatës në Vlorë, u binda nga biseda me eprorin tim të drejtpërdrejtë, rreth orës 2.00 të mëngjesit të datës 1 Mars.
Bindja nuk është fakt, ndaj lus Zotin që ta kem gabim. Dëgjoja urdhrat e Presidentit, të cilat ishin për të mbrojtur objektet, por pa vrarë askënd. Ai urdhëronte prerë që kundër turmave të mos qëllohej në asnjë mënyrë dhe këto urdhra qenë të tilla, që nga fillimi e deri në fund të detyrës së tij.
Ishte ora 12.30, kur SHIK-u goditet me granata-hedhës. Gati i gjithë kati i dytë i ndërtesës u shemb. Në këtë çast ndërpritet komunikimi me telefon. Mbetën të vrarë 6 punonjës të SHIK-ut, ndërsa 10 të tjerët e mbetur shqyen një nga dritaret e siguruara me hekura dhe dolën duke u kacavjerrë përgjatë kodrës. Atje u dolën para disa nga banorët vlonjatë të lagjes pranë SHIK-ut, të cilët i strehuan punonjësit në shtëpi. Evakuimi i tyre drejt Tiranës, një nga një, do të fillonte vetëm pas dhjetë ditësh. Nuk kaluan shumë minuta dhe më vjen një tjetër telefonatë nga jashtë, nga ku mësova se Besnik Hidri ishte hedhur nga kati i dytë dhe ndodhej tek oborri i shkollës së Marinës, e cila është ngjitur me ndërtesën e SHIK-ut. Në të vërtetë Besnikun e kishte nxjerrë atje presioni i goditjes nga granata dhe një kolegu ynë e kishte gjetur të shtrirë në bar. Mora në telefon komandantin e Marinës, një pusht djalë. Ai më përgjigjet se nuk mund ta ndihmonte, pasi kishte hall se mos e vrisnin.
Kolegu im mori Besnikun në makinë për ta çuar atje ku i thashë unë, në spital, por rruga ishte plotësisht e bllokuar. Atëherë e urdhërova ta dërgonte në Pashaliman, ku më pas do të çoja një infermier.
Pas ndërtesës së SHIK-ut u erdhi radha depove dhe reparteve afër ndërtesës. U godit komanda e Marinës dhe shkolla e Marinës. Për 2 orë shkatërrohet gjithçka.
Ora 2.00 e mëngjesit! Rrethohem në Kuz Baba. Nuk sulmohem, pasi ndërhyjnë disa oficerë vlonjatë.
Numëroj 4 herë tentativë për sulm kundër zyrave që kishim në Kuz Baba. Më në fund, me makinën e një oficeri vlonjat, largohem fshehurazi në drejtim të fabrikës së Çimentos dhe në Pallatin e Sportit, dhe mbërrij tek "Kulaçi", në Skelë.
Sapo arrij atje, më ndalon një grup i madh i armatosur, rreth 2000 vetë. Kishin ngritur një barrikadë në rrugë dhe kishin lënë vetëm një shteg të vogël si kalim.
Një burrë me një hu të madh në dorë, më urdhëroi të zbres nga makina. Shikoj 4 trupa të shtrirë. Ishin të shokëve tanë.
Një grua i binte njërës prej kufomave me sopatë, duke e coptuar. Një tjetër, shumë e shëmtuar në fytyrë, ngjyente duart në trupin e Lekë Qokut. Ai po jepte shpirt. Gruaja e shkurtër ngjyente duart në gjakun e Lekës dhe ia tregonte turmës, duke u ngërdheshur me histerizëm. Gjaku kullonte duke i përlyer edhe krahët.
Shtanga.
Të pasnesërmen më vjen lajmi se ajo grua ishte Luiza Hoxha.
Ai që kishte hurin, ndoshta në një moment dobësie më thotë: "Ikni frikacakë", dhe na la të lirë.
Hyj në Pashaliman dhe gjej 14 oficerë dhe kapterë. Takoj aty oficerin që kishte sjellë Besnik Hidrin. Trupi i tij ishte fryrë krejtësisht, gjysmën e krahut dhe syrin e djathtë e kishte të shpartalluar. E pyeta: "Besniku je?", dhe ai më përgjigjet vetëm me një lëvizje qepallash. U lutem oficerëve të nxjerrin anijet, ndërsa ata më përgjigjen: "Ik që këtej, se po të gjetën këtu, do të na vrasin edhe ne!".
Lajmëroj për ardhjen e një helikopteri. Ai mbërriti në orën 4 e 15 minuta, por për Besnikun ishte shumë vonë, sepse vdes gjatë rrugës!
Kuadrot që ishin atë natë, ose më mirë në ato orë të para të mëngjesit të datës 1 Mars 1997 në Pashaliman, u kishte hyrë tmerri nga bandat dhe nga kreu i tyre që e njihte mirë bazën, pasi kishte punuar dikur aty, si ndihmësmjek me gradën e Kapterit, por që tani e thërritnin "Gjeneral...". Por më shumë se kjo, më befasoi Komandanti i Divizionit të Fierit, Gjeneral Syrja Isufi, i cili më kërkon të largohem se "... po erdhi Sabiti, pastaj mjerë neve!". Ky gjeneral ishte me banim në Vlorë.
Në darkën e 28 shkurtit Syrjai mori djalin e tij, doli nga shtëpia dhe për t'u mbrojtur, (siç më tha ai vetë), erdhi tek zyra ku unë punoja dhe pastaj erdhi pas meje derisa unë u largova në drejtim të Sarandës. U largua nga shtëpia me një fëmijë, për t'u ruajtur. Se përse, nuk e kuptoja! Nga kush dhe përse trembesh, ende nuk e kam të qartë.
Ç'mund të prisnin repartet nga këta farë gjeneralësh!!!
Arrij në Sarandë rreth orës 9 e 30 minuta dhe takova z.Alfred Duka, të cilin e vura në dijeni për çfarë ndodhi në Vlorë si dhe për planin që kishin shtabet e kryengritjes për formimin e Zonës së Parë Operative. Vendin kryesor në planet shkatërruese e zinin Bregu i Himarës me repartet ushtarake dhe institucionet e tjera, si dhe Saranda e Delvina me repartet ushtarake të tyre. Mendova se nuk më besoi, pasi u mor më tepër me qetësimin tim. Mesa duket, pamja ime e jashtme e detyroi të merrej më tepër me mua sesa të dëgjonte ato që po tregoja.
Arrita të lidhem në telefon me familjen e t'u tregoj se isha gjallë, e se do të mundohesha të kthehesha sa më shpejt në shtëpi. Fola në telefon me z.Safet Zhulali, i cili u habit që isha gjallë.
Të paktën kështu m'u duk. Pasi shkëmbyen disa fjalë të tensionuara, më kërkon të shkoj në zyrën e tij sapo të mbërrij në Tiranë.
Rreth orës 11.00 arrita në Gjirokastër, ku mësova se rruga për Tepelenë e Përmet ishte e bllokuar. Atëherë nga Tirana u dërgua një helikopter, e kështu arritëm në Tiranë rreth orës 17.30 të datës 1 Mars 1997.
Në orën 20.00 i shkova në zyrë z.Zhulali dhe sekretari i tij z.Albert Ligorama më dha një mesazh në emër të Ministrit, duke më bërë të ditur se "Nuk të pret Ministri, ty!".
U habita, por jo shumë, kisha kuptuar diçka. Kthehem në shtëpi. Të nesërmen, më datë 2 Mars shkova në zyrë, ku mora vesh se qeveria kishte dhënë dorëheqjen, se Shefi i Shtabit të Përgjithshëm ishte liruar dhe ishte zëvendësuar nga Adem Çopani.
Me shkarkimin e Sheme Kosovës treguan se ishin shumë të vonuar, sepse ishte oficeri më i paaftë i grupit të vet. Për mënyrën sesi Sheme Kosova u katapultua në atë detyrë, shumë njerëz shprehën habi, por pak-kush i dha përgjigje këtij emërimi në postin më të lartë ushtarak...
Në momentet më kritike që kaloi ushtria dhe kur kërkohej ndërhyrja dhe vendimet e kryeshefit të saj, ai u prezantua tepër i mangët, si në dijenitë ushtarake por edhe në ato njerëzore. Me datë 2 Mars 1997 Sheme Kosova figuronte i shkarkuar, nuk merrte më detyra dhe nuk jepte urdhra...
Emërimi i Gjeneral Adem Çopanit në drejtimin kryesor të Ushtrisë, për dijet e tij si oficer, ishte gjetja më e mirë, por duke patur parasysh që kjo detyrë është sa ushtarake aq edhe politike, mendoj se gjetja ishte e gabuar, pasi Adem Çopani ishte shumë i mirëpritur në ambjentet e PS dhe nga drejtuesit e lartë të saj, miku më i mirë i tij ishte Rexhep Meidani. Dhe këtu kam parasysh se krerët e PS e drejtuan kryengritjen kundër demokracisë.
Gjatë ditëve që ai drejtoi ushtrinë, ditë pikante për të, u konstatua se situatat që krijoheshin, gjeneral Çopani i komentonte mjaft saktë, por nuk mori asnjë vendim të drejtë për t'i zgjidhur. Në emërimin e tij mund të ketë ndikuar edhe miqësia që ai kishte me Gjeneralin në rezervë, amerikanin Çarls Mosko, me origjinë shqiptar...
Ushtria në zonat e Jugut, në Zonën e Parë Operative sulmohesh nga grupe rebelësh që e shkatërruan plotësisht dhe gjithçka vidhej pa as më të voglën rezistencë. Në Porto Palermo, Himarë, në kuotën 113 ishte një pikë sinjalo-vrojtuese, ku komandonte z.Fatmir Kokaj. Fatmiri vendosi që të mbronte repartin e vet dhe për gati 2 ditë dhe një natë, e mbrojti derisa kishte municion. Kur iu mbarua municioni, u kap nga rebelët, të cilët i krrenë sytë dhe i prenë kokën... si për ironi, ata që drejtuan kryengritjen, hartuan, zbatuan planet e sulmit dhe që ngritën flamurin grek në tokën shqiptare, e shpallën Fatmirin "Hero..." dhe i dhanë familjes së tij dekoratën e lartë...
Në datat 1 dhe 2 Mars, u shkatërrua dhe u vodh baza e riparimit të anijeve në Porto Palermo, e futur e gjitha në tunel...
Më vjen informacioni se po shkatërrohej dhe vidhej baza e anijeve në Sarandë. Dërgova atje njerëz, të cilët më prunë informacione se po mbyteshin anije, pothuajse të reja dhe këto po bëheshin përkundrejt dhrahmive që i jepnin gazetarët dhe fotoreporterët grekë, të cilët, sipas regjizurave të parapërgatitura, urdhëronin rebelët që të hidhnin granata luftarake mbi anijet, për të filmuar shpërthimet që shkaktonin mbytjen e tyre.
Sipas informacioneve, këtë tmerr për institucionet, repartet ushtarake dhe ushtarakët e qytetarët që nuk preferoheshin nga rebelët, e drejtonte Gramoz Ruçi, i cili kuartierin e tij e kishte ngritur tek hoteli i piluriotit, pak metra para bazës detare të Limjanit, si dhe ndihmësat e tij si Arbër Qilimi, që dorëzoi repartin që komandonte dhe e bashkoi me kryengritjen, apo Xhevat Koçia, ish oficer i lartë, i përzënë nga ushtria për shkaqe ordinere.
Informohem se në bazën e Sarandës kishin mbetur pa u shkatërruar akoma edhe 2-3 anije. Në Shtabin e Përgjithshëm u mor vendimi që këto anije të tërhiqeshin nga Saranda dhe të ankoroheshin në Durrës. U bënë planet përkatëse, të cilat do të zbatoheshin nga katër anije të bazës së Durrësit, më datat 7 dhe 8 Mars.
Më datë 6 Mars informohem se Komandanti i grupit të anijeve dhe një grup oficerësh, jo vetëm që nuk do të zbatonin planin por do të largoheshin, me gjithë anijet luftarake, në drejtim të Italisë.
Në fillim nuk e besova dhe s'kishte sesi ta besoja. Shkova vetë në Durrës, në vendbazimin e anijeve, dhe në takimin që pata me Komandantin e grupit, ai, pa iu dridhur qerpiku ma pohoi: "Nuk do vemi në Sarandë, por do të ikim në Itali..., le të na quajnë tradhtarë...".
Nuk dija çfare të thoja. Eshtë e vështirë të bisedosh me oficerët që janë shumë trima në tradhti dhe frikacakë në zbatimin e detyrave.
Planin e anulluam dhe anijet patën fatin e të tjerave. Gjatë këtyre ditëve mblodhëm anijet në Durrës, për t'i ruajtur nga ndonjë sulm me qëllim eksodi, por nuk dinim se nga kush të kishim frikë! Kush do të na i rrëmbente, populli apo oficerët që i drejtonim?! Informatat flisnin që "shtëpinë", më tepër duhet ta ruanim nga i zoti i saj, dhe kjo u vërtetua.
Pak rrëmujë u bë në Durrës në datat 13 dhe 14 Mars, dhe të parët që u larguan në drejtim të Italisë, qenë anijet luftarake, pothuajse vetëm me kuadrot dhe ekuipazhet e tyre. Anijet u strehuan në bazën e Brindizit.
Një gjë më habit! Ata oficerë që u larguan nga detyra më 28 Shkurt, si p.sh. nga vend-komanda e bazës së Vlorës si Fitim Halili, Roland Nasto, Mitat Islami, etj., drejtojnë sot Flotën tonë detare, sikurse edhe oficerët që rrëmbyen anijet e tyre luftarake dhe i dërguan në Itali, që gjithashtu u ngritën në përgjegjësira!!!
Më datë 14 Mars informohem se nga Muzeu Arkeologjik i Durrësit ishin vjedhur objektet arkeologjike vetëm të periudhës ilire, ndërsa ato të periudhës romake dhe helene, ishin të paprekura. Këto objekte ruheshin në vende tepër të sigurta, me kode sekret, dhe këto i dinin dhe mund të hynin atje vetëm pesë vetë në të gjithë Shqipërinë, duke filluar nga kryeministri... Informacioni u vërtetua..., objektet ishin vjedhur dhe të dhënat më çonin tek një kryetar partie i njohur për arkeolog...
Unë akoma nuk dua ta besoj që ishin shqiptarët ata që e bënë këtë vjedhje të tmerrshme të këtij thesari të pazëvendësueshëm, sepse me këtë na është vjedhur edhe identiteti si komb. Ky veprim makabër u bë në favor të Shërbimit Sekret grek...
Në të gjithë atë katrahurë, kam mendimin se kjo vjedhje është më e rënda në historinë e kombit tonë.
Më datë 25 Mars informohem se në Vlorë është bërë plani për të marrë një anije nga Saranda, dhe se me të do të niseshin klandestinë për në Itali. Në Vlorë nuk kishte asnjë anije. E vetmja anije që kishte mbetur e që mund të lundronte, ishte Kater i Radës, i vogël, i vjetër dhe me shërbim të kufizuar portual.
Më datë 26 Mars anija vjen në Vlorë dhe vihet nën sundimin e "Sulltanit të Vlorës", siç kishte qejf të quhej Zani Caushi.
Menjëherë u hap lajmi se do të nisej për në Itali një anije luftarake, kundrejt pagesës prej 1 milion liretash për person. Turma njerëzish afroheshin, por kur merrnin vesh se pronari ishte Zani Caushi, largoheshin..., për vetë namin prej krimineli që ai kishte në tërë vendin dhe jo vetëm në Vlorë. Atëherë në Vlorë shkoi Arben Malaj, (në atë kohë Ministër i Financave në Qeverinë e Pajtimit Kombëtar), i cili futet në port dhe i afrohet anijes në shoqërinë e Zanit dhe shokëve të tij. Kjo ngjau në mëngjesin e datës 27 Mars. Menjëherë u hap lajmi se anija ishte e Arben Malaj-t, dhe se Zani ishte vetëm arkëtari. Kështu u rrit besimi tek njerëzit, të cilët ishin aty rreth e rrotull dhe që e mbushën menjëherë anijen, në të cilën hipën 153 veta, që u nisën drejt Italisë. Tashmë historia e anijes dihet, por unë dua t'u them atyre që e mbytën dhe atyre që kërkojnë trupat e të afërmve, që të kërkojnë jo 80 vetë, por 119 njerëz të mbytur.
Vazhdova në detyrë deri kur ministër i Mbrojtjes u bë Sabit Brokaj, puna me të cilin ishte e pamundur, pasi tashmë kisha për epror atë që drejtonte rebelët, madje pjesën më kriminale të atyre që, po të më kishin kapur, do të më ripnin të gjallë.
U largova nga detyra me motivacionin "nuk ke shkollën e Sigurimit të Shtetit". U them atyre që më komunikuan urdhrin: "Nderoj tim atë që nuk më dërgoi në atë shkollë...".
Mendova që t'i bëj publike ngjarjet kryesore të atyre dy muajve të çmendurisë së rebelimit, duke menduar se ka ardhur koha që të vërtetën ta mësojnë ata që e duan këtë të vërtetë.
Fund
ANALIZA
Dritëhijet e jetë-vdekjes së Millosheviçit
Nga Astrit KOLA
Mëngjesin e datës 8 mars 2006, Sllobodan Millosheviç u gjend i vdekur në qelinë e tij të burgut. Shtëpiza e fundme e diktatorit serb, sipas gazetarëve dhe gardianëve, në të vërtetë i ngjante një dhome tejet luksoze të një hoteli, e mobiluar në mënyrë të pakuptimtë për një klient 65 vjeçar, mbi të cilin rëndonin 66 akuzat më të rënda për krime lufte dhe krime genocidale kundër njerëzimit, zbatuar gjatë masakrave të planifikuara në Kroaci, Bosnje e Kosovë. Ëndrrat dhe planet e tij të fandaksura, teksa rrekej për të realizuar Serbinë e Madhe të Naçertanies mbi rrënojat e ish Jugosllavisë komuniste në shpërbërje, u jetësuan në një kasaphanë që mori jetën e 300 mijë frymëve dhe shkatërroi të ardhmen e miliona të tjerëve, gjatë një konfikti të shkaktuar personalisht prej tij e që zgjati një dekadë.
Millosheviçi ishte i pari kryetar shteti që arriti të kryqëzohej para Tribunalit Ndërkombëtar të Kombeve të Bashkuara, për krimet e përbindshme, por që nuk arriti të dënohej për shkak të vdekjes në prag të mbylljes së procesit gjyqësor në ngarkim të tij.
Ai i kaloi 53 muajt e fundit të jetës në një ambient që i ngjante një fjetoreje të përkryer kolegji, në të cilën dëgjonte CD-të me hitet e Frenk Sinatrës, duke parë televizor dhe duke lexuar librat e porositur që ia sillnin menjëherë, pothuajse i shkujdesur për 66 akuzat të cilat i hidhte poshtë duke bërë demagogji dhe duke shpalosur arrogancën karakteristike të një narcisisti megalloman e të papenduar...
Qelia e tij për nga mobilimi, nuk binte aspak më poshtë se vilat më të shtrenjta të resorteve turistike të bregdetit përrallor hollandez, të rrethuara me mure të lartë dhe duna rëre, në brigjet e Detit të Veriut, në Schveningen, në periferi të Hagës.
Këtë trajtim kuazimbretëror ndaj kësaj monstre të pashembullt dhe ndaj kriminelëve të tjerë të parajsës së Schveningen-it, e pranoi edhe vetë një ndër prokurorët kryesorë të Tribunalit të Hagës, Richard Goldstone, në prononcimin për "BBC"-në, teksa rreshtoi ushqimin e shkëlqyer, fushat e volejbollit, tenisit, palestrat, impiantet dixhitale, televizorët në çdo dhomë, sallat ku mund të luaje bilardo, shah, bixhoz, minifutboll, dyqanet minimarket ku nuk mungon asgjë, telefonët pa kufizim kohe, interierat ku mund të sodisje veprat e artit hollandez të pikturës, skulpturës, qeramikës, etj..
Në mes të 78 gardianëve, përkthyesve, mësuesve, psikologëve dhe stafit mjekësor, ai ishte "Mbreti" midis 47 "oborrtarëve" serbë, kroatë dhe myslimanë, të akuzuar për krime lufte gjatë konfliktit të përgjakshëm që ky "Stefan Dushan" i kasaphanave ideoi, inicioi dhe zbatoi gjatë sundimit 15 vjeçar.
Millosheviçi ishte "Mbret i krimit" edhe për arsyen se ranklista e akuzave në ngarkim të tij kishte mbushur dosjen më të madhe të hartuar ndonjëherë nga drejtësia, dhe që mbështetej në shumicën e neneve për krime lufte dhe krime genocidale kundër njerëzimit. Ishte "Mbret" edhe për faktin se pjesën më të madhe të kostos së buxhetit vjetor prej 7 milionë eurosh të këtij "Burgu"-resort, e zinin shpenzimet për mbarështrimin dhe komfortin në shërbim të tij.
Por jeta e tij plot luks dhe gjak, u ndërpre afro një javë pas vdekjes në rrethana po aq të dyshimta (u deklarua vetëvrasje), të liderit të serbëve të Krajinës së Kroacisë, mikut dhe dishepullit 45 vjeçar, Milan Babiçit.
Vdekjet e këtyre bashkëluftëtarëve të kauzës së Serbisë së Madhe, nuk ishin të parat në këtë kamp izolimi, teksa dy "bashkëvuajtës" të tjerë serbë kanë vdekur aty para 8 vjetësh, në vitin 1988, njëri nga të cilët thuhet se "i dha fund jetës me dëshirë!!!".
Këto versione të deklaruara zyrtarisht, tingëllojnë shumë të dyshimta për vërtetësinë, nëse konsiderohet fakti i mospranimit të krimeve prej tyre, i mospendimit për asgjë dhe i përjetimit në solidaritet vëllazëror të parajsës së Schveningen-it, të cilën as që e kishin ëndërruar më parë?
Përkujdesja ndaj shëndetit të Millosheviçit ka qenë maksimale, që prej çastit të dërgimit në Hagë. Me sebepin e shëndetit, procesi gjyqësor në ngarkim të Sllobos u shty për afro 5 muaj dhe filloi në nëntor 2002, ndonëse ai ishte transferuar në Hagë që në korrik 2001. Tribunali i Hagës urdhëroi vizitat psikiatrike dhe ato të ekzaminimit të përgjithshëm, për të konsideruar mundësinë e fillimit të procesit gjyqësor anti-Millosheviç. Muajin e fundit, Tribunali hodhi poshtë kërkesën e Sllobos për të udhëtuar dhe për t'u trajtuar klinikisht në Rusi, duke iu përgjigjur atij se i lejonte për këtë qëllim shfrytëzimin e Hollandës, ngaqë i trembej një mundësie apo plani arratisjeje dhe fshehjeje në një vend ndaj të cilit ky Tribunal nuk mund të ushtronte asnjë trysni apo ndikim për një dorëzim të mundshëm, ndërkohë që edhe bashkëshortja Mirjana Markoviç, djali Marko dhe vëllai Borisllav, jetojnë në Rusi, ku madje janë pajisur edhe me statusin e refugjatit politik. Por frika më e madhe e Tribunalit bazohej në faktin e njimendtë se Rusia, deri në fund të pushtetit të Sllobos, por edhe më parë e më pas, ka qenë dhe mbetet, ishte dhe u shfaq hapur si aleat i diktatorit të Beogradit, në vazhdën e marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera midis "vëllait të madh të sllavëve" (Rusisë), dhe "vëllait të vogël ballkanik" (Serbisë).
Kur Millosheviçin e dërguan, sefte, para Tribunalit të Hagës dhe kur prokurori e akuzoi për planifikim e urdhërim të spastrimeve etnike, duke u skërmitur dhe hungëruar, me kokën lart dhe tonin arrogant, u përgjigj: "Këto akuza janë problemi juaj..., duhet t'i vërtetoni ato...", dhe u zgërdhi plot tallje...
Mbi Millosheviçin, që asokohe ndodhej në Hagë (nga nëntori 1992), krerët e rinj të pushtetit në Beograd, ish liderët opozitarë të "Otpor", Xhinxhiç e Drashkoviç, kishin ngritur padi për vrasjen e dy politikanëve (një ndër të cilët ishte ish miku dhe tutori i fillim-karrierës së tij, njëkohësisht ish kryetar i Ligës Komuniste të Serbisë Ivan Stamboliç), si dhe tentativa për të vrarë me atentate shumicën e kundërshtarëve politikë, ndër të cilët Vuk-u provoi mbi shpinë katër atentate.
Përkrahësit e Sllobos, në Serbi e kudo, në përfundim të procesit afro 3 vjeçar, ishin të bindur se idhulli i tyre do të lirohej si "i pafajshëm dhe për mungesë provash" nga Gjykata e Hagës, madje partia-pronë e tij (Partia Socialiste e Serbisë) përgatiti riciklimin e Millosheviçit në politikën serbe.
Por kryeprokurorja Del Ponte, pas vdekjes së papritur, deklaroi se ajo shpresonte që procesi kundër Millosheviçit të përfundonte në fund të pranverës së këtij viti dhe se kishin mbetur "vetëm 50 orë nga paraqitja e pretendimeve të mbrojtjes së palës së akuzuar...", duke lënë të kuptohet se Tribunali ishte dhe mbetet plotësisht i bindur në fajësinë e tij dhe se mund të japë madje edhe një dënim formal, pas vdekjes.
Millosheviçi kurrë nuk e ka njohur legjitimitetin dhe të drejtën e Tribunalit të Hagës për ta gjykuar, megjithëse e ka bërë indirekt këtë, teksa ka ngulur këmbë të vetëmbrohej ndaj akuzave, të cilat i ka hedhur poshtë sipas mënyrës së tij, pa prova, (ndonëse iu krijua vazhdimisht kjo mundësi), por vetëm me demagogji dhe tautologji bolshevike...
Në seancën e hapjes së procesit kundër tij nga Tribunali i Hagës më 31 gusht 2004, Millosheviç i etiketoi akuzat si "shpifje dhe mashtrime të paskrupullta". Gjatë gjithë procesit ai mbrojti politikat e tij terroriste e subversive dhe akuzoi NATO-n për "ideim, planifikim të detajuar, organizim dhe realizim të krimeve të luftës dhe atyre genocidale ndaj popullit serb...".
Avokati mbrojtës i Millosheviçit, Zdenko Tomanoviç u tha reporterëve se klienti i tij 64 vjeçar gjithmonë i kish shprehur frikën e helmimit të organizuar, frikë e cila iu shtua më shumë kur Tribunali refuzoi kërkesën për trajtim dhe kurim në Rusi. Avokati shtoi se "ai mesa duket kish filluar të kuptonte se diçka e ngjashme me helmimin po i ndodhte, dhe për këtë arsye shpresoi jo vetëm mjekimin në Rusi, por edhe mbrojtjen e saj për jetën e tij të rrezikuar nga armiqtë e shumtë, ndaj të cilëve e kish shumë të vështirë të mbrohej në qelitë e Hagës!!!". Sipas Tomanoviçit, "është shumë i dyshimtë dhe kuptimplotë, edhe refuzimi i menjëhershëm nga Tribunali i Hagës i kërkesës së tij konform statusit të avokatit, për ta lejuar dërgimin e trupit të Millosheviçit në Moskë, pas vdekjes, për të bërë autopsinë dhe vendosur, postmortum, të diagnozës që shkaktoi vdekjen...".
Serbët e kanë pritur vdekjen e Millosheviçit si ogur i zi që parathotë gjëmë për kauzën e tyre, qoftë edhe për shkak të indoktrinimit të skajshëm me dogmat ortodokse. Të frustruar nga zhvillimet e fundit, ata e kanë konsideruar vdekjen e "Heroit të Serbisë", si një paralajmërim të apokalipsit të kauzës serbe, teksa janë përgatitur për të duruar e pranuar edhe shkëputjen dhe pavarësimin e Malit të Zi pas referendumit të majit të këtij viti, dhe këtë paranojë ata e lidhin edhe me faktin se Sllobo ishte me origjinë malazeze dhe që përpiqej të realizonte Serbinë e Madhe, duke aneksuar e asimiluar edhe atdheun e babait, nën shembullin e Karagjorgjëve.
Në një shoqëri ku kompleksi i viktimizimit nga Perëndimi është shndërruar në paranojë kolektive, vdekja e tij e papritur bash kur një komb i tërë është përgatitur për humbjen e Kosovës-"Djep i Serbisë së Vjetër", pas pavarësimit të saj në fund të këtij viti, ka ngjallur dyshime për shkaqet e vdekjes së njeriut që dikur u shndërrua në protektorin e serbëve. Ndaj serbët i japin përmasa dhe simbolikë kohore faktit që mbrojtësi i tyre vdiq pikërisht në vigjilje të 20 vjetorit, "kur u shfaq si Mesia..." duke u deklaruar atyre në "Kosovo Polje" (Fushë Kosovë), në nëntor 1986, se "askush nuk do të guxojë t'ju godasë më ju...".
Por ajo që i fundos në dilema shekspiriane dyshimet e serbëve për shkaqet e vdekjes, është tollovia drejt "fatalitetit të parashkruar", teksa kujtojnë me trandje faktin e vetëvrasjeve të babait të Sllobos, Svetozar Millosheviç, nënës Stanislava dhe dajës (vëllait të nënës), gjeneralit Milislav Koljenshiç.
Ndaj ata ngrenë pyetjen: si vdiq Millosheviçi, i vrarë, natyrshëm apo me vetëvrasje, bash nën hundët e mjekëve dhe gardianëve?! Po miku i tij Milan Babiç, i cili si dëshmitar në procesin ndaj Sllobos, e shfajësoi shefin dhe e vlerësoi me superlativa, si vdiq..., kur ishte si div...?!
"Ju mund të zgjidhni midis vdekjes normale natyrale, dhe vetëvrasjes", - u tha Karla Del Ponte gazetarëve, gjatë konferencës për mediat e shkruara e vizive, ditën e vdekjes...
Por krerët e Partisë Radikale serbe të Sheshelit dhe ata të Partisë Socialiste të Sllobos, në retorikën e tyre të ashpër në reagim të vdekjes së Millosheviçit, nuk i kursyen akuzat e drejtpërdrejta për "helmimin e tij nga gardianët...".
"Tribunali i Hagës e vrau qëllimisht Slobodan Millosheviçin, përderisa nuk i lejoi trajtimin mjekësor në Moskë, megjithëse e dinte se ai kishte probleme serioze shëndetësore", deklaroi lideri i Partisë Radikale serbe, Aleksandër Vuçiç, i cili për vdekjen e këtij "heroi serb" fajësoi Tribunalin dhe "puthadorët serbë të Perëndimit, që rrëmbyen Milloseviçin dhe e dërguan në duart e armiqve të serbëve në Hagë, dhe që bashkërisht u hakmorrën sëbashku kundër atij që e mbrojti Serbinë nga shkatërrimi që ata sëbashku i bënë asaj...", - shtoi Vuçiç.
Edhe Borisllavi, vëllai më i madh i Sllobos, me profesion diplomat dhe ish ambasador i Unionit Serbi-Mali i Zi në Moskë gjatë regjimit të Millosheviçit, fajësoi Tribunalin e Hagës dhe kundërshtarët politikë të Sllobos në pushtet, për vdekjen që ai e cilësoi "të dyshimtë".
"Më 4 nëntor të vitit të kaluar, një grup mjekësh të pavarur nga Rusia, Franca dhe Serbia, pasi ekzaminuan bashkërisht Sllobodanin, konkluduan se gjendja e tij shëndetësore ishte kritike dhe se për këtë i nevojitej një trajtim mjekësor i specializuar dhe i menjëhershëm. Kohët kaluan dhe askush në Tribunalin e Hagës nuk lëvizi as gishtin për ta ndihmuar atë dhe për t'i siguruar mjekimin e nevojshëm..., për çka i referohem edhe mendimit të mjekut të tij rus, z.Leo Bokeria, i cili të njëjtin pohim dhe mendim, sikurse edhe unë, ia ka bërë mediave ruse, ndaj them me bindje se Tribunali e vrau vëllanë tim. Sllobodani është një bir i vërtetë i popullit serb dhe një personalitet historik. Ata dëshmuan se e gjetën më të volitshme ta gjenin atë të vdekur sesa të gjallë e të aftë për t'u vetëmbrojtur, tashmë që këtij procesi absurd po i vinte fundi bashkë me shkatërrimin e akuzave të pathemelta kundër tij. Por nëse ata vranë Millosheviçin, janë të paaftë të vrasin Serbinë dhe kurrrë nuk do t'ia dalin mbanë kësaj...", - deklaroi Borisllavi gjatë një interviste ekskluzive për agjensinë Rojter.
Ndoshta Sllobon e vranë për ta bërë hero..., ndoshta për t'i marrë hakun për vrasjen e Xhinxhiçit bash disa ditë para përkujtimores së 3 vjetorit të vdekjes..., ndoshta u hakmorrën Vuk (Ujk) Drashkoviçi me shokë për vrasjet..., apo atentatet e dështura ndaj tyre, në vazhdën e traditës historike serbe të vrasjeve politike, nga të cilat kanë humbur jetën shumica e prijësve gjakatarë të këtij kombi që mbijetoi në lumenj gjaku...
Sllobo vdiq..., ndoshta për t'u heroizuar nga mitologjia serbe, ndoshta për t'u martirizuar në altarin e serbizmës, të hakmarrjes, të larjeve së hesapeve dhe luftrave për pushtet, por gjithsesi ai pati një fund të palavdishëm..., ashtu si të gjithë xhelatët dhe gjakatarët e
urryer.
PIKEPAMJE
Vdekja që shmangu dënimin e Millosheviçit
Nga Sazan PIPA
Vdekja e kasapit serb të Ballkanit në qelinë e tij të burgut të Shveningenit, i dha fund ankthit të dënimit të paravendosur, pas fakteve dhe akuzave të shumta që Tribunali i Hagës demonstroi gjatë një procesi maratonë që zgjati 40 muaj, që nga nëntori i vitit 2002. Këtë ankth e vuante Millosheviçi vetë, i cili shpresonte të dilte i palagur për krimet monstruoze; e vuante partia e tij, që shpresonte rikthimin në krye dhe riciklimin në politikë të liderit të saj historik; e vuante nacionalizmi serbomadh, që synonte rrëzimin e akuzave dhe mosdënimin publik të ultranacionalistit radikal që përgjaku Ish Jugosllavinë në zbatim të projektit të Serbisë së Madhe; e vuante familja: bashkëshortja Mira Markoviç, kryekëshilltarja e mbiquajtur me nofkën "Ledi Makbeth e Serbisë" dhe i biri Marko, të strehuar politikisht në Moskën aleate të Serbisë; e bija Maria, e strehuar politikisht në Republika Srpska, tek miqtë dhe bashkëluftëtarët në pushtet të të atit; e vuante vëllai i madh i Sllobos, Borisllavi, i cili gjithashtu gëzon statusin e azilantit politik në Rusi. Por mbi të gjithë e vuanin serbët që e përkrahën në shumicë dhe fuqimisht, e që i trembeshin dënimit konkret të krimeve kolektive të luftës, të kryera nën urdhërat dhe nën frymëzimin e drejpërdrejtë të Millosheviçit. Ankthi i madh i tyre i paraprinte shpresës së shpëtimit të vetëvetes dhe Serbisë nga një verdikt i pashmangshëm i Tribunalit, që do të rëndonte përjetësisht mbi ndërgjegjen e përgjakur të një kombi të indoktrinuar me nacionalizëm luftënxitës.
Të bindur për verdiktin e merituar të Tribunalit, serbët u munduan t'i minimizojnë efektet diskretituese politike dhe publike të dënimit të kriminelëve-heronj të tyre, nëpërmjet fshehjes dhe strehimit të sigurt të miqve të Sllobos, Ratko Malladiç e Radovan Karaxhiç, për të cilët kryeprokurorja e Tribunalit Karla del Ponte deklaroi se "Eshtë mëkat i madh për drejtësinë, fakti që procesi gjyqësor në ngarkim të Millosheviçit nuk arriti të përfundojë - duke shtuar se - tashmë është bërë shumë urgjent arrestimi nga autoritetet serbe të të shumëkërkuarve Karaxhiç dhe Mlladiç..., vdekja e tij e bën gjithnjë e më urgjente këtë, për të bërë drejtësi...".
Edhe hedhja e menjëhershme, në tregun mediatik, e dyshimeve për shkaqet e vdekjes së Millosheviçit, ishte dhe mbetet pjesë e skemës së Serbisë për shmangien e dënimit të tij pas vdekjes, si dënim i merituar, bash në prag të vërtetimit të akt-akuzës ndaj tij, që tashmë do të shndërrohej në pretencë dhe dënim me burg në prag të përfundimit të procesit në maj të këtij viti, kur kishin mbetur edhe 50 orë seanca gjyqësore. Vdekja e papritur e Millosheviçit pikërisht 4 ditë para përkujtimit të përvjetorit të tretë të vrasjes së kundërshtarit të tij politik Zoran Xhinxhiç, shtoi me të drejtë dyshimet rreth shkaqeve, e bashkë me to edhe të një "emri të ri në listën e heronjve dhe martirëve të kauzës serbe dhe serbëve", sikundër u shpreh vëllai i Sllobos, Borisllavi.
Pikërisht për këtë arsye, serbët dërguan urgjentisht në Hagë, ministrin e Unionit Serbi-Mali i Zi për të Drejtat e Njeriut dhe Pakicat Etnike, Rasim Ljajiç, i cili arriti atje bashkë me dy pathologë serbë, për të asistuar në ekzaminimin patologjik gjatë autopsisë mbi kufomën e Millosheviçit... Dhe kjo sepse ekipi mjeko-ligjor hollandez, çuditërisht, pranoi "paaftësinë për të përcaktuar shkakun e vdekjes së Sllobos në qelinë e tij, ndaj për këtë arsye, në seancën e përcaktimit të diagnozës postmortale u ftuan dhe asistuan edhe dy pathologë serbë ndër më të shquarit"!!!
Për serbët dhe kauzën e tyre, të cilën protektori Millosheviç e mbrojti dhe përfaqësoi maksimalisht, fakti që ai e zhyti Serbinë në luftërat gjatë një dekade, e që përfunduan me disfatë, humbje territoresh, diskretitim të plotë ndërkombëtar dhe defaktorizim të ndjeshëm, edhe vetë shkatërrimi i ekonomisë dhe dështimi politik, janë të justifikueshme!!! Imazhi i tij si mbrojtës i interesave të serbëve, determinoi mbajtjen dhe konsolidimin e pushtetit në një kohë të vështirë për Serbinë dhe Ish Jugosllavinë e përfshirë nga flakët e luftrave ndëretnike.
Por kundërshtarët e Millosheviçit të "Otpor"-opozitës, që përveç ambicies për pushtet i vunë vetes si mision shpëtimin e Serbisë së mbetur dhe serbizmës, e shfrytëzuan mjaft mirë situatën e rëndë në prag të rotacionit të pushtetit, që më shumë i ngjau një ndërrimi me kompromis të "kuajve të karrocës së pushtetit", sesa margjinalizimit karakteristik të luftës për pushtet, konform traditës së përgjakshme serbe.
Në kohën e rënies së tij nga pushteti, GDP e Unionit Serbi-Mali i Zi, kishte rënë në afro 35 %; rezerva valutore e bankës qëndrore ishte reduktuar në shifrën qesharake prej 300 milionë $; sistemi bankar pothuajse nuk ekzistonte; industria kish arritur kuotat më të ulta të prodhimit dhe ndodhej në prag të asfiksisë së plotë për shkak të Murit të Jashtëm dhe atij të Brendshëm të Sanksioneve ndërkombëtare, kryesisht atyre amerikane; krimi i organizuar dhe korrupsioni me koperturë shtetërore kishin arritur kulmin; rrugët, uzinat, sistemi i prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë pothuajse ishin shkatërruar nga bombardimet e NATO-s; krenaria dhe njëkohësisht gjigandi i industrisë serbe, Kombinati "Zastava", ishte shndërruar në gërmadhë, etj..
Millosheviç u mbajt fort pas pushtetit, edhe pas humbjes në zgjedhjet presidenciale të vitit 2000, në garën me përfaqësuesin e partive të opozitës, Vojisllav Koshtunicën.
Madje në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1993, partia e Sllobos arriti rezultat befasues, teksa kryesoi pas tyre listën e renditjes së partive politike serbe. Dhe kjo bëri të qartë se serbët jo vetëm që nuk kishin nxjerrë asnjë mësim nga çka kish ngjarë gjatë kohës së regjimit 15 vjeçar të diktatorit, gjatë të cilit ky popull i inkriminuar e kish mbështetur atë plotësisht, por ishte gjithashtu edhe dëshmi e faktit se Millosheviçi ish rrënjosur fort në zemrat dhe mendjet e tyre.
Krerët e Partisë Radikale serbe të Sheshelit dhe ata të partisë së Sllobos, janë zotuar se, pas kthimit të trupit të tij në atdhe, do të organizojnë një ceremoni funebre madhështore, që sipas tyre do të sfidojë dhe sfumojë plotësisht ceremoninë përkujtimore të 3 vjetorit të vdekjes së armikut të tij Xhinxhiç, vrarë nga njerëz të cilët kishin lidhje të forta shpirtërore dhe interesash me regjimin e Millosheviçit.
Eksperti i sondazheve publike S. Bogosavljeviç, deklaroi se 50 % e serbëve e kundërshtojnë ashpër bashkëpunimin e Beogradit zyrtar me Tribunalin e Hagës, si "poshtërim i Serbisë, i gjakut të serbëve, i heronjve e martirëve të serbizmës...", dhe se "partitë politike të opozitës ish komuniste e ultranacionaliste, do ta shfrytëzojnë politikisht këtë situatë, të cilën vdekja e Millosheviçit e ka shndërruar në një dhimbje mbarëkombëtare me shijen e një humbjeje të madhe".
Analistët parashikojnë se skifterët e vijës së ashpër dhe pragmatistët në opozitë, do ta shfrytëzojnë vdekjen e Sllobos dhe këtë situatë traumatizimi total psiqik të serbëve, për të nxjerrë përfitime politike me pasojë destabilizimin e mundshëm dhe lëkundjen e pozitave të dobëta të pushtetit aktual, që ka në krye qeverinë e një koalicioni të brishtë të partive centriste, liberale dhe konservatore, me kryeministër Koshtunicën.
Ata janë të bindur se vdekja e Millosheviçit do të ndikojë fuqishëm në bursën politike të Beogradit, sidomos gjatë zgjedhjeve të ardhshme, ku hamendësohet se humbja e kundërshtarëve të tij aktualë në pushtet, është e sigurt.
Ivica Daçiç, lideri ekzekutiv i partisë së Millosheviçit, deklaroi: "Unë besoj se Sllobodan Millosheviç do të varroset në panteonin e Heronjve të Serbisë. Funerali i tij do të dëshmojë mbështetjen popullore për politikat që ai ideoi dhe zbatoi për të mirën e popullit serb!!!".
Dhe kur mendon se kjo gjë bëhet pikërisht kur BE kërkon me çdo kusht dorëzimin e Mlladiçit dhe Karaxhiçit në Hagë, e për të cilat vringëllin edhe sanksionet e kërcënimet për ndërprerjen e negociatave për Asociim-stabilizimin, frika nga impakti i madh i vdekjes së Millosheviçit, është shndërruar në një panik të vërtetë të Beogradit zyrtar.
Më kot Solana, në emër të BE, më 27 shkurt të këtij viti, i deklaroi Serbisë përfundimin në fund të marsit, të afatit për vendosjen e vijës së demarkacionit midis saj dhe BE, nëse nuk bëhej progres në arrestimin e Mlladiçit dhe Karaxhiçit, si dy më të kërkuarit ndër 6 të dyshuarit për krime lufte në Ish Jugosllavi, që nga vitit 1990.
Deklarata e Karla del Pontes: "Unë ndjej keqardhje të thellë për vdekjen e Sllobodan Millosheviçit, sepse ajo i privon viktimat dhe të afërmit e tyre nga drejtësia, të cilën ata e meritonin dhe për të cilën kishin nevojë", ngjalli urrejtje midis serbëve, në Serbi e mbarë Kosovën, në të cilën ata organizuan e kryen ngushëllime, përshpirtje dhe ritualet ortodokse të rastit.
Ithtarët e Sllobos janë irituar nga deklarata e ish z/v sekretarit amerikan të Shtetit gjatë presidencës së Klintonit, z.Richard Holbrooke, i cili theksoi se "Millosheviçi ishte një njeri i tmerrshëm, një kriminel lufte, që filloi dhe shkaktoi 4 luftëra". Po me të njejtën mënyrë e kanë përcjellë ata edhe qendrimin e U.S. State Department, që me anë të një mesazhi elektronik u deklaroi reporterëve se "Millosheviçi ishte një person shumë i përgjegjshëm për shpërbërjen e dhunshme të Jugosllavisë pas vitit 1990-të. Atij i janë provuar katërcipërisht lidhjet me masakrat e kryera gjatë konflikteve në Ish Jugosllavi dhe ai ka qenë deri në fyt me krime lufte, krime genocidale kundër njerëzimit, dhunime të ligjeve dhe rregullave të luftës, si dhe thyerje të rënda të Konventave të Gjenevës".
Tashmë përbindëshi që për pak shkaktoi kasaphanën e Tretë mbarëbotërore, e para e të cilave shpërtheu pas atentatit të idhujve të tij serbë të "Cërna Ruka" (Dora e Zezë), i shpëtoi dënimit të merituar, pas të cilit do të vinte deheroizimi i natyrshëm dhe fashitja e valës së ultranacionalizmit në një Serbi aspak të demilitarizuar e ku ka ndryshuar vetëm fasada, përderisa nuk është kryer denazifikimi dhe dënimi i të gjithë kriminelëve që e mbështetën dhe ndoqën deri në fund Kasapin e Ballkanit.
Fatkeqësisht, Millosheviçi vdiq në duart e hollandezëve, që janë shquar gjithmonë për butësi në qendrimet e ashpra ndaj serbëve, çka të bën të dyshosh për shkaqet dhe rrethanat e vdekjes së atij që pritej të dënohej me burgim të përjetshëm.
Analistë skeptikë tashmë kanë filluar të bëjnë lidhjen midis: kushteve dhe trajtimit të të shkëlqyer të Sllobos në burgun e Shveningenit; mundësive të kontrollit të plotë shëndetësor të diktatorit serb, sidomos pas ankesave dhe kërkesave të përsëritura të tij për trajtim mjekësor të specializuar në Rusi; numrit të mjaftueshëm dhe aftësive të padiskutueshme të stafit mjekësor të burgut; dyshimeve për helmim të mundshëm, të hedhura nga avokati Tomanoviç, familja dhe vetë Sllobo; nevojave politike të segmenteve ultranacionaliste në Serbi, aleate të Millosheviçit, për ta përdorur "heroikën dhe martirizimin e pasvdekjes..." për qëllime politike të pushtet-marrjes në prag të zgjedhjes; nevojave politike për të neutralizuar dhe balancuar epërsinë e padiskutueshme të kundërshtarit të Sllobos, mitit të shqiptarëve Rugova, pas vdekjes; mundësisë së hakmarrjes nga kundërshtarët politikë në pushtet, ndaj të cilëve ai përdori atentate kriminale; simpative proserbe të hollandezëve, të cilat janë manifestuar vazhdimisht gjatë konfliktit në ish Jugosllavi, kur gjithmonë ushtarakët hollandezë "gjendeshin të lidhur" nga banditët e Mlladiçit, madje deri edhe gjatë masakrave të Srebrenicës, Zhepës e Gorazhdës, pas marrjes së tyre në dorëzim nga SFOR-i dhe këmbënguljes së reparteve hollandeze për t'u instaluar pikërisht pranë njësive paramilitare të serbëve të Bosnjës dhe ushtarëve të Mlladiçit, etj..
Gjithsesi, këto dyshime nuk shërbejnë për të vërtetuar asgjë, përderisa çdo gjë u mbulua nga diagnoza post-mortum e mjekëve dhe do të varroset përfundimisht nga balta e tokës serbe dhe mermeri i Panteonit të korifejve të Serbizmës. Dhe kjo sepse fati nuk deshi të bëhej me viktimat, as me kryegjakatarin, por ndoshta me pasuesit e tij që e përdorën dhe u përdorën prej dhe ultranacionalizmit të pandëshkuar serb.
KOSOVA
Grupi Negociator shqiptar në Vjenë, kundërshton ndarjen e pushtetit në Kosovë
Shala: Nuk do të ketë ndarje pushtetesh në tri nivele
"Nuk do të ketë rrafsh të tretë të ndarjes së pushtetit ndërmjet atij qëndror dhe lokal", u shprehën anëtarët e Grupit Negociator shqiptar pas takimit të Vjenës. Të gjithë anëtarët e Grupit Negociator kanë mohuar mundësinë që, në kuadër të reformimit të pushtetit lokal, të mund ketë strukturim të atillë që komunitetit serb do t'i mundësonte një pushtet të veçantë, mbi atë të komunave.
Presidenti i Kosovës z.Fatmir Sejdiu, vlerësoi se delegacioni i Kosovës ishte përgatitur shumë mirë. "Mund të them se të gjitha çështjet që janë temë e bisedimeve të Vjenës, janë të harmonizuara mirë dhe ekipi ynë, i udhëhequr nga z.Thaçi, ka konsensus të plotë në të gjitha aspektet", tha Sejdiu, duke mohuar mundësinë e presioneve të bashkësisë ndërkombëtare për çështje të caktuara.
"Kosova, - sipas Veton Surroit, - nuk mund të tolerojë krijimin e rrafshit të tretë në mes të pushtetit qendror dhe pushtetit lokal. Në Kosovë do të ekzistojë pushteti qendror, pushteti komunal".
Anëtari tjetër i delegacionit të Kosovës, Ylber Hysa, tha se pala serbe ka parashtruar platformën e saj të decentralizimit, por zoti Hysaj shtoi se pala serbe ka theksuar se nuk është as për ndarje as për kantonizim të Kosovës.
Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nën drejtimin e zëvendësnegociatorit për statusin e Kosovës, Albert Rohan, zhvilluan në Vjenë bisedimet rreth decentralizimit.
Pala shqiptare ka këmbëngulur tek plani i paraqitur prej saj për decentralizimin, duke u fokusuar tek çështjet që kanë të bëjnë me integrimin e pakicave dhe veçanërisht asaj serbe.
Në përfundim të takimit zoti Albert Rohan tha se takimi i rradhës do jetë në prill.
Bashkëpunëtori i parë i Ahtisarit, Albert Rohan ka deklarauar për mediat berlineze se pavarësia shtetërore është e domosdoshme për zhvillimin ekonomik të Kosovës. Ai ka theksuar se investitorët e huaj do të shkojnë atje vetëm pas përcaktimit të statusit ndërkombëtar. Njëherësh, Rohan ka shprehur bindjen se Kosova ka kapacitete ekonomike për pavarësi, sepse ka resurse të pasura të thëngjillit dhe mineraleve të tjera.
Blerim Shala, anëtar i delegacionit shqiptar, deklaroi se kësaj radhe është diskutuar në mënyrë më të detajuar për çështjet që ishin në axhendë, pra financimi i pushtetit lokal, bashkëpunimi midis komunave dhe bashkëpunimi rajonal. Por në dallim prej herës tjetër, kësaj radhe edhe pala serbe u përpoq të jetë më konkrete dhe në këtë konkretësi, mund t'ju them që ishte krejtësisht transparente në synimet e saj, që përmes reformës së pushtetit lokal, të arrijë qëllimet e veta, pra të krijojë entitetin e dytë në Kosovë, gjë që është krejtësisht e papranueshme, për fat, jo vetëm për delegacionin e Kosovës, por edhe për grupin e kontaktit dhe kryenegociatorin ndërkombëtar, zotin Ahtisaari.
Nuk mund të them që kemi pika që ramë dakord, por është e vërtetë që ne respektojmë shqetësimet legjitime të Beogradit, përsa i përket ardhmërisë së komunitetit serb, pas zgjidhjes së statusit. Por ashtu jemi të vetëdijshëm që komunat në Kosovë, mund të kenë një bashkëpunim intensiv për çështje që janë në interes të përbashkët e që janë pjesë përbërëse e kompetencave të tyre. Por perceptimi i fenomenit është thellësisht kontradiktor midis nesh dhe palës serbe: Pala serbe përpiqet që përmes reformës së pushtetit lokal, të arrijë që Beogradi të jetë drejtpërdrejt i lidhur me komunat me shumicë serbe dhe që komunat serbe të krijojnë një lloj entiteti të veçantë, që nuk do të ketë lidhje të mirëfilltë me pushtetin qendror të Kosovës.
Ne përpiqemi që përmes reformës së pushtetit lokal, të akomodojmë nevojat dhe shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë, por po ashtu të krijojmë edhe një tërësi funksionale në kuadër të pushtetit të Kosovës pas zgjidhjes së statusit. Edhe në këtë aspekt kemi përkrahjen e plotë të bashkësisë ndërkombëtare, të zyrës së Ahtisarit, sepse vetë zoti Rohan ka përsëritur që nuk dëshirojmë që në Kosovë të krijojmë një përbindësh administrativ, nuk dëshirojmë të përsërisim gabimet e Bosnjës, por dëshirojmë të kemi një pushtet që të funksionojë në të gjitha nivelet.
Tema e takimit të radhës, lidhet me vetë idenë e zotit Rohan dhe zyrës së Ahtisaarit, që të përgatisë një material në bazë të përvojës së deritashme, në të cilën do të mundohen të japin propozime konkrete për zgjidhjen e çështjeve të ngritura në takimet e datës 20 shkurt dhe 17 mars.
HORIZONT
Një vështrim mbi organizimin e Bashkimit Europian
Nga Gent Ulqini
Bashkimi Europian (BE) është një familje e vendeve europiane demokratike që janë angazhuar të punojnë së bashku për paqen dhe progresin. Nuk është një Shtet që paraqitet për të zëvendësuar Shtetet ekzistente, por është diçka më tepër në krahasim me organizatat ndërkombëtare. BE është në të vërtetë diçka e njësuar. Shtetet e tij anëtare kanë krijuar një seri institucionesh të përbashkëta të cilave i delegojnë një pjesë të sovranitetit të tyre, në mënyrë që vendimet mbi çështje specifike të interesit të përbashkët të mund të merren demokratikisht në nivel europian. Ky bashkim i sovraniteteve quhet edhe "integrim europian".
Historikisht, rrënjët e Bashkimit Europian zbresin në luftën e dytë botërore. Ideja e integrimit europian ka lindur për të prerë udhën që të mos ndodhin më asnjëherë masakra dhe shkatërrime. I pari që e propozoi, në fjalimin e 9 majit 1950, ka qënë ministri i punëve të jashtme franceze, Robert Shuman. Kjo datë, që mund të konsiderohet "ditëlindja" e BE së tanishme, festohet çdo vit si Festa e Europës.
*****
Institucionet e BE janë pesë dhe secili prej tyre zhvillon një rol specifik:
-Parlamenti Europian (i zgjedhur nga qytetarët e Shteteve anëtare);
-Këshilli i Bashkimit Europian (që përfaqëson qeveritë e Shteteve anëtare);
-Komisioni Europian (forcë lëvizëse dhe organ ekzekutiv);
-Gjykata e drejtësisë (që garanton përputhshmërinë me të drejtën);
-Gjykata e llogarive (që verifikon administrimin e shëndetshëm dhe të drejtë të bilancit të Bashkimit Europian).
*****
Këto institucione mbështeten nga pesë organe të tjera të rëndësishme:
-Komiteti ekonomik dhe social europian (që është zëdhënës i opinioneve të shoqërisë civile të organizuar mbi çështje ekonomike dhe sociale);
-Komiteti i rajoneve (që është zëdhënës i opinioneve të enteve rajonale dhe lokale);
-Banka qendrore europiane (që është përgjegjës i politikës monetare dhe i administrimit të euros);
-Mediatori europian (që trajton denoncimet e paraqitura nga qytetarë kundër rasteve të administrimit të keq në veprimin e një institucioni apo të një organi të Bashkimit Europian);
-Banka europiane për investimet (që kontribuon në arritjen e objektivave të Bashkimit Europian me anë të financimit të projekteve të investimeve).
Plotësojnë sistemin një varg agjensish dhe organesh të tjera.
*****
Shteti i së drejtës është një koncept themelor për Bashkimin Europian. Të gjitha vendimet dhe procedurat e BE bazohen mbi traktatet që janë miratuar nga të gjitha vendet e BE.
Fillimisht, BE ngrihej në vetëm gjashtë vende: Belgjika, Gjermania, Franca, Italia, Luksemburgu, Vendet e Ulta. Danimarka, Irlanda dhe Mbretëria e Bashkuar kanë aderuar në vitin 1973, Greqia në vitin 1981, Spanja dhe Portugalia në vitin 1986, Austria, Finlanda dhe Suedia në vitin 1995. Në vitin 2004 ka ndodhur zgjerimi më i madh i realizuar ndonjëherë me pranimin e dhjetë vendeve të reja.
Në vitet e para, pjesa më e madhe e bashkëpunimit mes vendeve të BE i përkiste tregëtisë dhe ekonomisë, por tashmë BE merret me shumë çështje të tjera të rëndësisë parësore për jetën tonë të përditshme si të drejtat e qytetarëve, lirive, sigurisë dhe drejtësisë; krijimi i vendeve të punës; zhvillimi rajonal; mbrojtja e mjedisit; një globalizim në shërbim të të gjithëve.
Bashkimi Europian ka siguruar gjysëm shekulli stabilitet, paqe dhe përparim. Ka kontribuar për të përmirësuar nivelin e jetesës, për të ndërtuar një treg të përbashkët europian, ka futur një monedhë të përbashkët europiane, euro, dhe ka konsoliduar zërin e Europës në botë.
Njësia në diversitet: Europa është një kontinent me shumë tradita dhe gjuhë të ndryshme, por bashkëndan edhe një trashëgimi vlerash të përbashkëta për tu ruajtur. Ajo i jep shtysë bashkëpunimit mes popujve të Europës, duke promovuar njësinë në krahasim me diversitetin dhe duke garantuar që vendimet të merren sa më shumë të jetë e mundur në kontakt me qytetarët.
Në botën e shekullit XXI, të karakterizuar nga një ndërvarësi më e madhe, do të bëhet përherë e më e domosdoshme që secili qytetar europian të kooperojë me popujt e vendeve të tjerë në një frymë kureshtie, tolerance dhe solidariteti.
___________________________
10 Mars 2006
___________________________
Legalistët përshëndesin formimin e qeverisë së re të kryeministrit Agim Çeku
Kabineti Çeku, me kredenciale të forta perëndimore
Kryeministri Agim Çeku përfaqëson denjësisht e maksimalisht interesat e shqiptarëve dhe do të justifikojë kredencialet e shkëlqyera, të cilat i konfirmuan ditët e fundit, edhe personalitete politike nga më të spikaturat e kancelerive perëndimore.
Editorial
Fushëbetejat e braktisura të pushtetit vendor
Nga Murat BASHA
Pavarësisht kanalizimit të luftës politike drejt strategjive zgjedhore, në kuadër të shndërrimit të partive konkurrente në formacione elektorale, kurrë nuk kam menduar se arritja e këtij qëllimi mund të anashkalojë e injorojë interesat e qytetarëve të përfaqësuar nga këshilltarët vendorë. Dhe kjo bindje më përforcohet akoma më shumë, në prag të zgjedhjeve të reja për pushtetin vendor.
Ndaj dhe kam menduar se partitë politike përzgjedhin si këshilltarë drejtuesit e tyre më të aftë e të përkushtuar, për t'i shndërruar këshillat e njësive vendore në parlamente të mirëfillta, duke iu larguar kësisoj filozofisë së dikurshme të "pushtetit të sovjetëve të popullit", të cilën e trashëguam nga koha e qoftëlargut. Por fatkeqësisht gabova, teksa pandeha se parrulla "gjithçka në funksion të pushtetit të sovjetëve", ishte fiksuar dhe ka mbetur si moto e majtistëve në këshillin bashkiak të kryeqytetit, filozofi e cila as denjohet të kundërshtohet nga këshilltarët e djathtë, qoftë edhe verbalisht.
Mendova se të djathtët do të dërgonin në këshillat bashkiakë të kryeqytetit, bash skifterët e luftës politike dhe përfaqësuesit politikë që nuk mundën të bëhen deputetë, por që do të dëshmonin stoicizëm dhe përkushtim gjatë luftës në këtë front ku mpleksen kaq fuqishëm interesat e zgjedhësve dhe filozofitë e qeverisjes, për të bërë diferencën dhe justifikuar besimin e elektoratit.
Kjo ishte edhe arsyeja që më shtyu të besoj se të djathtët kanë përzgjedhur si këshilltarë figurat ndër më të fuqishme politike dhe me vizionin më të spikatur, çka shpesh më shtyu të kërkoj ndërthurjen e skemave dhe qëndrimeve politike, çka fatkeqësisht kurrë nuk u arrit, pasi asnjëherë nuk pashë qartësi dhe vendosmëri për të përballur aventurizmin e Edvin Ramës, ndonëse ky kundrohej si objektivi kryesor i diskretitimit të së Majtës në pushtet, që edhe pushtetin vendor e shndërroi në pushtet sovjetësh e sovjetikësh, bash në kapërcyell të shekullit XXI.
Papërgjegjshmëria e Edvin Ramës dhe poshtërimi prej tij i interesave të bashkëqytetarëve, ka qenë ku e ku më barbare dhe rrënuese se drejtimi i babaxhanit naiv Xhemal Tafaj, i cili bëhej copë për Tiranën, për të cilën nëse do të kishte afro 700 milionë eurot që ka shpenzuar Edvin Rama gjatë 6 vjetëve të pushtetit të tij, do të bënte mrekullira dhe do të ndërtonte një Tiranë të tërë.
Po çfarë bënë këshilltarët e djathtë për t'i thënë ndal marroqit që kërcen në pupitër dhe para kamerave, apo që zihet me kameramanët kur mban fjalime me bejte e gjepura? Fatkeqësisht, asgjë nuk bënë... Sepse kurrë nuk ndërtuan një platformë pune të përbashkët të prioriteteve të kryeqytetit dhe fondeve që do të duheshin për realizimin e tyre.
Sepse kurrë nuk menduan t'i kundërvënë rrumpallës ramisto-ramiziste, pa masterplane urbanistike dhe logjikë ekonomike e zhvillimi, plane të detajuara, që do të dëshmonin supremacinë e qeverisjes të të djathtëve, në funksion të rikthimit në pushtet dhe efikasitetit të menaxhimit të lumit të parave të vjela nga taksapaguesit kryeqytetas. Sepse kurrë nuk menduan t'i thonë ndal asgjësimit të sipërfaqeve të gjelbërta nga kryeshkatërruesi i qytetit dhe grabitja e pronave të qytetarëve në funksion të Mafia-s multimiliardare të ndërtimit, sekseri i të cilës ishte Blendi Gonxhe, që këtë rol e ka luajtur edhe në ideimin e "Planit francez" për qendrën e Tiranës.
Dhe kjo luftë politike në këshillin bashkiak, para kamerave, duhej të ishte ku e ku më e ashpër sesa lufta e sabotuar nga kartonat e maxhorancës socialiste në Kuvend, për të dëshmuar faktin se socialistët janë banditët që e shkatërruan kryeqytetin dhe që na shesin për mrekullira investimet që dikur i mbulonte një ndërmarrje rrugësh me punëtorë të bronjuar (gjysëm-invalidë) dhe Xhemali i përndershëm, që nuk kish në dispozicion as 10 % të fondeve aktuale të Edvin Ramës.
Askush nuk denjoi të pyeste ekspertin Arben Meçe të opozitës për mendime e konsulencë konkrete lidhur me shpenzimet marramendëse të Edvin Ramës për, fjala vjen, shtesën e Bashkisë, apo rrugë aspak prioritare, të cilat janë bërë me disafishin e kostos reale të ndërtimit. Askush nuk e ngriti zërin për grabitjen e sipërfaqes së gjelbër publike në mes të Parkut Rinia, (ku projekti u shkel me të dyja këmbët dhe grabitja u legalizua me një shifër qesharake për njësi të sipërfaqes së uzurpuar, shifër që nuk ta pranojnë as pronarët e Momlit dhe Farkës. Përkundrazi, sipas formulës së "unitetit të çelniktë në veprim", këshilltarët e të dyja palëve nxituan të firmosin "faktin e kryer", teksa mafiozët përfituan si në mall të babait.
Askush nuk foli, asnjëherë, për tejkalimin skandaloz të afateve të punimeve nëpër rrugët-ferr të Tiranës, apo për mungesën e projekteve të mirëfillta të investimeve, teksa, përshembull, "rrugët e reja" janë prishur nga katër herë, për gjoja hapjen e kanalizimeve për "vendosjen e kabllove...", apo "tubacioneve të kolektorëve", gjë e cila duhej bërë njëherë e mirë, nëse do të kishte projekte të mirëfillta.
Po çfarë ka ndodhur me Tiranën tonë? Ajo është bërë plotësisht e pabanueshme, e padurueshme për zhurmat, ndotjen, tejkalimin e normave të popullimit, ngushtimin e trotuarëve dhe hapësirave midis ndërtimeve, deri edhe në zënie drite e dritaresh.
Po përse duhet t'i besojmë gjepurave të Edvinit për gjoja normim dhe zbatim rigoroz të koefiçientit prej 40 % të sipërfaqeve-troje të ndërtimit, teksa ai në Tiranën e Re ka miratuar ndërtime me koefiçient gati 100 % të shfrytëzimit të sipërfaqes, sikundër në rastin e 13 katëshit të ngritur në sheshin ku dikur ka qenë ambasada kroate, e për të cilin, kur bllokoi punimet, thirri me pompozitet mediat e lakejve, me pretekstin se vendimi i tij bazohej në faktin se firma "abuzuese" synon të zërë plotësisht "dritën e banesave të pallatit fqinjë...".
Ku shkoi ngrefosja e Edvinit për gjoja rregullimin shembullor të rrugës dhe trotuareve të rrugës "Myslym Shyri", ku asfalti u shkatërrua mbi 4 herë, ndërsa pllakat e trotuareve janë shndërruar në çarqe për ujqër e dhelpra, teksa kalimtarët thyejnë qafën!
Po përse vallë, qeveria Berisha e ka penguar Edvinin t'i hedhë një dorë asfalt segmenteve të unazës nga rruga "Bardhyl" e deri tek stacioni i trenit, rrugë që janë më zi se rrugët e Mosulit dhe Kabulit!
Jo! Edvini shin lëmën se nuk ka opozitë në Bashki dhe qeveri që ta "zërë lepurin me qerre", për t'ia kursyer ngrefosjet para kamerave si të atyre marroqëve të Piaca Venecias, apo shesheve të Mynihut e Berlinit.
Unë nuk ia dëshiroj Bënçën dhe qethjen time, por do t'i uroja me gjithë shpirt largimin nga ekranet dhe jeta jonë politike, të cilën e ka bërë të padurueshme qoftë me dërr-dërret e gër-mërret, qoftë edhe me ndërsimet e teneqexhinjve, daullexhinjve dhe borizanëve në sallën e parlamentit, ku ka angazhuar, në opozitën më skandaloze, bash trashëgimtarët e zanatçinjve, që dikur na kallaisnin enët, që bënin tellalin, apo burizanët e çetave partizane, që mblidhnin "ejani këtu, këtu, bashkë me ne", teveqelët që lanë gërrabat e barinjve, e që më pas u shndërruan në kriminelë që dogjën e vranë, ngaqë "tokën e zezë kishin për shtrojë / qiellin e lartë kishin mbulojë...".
Por në fund të fundit, do të dëshiroja një efikasitet dhe impenjim maksimal të këshilltarëve të djathtë të bashkisë së kryeqytetit deri në zgjedhje, me qëllim që ato të fitohen nga e djathta, që ka shansin të riparojë efektet shkatërrimtare mbi kryeqytetin dhe të dëshmojë meritën e qeverisjes vendore, që përveç interesave korruptive, po përdoret politikisht për të sabotuar projektet e qeverisë aktuale për një zhvillimin harmonik urbanistik e arkitekturor të qyteteve tona dhe qendrave të banimit që janë shfytyruar nga sharlatanizmi dhe makutëria. Prandaj nuk mund ta toleroj dhe nuk kam si ta shpjegoj mungesën e këshilltarëve të djathtë (çuditërisht 100 %), në mbledhjen e fundit të këshillit bashkiak për shqyrtimin e buxhetit të këtij viti, sepse e konsideroj atë si braktisje pa motiv dhe logjikë, të fushëbetejës politike...
I bindur se qytetërimin bashkëkohor mbarëbotëror e ka ndërtuar e Djathta, dhe jo e Majta, më lind e drejta të ëndërroj dhe pretendoj për vazhdimin e këtij misioni të saj edhe pas fitores së zgjedhjeve të ardhshme
vendore.
KRYESORE
PLL uron drejtuesit e rinj të Kosovës
PARTIA LEVIZJA LEGALITETIT
DEPARTAMENTI INFORMACIONIT
Tiranë, më 11 mars 2006
Njoftim për mediat
Kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu, në emër të legalistëve, përmes telegrameve të veçanta uroi dje drejtuesit më të rinj të Kosovës, përkatësisht kryetarin e Kuvendit z.Kolë Berisha dhe kryeministrin z.Agim Çeku.
Në telegrame, krahas konsideratave më të larta dhe urimeve vëllazërore, shprehet bindja dhe siguria se gjatë mandatit të tyre, Kosova do të shënojë hapa të rëndësishëm përpara në drejtim të stabilitetit politik, përparimit demokratik dhe ekonomik dhe përmbushjes së standardeve të larta që ajo i ka caktuar vetes, për të kulmuar me pavarësinë e saj, që është një proces i pakthyeshëm dhe ngjarje shumë e afërt.
Z.Spahiu i siguroi dy drejtuesit e lartë për mbështetjen e plotë dhe solidaritetin vëllazëror, që si deri më sot, ai dhe Partia "Lëvizja e Legalitetit", do t'ia ofrojnë pa rezerva gjithë klasës politike shqiptare në Kosovë.
Zëdhënësi i shtypit i PLL
Legalistët përshëndesin formimin e qeverisë së re të kryeministrit Agim Çeku
Kabineti Çeku, me kredenciale të forta perëndimore
Kryeministri Agim Çeku përfaqëson denjësisht e maksimalisht interesat e shqiptarëve dhe do të justifikojë kredencialet e shkëlqyera, të cilat i konfirmuan ditët e fundit, edhe personalitete politike nga më të spikaturat e kancelerive perëndimore.
Nga Astrit KOLA
Mesazhet që vijnë nga Prishtina
Angazhimi i mirëfilltë politik i gjeneral Agim Çekut dhe ngarkimi i tij me detyrën e krijimit të qeverisë së re të Kosovës, është një simbolikë pastërtisht e qartë e Perëndimit për vlerësimin e liderëve të UÇK si partnerë të denjë e luajalë politikë dhe qeverisës në Kosovën e planifikuar si shtet i pavarur brenda këtij viti.
Kjo simbolikë është rikonfirmim i së njëjtës mendësi perëndimore, që inkurajoi angazhimin dhe silurimin politik të ish kryeministrit Haradinaj, si një ndër herojtë dhe komandantët më të shquar të UÇK dhe luftës çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës shqiptare.
Eshtë pikërisht dora perëndimore ajo që determinoi vendimin më të fundit të Tribunalit të Hagës për lejimin e shumëpritur të z.Haradinaj për t'u rikthyer në skenën politike. Simbolikat e njëpasnjëshme të ditëve të fundit në Prishtinë, janë afirmim indirekt i mesazhit perëndimor për Beogradin zyrtar, se tashmë, nëse serbët do të tentojnë një ndërhyrje ushtarake në Kosovë, do të marrin përgjigje adekuate nga qeveritarë ish-ushtarakë, me të cilët ata u përballën ushtarakisht gjatë konfliktit të përgjakshëm të vitit 1999, e me të cilët NATO bashkëpunoi në terren për zbatimin e planit të bombardimeve dhe futjes së trupave.
Ndërsa mesazhi i brendshëm i emërimit të gjeneral Çekut, në adresë të popullit të Kosovës, është krijimi dhe konsolidimi i besimit se fatet e tyre tashmë janë në duart e heronjve që luftuan, e që i firmosën me gjak provat e besnikërisë ndaj kauzës së shqiptarizmës.
Marrëdhëniet e përmirësuara dukshëm midis z.Rugova dhe gjeneral Çekut, gjatë vitit të fundit, kanë shërbyer si kartë garancie për gjeneralin-kryeministër, në vazhdën e precedentit Haradinaj, karriera e të cilit u ndërpre dhunshëm nga segmente proserbe të bashkësisë ndërkombëtare, në shenjë hakmarrjeje.
Duke u nisur nga persistenca dhe kokëfortësia e këtyre segment-faktorëve në gjirin e perëndimorëve, nuk do të habiteshim nëse, një ditë të bukur, teto Karla e njohur për alergjinë ndaj shqiptarëve, të dërgojë në zyrën kryeministrore të z.Çeku, të njëjtën akt-akuzë të formuluar në Beograd, që dikur ia adresoi z.Hradinaj bash në pikun e punës për përgatitjen e negociatave për pavarësimin, në vazhdën e skemës antishqiptare të njollosjes me damkën e "kriminelit të luftës...", të heronjve të UÇK-së.
Rikthimi në skenën politike i z.Haradinaj dhe pranimi i njëzëshëm i z.Çeku në postin më të lartë ekzekutiv të Kosovës, nga mbarë klasa politike kosovare dhe populli, dëshmon rrokjen e mesazheve të miqve perëndimorë dhe besimin e merituar ndaj figurave qendrore që u shndërruan në simbole të ardhmërisë politike.
Miratimi nga parlamenti i Kosovës, i kryeministrit Çeku, ndërkohë që në përbërje të të cilit janë edhe 12 deputetëve serbë, dhe teksa Ratko Mlladiç kërkohet me ngulm për t'u dorëzuar në Hagë, flet për qendrimin kontrastues të Perëndimit, që kryeluftëtarin e kauzës shqiptare e pranon për partner politik, ndërsa antipodin serb të tij, e ka shpallur në kërkim për ta dënuar për "krime lufte dhe krime genocidale kundër njerëzimit".
Tashmë, me lëvizjet e fundit politike në Prishtinë, segmentet proshqiptare të Perëndimit euro-atlantik, po rrisin konvencion-elementët e sigurisë, bash në pikun e kristalizimit të lëvizjeve dhe tezave të modifikuara e të reja politike, që do të rishtrohen, tashmë të pasuruara e riformatuara, në tryezat negociuese shqiptaro-serbe të Vjenës.
Pikërisht për këtë arsye, lëvizjet e fundit politike në Prishtinë, po rrisin besimin e mbarë shqiptarëve për rikonfigurime politike që do ta konsolidojnë lidershipin politik shqiptar në kushtet kur, më shumë se kurrë, rezultatet bëhen produkt i ekipeve cilësore politiko-qeverisëse, të cilët, përveç vlerave që bartin, gëzojnë edhe mbështetjen e padiskutueshme të aleatëve tanë strategjikë. Nga ky fakt buron edhe bindja se z.Çeku do të dijë të përfaqësojë denjësisht e maksimalisht interesat e shqiptarëve dhe do të justifikojë kredencialet e shkëlqyera, të cilat i konfirmuan ditët e fundit, edhe personalitete politike nga më të spikaturat e kancelerive perëndimore.
Ngjarje dhe komente
"Kolona e të pestëve" në mazhorancë tenton zgjerim
Nga Zamir Gjurgji
Pas rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme të 3 korrikut, në një kohë kur kreu aktual i qeverisë z.Berisha tentoi ta shtrinte koalicionin e tij më tej se "qendra e djathtë" me PAA-në e Xhuvelit, politikani më refraktar ndaj aderimit të agraristëve në Qeveri rezultoi kreu i PDK-së, Nikollë Lesi. Për një kohë të stërgjatë, ai përdori gjithë arsenalin e tij politik e mediatik anti-xhuvelist në "K.J." e më gjerë.
Nëse do të kishte kush të drejtë të kritikonte PD-në pse ishte zgjeruar nga e majta, Lesi jo vetëm që duhej të ishte i fundit për të ngritur zërin, por i pari që duhej të ulte kokën. PDK-Lesi, ishte e vetmja Parti që kryetarin e saj, Nikollë Lesi dora vetë, e futi në Parlament si aleat i socialistëve, duke dhunuar hapur mandatin e deputetit demokrat të Lezhës, z.Llesh Kola (mos harrojmë se z.Lesi i dha dorën dhe i uroi njëherë fitoren kundërpartit të vet në fund të raundit të parë!).
Nga mënyra si është kompozuar mazhoranca parlamentare (pa përfshirjen e 4 deputetëve të Xhuvelit), numri prej 75 deputetëve i kësaj mazhorance, është një bombë me telekomandë, pasi 5 prej këtyre deputetëve u përkasin dy prej partive që kanë interesa të drejtpërdrejta në dobi të faktorëve dhe lobingjeve jashtë Shqipërisë, e në konflikt interesi me të ardhmen e shqiptarëve.
Kësisoj, formula e "70 deputetëve të mazhorancës", e artikuluar në fillim-korrik të vitit të shkuar nga Gramoz Ruci dhe e afishuar sëfundmi në parlament prej Taulant Ballës, ishte një "formulë" që mund të gjente zbatim në çdo kohë që Shqipëria do orvatej të hidhte një hap para, në dobi të interesave të saj kombëtare.
Mjaftoi kriza energjitike (ende e patejkaluar), që Greqia të përfitonte "mbylljen e Çështjes Çame dhe hapjen në Himarë të shkollës greke", ndërsa nënshkrimi i MSA-së i rivuri në funksion të plotë levat lesisto-duliste, duke gjetur si sebep i mocionin anti-Topalli. (Kur parlamenti "digjej" nga histerizmat socialiste, Dule kërkonte "të krihej" për 14-vjetorin e të qenit dhëndër në politikë, ndërsa vetë Lesi kërkonte që në këto çaste, Dules t'i çohej "krehëri" në sallën e Hotelit).
Sakaq, në kohën e mocionit anti-Topalli, Kosova ishte në prag të riformatimit të saj politik pas vdekjes së Presidentit Rugova dhe në prag të përcaktimit të statusit të saj të pavarësisë.
E pikërisht në këtë kohë, opozita tregishtore socialiste gjeti rastin "të bënte numra" me të dhënat e tabelës elektronike, për ta çuar parlamentin shqiptar në një impas politik. Ajo bëri atë që pritej, asgjë më shumë se ç'ka bërë në 29 nëntor 1994 - festa e përbashkët me serbët; përgjatë viteve të pushtetit anti-kombëtar enverist; më 2 korrik 1990 - destabilizimi i vendit me hapjen e ambasadave, në kohën kur në Prishtinë vulosej "Republika e Kosovës"; në mars 1997 - destabilizoi tregishtorisht vendin, në një kohë kur Kosova ishte gati të përballej me "makinën ushtarake milloshevi[iane", etj..
Por, opozita nuk mund të bënte asgjë më shumë se kaq, nëse nuk ishte në aleancë të pazgjidhshme me Lesin, Gjinin, Dulen, Peçin e Solisin.
"Kolona e të pestëve" do të kishte funksionuar "si sahat", nëse xhuvelistët nuk do t'ia kishin prishur pa dashur planin. Kjo kolonë duhet, tashmë, të jetë e shtuar deri në atë masë sa të zhvleftësohen xhuvelistët. E për të modifikuar disi skemën e vjetër, duhej të futej në lojë "njeriu i dosjeve të zeza", z.Theodhori Sollaku. Në këtë mënyrë, "peshku i parë" Nard Ndoka, ra në rrjetë, ndërsa peshqit e tjerë, edhe sikur të lëvizin si ngjala, vështirë se mund të mos bien në rrjetën e Sollakut. Për më tepër, kjo skemë bëhet më e bindshme për t'u realizuar, kur sheh se me ç'guxim të çartur i drejtohet kreu i social-komunistëve Gramoz Ruci, njërit prej maxhorancistëve centristë: "o illi, ulu illi, o illi ponja, ulu"... dhe personi në fjalë ulet e s'bëzan, e për të mos harruar se cilin preferonte nga maxhorancistët Dule për kryeministër, kur shpallte përkrahjen e tij për "duart e pastra"?! Mjafton edhe kaq, për të mbërritur te 70-ta e aq shumë dëshiruar nga antishqiptarët e të dyja krahëve të politikës, nëpërmjet "kutisë së fshehtë", e cila për "aeroplanin" e qeverisë Berisha, do të funksiononte si "kuti e zezë".
Kjo katrahurë e opozitarëve me (o)pozitarët, nuk do të kishte dhënë të tilla pasoja, nëse në vend të pesëshes së parlamentarëve të PBDNJ-PDK, do të kishin zënë vendin e tyre të merituar "një pesëshe legalisto-balliste", e cila edhepse ka një rezultat më shumë se 5% të inflacionuar , të njohur nga KQZ - respektivisht 3.5% dhe 1.7% - , rri e vëshron (edhe pse reagon fort jashtë parlamentit) se si të klonuarit maxhorancistë lesistë e dulistë, i bëjnë amen Drashkoviçit dhe Karamanlisit, duke nëpërkëmbur hapur interesat e maxhorancës kombëtare!!!
Ku po rrezikon kabineti Berisha
Nga Gjergj THANASI
Porti i Durrësit
"ZP"-ja e 10 marsit 2006 ngrinte alarmin për Portin e Durrësit si port droge, me pesë ditë vonesë krahasur me gazetën "Atdheu". Pas pilafit, pra, pas ardhjes së guvernatorit Ridge. Pas problemeve që ai ngriti me Ekzekutivin shqiptar. Vërtet është për të ardhur keq që, në thelb, Porti i Durrësit vazhdon të mbetet problematik, në të njëjtën shkallë sa ç'ishte kur në të sundonin klanet e "Zemunit", apo të "Çepanit".
Do analizojmë rastet e fundit: Lumi i drogës nuk është prodhim i ministrit Olldashi. Ai buron nga ambiente socialiste, ndonëse mënyra e organizimit, mjetet e përdorura për transport, ambalazhimi kualitativ, tregojnë se "reforma Olldashi" nuk e ka ridimensionuar sadopak krimin e organizuar me stampë-mafioze, të finalizuar në trafikun internacional të substancave psikotrope.
Kalimi tragjik i tre shqiptarëve të mjerë nga FYROM-i, është alarmant jo sepse vdiqën tre shqiptarë duke kaluar kufijtë. Vdekja e shqiptarëve në kufij nuk përbën më lajm, është diçka rutinë. Por, në botën e pas 11 Shtatorit, kalimi klandestin i tre njerëzve me mjet motorrik me rrota, brenda mureve të kështjellës Europë, është kambanë alarmi jo vetëm për pasigurinë e portit të Durrësit, por edhe për atë të Barit.
Në këtë botë globale, aleati i djathtë spanjoll i amerikanëve, Aznar, ra nga pushteti vetëm me disa bomba të shpërthyera në kohën dhe vendin e duhur, pikërisht më 11 Mars. Po aleati Berluskon, nëse bie, a do të çojë në largimin e ushtarëve italianë nga Nasiria, ashtu si aleati Aznar?!
Me sa dimë, në Itali së shpejti do të ketë zgjedhje. Durrësi i Shqipërisë, për Romën e Italisë, është si Çekuta e Marokut për Madridin e Spanjës.
Kështu lexohet gjeopolitika e mungesës së sigurisë së një Porti modest si ai i Durrësit, që kontribuoi fuqimisht për shkaqet e mësipërme, më theqafjen e kryeministrit Nano.
AMBO-Gazprom
Njëherë e një kohë, ishim fener ndriçues i socializmit dhe trajnonim terroristë për të katër anët e botës. Nga Ekuadori, e deri tek palestinezët e Xhorxh Abashit. Nga xhunglat e Katanagës, tek terroristët anti-Huan Karlos.
Sot jemi bërë bishtuk-ndriçues i ekonomisë së tregut dhe u japim mend shumëkombësheve amerikane, se ku t'i kalojnë damarët e energjisë së ekonomisë globale!!! Zoti i ruajtë shqiptarët si komb, nëqoftëse mençurinë e Rugovës e zëvendësojnë me Mosadekë iranianë, mendjelehtë, që maten me hijen e mëngjesit.
Zoti na ruajtë! Kjo rrugë na e nxjerr profet edhe Majko-tunelin nën Adriatik, hajdutin e skrapeve të tankeve! Arbër Xhaferri bëri paralajmërimin më të qartë dhe kategorik të mundshëm. Njëlloj si në kohën e Mosadekut, ku amerikanët gjetën një gjeneral Zarif për ta korrigjuar katastrofën energjitike. Edhe sot, ndonjë ndihmës atashe-tregtar, mund të gjejë ndonjë gjeneral nga Malindi, për të normalizuar gjendjen nga Mosadekët e ekzaltuar. Agip-i nuk e shpëtoi të ndjerin...
Gazpromi i Rusisë tradicionale anti-shqiptare, nuk mund të shërbejë si salvaxhente në vitin 2006. Edhe sikur Ambo-ja të na e ndotë ndopak Vlorën, ia vlen blerja e dashamirësisë amerikane me këtë çmim. Fundi-fundit, Vlora e shokëve Hysni, Manush, Hito, Kadri (&company), pagoi çmimin ekologjik të PVC-së me ndotje zhive, për "miqësinë e pathyeshme shqiptaro-kineze".
Qeveritarët tanë, veçanërisht njerëz të mençur si z.Ruli, e dinë se Aspro Pyrgos-i, Motor-Oil s.a. e Korinthit dhe Gazpromi, nuk e fitojnë duelin me AMBO-n, Hullyburton-in dhe Brovvn&Roots-in, pas të cilave është vetë superfuqia amerikane. Vërtet socialistët e qelbën me pisllëqet, përfshirë edhe materialet strategjike, por a nuk ishin ish-komunistët shqiptarë, që u bënë interlokutorë të zonjushës Lino në vitin 1996?
Zot ruaje Shqipërinë nga një përsëritje e '96-'97-ës, ku vëllezërit tanë socialistë do ta ridjegin atdheun, për të marrë pushtetin që kanë një gjashtë-mujor që u mungon pjesërisht.
Shkolla greke në Himarë
M'u bë qejfi shumë që po hapet një shkollë e re në Shqipëri. Zv.ministri grek, njëlloj si i ndjeri zv.ministri Kranidiotis, hyri e doli në Shqipëri, inaguroi katër mure të rikonstruktuara, pa leje të organeve kompetente shqiptare. Shkeli me të dyja këmbët himnin, flamurin dhe simbolikën kombëtare të një vendi fqinj e "mik" si Shqipëria, në emër të "miqësisë shqiptaro-greke", dhe të "integrimit" shqiptar në Europë.
Integrim të cilin e theksoi me elokuencë edhe zv.ministri shqiptar Gajo, që besoj se do të qëndrojë gjatë në politikën shqiptare, fat që nuk ma do mendja se do ta gëzojë zv.ministri Bojaxhiu. Sa mirë do të ishte që të shtoheshin shkollat në Himarë dhe në tërë fshatrat e Bregut (bregdetit jonian të Shqipërisë). Fjala vjen, zv.ministri Halit Shamata mund të inaguronte një kolegj të tipit "Turgut Ozal" në Pilur, ndërsa Arenca Troshani të inaguronte, në kuadër të integrimit europian, ndonjë shkollë italiane të tipit Vinçenc Prenushi, në Himarën qytet, bri për bri me shkollën greke në Himarë-katund.
Pra tradita e shkollës greke, jo për mdonjë gjë, është më pak e hershme sesa lidhja tradicionale e Himarës me Mbretërinë e Napolit, përfshirë këtu edhe regjimentin Real Macedonia, mbushur plot e përplot me himariotë. Një veprim i tillë do t'i shërbente integrimit në BE, në NATO, e kështu me radhë...
DOSSIER
Ju rrëfej të vërtetën e llahtarshme të rebelimit 1997 (2)
Komiteti i Vlorës, listë me 111 emra për t'u ekzekutuar
Nga Kostandin KOLIQI
(Vijon nga numri i kaluar)
Prapë kjo opozitë!
Agresiviteti i opozitës së majtë në parlament dhe media, po shtohet dita-ditës. Në krye janë vënë sërish ata, më "trimat e '97-ës", organizatorët dhe udhëheqësit e rebelimit në Vlorë dhe Jug të vendit, si Gramoz Ruçi, Skënder Gjinushi, Sabit Brokaj, Stefan Çipa, etj.. Për rastësi, mungojnë Arben Malaj, Luiza Hoxha, Rexhep Meidani..., mungojnë edhe Gjolekë Malaj, Zani Gjinçaushi, Xhevat Koçia, Ridvan Peshkëpia, Qatip Alia, etj., por me zemër janë aty, në Vlorë... dhe në parlament.
Mbi të gjithë shquhet i kudondodhuri Pandeli, i cili guxoi t'i kujtonte me arrogancë kryeministrit Berisha, 9 Marsin e '97-ës, por harroi t'u tregonte gazetarëve dhe shqiptarëve se ishte pikërisht ish Presidenti Berisha, që i kish kthyer taborret e enveristëve rebelë nga aeroporti i Rinasit, për të negociuar për paqtim...
Tani, deputetë-kallashnikvsave, u kanë vjedhur jo "paratë" e fajdeve, por "kutinë e fshehtë dhe votën e lirë në parlamentin tempull të demokracisë...". Pra kurdoherë gjendet sepebi, për ta përdorur për të marrë pushtetin, sa kohë që shtetin e kanë pothuajse plotësisht në dorë.
Natyrisht që tamburashët shqiptarë dhe sazexhinjtë-pjestarë të minoriteteve në Kuvend, nën shembullin e serb-fshatarëve të Shumadisë dhe kryengritjes serbofile të Vlorës, (dështuar në vitin 1932, e triumfuese në vitin 1997), jo vetëm që kanë bërë gati tregishtorin-konvencion, por edhe banditë-skafistët e vlonjatë, tashmë me skafe të lidhura në breg dhe drogë të mbetur stok.
Ata po e përgatisin rebelimin, jo më me pretekst paratë e fajdeve me kryeqendër qytetin që i polli dhe i përdori ato, por me sebep bash "fatet ekologjike të kryeqytetit shqiptar të Jugut...".
Gati për ndihmë kanë edhe niko-kolilë-himariotët e Vasil Boleqënit, vorio-epirotët e Harallamb Karathanos, me bajrakë-flamujt grekë të Aleks Andonit dhe hordhitë e Stefan Çipës, të cilit para 8 vjetësh Himara shqiptare i ngriti këngën "Qani motra, nëna qani / na i shoi djemtë Stefani / Stefan Çipë pilurioti / hakën të ta marrtë Zoti...".
Po përse Zoti!!??
Astrit Kola
(Vijon nga numri i kaluar)
Në rreshtin e parë shikoja disa gra të veshura me të zeza, në krye të të cilave qëndronte Luiza Hoxha, (disa muaj më vonë deputete e PS për Vlorën), e shoqëruar nga gratë e familjes Brokaj, që bënin shenja të turpshme duke mbledhur dorën dhe duke lënë të lirë gishtin e mesit. Edhe kjo shenjë e huazuar nga jashtë vendit, e ngjashme me simbolin serb të tre gishtave, që për herë të parë ia pashë Skënder Gjinushit, pastaj të tjerëve që e shoqëronin, apo atyre që erdhën më pas në Vlorë, në kryesim të rebelimit.
U habita nga kjo shenjë-sharje, sepse ne shqiptarët, shenjën e sharjes e bëjmë ndryshe.
Kur erdhi koha që turma të lëvizte nga sheshi të Prefektura, Skënder Gjinushi dhe të tjerë politikanë, dolën në krye të turmës. Ata bërtisnin "Duam paratë tona". Pjesa dërmuese e turmës vetëm sa i shoqëronte.
Më datë 13 shkurt filloi djegia e gomave të makinave nëpër rrugë dhe ngritja e barrikadave me makina të prishura dhe mjete të tjera. Qytetarët vlonjatë filluan të rralloheshin.
Më datë 15 shkurt fillojnë kërcënimet me letra poshtë derës dhe vendosja e gjobave ndaj familjeve vlonjate, "sepse duhen për shpenzime të Komitetit të Shpëtimit Publik", u thoshin.
Hidhet parrulla e parë "Poshtë Qeveria", e më pas ajo "Të mbyllen dyqanet, vetëm furrat e bukës të punojnë". Filluan shenjat e para të urisë. Me t'u krijuar Komiteti i Shpëtimit Publik, punën e parë që bëri, urdhëroi mbylljen e Portit të Vlorës.
Përfaqësues të tij, disa fëmijë të moshës 12-17 vjeç, por të drejtuar nga disa burra pakashumë të thyer në moshë, me ato kasketat karakteristike në kokë, dërguan vendimin e Komitetit dhe kërkonin zbatimin e tij urgjentisht, "se, përndryshe...".
Qëllimi ishte i qartë, qyteti të kalonte, pakashumë në një grevë urie dhe izolim të plotë.
Më datë 17 shkurt, informohem se në Jug ishte shpërndarë një hartë e Vorio-Epirit, ku në të përfshihej edhe Vlora. Po këtë ditë më vjen edhe harta me shpjegues në gjuhën greke.
Pikërisht më këtë datë hidhet edhe ideja e rrëzimit të Qeverisë, qoftë edhe me forcë.
Më datë 18 shkurt, një grup studentësh takohen me z.Pjetër Arbnori.
Më datë 19 shkurt, po ky grup takon edhe Presidentin e Republikës z.Sali Berisha.
Skafet ishin në pikun e punës së tyre, duke siguruar fitime të jashtëzakonshme.
Tashmë, në krye të policisë kishin vënë, me bekimin e Komitetit të Shpëtimit Publik, Skënder Gjinushit dhe Sabit Brokës, një person të quajtur Milto Kordha.
Po më datë 19 shkurt, rreth orës 11.00, organizohet një miting tek Prefektura.
Skënder Gjinushi i drejtohet turmës: "Studentët kanë vajtur tek Arbnori, tek ai mefsha. Po atë natë kanë vajtur edhe tek Maloku... Ne do ta rrëzojmë Malokun dhe qeverinë e tij, qoftë edhe me armë. Do ta marrim zvarrë...". Në këtë çast, një i ri në moshë, i cili imiton Arbnorin dhe prezantohet si pjesëmarrës në takim, që na qënkësh larguar nga delegacioni "ngaqë nuk duronte dot më", i deklaroi turmës se "Pjetër Arbnori na tha - le ta bajnë vlonjatët xhiron Vlorë-Skelë, se ashtu e kanë ba përherë, dhe u ban mirë...".
Britmat e grupimit të parë të turmës, u shoqëruan me parrullat "Poshtë Parlamenti, poshtë Presidenti...".
Hartat e Vorio-Epirit, ku përfshihej edhe Vlora, kishin irrituar një pjesë të popullit, megjithë pakënaqësinë e përgjithshme ndaj shtetit për firmat piramidale. Njëri nga turma thërret "nuk i duam grekërit, jemi me Italinë, poshtë Shqipëria, rroftë Italia, Vlora qytet italian!!!". Pothuajse ngeli një zë i vetëm. Këto parrulla u përshëndetën me britma dhe duartrokitje vetëm nga Gjinushi, Ceka dhe grupi i tyre i shoqërimit.
Për të qarë dhe qeshur njëherësh. Për të qeshur kur shikoje përplasjen e agjenturave të huaja, ndaj të cilave predominonte ajo greke. Kush fitoi? Më duket se grekët dolën me të fituar. Në këtë kohë, studentët, në mënyrë ceremoniale, hynë në sallën e grevës së urisë, furnizuar me shampanjë dhe mishra të pjekur.
Lajmërohemi se një grup komitarësh kishin vajtur në zyrën e Kapitenerisë për të parë edhe një herë zbatimin e urdhërit për të mbyllur Portin. Ata vunë në zbatim të imponuar, edhe një orar pune të reduktuar.
Në kohën e mitingjeve, puna duhej të lihej me detyrim...
I bëj shenjë oficerit të Kapitenerisë që të mbyllë zyrën, urdhër të cilin ai e zbaton. Kthehem në Universitet dhe vërej se rreth godinës ku ishin futur studentët në grevë, ishin vendosur roje të armatosura deri në dhëmbë, rreth 200 veta!?
Tashmë ishin shfaqur fytyra të reja në rrugët dhe mitingjet e vlonjatëve. Këta vinin nga fshatrat e Vlorës, kryesisht nga zona e Lumit të Vlorës dhe ishin të armatosur. Organizimin dhe instruktimin e tyre, sipas informacioneve tepër të sakta që më vinin, e bënin Sabit Brokaj dhe Arben Malaj. Shtabi i tyre ishte në vilën e Brokajve, në afërsi të godinës së SHIK-ut. Ata rrinin më tepër të pangrënë se të ngrënë, flinin nëpër bunkerët e shumtë. Kjo jetesë, me fjalimet dhe mitingjet, i egërsonte pa masë dhe për këtë gjendje fajësonin Berishën. Këta ishin kryesisht të moshave të reja, të pashkolluar dhe përpunoheshin lehtë...
Në afërsi të godinës së SHIK-ut, në pozicion të pjerrët me të, ndodhej vila e Brokajve, e rrethuar me mure të larta. Në oborrin e saj ishin tre skafe të tipit oqeanik, të cilët për 24 orë rresht transportonin klandestinë dhe mallra të tjerë për në bregun italian. Në atë kohë tek kjo vilë bëheshin mbledhjet e shtabit të kryengritjes. Këtu u bë edhe plani i kryengritjes, që do të përfshinte Zonën e Parë Operative të Luftës Partizane, Vlorë-Sarandë-Përmet-Tepelenë, ku përfshiheshin Gjirokastra, Delvina dhe Himara. Ky plan u përpilua më datë 22 shkurt 1997 dhe në përmbajtjen e tij parashikonte kryengritjen në mbarë këtë zonë, për t'u përhapur paskëtaj në të gjithë vendin, "nëse Qeveria dhe Presidenti nuk largoheshin...".
Pjesa e parë e këtij plani u realizua plotësisht.
Në vilën e Brokajve u instalua edhe një radio-transmetuese..., nga ku merreshin detyrat dhe urdhrat tepër sekretë, nga një distancë disa qindra kilometra, në vijë të drejtë...
Më datë 22 shkurt, në qytet filloi të ndihej uria, e cila kishte treguar shenjat e para që më datat 16 dhe 17 të atij muaji. Ndaj lajmërova Ministrin e Mbrojtjes, se duhej parandaluar uria dhe vetizolimi, dhe se për këtë do të hapja Portin e Vlorës për të prurë disa tragete që sillnin trajlerat e ushqimeve. Ministri Zhulali në fillim më thotë: "po", pastaj më vinin urdhëra nga të tjerë, nga njerëz që flisnin në emër të tij, sipas të cilave trageti me ushqime duhej të mos hynte në Vlorë, por në Durrës!!
Deti ishte 8-9 ballësh dhe anija që u nis për në portin e Vlorës, e kishte ngarkesën në kiç (mbrapa), ndaj kthimi për në Durrës do ta mbyste 100 % anijen. Vetë ministri Zhulali nuk më doli më në telefon. Trageti u fut në Vlorë dhe shkarkoi 14 trajlera me ushqime.
Turmat, një pjesë e të cilave ishin të armatosur, më kërcënonin se do të digjnin tragetin. Kapiteni italian, që e fliste mirë shqipen, shumë trim, rrinte me motorin ndezur dhe me cima të lira. Të dërguarit e ministrit, oficerë, në atë kohë ia mbathën nga territori i Portit. Pata fat..., ngaqë turma nuk u urdhërua të sulmonte Portin.
Po atë ditë, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Sheme Kosova, hoqi gatishmërinë e reparteve ushtarake!!?? Asnjë kapteri nuk do t'ia falja këtë veprim, dhe jo më Gjeneralit kryesor të Ushtrisë.
Pas kësaj, habitesha sesi vazhdoi ai, në detyrë, deri më 1 Mars!? Të gjitha repartet ku ushtarakët ikën, u vodhën dhe u dogjën.
Më datë 23 shkurt, në mëngjes herët, më informojnë se në Himarë ishte ngritur flamuri grek. Kjo ishte me të vërtetë e jashtëzakonshme, shumë më e rëndë në krahasim me ato që kishin ngjarë deri më atë kohë, dhe si të tillë e vlerësova e doja ta verifikoja vetë, prandaj u nisa për në Himarë.
Me të vërtetë, flamuri grek valëvitej në qendër të Himarës. Hyra në një kjoskë-kafe prej llamarine, aty afër. Zonjës që më solli kafenë, i thashë "Na e keni zbukuruar Himarën". Ajo e kuptoi ironinë dhe më tha: "Eh zotëri, të ishte për mua, nuk e vija aty, por e digjnja. Po çfarë t'u bëjmë atyre atje", dhe tregoi nga klubi përballë, ku pinin dhe bërtisnin një grup djemsh me pamje të shpërfytyruar. Në mes të tyre hargalisej e krekosej Aleks Andoni.
I them zonjës: "Leksi është shqiptar moj zonjë!!! Si ka mundësi që të bëjë një gjë të tillë?!". Zonja m'u përgjigj: "Ku merret vesh Leksi..., sapo ka ardhur nga Greqia...".
Nga miqtë e mi që kisha në Himarë, mësova se çdo gjë ishte e vërtetë. Aleksi kishte ardhur me detyra të sakta nga Greqia. Po kështu, u informova se në Greqi po përgatiteshin edhe gjeneralë të tjerë, të cilët në një periudhë të afërt do të merrnin komandën e kryengritjes në Jug të vendit. Pararoja e këtyre rebelëve gjeneralë, kishte mbërritur në Sarandë, ku kishte filluar aktivitetin kryengritës Gramoz Ruçi.
Kiço Mustaqi hynte dhe dilte sa herë të donte, apo kishte punë. Edhe Qatip Aliaj përgatitesh të hynte në Shqipëri dhe të drejtonte segmente të kryengritjes.
Një nga më aktivët ishte Xhevat Koçia, i përzënë nga Ushtria për probleme tepër ordinere... Po përgatitej me pompozitet të madh nga Greqia, ardhja e krerëve politikë të kryengritjes për zonat e Jugut, si Ritvan Peshkëpia, etj..
Problemi ishte se protestat nuk po përhapeshin aq sa duhej në qytetet e tjera. Gjatë dhjetëditëshit të dytë të shkurtit bëhej thirrje për përhapjen e protestave nëpër qytetet e tjera. Në një nga këto ditë, grupe të rinjsh nga Vlora, u nisën në qytete si Shkodra, Durrësi dhe Fieri, si dhe në qendrat e këtyre qyteteve, ku lëshonin lepuj të butë. Me këtë u thoshin njerëzve se jeni frikacakë, si lepujt.
Mendoj se ky veprim e vuri në sedër kryebashkiakun e Shkodrës z.Bari Boriçi, i cili u vu në krye të dy autobuseve të mbushur me djem të rinj, me të cilët edhe zbarkoi në Vlorë, ku hodhi parrullën "Poshtë Presidenti, poshtë Sali Berisha". Në fillim u habitën të gjithë ata që e dëgjuan, sepse ishte e para parrullë e tillë, dhe meqenëse u bë nga një kryebashkiak, pati efekt shumë të madh. Po këtë darkë u hap lajmi se institucionet ruheshin nga ushtarë "serbë".
Atë natë u ula me mikun tim Pajtim Ceci, i cili shërbente në repartet e Rendit. I veshur me uniformën e shërbimit, bashkë me Pajtimin po ndiqnim një grup gazetarësh të huaj, të drejtuar nga Zenepe Luka, të cilët po filmonin një gomë makine që digjej dhe një grua që imitonte rënien e të fiktit. Në këtë kohë na afrohet dikush nga mbrapa, që godet Pajtimin me shkelm dhe e quan "serb i ndyrë". Pajtimi heq kokoren dhe i thotë: "Ç'po bën, mua labin më quan serb?".
Megjithëse nga keto skena ndodhën shumë, prap nëpër kafene dëgjoje të thonin se "Maloku ka prurë ushtarë serbë...!".
Më datë 24 shkurt shkoj në Fier se kisha 40 ditët e vdekjes së nënës. Aty takohem edhe me gruan, që vjen nga qyteti ku banoja. Lajmet që shpërndaheshin, ishin nga më të frikshmet. Pasdite kthehem në Vlorë, ku më japin, me shkrim, dënimin tim "me vdekje...", të vendosur nga Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës. Në listën-vendim, ishim 111 emra të dënuarish... Unë isha i 17-ti në listë...
Më datë 25 shkurt mora informacionin se, më datë 26 shkurt do të goditej dhe asgjësohej SHIK-u i Vlorës.
Më datë 26 shkurt ra një shi shumë i madh, sa u duk se qyteti po bashkohej me detin, çka bëri që të shtyhej plani i sulmit mbi SHIK-un.
Më datë 27 shkurt vjen në Vlorë gjeneral Bujar Rama. E vumë në dijeni për planin që shumë shpejt do të zbatohej nga kryengritësit, si dhe për vendimin e Komitetit të Shpëtimit Publik lidhur me ekzekutimet e personave të shënuar në listë, dhe me këtë rast i sugjerova që të largoheshim nga Vlora me gjithçka kishim. Pak para mesnate, shoferi i Bujarit dhe shoqëruesi u kthyen të rrahur dhe të shqyer nga komshinjtë e të afërmve ku kishin shkuar për të kaluar natën. Agresorët e mirinformuar për lëvizjet dhe detyrat e tyre, i kishin kapur të gjorët poshtë pallatit dhe do t'i kishin vrarë... Ata shpëtuan për pak gjë, thjesht për trill të fatit, ngaqë u dolën në mbrojtje të afërmit, që u lajmëruan rastësisht. Megjithëkëtë incident të rëndë, Bujari prap nuk vendosi t'i tërhiqte vartësit e tij nga Vlora!!!
Besnik Hidri, një nga oficerët më të mirë të SHIK-ut, e shoqëroi eprorin e vet dhe e nxori nga Vlora, dhe më pas ne lajmëruam policët besnikë për ta shoqëruar gjeneral Ramën, pasi nuk mund t'u besonim policëve të emëruar nga Komiteti i Shpëtimit Publik, e që në krye kishin Milto Kordhën.
Po më datë 27 shkurt, në Vlorë erdhi edhe Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Rexhep Meidani. Ngarkova njerëz për ta shoqëruar në distancë, derisa ai, i shoqëruar nga udhëheqësit e revoltave, u fut në vilën e Brokajve...
Të nesërmen, më datë 28 shkurt, paradite, Rexhep Meidani largohet nga Vlora. Më pas informohem se, në vilën e Brokajve, u vendos të asgjësohej SHIK-u.
Më datë 28 shkurt, ora 18.30, isha në trotuarin e godinës së grevës, pasi lulishten afër godinës nuk mund ta shkelte askush që nuk njihej nga rojet. Në këtë moment, në rrugë, afër godinës, ndalen një furgon dhe një veturë me targa të Lushnjes.
Nga vetura zbresin 4 persona. Ata shkojnë drejt shkallëve të Universitetit, atje ku ishte drita më e fortë, dhe menjëherë fillojnë të improvizojnë një grindje. Nxirret një thikë dhe bëhet sikur goditet njëri prej "sherrxhinjve". Tjetri që u "godit" bie në tokë. Tre të tjerët u hipin makinave dhe nisen në drejtim të SHIK-ut. Personi që ra në tokë, ngrihet dhe bërtet me zë të lartë "më vranë shikasit...". E kuptova se po simulonte, sepse një i plagosur me thikë, nuk mund të thërriste aq shumë e të lëvizte me aq zhdërvjelltësi.
Rreth tij filluan të grumbulloheshin njerëz, dhe ai, meqenëse nuk kishte gjak asgjëkundi në trup, u largua me të shpejtë në errësirë, duke harruar edhe të rënkonte.
Më vonë u bë e qartë se askush në Vlorë nuk vdiq i vrarë me thikë, as atë mbrëmje dhe as kurrë ndonjëherë gjatë rebelimit.
Unë menjëherë e kuptova se diçka e përbindshme ishte përgatitur për t'u realizuar atë çast, ndaj shpejtova për në zyrë, në Kuc Baba. Lidhem me godinën e SHIK-ut, ku ishin vendosur 16 punonjës. Lekë Qoku m'u prezantua si përgjegjës. I them se "turmat po vijnë drejt godinës, ndaj më shpjego se çfarë po bëjnë...".
Leka më thotë se turma po vendoste një makinë riportabël, me kazan të ngritur, në hyrje të portës së oborrit, siç duket për t'u mbrojtur nga kundërgoditja që mund të merrnin nga godina.
Raportoj qendrën për situatën e krijuar. Nga Leka më vjen informacioni se bëhej fjalë për rreth 80 deri 100 persona të armatosur. Kishin edhe granatahedhës.
Hapet zjarr kundër godinës së SHIK-ut. Nga vila e Brokajve qëllohet me mitraloz dhe bëhet zjarr i kryqëzuar. Qëllohej edhe nga një godinë tjetër, në krahun tjetër të godinës së SHIK-ut, ndërkohë që punonjësit e SHIK-ut qëllonin në ajër. Ndaj për këtë arsye, nga turma nuk u vra apo plagos askush nga civilët sulmues, atë natë, ndërkohë që sulmuesit qëllonin kundër godinës nga 20 metra distancë.
Pyes Lekën se çfarë shihte dhe a i shihte ato që hapnin zjarr, apo jo? Ai më përgjigjet: "Në dhomat e godinës shoh vetëm tym e flakë, ndërsa jashtë shoh vetëm gra dhe fëmijë. Ata që na qëllojnë janë fshehur pas grave dhe fëmijëve, dhe nuk mund t'i godasim dot. Shikojmë vetëm flakët e armëve të tyre".
Lidhem, me vështirësi, me pjesën tjetër të grupit që ndodhej në vilat e "Ujit të Ftohtë" dhe u kërkoj që të kthehen se shokët e tyre janë goditur, dhe të shihnin nëse mund t'i ndihmonim dot. Ata mundën të afrohen deri tek porta e Akademisë Detare, sepse pjesa tjetër e territorit ishte e mbushur me njerëz të armatosur, prapavijë dhe rezervë e sulmonjësve.
Nga porta e Akademisë e deri tek godina e SHIK-ut, distanca është afro 200 metra, ndaj nuk mundëm të jepnim asnjë ndihmë. Gjithçka villte zjarr, ishte llahtarë. Një qytet i armatosur me ç'të mundej, kundër pak ushtarakëve të shtetit dhe nëpunësve të pafajshëm...
Leka më thotë: "Kosta, jam plagosur...". Zëri i tij vinte duke u shuar.
Ai shton: "Këtu është vetëm tym dhe flakë..., shoh afër meje dy trupa të shtrirë, të shokëve..., nuk e di se cilët janë... Më ka hyrë një plumb në kraharor dhe më ka dalë mbrapa, në shpatull..., mezi mbushem me frymë dhe nuk kam fuqi të flas...".
(Vijon numrin e ardhshëm)
KOSOVA
Straw - 'Pavarësia e Kosovës pothuajse e pashmangshme'
11 mars 2006 /TN
Sekretari i jashtëm britanik thotë se të gjithë e pranojnë se situata para vitit 1999 në Kosovë është e papranueshme si bazë për një të ardhme dhe se rruga drejtë pavarësisë bëhet pothuajse e pashmangshme.
E shtunë, 11 mars 2006 /BBC - Zoti Straw tha se deklarata e ministri te jashtëm serb nuk është asgjë e re dhe se ai është i vetëdijshëm për shqetesimet e qeverisë serbe sa i përket pavarësisë së Kosovës por ai tha ky është realiteti dhe se popullata serbe në fund të fundit do të duhet ta pranojë se shumica e dërmuese e popullit në Kosovë duket se do të mbështesin pavaresinë.
"Të gjithë e pranojnë se situata para 1999 në Kosovë është e paparanueshme si baze per nje te ardhme dhe nëqoftëse ky eshte realiteti atehere rruga drjete pavaresise bëhet pothuajse e pashmangshme " tha zoti Straw.
Zoti Straw tha se ndërkohë Bashkimi Evropian është duke vëzhguar dhe dëgjuar me kujdes këshillat që misioni i zotit Ahtisari ofron, përfshire modalitetet dhe metodat e bashkepunimit me Sërbinë.
Ai tha se me rëndësi kritike është edhe kufirir kohor i zhvillimeve.
Zoti Straw ne vazhdim lidhur me disponimin politik në Serbi tha: "Ekzistojnë vështirësi të shumta në pjesë të ndryshme të shoqërisë serbe sa i përket pranimit të faktit se bota ka ndryshuar.
Kjo është dicka e vështirë edhe në aspektin psikologjik për popullin serb e veçanërisht edhe për liderët e tyre.
Në njëfarë mënyre unë e kuptoj se pse ata ndodhen përballë problemeve të tilla dhe më vjen keq për këtë. Por ajo që ne po përpiqemi të bëjmë në Bashkimin Evropian që të nxjerrim Serbinë nga kjo periudhë e ftohtë.
Ne jemi duke punuar shumë në këtë aspekt por edhe ata duhet ta ndihmojnë vehten, e këtu përfshihet edhe bashkëpunim i plotë me Gjykatën e Hagës.
I pyetur rreth kryeministrit të ri të Kosovës, gjeneralit Agim Çeku, dhe ankesave të Beogradit rreth emërimit të tij si dhe akuzave kunder tij për pëfshirje në krime të luftës zoti Straw tha :
"Ekziston procesi i përshtatshëm nëqoftëse individët duan të akuzojnë individë të tjerë për përfshirje në krime lufte kështu që këto akuza duhet të vendosen para prokurores dhe ata duhet ta bëjnë këtë nëqoftëse nuk e kanë bërë deri tani. Dhe kjo nuk më takon mua që të vendos por zonjës kryeprokurore, Karla Del Ponte."
Biografia e Agim Çekut
Prishtinë - Gjeneral Agim Çeku është i lindur më 29 tetor 1960 në Qyshk të Pejës. Pasi mbaron shkollën fillore në vendlindje, ai regjistrohet në shkollën e mesme ushtarake në Beograd, ku diplomon në vitin 1975. Ndërkaq në vitin 1984 mbaron me sukses të shkëlqyeshëm Akademinë Ushtarake, përkatësisht Akademinë e Artilerisë në Zarë të Kroacisë. Gjatë viteve 1984 1991, Çeku ka shërbyer në ish Armatën Jugosllave në Shkollën e Artilerisë në Zarë, si komandant togu në Shkollën për Oficerë Rezervë dhe në Akademinë Ushtarake.
Pas shpërthimit të luftës në ish republikat e Jugosllavisë, në Slloveni e Kroaci, më 1991, më 27 tetor, Agim Çeku largohet nga Armata Jugosllave dhe i bashkohet Ushtrisë Kroate.
Në shkurt të vitit 1993, Agim Çeku transferohet në Brigadën e 9 të Gardiste në Gospiq, ku është emëruar shef i artilerisë në Brigadën e 9 të Gardiste, pastaj shef i Shtabit dhe zëvendëskomandant i Brigadës së 9 të Gardiste.
Në shtator të vitit 1993, ai plagoset gjatë operacionit të njohur si Megjaçki Xhep, ndërsa më 1994, merr gradën e kolonelit në ushtrinë kroate. Një vit më vonë Çeku dekorohet me gradën e brigadierit, ndërsa në vitin 1996 emërohet shef i Shtabit të Korpusit të 5 të të Armatës Kroate.
Çeku gjithashtu ka marrë pjesë në të gjitha aksionet dhe luftimet në Zonën e Zarës dhe të Likës si dhe në shumë operacione të rëndësishme për çlirimin e Kroacisë.
Për kontributin e dhënë për çlirimin e Kroacisë, si epror i ushtrisë kroate, Çeku është dekoruar me gradën gjeneralbrigade.
Në Kosovë gjeneral Çeku kthehet nga ushtria kroate më 27 shkurt të vitit 1999. Një javë pasi në Kosovë kishin filluar bombardimet kundër forcave serbe, më 2 prill 1999, si gjeneral brigade Agim Çeku emërohet Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK së, post ky nga i cili e drejton UÇK në gjatë fushatës së bombardimeve të NATO së.
Me përfundimin e luftës në Kosovë, Çeku fillon një beteje tjetër, atë të transformimit të UÇK së në Trupat e Mbrojtjes të Kosovës (TMK). Ai zyrtarisht është emëruar komandant i TMK së më 21 shtator 1999, duke qëndruar në krye të tyre deri më sot.
Agim Çeku është i martuar dhe ka tre fëmijë: dy djem dhe një vajzë.
U zgjodh qeveria e re me kryeministër Agim Çekun
Prishtinë, 10 mars - Qeveria e Kosovës u miratua me shumicë votash - 65 vota pro, 33 kundër dhe një abstenim, me kryeministër Agim Çekun. Votimit të qeverisë, i cili u bë me votë të hapur, i parapriu një debat i ashpër disa orësh nga deputetët e opozitës, kryesisht ata të PDK-së me akuza të rënda në adresë të qeverisë dhe të mandatarit Agim Çeku, të cilin e akuzuan rëndë dhe e fyen personalitetin e tij. Ndërsa, në mbrojtje të tij kanë folur disa deputet të koalicionit.
Dy grupe parlamentare, ai i Ora-s dhe ai për Integrim, kishin kërkuar që qeveria të zgjidhej me votim të fshehtë.
Menjëherë pas zgjedhjes kryeministër Agim Çeku, u betua para Kuvendit për besimin e dhënë se do t'i kryejë me përpikëri detyrat e marra, ndërsa që prioritet do të kenë parimet e programit qeveritar. Ai paralajmëroi se nuk do të ketë dallime, përkatësisht diskriminim në qeverisje, dhe se shteti i ardhshëm i Kosovës nuk do të jetë i lirë derisa të mos jenë të lirë të gjithë qytetarët e saj, veçanërisht pakica serbe, së cilës në një pjesë të fjalimit i është drejtuar në gjuhën serbe, ndërsa për përfaqësuesit e huaj, gjithashtu një pjesë të fjalimit e ka mbajtur në gjuhën angleze.
Ai tha se fati i qytetarit të Kosovës do të jetë në objektivin e qeverisë. Ai gjithashtu parlajmëroi kabinetin e tij ministror se nuk do të ketë vend për të papunët, përkatësisht për ata që nuk do të jenë shembuj të politikanëve të zot.
Çeku premtoi se që nga dita e parë e punës së qeverisë do të punohet në përmbushjen e standardeve.
"Përmbushja e standardeve do të jetë argumenti jonë më i fortë në bisedimet për statusin e Kosovës", tha Çeku. Ai tha se duhet të jemi unik dhe të papërçarë.
"Papunësia është shndërruar në një sëmundje kronike të shoqërisë tonë, furnizimi me rrymë vazhdon të jetë një problem i madhë megjithë investimet e mëdha që janë bërë, infrastruktura e Kosovës ende vuan nga mungesa e cilësisë, kurse arsimi dhe shëndetësia janë në një gjendje që kërkon shqyrtim serioz nga tëgjithë ne. duhet ta ruajmë dinjitetin e pensionistëve, mësimdhënësve, mjekëve, ushtarëve dhe policëve tanë", tha ai.
Çeku u zotua se këto çështje gjatë qeverisjes së tij do të kenë vëmendje më të madhe për zgjidhjen e tij.
PIKEPAMJE
ATDHEU - një vlerë e gjithkohshme
Nga Gabriele Kaculini
Në epokën e globalizimit, të shpërbërjes së Shtetit dhe të politikës, shfaqet përsëri tek njeriu dhe tek shoqëria prirja kundrejt ndjenjave të përbashkëta, që bashkohen në të parën vlerë të madhe civile që është Atdheu.
Përsëri Atdheu
Janë shembur ideologjitë e përgjakta, janë shembur muret që i mbanin në këmbë ato duke ndarë njeriun nga njeriu, politika duket se është e racionalizuar, e zgjidhshme si një ekuacion i thjeshtë nga mendja e ftohtë e një inxhinjeri. Por kjo nuk përbën një arsye që të shterrojë në shpirtin njerëzor etja për ideale e vlera që orientojnë jetën në botë. Prandaj tek njeriu ndjehet nevoja për ndjenjë, arsyeja e thjeshtë e tregut nuk mjafton si rregull i vetëm për një shoqëri të hapur. Racionaliteti i llogaritjes monetare, që rrafshon çdo dukuri njerëzore në një varg sasish, nuk mund të zbatohet në politikë. Ekonomia paraqet përparësi të shumta: vlershmëri, liri, drejtësi, hapje. Por e gjitha kjo me çmimin e dhimbshëm, shpesh të fshehur, të një impersonaliteti të përgjithshëm, apo të karakterit anonim të veprimit ekonomik. Në ekonomi kanë vlerë numrat, dhe kjo vlen edhe në politikë, vetëm se çfarë do të ishte një parti me 50 përqint të votave, por pa ide, parime, shpresa? Është e pamundur të përfytyrohet një situatë e këtij lloji, pasi është e pamundur që politika të mund të bëjë pa simbole, pa vlera, pa besim në diçka që kapërcen përtej përditshmërisë, të prekshmes, vlerës sasiore.
Me fjalë të thjeshta, duke shtrirë tregun në politikë do të thotë të tërheqësh kaq fort një mbulesë të vogël sa ta kthesh atë në rreckë. Politika ka një përmasë të vetën strukturore, ka një logjikë themelsie, që ndesh tek tregu mekanizmat, padyshim më të përshtatshëm deri më tash, për të zbatuar parimet e saj. Por politika nuk mund të shtrembërohet e gjymtohet, apo ti nënshtrohet logjikës së tregut. Nuk është një akt aq befasues që globalizimi gjen, pikërisht në shtrirjen e tregut, forcën lëvizëse themelore të tij. E është edhe më pak befasues fakti që globalizimi është duke përhapur një tym të ri ideologjik, atë të multikulturalizimit, që priret të këpusë çdo lloj përkatësie atdheshmërie.
Nevoja për Atdheun është pra fillimi i ri i një politike të rikthyer autonome, të aftë për të rigjetur në vetvehte vlerat tipike dhe arsyet vetjake, të aftë të prodhojë jo një por shumë domethënie dhe tu ofrohen njerëzve të lirë për të zgjedhur.
Çfarë shoqërie e hapur?
Që të mund të jetë e tillë, një shoqëri e hapur duhet të jetë parasgjithash e hapur ndaj vetvehtes, duhet të jetë e ndërgjegjshme për identitetin e vet historik, domethënë pa mohuar traditat e saj, dhe vlerat në themel të asaj tradite. Në rast të kundërt, hapja e saj bëhet një vetëshkatërrim, pasi përbën një shfuqizim të vetvehtes, të papërligjur dhe mjaft të rrezikshme. Në tridhjetë vitet e fundit, shoqëritë perëndimore janë leskëruar gradualisht, duke zgjedhur asimilimin, apo më mirë, nënshtrimin ndaj kundërshtive të tyre, në vend se të zgjidhjes së tyre. Ngritja e menjëhershme dhe e beftë e standarteve të jetesës, duke filluar nga vitet pesëdhjetë, ka goditur themelsinë e shoqërive perëndimore, duke bërë që të duken të pavlera, apo deri dhe të vjetëruara, disa mënyrsjellje, disa vlera. Plasaritja e familjes bërthamë, ka bërë që të përqafohet liria seksuale, ka përjashtuar religjionin nga jeta e zakonshme, duke bërë një ikje mistike prej tij, duke zhvlerësuar jo vetëm çdo dukuri religjioze por edhe çdo njeri religjioz. Çrrënjësimi i religjionit nga shoqëria, dukuri që e shtyn me forcë në mjedisin vetjak dhe intimist të jetës, ka tërhequr rrëshqanë mbas vetes edhe një ligështim të etikës publike.
Kjo na lejon të zbresim diskutimin në fushën politike. Atdheu nuk përfaqëson më një realitet të bashkëndarë për të gjithë aktorët politikë, secili me pikëpamje të ndryshme por të ligjshme, projekte. Në të kundërt, Atdheu është çmishëruar në thertoren e ideologjive kundërvënëse, duke e syrgjynosur në një ide abstrakte ose në një vlerë të bashkëndarë vakësisht nga një grusht njerëzish që luftohen ashpërsisht nga të shumtët. Në këtë pikë, ka qenë e lehtë të bëhet me politikën një treg, i pasur me mallra që lëbyrin sytë, por i varfër me ideale që i flasin zemrës. Brezat e fundmë janë të dehur prej hedonizmit dhe materializmit, kanë adhuruar viçin e artë të parasë që blen gjithçka, edhe identitetin e vet, mbi të gjitha nëse vlen vërtet pak.
Në të njëjtën mënyrë, në vend që ti përgjigjen kërcënimeve nga jashtë, duke pohuar dhe mbrojtur identitetin e vet, kanë pranuar, apo më mirë, i janë nënshtruar kolonizimit social, kulturor dhe ekonomik nga ana e valëve të parreshtura të emigracionit. Poroziteti dhe depërtueshmëria e shoqërive italiane kanë shërbyer si mbështetje për kolonizimin e ngadaltë, por të rëndë, kulturor dhe demografik të popujve lindorë. Politikat e emigracionit që shqyejnë portat në gjithçka, dhuratat bujare të turpshme të fondeve për të rrënjosur dhe përforcuar pranitë e të huajve, janë faje të një të shkuare të vonë, vuajtjet e së cilës kthehen në të tashmen tonë. Rrjedhojat? Përveç atyre tashmë trishtshëm të njohura: devijimi rinor, delegjetimimi i institucioneve, kriza e politikës dhe e Shtetit - më e keqja është toleranca e përgjithshme, që fsheh një epshmëri) skandaloze të Italisë përballë krizave të saj të brendshme dhe kërcënimeve të jashtme.
Shoqëria civile jeton falë vlerave
Atdheu është e para prej vlerave "civile", që janë në themel të jetesës së përbashkët, domethënë shoqërisë. Megjithë proklamimet e individualizmit, kulti i individit nuk i mjafton individit për ti dhënë një kuptim jetës së vet. Por janë zhdukur përgjithmonë kohët në të cilat, anasjelltas, ishte politika që u diktonte të gjithëve një fat të ngjashëm, që ngrihej si gjykatës i jetës dhe i vdekjes për miliona njerëz. Po atëhere? Çfarë mbetet sot? Mbesin rrënojat e dy dështimeve të mëdha. I pari ka qenë ai i shtetit totalitar, që prangoste njeriun pas Shtetit dhe e bënte skllav të ideologjisë së tij. I dyti, ende në ditët e sotme, është individualizmi i egërsuar, primati i "unit" mbi çfarëdo "ne", që kryen gabimin e kundërt me atë të Shtetit totalitar, pasi është i paaftë ti japë një kuptim jetës së njeriut, pasi jeta është edhe bashkëjetesë shoqërore në rradhë të parë, dhe jo vetëm individualitet. Një shoqëri e hapur, liberale, ku është në fuqi konkretisht liria e mendimit, ku individi është qendra e politikës, por që është pa identitet, pa vlera në të cilat të besojë dhe për të cilat të veprojë çdo ditë, - atëhere është një shoqëri në të shuar e sipër, e privuar prej një indi nervor që transmeton impulse jetësore dhe përkujdeset për mbijetesën e saj. Një shoqëri e çarmatosur: ja çfarë është shoqëria pa vlera e Perëndimit në agun e mijëvjeçarit të tretë. Është e çarmatosur pasi është e pambrojtje kundrejt sulmeve të egra që vijnë nga jashtë; por është edhe e pambrojtje kundër armiqve të brendshëm, kundër kujt punon për të arritur përmbushjen e çmontimit të vlerave tona. Për çfarë punojnë armiqtë e Atdheut? Flasin përçart për fshatra globalë, për vendin-botë, për qeveri botërore, por çfarë qëndron pas këtyre etiketave? Asgjë tjetër veç një grumbulli botëror individësh pa rrënjë, pa origjinë, as gjeografike as kulturore. Pa përkatësi ndjesore, pa tradita, pa dije prej ku vijnë dhe ku shkojnë, pa një gjuhë të përbashkët, një besim, një botëkuptim politik të përgjithshëm. Të luftohen ideologjitë nuk do të thotë të rrafshohet me tokën çdo ndjenjë, të shterret çdo emocion, të fiket çdo simbol. Politika nuk është vetëm llogari monetare, nuk është vetëm një shkëmbim i parreshtur. Politika është një pasion i mbështetur nga një kulturë e ngritur vlerash, normash, traditash, e një identiteti që kapërcen pjesët e veçuara, që shkon përtej ndarjeve, pasi shpreh - ndjeshmërisht - një përkatësi të përbashkët, ATDHEUN.
Pregatiti: Gent ULQINI
HORIZONT
Historia e shkollës së parë shqipe
Behar GJOKA
Kremtimi i 7 marsit, si dita e parë e shkollës shqipe, mbart shenja të dyfishta: Së pari: Kjo ditë shënon zanafillën e shkollës laike shqipe. Së dyti: A është mësuar shqipja në shkollë përpara kësaj date?
Shkollimi laik, ndarja e shkencës nga feja, ndarja e shkollës nga kisha, shënojnë një moment thelbësor, që në mjediset perëndimore ka ndodhur me kohë. Në këtë kuptim, 7 marsi, dita e parë e shkollimit laik në gjuhën shqipe shenjon një etapë të re dhe cilësore në rrugën e nxënies së dijeve në mjediset shkollore. Prej aty zë fill kurba që pëson procesi i dijes në shkollat laike. Por 7 marsi i vitit 1887 nuk duhet marrë si viti i parë pas vitit "zero", domethënë si caku i parë i mësimit të shqipes.
Sipas ndonjë dëshmie paraprake të lënë nga Budi, kryesisht të shprehur nëpër parathëniet dhe pasthëniet autoriale, dijet e para, siç na njofton vetë, ai i nxuri tek prelatët vendas. Në letrën drejtuar kardinal Gocadinos, Budi thotë: ". . . në rininë time kam qëndruar, pothuaj vazhdimisht në shërbim të disa ipeshkëvinjve të vendit tonë, pranë të cilëve jam marrë me studimin e këtyne pak ditunive deri në moshën 21 vjeçare. . ." (1963: 297).
Po ku e nxuri ai shkrimin e gjuhës shqipe? Kush qenë mësuesit e ndritur që mëkuan dashurinë e madhe për shqipen? Enigmat, që do të duhet të shvështillen, siç shihen, sa vijnë e shtohen, por bashkë me to, krejt natyrshëm, rritet kureshtja për të shkundur me çdo kusht ndryshkun e grumbulluar nëpër vite e shekuj.
Në dokumentacionin e Kolegjit të Loretos, një shkollë kjo në gjuhën latine, me drejtim teologjik, dëshmohet herë tërthorazi, herë si e nënkuptuar se dikush me emrin Budi a Buli, ka studiuar aty, pa harruar se në atë kolegj kanë studiuar edhe Bardhi, Bogdani, etj.
Sipas Selman Rizës, "... shënimi i Ferlatit se autori ynë qenka edukuar në kolegjin ilirik të Loretit (Itali), nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse kështu: në këtë kolegj Budi do të jetë regjistruar vetëm sa për të dhënë provimet e maturës, pa të cilën ai nuk mund të dorëzohej (shugurohej - B. Gj. ) prift" (1996: 556), duke e sqaruar edhe përcaktimin e dyzuar, jo krejt të ndërliqshëm. Edhe këto rrezatime, nëse vështrohen brenda qarkut veprues, gjithsesi, ndihmojnë për të shqyrtuar çështjen.
Dokumentimi i hapjes së të parës shkollë shqipe, qëmtuar prej Dr. J. Rexhepagiçit, në një libër të gjatë studimor rreth kësaj çeshtjeje: "Shkollat janë hapur me iniciativën e priftërve, por shpesh edhe të kërkuara nga popullsia qytetare apo fshatare" (1968: 47), që është me interes, veçan, për shkollimin në gjuhën shqipe. Cytëse është e dhëna që sjell po ky autor mbi programin: "Pos disiplinave fetare të cilat rëndom i jepnin priftërit shqiptarë, në këto shkolla italisht, e nga gjysma e parë e shekullit të XVII edhe shqip, mësohej leximi, shkrimi, elementet e historisë dhe njohuri të tjera të dobishme" (1968: 48).
Diku tjetër ky autor nënvizon se "Në Shqipëri gjithashtu ka pasur disa shkolla fillore, që përmenden qysh në shekullin XVI. Janë të njohura këto shkolla:
1 - Shkolla fillore në Kurbin afër Krujës, e themeluar më 1632... Kjo është e para shkollë në territorin e vilajetit të Shkodrës. Shkollën e vijojnë një numër i vogël nxënësish (10 nxënës). Sipas raporteve të Mark Skurës, të datës 20.XII.1641 dhe 7.III.1650, që i janë dërguar Kongregatës, fëmijët në këtë shkollë kanë mësuar lexim e shkrim, kurse ata më të rriturit gramatikë, gjë që i përgjigjej shkollës së mesme.
2 - Shkolla fillore në Korçë, e themeluar në vitin 1637. Ekziston mendimi se është shkolla më e vjetër. Në të paguhej taksa shkollore.
3 - Në vitin 1638 u hap shkolla fillore në Pedhanë (rrethi i Shkodrës), ku mësonin fëmijët e atij fshati, "por edhe nga vise të afërta". Shkolla punoi deri në vitin 1675.
4 - Në të njëjtën kohë, në Pedhanë, u themelua një shkollë e mesme... Shkollën e vijonin ata që kishin dëshirë të bëhen anëtarë të klerit.
5 - Në rrethinën e Shkodrës është themeluar shkolla fillore në Blinisht, më 1639... Megjithëse ishte shkollë fetare, mësimi në të është zhvilluar në gjuhën shqipe.
6 - Me kërkesë të qytetarëve të Blinishtit, po atë vit u hap dhe shkolla e mesme, e pagëzuar "gymnasium". Kjo ishte shkollë për të rinjtë...
7 - Ka ekzistuar edhe një shkollë private në Shkodër, e hapur në vitin 1698. Këtë shkollë e vijonin fëmijët e tregtarëve dhe pasunarëve tjerë. Pos të tjerash mësonin edhe gjuhën shqipe... Shkollën e themeloi P. Filipi, françeskan i Shkodrës.
8 - Shumë herët hasim në shkolla shqipe edhe në viset e Himarës..." (1968: 50, 51).
Pra duket qartë se kemi të bëjmë me një pasqyrë tërësore të fakteve të shkollimit në gjuhën shqipe në mjedise të njohura edhe nga dokumentet arkivore. Gjithashtu, interesante është edhe e dhëna që sjell po ky autor: "Është normale, pra, - thotë ai - të supozosh se qysh në shekullin XVI në këto vise ka pasur shkolla katolike shqipe. Dihet me siguri se një shkollë e këtillë ka ekzistuar në Janjevë... Kryepeshkopi i Shkupit Andrea Bogdani, i shkruan Romës (15.XI.1664) nga Janjeva, ku kishte rezidencën e vet, duke i rekomanduar në letër Kongregatës për mësues të shkollës katolike në këtë vend shqiptarin Pjetër Mazreku (prizrenasin), i cili më 25 qershor 1666, njohton Kongregatën se me plot entusiazëm punon në shkollë dhe me ndërgjegje kryen detyrën që i është besuar" (1968: 48).
Po ashtu, me mjaft interes është edhe dëshmia që sjell Petro Marko në librin "Retë dhe gurët", ku ndër të tjera thotë: "Në shekullin XVII, më 1630, në Dhërmi priftërinjtë bazilianë që i kishte dërguar Papa në Himarë, hapën të parën shkollë shqipe - seminar për priftërinj në gjuhën shqipe" (2000: 44), duke e zgjeruar gamën shqyrtimore të çështjes së historisë së shkollimit në gjuhën shqipe. Për më tepër që kjo e dhënë pohohet edhe nga Rexhepagiçi, kur shprehet: "I gjejmë në Dhërmi, Vune, Palas. Edhe këtu priftërit u jepnin mësim fëmijëve, si Neofit Rodino (1630-1642), pastaj Kostandin Onofria dhe të tjerë" (1968: 51).
Ndërsa pohimi i Markos se "Katekizmi në meshë këndohej në shqip". Papa Dhimitri nga Dhërmiu, Gjileku, e përktheu 'Katekizmin' në gjuhën shqipe, po, sipas raporteve të bazilianëve, nuk u botua, se ishte botuar ai i Budit" (2000: 46), hedh jo pak dritë mbi praninë e librave të Budit edhe në Jug, madje tek besimtarët ortodoksë.
Ekzistenca e shkollave të tilla në harkun e shtrirë të shekullit XVII-të dhe veçanërisht hapja e tyre, pothuaj në pjesën dërrmuese të trojeve arbënore, megjithëse janë të karakterit fetar, e shpërfaq si dukuri mbikrahinore, madje duke tentuar edhe programe të përcaktuara, gjithnjë në kuadrin e kishës katolike.
Aq më shumë që shkollat fetare të ritit latin dhe jo të tillë, ku mësohej edhe gjuha shqipe, gjenden në treva të një hartografie mjaft të shtrirë, por veprimtaria e tyre është tejet e prekshme në ato zona ku edhe ushtruan veprimtarinë e tyre kuarteti i priftërinjve katolikë, mes të cilëve edhe Budi, ta përforcon mendimin se ekzistonin parakushte për hapjen e shkollave shqipe.
Këto gjurmë dhe mjaft të tjera, që ende presin që të shpluhurosen, i japin jo pak moshë gjuhëshkrimit të shqipes ndër shkollat shqiptare, edhe pse fetare, dhe ofrojnë dëshmi të procesit shkollues, potencialisht aty nga fundi i shekullit XVI dhe të dokumentuara fare shkoqur në shekullin XVII.
Nëse, gjithnjë jo vetëm si qerthullim hipotetik, nisur nga dëshmitë e gjurmimeve dhe sa më larg dëshirave subjektiviste, por, kryekreje, vetëm si qëmtim dhe gjurmim dokumentash, si zanafillë të datuar të gjuhëshkollimit shqip do të mund të merrnim çeljen e shkollës së Dhërmiut më 1630, të shkollës së Kurbinit më 1632, të shkollës së Korçës më 1637, apo të Janjevës më 1666, të cilat konfirmohen edhe nga Petrotta, dhe në të cilat, përveç të tjerash, ka gjurmë dokumentare se janë përdorur si libra mësimorë edhe librat e Budit, veçanërisht Doktrina, katekizmi i përkthyer enkas nga ai për nevojat e shërbesave fetare.
Në të mirë të ilustrimit të idesë së hedhur është edhe gjykimi i dhënë prej Rexhepagiçit mbi Matrëngën, kur shprehet: "Mendim pedagogjik hasim edhe në "Katekizmin" e arbëreshit Lekë Matrënga, i cili e përktheu këtë vepër... Ky formulim ka rëndësi të posaçme pedagogjike dhe ka këtë përmbajtje: "Unë sa të jamë gjallë nuk do të mongoj... të ndihmoj fëmijët për hirë të tyre të bëhem edhe vetë fëmijë që ata të përfitojnë sa më shumë". "Në këtë formulim Matrënga shpreh gatishmërinë për të mësuar fëmijët e shqiptarëve" (1968: 54), në parathënien e librit "E mbasme e Kërshtenë" botim i vitit 1592, shënon fillimin e shkollimit në gjuhën shqipe. Vetë struktura e librit me poezinë e përshpirtshme me prozat diturake, fetare, dëshmon datimin e organizuar të gjuhë-shkollimit. E gjitha kjo dëshmon, pothuajse drejtëpërdrejt, se kemi të bëjmë me një rregull të lejuar dhe të fiksuar nga Vatikani, në formën e detyrimit për shërbesat fetare, por, mesa duket, edhe për librat mësimorë për nxënësit që do të përgatiteshin si priftërinj.
Kuptohet, shenjimi i 7 marsit të vitit 1887 si fillesë e shkollimit në gjuhën shqipe, është bazuar, kryekëput, në natyrën laike të saj për shkak të përcaktimeve të mangëta, të leximit të historisë së arsimit shqip me syze ideologjike që, dihet, nuk e qasnin fetarizmin. Nivelet e ngritura programore, si dhe tekstet e përdorura në këtë shkollë, por edhe në të tjera pas vitit 1887, ka kuptim të vetëmjaftueshëm, madje merr vlerë të veçantë, si një pikë kulmore e mësimit të shqipes, tashtimë në kohët më të reja.
Veçse hapja e kësaj shkolle, kurrsesi nuk duhet parë e shkëputur prej periudhave të mëparshme, të dokumentuara, po aq moderne në kontekstin e atyre rrethanave kur funksionuan, madje që i paraprinë dhe përgatitën parakushtet për të mbërritur deri tek niveli i shkollimit laik.
Padyshim që gjykimet, pohimet, argumentat, faktet, thëniet dhe kundërthëniet, kundërshtitë dhe dëshmitë që do të sjellin shkencëtarët e gjuhësisë, letërsisë dhe historisë, do të largojnë jo pak mjegullima mbi fillesat e shkollimit në gjuhën shqipe, megjithë karakterin e tij fetar përpara periudhës së Rilindjes Kombëtare, çka është po në atë linjë logjike të rrugëtimit të arsimit dhe shkollës edhe në botën e qytetëruar.
Zhvendosja e problemit në rrafshe të tjera, jashtëgjuhësore dhe jashtëhistorike, pa kritere shkencore, pa faktura arkivore, pra pa dokumentime të gjurmuara, do ta shndërronte këtë aspekt, gjysmë të njohur, në një absurd të radhës, zhurmues dhe vetëshkatërrimtar.
Përkundrazi, dëshmitë e gjurmuara, krejt natyrshëm të çojnë vetiu tek disa fakte konkrete historike, që flasin jo pak për realizimin e aktit sublim të arsimimit në gjuhën shqipe, diku-diku edhe në trajta të ngulitura pedagogjike.
Përjetimi i këtij momenti, gjithsesi të ndërliqshëm, le të shërbejë si ngacmim për të thelluar mendimin shkencor, historik e gjuhësor, pedagogjik dhe letrar, për të synuar nxjerrjen nga pelenat foshnjarake të gjuhës shqipe, tashmë si gjuhë e shkollimit, sidomos për t'i dhënë asaj vendin që i takon, deri aty ku përvijohen gjurmët historike, në fundit të shek. XVI dhe në pjesën e parë të shek. XVII, që fakton shkolla, ku formimi fetar, doemos, tanimë përmbarohej përmjet shqipes e vetëm me anë të saj, pse, e thamë njëherë, tekstet e kësaj nxënieje, prej kohësh qenë mbëltuar në truall të shqipes.
Kjo do të thotë vlerë dhe rivlerësim për gjuhën shqipe, e cila është një e vetme, si traditë më e hershme, mataruar në altarin e dijes, siç kundrohet shkolla.
AKTIVITETE
Legalistët krutanë mbledhin Komitetin Drejtues. Merr pjesë kryetari Spahiu
PLL Krujë, do të dyfishojmë numrin e këshilltarëve
Krujë - Kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu ka marrë pjesë në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PLL dega Krujë. Ky takim u zhvillua në kuadër të përgatitjeve që PLL po bën për zgjedhjet e ardhshme lokale dhe në të u ndanë detyra konkrete dhe porozi të ve[antë për secilin nga anëtarët e KD të degës. Në këtë mbledhje të zhvilluar të shtunën e shkuar dt.11 mars, drejtuesit legalistë të Krujës u shprehën optimistë se në këto zgjedhje të ardhshme, ata mund ta dyfishojnë numrin e këshilltarave vendorë. Ata theksuan se bazë e mirë për të zynuar këtë objektiv është cilësia e lartë e emrave që do të përzgjidhen si dhe eksperienca e bollshme që kanë tashmë krerët e degës sa u përket fushatave elektorale. Në këtë takim gjithashtu u ra dakord që dega e Krujës të organizojë një takim të zgjeruar me anëtarë e simpatizantë të PLL, si dhe me pjesëmarrjen e figurave e personaliteteve lokale. Në këtë takim të zgjeruar është parashikuar të ftohen edhe drejtuesit më të lartë të PLL në qendër.
Kjo mbledhje e KD të degës PLL Krujë është në serinë e takimeve që krerët e PLL po zhvillojnë në bazë me qëllim rigjallërimin e strukturave vendore si dhe për projektimin e fushatës së ardhshme për zgjedhjet lokale. Takime të tilla të suksesshme janë zhvilluar në disa qytete të vendit.
Korresp. "Atdheu"
___________________________
5 Mars 2006
___________________________
Tentativa për hapjen e shkollës greke në Himarë, cenon sovranitetin e shtetit
Shkollat greqisht në Himarë, akt antikushtetues
Pavarësisht Traktatit të Miqësisë Shqipëri - Greqi, dhe protokolleve dypalëshe për ngritjen e shkollave shqipe në Greqi, që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën amtare, shteti grek nuk ka marrë asnjë masë për të përmbushur këtë kërkesë të ligjshme, që buron nga fryma e Traktatit dhe të gjitha kartat ndërkombëtare të pranuara e firmosura nga të dy palët, si Greqia, ashtu edhe Shqipëria
Editorial
Reforma që nuk po kryhet
Nga Murat Basha
Një ndër arsyet pse qeverisja e maxhorancës demokrate nuk po duket shumë efikase, është fakti se ajo duket sikur me zor lëviz në reformën e aparatit administrativ. Përveç disa drejtuesve të lartë, në administratë duket sikur janë po ata që kanë qenë gjatë gjithë sundimit socialist. Po pse merresh me reformën e administratës së PD-së, mund të pyesë ndokush me të drejtë. E thjeshtë, ndërtimi i administratës, puna e saj, efikasiteti i saj, ka lidhje të pashqitshme me jetën tonë të përditshme, me jetën e qytetarëve shqiptarë, me nivelin apo standardin e jetesës sonë. Që duhet thënë se është ndër më të ulëtit në Europë. E jo vetëm për këtë shkak. Ka raste kur në zyrat e shtetit gjen edhe fosile të kohës së komunizmit. Dhe për një antikomunist, kjo është një çështje mjaft delikate, mjaft e ndjeshme. Prandaj kemi folur e do të flasim për reformën në administratën e shtetit. Prandaj na duket se ndryshimet e qeverisjes së PD-së janë mjaft të vogla. Dhe pikërisht kjo ngadalësi ndryshimesh ka sjellë këtë rënie të popullaritetit të kësaj qeverisjeje, e cila për hir të së vërtetës, në disa pika ka shënuar suksese përtej asaj që kishte premtuar në fushatë. Reforma e administratës, në një farë mënyre, është çelësi i artë që mund të hapë rrugën për suksesin e reformave të tjera në të gjitha rrafshet e qeverisjes. Ajo mund të konsiderohet kryereforma. Por kjo nuk po ngjet dhe fajet për këtë s'mund t'i këtë kush tjetër, por veç ata që kanë tagër ta kryejnë. Duke ia filluar nga shefat e personeleve nëpër dikastere, duke vazhduar me ministrat e në fund me vetë kryeministrin Berisha. Në PD dikur ka ekzistuar një departament i burimeve njerëzore. Edhe ministritë e kanë nga një të tillë. Në këto kushte, pyetja që lind është se çfarë kanë bërë ose po bëjnë këto struktura? Ku janë "burimet njerëzore", specialistët, njerëzit e aftë e me ide, e sidomos njerëzit e ndershëm që nuk e konsiderojnë karrigen e shtetit, "një lopë që duhet mjelë"!? Reformat, fillimi i ri, qeverisja me duar të pastra, nisin pikërisht me ndryshimin thelbësor të administratës "socialiste". Sepse, që administrata e vjetër "socialiste" duhet ndërruar, këtë nuk ka shqiptar që të mos e pranojë (përveç të prekurve drejtpërdrejt). Ajo administratë ka qenë personifikim i perversitetit administrativ. Shembulli më i zi i një administrate ku "po të mos vidhje, ishe i papërshtatshëm". Një administratë që theu të gjitha rekordet për korrupsion në zyrat e shtetit. Një kancer i vërtetë për shoqërinë shqiptare. Një makth të cilin vetëm ata që kanë pasur punë me të, e kanë ndier se ç'do të thotë. Vetë fakti që më 3 Korrik z.Berisha mori një mandat plebishitar nga votuesit, flet vetë. Ai mandat ishte pikërisht një mandat antikorrupsion, dhe këtë gjë, edhe drejtuesit e lartë të PD-së e dinë mirë. Prandaj, mospërmbushja e këtij detyrimi ndaj votuesit mund të konsiderohet dy herë braktisje e detyrës dhe lënie në baltë e atyre që të kanë besuar. Nuk kemi shumë të dhëna rreth arsyeve të kësaj ngadalësie që vërehet. Ndoshta PD mendon se mund të punojë edhe me njerëzit e administratës "rozë". Gjithsesi jemi skeptikë se kjo mund të ecë gjatë. Disa episode tragjiko-komikë, siç ishte ai me fikjen e dritave gjatë fjalimit të presidentit Barroso, strategjia për KESH-in e lexuar nga kryeministri, apo "neglizhenca" të tjera të kësaj natyre, të bëjnë me dije se me administratën e vjetër kjo qeveri nuk do ta ketë të mundshme të realizojë ato premtime që ka bërë. Ndoshta krerët e PD-së kanë arsyet e veta që sillen kësisoj, por nëse vazhdohet më këtë ritëm "breshke", nuk do të jetë e largët dita kur të vajtojnë "kohën e humbur". Një shkas mund të jetë edhe fakti që një pjesë e administratës ka lidhje të dykahshme politike, siç e kanë bërë zakon tashmë prej vitesh "mehmurët" tanë, gjithsesi pasojat bien mbi ata që kanë tagër dhe detyrim për të ndryshuar gjendjen në këtë vend. Para disa ditësh më rastisi të dëgjoja ankesën e një funksionari të njërës prej ministrive më të rëndësishme të kabinetit Berisha, i cili habitej me kërkesat e disa deputetëve të PD-së. Në thelb, ankesa e tij vinte nga fakti që njerëz me influencë të PD-së, nuk i kërkonin që të fuste specialistë të rinj në administratë, por "të mbanin x-in apo y-in" që kishte qenë gjatë gjithë kohës në zyrë të shtetit. Ky proces i përkundërt, pra mbrojtja e administratës së vjetër, prej njerëzve influentë të PD-së, mund të jetë një nga shkaqet që reforma kundër "administratës më të korruptuar në Europë" të jetë kaq e squllët, kaq e pandjeshme, kaq kot.
KRYESORE
Legalistët në konferencë shtypi kërkojnë thellimin e reformave
PLL: Të ndalet vrulli shkatërrues i së majtës
Ditën e enjte, dt. 2 mars 2006, Drejtori i Departamentit të Marrëdhënive me Publikun në PLL, z.Gjergj Thanasi, dha në selinë e kësaj partie një deklaratë për mediat, duke u fokusuar në problemin e kaosit që ka përfshirë prej mëse një jave parlamentin shqiptar, dhe duke iu drejtuar drejtpërdrejt kreut të qeverisë z.Berisha. Më poshtë po japim të plotë deklaratën e tij në emër të PLL.
"Z.kryeministër, vepra, jo fjalë, Ju lutemi!
Ditët e fundit, me shkaqe dhe me sebepe, e Majta shqiptare, e pamësuar me të qënit në opozitë; e pamësuar të jetojë pa vjedhur, grabitur e vrarë, ka ngritur dozën e agresivitetit në parlament!
Duke shfrytëzuar edhe ndonjë gabim në procedurë, apo ndonjë mangësi teknike të sistemeve të vjetëruara të elektronikës, e Majta shqiptare përpiqet të shkatërrojë parlamentarizmin, sipas motos "Pushteti mund të humbet me vota, por gjithsesi mund të fitohet me dhunë e dajak...".
PLL i kërkon Ekzekutivit shqiptar, të vazhdojë qeverisjen e vendit, të thellojë reformat, të mbajë lart prestigjin e shtetit shqiptar, gjithashtu.
Me shpirtmadhësinë karakteristike të së Djathtës, pushteti t'u sigurojë të majtëve grindavecë dhe të dhunshëm, çdo hapësirë demokracie, që ua lejojnë ligji dhe rregulloret.
Ne besojmë se kapitalizmi është demokraci, dhe instalimi i demokracisë në një Shqipëri europiane, do t'i japë frutet e veta edhe për vëllezërit tanë socialistë, të cilët, po nuk qenë në pushtet, janë të gatshëm ta djegin Shqipërinë sa herë që t'u duhet për t'u rikthyer në pushtet.
Në këtë prag-krizë parlamentare, njëlloj si në vitin 1997, inati nuk është për "mustaqet e Leka Meksit", as për "rimelin e zonjës Topalli", por për të rifituar me dhunë atë që u humb me vota më 3 korrik!
Sulmi ndaj institucioneve të shtetit, me tentativa për penalizim të komandantit të Gardës së Republikës, nuk është fort larg nga djegia për sëgjalli e gardistëve në Cërrik.
PLL shpreson se partitë e koalicionit qeveritar do të shtojnë përkrahjen për Kabinetin Berisha dhe nuk do të lejojnë që një destabilizim i Shqipërisë nga e Majta e dhunshme, të vështirësojë pozitën negociuese të delegacionit kosovar dhe të asaj pjese të faktorit euro-atlantik, që është më pranë idealit kombëtar të shqiptarëve.
Koalicioni qeverisës, duhet ta kuptojë se të qeverisësh, krahas privilegjeve të ligjshme, ke edhe përgjegjësira, sidomos kur ke përballë një opozitë, e cila për t'u kthyer në pushtet, është gati ta kalojë vendin në kaos, jo vetëm institucional.
I kërkojmë qeverisë të thellojë reformat, të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga marrëveshja e porsanënshkruar me Bashkimin Europian, duke i siguruar opozitës të gjithë lirinë e nevojshme për të bërë opozitë, pa djegur Shqipërinë.
Atdheu ynë i përbashkët, Shqipëria, duhet të na dhimbset më shumë sesa pak dyzina hajdutësh e kriminelësh, të cilët mbasi për 8 vite kanë bërë të 99-at, nuk e kuptojnë se më 3 korrik, u tha "Mjaft"," - perfundoi deklaraten z.Thanasi.
Kjo konferencë u ndoq me interes nga mediat elektronike e të shkruara të vendit.
"Atdheu"
Ne fokus
Tentativa për hapjen e shkollës greke në Himarë, cenon sovranitetin e shtetit
Shkollat greqisht në Himarë, akt antikushtetues
Nga Sazan PIPA
As pronari i vilës luksoze në lagjen rezidenciale "Lamia" të Athinës, filogreku Fatos Nano, nuk guxoi të lejonte hapjen e shkollës greke në Himarën-kryeqendër të Labërisë, teksa kërkesës së Greqisë dhe filogrekëve të sojit "Niko Kolila", iu përgjigj se mund të pranonte ndërtimin e një shkolle shumëgjuhëshe, dhe vetëm kaq. Por hapja e shkollës greke në mes të qytezës së Himarës ngjau, bash kur askush nga "fotozhenikët" e qeverisë që rendin pas kamerave, nuk guxoi të shoqëronte e pozonte pranë zv/shefit të diplomacisë greke, Stilianidhis, para flamujve grekë dhe turmave histerike që qanin dhe ulërinin greqisht, teksa një debil me emrin Albert Gajo, ngazëllente...
Edhe skipetari i kuluar Vasil Bollano-boleqëni, belbëzoi kur e pyetën për lejen e ndërtimit të kësaj shkolle, dhe si "argument" gjeti vetëm marrëzinë se "shkolla e ka lejen, pasi është ndërtuar në tokën e Kishës!!!", ndërkohë që kryetari i Këshillit bashkiak të Himarës, pilurioti Çipa, deklaroi se "asgjë nuk ka kaluar nëpër duart tona, as leja për rikonstruksionin e shkollës dhe as fondet...". Dhe për ta shprehur mendimin e tij për këtë akt poshtërues, ai e cilësoi atë si "antishqiptar".
"Eshtë një ëndërr e vjetër, për realizimin e së cilës është dashur të derdhet edhe gjak...", shprehet një nikokolilë tjetër, që mban postin e kryetarit të grupit të këshilltarëve të PD në bashkinë e Himarës. Dhe ka të drejtë, sepse është derdhur gjak që në kohëra që s'mbahen mend për të mbrojtur Himarën shqiptare nga spiromilot, Protokolli i Korfuzit, nga Pakti Tittoni-Venizellos etj.. Madje gjaku u derdh dhe u bë përrua edhe më '1997-ën, gjatë rebelimit.
Sërish nikokolilët guxuan të këndojnë në kor himnin grek dhe të kërkojnë bashkimin e Himarës me Greqinë, bash para syve të Gajos, që dha provën më të shëmtuar para publikut dhe kamerave greke, teksa gazetarët grekë kërkonin gati me imponim prononcime për "vuajtjet dhe martirizimet për kauzën e greqizmës dhe Vorio-Epirit..." nga pjesëmarrësit greqishtfolës, ndonëse dështuan, sepse ata nuk guxuan të gënjejnë për një pretendim të tillë.
Dhe Gajo-zëvendësministri ynë, duartrokiti me gaz për parullat antishqiptare, për flamujt grekë mbi tokën tonë, ndonëse sytë (që i plaçin), nuk i zunë asnjë flamur shqiptar, për be. Por ky idiot nuk është në gjendje të imagjinojë sesi do të reagonte homologu i tij grek, nëse një gjë e tillë do të ndodhte në mes të Greqisë.
Ky hajvan që han bukën e Shqipërisë dhe bën duanë e Greqisë dhe greqizmës, harroi shumë shpejt sesi reagoi Papulias kur mësoi se çamët e prisnin me flamuj shqiptarë dhe parulla miqësie dhe kërkesa të drejta e të ligjshme në Sarandë...
Në kontrast me qëndrimin antishqiptar të Gajos, zv/ministri tjetër Gjergji Bojaxhiu, refuzoi ta takonte Stilianidhis-in e Greqisë në një shkollë të ndërtuar në mënyrë të paligjshme, dhe i vuri si kusht, takimin vetëm në ambientet e bashkisë së Himarës, ku natyrisht valëvitet vetëm flamuri kombëtar shqiptar.
Më kot Vasil boleqëni guxoi ta qortojë z.Bojaxhiu për këtë qëndrim, duke e cilësuar atë si "qëndrim i papërgjegjshëm", sepse para këtij skandali të përgatitur, nuk guxoi të cedojë as Ministria e Arsimit, që është dikasteri i linjës, që duhet të miratonte dhe liçenconte shkollën ku fëmijët shqiptarë do të detyrohen të mësojnë greqisht.
Ndërkohë, pavarësisht Traktatit të Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri Greqi të Marsit 1996, dhe protokolleve dypalëshe të nënshkruara e firmosura në zbatim të tij për ngritjen e shkollave shqipe në Greqi, që fëmijët e emigrantëve të mësojnë gjuhën amtare, shteti grek nuk ka marrë asnjë masë për të përmbushur këtë kërkesë të ligjshme, që buron nga fryma e Traktatit dhe të gjitha kartat ndërkombëtare të pranuara e firmosura nga të dy palët, si Greqia, ashtu edhe Shqipëria. Hapja e shkollave shqipe në Greqi, nuk është realizuar, ngaqë edhe shteti shqiptar ka bërë të vdekurin dhe memecin, ndoshta edhe nga frika e turpshme, kompleksi i inferioritetit dhe arroganca karakteristike e Greqisë, që guxon të na provokojë e injorojë, sistematikisht.
Himara, kësisoj kulmoi sërish si bastioni ku greqizma ka ngulur kthetrat dhe antishqiptarizma është shndërruar në një aktivitet fitimprurës politiko-ekonomik, sa kohë që nuk ndëshkohet si veprimtari e mirëfilltë subversive, antikushtetuese e antishqiptare, në dëm të sovranitetit dhe dinjitetit, qoftë edhe të munguar, të shtetit shqiptar.
INTERVISTA
F2.
Intervistë me z.Gjergji Thanasi, Drejtor i Departamentit të Marrëdhënieve Publike në PLL
Gjergj Thanasi: Pas kanabisit qendrojnë deputetët socialistë
Kreu i Prokurorisë Sollaku, po etiketohet si nyja gordiane e zhvillimeve politike dhe sidomos reformës institucionale. Cili është mendimi juaj?
Kur do të shkarkohej pararendësi i z.Sollaku, sektorë të gjerë të së Majtës shqiptare e qanë me ligje, duke pretenduar se heqja e Rakip-kokainës ishtë një gjëmë e padëgjuar për drejtësinë shqiptare. Vetë Mandoi i Anti-mafias italiane, që e mbrojti me vizita jashtë programit, deri në minutën e fundit e harroi brenda javës. Vdiq Rakipi, rroftë Sollaku! Mjafton që të na firmosë shkresat për ata keqbërës shqiptarë, të cilët ne italianët kemi vendosur t'i plasim brenda.
Largimi i Sollakut që fle mbi dosje, gratis a me pagesë nga krimi, këtë nuk e dimë, nuk është fundi i botës. Për më tepër, nuk kemi të bëjmë as me ndonjë profesionist të shquar, as me bashkëshort të kujdesshëm (a nuk ia njollosën fustanin Zeqinesë, me gjak, në atentat?), as prind i dhembshur (a nuk ia bënë kriminelët e "Hakmarrjes", të bijën, me ankthe). Si profesionist lejoi, me apo pa dashje, yçkla legale, që bënë të pamundur mbylljen në Vaqarr të kriminelëve që bredhin nga Hershtali i Liezhit, deri në kantonin Ticcino të Zvicrës. Kryeprokurori nuk mund të zbardhë tërë krimet e "Hakmarrjes". Por, të paktën, mund të gjejë si quhej shoferi që parkoi "Tipo-n", makinë-kurth, pranë super-marketit të VEFA-s, apo jo?!
Populli që votoi anti-korrupsionin e Berishës më 3 korrik, nuk mund të besojë që ky farë prokurori, të bëhet "Di Pietro" shqiptar.
Si do ta komentonit rolin e kreut të shtetit Mosiu, në gjithë këtë debat në lidhje me institucionet?
Po ç'keni më të?! Përshesh me qumësh po ha. Qameti - qameti, ndonjë krah Alba-Trosi që, si firmë, del me shumë pak fitim në tatime, e ndonjë pallat "të rrumbullakët të xha Lipes", andej nga Shkëmbi i Kavjës. Dhe kaq. Pleqtë janë inatçinj. Jo më kot, lozin domino dhe "Mos u nxeh". Se pastaj kur nxehen, në emër të anti-korrupsionit, ia nxijnë jetën nipit të Josif Zegalit, më keq seç e spiunonin në të ri, për punë hendek-lidhjesh e bunkerësh, e gjithfarë problemesh xhenjere.
Gjithsesi, atdheu ynë i dashur rënkon edhe nga Falstafë të tillë, që kërkojnë të plotësojnë në pleqëri, çka u ka munguar në rini.
Si e komentoni zhurmën rreth rikthimit të Nanos dhe marrëdhëniet Nano-Rama?
Fatos Nano me të padrejtë akuzoi operativin e tij dezhurn në selinë e PS-së, z.Rama, si një "opozitë që po fle gjumë" dhe futet në hullitë e Berishës, që "duhet lënë të punojë".
Për të ardhurat taks-free 3-4 milionë euro në muaj, me kusht që të funksionojë miniera e KKRRT-së, Edi Rama jo vetëm punon, por edhe lufton, djeg Shqipërinë, ia vë kufinë tek thana çeçenërisë. I biri i Thanasit duhet ta kuptojë që, njëlloj si ariu kur provon shijen e mjaltit, Edi Rama nuk mund të kthehet te kanaçja e supës së bamirësisë, në rrugët e Parisit, as te gaveta e Vaqarrit apo Rrogozhinës. Edi Rama, pavarësisht nga deviacionet e ndryshme mendore, e di edhe nga përvoja personale e z.Nano, se kur Berisha vjen në pushtet, një pjesë të hajdutëve më të spikatur i çon në burg. Edi Rama është burrë dhe nuk është grua si Luiza Hoxha, apo si ai djalka i Tatim-Telekomit, që nuk i ka ngjarë fare babait të vet, ministër i lavdishëm i shokut Ramiz. Edi Rama, ndonëse jo prezent fizikisht në Parlament, me ndihmën e deputetëve të zonave rurale, dy-prillsave apo ish-kryeministrave me bodigardë të vrarë në paradhomë, është aq trim sa t'i bëjë "dele" gardistët e Olldashit. Nuk besoj se z.Rama mund t'ia lejojë vetes atë fëlligështi momentale të 14 shtatorit, kur ia dha vrapit nga Kryeministria për në ROGNER.
Ka komente rreth njëfarë përçarjeje në gjirin e mazhorancës qeverisëse. Sa bazë kanë ato në këtë koalicion, që është pagëzuar "mazhoranca e zgjeruar"?
Populli thotë, më mirë djepi bosh, se shejtani në të. Vërtet, sipas Biblës, gruaja e futi shejtanin në shishe, por zonja Jozefina nuk më duket aq e zonja sa të fusë në shishe gjithfarë soj-shejtanësh, si ato që shiten për poste ministri, ashtu edhe ata që varin turinjtë për "Touareg" të munguar, apo për një çun teze të mospunësuar si kapter Kakavije.
Si i krishterë që jam, sjell shembullin e shtetarit të fqinjit tonë të jugut, burrit të fortë dhe ekstremist z.Micotaqis, të cilit, kur e Majta, në bashkëpunim me "aleatë" të djathtë, i bënte gili-vili, e çoi Greqinë tri herë brenda vitit, në zgjedhje të parakohshme. Qeni i fabulës së Ezopit, i pakënaqur me kockën e mandatit të deputetit, kërkoi thelën-hije të ministrit, dhe humbi edhe kockën që kish në gojë. Politikanët e koalicionit të zgjeruar nuk humbin gjë, po t'i studiojnë me laps në dorë fabulat e lashta, si p.sh. bretkocën që donte të bëhej sa një ka, apo atë të akrepit mbi kurrizin e bretkocës, ndërsa kryeministri Berisha bën mirë të kujtojë fabulën e miut dhe luanit.
Sipas një deklarate të fundit të qeverisë amerikane, në Shqipëri, prirja për trafikun e drogës është rritur. Cili është komenti juaj?
Prefekti Mori, 80 e kusur vjet më parë, brenda gjashtë muajsh, i sistemoi mafiozët e Cosa Nostra-s siciliane në burg-varr, apo përtej oqeanit. Kryeministri i vendit, për gjashtë muaj, veç u ka ulur pakëz tempin e të ardhurave mujore mafiozëve shqiptarë. Edhe ndonjë kokë-kriminale, që përkohësisht është brenda, po bën kokrrën e qejfit me celularë e femra. Kufijtë, sipas burimeve rreptësisht të besueshme amerikane, mbeten përsëri shoshë, me ndryshimin e vetëm se "padrino" i kazinosë nuk merr dividentin si më parë, për çdo gjë që hyn e del në kufijtë e shtetit shqiptar.
Droga heroinë kalon tranzit, magazinohet, përpunohet, ambalazhohet në territorin kombëtar dhe sasia e saj, që arrin metropolet europiane nga Roma, në Upsala të Suedisë, po bëhet gjithnjë e më problematike. Mbas 3 Korrikut kemi të njëjtat pika hyrje-daljeje, të njëjtat vende magazinimi dhe të njëjtët njerëz, me përjashtim të ndonjë kolegu "miellaxhi", që sot është deputet rozë në parlament. Dhe pushteti ka ndërruar më 3 korrik.
Kanabisi po pakësohet si prodhim vendas, por po koncentrohet në duart e klaneve të lidhura me gjak e interesa të përbashkëta, me deputetërinë socialiste. Nga Bolena, në Cakran, nga Dumreja, përtej Koplikut, pas çdo tonelate kanabis, qëndron një deputet socialist. Ndërsa, ministri Olldashi i shkel të drejtat deputetëve socialistë me çizme gardistësh, mu në mes të parlamentit. Sa mirë do të ishte që çizmet e tij, deputetëve socialistë t'u shkelnin kanabisin, heroinën e kokainën, jo të drejtat opozitare. Vazhdimësia e Shqipërisë si magazinë e kokainës latino-amerikane për rieksport në Europë, e ka çuar nivelin e alarmit në "të verdhë" në DEA-n amerikane. Dje, dividentët e kokainës i merrnin bosët e regjimit të vjetër. Po sot, kush i përfiton këto para?
Po pasuritë e patundshme, plus llogaritë bankare të rrjedhura nga kokaina, pa llogaritur drogat e tjera, kur do të kalojnë në favor të shtetit shqiptar?
Organet përkatëse që mbulojnë anti-drogën në të dy ministritë, presin që kryeministrit t'i bëhen veshët llapushë nga të ndukurat e homologëve të tij këndej e andej Adriatikut, që të reagojnë.
Për pastrimin e parave nuk ia vlen të flitet, sepse akoma nuk janë përmbushur detyrimet si palë nënshkruese e konventave anti-terror. E kam fjalën për pasuritë e personit që deri vonë e ka pasur aktivitetin të zhvilluar në Shqipëri, me numër nipti J61814030R. Pra, kush ia ka ngenë të merret me pastrimin e parave të krimit të organizuar. Hidrën e 2KR-së nuk po e fusin në burg për hajdutllëk nafte pa akcizë, jo më për pastrim parash kokaine me sera japoneze.
Në vitin 1997, dashi që theu portën e kalasë së "diktatorit" Berisha, kishte dy brirë. Briri i majtë ishte e Majta politike shqiptare, briri i djathtë ishin skafistët, drogaxhinjtë, vrasësit me shokë. Ka ardhur koha që të dy brirët të priten me sharrë, jo të filmohen me kamera gjysëm-klandestinçe. Urgjentisht duhet të prishen kanalet e krimit të organizuar, që në to të mos kalojnë mallra dhe persona, kalimi i të cilëve e detyroi z.Nano të bisedonte kokë më kokë me z.Gros dhe z.El Baradei, e më pas gjunjë-këputur, jo nga Xhoana, por nga pesha e krimit, të ulej në stolin e rezervave.
Intervistoi: Zamir GJURGJI
AKTIVITETE
U zhvillua mbledhja e Komitetit Drejtues të PLL, Tiranë
PLL Tiranë, mbledhje për organizimin
Anëtarët e Komitetit Drejtues të PLL, dega Tiranë, zhvilluan mbledhjen e radhës, me rend dite përgatitjet e strukturës dhe materialeve për zgjedhjet e ardhshme lokale. Në këtë mbledhje të zhvilliuar të shtunën që shkoi ( d.t. 4 mars 2006) kryetari Nevruz Ndregjoni u kërkoi secilit prej anëtarëve të Komitetit Drejtues të kësaj dege angazhime konkrete dhe detyra konkrete për secilën nga nëndegët. Ai u shpreh se ne duhet të jemi të gatshëm në çdo moment për të zhvilluar një fushatë dinjitoze dhe të suksesshme në zgjedhjet e ardhshme. Këto zgjedhje, tha ai, janë një rast shumë i mirë për të kompensuar punën dhe mundin e ëdo njërit prej anëtarëve të KD-së ose legalistëve të spikatur të degës. Çdo njeri prej nesh ka mundësi që të marrë mandat këshilltari lokal , nëpër minibashkitë, komunat ose dhe në Bashkinë e madhje, Tiranë. Megjithëse nuk e dimë formulën se si do të garojmë në këto zgjedhje, ne nuk duhet të mendojmë për të, por duhet të tregojmë forcën tonë, theksoi Ndregjoni. Më pas diskutuan anëtarët e KD-së, Hysen Sinani, Hamit Kurti, Lejla Hysa, Flutura Përleka, Neritan Kolgjini, Hamit Bala, Nuredin Cenaj etj.
Në fjalën e tyre ata shprehën vështirësitë që ndeshnin në rifreskimin e strukturave dhe angazhimin serioz për seksionet. Gjithsesi, në fjalët e tyre lakonike, ata shprehën optimizin se Legaliteti ka potenciale, pa shikuar majtas e djathtas, të bëjë një garë dinjitoze e korrekte.
Z.Sinani tha se ne si legalistë duhet të jemi krenarë, se përfaqësojmë një ideal siç është Monarkia. Ne kemi besim, tha ai, se Monarkia është ajo formë qeverisëse, e cila mund ta kthejë përsëmbari jetën e kombit shqiptar.
Sa i përket organizimit, z.Sinani tha se për ne si legalistë tiranas, ky nuk është një problem shumë i madh, pasi bazamenti legalist është mjaft i qenësishëm në kryeqytet.
Në fund, kryetari Ndregjoni, pasi dha porositë e rastit, u shpreh se mbledhja e ardhshme do të zhvillohet shumë shpejt, ku do të raportohet për gjendjen reale të antarsisë dhe të strukturave.
Korresp. "Atdheu"
Krujë, zhvillohet mbledhje e kryesisë së degës me praninë e drejtuesve nga qendra
Spahiu: Reforma zgjedhore duhet të shpejtohet
Krujë, 3 Mars - Pasditen e sotme, kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu dhe sekretari i përgjithshëm z.Artan Tujani zhvilluan një takim pune me kryesinë e degës së PLL Krujë.
Takimi u organizua në kuadrin e një veprimtarie të programuar të Kryesisë së PLL në qendër për të kontaktuar në terren me të gjitha degët e PLL, që ka si qëllim jo vetëm njohjen e drejtpërdrejtë të realiteteve lokale, por edhe shkëmbimin e mendimeve në lidhje me programimin dhe fillimin e punës intensive për zgjedhjet vendore.
Z.Spahiu, në fillim të bisedës, i njohu legalistët krutanë me zhvillimet më të fundit politike në vend dhe qëndrimet e PLL në lidhje me to. Ai tha se partia jonë ka mbështetur veprimet e qeverisë për masat e marra në drejtim të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ai përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes së asocijim-stabilizimit dhe e konsideroi atë një ogur të mire dhe njëkohesisht shprehje të një perceptimi dhe qëndrimi të ri të BE ndaj vendit tonë. Ai dënoi veprimin politik të opozitës në parlament dhe e konsideroi atë si qëllimkeq dhe destruktiv që synon të ruajë statuskuonë, të bllokojë punën e kuvendit dhe të shkaktojë destabilizim.
Ai shprehu nevojën që pozita ka për të vazhduar me vendosmëri dhe shpejtësi realizimin e reformave të premtuara dhe nuk ngurroi të sigurojë mbështetjen e PLL karshi këtyre reformave.
Ai foli për turin e takimeve që PLL ka nisur të zhvillojë në bazë, të cilat krahas qëllimeve të tjera, duhet të kenë synimin dhe të realizojnë daljen e strukturave lokale nga letargjia e 3 korrikut dhe fillimin e punës intensive për zgjedhjet vendore.
Z.Spahiu foli për rëndësinë e veçantë që kanë për Legalitetin zgjedhjet e ardhshme vendore dhe afishoi në detaje strategjinë pothuajse të përfunduar të PLL për këto zgjedhje.
Disa nga pikat të kësaj strategjie janë mbulimi 100% i njesive zgjedhore me kandidatë, gjetja dhe aplikimi i mekanizmave nxitës dhe konkurrues, shfrytëzimi i veçorive lokale dhe zbatimi elastik sipas kushteve konkrete i strategjisë elektorale, pavarësia më e madhe relative që degët e PLL do të kenë në aspekte të ndryshme, etj..
Me tej takimi mori formën e një bashkëbisedimi të frytshëm.
Kryetari i degës së PLL në Krujë z.Ramazan Kupi tregoi për optimizmin e lartë që ekziston në radhët e legalistëve krutanë, punën e bërë prej tyre dhe hapat e afërta dhe të mëvonshme që ata do të bëjnë për materializimin me sukses së zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ai propozoi (dhe kështu u vendos) që të shtunën e ardhshme të zhvillohet mbledhja e radhës e komitetit drejtues, e cila do të ketë në rend të ditës organizimin brenda muajit mars të një aktivi të zgjeruar të legalisteve krutanë në sallën e madhe të qytetit.
Z.Enver Kaloshi foli për përvojën e tij në nëndegën e Fushë-Krujës për përzgjedhjen e kandidatëve dhe pëlqimin e përbashkët që renditja përfundimtare në listën e kandidatëve për këshilltarë të bëhet sipas rezultatit të marrë prej secilit prej tyre nga qendrat e votimit të marra nën kujdestari. Ai u tregua optimist për dyfishimin e rezultatit zgjedhor.
Legalisti veteran Qemal Mala shprehu kënaqësinë për harmoninë dhe kolegjalitetin që ekziston në degën e PLL Krujë, optimizmin që ekziston ndër legalistët krutanë dhe punën që po bëhet në këto struktura.
Sekretari i Përgjithshëm i PLL z.Artan Tujani u shpreh se PLL është e aftë dhe sovrane të marrë në kohën e duhur vendimet e përshtatshme për të cilat kishte besimin se do të ishin efikase dhe me efekte të dukshme pozitive për të ardhmen e saj. Ai shprehu nevojën që të mos kishte ngurtësi në përzgjedhjen e kandidaturave dhe t'i tregohej rëndësia e duhur të gjitha njesive vendore, pavarësisht nga numri i votuesve. Ndërsa për bashkinë e qytetit të Krujës, -vijoi ai, ne duhet të synojmë për kryetarin e saj.
Zotërinjtë Shkëlqim Shani dhe Ahmet Duka, duke folur për përvojën e fituar nga zgjedhjet e kaluara dhe hapësirat e reja, u shprehën se do të dinin t'i shfrytëzonin më së miri këto hapësira.
Z.Arben Hajro tregoi për klimen e ngrohtë dhe miqësore që kishte ndier mes legalistëve (ai është i anëtarësuari më i ri nga radhët e intelektualëve) dhe u shpreh se ndihej krenar per zgjedhjen që kishte bërë. Ai e vuri theksin tek dinamizmi, shpalosja e vlerave historike që trashëgojmë, por edhe e alternativave te reja të cilat nuk na mungojnë.
Mendime të dobishme dhanë edhe zotërinjtë Bajram Dollaku, Kastriot Goci dhe Bashkim Kaloshi.
Takimi u konsiderua mjaft i dobishëm dhe pjesëmarrësit u ndanë me optimizëm për realizimin e detyrave që caktuan.
Korresp. "Atdheu"
DOSSIER
Të ndërtojmë të ardhmen, por pa harruar tmerret dhe kasaphanën e vitit të zi 1997 (1)
Ju rrëfej të vërtetën e llahtarshme të rebelimit 1997
Nga Kostandin KOLIQI
Koment hyrës
Kanë kaluar veçse 8 vjet nga tragjedia e pashembullt shqiptare dhe nuk janë aq shumë sa për të harruar kaq lehtë, e për më tepër kur vetë protagonistët e asaj kataklizmoje, na e kujtojnë sërish në përvjetorin e 8 të tragjedisë, që autori i këtij dossieri e ka titulluar "Shën Bartholomeu shqiptar...".
Në shkurt të vitit të mallkuar 1997, një takëm kriminelësh të politikës shfrytëzuan një situatë politike aspak më të acaruar se kjo e tanishmja, për të destabilizuar shtetin me anë të rebelimit të armatosur, që përmbysi me gjak demokracinë dhe dogji e shkatërroi Shqipërinë. I vetmi dallim midis dy situatave, qëndron në faktin se, në vitin 1997, këta gjakatarë nuk e nisën sulmin nga parlamenti, ngaqë nuk ishin deputetë, por nga Vlora, dhe se atëherë si shkas u bë humbja e parave, ndërmjet të tjerash edhe në fondacionin e një monstre analfabete, e quajtur Maksude Kadëna, për të cilën disa tepelenas thonë se ka qenë kushërira e Skënder Gjinushit.
Sudja, gjatë pushtetit të Gjinushit u dënua vetëm me 5 vjet burg, nga të cilat "vuajti" vetëm 3 vjet, ndonëse kish grabitur rreth 350 milionë $ të huadhënësve fatkeqë shqiptarë. Tashmë ajo është larguar nga vendi "në drejtim të paditur". Përflitet se është larguar me ndihmën e pushtetit të para 3 korrikut, e pajisur me pasaportë diplomatike, lëshuar nga "thyerësi i kafkave", (i biri i ish Drejtorit të Përgjithshëm të burgjeve të diktaturës komuniste, xhelatit të birucave...).
Tashmë po përsëritet e njëjta situatë e tensionuar, që ka filluar e po kulmon në Kuvendin e Shqipërisë, ku ish protagonistët e kasaphanës së '97-ës po tentojnë të realizojnë obstruksionizmin dhe kolapsin e plotë parlamentar, si pararendës i krizës totale institucionale...
A do të mundin ata të përsërisin vitin 1997 dhe ta zhysin sërish vendin në kaos?
Kjo mbetet për t'u parë gjatë ditëve të ardhshme.
Ky dossier i një dëshmitari të rëndësishëm të atyre ngjarjeve të llahtarshme, shërben për të kujtuar, por edhe për të kuptuar se katrahura parlamentare që po përjetojmë, nuk është e rastit..., sa kohë që ka të njëjtët protagonistë, që janë kriminelët e demokracisë dhe njëkohësisht bijtë e kriminelëve të diktaturës...
Astrit Kola
Portret i dëshmitarit të ngjarjeve tragjike
Quhet Kostandin Koliqi, oficer karriere. Vitet e fundit i specializuar në shërbimet sekrete ndër më të mirat e ushtrive të NATO-s (si ai amerikan, turk, gjerman, etj.) dhe deri më datë 20 shtator 1997 ka shërbyer në krye të shërbimit sekret për Forcat e Mbrojtes Detare. Nuk ka qenë dhe nuk është anëtar i ndonjë partie, por e gjen veten tek programi i partive të djathta. Eshtë, ndoshta, nga të rrallët oficerë që, më datë 13 dhjetor 1990, në mbledhjen e zgjeruar të PPSH, ku u kërkohej oficerëve mendimi për pluralizmin politik, (kjo me porosi të Ramiz Alisë), kërkon heqjen e partisë nga ushtria, heqjen e yllit të kuq nga flamuri kombëtar, si shenjë partiake, si dhe heqjen e tij nga emblemat ushtarake. Kjo bëri që jo vetëm të ofendohej nga shokët komunistë, por edhe të kërcënohej me burgim. Dhe si për ironi - thotë ai: "disa nga këta kërcënues, tani së fundi, hyjnë dhe dalin lirisht nëpër zyrat e partive të djathta!!!".
Prolog
Në ngjarjet e Shkurt-Marsit të vitit 1997, nga Komiteti i Shpëtimit Publik të Vlorës, mbaja nr. 17 në listën-vendim, ndër të 111 emrat e të dënuarve me vdekje nga ky komitet i vetemëruar si "drejtues apo komandues i kryengritjes së armatosur". Falë Zotit dhe një oficeri vlonjat, dola i gjallë nga ajo katrahurë, të cilën edhe nata e Shën Bartolomeut do ta kishte zili.
Unë nuk kam mbajtur ditar, por se çfarë ndodhi atje, në Vlorë, si filloi, kush e inspiroi dhe drejtoi, si vazhoi dhe si mbaroi, i kam dokumentuar dhe dorëzuar, por i kam futur edhe në kujtesën time, në mendje dhe në shpirt, dhe i kujtoj ato ngjarje në detaje.
Rebelimin masiv në Vlorë, e paraprinë disa ngjarje në dukje të vogla, por që nuk ishin të tilla dhe kam mendimin se duhet të vlerësoheshin duke marrë masat përkatëse nga instancat kompetente, të cilat mund të luanin rol në zbutjen deri diku të ngjarjeve katastrofike të mëvonshme.
Më 15 janar 1997, nën/kolonel Balice, kuadër i lartë i shërbimit sekret ushtarak Italian, emërohet përkohësisht zv.komandant i bazës detare në Bridizi. Zotëri Balice e njihte mirë Shqipërinë, sidomos zonat bregdetare të saj, sepse në vitet 91-93 ishte në detyrën e komandantit të "Grupit Naval 22", (anijet e rojes bregdetare italiane, me detyrë ruajtjen e bregdetit shqiptar me qendër në Durrës).
Në këtë periudhë "ngatërrohet" në veprime të paligjshme kontrabande dhe pasi i plasi era, italianët e tërhoqën nga ky shërbim, por puna e tij si kundërzbulues la gjurmë në rajonin e portit, doganë etj..
Emërimi i z.Balice në bazën detare të Brindizit, tregonte për atë që italianët po merrnin masa për një eksod të mundshëm të anijeve tona, gjë e cila u realizua me datat 13, 14 dhe 15 mars 1997. Për masat e pritjes së anijeve tona, (masa që po merreshin në bregun tjetër), z.Balice më dha të kuptoj gjatë një takimi zyrtar në Brindizi, në Maj të vitit 1997, por shumë gjëra i mësova edhe nga njerëzit e mi që zbarkuan atje me anijet e tyre, të cilët më informuan edhe për disa oficerë shqiptarë, që u vunë në shërbim të Balices...
Në 15-ditëshin e dytë të Janarit '97 në Vlorë shkarkohet nga detyra kryetari i SHIK-ut, një zotëri që e njihte në mënyrë të shkëlqyer Vlorën, mentalitetin e popullit të saj, forcën e ideve komuniste atje, punën e ish oficerave të Sigurimit, por që njihte edhe detyrën e tij në mënyrë të shkëlqyer. U zëvendësua nga i ndjeri Shkëlqim Agolli nga Korça, i cili për 45 ditët që qëndroi në detyrë, besoj se edhe rrugët e Vlorës nuk arriti t'i mësojë.
Më vonë u vra në Greqi.!?
Gjatë ditëve të janarit 1997, në Vlorë, Himarë, Sarandë, Gjirokastër..., po ktheheshin shumë ish-oficera të Sigurimit të Ushtrisë, të Policisë, të liruar nga reforma dhe të emigruar në Itali, Greqi e Serbi, e që mbushën lokalet dhe mbanin ligjërata të gjata, ku goditej demokracia dhe mburrej koha e komunizmit enverian.
Në këto ditë zbarkuan edhe shumë të huaj, kryesisht grekë dhe italianë, natyrisht në formën e gazetarit dhe fotorepoterit, të cilët shpejt u vunë nën mbrojten e shumë të rinjve vlonjatë, ditën dhe natën. Se nga kush ruheshin, vetëm ata e dinë!?
Më datë 4 shkurt 1997, Tritan Shehu, në cilësinë e kryetarit të PD, në aktivin e partisë në Vlorë, bëri një deklaratë, sa të çuditshme aq edhe të rrezikshme: "Gjallica falimentoi...", deklaratë e cila irritoi pjesëmarrësit në aktiv dhe pas 2-3 orësh pothuajse gjithë qytetin e Vlorës. Kjo deklaratë ishte e rrezikshme, pasi ajo u bë jo nga pronarët e Gjallicës, por nga kryetari i PD, që ishte në pushtet, dhe habia qe se opozita nuk kishte dalë hapur kundër firmave huamarrëse. Kjo deklaratë e dha rezultatin e saj negativ që të nesërmen, teksa rrugët u mbushën me njerëz të shqetësuar dhe të revoltuar, sepse këtu implikohej direkt shteti dhe çfarë është më e keqja, nuk u dhanë shpjegimet e nevojshme.
Po atë natë, më 4 shkurt 1997, Fitim Gërxhalliu deklaroi se firma e tij shkonte shumë mirë. Kjo u përforcua edhe nga pushtetarët lokalë në Televizion, duke deklaruar: "Paratë e Gjallicës janë si uji i detit. Kur të mbarojë uji i detit, do të mbarojë edhe Gjallica".
Dy ditë më vonë, Gërxhalliu deklaroi falimentimin...
Pushtetarët lokalë nuk u panë më në publik, por edhe Tritanit i iku goja fare!
Më datë 7 shkurt 1997, një turmë e madhe njerëzish, jo e organizuar, doli në rrugë për të protestuar, duke bërtitur "Duam paratë tona", dhe kjo ishte kërkesa e vetme e tyre. Për t'i shpërndarë doli një grup policësh. Kundërvënia e turmës qe e ashpër, policët u kthyen të shpartalluar në Komisariat, dhe në hyrje të tij turma dogji 2 kamionë të policisë. Turma përbëhej kryesisht nga djem të rinj, ndërmjet të cilëve njihja shumë pronarë skafesh, tashmë të bllokuar në Gjirin e vogël të Radhimës. Këta qëndronin përballë Komisariatit, shanin dhe kërcënonin shefin e Komisariatit të Vlorës z.Sokol Mulosmani, i cili më datë 8 shkurt u largua nga Vlora, në një detyrë tjetër. Për drejtimin e policisë, në Vlorë erdhi gjeneral Agim Shehu dhe z.Arben Prrenjasi.
Rreth gjirit të Radhimës filluan të afrohen pronarët e skafeve, por akoma nuk guxonin t'i merrnin ato.
Gjatë këtyre 2-3 ditëve (7-8-9 shkurt), në Vlorë mbërritën politikanët e parë: Skënder Gjinushi, Neritan Ceka, Anastas Angjeli, Namik Dokle, Arben Malaj etj., të cilët tentuan të marrin drejtimin e protestave, por u pritën me të shara nga turmat. Në një moment, tek Sheshi i Flamurit, kur e mori fjalën Neritan Ceka, dikush nga turma i thotë: "Neritan, po të të bëjmë ty President të Republikës, a na i jep paratë?".
Neritani i thotë se ata kishin ardhur në Vlorë për të marrë drejtimin e protestave dhe ishin për zgjidhje politike. Atëherë personi që e pyeti Cekën, filloi të bërtasë me zhargonin vlonjat "O Neritan, të qafsha...", por tashmë i shoqëruar edhe nga një pjesë e turmës.
Në mbrëmje vonë, më datë 9 shkurt, na vijnë informacione se me datë 10 shkurt do të bëhej një protestë e madhe në Vlorë.
Në Vlorë, për t'u përballur me protestuesit, u prunë rreth 750 policë, në ndihmë të Komisariatit të qytetit. Por edhe në ndihmë të SHIK-ut të Vlorës erdhën një grup i vogël, të cilët i drejtonte z.Xhahit Xhaferri.
Më datë 10 shkurt, në mëngjes, sëbashku me një kolegun tim, morëm takim me zz.Agim Shehu dhe Arben Prrenjasi, të cilët i gjetëm shumë të shqetësuar për atë që mund të ndodhte. Kishim vendosur të shpërdanim forcat e policisë në bulevardin kryesor, për të mos lejuar njerëzit të mblidheshin në turma të mëdha, por vumë re se akoma nuk kishim rregulluar valët e radiove me përgjegjësit e grupeve policore.
Mbaj mend se u thamë mendimin tonë, që të mos ndërhynin në protestën që do të bëhej, por ata nuk e morën parasysh.
Po kështu, bëmë takim edhe me z.Xhahit Xhaferri, në zyrat e SHIK-ut, ku atij i shprehëm mendimin tonë, por edhe ai nuk na përfilli fare. Kujtoj që kolegut tim i thashë se Xhaferri nuk e ka emrin Xhahit, por Xhahil...
Po gdhihej data 10 shkurt, kur dola të shikoj se çfarë po bëhej në qytet. Eca përgjatë rrugës Skelë-Vlorë në drejtim të Sheshit të Flamurit, në të gjithë anët, madje edhe në akset e rrugëve lidhëse, shikoj grupe të ndryshme me nga 5-6 policë. Banorët mblidhnin në heshtje, gurë... Armatosja me gurë dhe sende të tjera të forta, zgjati rreth 1 orë. Në rrugën në drejtim të Kuc-Baba-së, u godit me gurë grupi i parë i policëve, të cilët ikën nga sytë, këmbët. Afrohem me të shpejtë në qendër, tek Xhamia. Kam qenë pikërisht mbi trotuarin përballë Xhamise, kur filloi një sulm me gurë kundër grupeve të policisë, sulm i cili si rrufe u përhap deri tek Kali i Trojës. Ky rrebesh gurësh zgjati rreth 7-8 minuta. Policët kishin shkopinj gome dhe mburoja plastike. Pashë se policët e radhëve të para u gjakosën në kokë, fytyrë dhe trup. Po ata djem që i godisnin, i merrnin dhe u jepnin ndihmën e parë! Disa i ndihmonin të laheshin tek një çezmë aty pranë, ndërsa ata të plagosurit më rëndë i çonin në Kishën katolike, ngjitur.
Turma dukej që nuk ishte aq armike... Shikoj policë të shpërndahen dhe të vrapojnë drejt Komisariatit të qytetit. Një grumbull i madh njerëzish qëndronin përballë godinës së Komisariatit. Nga hedhja e gurëve në drejtim të saj, plagoset një fëmijë. Njerëzit kërcënonin dhe shanin Sokol Mulosmanin. Nuk e dinin se ai kishte ikur.
Mbas nja dy orësh goditje me gurë, një grup qytetarësh hyjnë në godinën e policisë dhe mbasi nuk gjejnë atje asnjë nga titullarët dhe të burgosurit, dolën duke sharë "kanë dalë qenërit..., nuk kemi punë me godinën, ajo është e jona...".
Në darkë marr vesh se pranë Xhamisë, atje ku u bë përleshja më e madhe me policët, ishte vrarë një qytetar i quajtur Artur Rustemi. U tha se vrasja ishte bërë në orën 8.00.
Unë kam qenë aty deri sa atje mbetën pronarët e lokaleve dhe familjarët e rrethinave aty rrotull. Nuk dëgjova krisëm dhe nuk pashë të vrarë. Më pas kjo vrasje u përdor nga politika dhe kryesisht nga ajo opozitare, si "therori e protestave, shkaktuar nga plumbat e policisë...".
Për këtë vrasje nuk është bërë asnjë hetim!!!
Më datë 10 shkurt, në mbrëmje, të gjitha skafet që ruheshin në Radhimë, u morën nga pronaret e tyre dhe ato që ishin në gjendje pune, fillojnë nga puna me çuarjen e klandestinëve në brigjet italiane.
Kjo punë, nga data 10 e më pas, bëhet e hapur, në mes të ditës, dhe kjo ndodh sepse që më datë 11 shkurt nuk ekzistonte shtet, apo "pushtet lokal".
Drejtuesit lokalë ishin larguar pa lënë gjurmë. Po në këtë ditë digjet godina e PD-së lokale. "Dogjëm zyrat e Byrosë Politike", - bërtisnin disa djem të rinj. Kjo nofkë nuk ishte e freskët, e asaj dite, por shumë kohë më parë, kryetarin e PD Vlorë, z.Adhurim Musaraj, e quanin "anëtar të Byrosë Politike". Dhe me të vërtetë ai ishte shumë kapadai dhe i pakomunikueshëm. Të krijonte përshtypjen se me vendosjen e tij si kryetar PD-je, fillonte edhe historia e Vlorës!!
Organizëm shtetëror që funksiononte, ishte vetëm SHIK-u. Në qytet filluan të shfaqen njerëz me prirje kriminale. Ishin të armatosur me armë të markave "Zastava", "Tomson", çifte dhe ndonjë kallashnikov. Po me datë 11 shkurt, vritet një polic, për të cilin u tha se u vra për hakmarrje!? Po këtë datë shfaqet maska e parë. Ishte Zani Çaushi, i ardhur nga Greqia, i nxjerrë nga burgu, ku vuante burgimin prej 101 vjet në burgun e sigurisë së lartë në Larisa. I nxjerrë nga policia greke dhe i instruktuar nga shërbimi sekret grek me detyra të marra nga politikanët grekë, për t'i zbatuar ato më vonë në Vlorë.
Njëri nga shokët e burgut të Zanit dhe të Gjolek Malaj-t, kur e pyetëm, na sqaroi: "Jam dënuar pothuajse në të njëjtën kohë me Zanin dhe Gjolekën; Zani me 101 vjet burg, Gjoleka me 35 vjet, ndërsa unë u dënova me 14 vjet. Zani dhe Gjoleka ishin rekrutuar nga shërbimi sekret grek dhe herë pas'here ata i largonin nga ne për ditë të tëra, siç duket i instruktonin. Kur u arratisëm më 1994 nga burgu i Larisës, vetëm këta të dy nuk erdhën me ne. Siç duket u përdorën në këtë periudhë, kundër vendit të tyre. Që ata ishin agjentë birucash, në favor të Asfalisë, këtë e dinte i gjithë burgu. Neve, herë pas'here organizonim edhe rrahjen kolektive të tyre...".
Më datë 12 shkurt doli maska e dytë, Albert Shyti, i ardhur po nga Greqia.
Po më këtë datë zbarkojnë politikanët e parë të opozitës. Në orën 8.00 të mëngjesit, Skënder Gjinushi del tek Sheshi i Flamurit. Ai i thotë turmës: "Do të vazhdojnë protestat në bazë të një plani, i cili do të miratohet në Komitetin e Shpëtimit Publik, që do ta krijojmë tani".
Në tribunë ishin edhe Neritan Ceka, Anastas Angjeli, Paskal Milo, Perikli Teta, etj.. Gjinushi tha: "Do vazhdojmë derisa të rrëzojmë Berishën dhe pushtetin e tij, se ai jua ka marrë paratë. Ne lebërit davatet i fillojmë me këngë dhe i mbarojmë me këngë", dhe pas kësaj ai filloi të këndonte "O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje, ja liri...".
Këtu Skënder Gjinushi i drejtohet turmës duke ngritur lart dorën me tre gishtat e parë të saj, të hapur. Pjesa e parë e turmës ia ktheu përshëndetjen me tre gishtat lart, duke e shoqëruar edhe me të bërtitura.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Komente
Don Sollaku, kreu de facto i PS
Nga Zamir GJURGJI
Skalionet parlamentare të socialistëve gjenden tashmë në pikun e luftës së tyre për të bllokuar institucionin më të rëndësishëm të jetës politike, Kuvendin e Shqipërisë.
E nisur si një betejë kundër kryeparlamentares Topalli, gjithçka ka degjeneruar në një situatë kaotike, ku zëri i opozitarizmit është shndërruar në zhurmuesin e saj. Për më tepër, është rishfaqur (DBSH-ja e djeshme) fenomeni i (o)pozitarizmit parlamentar (PDNJ-Ndoka-PDK).
Megjithatë, nëse do të analizojmë me kujdes arsyet e histerisë socialiste ndaj Zonjës së Parë të Kuvendit, do të kuptojmë se fobia anti-Topalli lindi kur kjo e fundit iu drejtua kreut të Prokurorisë, që të jepte dorëheqjen. Kaq mjaftoi që, të gjithë socialistët, në kor, të kundërshtonin me çdo mjet tentativat minimale për "karikaturim", që i bëri mazhoranca politike njërës prej figurave kult të mbrojtjes së dosjeve të krim-korrupsionit, siç është "fortlumturia" e tij Theo-Sollaku.
Me këtë lloj qëndrimi unitar ndaj Sollakut, socialistët treguan se Prokuroria është "djepi i socialistëve", dhe, ashtu si millosheviçianët me Kosovën, nuk do ta lëshonin, edhe sikur Shqipërisë t'i dilte ujët e zi si ai i '97-ës.
Opozita e sotme nuk ka shfaqur asnjëherë një reagim kaq të ashpër dhe intolerancë kaq të skajshme ndaj figurave qëndrore të jetës politike. Madje, në të shumtën e rasteve, krerët e lartë socialistë janë përfshirë vetë në një debat të sertë, në kufijtë e një luftë të ashpër dhe në mungesë të etikës minimale, si p.sh. Meta (padrino-ndaj Nanos), Nano (lavatriçe-ndaj Ulqinit dhe thonj pa prerë-ndaj Ramës), Angjeli (i korruptuar-ndaj Nanos), etj..
Socialistët kanë fërshëllyer sa e sa herë fjalën e një socialisti kundër një tjetri të sojit të tyre. Ata kanë mbajtur shpesh ritmin e daulleve mbi tavolinat e stërgjata të Selisë së PS-së, kur kanë disaprovuar qëndrimin e njërit ndaj tjetrit. Por, asnjëherë deri më sot, nuk kanë bilbiluar dhe nuk i kanë rënë tupanave për të mbrojtur "të pacënuar" një figurë de jure jo-socialiste.
Ky lloj qëndrimi i paprecedent, të bën me dije se ka diçka tjetër, përtej mbrojtjes unitare dhe utilitare që socialistët i bëjnë "idealeve të tyre të shenjta", socializmës dhe progresizmës.
Nëse do t'u referohemi deklarimeve të fundit që vijnë nga Departamenti Amerikan i Shtetit, "Shqipëria është pikë tranziti për heroinën aziatike, ku droga dhe krimi i organizuar lulëzojnë lirshëm, duke u bërë shqetësim thelbësor për Europën", kuptohet qartë se vendi ynë ka treguar dobësi të theksuara në luftën ndaj këtyre fenomeneve kancerozë, e për më tepër, roli i institucioneve përgjegjës ka qënë "nul". Në këtë kontekst, çdo lloj tentativë e qeverisë për të radikalizuar në çdo qelizë këtë lloj lufte, është mëse e kuptueshme , e pranueshme dhe vlen për t'u inkurajuar.
Përshpejtimi i procesit të integrimit të Shqipërisë në Europë, nuk mund të arrihet me këtë shkallë të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Qeveria demokrate, vetëm luftën ndaj kontrabandës mund ta kryejë "brenda kompetencave të veta", ndërsa dënimin e kontrabandistëve, korrupsionistëve dhe mafiozëve , e ka "jashtë kompetencave"?!
Kësisoj, mocioni anti-Topalli nxori në pah të vërtetën e hidhur se socialistët kanë vetëm "një objekt kulti ku falen", Prokurorinë. Dhe këtë "objekt" do ta mbrojnë me të gjitha armët e tyre, që fillojnë tek bilbilat e daullet, por mbarojnë tek kallashët e '97-ës.
Socialistët do ta mbrojnë "Don"-in e tyre Theodhori Sollaku, siç mbrojnë bletët mbretëreshën e tyre, pasi, nëse mbretëresha bie, bletët bien vetvetiu. Për rrjedhojë, nuk do ketë më mjaltë në kosheret e tyre, edhe pse ky i fundit nuk është edhe aq viskoz, dhe jo aq i verdhë.
Të panjohurat e mesazheve dhe lëvizjeve politike
Nga Astrit KOLA
Politika shqiptare, sikurse një nxënës i papërgatitur, tashmë është ngërthyer keq para "ekuacioneve" të vështira e me shumë të panjohura, duke mos mundur të rrokë as kuptimin e mesazheve, shpesh kundërthënëse, që i vijnë nga ndërkombëtarët.
Ndërkombëtarët, nga njëra anë e përgëzojnë maxhorancën aktuale për ecurinë e reformave dhe luftës kundër korrupsionit, nga ana tjetër e këshillojnë për spastrime politike të kundërshtarëve nga administrata; nga njëra anë e përshëndesin për nismat ligjore në thellim të reformave në përgjithësi, nga ana tjetër e qortojnë për shkeljen e të drejtave të pronarëve nëpërmjet z.Priebe; nga njëra anë e stimulojnë për vendosmërinë e avancimit të proceseve integruese drejt BE, nga ana tjetër fqinji jugor i fuqishëm i kujton se integrimi i Shqipërisë për në BE kalon nga Athina; nga njëra anë organizmat monitoruese stimulojnë dy partitë e mëdha për hartimin konsensual të kuadrit ligjor zgjedhor, nga ana tjetër, bash në raportet e tyre paszgjedhore, kryqëzohen pikërisht dy partitë e mëdha për anomalitë e rënda të zgjedhjeve; nga njëra anë ndërkombëtarët kërcënojnë me zero-tolerancë ndaj shkeljeve të barazisë dhe manipulimeve në zgjedhje, sipas formulave kineze të kërcënimeve, nga ana tjetër heshtin, miratojnë dhe vulosin "verdiktet" përfundimtare të zgjedhjeve problematike; nga njëra anë, BB dhe FMN mbështesin qeverinë dhe vendosmërinë e saj për ruajtjen e ekuilibreve makroekonomikë dhe luftën kundër evazionit fiskal, nga ana tjetër i vënë kushte asaj me anë të afateve kohore; nga njëra anë e mbështesin qeverinë për platformat e zhvillimit ekonomik dhe e stimulojnë me financime programesh dhe grantesh për rritjen e prodhimit vendas dhe përmirësimin e bilanceve import-eksport, nga ana tjetër e detyrojnë të firmosë parreshtur marrëveshje të disfavorshme për "Tregtinë e lirë" me vendet e rajonit dhe në kuadër të OBT; nga njëra anë FMN i kërkon qeverisë shqiptare dhe komisionit parlamentar të ekonomisë, refuzimin e marrëveshjes së disfavorshme (me kosto të lartë dhe kredi tregtare) me General Electric, nga ana tjetër shqetësohen thellësisht për vendimin e saj, për të mos e ratifikuar këtë marrëveshje; nga njëra anë e qortojnë për tolerimin e krimit të organizuar dhe trafiqeve, duke e klasifikuar në toplistat e treguesve negativë, nga ana tjetër ia lidhin duart kur bëhet fjalë për reformat në institucionet përgjegjëse të luftës joefikase kundër këtyre trafiqeve; nga njëra anë i kërkojnë bashkëpunim me interpolin për kapjen e të shumëkërkuarve për krime të rënda, nga ana tjetër u japin strehim politik bash atyre kundër të cilëve rëndojnë akuza për akte terroriste, pikërisht në kulmin e luftës kundër terrorizmit..., e kështu, pafundësisht...
Në këto kushte, mënyra më e mirë e orientimit në detin e qëndrimeve kundërthënëse që vijnë nga bashkësia ndërkombëtare, është pozicionimi i qartë në favor të interesave kombëtare, mbështetja e të gjithë politikave qeverisëse dhe praktikës administrative mbi parimet themelore dhe kartat ndërkombëtare të firmosura nga shteti shqiptar, si palë.
Nisur nga koncepsioni se shpesh herë sugjerimet dhe qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë kushtëzohen edhe nga interesa parciale dhe perceptime të njëanshme në funksion të synimeve të lobingjeve politiko-ekonomike, vendim-marrja e klasës politike dhe qeverisëse duhet të fokusohet në zgjidhjet më të volitshme, që i ndihin zhvillimit të vendit.
Vetëm principialiteti i vendimeve politike dhe qeverisjes, vetëm lufta pa kompromis dhe pa anësi kundër korrupsionit dhe faktorëve që pengojnë zhvillimin, vetëm lufta e ndershme politike dhe vënia në qendër të politikave qeverisëse të qytetarëve dhe vendit, janë argumentat më të mirë në përballjen me faktorët ndërkombëtare dhe në krijimin e marrëdhënieve luajale e atyre të mirëkuptimit e ndihmës së pakushtëzuar të tyre ndaj Shqipërisë.
Tashmë është bërë e qartë se faktorët ndërkombëtarë, pavarësisht difekteve skandaloze të qeverisjes dhe praktikave administrative e kuadrit tonë ligjor, kanë vendosur ta ndihmojnë dhe inkurajojnë Shqipërinë në hapat e saj drejt integrimit dhe përpjekjeve për zhvillim ekonomik, nëpërmjet programit të ndihmave ekonomike dhe kreditimit afatgjatë të defiçitit buxhetor. Në funksion të kësaj rezultanteje dashamirësie dhe partneriteti të sinqertë, duhen ndërtuar edhe politikat e bashkëpunimit reciprok me faktorët dhe aktorët politikë ndërkombëtarë. Kjo kërkon ruajtjen e parimeve të respektimit të sovranitetit, të seriozitetit në marrëdhëniet dy e shumëpalëshe, dhe të identifikimit e më pas të diferencimit të interesave të segmenteve të caktuara të Bashkësisë Ndërkombëtare, që vijnë ndesh me interesat tona kombëtare, qofshin ato korente, afatshkurtëra apo strategjike. Shembulli më i shkëlqyer i këtij qëndrimi thellësisht të përgjegjshëm e kombëtar, është Kroacia dhe klasa e saj politike, të cilat pavarësisht agravimit dhe ndërthurjes deri në përplasje, të interesave e qëndrimeve shtetërore në raport me segmente të caktuara të Bashkësisë Ndërkombëtare, ia ka dalë mbanë të ruajë dhe promovojë interesat kombëtare, të tejkalojë krizat në marrëdhëniet ndërshtetërore e më gjerë. Madje vitet e fundit, Kroacia ia ka dalë mbanë të rikrijojë besimin reciprok e restaurojë marrëdhëniet e bashkëpunimit të ndërsjelltë dhe efikas me faktorët më të fuqishëm dhe vendim-marrës ndërkombëtarë, çka ka mundësuar afirmimin e saj si kandidati më potencial në rajon për integrimin në NATO dhe BE.
Por, shteti shqiptar, në arsenalin e përvojës së tij të marrëdhënieve të ndërlikuara me ndërkombëtarët, zotëron shembullin e kohës së Mbretërisë Shqiptare, i cili përfaqëson sumumin e vlerave të bashkëpunimit dhe kulmimit të efekteve pozitive të diplomacisë si instrument i politikës së jashtme, në marrëdhëniet me Bashkësinë Ndërkombëtare. Parë në këtë këndvështrim, edhe qeveria e z.Berisha, së fundmi po korr frytet e politikave të qarta diplomatike, suksesi i të cilave u pa qartë gjatë nënshkrimeve të fundit të Marrëveshjeve të Asociim-stabilizimit me BE, por veçanërisht gjatë takimeve të suksesshme të kryekuvendares Topalli gjatë vizitës në SHBA-të.
Llogaritë e sakta të opozitës
Nga Astrit KOLA
Pas zgjedhjeve të 3 korrikut, pavarësisht vendimeve për dhënie mandatesh të KQZ, gjithnjë e më tepër në favor të opozitës fituese me në krye PD-në, Gramoz Ruçi, asokohe sekretar i Përgjithshëm i PS, në konferencat e shtypit, me të njëjtin ton të prerë si edhe në vitin 2001, këmbëngulte për ngushtim të rezultatit të fitimtarëve, derisa në një moment, e fiksoi shifrën e tyre tek 70 mandatet.
Asokohe, kjo tendencë e përsëritur e Ruçit, u përkthye në gajret-dhënie të të plotfuqishmit të PS, për të mbajtur lart moralin e socialistëve që kishin luftuar heroikisht për përsëritjen e mandatit të tretë, nën shembullin e shumëtrumbetuar të Toni Blerit. Por sot, pas rezultatit që maxhoranca voli në të korrat e fundit të mocionit për shkarkimin e kryekuvendares Topalli, dyshimi që "Beria" i PS nuk fliste në tym, është shndërruar në bindje jo pa baza.
Praktikat e diversionit brenda kundërshtarëve politikë, të aplikuara që në fillesat e pluralizmit, fillimisht nga PPSH-PS e më pas nga PD, në faltoren e së cilës faleshin çdo natë disa liderë të PS, ndërkohë që kryetari i tyre Nano i ngryste dhe i gdhinte netët në Bënçë, tashmë janë bërë komponenti kryesor i lojës së nëndheshme politike.
Pikërisht, për këtë takëm "guralecësh të qypit" të PS, bënte fjalë kryesocialisti në mocionin e famshëm të vitit 1996, drejtuar kongresit të partisë së tij nga Bënça, çka i dha shtysë edhe përzgjedhjes, po prej tij, të Gramoz Ruçit bash në postin dhe detyrën speciale të zbulimit dhe neutralizimit të "guralecëve brenda PS", si dhe infiltrimit të menjëhershëm të guralecëve brenda maxhorancës së dehur nga pushteti absolut i viteve 1992-1997.
Paskëtaj, pas një nënvleftësimi të përkohshëm, loja e "heronjve të heshtur", fitoi të drejtën e qytetarisë dhe u bë instrumenti kryesor i diversionit politik ndaj kundërshtarit, duke promovuar kësisoj shit-blerjet e ndeshjeve dhe kampionateve të politikës shqiptare.
Pikërisht këtë rrezik nuhati edhe shefi i maxhorancës z.Berisha, i cili ishte i pari që refuzoi haptas votimin me kuti të fshehtë të mocionit anti-Topalli, shoqëruar kjo edhe me kundërmasat e rreshtimit të ri taktik, të markimit dhe dublimit të ashpër të të dyshuarve si furrik-deputetë, me besnikë të sprovuar, por pa sukses. Sepse rezultati i votimit fiksoi shifrat e frikshme të Gramoz Ruçit, të cilat në mënyrë sinjifikative u valëvitën si tabulat fitoreje nga duart e Taulant Dedjës, pak çaste pas përfundimit të votimit elektronik, shkruar mbi një letër format me përmasa të habitshme, po aq të habitshme edhe për nga mundësia e gjendjes së saj në ato çaste, brenda sallës së Kuvendit!!!
Jo rastësisht, pikërisht pas shantazh-deklaratës së Papulias se "rruga për integrimin e Shqipërisë në BE kalon nga Athina" dhe shantazh-përplasjes midis Tavos dhe Çipë-kryepolicit (që di shumë e që dikur u emërua nga Ruçi), me Dulen dhe pasuesit e tij, kryetarit të PBDNJ-së dhe deputetëve të tjerë minoritarë "u humbi nga kujtesa PIN-i i celularëve" bash ditën kur në Kuvend votohej mocioni anti-Topalli. Ky dyshim ka gjasë të dalë plotësisht i vërtetë, po të konsiderojmë faktin se "PIN-i" zëvendësoi furrikët që tashmë janë shndërruar në tmerr, pas shfaqjes së virusit vdekjeprurës të pulave.
Tashmë të dy kampet janë vënë në alarm, pasi Lufta e Ftohtë me "heronj të heshtur" dhe kundërmasat reciproke, vënë në dyshim hesapet e palëve për rezultatet e mundshme të votimit për shkarkimet e krerëve të piketuar të institucioneve që, akoma, mbeten karakolle të sigurta të të majtëve në opozitë, të ndërtuara prej tyre ndër vite, që nga themelet e deri në çati.
Tashmë "heronjtë...", nga njëra anë ndjehen të rrezikuar nga dekonspirimi, nga ana tjetër ndjehen të terrorizuar nga përdorimi i dhunshëm prej kripto-padronëve, për nevojat kritike të luftës politike.
Në dallim me periudhën 1992-1997, kur "heronjtë..." u blenë me "medalje" bishtukësh dhe sponsorizim politik para ndërkombëtarëve, si "prekursorë të rinovimit të detyrueshëm të PS", "heronjtë" e sotëm brenda opozitës, është shumë vështirë të rekrutohen me para, pasi janë të mbushur dëng me të tilla dhe, sepse që tani kanë filluar të shpresojnë për rotacion të pushtetit, që do t'u siguronte shumë më tepër fitime në krahasim me ofertat aktuale të merkatos informale të nënrrogozit politik.
Ndërkohë, aksionet e "heronjve..." të maxhorancës kanë arritur qiejt në "join-venture"- bizneset e ngritura prej vitesh, çka pritet ta intrigojë së tepërmi lojën politike.
Jo rastësisht Gramoz Ruçi është kthyer sërish, e me kompetenca të plota, në aktivitetin intensiv të përzgjedhjes së kryetarëve të bazës së PS, dhe jo krejt rastësisht kulmuan zërat për "dobësitë", deri edhe tek kërkesat për shkarkim të zëvendësuesit të tij në postin e sekretarit të Përgjithshëm, Pandeli Majkos, i etiketuar dikur si një nga "guralecët e qypit", për shkak edhe të dekorimit "Pishtar i Demokracisë" me dekret të Berishës.
Tashmë, të frustruarit kanë filluar të shohim me dyshim edhe rishfaqjen e Nanos, i cili me prononcimet e tij, më së shumti shantazhoi shefin e maxhorancës, si hakmarrje për deklaratën e tij "Nano, President i Shqipërisë, harrojeni...", pa harruar të shantazhojë edhe "bukëshkalët" e PS, që i kthyen krahët menjëherë pas dorëheqjes, çka me gjasë mendohet se ka lidhje edhe me goditjet e nanoistëve. Ka lidhje edhe me zërin e mekur të Edi Ramës kur pyetet për të ardhmen politike të Nanos, por ka lidhje edhe me nxitimin e Ilir Metës për të flirtuar me PS, pa u tharë akoma boja e përgjigjeve të ashpra kundër saj dhe "filozofisë nanoiste...".
Jo rastësisht, Paskal Milo harroi Hamit Kostën, sfidën e PS dhe përplasjet mediatike me Blushin, sikundër jo edhe aq rastësisht u rigjallërua edhe Neritan Ceka, që pat deklaruar se do të votonte pro maxhorancës, nëse reformat e saj do t'i dukeshin bindëse...
Edhe kërcënimet e paradokohshme të Lesit për "dorëheqje..." në prag të "rishikimit përfundimtar të pozicionit të PDK në raport me PD dhe maxhorancën", (çka u pasua me tërheqjen e butë të Lesit dhe Berishës, që bashkërisht pranuan shkrirjen e "ngrirjes në mes të gushtit 2005"), tashmë bëhen më të lexueshme se më parë.
Bash në kundërpërgjigje të organizimit politik të opozitës, kryeministri, i cili kurrë më parë nuk ka patur kohë për të humbur në takimet me aleatët e vegjël, menjëherë e gjeti kohën të mblidhte e bashkëbisedonte kokë më kokë, deri edhe me nivelet e dyta e të treta të lidershipit të aleatëve, për të formuluar bashkërisht reagimin politik ndaj skemës së re të luftës politike të opozitës!
Gjithsesi, llogaritë e sakta të Ruçit lundrojnë si re të zeza mbi sfondin blu-bojëqielli-mavi të maxhorancës, duke stimuluar panikun e "Tsunameve" në brigjet ku asnjëherë nuk mundën të ankorohen paqësisht anije-jahtet e grupimit në pushtet.
Tashmë "kantjeri detar" i maxhorancës është vënë në gadishmëri maksimale për të taposur e mballosur me shpejtësi vrimat dhe të çarat që fusin ujë, por askush nuk jep garanci për siluret dhe torpedot e Ruçit, që me syrin në periskop, ndjek lëvizjet në panik dhe komandat konfuze të "kapitenëve", të cilëve dikur "Kapiteneria e Portit" nuk denjonte t'u caktonte për ankorim as molot rrangallë, e jo më limanin e sigurt të pushtetit.
Askush me mend në kokë nuk e vë më në dyshim faktin se, tash e tutje, deputetët e maxhorancës jo vetëm që do t'i pajisin me "celularë të rinj dhe PIN-e të sigurt", por edhe "radio speciale policie", për të verifikuar vendndodhjen dhe gjendjen shëndetësore, madje po të jetë nevoja, do t'i pajisin edhe me eskorta speciale truprojesh apo ruajtësish në distancë.
Jo rastësisht skeptikët i gjykojnë pseudosherret dhe lëvizjet prej karateistësh në parlament, si manovra taktiko-mashtruese të "heronjve...", që po duan të demonstrojnë besnikëri dhe përkushtim në përballjen e ashpër që ka filluar, e ku si provë garancie mund të kërkohet edhe ndonjë frakturë apo simulim dëmtimi fizik, në vartësi të detyrave operative në situatat e veçanta të përplasjeve të ardhshme, që padyshim pritet të jenë të ashpra, në mbrojtje të pozicioneve aktuale dhe synimeve për pozicione të reja në dëm të kundërshtarit!
RECENCA
Gazetari Mentor Hoxha nxjerr në qarkullim librin e tij të katërt
"Sekretet e VIP-ave", zbulon jetën e 90 personazheve publikë
Nga Prof. Emeritus Astrit KOLA
Librave të rinj që kanë hyrë në libraritë shqiptare, këto ditë u është shtuar edhe libri "Sekretet e VIP-ave", shkruar nga poeti dhe gazetari i mirënjohur Mentor Hoxha.
Ky libër është një lloj i veçantë dhe mjaft interesant nga të gjitha librat e publikuar deri më sot, sepse ka një përmbajtje, një konceptim dhe një ndërtim krejt të ndryshëm nga librat e tjerë. I ideuar në formë intervistash, profilesh dhe portretesh, libri monografik "Sekretet e VIP-ave" na jep në imtësi jetën private dhe profesionale të 90 personazheve VIP, që kanë dominuar skenën politike, artistike, kulturore e sportive gjatë 15 viteve të fundit. Libri përmbledh gjithashtu edhe portretet e të dhënat biografike të secilit personazh VIP. Përmes këtij libri, autori Mentor Hoxha nuk ka dashur të zbulojë në publik vetëm anën sentimentale të këtyre personazheve, por edhe të japë të plotë portretin e tyre, në mënyrë që lexuesi shqiptar dhe ai i huaj, të njihet me gjithçka që fshihet brenda botës së tyre shpirtërore; të njihet me vendlindjen dhe dëshirat, me pasionet dhe jetën e tyre fëminore, rinore, bashkëshortore e profesionale.
Në këtë libër janë përfshirë kryeministra, ministra, deputetë, diplomatë, shkrimtarë, prezantues, këngëtarë, aktorë, humoristë, regjisorë, gazetarë dhe sportistë, duke filluar nga Kryeministri Sali Berisha, Presidenti Alfred Moisiu, kryeparlamentarja Jozefina Topalli, dhe shumë figura të tjera të spikatura si Dritëro Agolli, Bamir Topi, Rubena Moisiu, Majlinda Bregu, Besnik Mustafaj, Paskal Milo, Sabri Godo, Fatmir Mediu, Teodor Laço, Arjan Starova, Arta Dade, Valentina Leskaj, Mimi Kodheli, Petraq Kolevica, Rudina Magjistari, Inis Gjoni, Miss Globe 2004, Artemisa Ozaj, Leonard Bombaj, Anjeza Maja, Uejda El Sayed, Lili Cingu, Rexhep Çeliku, Enada Hoxha, Ilir Shaqiri, Anita Take, Bujar Qamili, Manjola Nallbani, Albërie Hadërgjonaj, Rovena Dilo, Kastriot Tusha, Eli Fara, Irini Qirjako, Mariza Ikonomi, Evis Mula, Ingrid Gjoni, Edona Llalloshi, Sinan Hoxha, Rovena Stefa, Artiola Toska, Anxhela Peristeri, Behar Mera, Rita Lati, Cekja, Met Bega, Muharrem Hoxha, Timo Flloko, Serafin Fanku, Gëzim Kame, Vasjan Lami, Alban Skënderaj, Ela Tase, Zhani Ciko, Genta Ismaili, Adelina Ismaili, etj..
Pra, siç shihet, lista e figurave të përfshira në këtë libër është shumë e gjatë dhe autorit i është dashur një punë e madhe për ta konkretizuar me sukses një nismë të tillë kaq të bukur, por tepër e vështirë për t'u realizuar edhe për vetë faktin se një libër i tillë kushton jo pak për ta botuar.
Ky libër spikat jo vetëm për larminë e figurave dhe mënyrën mjeshtërore të ndërtimit të intervistave, por edhe për parametrat shumë cilësorë me të cilat është botuar.
Libri ka një paraqitje grafike shumë të mirë, faqosje tepër cilësore dhe format optimal, të cilat e bëjnë mjaft intrigues dhe tërheqës për lexuesit.
Për mundësimin e këtij botimi të veçantë, në radhë të parë falënderimet i takojnë sponsorit Ekrem Avdia, i cili në bashkëpunim me gazetarin e mirënjohur Hoxha, realizuan një libër kaq cilësor në të gjithë parametrat dhe komponentët, duke i dhënë kësisoj lexuesit shqiptar, një vepër shumë të bukur dhe të veçantë për nga konstrukti, gjuha e pasur dhe informacioni.
Redaktorë të këtij libri janë zz. Haki Manuka dhe Shaqir Skarra, ndërkohë që një ndihmë të madhe ka dhënë edhe gazetari i mirënjohur z.Sajmir Gega.
Libri monografik "Sekretet e VIP-ave", nuk është libri i parë i këtij lloji i publikuar nga Mentor Hoxha. Serinë e librave monografikë me personalitete, ai e ka nisur në vitin 1997, kur publikoi librin monografik "Sekretet e Miss-eve", i cili shënon edhe librin e parë për femrat më të bukura shqiptare të pas viteve '90-të, për çka njohu edhe një sukses të madh e të merituar në treg dhe në trajtesat e kritikës.
Nisur nga suksesi i librit monografik mbi bukuroshet e Shqipërisë dhe mbi 90-të personazhe VIP, autori Hoxha nuk është vetëkënaqur, por po punon për t'i dhënë lexuesit libra akoma më të bukur në këtë gjini. Ai shpreson ta vazhdojë këtë rrugë, ndaj është duke pëgatitur librin e tretë të serisë "Sekretet e VIP-ave", në të cilin do t'i jepen lexuesit të tjera personazhe publike, të cilët ne i shohim çdo ditë në tribuna dhe në ekrane, por tashmë edhe si pjesë e bibiliotekave tona.
Mentor Hoxha është një autor shumë prodhimtar dhe një zë mjaft i spikatur i kësaj gjinie letrare, sepse për afro dhjetë vite radhazi ka kontribuar dukshëm dhe me sukses si gazetar profesionist, në disa gazeta dhe revista kryesore shqiptare, sikundër "Koha Jonë", "Mërgimtari Shqiptar", "SOT", revista "Blic", "Personazhe VIP" dhe "Vajza e Ditës". Hoxha ka të botuara deri më tash afro 730 intervista me figura publike, si dhe 830 artikuj politikë, analitikë dhe informativë, duke i shtuar kolanës së botimeve të tij të suksesshme edhe dy libra me poezi.
Bazuar në përvojën dhe talentin e fuqishëm profesional, letrar dhe publicistik, ai ka ditur se çfarë të marrë dhe çfarë t'i japë publikut në lidhje me personazhet VIP, që kanë rënë në rrjetën e tij investigative, duke mbetur kësisoj përsonazhe të intervistave dhe librave të tij, njëkohësisht edhe të kujtesës së lexuesve të shumtë të zhanreve që ai ka lëvruar.
___________________________
26 Shkurt 2006
___________________________
Legalistët e konsiderojnë puç institucional, tentativën për rrëzimin e kryeparlamentares Topalli
PLL: Stop rebelimit socialist në Kuvend
Në kohën kur është emergjente reforma për largimin e enveristëve nga drejtimi i institucioneve kushtetuese që shkatërruan edhe imazhin ndërkombëtar të shtetit shqiptar, socialistët, klanet e Mafia-s dhe majtistët e Kuvendit, tentuan rrëzimin me puç antikushtetues të kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, që të frustrojnë maxhorancën me obstruksionizmin, kolapsin e më pas krizën e pakthyeshme parlamentare e qeverisëse
Editorial
Kur parlamentarizmi kthehet në parodi
Nga Murat Basha
Imagjinoni për një çast sikur një deputet të ngrihet nga poltrona e vet, të dalë para foltores së parlamentit dhe, në vend që të flasë, t'i drejtohet sistemit elektronik të aulës e ta shkatërrojë atë. Nëse këtë akt do t'ua tregoje njerëzve që e dinë se ç'është parlamenti, askush nuk do ta besonte. Sepse është përtej logjikës së gjërave që mund të besohen. Por në fakt kjo ka ngjarë. Jo ndokund në ndonjë vend afrikan ku kanë ende probleme me perceptimin e shoqërisë së organizuar në shtet, as në ndonjë prej ish-republikave sovjetike ku bëhet luftë prej vërteti, por bash në vendorigjinën e kuvendeve të burrave, - Shqipëri. Jo shumë kohë përpara, por vetëm para ca ditësh, pikërisht në një votim sui generis, "mocion mosbesimi", për drejtuesen e Kuvendit, një zonjë tepër të nderuar. Dhe ai që e bëri këtë akt të padëgjuar, është hiç më pak sesa ish-ministri socialist i Kulturës, Blendi Klosi.
Për vëzhguesit e vëmendshëm të politikës, ky emër të thotë gjithçka. Njihet si "trendy boy" i së majtës politike. Rastësisht ka qenë pjesë e grupit qeveritar gjithë këto kohë, dhe jo për shkak të meritave (ose meritokracisë), as prej "kulturës" së tij inekzistente, por veç për shkak të origjinës si pjesë e klaneve të kuqove; si pinjoll i atyre që dogjën këtë vend. Prandaj kjo krijesë imutante, megjithë kushtet e ndryshme sociale-politike, s'kishte si të mos i shfaqte tiparet destruktive të tribusë së vet. "Kulturisti" Klosi (jo në kuptimin fizkulturist), megjithëse gëzon mandat deputeti, megjithëse ka qenë ministër i Kulturës, megjithëse është funksionar i lartë i partisë kryesore të opozitës, - nuk ndejti dot pa bërë një vandalizëm të padëgjuar brenda sallës së Kuvendit, duke rrënuar si të ishte ilegal i 42-shit, sistemin elektronik të Parlamentit. Ndoshta, së fundi, mund të ketë parë shumë filma të Kinostudios me aksione "partizane" ku priteshin telat, dhe si debatikas në moshë madhore, s'mundi të gjejë gjë më me kuptim sesa të shkulte disa fisha e tela korenti... Çfarë mjerimi!... Tel pére, tel fils, - thonë francezët. Në shqip mund të vinte më lehtë, "bëmë baba, të të ngjaj!" Megjithë dimensionin komik të këtij akti prej "deputeti", s'mund të rrimë pa thënë se kjo s'është gjë tjetër, veçse tallje kulmore me thelbin e një sistemi demokratik. Përtej infantilitetit dhe papërgjegjshmërisë personale, ky akt shënon njëherazi kthimin e parlamentarizmit në parodi. Sepse kur "baballarët e kombit" sillen si rrugeçë, çfarë mund të pritet nga rrugeçët gjenuinë që vërdallosen trotuareve të "metropolit".
Ku mund të gjendet tashmë filli dallues mes së mirës dhe së keqes, kur në vendin ku duhet të bëhen ligje, zënë vend delinkuentë të kalibrit të Blendi Klosit, apo guerrilas e fansë të Che-Guevarës!? Mandati i deputetit dhe imuniteti parlamentar nuk mund dhe nuk duhet të shërbejnë si koracë apo si armë për të dhunuar ligjin kësisoji. Sepse kur deputetët bëjnë akte banditeske, atëherë s'ekziston më sistemi i vlerave që mbajnë në këmbë një shoqëri të organizuar në shtet. Falë Zotit, në atë Kuvend nuk ka shumë si Blendi Klosi, sepse nga një skenë parodish, siç po bëhet aktualisht, ky parlament do të shndërrohej në një teatër tragjik. Kokat e nxehta dhe mendje-koburet gjenden "me shumicë" edhe në parlament. Historia e këtij parlamenti të tregon se kur fillon "nxemja", atëherë nuk dihet se si mund të dalë bilanci final. Dhe kjo nuk do t'u shërbente as autorëve e nxitësve të këtyre akteve, e afërmendsh as target-it të tyre, maxhorancës që duhet të mbrohet. Nga ana tjetër, natyrisht që mund të kishte pasoja shumë të rënda për të ardhmen e shoqërisë shqiptare.
'97-ta mund të përsëritej në një formë tjetër, ku konsekuencat nuk do t'i paguanin më njerëzit e pafajshëm, por pikërisht ata njerëz të pafrenueshëm të serisë "Klosi". Nëse në '97-ën u bënë sebep skemat piramidale financiare, tashmë kjo piramidë parlamentare mund të rrënonte themelin e këtij sistemi, duke zënë brenda vetë pilastrat e kollonat e tij. Ndonjë malicioz mund të thoshte "urra", sa mirë, sikur të shporreshin të gjithë, sepse na e kanë sjellë në majë të hundës! Por unë ruaj bindjen se kjo do të ishte shumë tragjike për të ardhmen e këtij vendi, që shyqyr më në fund, po realizon një proces mjaft të suksesshëm në afrimin e njëmendtë drejt familjes së madhe europiane. Kjo është një arsye e fortë që duhet ta frenonte opozitën majtiste. Megjithëse dyshojmë se ata mund të ndalen para kauzës së pushtetit, pasi për të (pushtetin), ata zbatojnë parimin leninist që "lejohet gjithçka". Por ky vend nuk mund të durojë më eksperimente majtiste që t'u kthejë "parajsën e humbur", atyre që e shndërruan në ferr për 50 vite rresht.
KRYESORE
Këshilli bashkiak i Tiranës, deformoi thelbin e propozimit të këshilltarit legalist, z.Murat Basha
Basha: Bizneset me emra të huaj, të tatohen dyfish
Pasditën e së premtes së datës 24 shkurt 2006, në sallën e mbledhjeve të Bashkisë së kryeqytetit, u zhvillua mbledhja e radhës e Këshillit Bashkiak, në rendin e ditës të së cilit u konsiderua edhe propozimi i këshilltarit legalist, njëkohësisht nënkryetar i PLL z.Murat Basha, sipas të cilit, bizneset me emra të huaj të tatohen dyfish me taksa vendore, në favor të Bashkisë së Tiranës. Por fatkeqësisht, të ndikuar nga arsye absurde, (mendohet të kompleksit të inferioritetit ndaj bizneseve joshqiptare në kryeqytet dhe nga snobizma qesharakë e groteskë), grupet e tjera të këshilltarëve e modifikuan propozimin e z.Basha, duke e reduktuar atë vetëm me miratimin e vendosjes së tatimeve në vlerë të dyfishuar për subjektet që, pavarësisht emrave të huaj të bizneseve të tyre, nuk ishin të shkruar në shkronja latine. Pra, sipas këtij modifikimi i bie që të tatohen dyfish vetëm biznese të tilla me emra të huaj dhe alfabet arab, cirilik, (sllav, grek apo hieroglife kineze), që janë shumë të pakët në Tiranë. Thënë shkurt, subjektet që i nënshtrohen këtij tatimi të dyfishtë janë pothuajse minimale në numër dhe kësisoj efektet financiare të këtij tatimi janë pothuajse të pakonsiderueshme.
Pas këtij propozimi të shumicës së këshilltarëve të të gjithë krahëve politikë, që çuditërisht ishin në sinkron, z.Basha reagoi me forcë duke sjellë jo vetëm përvojën e pushtetit vendor të kohës së lavdishme të Mbretërisë Shqiptare të Mbretit Zog i Parë, por edhe përvojën perëndimore, sidomos atë franceze, por pa rezultat, sepse maxhoranca e demokomunistëve, pas disa argumenteve idioteskë, përdori dhunën e kartonave.
Më pas Këshilli bashkiak shqyrtoi propozimin e enveristit veteran Adnan Qatipi, që veteranët komunisto-enveristë të luftës vëllavrasëse, të lehtësoheshin me çmime më të ulta gjatë udhëtimit nëpër urbane dhe udhëtim me mjete të transportit publik. Edhe gjatë shqyrtimit të këtij propozimi, z.Basha propozoi që në vendim të përfshiheshin edhe veteranët nacionalistë antikomunistë e antifashistë, si dhe ish të Përndjekurit dhe të Persekutuarit e diktaturës së shokut Adnan Qatipi, por demokomunistët sërish nuk e miratuan propozimin e nënkryetarit legalist, çka e detyroi këtë të fundit të shkëmbejë replika të ashpra, të cilat sërish nuk u morën në konsideratë nga këshilltarët, në shumicë bij enveristësh.
Kësisoj, mes debatesh të ashpra, Këshilli demokomunist-pluralist bashkiak, miratoi vetëm pseudotatimin e dyfishtë ndaj bizneseve inekzistente, për të qenë brenda me shokët e huaj dhe aspak me interesat kombëtare të shqiptarëve, që terrorizohen çdo ditë nga emërtime kopukësh, që vetëm emrat e bukur shqip nuk duan t'i vendosin për emërtimin e bizneseve të tyre.
Korresp. i "Atdheu"
Spahiu takohet me Ambasadorin britanik
Ditën e enjte, më datë 23 shkurt 2006, kryetari i Partisë "Lëvizja e Legalitetit" z.Ekrem Spahiu zhvilloi një takim të rëndësishëm me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, z.Richard Jones.
Tema të bisedimit ishin zhvillimet politike në vend, Kosovë e rajon.
Z.Spahiu, pasi e falenderoi ambasadorin e qeverisë së Madhërisë së Saj për kontributin e vazhdueshëm që ai dhe shteti i tij kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin për Shqipërinë e kombin shqiptar, shprehu pikëpamjet dhe qëndrimet e PLL për çështjet në diskutim.
Një pikë e veçantë e këtij takimi ishte edhe diskutimi për reformën e pritshme zgjedhore në Shqipëri.
Bashkëbiseduesit shprehën domosdoshmërinë që kjo reformë të kryhet sa më shpejt dhe, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODHIR, të bëhen ndryshimet e nevojshme të ligjit përkatës, në mënyrë që të mënjanohen të gjitha mangësitë e konstatuara gjatë procesit të kaluar zgjedhor.
Z.Spahiu shprehu vullnetin politik të PLL për të kontribuar në këtë proces, i cili duhet të ketë në thelb të tij detyrimin për respektimin e vullnetit të zgjedhësve, të shprehur përmes votës së tyre të lirë.
Takimi u zhvillua në frymë mirëkuptimi për të gjitha temat e diskutuara.
a.k.
Spahiu në Shkodër: Gjithçka në funksion të zgjedhjeve vendore
Legalistët shkodranë: Do të dyfishojmë rezultatin
Ditën e shtunë, më datë 25.02.2006, ora 10.00, në sallën e Prefekturës (Këshillit të Qarkut Shkodër), Partia "Lëvizja e Legalitetit" Dega Shkodër, zhvilloi aktivin e saj me temë "Përgatitja për zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2006". Në këtë takim pune, nga kryesia e partisë mori pjesë kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu. Mbas ekzekutimit të Hymnit të Flamurit, drejtuesi i këtij aktiviteti, aktori i mirënjohur shkodran z.Ramiz Rama, i cili recitoi disa vargjeve prekëse, kushtuar mbretit Leka. Më pas z.Rama i ftoi anëtarët e PLL që të mbanin një minutë heshtjeje, në nderim të kujtimit të paharruar të dy figurave të shquara legaliste shkodrane, Prof. Zyhdi Zekja dhe Çezar Mjeda, të cilët u ndanë para pak kohësh nga jeta.
Pas aktorit Ramiz Rama, e mori fjalën kryetari i Degës së PLL Shkodër z.Ilir Kuka, i cili në fjalën e tij vuri në dukje punën që është bërë për riorganizimin e kësaj Dege. Në fjalën e tij ndër të tjera, kryelegalisti shkodran theksoi se "në mbështetje të udhëzimeve të dhëna nga Kryesia e PLL Tiranë, është bërë riorganizimi sipas parimit "një qendër votimi një seksion", dhe tani duhet të kalohet në zgjerimin e këtij organizimi. Nga ana tjetër është arritur të bëhet organizimi i seksioneve të PLL në të gjitha komunat e Qarkut Shkodër dhe të zgjidhen drejtues të rinj. Ka mbetur vetëm formalizimi i Forumit të Gruas dhe forumit Rinor Legalist. E gjithë kjo veprimtari ka si synim krijimin e infrastrukturës së nevojshme për zgjedhjet lokale 2006, me qëllim që PLL të arrijë një rezultat sa më pozitiv. Në funksion të këtyre zgjedhjeve PLL Dega Shkodër, ka filluar botimin e një gazete lokale të titulluar Legaliteti"
Në vazhdim të fjalës së tij z.Kuka, duke folur edhe për gjendjen në të cilën ndodhet PLL pas zgjedhjeve parlamentare të 3 korrikut 2005, ndërmjet të tjerave theksoi se "PLL ka dalë e dëmtuar nga këto zgjedhje parlamentare, pasi ajo nuk ndodhet më e përfaqësuar në parlament, pra nuk është parti parlamentare. Por çdokush e dallon se tashmë parlamentit shqiptar i mungon një zë i fuqishëm, i cili fliste në mbrojtje të të drejtave të ish të përndjekurve politikë, në mbrojtje të të drejtave të ish pronarëve, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare, çështjes së Pavarësisë së Kosovës dhe zgjidhjes së saj në favor të kombit shqiptar, në mbrojtje të të drejtave të mohuara të shqiptarëve të Çamërisë. Tashmë ky zë i fuqishëm mungon në parlamentin shqiptar. Detyrë e të gjithë legalistëve, anëtarëve dhe simpatizantëve të PLL, është ringritja e saj, pasi kjo është edhe domosdoshmëri për të djathtën shqiptare. Nga ana tjetër mbas 15 viteve pluralizëm, ish të Përndjekurit Politikë, ish pronarët, të gjithë nacionalistët dhe patriotët shqiptarë, duhet të kuptojnë se vetëm PLL mund të realizojë shpresat dhe idealet e tyre. Prandaj ato e kanë për detyrë ta mbështesin PLL, pasi ajo është ndërtesa e përbashkët e të gjithëve. Dhe kjo duhet të bëhet sa më shpejt", e mbylli fjalën e tij z.Kuka
Më pas fjalën e mori Prof. B Xhafa, i cili në fjalën e tij vuri në dukje rolin që ka luajtur PLL në historinë shqiptare, por edhe në politikën e këtyre viteve. "Ky rol i PLL është i pazëvendësueshëm, prandaj duhet të bëjmë përpjekje maksimale për ringritjen e saj në nivelin që e kërkon koha", tha z.Xhafa, i cili me këtë rast prezantoi edhe botimin e librit të tij historik, ku objekt studimi ka bërë periudhën e viteve 1913-1939.
Mes një interesimi të madh të të pranishmëve, e mori fjalën kryetari i PLL, z Ekrem Spahiu, i cili në fjalën e tij fillimisht falenderoi drejtuesit e Degës së PLL Shkodër për organizimin e këtij takimi, çka shënon edhe fillimin e mbarë të përgatitjeve për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ndër të tjera, në fjalën e tij, kryelegalisti Spahiu theksoi: "Duke u nisur nga pjesëmarrja e gjerë në sallë, nga vargjet e mrekullueshme të z.Ramiz Rama, nga fjala e Prof. Bajram Xhafës, nga raporti konçiz dhe konkret i kryetarit Ilir Kuka, përforcohet mendimi ynë i përbashkët se PLL, pavarësisht nga rezultati dëshpërues dhe i pamerituar në zgjedhjet e 3 korrikut 2005, vazhdon të jetë e vendosur në rrugën e saj për t'i shërbyer atdheut".
Kureshtjes së të gjithë të pranishmëve lidhur me qëndrimin e mëtejshëm të legalistëve ndaj qeverisjes së demokratëve, kryelegalisti Spahiu iu përgjigj duke thënë se "Shkodra tani i ka mundësitë më shumë se çdo rreth tjetër, që të pësojë ndryshimet e duhura, pasi pushteti vendor dhe pushteti qëndror, drejtohet nga aleatja jonë Partia Demokratike, për të cilën kanë votuar shumica e zgjedhësve të Shkodrës".
Duke i bërë një përshkrim të shkurtër politikës qeverisëse, z.Spahiu theksoi se "Tashmë që mazhoranca ka mbushur 6 muajt e qeverisjes së saj, PLL-ja mund të artikulojë qëndrimin e saj politik, se Qeveria "Berisha" ka demonstruar vullnet pozitiv, për të bërë ndryshime në mirëqeverisjen e vendit. Hapat e hedhura në luftën kundër korrupsionit, kontrabandës, trafiqeve dhe goditjen ndaj elementit kriminal, janë për t'u përshëndetur dhe inkurajuar.
Sigurisht që këto sipërmarrje të vështira të qeverisë, nuk janë pritur mirë nga ish qeveritarët socialistë, sepse ata kanë qenë të lidhur drejtpërdrejt me këto fenomene, të cilat e damkosën Shqipërinë si një vend i korruptuar i trafiqeve të zeza dhe krimit të organizuar. Ju po i shihni edhe punimet e fundit në Kuvend, ku socialistët, të verbuar nga humbja e pushtetit, kanë vendosur bllokimin e parlamentit, jo vetëm sepse duan të heqin nga drejtimi i parlamentit një pinjolle të shtresës sonë, siç është zonja e nderuar Jozefina Topalli, por synimin e kanë që, me çdo lloj çmimi, të mbrojnë titullarët socialistë të të ashtuquajturave instiutucione të pavaruara, për të penguar reformat e thella dhe për t'iu shmangur ndëshkimit ligjor.
Z.Spahiu gjeti rastin për të rivlerësuar para legalistëve shkodranë MSA-në mes BE dhe Shqipërisë. "Ajo çka është për t'u vlerësuar më shumë, është siglimi i plotë para një jave i Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit të Shqipërisë me BE-në, që është një arritje e madhe dhe historike për të gjithë shqiptarët. Sigurisht që kjo marrëveshje do të ishte nënshkruar më parë, por shkak për këtë vonesë gati 10-vjeçare, kanë qenë zgjedhjet parlamentare të vitit 1996, ngjarjet tragjike të vitit 1997, qënia në pushtet e socialistëve për 8 vjet dhe keq-qeverisja e PS. Të shpresojmë se kohën e humbur do ta fitojmë me qeverisjen e PD-së", - tha z.Spahiu.
Duke u rikthyer në çështjet që kanë të bëjnë me PLL-në, z.Spahiu u shpreh se "PLL-ja, aktualisht është jashtë parlamentit dhe qeverisë, jo se nuk kemi mbështetje elektorale, por për arsye që tashmë dihen. Edhe me votat e lëna për ne në zgjedhjet e 3 korrikut, na takonte të kishim 5 deputetë në Kuvendin e Shqipërisë. Vetëm në rrethin e Shkodrës kemi marrë 4782 vota, ndërkohë që në Parlament janë disa deputetë që variojnë nga 4025, deri në 5000 vota".
Më tej kreu i PLL-së u ndal edhe në pozicionin aktual politik të PLL-së, duke u shprehur se "sigurisht, qënia jonë në parlament do të ndikonte pozitivisht për çështjen kombëtare, sidomos për zgjidhjen e drejtë të Çështjes Çame, për kthimin e pronave, për dëmshpërblimin e ish të burgosurve dhe të përndjekurve politikë, për reformën zgjedhore, si dhe do të insistonim për shpejtimin e reformës në administratën shtetërore. Por, fatkeqësisht, ky është realiteti politik shqiptar, dhe kjo nuk është në dorën tonë, edhe pse PLL-ja do ta dëshironte ndryshe.
Ne do të japim kontributin tonë maksimal për ecjen përpara të demokracisë, politikës dhe shoqërisë shqiptare. Ne kemi plotësisht në dorë vetëm Partinë tonë, ngase PLL-ja është një vlerë kombëtare dhe si e tillë ka mbështetje elektorale jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Detyra jonë është jo vetëm që ta mbajmë këtë elektorat, por ta shtojmë. Në vjeshtën e këtij viti mbahen zgjedhjet vendore. PLL-ja, nga qendra në bazë, do të fokusojë gjithshka në funksion të këtyre zgjedhjeve. Aktualisht, në Shkodër kemi këshilltarë në njësi të ndryshme vendore, të cilët kanë luajtur një rol majft aktiv në dobi të komuniteteve përkatëse", - shtoi z.Spahiu.
Në mbyllje të fjalës së tij, kryetari Spahiu tha: "Synimi ynë është që të dyfishojmë numrin e këshilltarëve, duke i rikthyer Legalitetit vendin që i takon në spektrin politik të së djathtës shqiptare", e mbylli fjalën e tij z.Spahiu.
Më pas të pranishmit i drejtuan z.Spahiu pyetje të shumta, të cilave ai u dha përgjigje të detajuara, duke e shndërruar këtë takim pune në bashkëbisedim të ngrohtë me të pranishmit, prej nga ku morën përgjigje shumë nga problemet që interesonin pjesëmarrësit e shumtë.
Ky lloj argumentimi politik, i mbështetur në fakte të dokumentuara, e bëri më të motivuar elektoratin legalist shkodran të besonte se zgjedhjet lokale do të ishin një mundësi reale për rezultate shumë më të larta se ato të 3 korrikut dhe njëherazi shtoi frymë e optimizmit mes legalistëve për t'ia dalë mbanë në betejat e ardhshme elektorale.
Korresp. i "Atdheu"
KOMENTE
Dobësitë e maxhorancës së zgjeruar
Nga Astrit KOLA
Rezultati spektakolar i votimit të mocionit për shkarkimin e kryeparlamentares Topalli, shokoi naivët dhe iluzionistët e pandreqshëm, por jo ata që e njohin mirë efikasitetin skandaloz të mentalitetit, skemës dhe mënyrës së përzgjedhjes së kandidaturave për deputetë nga PD, që prej themelimit të saj.
Personalisht, kurrë nuk kam ushqyer as iluzionin më të vogël për faktin që kupola e PS, është dhe mbetet banda e vjetër enveriste, e rinovuar me rekrutë të rinj, pavarësisht ndonjë soci, që mund të mos jetë patjetër aq gjakatar sa Koçi, Kadriu apo Gramozi, por që, në thelb, është pjellë e të njëjtit zhgan kriminelësh, që, konform skemës bolshevike, "braktisën" diktaturën për të instaluar e shfytëzuar demokraturën.
Sepse ata janë e njëjta specie, që votohet nga po të njëjtët kontigjente që, dikur, përfaqësonin dhe shërbenin si tulla të ngrehinës së diktaturës, por që tashmë, në kushte të reja, janë modifikuar gjenetikisht, ndonëse kanë të njëjtën genomë, të pandryshuar.
Gjithmonë kam menduar se përballë tyre, kurrsesi nuk mund të përzgjidheshin takëme që dikur kishin fshirë këpucët dhe thundrat e përgjakura të enverizmit, që kishin lëpirë si qenër, duart e sadistëve. Gjithmonë kam menduar se antikomunistët-demokratë të sotëm, nuk mund të përzgjidheshin mes puthadorëve të komunizmit, e që kurrë nuk i kishin urryer gjëmat dhe bëmat e këtij sistemi gjakatar. Ata kurrë nuk duheshin përzgjedhur nga takëme që gjithë jetën ishin "enthusiazmuar me enthusiazmë revolucionar nga idetë dhe mendimet" gjenitale të shokut Enver, nga niveli i lartë ideopolitik i shoqes Lenka, nga dimensioni intelektual e poliedrik i shokut Mehmet, apo që mallëngjeheshin nga timbri prej gjysmagjeli dhe inteligjenca e shokut Ramiz.
Por shumë shpejt u bë e qartë se liderëve të rinj të "demokracisë", u duheshin puthadorë dhe veshëgjatë, njerëz pa ngjyrë e dinjitet, që dikur përfaqësonin "elitën e inteligencies socialiste", që pluralizmin e kuptuan si reformimi i "Federatës së politikës" dhe legalizimi i një kampionati të ri futbolli, ku përveç PPSH së shokut Ramiz, Frontit Demokratik të shoqes Nexhmije, Bashkimeve Profesionale të shokut Sotir Koçollari dhe BRPSH së shokut Fatmir Xhafa, tashmë mund të federoheshin e të luanin edhe arrivistët që bënin pjesë në parti-ekipet e krijuara nga KQ i PPSH.
Sipas këtyre udhëheqësve të rinj, arketipin dhe mentalitetin e të cilëve Milovan Gjilasi e ka cilësuar si "klasa e re", hesapet me enverizmin dhe enveristët u likujduan përfundimisht kur u tërhoq zvarrë bronxi i monumentit të qoftëlargut dhe se në demokraci jemi të gjithë njësoj; se nuk na duhen ngatërrestarë nëpër këmbë, se na duhen aferimë, të cilët, pasi i gjetëm nëpër semaforët e komunizmit dhe i futëm në shtrat e në gji, tani mund edhe t'u kërkojmë llogari se përse kthehen tek huqi i vjetër sa bota dhe përse futen sërish tek shtrati i tutorit që dikur i zhvirgjëroi e i shfrytëzoi!!!
Kurrë nuk kam menduar se nga hak-marrja dhe dhuna mund të përftohet demokraci dhe mund të zgjidhen problemet e këtij vendi që, për fatin tonë të dreqosur, nuk arriti të shkëputet nga kthetrat e mentalitetit enverist dhe majtizmi.
Kam menduar se vetëm hak-dhënia mund të shërbejë për të bërë sadopak drejtësi shoqërore, dhe haku u duhej dhënë kriminelëve të këtij vendi, e jo mbarë konformistëve që u pajtuan me diktaturën nën shtysën e instiktit të mbijetesës!
Kam menduar se na duhet një armëpushim, në emër e për hir të Shqipërisë, pas masakrave të komunizmit, në kushtet e reja përballë armiqve serbë e grekë, i ngjashëm me atë të grekëve pas shtypjes së EAM-it dhe luftës civile, apo si ajo e serbëve dhe kroatëve pas luftës midis komunistëve titistë dhe ustashëve të Paveliçit e çetnikëve të Mihajlloviçit. Kam menduar për armëpushim dhe kam qenë, jam e do të mbetem kundër çdo lloj "Pajtimi kombëtar", sepse nuk mund të paqëtohet xhelati me viktimën. Kam menduar se ky proces duhet t'i mbetet kohës dhe brezave të ardhshëm, sipas parimit konfucian: Dielli do t'i zbusë gjërat.
Kam qenë, jam dhe do të mbetem për një Nuremberg shqiptar kundër gjakatarëve.
Kam menduar se mënyra më e mirë për dekomunistifikimin e vendit, ka qenë dhe mbetet veprimi i organizuar politik e administrativ i shtetit demokratik, në kahje të kundërt me efektet shkatërrimtare të diktaturës komuniste: pra, nëse komunizmi rrënoi dhe grabiti pronën private për të ndërtuar bazën e tij ekonomike dhe për të mbajtur në këmbë sistemin e tij të urryer, prona do të duhej t'u kthehej pronarëve legjitimë; nëse komunizmi shpalli "likujdimin e kulakëve dhe armiqve të popullit si klasa...", demokracia duhej të ringrinte e integronte totalisht këtë shtresë të margjinalizuar, e mbi të cilën u kryen eksperimentet më shtazarake leninisto-staliniste; nëse komunizmi shkatërroi iniciativën e lirë dhe borgjezinë e mesme, demokracia duhej të krijonte kushtet optimale për ringritjen e kësaj shtrese nëpërmjet privatizimeve masive dhe skemave të rigjallërimit ekonomik; nëse komunizmi krijoi Njeriun e Ri internacionalist, demokracia duhet të rikrijonte qytetarin e denjë, me moral e formim atdhetar, për të cilin kombi, atdheu, shqiptarët dhe interesat e tyre, duhet të ishin ylli polar dhe synimi kryesor, ashtu sikundër kanë vepruar amerikanët që promovuan "amerikanizmin" duke krijuar kombin e tyre të ri nga afro 200 kombësi, apo sikundër vepruan e veprojnë francezët, gjermanët, anglezët etj.; në vend të shtetit ideologjik që krijoi komunizmi, demokracia duhej të ngrinte e konsolidonte shtetin me filozofi e frymëzim kombëtar, si paravajtës i ringjizjes së kombit të coptuar dhe si garant i lirive dhe shanseve të barabarta për të gjithë qytetarët; dhe, në fundore, duke marrë shkas nga deklarata bombë e një politikani gjermano-perëndimor në Televizonin shqiptar në ditët e para të ligjërimit të pluralizmit politik, i cili i tmerruar nga Shqipëria e asaj kohe deklaroi se "Shqipëria mund të ringrihet vetëm nëse shqiptarët u heqin përfundimisht të drejtën, për ta drejtuar e për t'u marrë me politikë, pikërisht atyre që, me paramendim, e kanë shpënë këtë vend në këtë gjendje llahtarisht të mjerueshme...", kam pandehur se demokracia do t'u mbyllë shtigjet këtyre kriminelëve, sa kohë që publicisti Mero Baze akoma deklaron se ngjethet për të ardhmen e tij e të familjes, teksa sheh përballë, në çdo hap dhe kudo, që prej 25 vjetësh, "të njëjtin persekutor" të tij e të familjes Baze, "Gramoz Ruçin".
Por dekomunistifikimi i vërtetë i vendit, mbeti një iluzion dhe gjërat dihen sesi shkuan!
PD, që prej 31 marsit të vitit 1991, ka federuar në ekipin politik afro 450 deputetë, nga të cilët, besueshmërisë dhe bangoprovave politike nuk u rezistuan as 30 vetë gjithsej, duke dëshmuar kësisoj një skarcitet të llahtarshëm, dëshmi kjo e dështimit politik të një lidershipi me vizion të kufizuar. Ndërsa në administratën shtetërore gjatë qeverisjes së saj, shifra e skarciteteve është e frikshme dhe flet për një mjerim të vërtetë të koncepsionit politik dhe aftësive shtetformuese.
Pikërisht prej këtij takëmi krundesh politike, dolën edhe 8 bukëshkalët që votuan kundër zonjës Topalli në parlament... Unë jam i bindur se ata janë shumë më tepër, por të tjerët u rezervuan për shkak të frikës dhe markimit të fortë që u bënë besnikët e Berishës gjatë votimit.
Madje vetë shefi i maxhorancës, që e di mirë se çfarë precipitatesh politike ka seleksionuar për të formuar ekipin e tij parlamentar, u tmerrua kur mori në dorë kërkesën e socialistëve për votim të fshehtë me kuti votimi, që ishte dhe mbetet votimi më moral dhe më i ndershëm, duke qenë njëkohësisht edhe ligjor, konform rregullores së Kuvendit.
Socat, që e dinë mirë se sa është në të vërtetë numri i veglave të tyre brenda trupës së maxhorancës aktuale, jo më kot kërkuan votimin me kuti të fshehtë. Duke u nisur edhe nga trimërimi i tyre dhe riorganizimi për të kërkuar me çdo kusht përsëritjen e votimit, më rezulton se numri i krahëthyerve-vegla të kom-socave brenda maxhorancës, është goxha i madh dhe plotësisht i mjaftueshëm për ta rrëzuar në çast këtë maxhorancë të brishtë.
Tashmë, pas kësaj që ngjau, mund të imagjinohet lehtësisht se çfarë monstrash kanë marrë mandatet e të djathtëve dhe demokratëve të masakruar e të margjinalizuar gjatë restaurimit të pushtimit soc-komunist të vitit 1997.
Aq të molepsur mund të jenë këto vegla, saqë nën presionin e padronëve-pushtetarë të djeshëm, u detyruan të dekonspirohen, që në partencë të përplasjes politike, si minorancë anti-PD brenda saj, të frustruar nga shantazhi i padronëve.
Unë jam i bindur se ky takëm qelbësirash, përveç formimit prej zvarraniku, janë ortakë në biznese me padronët të cilët i kanë futur me kohë në furriqet e dukëve e baronëve të krimit, dhe sot u kërkojnë shpagën...
E përse të mos merrte zemër ky takëm tradhtarësh, që e kanë shitur lojën pa filluar ende, kur vetë zonja Topalli, në Kryesinë e Kuvendit rrethohet nga Fëshqeti flokëbardhë, të cilin edhe në seanca e mban në krah, nga Pashk xhahili, nga Mehmet punisti, nga oficer-rojet dhe nëpunësit komunistë që ia ka lënë peshqesh në derë Sovjetik Pëllumb-marksisti, ndërkohë që nuk ka bërë kurrfarë reforme për ta pastruar këtë institucion nga enveristët???
Çfarë tjetër pret kjo zonjë e nderuar, që ishte e vetmja që votoi kundër Prokurorit të Përgjithshëm-konsensual para disa vitesh dhe që tashmë kërkon dhe ka vendosur të shkatërrojë Mafia-n e drogës e të korrupsionit??!
Çfarë pret më shumë kjo zonjë, që është e vetmja e shtresës së saj në partinë ku mban poste të larta? Çfarë pret më shumë kjo zonjë nga komunistët që i kërkuan dorëheqjen, në shenjë hakmarrjeje, jo aq për veprimtarinë sesa për origjinën që u zë sytë, ndërkohë që për shtresën e saj nuk ka bërë asgjë, asnjë ligj për të qenë, për integrimin dhe kompensimin e tyre? Çfarë pret më shumë kjo zonjë, që për pronarët, pjesë e të cilëve është, nuk bëri asgjë për kthimin e pronave dhe kompensimin, por fshehurazi, me procedura të përshpejtuara, miratoi ligjin e legalizimeve, duke u hequr edhe shpresën e fundit për pronat e trashëguara e në shumicë të hipotekuara?
Çfarë pret kjo zonjë pas gjunjëzimit të turpshëm përballë zyhdinjve të '97-ës, të cilëve u ngriti pensionet për meritat në shkatërrimin dhe djegien e atdheut gjatë rebelimit, e më pas?
Kom-socat kurrë nuk bëjnë shaka, dhe zonja Topalli gabohet rëndë kur mendon se vetëm dy soc-deputetë janë iniciatorë të mocionit për rrëzimin e saj.
Ajo duhet ta dijë mirë se vendimet e kom-socave merren në kupolë, pastaj ata kthehen në verdikte të pakthyeshme nga ushtarët e Mafia-s, që në të vërtetë, pavarësisht perceptimit të gabuar të kryekuvendares, janë graduatë të lartë të krimit të organizuar... Sepse ndryshe nga partia e saj, që rekruton politikanë nëpër pazar, e që në shumicë nuk i njeh për demokratë as baza e partisë, soc-enveristët tanë, në parlament dërgojnë shefat e Mafias, krimit të organizuar dhe korrupsionit politik. Tek soc-deputetët nuk ka ushtarë, por vetëm gjeneralë të krimit, ustallarë të kualifikuar për të shkatërruar çdo shtet, pushtet dhe demokraci, ndaj gabohen rëndë ata që ushqejnë iluzione për këto të vërteta.
Tashmë, patavrat dhe hartosat e kalbura të çatisë së pushtetit (sepse shtetin aktual e kanë në dorë enveristët), rrezikojnë të thyhen enkas dhe të na zënë brenda të gjithëve, ndaj retorikat dhe pallavrat nuk kanë asnjë vlerë, sa kohë që rrezikohemi të biem në lakun që na kanë ngritur.
Askush nuk e mendonte se soc-specialistët do të ishin kaq të egër e të pashpirt, akoma pa u konsumuar as 200 ditëshi i pushtetit aktual.
Por sipari u ngrit dhe loja filloi... Nuk ka rëndësi nëse sakrifikohet, apo jo, zonja Topalli... Masat emergjente duhet të synojnë të neutralizohet banda e bukëshkalëve brenda maxhorancës, për të mos lejuar sakrifikimin e demokracisë dhe restaurimin e pushtet-pushtimit socialist, që do të hidhte përgjithmonë në erë ardhmërinë e këtij vendi dhe të shqiptarëve, që fatkeqësisht kanë qenë dhe mbeten dash kurbani, jo në altarin e kombit, por në thertoren e përgjakur të politikave antishqiptare.
KOMENT
Topalli, loja "pa top" e PS dhe loja me Top e PD
Nga Zamir GJURGJI
Seanca kuvendare për mocionin e opozitës mbi shkarkimin e kryetares së parlamentit, znj. Jozefina Topalli, riktheu edhe njëherë në politikën shqiptare konfliktet e ashpra mes mazhorancës dhe minorancës, por njëkohësisht solli edhe një risi. Në të vetmin rast, në parlament u bashkuan votat e "opozitës konstruktive" të Milo-Metës dhe "opozitës destruktive", të drejtuar ad interim nga Edi Rama.
Edhe pse në dukje kjo konsiderohej si një beteje e opozitës në luftë me mullinjtë e erës, opozita ia arriti të shprishë ekuilibret e brishta parlamentare mes pozitës dhe opozitës, duke na bërë me dije se mazhoranca parlamentare është një ekuacion me disa të panjohura.
Mazhoranca parlamentare tregoi edhe njëherë se është e aftë të kapitalizojë, e njëherazi të inflacionojë figura të rëndësishme të jetës politike. Rasti Topalli është më tipiku. Eshtë po kjo figurë politike që mbërriti lehtësisht kuotën presidenciale "84", e në një kohë rekord humbi rrufeshëm 14-pikë nga kuotimi i saj.
Po çfarë po ndodh realisht me figurat e lart-kuotuara politikisht në gjirin e mazhorancës parlamentare?
Në këto 6-muaj të ekzistencës së parlamentit shqiptar, minoranca ka shfaqur dobësi të theksuara unifikimi në qëndrime, divergjenca në mendimin politik, kaos në hierarkinë partike, defiçiencë platformash politike, deri në atë shkallë sa të bënte me dije se minoranca nuk ishte më një "skuadër" në fushën e lojës, por një turmë "fansash-ultras", të cilët gjithë inatin dhe fjalorin vulgar ia drejtonin "arbitrit" (OSBE) dhe "skuadrës kundërshtare". Kjo e fundit, për shkak të mungesës së kundërshtarit real në fushën e lojës, ishte e detyruar ta vazhdonte lojën "mes veti", duke u ndarë në pjesën "me kanotiere mbi bluzë "(G-25 e partive të vogla pozitare) dhe në ekipin "pa kanatiere mbi bluzë" (PD).
Kështu, mocioni anti-Topalli i ngjan atyre shisheve, gurëve apo sendeve të forta që hidhen mbi lojtarin më të afërt, me qëllim që të ndërpritet loja.
Në këtë kontekst, PS-ja ia arriti të ndërpresë lojën "pa nerv", si për të treguar se trajneri-lojtar i ekipit (Edi Rama), ishte i vetmi fajtor i lojës "pa top" të PS-së, që e kishte çuar deri në këtë klasifikim. Si edhe për të na treguar se nuk është vetëm Rama, trajner-lojtari që duhej të dilte "jashtë loje", por edhe se ekipi socialist të vlerësonte se "Presidenti" i ekipit duhej të merrte në dorë frenat e situatës (e president më të aftë se Nano, socialistët zor se gjenin).
Gjithsesi, edhe loja e demokratëve me një ekip të ndarë në dy formacione, nuk po bëhej më e kënaqshme dhe intriguese për publikun, ku diversiteti mes "apative" të Topit, "simpative" të Berishës dhe "skemave të fantazistit" Ngjela, rezultuan joefikase për ta çuar auto-lojën deri në "minutën '90-të".
"Reklamimi" që iu bë lojtares-kyç Topalli, ishte sebepi që kjo lojë të fillonte nga e para, pasi kështu nuk mund të quhej më lojë e mirëfilltë: me qëllim që në fushën e lojës të dilnin për t'u ndeshur ekipet e klasifikuar si finaliste, PD dhe PS. Natyrisht, ku secili ekip finalist, të bënte modifikimet e rastit.
Ekipi "PD" nuk do luante më vetëm me një sulmues (Topallin), për të bërë gol në rrjetën e Sollakut, por me një treshe sulmuese "Topalli-Ngjela-Topi".
Ndërsa ekipit të PS-së i duhej të zëvendësonte lojtarin-trajner Rama, me një treshe sulmuese si Majko-Dade-Koçi, me kapiten Blushin, por edhe më një "President të FSHF-së" Fatos Nanon. (Me këto rregulla të reja loje, Ilir Metës i mbetet të bëjë vetëm nxemje, pasi ekipi i tij gjashtë-lojtarësh, nuk është i aftë të nxjerrë në fushë një njëmbëdhjetëshe konkurrente, e për të luajtur si ekip i kompletuar).
Në një rast të tillë, aktori i mirënjohur Ndrekë Luca do të shprehej: "po, kjo ishte
loja"....
Vjena, vija ndarëse serbo-shqiptare
Nga Dardan MITROVICA
Bisedimet serbo-shqiptare të Vjenës, dëshmuan katërcipërisht diferencën në opcione midis delegacionit shqiptar dhe atij serb. Ndonëse plani i negociatave për Kosovën parashikonte trajtimin e temave të posaçme, sikundër: decentralizimi, ruajtja e objekteve fetare serbe në Kosovë, të drejtat e minoriteteve, çështja e pronave, etj., serbët u munduan t'i kanalizonin bisedimet në hullinë e interesave të tyre, për çka morën edhe përgjigjen adekuate të negociatorëve shqiptarë, gjë që shkaktoi edhe ndërprerjen e natyrshme pas përplasjes së opcioneve. Megjithatë, në bilancin paraprak, vëzhguesit ndërkombëtarë konkluduan se "janë arritur edhe disa marrëveshje parimore midis palëve", prandaj edhe u vendos ndërprerja e përkohshme dhe më pas vazhdimi i bisedimeve më 17 mars.
Ndërkaq, në lidhje me marrëveshjen përfundimtare, vëzhguesit ndërkombëtarë dhe kryesisht diplomati austriak Rohan, u detyruan të deklarojnë se "palët kanë prezantuar dy koncepte diametralisht të kundërta. Njëri koncept çon drejt Pavarësisë së Kosovës, ndërsa tjetri synon ndarjen e saj në vija etnike, e ndoshta edhe ndarjen e Kosovës".
Duke folur për qëndrimin përfundimtar të bashkësisë ndërkombëtare për Statusin e ardhshëm të Kosovës, z.Rohan deklaroi se "synohet arritja e një marrëveshjeje të pranueshme nga ndërkombëtarët dhe mes palëve në negociata. Në të kundërtën, bashkësia ndërkombëtare duhet të marrë një vendim për ardhmërinë e Kosovës...".
Sipas tij, në Këshillin e Sigurimit, anëtarët nuk kanë qëndrime të njëjta përsa i përket ardhmërisë së Kosovës, ndërkohë që Grupi i Kontaktit është shumë homogjen".
Ndërkaq, lidhur me ardhmërinë e Kosovës z.Rohan shpreson të jetë "shumë, shumë e mirë dhe e këndshme, dhe gjendja ekonomike do të jetë shumë e stabilizuar. Ne ishim në Bankën Botërore dhe kemi parë se vetëm rezervat e qymyrit në Kosovë, janë aq të mëdha sa që mbulojnë 50 përqind të buxhetit të vendit për 70 vitet e ardhshme. Pra unë jam i bindur për të ardhmen e mirë të Kosovës", deklaroi diplomati austrik Albert Rohan, zëvendës i kryenegociatorit Marti Ahtisaari.
Gjithsesi, bilancin paraprak të bisedimeve, delegacioni shqiptar e konsideron shumë të kënaqshëm, ndaj, me të mbërritur në aeroportin e Prishtinës, delegacioni doli para gazetarëve për t'u kumtuar atyre, dhe nëpërmjet tyre edhe opinionit të gjerë të Kosovës e më gjerë, veçoritë dhe rezultatet e turit të parë të takimit negociator të Vjenës. Delegacioni shprehu entusiazmin, si veçori të aspektit psiko-emocional, por pa dhënë ndonjë detaj konkret lidhur me aspektet përmbajtësore të bisedimeve në Vjenë.
Ndërsa për "Zërin e Amerikës", kryetari i delegacionit shqiptar, ministri Lutfi Haziri, deklaroi se kërkesa e palës shqiptare ka qenë që të diskutohej axhenda e paravendosur nga organizatorët, por serbët kishin përgatitur një platformë të tyre, platformë e cila ishte e bazuar në ndarjen e komuniteteve në Kosovës, bazuar në dizintegrim dhe në segregacion, përkundër angazhimit të palës shqiptare që procesi i reformave në pushtetin lokal, me mundësi konkrete integrimi, dhe me mundësi të eliminimit të strukturave paralele të serbëve në Kosovë, të mos lejohej të institucionalizohej. Dallimi midis palëve është konceptual, dhe se pala shqiptare synon të argumentojë e të sqarojë me qëllim që të bindin faktorët ndërkombëtarë se dokumenti i Prishtinës, pra dukumenti i institucioneve të Kosovës është dokumenti që siguron funksionalitet, efikasitet dhe vendim-marrje në pushtetin vendor.
Nëse pala shqiptare është treguar unike në qëndrime dhe ka paraqitur njëzëri dhe integralisht dokumentin e vetëm dhe të argumentuar, tek pala serbe ka patur dallime mes anëtarëve të delegacionit dhe konfuzion në kërkesa.
Sipas Hazirit, "delegacioni i Kosovës ka patur një qëndrim konstruktiv, një qëndrim pozitiv dhe një angazhim maksimal për të kontribuar në përshpejtimin e procesit për statusin... Nuk mund të ketë marrëveshje të njëanshme vetëm për decentralizim, apo për probleme të tjera që diskutohen këtu në Vienë, por në kuadër të marrëveshjes për Statusin përfundimtar, do të hyjnë në paketë të gjitha marrëveshjet e tjera përcjellëse, që do të jenë pjesë e angazhimeve tona në gjendjen e pas Statusit".
Delegacioni shqiptar shkoi në Vjenë me disa prerogativa të gatshme e që shënonin një sukses dhe avantazh paraprak, përcaktuar këto edhe nga parimet themelore të Grupit të Kontaktit, me të cilat është detyruar të pajtohet edhe Rusia, e sipas të cilave: nuk ka kthim në gjendjen para vitit 1999; nuk ka ndarje të Kosovës, dhe nuk ka bashkim të Kosovës me ndonjë shtet apo union tjetër. Dhe kjo ka lënë të nënkuptuara edhe kornizat brenda të cilave do të mund të zgjidhet Statusi përfundimtar i Kosovës.
Pavarësia, si zgjidhja e vetme për Kosovën, ka kohë që është theksuar nga Bashkësia Ndërkombëtare, qoftë si pavarësi, qoftë si pavarësi e kushtëzuar, qoftë si pavarësi kreative, qoftë si pavarësi e shoqëruar, qoftë si pavarësi e mbikëqyrur, qoftë edhe si vullnet i shumicës së qytetarëve të Kosovës. Madje si opcion real, dhe si respektim i vullnetit të shumicës së qytetarëve, ajo u artikulua edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, dhe jo pa arsye Dr. Ibrahim Rugova thoshte se Kosova "de facto" është e pavarur, dhe se duhej të bëhej njohja formale e kësaj pavarësie nga ana e SHBA-ve dhe e Bashkimit Evropian. Edhe në programin e LDK-së, këtë qëndrim të Dr. Rugovës për njohje formale të Pavarësisë së Kosovës, e gjen të përcaktuar qartë dhe se, në një farë mënyre, kjo është rezultat i krijimit të një lloj konsensusi në bashkësinë ndërkombëtare për Pavarësinë e Kosovës.
Dhe si për t'i hedhur ujë të ftohtë entusiazmit të natyrshëm të shqiptarëve lidhur me decentralizimin e Kosovës, që është edhe kolona më e fortë e platformave të të dy palëve, disa analistë perëndimorë, pas bisedimeve të Vjenës konsiderojnë se koncepti i decentralizimit që ka bashkësia ndërkombëtare, është më afër konceptit serb, sesa atij të shqiptarëve të Kosovës, ashtu sikundër është përcaktuar edhe në Konventën Evropiane për autonominë e pushtetit vendor, çka po merr gjithnjë e më tepër konotacione politike të një lloj autonomie politiko-territoriale me baza etnike.
Delegacioni i shqiptarëve të Kosovës, në daljen e tij para mediave, nuk sqaroi se çka ofroi konkretisht në tryezë për të shtatë sektorët për të cilët është biseduar në Vjenë dhe nëse kanë premtuar shqiptarët apo jo, krijimin e komunave serbe dhe kompetenca shtesë për to; a ka ndonjë rrezik që këto komuna të krijojnë një lidhje horizontale-territoriale me synim pikëtakimin me Serbinë, e nëpërmjet të cilave mund të injorohej lidhja vertikale-institucionale me qeverisjen qëndrore të Prishtinës?
Megjithatë është herët për të konkluduar, ngaqë konsulenca perëndimore dhe përgatitja paraprake e negociatorëve shqiptarë për takimin e 17 marsit, padyshim do të synojë bllokimin dhe neutralizmin e opcioneve serbe, në vazhdën e luftës së argumentave, gjithmonë konform standardeve dhe referencave të njohura ndërkombëtarisht lidhur me trajtimin e minoriteteve konform kartës së Kopenhagenit.
Përplasja e tezave sapo ka filluar, dhe beteja do të jetë e gjatë dhe e vështirë, ndonëse fundi dihet, sikundër dihet edhe laku serb mbi varrin ku u groposën shpresat për përjetësimin e pushtimit kolonialist të Kosovës.
IN MEMORIAM
Duke kujtuar veprën e Rugovës
Nga Hakik Mena
Kryetar i degës PLL SHBA
Të nderuar anëtarë të kryesisë së LDK të NY, NJ, CT!
I nderuar kryetar i LDK z.Agim Rexha!
Të nderuar perfaqesues te organizatave dhe partive te ndryshme politike!
Te nderuar pjesëmarres te komunitetit shqiptar!
Ne radhe te pare deshiroj te falenderoj kryesine e LDK-se te treshtetëshit me ne krye kryetarin z. A.Rexha per kujdesjen e mbajtjes se kesaj akademie perkujtimore shume kuptimplote dhe historike e cila i dedikohet ne shenje rrespekti figures se paharrueshme dhe te pazevendesueshme te liderit shpirteror dhe historik te popullit shqiptar te Kosoves Dr. Ibrahim Rugoves.
Do te thoja bindshem qe te flasesh rreth figures se Dr. I.Rugoves eshte kenaqesi dhe privilegj i madh por ne te njejten kohe eshte edhe barre e rende duke pase parasysh figuren madheshtore dhe punen kolosale te tij e cila fillon qe me studimet akademike ne letersi duke perfaqesuar eliten intelektuale.te shqiptareve te Kosovese ne vitet 70-80 e duke vazhduar me tej hedhjen e tij ne politike duke u shnderruar ne nje lider shpirteror i cili hodhi themelet e shtetit te ri te Kosoves.
Veprimtarine e Dr. i Rugoves do ta ndaja ne dy periudha; ne ate LETRARE dhe POLITIKE.
Periudha letrare fillon qe me shfaqjet e para te prirjes dhe dashurise se tij kundrejt gjuhes shqipe e ne veçanti ne kerkimet shkencore albanologjike. Qe ne moshe te re ai do te shquhet me kontributin e tije letrar duke punuar si redaktor ne gazeten studentore "Bota e Re" e me vone dota shohim perseri si redaktor te gazetes shkencore "Dituria" e duke vijuar me pas me drejtimin e revistes "Gjurmime Albanologjike". Kerkimet e tija shkencore ne albanistike, shkrimet e tija kritike dhe krijimet e tij artistike letrare do ndikojne ne afirmimin e Dr. Rugoves e nje intelektuali te rralle rreth viteve 70 -80 arsye kjo qe do t'i imponohet edhe elites intelektuale te shqiptareve te Kosoves te cilet me kenaqësi dhe unanimisht do ta zgjedhin kryetar te LSHK-se. LSHK e drejtuar nga intelektuali vizionare Dr. I.Rugova do te sherbente me vone si berthame e levizjes se shqiptareve kunder shovinizmit serbomadh. Gjate kesaj kohe Dr. I.Rugova tregon nje kurajo te forte civile duke dhene intervista me thekse patriotike mediave te ndryshme perendimore dhe shpesh here perballet me intelektuale serbe per ti dale zot popullit te tij. Nuk do te zgjase shume dhe ne vitin 1989 kryekasapi i Ballkanit do t'i heqë autonominë Kosoves - dmth., populli shqiptar eshte totalisht ne zgjedhen serbe Ne kete sitate shume te veshtire dhe kruciale te Kosoves nje pjese e intelektualve te kosoves krijojne LDK -ne dhe tashme jo rastesisht shohim ne krye te saj liderin e tyre te ardhshem Dr. I.Rugoven. Nga ky moment fillon periudha politike e Dr.Rugoves. Pikerisht ketu shohim shndërrimin e intelektualit, kritikut, shkrimtarit ne politikanin, udheheqesin, dhe liderin me largpames te Kosoves. Ne saje te lidershipit te tij fillojne te hidhen themelet e para te shtetit te Kosoves duke krijuar kushtetuten e Kaçanikut, kemi deklaraten per shpalljen e pavarësise së Kosoves, mbajtjen e referendumit. Per t'i treguar botes se shqiptaret jane te zote te krijojne shtetin e tyre ai me urtesi e intelegjence intensifikon punen per forcimin e institucioneve te Kosoves dhe krijon sistemin paralel me ate te Beogradit hap shkollat ne shtepitë e shqiptareve, krijon sistemin e taksave dhe me vone organizon edhe zgjedhjet parlamentare te 1992 e 98. Ne të njejten kohe ai qe ne fillim zgjodhi rrugen paqesore per fitimin e lirise e te pavarësise dhe nuk u lekund kurre edhe kur u perballua me trysni te brendshme te jashtme. Ishte pikerisht kjo rruge paqesore e cila fitoi simpatinë e shteteve perendimore, te cileve iu imponua dhe arriti te fitoje respektin e tyre. Si rrjedhim shume analiste dhe politikan te huaj filluan ta quajnë Ghandi i Ballkanit, epitet i cili beri te mundur nderkombtarizimin e çeshtjes se Kosoves, dhe krijoi aleancat me te shumta me fuqite e medha ne historine shqiptare.
Une do te thoja se "thembra e Akilit" te strategjisë së tij ishte se edhe pse ai ishte i percaktuar per rruge paqesore dhe shpeshhere kritikohej per ndjekjen e kesaj rruge, ai kurre nuk hoqi dore nga fjala PAVARESI. Pra ishte politika e urte dhe inteligjente 10 vjeçare e Dr. Rugoves e cila bindi forcat perendimore te debojne forcat barbare serbe nga Kosova dhe populli shqiptar te fitonte lirine e shume pritur. Vazhdimisht edhe mbas fitimit te lirise do te dale ne pah lidershipi i tij si nje vizionar i madh i cili do t'i kaloje permasat rajonale duke u shndërruar ne mit per popullin e Kosoves, i cili do ta zgjedhe si president te pare te lirise. Gjithashtu vlen te theksohet evitimi i luftes civil fale largpamësisë dhe pjekurise se lartë politike qe ai demonstroi mbas hyrjes se forcave te Natos ne Kosove. Por fati u tregu kokeforte me punen kolosale te Dr. Rugoves, ai ndërron jete dhe nuk eshte prezent ne momentet me decizive kur pritej fillimi i bisedimeve per vendosjen e statutit te Kosoves dhe vdekja e parakohshme e tij nuk i dha privilegjin e shume merituar te kurorezimit dhe firmosjes se pavarësisë së Kosoves. Influenca dhe trashgimia politike e tij dha menjeherë frytet e saj te para kur klasa politike ne Kosoven e bashkuar zgjodhen presidentin e ri z.F.Sejdiu dhe jane duke shkuar drejt endrres se tyre shekullore FITIMIN E PAVARESISE. Familja e tij humbi njeriun me te dashur e shume te çmueshem, ndersa Kosova dhe raca shqiptare humben nje intelektual, kritik, shkrimtar, udheheqes te urte e te mençur, një politikan te klasit te larte një lider teper vizionar.
I pa harruar qofte kujtimi i tij!
*Fjala e mbajtur me rastin e përkujtimores së LDK për nder të Presidentit Rugova
ANALIZA
Kumbull-rrushat e parave të shqiptarëve
Nga Sazan PIPA
Edhe në kohën e komunizmit, shteti monist, për të parandaluar shpërdorimin e vlerave monetare në format e shpërblimeve, dietave, honorareve etj., në përputhje me Ligjin për Administrimin e Vlerave Materiale e Monetare, gjithmonë kontrollet e programuara, apo të rastit, nga revizorët e institucioneve të kontroll-revizionit, apo atyre të kontrollit të brendshëm në përbërje të degëve të financave të ndërmarrjeve, institucioneve e kooperativave bujqësore, i fillonte me verifikimin e fondit të pagave dhe atij rezervë, apo fondeve të planifikuar e akorduar posaçërisht për shpërblime, dieta e honorare, dhe bënte shumë mirë. Kjo praktikë administrative, aspak unikale shqiptare, por e huazuar nga jashtë, akoma edhe sot ndeshet e zbatohet shpesh, dhe është një nga treguesit e impenjimit të shtetit për parandalimin e korrupsionit dhe normave të ligjëruara, që mund të shërbejnë si koperturë për përvetësime të paligjshme të mjeteve monetare.
Raporti i fundit i KLSH, i publikuar nga ky institucion, dëshmoi sesa larg jemi në hartimin dhe zbatimin e ligjeve dhe akteve nënligjore që disiplinojnë shpenzimet buxhetore në këtë lëmë, bash nga ata që, më shumë se kushdo, duhet të jenë e bëhen shembull i një administrimi të ndershëm e korrekt të financave publike.
Shembullin më të keq dhe guximin më të skajshëm për të injoruar haptazi stilemën "qeveri në dietë", para do kohësh e dha Ministria e Integrimit, e cila shpërbleu punonjësit e saj në shuma të mëdha për gjoja realizimin me sukses të objektivave të integrimit, për çka punonjësit në fjalë edhe paguhen nga shteti.
Për fat të keq, ishte vetë kryeministri që e mori nën mbrojtje këtë akt të shëmtuar administrativ.
Askush nuk do të kundërshtonte nëse punonjësit në fjalë do të shpërbleheshin me pagën mujore të 13-të në prag të Vitit të Ri 2006, sikurse edhe është bërë praktikë administrative e ligjëruar kohët e fundit, aq më tepër që niveli i pagave në administratën tonë është akoma shumë i ulët dhe punonjësit duhen stimuluar e shpërblyer financiarisht. Por fatkeqësisht, raporti i fundit i KLSH dëshmoi se edhe administrata e re e "qeverisë në dietë", nuk është imunizuar nga praktika të tillë që, ndonëse nuk janë korrupsion i drejtpërdrejtë, janë të afërta me të përsa i përket efekteve financiare dhe frymës që stimulojnë e përhapin për vetëshpërblim nga funksionarë të lartë shtetërorë, që i japin të drejtë vetes të shpërblehen mbi pagën, për një punë që është thjesht zbatim i detyrave funksionale, për përmbushjen e të cilave edhe janë emëruar e kanë pranuar me dëshirën më të zjarrtë, madje duke bërë edhe përpjekje heroike për arritjen e këtij qëllimi!
Kësisoj, bordet, komitetet, komisionet dhe lloj lloj shpikjesh të urryera, tashmë po përdoren për të nxjerrë dhjamë edhe nga pleshti-shtet, vetëm e vetëm për të majmur xhepat dhe zhavatur fondet publike, ndërkohë që nuk realizohet as detyra funksionale për të cilën këta derbederë paguhen, e jo më të stimulohen vetëm e vetëm se na kanë lënë në vend të fundit në të gjitha klasifikimet botërore, në "qeverisjen" e një populli të mjeruar, ndër më të varfërit e planetit, ndonëse jeton në mes të Europës së begatë.
E çfarë merite ka Ministria e Integrimit?! A mos quan ajo "meritë" gjendjen aktuale të proceseve integruese, të cilat nuk e kapërcejnë atë të vitit 1966, pra të 10 vjetëve më parë, e që u ndërpre dhunshëm për shkak të revolucionit bolshevik të vitit 1997!
Për shumë specialistë kompetentë, ky dikaster që nuk duhej të ekzistonte, e jo më të trumbetohej si më efikasi i kabinetit qeveritar, me veprimtarinë e tij ndër vite, nuk i ka sjellë kurrfarë dobie vendit. Përkundrazi, e ka dëmtuar rëndë atë me nënshkrimet e turpshme të marrëveshjeve me leverdi të njëanshme, në favor të vendeve të huaja e në disfavor të Shqipërisë, pa negociuar aspak për interesat e shqiptarëve. Këtë të vërtetë e dëshmojnëe marrëveshjet e disfavorshme të "Tregtisë së lirë me vendet e rajonit" dhe atyre "në kuadër të OBT", në dëm të prodhuesve shqiptarë, të cilët me të drejtë kanë kërkuar rishikimin dhe negociimin e tyre në të ardhmen.
Çfarë meritash në përafrimin e legjislacionit dhe praktikave administrative të përparuara, sipas përvojës së vendeve perëndimore, ka ky dikaster, ndërkohë që kuadri ynë ligjor, ka dhe trashëgon difekte skandaloze, që janë shndërruar në të çarat që favorizojnë korrupsionin legal, informalitetin në ekonomi, situatën monopol, difekte fatale në "reformat" e deformuara e për të cilat çirremi të gjithë nga mëngjezi deri në darkë???
Nëse flasim për "reforma", këtu kemi parasysh reformimin e kuadrit ligjor, që është bërë pengesa kryesore e dështimeve, e pastaj vijnë reformat strukturore e të karakterit administrativ. Dhe në këtë këndvështrim, çfarë meritash ka dikasteri i Integrimit?
Po Ministria e Bujqësisë, çfarë meritash ka për të ligjëruar vetëshpërblimin e funksionarëve të saj, ndërkohë që prodhimi bujqësor dhe tregu shqiptar i kësaj sfere, ndodhet në gjendjen më të mjerueshme?!. Çfarë bordesh duhen shpërblyer tek ky dikaster, sa kohë që Shqipëria përmbytet periodikisht, ndërkohë që rrjeti drenazhues e kullues, megjithë fondet kolosale për mirëmbajtjen e tij ndër vite, tashmë është shkatërruar përfundimisht?
Po kështu edhe për pyjet që nuk ekzistojnë më, apo ekosistemet që kanë mbetur thjesht si nocion teorik!
Po Ministria e Punës dhe Çështjeve Sociale, çfarë meritash ka? Apo mos duhet t'i njohim si merita papunësinë masive dhe paratë që ka dhënë për gjoja punësime nëpër firmat e ndërtimit të ish pushtetarëve?
Po Ministria e Drejtësisë, që është kanceri i korrupsionit e që drejtohej nga banditët më të kualifikuar, që shkatërruan drejtësinë shqiptare, çfarë meritash ka, në një kohë që Shqipëria vuan kuadrin ligjor më të papërshtatshëm dhe ka koefiçientët më të ulët në zbatueshmërinë e ligjeve ekzistuese, kontrollin për zbatimin e të cilëve ajo ka si detyrë funksionale, çfarë meritash ka, që i njeh të drejtën vetes për të shpërblyer drejtuesit e saj?!
Po INSTAT-i çfarë meritash ka? Apo mos duhet t'i njohim si meritë faktin që ka spekulluar e manipuluar në mënyrë sistematike me shifrat zyrtare, për të nxjerrë në pah "sukseset e qeverisjeve" të dështuara!
Ajo që është më e turpshmja në gjithë këtë histori, është fakti që shumë funksionarë të lartë shpërblehen njëkohësisht në disa borde, të cilat s'i kanë parë as me sy e jo më të kenë kontribuar në veprimtarinë e tyre, por KLSH e politizuar, ka frikë të përmendë emra.
Ja çfarë thotë raporti i KLSH: "Kështu, në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale funksionojnë 6 komisione (që shpërblehen me paga shtesë-shënim i A.K); në Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit funksionojnë 9 komisione dhe 12 borde kullimi pranë prefekturave... Të ardhurat e përfituara nga 44 zyrtarë të lartë, arrijnë shumën prej 51 milionësh ose 25% të shumës totale, pavarësisht se numri i tyre përbën 3 % të numrit total të personave të shpërblyer. Rreth 660 zyrtarë të lartë shtetërorë, i kanë caktuar vetes së tyre një shpërblim të përhershëm mujor prej 20 mijë lekësh të reja mbi pagën që përfitojnë, për detyrën funksionale. Duke marrë pjesë në komisione, komitete, borde ose struktura të tjera shtetërore, ata kanë përfituar një shpërblim të përhershëm... Rasti më i rëndë është ai i Komisionit të Referencave Ligjore në Ministrinë e Drejtësisë, i cili përbëhet nga 42 anëtarë, që kanë përfituar 8.3 milionë lekë (pra 2 milionë lekë për kokë-shën. i A.K). E njëjta situatë është vënë re në komisionin pranë Shkollës së Magjistraturës, i cili përbëhet nga 34 anëtarë që kanë përfituar 2.9 milionë lekë. Edhe në Komisionin e nomenklaturës në INSTAT, është i njëjti numër anëtarësh, të cilët kanë përfituar 3 milionë lekë. Sipas raportit të KLSH-së, në disa institucione funksionojnë një numër i madh komisionesh, të cilat rëndojnë ndjeshëm buxhetin e tyre".
Ja morali që buron nga këta farë udhëheqësish, që nuk arrijnë dot as tek morali i Xhemal Tafaj-t të kohës së Dullës.
Mirë bëjnë këta rrusha, që "bëjnë rrush e kumbulla" paratë e shqiptarëve.
Box
STATISTIKA
660 zyrtarë janë kallëzuar në prokurori për evazion
14.6 milionë lekë është dëmi i shkaktuar nga shpërblimet
1435 punonjës të administratës janë shpërblyer gjatë 2005-2006
208 milionë lekë janë harxhuar nga buxheti i shtetit për shpërblimet
Komisioni i referencave në Ministri të Drejtësisë, 42 anëtarë me 8.3 milionë lekë
Komisioni pranë Shkollës së Magjistraturës 34 anëtarë me 2.9 milionë lekë
Komisioni i nomenklaturës së INSTAT me 34 anëtarë, përfitoi 3 milionë lekë
OPINION
A mos po duan ta falimentojnë KESH-in
Pas gjëmave të Andis Hara-Sanit mbi KESH-in, e për të cilat këtij bishtuku të Demokracisë as që i hyri gjemb në këmbë, tani i ka ardhur radha Andis Hara-Belit të na kumtojë gjëma të reja nga KESH-i.
Ndërkohë që për reformë në KESH po trumbetohet thjesht zëvendësimi i disa faturistëve kuqalashë me të tjerë aspak të tillë, drejtuesit kryesorë që shkatërruan KESH-in gjatë 8 vjetëve të pushtimit socialist, vazhdojnë jo vetëm të qëndrojnë aty ku ishin, po tashmë marrin guximin të përmbysin sërish qytetet tona, e deri të fikin dritat e parlamentit, për t'i dëshmuar Barrosos se "sa i zoti është Berisha për të qeverisur, teksa e shndërron parlamentin në bodrum të errët, të denjë për të fshehur Sadamin".
Më kot përpiqen të gjejnë se cili ushtar i Gramoz Ruçit e bëri mrekullinë që e detyroi Barroson të ecë si sonambul nëpër korridoret e parlamentit, duke i dëshmuar se ku ka marrë guximin të shkojë për vizitë, në një kohë që as Bagdati e as Beogradi nuk zhyteshin në terr gjatë bombardimeve të amerikanëve, e jo më parlamenti i Shqipërisë në mes të Tiranës!!
Gjene mirë, sepse Barroso është kaq i mënçur sa të kuptojë se çfarë mrekullie socialiste trashëgoi Berisha dhe se çfarë duhet të bëjë ai për pastrimin e administratës nga autorët e kësaj mrekullie.
Por aspekti më i dhimbshëm i keqmenaxhimit të KESH gjatë kësaj periudhe, ku harasanët e harabelat bëjnë ligjin, është shpërdorimi kriminal i rezervave ujore me derdhje të tyre nëpërmjet portave të shkarkimit të digave të kaskadës së Drinit, ndërkohë që shteti dhe kjo korporatë vazhdojnë të blejnë sasi kolosale energjie dhe qytetet tona, të pabombarduara, vazhdojnë të mbeten në terr.
Dhe pa droje, na kumtohet nga ekranet se akoma KESH-i nuk paskërka vënë në punë agregatin e katërt në Fierzë, që është prishur që në kohën e qepës.
Po për çfarë paguhen këta myteberë, që recitojnë fraza pa kuptim, me pamje prej idioti, të cilat nuk arriti t'i imagjinonin as mendjet gjeniale të Dostojevskit dhe Joneskut?
Deri kur do ta durojmë këtë bandë horrash, që po do të na e nxjerrë me humbje KESH-in, të cilin harasanët, ndonëse nuk arkëtonin asgjë nga bizneset e stërmëdha të socialistëve dhe grabitnin me thasë në krahë, e nxirrnin me fitim mbi 60 milionë euro në vit?
Si nuk kanë turp këta delenxhilerë, kur pohojnë se kosto e prodhimit të një kilovatori është 80 lekë të vjetra, me çka po duan të justifikojnë ngritjen e re prej 10 % të çmimit të energjisë elektrike!
Përse nuk guxojnë ta publikojnë këtë të vërtetë, pra faktin që shpenzimet vjetore të KESH janë 400 milionë $??? Por këtë nuk mund ta bëjnë dot, se u dalin vjedhjet dhe abuzimet.
Ku është transparenca e trumbetuar, ku janë konferencat kombëtare që duhen bërë për të publikuar këto të vërteta dhe për t'i dhënë fund menaxhimit kriminal të KESH?!
Apo mos duan ta falimentojnë atë dhe më pas ta privatizojnë për 5 aspra, që të grabisin pakëtaj, pa para, energjinë kinetike të ujërave që Zoti i Madh u dha si dhuratë shqiptarëve, bashkë me H/C-et që ata i ndërtuan me gjakun e tyre me një vlerë prej afro 1 miliardë euro?
Nga harabelat dhe fluturakët e këtij vendi, çdo gjë është e mundur, prandaj jemi katandisur këtu ku jemi.
A.K
ANALIZA
Në shkallë vendi, 23% e fëmijëve kanë braktisur shkollën dhe janë punësuar
Shqipëria, 17 mijë të punësuar të mitur
Në 12 vjet: 8 institucione, 66 zyra pune, 133 OJF dhe 35 sindikata, kanë konstatuar vetëm 10 fëmijë të punësuar!
Nga Përparim Halili
Zhvillimet social-ekonomike të 15 viteve të fundit në Shqipëri, krahas treguesve të tjerë, kanë krijuar edhe një treg pune abuziv e antiligjor. Gjatë kësaj periudhe, afro 45 % e forcës aktive direkte në prodhim e ish-të punësuarve, ka rezultuar forcë e tepërt nga shkatërrimi, falimentimi dhe ristrukrukturimi i ish-ekonomisë e shërbimeve publike kombëtare, në raport me veprimin e ekonomisë së lirë të tregut, kryesisht të jashtëm (importit), që vërshoi me llojshmërinë, funksionalitetin dhe cilësinë e mallrave të konsumit të gjerë. Bashkë me to, lindi punësimi i të miturve. Prej punëdhenësve të mesëm e të vegjël, u krijua tregu fitimprurës i punës së fëmijëve, të cilin vazhdojmë ta kemi prezent në mënyrë shqetësuese, bërë prezent për Shqipërinë dhe nga Kongresi i Parë Botëror i Punës së Fëmijëve, mbajtur në Firence, në maj 2004, ku u rendit i dyti ndër 4 vendet më problematike të vendeve në tranzicion. Por që deri tani, për problemin nuk ka patur asnjë reagim në programet qeverisëse shqiptare.
Statistikë
Në 32% të tregut aktual të punës në prodhim e shërbime publike, janë punësuar të mitur
42% e fëmijëve shfrytëzohen në punë të rënda, madje dhe në orët e pasdites e të natës
133 OJF me program mbrojtjen e fëmijëve dhe 35 sindikata shqiptare, vazhdojnë të bëjnë raporte formale kundër fenomenit
Sipas studimeve, 1 USD i investuar për eleminimin e punës së fëmijëve, siguron 7 herë më tepër fitim, brenda një periudhe 15-20 vjeçare
Kongresi Parë Botëror i Punës së Fëmijëve (Maj 2004): Shqipëria e dyta në listën e 4 vendeve më problematike për punën e të miturve
Realiteti i punës së të miturve
Në Shqipëri, sipas një evidentimi të bërë nga Instituti i Punës, janë mbi 17 mijë fëmijë të punësuar. Kjo nuk është shifër e pakët për një vend si Shqipëria, ekonomia e të cilit, në 14 vite ka humbur 67 % të vendeve të punës në prodhim e shërbime, dhe tregu aktual i punës, mbulohet në masën 32 % nga puna e fëmijëve. Llojet e punës që bëjnë fëmijët janë, në shumë raste, të rënda e të rrezikshme për shëndetin dhe jetën. Ata punojnë nga 10-12 orë nëpër lavazho, qepje këpucësh, grumbullim hekurishtesh e shishesh, pastrues plehërash, hamej në treg, në magazina, ngarkim-shkarkim makinash, fatorino në autobuzë e furgona, ndërtim, bujqësi, blegtori e shërbime spontane publike të rrugës.
Plagët social-ekonomike që përjetojnë shumë familje shqiptare, janë object/shkak për këtë punësim abuziv, por edhe mundësi e plotë veprimi prej punëdhënësve abuzivë, të cilët shfrytëzojnë lehtësisht punën e fëmijëve. Shumë firma të huaja tekstilesh, këpucësh, apo prodhimesh ushqimore, që veprojnë në Shqipëri, kanë aktivizuar mijëra punonjës të mitur, që punojnë me volum pune nëpër familjet e tyre. Kjo ka cënuar jo vetëm shëndetin e fëmijëve, por edhe ka dëmtuar e ka bllokuar tregun e punës për moshat ligjore, duke krijuar konfliktin mes punësimit legal e atij informal.
Ekzistenca e lirshme e tregut abuziv të punës së fëmijëve, u ka mundësuar punëdhënësve që kanë firma, apo biznese të mesme e të vogla, por edhe atyre me biznese të mëdha, të punësojnë e shfrytëzojnë të miturit në shumicën e vendeve të punës, kryesisht në ato që nuk kërkojnë shkallë të lartë, ose të mesme kualifikimi, pra punët e rëndomta, pse jo dhe të rrezikshme. Kjo ndodh, sepse punëdhënësit, në emër të shtimit të paligjshëm e të padeklaruar të fitimeve, për të mos paguar punonjës të rritur që kërkojnë paga të larta, tërheqin në këto procese pune ditore, javore, mujore e vjetore, fëmijë nën moshën 18 vjeç.
Në shkallë vendi, sipas deklarimeve të bëra në fund të vitit mësimor 2005, afro 23 % e fëmijëve nuk shkojnë në shkollë, sepse janë të detyruar të punojnë për të siguruar bukën e gojës.
Punët që bëjnë fëmijët
Shitësa ambulantë
Lypësa
Hamej
Shërbime të ndryshme
Rrobaqepësi
Prodhim këpucësh
Ndërtim
Lavazhe
Tregëti
Bujqësi e blegtori
Artizanat
Punë shtëpiake
Konstatimi / Shkaqet e punës së të miturve
Gjendja e varfër e familjeve, të cilat angazhojnë fëmijët në punë.
Pozicioni i tyre shoqëror si jetimë.
Pamundësia e sigurimit të të ardhurave prej prindërve.
Braktisja prindërore, familjare e shoqërore
Mungesa e mbrojtjes ligjore prej shtetit dhe përpjekja për të mbijetuar
Shfrytëzimi i të miturve në aktivitete të pista droge, lypjeje, vjedhjesh, burim të ardhurash për tutorët e tyre
Nevoja për të ardhura financiare, në ndihmë të prindërve të sëmurë e të pamundur për punësim aktiv
Mungesa e institucioneve kujdestare për trajtimin e jetimëve dhe fëmijëve të braktisur
Evidentim / Punësimi sipas prefekturave
Tiranë 3500
Durrës 2130
Elbasan 1450
Shkodë 1030
Vlorë 1200
Korçë 860
Kukës 450
Gjirokastër 930
Dibër 670
Lezhë 1320
Berat 1340
Lushnjë 1450
Fier 1180
Shteti, qëndrim pajtues me fenomenin
Në Ministrinë e Punës, prej 10 vitesh ekziston një sektor special, që trajton punën e të miturve. Ka edhe një inspektoriat Kombëtar Pune me struktura në të gjithë vendin. Ka zyra pune, bashki, shërbim të sigurimeve shoqërore, tatimeve, prokurorisë, gjykatave, etj.. Por në veprimtarinë e tyre, nuk konstatohet asnjë rast i vetëm psh., që një punëdhënës të jetë ndëshkuar për punësim e shfrytëzim abuziv të miturish. Ja një fakt për ilustrim: 55 % e firmave të huaja që operojnë në vendin tonë, 40 % të prodhimit të tyre e përballojnë me krahët e të miturve shqiptarë, të cilët i përdorin për të qepur pantofla e këpucë. Ndërkohë, afro 75 % e punëdhënësve të vegjël që veprojnë në shërbimet publike si lavazhe, transporte, pastrime, tregti ambulante etj., afro 80 % të volumit të punës e përballojnë me krahët e fëmijëve.
E ndërsa 133 OJF shqiptare që kanë tematikë mbrojtjen e fëmijëve nga shfrytëzimi antiligjor nëpërmjet punësimit, prej vitesh po mbushin dosje me projekte e japin sinjale sensibilizuese!!! Ndërsa 35 sindikatat vazhdojnë të mos e kenë në program luftën kundër këtij fenomeni. Përballë tyre, janë institucionet qëndrore e lokale zyrtare, të cilët vazhdojnë të mbajnë qëndrim pajtues me punën e të miturve.
Masat administrative
Eshtë ngritur Inspektoriati i Lartë i Punës
Ministria e Punës është përfshirë në programin ndërkombëtar për eliminimin e punës së fëmijëve (IPEK)
Që nga nëntori 2001 është ngritur Komiteti Drejtues për Punën e Fëmijëve
Eshtë hartuar lista e punëve të rrezikshme për fëmijët
Me vendim qeverie është përpiluar lista e punëve të lejuara
Janë dhënë udhëzime për zyrat përkatëse lokale
Janë caktuar punonjës socialë për këshillime
Çfarë është bërë
Janë thithur 678 mijë dollarë fonde të akorduara për 31 OJF, të cilat kanë menazhuar projekte për elemiminim e punës së fëmijëv
Në 12 vjet, janë konstuar vetëm 10 fëmijë të punësuar në firma private
Janë vendosur 11 gjoba në 12 vjet
Eshtë përgatitur vetëm 1 denoncim, por i pa depozituar në prokurori
Në 12 vjet, janë bërë 1378 sensibilizime mediatike, me postera, fletpalosje, seminare dhe janë paraqitur 2450 projekte nga 133 OJF-të e kësaj linje
Sindikatat kanë folur vetëm 1 herë në vitin 1995, në një takim me qeverinë
Ligji "mbron" fëmijët, por nuk ndëshkon abuzuesit
Në këtë vëzhgim, që është së pari, problem kushtëzues për pranimin e Shqipërisë në BE, po trajtojmë planet e krijimit dhe lejimit të kësaj plage të madhe sociale, po bëjmë prezent qëndrimet që mbahen në Shqipëri. Aktualisht në vendin tonë, ka një bazë ligjore të përmbledhur, ku përcaktohet koha dhe forma e punës së fëmijëve. Por, megjithë ekzistencën e ligjit, puna e paligjshme e fëmijëve vazhdon të jetë prezente, madje shqetësuese. Këtë "liri" e krijon edhe përmbajtja e ligjit, i cili synon të rregullojë dhe kontrollojë problemin, por nuk është i shoqëruar me akte konkrete nënligjore.
Kodi i Punës i Republikës së Shqipërisë, përcakton në mënyrë taksative ndalimin dhe rastet e lejimit të punës së fëmijëve. Por ky ligj, nuk parashikon masën e sanksionit kundër punëdhënësve që shfrytëzojnë punën e fëmijëve, madje as sanksionin ligjor kundër prindërve që e detyrojnë këtë punë. Sepse ligji ekzistues shqiptar, përcakton që punësimi i fëmijëve parashikohet dhe lejohet në moshën 16-18 vjeç. Veçse nuk parashikon formën dhe llojin e punës që ata duhet të bëjnë, e kështu ndodh shfrytëzimi me ligj i punës së fëmijëve. Një shifër: Afro 42 % e punonjësve të ligjshëm fëmijë, shfrytëzohen nga punëdhënësit në punë të rënda dhe në orët e pasdites, madje edhe të natës.
Faktet tregojnë se puna e fëmijëve përbën një treg pune të pakontrolluar, të pacënuar nga ligji ekzistues. Ka një veprim të hapur në shfrytëzimin e të miturve në lloj-lloj punësh. Këtë e konfirmon fakti se, këta fëmijë-punëtorë, janë të grumbulluar në pika ilegale punësimi, të cilat ndodhen e veprojnë jashtë kontrollit ligjor. Të miturit punësohen e shfrytëzohen publikisht, në prani dhe para hundëve të institucioneve ligjore e administrative, si zyrat dhe inspektoriatet e punës, institucionet e kontrollit tatimor, të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, të pushtetit vendor etj..
Ligji / Kodi i Punës për punësimin e paligjshëm të të miturve
Neni 98:
Ndalohet marrja në punë e të miturve, nën moshën 16 vjeç.
Neni 99:
Të miturit deri në moshën 18 vjeç, mund të punësohen në punë të lehta, që nuk dëmtojnë shëndetin dhe formimin e tyre, vetëm gjatë kohës së pushimeve shkollore. Këshilli i Ministrave, përcakton punët e lehta dhe vendos rregulla të veçanta, për kohëzgjatjen maksimale dhe kushtet e kryerjes së punës.
Neni 100:
Këshilli i Ministrave vendos rregulla të veçanta për kohëzgjatjen dhe kushtet e kryerjes së punëve të vështira, për të miturit mbi 16 vjeç.
Neni 101:
Ndalohet të punojnë në punën e mbasdites e të natës, punëmarrësit nën moshën 18 vjeç.
Propozime / Disa nga zgjidhjet
Zbutja e varfërisë, si shkaku kryesor i punësimit të detyruar të fëmijëve.
Ndëshkimi ekstrem i punëdhënësve që punësojnë të mitur në mënyrë abuzive.
Politika fleksibile për punësimin e pjesëtarëve të familjeve të këtyre fëmijëve.
Firmosja dhe zbatimi i Konventave 138 e 182 të ILO-s, për mbrojtjen e fëmijëve.
Plotësimi dhe zbatimi i legjislacionit kombëtar
Investime sociale për eleminim e punës së fëmijëve.
Ngritja e institucioneve trajtuese për fëmijët e mbetur pa mbështetje.
SPECIALE
Një vështrim mbi dramën e Haqif Mulliqit, "Një varr për majorin e Mbretit"
Haqif Mulliqi: "Një varr për majorin e Mbretit"
Nga Neritan Kolgjini
Dramaturgu i njohur kosovar (ndoshta më i miri), ka botuar dhe vënë në skenë në vitin 2004, një dramë të titulluar "Një varr për majorin e Mbretit". Këtë krijim ai ka dashur ta promovojë edhe në teatrin e Tiranës, por këtu, për arsye të "mosarsyes", ai nuk ia ka dalë mbanë. Sipas njoftimeve që kemi, një prej justifikimeve ka qenë fakti se drama "ishte me shumë personazhe", pra kërkonte shumë aktorë, pra shumë shpenzime, e së fundi, shumë para. Në të vërtetë, një arsye që kemi të drejtë ta themi, është fakti që kjo dramë merr shtysë nga një ngjarje reale e ndodhur në Shqipëri në fillim të ardhjes në pushtet të komunistëve me në krye "shokun" Enver, më 1944. Zbërthimi artistik që u bën krimeve të komunistëve kjo dramë, besojmë se është shkaku i vërtetë i mosvënies së saj në skenë, dhe për më tepër, edhe i heshtjes shurdhuese të mbajtur rreth saj.
Vetë autori Haqif Mulliqi, shkruan në faqe të parë të saj se "motivet e kësaj drame janë të ndërtuara mbi një ngjarje autentike. Disa personazhe dhe dialogët e tyre janë të sajuar nga autori." Natyrisht, është krijim artistik. S'ka se si të jetë ndryshe. Por fakti që Mulliqi thekson në krye se është "ngjarje autentike...", nënkupton edhe dialogje autentike, e të duket se është dramatizuar një copë Shqipërie. Në fakt është dramatizuar një ngjarje fare tragjike. Tejet madje. Dënimi me vdekje i një majori të Xhandarmërisë Shqiptare të kohës së Mbretit Zog. Pa asnjë faj, pa kryer asnjë krim. Madje duke u dorëzuar vetë, si ushtarak, në organet e hetimit. Një krim absurd...
Por nëse ndokush do të kërkojë një linjë klasike të ngjarjes, do të zhgënjehej. Në dramë, autori Mulliqi, më shumë se me vetë majorin, gjyqin e tij farsë dhe dënimin, - pra vdekjen - merret me pasvdekjen. Jo jetën e tij në parajsë. (Ku e kanë vendin ata që japin jetën për atdheun). Jo... Ai merret me historinë e varrit të Majorit, më saktë me historinë e zhvendosjes së eshtrave të Majorit, sa në një varr në një tjetër. E çuditshme që njeriu të mos gjejë prehje as në varr, por Shqipëria komuniste ka qenë vend i tillë. Përtej natyrës njerëzore. Skena e fundit mbyllet me një zë që flet në sfond: "Kjo ishte vetëm një histori e trishtuar, por Shqipëria është një vend i mbushur me aq shumë tregime të këtilla zhvarrimi dhe transferimi eshtrash, saqë të gjitha emocionet dhe përshtypjet e thella që shkaktoheshin në fillim prej tyre, sikur janë harxhuar tashmë. Genti (i biri i majorit - shën.im, N.K.) e di këtë. Së fundi në këtë moshë të thyer, ai vendosi t'i lërë mënjanë të gjitha ceremonitë dhe t'i ngrehë më në fund një varr të atit. Një varr për Majorin e Mbretit." Kjo mbyllje skenike flet vetë. Edhe sikur ta linim pa asnjë koment, për të shkruar rreth një drame, do të mjaftonte edhe kaq. Por nuk mundemi të rrimë këtu. Dhe shkaku është se ne e dimë kush është Majori i Mbretit, njohim personalisht edhe të birin, Gentin në dramë, madje-madje njohim gjithë rrethin e tij shoqëror e miqësor. Njohim të nipin e tij (majorit), rrimë përditë me të. E prandaj, nuk mund të ndalemi pa shkruar pakëz më gjatë rreth këtij krijimi artistik, dramatik, tragjik, me personazhe që i njohim në jetën tonë të përditshme. Sepse e kemi detyrim për shpirtin tonë, e kemi detyrim për ata legalistë që dhanë jetën duke thënë fjalët e fundit "Rroftë Shqipëria etnike, Rroftë Mbreti!" E kemi detyrim të shkruajmë për një vepër artistike ku zbërthehen makabritetet e kohës së komunizmit në Shqipëri.
Ja çfarë thotë Majori në dramë, në një dialog me një toger të bashkëdënuar si ai:
Togeri: A thua si do të na ekzekutojnë: do të na varin apo do të na pushkatojnë...
Majori: Thënë të drejtën, unë do të kisha dëshirë të më pushkatojnë...
Togeri: Përse?
Majori: E para se jam oficer dhe e dyta, po të na varin, meqë jam i katërti në listë nga të trembëdhjetët, mbase mund të shkëputet litari dhe do të mbetem të jetoj në këtë m... komunizme, në këtë fatkeqësi për Shqipërinë dhe shqiptarët..." (Mbyllet skena).
Pra, me këtë dialog mes ushtarakësh të dënuar me vdekje, mbyllet edhe historia jetësore e Majorit. Por vijon ajo e pasvdekjes. Historia e eshtrave. Me të cilën edhe nis drama. Edhe mbyllet. Dialogjet e mprehta me hetuesinë komuniste, apo ato në shtabin e OKLL, janë thjesht ilustrime. Autori nuk është marrë shumë me këto. Të duket sikur kemi një përsëritje të motiveve të vjetra të baladave shqiptare të murimit, të besës së dhënë etj.. Autori përdor shpesh zhvendosjen në kohë. Sa në 44-45-ën, sa në post-90-ën, sa në zyra të shtetit post-komunist, sa në hetuesinë komuniste e në burgjet e tij. I shmanget vetëm jetës së përtejme dhe jo për shkak të pamundësisë së njerëzve për ta njohur atë e për ta perceptuar, por për shkak se jeta tokësore (në Shqipërinë komuniste) është shumë herë më e zorshme për t'u rrëfyer artistikisht sesa e përtejvarrit.
Me dy fjalë, le ta përmbledhim këtë histori tragjike, që edhe lexuesi ynë ta ketë më të qartë. Drama nis me dialogjet mes disa varrmihësve, të cilët gjatë bisedës me Gentin, të birin e Majorit, shpalosin një pjesë të historisë së tij. Më pas linja e rrëfimit vijon me hetuesinë e Majorit. Më tej me odisenë e viktimave të komunizmit nëpër zyrat e shtetit, ku nuk i kuptonte kush dhe nuk u besonte kush kur thonin se u ishin vrarë bijtë, vëllezërit, prindërit apo të tjerë të afërm. Disa skena nga shtabi i Legalistëve, pak skena familjare, ku e shoqja e majorit merr vesh gjëmën e ekzekutimit të tij. Dhe më tej, historia vazhdon me eshtrat, të cilat i biri, Genti, i zhvarros e zhvarros disa herë. Kjo është pjesa më thelbësore e dramës. Ka skena mjaft të forta, ku përzihen heroikja me tragjiken, dhimbja me humorin e zi. Dialogjet vijonë rrjedhshëm mes varrmihësve deri në skenën e parafundit ku Genti u thotë varrmihësve përse nuk kishte pranuar dekoratën "martir i demokracisë": "Nuk doja që im atë të përdorej. Pastaj, ca të njohur më patën kërkuar që eshtrat e babait t'i çoja në një muze të ish të përndjekurve, por nuk pranova. Im atë ishte thjesht një monarkist. E tashti e kam kuptuar se vetëm kur të ktheheshin eshtrat e Ahmet Zogut, do t'ua jap edhe unë këto të babait tim. Për këtë madje dakordoi edhe Mbreti Lekë në një bisedë që kisha me Të, edhepse as Ai nuk e di se kush dhe kur do t'i lejojë që t'i kthejë eshtrat e Mbretit në Shqipëri... Eshtë e çuditshme çështja e shqiptarëve dhe eshtrave që i sorollasim sa andej-këndej dhe s'mund t'u bëjmë vend në këtë tokë të shkretë..." Këtu mbyllet skena. Pastaj vjen mbyllja e dramës me fjalët "Prehu i qetë nëse mundesh, Ti o Majori i Mbretit të Shqipërisë! - nga Genti".
Nëse ndokush do të thoshte, epo, kështu janë dramat, do të gabonte. Pse? Sepse kjo është një ngjarje reale. Si krijim artistik, ka vetëm pak shtesa dhe vetëm emrat e ndryshëm nga ata realë. Dhe në këtë pikë, po u themi lexuesve tanë, që personazhet jetësorë të këtij krijimi artistik janë: Major Murat Basha, (Majori); dhe i biri i tij Akil Basha (Genti i dramës). Nipi i tyre Murat Basha (i sotmi) është Nënkryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit. Dhe pasi njihesh me këtë dramë dhe me mjaft fakte jetësore rreth fatit të zi të legalistëve, nuk mund të mos thuash një "ah" që nuk po mundemi të bëjmë pak më shumë për t'i thënë ato vuajtje reale që kanë duruar shqiptarët gjatë 50 viteve komunizëm. Të vjen të plasësh nga marazi kur sheh se gazetat e mediat e përditshme mbushen me lloj-lloj historish të shpikura e të shpifura të hierarkëve të komunizmit e të Sigurimit, e nuk thuhen disa të vërteta të thjeshta që kanë vërtet interes për njerëzit e për historinë e këtij vendi. Me sa duket komunizmi në Shqipëri vetëm ka pësuar një mutacion fizionomik, por persiston në forma të tjera të kamufluara. Ndërsa vepra të tilla si kjo e dramaturgut dhe artistit Mulliqi, janë vetëm disa kambana që të gjithë i dëgjojnë, megjithatë shumica i shmangen thirrjes së tyre. E pas leximit të kësaj drame, (nuk kemi pasur fatin ta shohim në skenë), njeriu ka mundësi të kuptojë më lehtë se çfarë tragjedish mban të groposura në barkun e vet kjo tokë.
___________________________
19 Shkurt 2006
___________________________
MSA/ Legalistët komentojnë zhvillimet në procesin e integrimit drejt BE
PLL: Nënshkrimi i MSA, hap madhor drejt integrimit në BE
"18 shkurti është një datë që do të hyjë në historinë e këtij vendi dhe nënshkrimi i MSA-së është një tregues i padiskutueshëm i ecurisë së mbarë të Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në BE. Tashmë ky është një proces i pandalshëm e i pakthyeshëm, që i gëzon të gjithë shqiptarët, pavarësisht krahëve politikë"
Editorial
Vjena, prelud i pavarësimit të Kosovës
Nga Murat BASHA
Nesër në Vjenë, nën drejtimin e Marti Ahtisaarit, hapen negociatat zyrtare midis delegacioneve zyrtare të serbëve dhe Kosovës shqiptare, lidhur me të ardhmen e padyshimtë të saj, pavarësimin.
Vëmendja e mbarë nacionalistëve është drejtuar totalisht nga Vjena, jo vetëm se aty do të nisë rruga e zyrtarizimit të Pavarësisë së Kosovës, por sepse përballë janë vënë dy kombe, dy palë që do të ballafaqojnë opcionet e tyre pa armë, me anë të diplomacisë, si vazhdim i luftës me mjete paqësore.
Si rrallëherë, shqiptarët paraqiten në këto negociata pa komplekse. Dhe kjo për shkak të përfaqësimit nga personalitete ndër më të shquarat e të një kalibri të lartë intelektual e politik, përballë armiqve shekullorë, të cilët, në planin diplomatik janë kundërshtarë të denjë dhe të rrezikshëm.
Por negociatorët shqiptarë vijnë nga një përvojë e pasur dhe një shkollë e cila e njeh mirë shkollën politike serbe, psikologjinë serbe, stilemat, tezat dhe skemat e stërholluara të diplomacisë së saj, që ata arritën t'i mundin teksa ndërkombëtarizuan me sukses kauzën shqiptare të Kosovës, duke bindur Bashkësinë Ndërkombëtare për drejtësinë dhe shenjtërinë e saj, përballë një shteti dhe një diplomacie të kalçifikuar nga mitet e rrejshme e qesharake.
Nesër në Vjenë, shqiptarët do të parashtrojnë tezat e tyre bazuar mbi të drejtën për vetvendosje konform vullnetit politik të një populli të tërë, të cilit Perëndimi demokratik ia ka njohur si një e drejtë e patjetërsueshme, pas luftës heroike dhe mbrojtjes po kaq heroike të një kauze qytetëruese perëndimore, përballë barbarisë serbe, mentaliteteve dhe praktikave shtetërore të një neokolonializmi të perënduar.
Shqiptarët do të demonstrojnë në Vjenë, vizionin e shkëlqyer politik dhe aftësitë shtetformuse e vetqeverisëse, të dëshmuara këto edhe nën pushtimin barbar të Millosheviçit, teksa ndërtuan shtetin paralel nën drejtimin e z.Rugova, shtet që siguroi vazhdimësinë e jetës së një populli me ekzistencë të rrezikuar, si dhe veprimtarinë efikase të institucioneve që i shërbyen me përkushtim popullit, duke mrekulluar Perëndimin dhe mbarë botën demokratike.
Ndërkohë, Serbia millosheviçiane përballë tyre, jo vetëm dëshmoi vizion barbar dhe antiqytetërues, por me krimet e përbindshme i kujtoi Perëndimit se sa të pathemelta tingëllojnë mitet dhe historiografia e fallsifikuar për gjoja qytetërime superiore dhe supershtete konfederative të sajuara, që shiten si faktorë madhorë të zhvillimit, paqes e stabilitetit në Ballkan e më gjerë.
Të bindur se nuk ka e nuk mund të lejohet më kthim mbrapa, dhe se Rezoluta 1244 tashmë është shndërruar në një leckë pa vlerë, që nuk mund të përdoret as për mballomë në shërbim të ultrashovinizmit serb, përfaqësuesit zyrtarë të Serbisë administrative dhe serbëve të Kosovës, do të orvaten që në fillim të bisedimeve, të parashtrojnë në tryezë, e më pas amplifikojnë e trumbetojnë tezën e "Autonomisë së zgjeruar për Krahinën e Kosovës". Më pas, ata do ta ulin gradualisht piacën, deri në parashtrimin e skemave që kërkojnë ruajtjen e statukuosë, pra të gjendjes as mish as peshk, për të mos e lëshuar lehtë sovranitetin në planin territorial (sepse në planin politik, sovraniteti territorial i Beogradit mbi Kosovën ka marrë fund që me vendosjen e protektoratit të OKB), duke trumbetuar e keqpërdorur parimin e "mosndryshimit të kufijve...".
Ata dhe protektorët e tyre, për t'i shtyrë pafundësisht negociatat dhe për t'i vështirësuar ato, do të përdorin deri në fund kartën më të fuqishme, atë të "decentralizimit të pushtetit" për ta përdorur për krijimin e enklavave serbe, si rajone të pastra etnikisht e me autonomi substanciale, kryesisht rreth manastireve që dikur ishin shqiptare, ku luteshin shqiptarët, e që më vonë u mbushën me ikona të Shën Savës, Cirilit e Metodit. Ndërsa në Veri të Kosovës, ata do të kërkojnë krijimin e zonave 100 % të pastra etnikisht e me zgjatime territoriale që do të mundësonin krijimin e korridoreve direkte me Serbinë, nëpërmjet kthimit të paramilitarëve gjakatarë dhe skalioneve që do të krijonin shumica etnike, për të shkaktuar turbullira e destabilizim, çka shpresojnë t'u mundësojnë deri edhe shkëputjen dhe bashkimin me Serbinë, sikundër kanë ideuar të bëjnë në Mitrovicën Veriore.
Shqiptarët janë të bindur se këto negociata do të jenë të vështira, e se në zbatim të skemës së njohur të lojës së nervave, serbët do të përdorin truke e dredhi të panumërta, shifra spekullative, psudofakte e skema të parafabrikuara, për të vështirësuar përparimin dhe zgjidhjet e pranueshme për probleme dhe pika të veçanta.
Mbi të gjitha, ne legalistët jemi të bindur se, në fundore, serbët kurrë nuk do të pranojnë të firmosin dokumentin përfundimtar të një zgjidhjeje paqësore, ndaj së cilës ata janë po aq refraktarë sa edhe Millosheviçi, por më kot.
Edhe protektorët e tyre, më kot përpiqen ta vështirësojnë pranimin e zgjidhjes përfundimtare të Statusit të Kosovës, me zhurmën për "sensibilitet të shtuar të Perëndimit ndaj rastit të Kosovës, duke e trajtuar atë si rast unikal...".
Gjithaq absurde tingëllojnë edhe pretendimet e protektorëve të Serbisë, se gjoja njohja e Pavarësisë së Kosovës, do të shoqërohet me krijimin e precedentëve destabilizues në vijim, duke përqasur shembujt e Tibetit e Çeçenisë, apo të krijimit të precedentëve-skema për "zgjidhjen e pranuar ndërkombëtarisht të rasteve të pavarësisë nga Gjeorgjia, të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore", apo të njohjes së pavarësisë edhe për rajone të llojit të Karelisë e Tatarstanit, e deri tek përqasja absurde e shembullit të njohjes nga Turqia të Republikës së Qipros Veriore!!!
Por serbët dhe aleatët e tyre strategjikë, pavarësisht se SHBA-të dhe Britania ua kanë bërë të qartë se Statusi i ardhshëm i Kosovës do të jetë produkt i vullnetit politik të popullit të Kosovës, dhe se duhet ta përgatisin popullin e tyre për këtë alternativë të panegociueshme, më kot do të përpiqen t'i venë shkopinj në rrota negociatave dhe zgjidhjes përfundimtare.
Ne jemi të bindur se, edhe për shkak të motiveve të brendshme politike të luftës për pushtet dhe presionit të opinionit publik serb, që është unanim në qëndrimin ndaj çështjes së Kosovës, përfaqësuesit serbë nuk do ta firmosin tekstin përfundimtar të marrëveshjes së negociuar, sikundër vepruan edhe në Rambuje, 7 vjet më parë.
Por gjithsesi, ata sërish do të dalin të humbur, sepse firmat e hedhura në Vjenë kanë vlerë thjesht simbolike. Sepse këto negociata synojnë thjesht krijimin e modeleve të zgjidhjeve politike të pranuara reciprokisht në tryeza paqeje. Synojnë faktorizimin e proceseve paqësore dhe zgjidhjeve të tilla, të projektuara në shërbim të së ardhmes, sa kohë që bota dhe Perëndimi demokratik po njohin dhe stimulojnëe krijimin e shteteve të reja të pavarura, bazuar në vullnetin e popujve dhe në të drejtën për vetëqeverisje e vetëvendosje.
Firmën përfundimtare të pavarësimit të Kosovës, të njohjes dhe garantimit ndërkombëtarisht të saj, do ta hedhin aleatët strategjikë perëndimorë të shqiptarëve në OKB, pas firmosjes me gjak të kartës së lirisë nga vetë shqiptarët, që e ndërkombëtarizuan çështjen e Kosovës dhe rrokën armët për ta çliruar atë bashkë me NATO-n, në përpjekjet titanike të afirmimit të lirisë së kombeve dhe efikasitetit të strukturave të Sigurisë mbarëbotërore të lirisë, jetës së popujve dhe demokracisë, kundër tiranisë kolonialiste
Kryesore
MSA/ Legalistët komentojnë zhvillimet në procesin e integrimit drejt BE
PLL: Nënshkrimi i MSA, hap madhor drejt integrimit në BE
"18 shkurti është një datë që do të hyjë në historinë e këtij vendi dhe nënshkrimi i MSA-së është një tregues i padiskutueshëm i ecurisë së mbarë të Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në BE. Tashmë ky është një proces i pandalshëm e i pakthyeshëm, që i gëzon të gjithë shqiptarët, pavarësisht krahëve politikë"
Pas përfundimit të ceremonisë së nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit, mes Shqipërisë dhe BE-së, në ish-Pallatin Mbretëror, kryetari i PLL Spahiu ka komentuar këtë hap madhor të shtetit shqiptar në procesin e integrimit drejt BE-së. Ai tha se 18 shkurti është një datë që do të hyjë në historinë e këtij vendi, dhe nënshkrimi i MSA-së mes ministrit të Jashtëm shqiptar Besnik Mustafaj dhe komisionerit Olli Rehn, në prani në krerëve më të lartë të shtetit shqiptar dhe kryekomisionerit Jose Manuel Barroso, është një tregues i padiskutueshëm i ecurisë së mbarë të Shqipërisë në rrugën e integrimit të plotë në BE. Spahiu ka deklaruar se ky është një proces që i gëzon të gjithë shqiptarët pavarësisht krahëve politikë dhe shprehu bindjen e tij se ky proces tashmë është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm. Kreu legalist shprehu konsideratat e tij pozitive në drejtim të punës së bërë nga kabineti Berisha, sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila, sipas tij, ishte një ndër arsyet kryesore që BE pranoi ta nënshkruante këtë marrëveshje. Ai tha se nën qeveritë socialiste, nënshkrimi i MSA do të shtyhej pafundësisht si pëlhura e Penelopës. Në cilësinë e tij si ish-anëtar i komisionit të Jashtëm të Kuvendit të Shqipërisë, Spahiu u shpreh se ky proces i nënshkrimit është mjaft i vonuar dhe fajtorët dihen, nënvizoi ai. Janë ata që më 18 shkurt 1991 mbronin ende bustin e shqiptarvrasësit Enver Hoxha, - tha Spahiu, - ndërkohë që në anën tjetër, ishin ata që kërkonin të integronin Shqipërinë në Europë. Spahiu në prononcimin e tij nuk i kurseu kritikat në drejtim të ish-qeverive të majta, të cilat e kanë mbajtur larg BE-së gjatë gjithë kësaj kohe Shqipërinë, me trafiqet, korrupsionin e tyre dhe madje edhe me mungesën e dukshme të dëshirës që Shqipëria të bëjë pjesë në këtë komunitet të natyrshëm.
Siç dihet, procesi i integrimit të Shqipërisë në komunitetin europian ka nisur që në fillim të proceseve demokratike në fillim të viteve '90, kur qeveria demokratike hyri në Këshillin e Europës, një organizëm ku bëjnë pjesë të gjitha shtetet e Europës. Më pas gjatë qeverisjes së PD-së, ky proces avancoi fuqishëm dhe ishte në prag të nënshkrimit të Marrëveshjes së Asocim Stabilizimit në vitin 1996. Por rebelimi i social-komunistëve dhe kolapsi financiar që shkaktuan firmat piramidale, shtynë për një dekadë nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje. Shtete si Maqedonia apo Rumania e Bullgaria, që sot flitet se do të bëjnë pjesë me të drejta të plotë në BE, ishin mjaft prapa Shqipërisë në atë kohë. Gjithsesi, ky nënshkrim, edhepse i vonuar në kohë, është një ogur i mbarë për të ardhmen e shqiptarëve. Në prononcimin e tij z.Spahiu tha se procesi i afrimit të Shqipërisë me BE-në është i rëndësishëm edhe për shkak se ai afron njëherazi shqiptarët e ndarë në 5 shtete në Ballkan. Ai tha se tashmë edhe Kosova ka nisur një proces të ngjashëm me definimin e statusit, i cili pashmangshmërisht do të jetë pavarësia e saj e plotë nga Serbia dhe integrimi në BE. Tashmë shqiptarët e Kosovës kanë disa elementë të këtij integrimi, siç është monedha Euro, - u shpreh kryetari Spahiu. Në fund të prononcimit për mediat, ai tha se viti 2006 është vërtet një vit vërtet i shënuar për shqiptarët dhe njëkohësisht shprehu optimizmin e tij të njohur se ky proces tashmë do të finalizohet shumë shpejt në dobi absolute të shqiptarëve.
"Atdheu"
Deklaratë për mediat e PLL, pas disa akteve të rënda kriminale
PLL vlerëson punën e policisë së shtetit
PLL vlerëson punën e qeverisë dhe në veçanti përkushtimin e Policisë së Shtetit, në luftën e tyre pa kompromis me elementë apo banda kriminale, ndonëse edhe me humbje jetësh nga radhët e saj.
Por ky vullnet i qeverisë dhe strukturave të rendit, do të jenë të destinuara të dështojnë, nëse nuk realizohet reformimi i shpejtë dhe i thellë në të gjitha hallkat e sistemit të Drejtësisë, totalisht i paralizuar, për shkak të korrupsionit, deri edhe të lidhjeve të drejtpërdrejta me krimin e organizuar dhe kriminelët ordinerë.
PLL do të insistojë vazhdimisht në kërkesat e saj, që qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë, të shprehen për rivendosjen e dënimit me vdekje për disa vepra penale, dhe për një kohë të kufizuar.
Në kushtet e rëndimit të situatës së rendit për shkak të krimeve të rënda ndaj jetës, deri edhe në vrasjet makabre, rivendosja e dënimit me vdekje tashmë është bërë dosmosdoshmëri për të shtypur krimin, stabilizuar rendin dhe kthyer besimin tek institucionet.
PLL vlerëson vendimin e qeverisë Berisha për dhënien e një ndihme financiare për familjet e policit të vrarë dhe atij të plagosur. Por nisur nga rrethanat e vrasjes së viktimës së pafajshme Mefail Ismet Spahiu, i cili e humbi jetën gjatë tentativës për të mbrojtur jetën e një të moshuare nga pengjet e shumtë, i kërkojmë qeverisë dhe organeve të pushtetit vendor të Kukësit, që, konform ligjeve në fuqi, t'i akordojnë një ndihmë financiare edhe familjarëve të të ndjerit Mefail, duke marrë parasysh gjendjen e vështirë ekonomike dhe shpirtërore të familjes dhe 3 jetimëve tashmë të mbetur pa baba.
Tiranë, më 13 shkurt 2006
Dënimi i kriminelëve me vdekje, domosdoshmëri
Partia Lëvizja e Legalitetit ka përcjellë me shqetësim të thellë dhe dhimbje të madhe ngjarjen e pengmarrjes ku gjetën vdekjen 2 vetë, dhe u plagosën disa të tjerë.
Partia Lëvizja e Legalitetit ngushëllon familjet e viktimave që humbën njerëzit e tyre më të dashur në këtë ngjarje tragjike, sikurse urojmë shërim sa më të shpejtë për të plagosurit në këtë ngjarje. Zëri i Partisë Lëvizja e Legalitetit ka qenë dhe është i prerë, i qartë dhe i fortë që të rikthehet dënimi me vdekje për disa vepra penale shumë të rënda. Duke marrë shkas edhe nga kjo ngjarje tragjike, i kërkojmë qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë që, në bashkëpunim dhe mirëkuptim me Këshillin e Europës, të amendojnë Kodin Penal duke rikthyer dënimin me vdekje për disa vepra penale për një kohë të kufizuar.
Tiranë, më 09.02.2006
Politika
Një vështrim mbi hapat e fundit të procesit të statusit të Kosovës. Deklarata Petersen
Opcioni i padiskutueshëm i pavarësisë së Kosovës
Nga Sazan Pipa
Vala e euforisë serbe për vdekjen e kundërshtarit më të rrezikshëm, z.Rugova, u fashit shpejt pas efektit të kundërt të "rrymës" së akullt të "Labradorit" nga përtej-Atlantiku dhe nga mbarë Europa, që në mesazhet e tyre, indirekt, vlerësuan jo vetëm veprën madhore të
prijësit të shqiptarëve të Kosvës, por edhe kauzën së cilës ai i kushtoi jetën - Pavarësinë... Dhe këto qëndrime, në Prishtinë e kudo gjetkë, u përkthyen qartë si mbështetje politike e kësaj kauze, në respekt të amanetit të Rugovës, artikuluar si lajtmotiv i popullit të tij në të gjitha takimet e niveleve më të larta.
Aktualisht, në Perëndim dhe në skenën politike mbarëbotërore, po ravijëzohen dy qëndrime, të dallueshme në nuanca, lidhur me ardhmërinë e Kosovës, por më fort ato janë konstatuar në debatet brenda Grupit të Kontaktit, ku, linja me përkrahjen më të
fortë, po triumfon: Njëri qëndrim përfaqësohet nga vendet kryesore të Perëndimit demokratik, që njëzëri kërkojnë Pavarësi (e kushtëzuar, ose jo...), dhe tjetri, i përfaqësuar me zë të butë nga Rusia dhe Kina, (si dhe një aleat recesiv), që propozojnë një transferim të përkohshëm të sovranitetit të Kosovës nga Beogradi në Prishtinë, nën garancinë e OKB.
Pista e parë, ajo e pavarësimit (i kushtëzuar apo jo), jo vetëm që e transferon sovranitetin përfundimisht nga Beogradi në Prishtinë, por mundëson edhe ndryshimin përfundimtar të kufijve politikë e administrativë të Federatës Serbi-Mali i Zi, të cilët mbahen dhe njihen
juridikisht dhe formalisht, nga thelbi i Rezolutës 1244.
Ndërsa pista e dytë, e hartuar padyshim edhe në bashkëpunim me Beogradin, i ka mundësuar serbëve edhe përgatitjen e opcioneve që ata do të hedhin në tryezën e negociatave në Vjenë, e ku padyshim që kryesori është bash ai që presidenti serb Tadiç deklaroi në mbledhjen e fundit të K.S. të OKB, se "për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, Beogradi ofron si kompromis politik mosndryshimin e njëanshëm të kufijve, në zbatim të një plani për autonomi të gjërë për Kosovën", dhe se "çdo vendim rreth statusit të Kosovës të shtyhet për 20 vjet", duke synuar bllokimin e kalimit totalisht të sovranitetit dhe kompetencave qeverisëse, nga Guvernatorati-administrator i OKB në duart e ekzekutivit shqiptar, produkt i zgjedhjeve dhe mbështetjes së klasës politike të Kosovës.
Në fjalën e tij para K.S., ambasadori austriak Helfrid Karl, vendi i të cilit është organizator i samitit të negociatave dhe kryesues i radhës i BE, deklaroi se "BE-ja e mbështet deklaratën e Grupit të Kontaktit të 31 janarit, për të arritur një zgjidhje përfundimtare, të negociuar gjatë këtij viti...". Kurse ambasadori amerikan Xhon Bolton, në fjalën e tij deklaroi hapur se "Pavarësia e Kosovës është opsion real... Duhet të jemi realistë për këtë rezultat, pra që Pavarësia është një rezultat i mundshëm. Çdo zgjidhje për Statusin, duhet të jetë e pranueshme për popullin e Kosovës".
Edhe diskutimet e shumicës së anëtarëve të K.S., e zhvleftësuan totalisht opcionin e Tadiçit, duke bërë të qartë se definimi i Statusit të Kosovës do të bëhet me çdo kusht deri në fund të këtij viti kalendarik, konform vullnetit politik të popullit të Kosovës.
Madje këtë qëndrim ua shprehu qartë Beogradit dhe përfaqësuesve politikë të Kosovës, qoftë i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për Kosovën, ambasadori Frank Uisner, ashtu edhe Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme britanike, z.Xhon Sevërs.
Ky qëndrim i përfaqësuesve më të lartë të SHBA-ve dhe Britanisë, bën të qartë se, edhe në rast refuzimi të serbëve për të nënshkruar në Vjenë, verdikti përfundimtar i Bashkësisë Ndërkombëtare do të jetë Pavarësia e Kosovës.
Madje analistë largpamës kanë artikuluar idenë se, brenda këtij viti, Kosova-shtet sovran do të pranohet si anëtar me të drejta të plota në OKB dhe se BE do të iniciojë planifikimin e negociatave për integrimin e Kosovës në BE, konform procedurave të njohura, çka do të thotë pranim i saj në familjen europiane pas afro 2 dekadash.
Një nga versionet që pala serbe ka bërë gati për në tryezën e Vjenës, sipas analistëve, në rast të refuzimit të "Autonomisë krahinore të zgjeruar...", mendohet se është edhe kërkesa për imponimin në Kosovë të një autonomie vendore të zgjeruar në favor të pakicave serbe, deri në vetëqeverisje të rajoneve-enklava, sikundër në Mitrovicën veriore, apo rreth manastireve serbe të Pejës, Deçanit, Arhangelskut, etj. (natyrisht pas kthimit të imponuar të serbëve të larguar nga Kosova pas qershorit të vitit 1999, atje).
Kjo skemë serbe synon krijimin e rajoneve serbe të pastra etnikisht, të lokaliteteve e qyteteve, që kurrë nuk kanë ekzistuar më parë, madje deri edhe të korridoreve etnike për të komunikuar lirisht me Serbinë, duke konturuar kështu larat e "leopardit" në hartën administrativo-politike të njësive vendore dhe duke përgatitur vatrat e ardhshme të destabilizimit të Kosovës, me pretekstin e "dhunimit të pakicës serbe".
Kësaj skeme, pala shqiptare në Vjenë, mendohet t'i kundërvërë si argument politik, jo vetëm realitetet etniko-demografike të dikurshme, por edhe draftin e autonomisë vendore dhe decentralizimit, në qendër të të cilit janë qytetarët e Kosovës, pa dallim etnik.
Pikërisht këtë skemë të hartimit dhe garantimit ligjor të standardeve demokratike dhe barazisë para ligjit të të gjithë qytetarëve të Kosovës, konform Kartës së Kopenhagenit për minoritetet, pa diskriminime pozitive sikundër aktualisht, përfaqësuesve të vendeve anëtare të K.S dhe personalisht z.Kofi Annan, ia bëri të qartë kryeministri Kosumi gjatë takimeve zyrtare në Selinë e OKB.
Kosumi dhe Petersen, njëzëri, garantuan vendet anëtare të KS se klasa politike, qeveria, institucionet e Kosovës dhe UNMIK, aktualisht janë përfshirë në punën intensive për ngritjen e shtetit ligjor në Kosovë. Ky përkushtim politik, deklaruan ata, e ka shndërruar
Kosovën, brenda 6 vjetësh, nga një vend i shndërruar në ferr të masakrave dhe luftës, në një vend ku sundon ligji, dhe rendi publik, çka e bën Kosovën një shtet të njimendtë, të aftë për të pranuar e përmbushur të gjitha përgjegjësitë kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Në mbështetje të opcionit iluzor të "Sovranitetit të transferuar përkohësisht dhe nën monitorim ndërkombëtar", ditët e fundit shërbyen edhe kërcënimet qesharake të segmenteve më radikale të ultranacionalizmit serb. Të tilla ishin ato pasuesit të Sheshelit, z.Nikoliç, zëdhënsit të qeverisë serbe, z.Gjuriç, të vetë kryeministrit Koshtunica, të serbëve që u tubuan për të protestuar para ambasadës britanike në Beograd kundër deklaratave pro Paravësisë së Kosovës, të Drejtorit Politik të Ministrisë së Jashtme britanike Xhon Sevërs, e deri ato të primatit të Kishës Ortodokse serbe, peshkopit Artemije, që tashmë ka braktisur rrugën e Perëndisë dhe po merret me politikë, mobilizim ushtarak të grigjës dhe deklarata luftënxitëse.
Gjithsesi, paniku i dukshëm që ka përfshirë Beogradin, përveç zhurmës dhe ndëshkimit ndërkombëtar, nuk ofron asnjë shans për gjendjen e pashpresë të Serbisë, objektivi i vetëm i së cilës është ruajtja e statukuosë në Kosovë, me shpresën e zvargur të ndonjë mrekullie të Shën Savës për përmbysjen e situatës.
Kreu i UNMIK, Petersen, deklarata për avancimin e statusit të Kosovës
Petersen: Rezolutë e re për Statusin e Kosovës
Petersen - serbëve: "Pikëpamja e shumicës është absolutisht e rëndësishme për statusin përfundimtar të Kosovës"
Shefi i UNMIK-ut Soren Jesen Petersen, u ka deklaruar serbëve të pjesës veriore të Mitrovicës, se procesi i përcaktimit të statusit të Kosovës mbështetet në dialog, se Rezoluta 1244 e KS do të jetë kornizë e vetme për negociata, por vendimi mbi statusin do të merret në bazë të rezolutës së re të hartuar nga KS i OKB-së.
"Procesi i përcaktimit të statusit të ardhshem të Kosovës është duke rrjedhur natyrshëm, prandaj disa deklarata që po i dëgjojmë këto ditë, po shkaktojnë shqetësim veçmas në zonat ku jetojnë bashkësitë minoritare", deklaroi Jesen Petersen në një konferencë për gazetarët, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Jesen Petersen u tha serbëve se ekipi negociator i Kosovës është shumë serioz në përpjekjet për të përmirësuar pozitën e pakicave në Kosovë, përfshirë edhe pakicën serbe.
"Pikëpamja e shumicës është absolutisht e rëndësishme për statusin përfundimtar të Kosovës", është shprehur Jesen Petersen, duke mos dashur të komentojë se cili do të jetë rezultati përfundimtar i bisedave për statusin e Kosovës.
Me Petersenin kanë biseduar anëtari i Ekipit negociator të Beogradit mbi statusin e Kosovës, Marko Jakshiq.
Përfaqësuesit e serbëve kanë theksuar se, për ta, është e papranueshme çfarëdo forme e pavarësisë së Kosovës.
Personalitete shqiptare dhe amerikane vlerësojnë pasuesin e Rugovës
SHBA, lobi shqiptar, entuziast për zgjedhjen e Sejdiut
Beqir Sina
New York - Zgjedhja e Dr. Fatmir Sejdiut, si President i Kosovës, në Komunitetin shqiptaro amerikan dhe ndër miqtë amerikanë, u mirëprit me optimizëm të skajshëm. Të gjitha organizatat dhe shoqatat e këtushme e mirëpritën dhe filluan të dërgojnë telegrame urimi institucioneve të Kosovës dhe Kryetarit të sapozgjedhur Dr. Fatmir Sejdiut.
Miku shumëvjeçar i Presidentit Rugova, senatori Bob Doll dhe Përfaqësuesi i Presidentit Rugova për SHBA-të z.Elmi Berisha, thanë se janë shumë të kënaqur me zgjedhjen e Dr. Fatmir Sejdiut si Kryetar i Kosovës. "Zgjedhjen e Dr. Sejdiut Kryetar të Kosovës, e vlerësojmë lart dhe e cilësojmë si më të mirën e mundshme, ngaqë si bashkëpuntor i ngushtë i Presidentit Rugova, z.Sejdiu shquhet për një karakter, dinjitet dhe intelekt të fortë dhe ai totalisht i është dedikuar ndaj kauzës kombëtare, si dhe ka vizion të njëjtë me vizionin e Presidentit Rugova. S'do mend se Dr. Sejdiu do të vazhdojë kursin e njëjtë me atë të Gandit të Kosovës, Martin Luter Kingut të Kosovës, të Abraham Linkolnit të Kosovës, Presidentit të ndjerë z.Ibrahim Rugova".
"Më gëzon fakti që Parlamenti i Kosovës e zgjodhi Presidentin e Ri të Kosovës", thotë në prononcimin e tij miku i madh i shqiptarëve, kongresmeni Eliot Engel dhe vazhdon: "Presidentin e sapozgjedhur z.Fatmir Sejdiu, e njoh për shumë vite dhe jam i bindur se do të kemi një bashkëpunim të mirë në realizimin dhe promovimin e Pavarësisë së Kosovës. Presidentit të ri Dr. Fatmir Sejdiut, i uroj fat dhe punë të mbarë dhe me këtë rast i këshilloj të gjithë kosovarët që ta përkrahin dhe të rreshtohen krahas Tij dhe vizionit që ai ka, sepse ky është edhe vizioni i Presidentit Rugova për një Kosovë Sovrane, të Pavarur, Demokratike dhe të lirë për të gjithë popujt e saj për një Kosovë multietnike", u shpreh z.Bob Doll.
Edhe Kongresistja republikane nga Nju Jorku, përkrahësja e madhe e Lirisë, Demokracisë dhe Pavarësisë së Kosovës dhe mike e Presidentit Rugova, zonja Sju Kelli, që njëherësh kryeson së bashku me kogresistin demokrat nga Nju Jorku, z.Eliot Engëll, Komitetin për Shqiptarët pranë Kongresit të SHBA-ve, përgëzon Kosovën dhe Institucionet e Kosovës për këtë hap shumë të rëndësishëm, hapin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Kosovës, i cili medoemos do të vazhdojë rrugën e Presidentit të ndjerë, z.Ibrahim Rugova, i cili ishte një shembull impozant i dinjitetit për kolegët e tij duke pasqyruar një besnikëri dhe luajalitet shembullor ndaj popullit të vet dhe kauzës së drejtë të Kosovës së Pavarur dhe Sovrane, për të cilën Dr. Rugova luftoi dhe punoi tërë jetën e Tij.
Unë shpresoj dhe jam e bindur se Presidenti i Ri i Kosovës si dhe bashkëkombasit dhe admiruesit e shumtë të Presidentit Rugova, rreth e rreth botës do të vazhdojnë vizionin e Presidentit Rugova dhe do ta finalizojnë njohjen e Kosovës së Pavarur dhe Sovrane".
Ambasadori Uilliam Uollker deklaroi: "Lajmi për zgjedhjen e Dr. Fatmir Sejdiut, në postin e Kryetarit të Kosovës, më gëzoi shumë dhe është shumë i mirëpritur për mua. Dr. Sejdiu po e merr këtë detyrë në një kohë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe rajonin", u shpreh z.Uollker.
Avancimi i njimendtë faktografik në studimin e lëvizjeve të djathta shqiptare
Qasja kritiko-racionale ndaj nacionalizimit shqiptar
Nga Rexhep KASTRATI
Angazhimi i Institutit të Historisë së Kosovës dhe i Diasporës shqiptare, në vazhdën e përpjekjeve për zbardhjen e ngjarjve, veprimtarisë dhe fatit të personaliteteve nacionaliste të së djathtës shqiptare, të anatemuara e të lëna në harresë nga regjimi enverist në Tiranë dhe ai titist në Prishtinë, është jo vetëm për t'u përshëndetur, por edhe për t'u admiruar. Eshtë kështu për faktin se i tërë ky angazhim bëhet falë dëshirës së madhe për të bërë diçka në rishkrimin diskursiv të historisë.
Pjesa e parë e librit, e titulluar "Kumtesa dhe shpalime historike", përfshin 12 kumtesa që merren me disa nga momentet kryesore të ngjarjeve të ndodhura gjatë Luftës Dytë Botërore, e deri në vitet '50 të shekullit XX, të cilat janë: Marrëveshja e Mukjes, formimi i LNDSH-së si dhe veprimtaria e saj, raportet e nacionalistëve shqiptarë me aleatët e huaj etj., ashtu siç ka edhe kumtesa që trajtojnë në mënyrë të përgjithshme natyrën e nacionalizmit shqiptar, vlerat dhe dobësitë..., pastaj në një rrafsh përgjithësues, por edhe konkret, që trajtojnë edhe luftën antikomuniste në Maqedoninë perëndimore, në Drenicë etj..
Në këtë grup kumtesash bëjnë pjesë edhe kumtesa që merren me metodologjinë historike, me aspekte programore të ndonjë organizimi politik shqiptar të pas Luftës Dytë Botërore.
Me fjalë të tjera, është e pranishme një laryshi problematikash, që lexuesin dhe kurreshtarin e këtyre ngjarjeve e bëjnë që të ketë një informacion më të plotë.
Kumtesa e Prof. Dr. Beqir Metës, që e trajton nacionalizmin shqiptar gjatë Luftës Dytë Botërore me të gjitha të mirat dhe të metat e tij; ajo e Prof. Dr. Muhamet Shatrit, që hedh dritë me argumente shkencore mbi Lëvizjen Nacionaliste të së Djathtës Shqiptare (L.N.D.SH) dhe platformën e saj; ajo e Prof. Dr. Muharrem Dezhgiut, që vë në spikamë pozicionin politiko-ushtarak të nacionalistëve shqiptarë të Shqipërisë Veri-lindore gjatë Luftës Dytë Botërore; ajo e Prof. Dr. Ramiz Abdylit për shqiptarizmën në Maqedoni; ajo e Dr. Riza Sadikut për luftën antikomuniste në Maqedoninë perëndimore, si dhe ndonjë tjetër si këto, janë të ndërtuara me një metodologji të mirëfilltë shkencore, me një stil ligjërimor shkencor dhe me një terminologji të saktë shkencore.
Natyrisht, në këtë botim spikat kontributi i Prof. Dr. Zekeria Canës, që ka të bëjë me këndvështrimin metodologjik në kuadër të temës mbi forcat nacionaliste shqiptare gjatë Luftës Dytë Botërore e deri në vitin 1947, çka është një kontribut i veçantë, sepse zbardh konceptet teorike dhe metodologjike të kohës për të cilën flet, e që e bën më të plotë kuadrin tematik të kumtesave të përfshira në këtë pjesë.
Pjesa e dytë e grupit të kumtesave, numerikisht është me madhe. Ajo përfshin rreth 23 kumtesa, ka të bëjë me personalitete dhe ngjarje të caktuara të kohës, u dominua nga tendenca për rehabilitimin e personaliteteve të ndryshme të nacionalizmës shqiptare gjatë Luftës Dytë Botërore e më pas.
Kjo tendencë ka të bëjë me dëshirën për të kontribuar që të vendoset drejtësi pas gjithë asaj balte dhe padrejtësie ndaj gjithë atyre nacionalistëve që kanë sakrifikuar edhe jetën për kombin, ndërkohë që një pjese prej të cilëve nuk u dihet as varri. Ata tani duhet të kenë vendin e vet në historiografinë shqiptare, në ndërgjegjen dhe kujtesën tonë.
Në përpjekje për rehabilitimin e personaliteteve të tillë si Xhaferr Deva, kapidan Dr. Mark Gjon Marku, Ernest Koliqi, Ndue Përlleshi, Marie Shllaku, Gjon Serreqi, Rexhep Mitrovica, e shumë të tjerë si këta, autorët e kumtesave të ndryshme, përveç përdorimit të lirë të faktografisë së mundshme, ndonjë kujtimi të ndonjë bashkëkohësi, kanë përdorur edhe stilin ligjërimor letrar, për të shprehur dashurinë, simpatinë dhe shpesh edhe mllefin për fatin tragjik të këtyre personaliteteve.
Me këtë rast meritojnë të veçohen qasjet e Prof. Dr. Romeo Gurakuqit për Ernest Koliqin, ato të Prof. Dr. Fehmi Rexhepit për Esat Berishën, të Dr. Lush Culajt për Zef Gjidodën, e ndonjë tjetri, të cilat përveçse japin një material të caktuar njohës, ofrojnë edhe qasje kritiko-racionale të lakmueshme.
Një aspekt përbën grupi i kumtesave-dëshmi, e që vijnë nga ata që personalisht janë njohur me personalitetet për të cilët kumtojnë, sikundër janë ato të akademik Mark Krasniqit, Shefqet Kelmendit etj., që në kumtuesat e tyre vazhduan dëshminë për personalitete të tillë si Marie Shllaku, Ndue Përlleshi, Gjon Serreqi, Bernardin Llupi e ndonjë tjetër.
Këtë bindje e forcon edhe vëllimi i dytë i librit "E djathta shqiptare në mbrojtje të Shqipërisë etnike" që Sh. Bot "Lumbardhi" e z.Nue Oroshi, e ka botuar para do kohe...
Strukturimi i kumtesave në dy pjesë: "Kumtesa dhe shpalime historike" dhe "Portrete, dëshmi dhe ngjarje historike", mëton të përqasë në mënyrën më të mirë tërësitë tematike që i përfshijnë brenda tyre, e që përcjellin rritjen profesionale dhe metodologjike në tërësi të kumtesave të përmbledhura në këtë botim.
Komente
Çfarë mund të ndodhë me politikanët shqiptarë, nëse u përgjohen celularët
"Pavarësia e kushtëzuar", si varësi celularësh
Nga Zamir Gjurgji
Skandali i fundit që ka përfshirë qeverinë greke, ai i përgjimit të një pjese të konsiderueshme të politikanëve të saj nga kompania celulare "Vodafone", ka shkaktuar një furtunë në kabinetin "Karamanlis", ndërsa efektet "klimatike" nuk mund të konsiderohen si të pandikueshme edhe në vendin tonë. Kësisoj, "H5N1" nuk është e vetmja epidemi shkatërrimtare, që mund të na vijë nga vendi fqinj.
Kompania celulare "Vodafone", është aktualisht një nga kompanitë më të përhapura në shërbimin e saj edhe në Shqipëri, ku bashkë me siamezen e saj "AMC", përbëjnë dy gjigantët e vetëm të telefonisë celulare në vend.
Mbështetur mbi këto fakte të pakundërshtueshme, si dhe duke u nisur nga politikat jo-miqësore që i lidhin historikisht Shqipërinë me Greqinë, është e paimagjinueshme të mendohet se "veprimet pirate" të Vodafon-it, nuk kryhen edhe në kabinetet e qeverive shqiptare, në dobi të interesave gjeopolitike dhe gjeostrategjike të vendit që i përkasin genetikisht.
Deri më tash shtypi vendas i ka kushtur një vëmendje të madhe fakteve se kompanitë e telefonisë celulare, aplikojnë një vendin tonë tarifa që shkojnë deri në pesë fish më të larta se ato që kryhen në vendin fqinj, Greqinë, dhe ky është një dëm i madh ekonomik për një vend si Shqipëria, i cili është një nga vendet më të varfra të Europës. Por, thuajse askush nuk e ka ndalur analizën e tij, se cili do të ishte dëmi që do t'i shkaktonte vetë politikës dhe diplomacisë shqiptare "përgjimi" i VIP-ave të politikës, i institucioneve të një shteti që sekretin e ka në bazë të veprimtarisë politike dhe diplomatike.
Për më tepër, politikanët tanë vuajnë edhe nga një lloj ndjesie e të përdorurit të celularit si një mjet snobizmi, duke nxjerrë më në pah edhe provincializmin e subkoshiencës së tyre, njëlloj sikur "të kishin shitur gomerët, për të blerë biçikleta".
Tashmë bëhet edhe më e qartë politika dashakeqe e vendit fqinj, Greqisë, e cila ka sabotuar me të gjitha format dhe mjetet, mundësinë e daljes në tregun shqiptar të një kompanie të tretë, jo greke, e cila të konkurronte mirëfilli në fushën e telefonisë celulare.
Kjo politikë (greke dhe grekofile), ia ka dalë mbanë që ta mbajë peng politikën shqiptare, duke e përgjuar dhe e spiunuar në ato anale, të cilat janë tejet delikate në politikat kombëtare dhe ndërkombëtare, e aq më tepër në një periudhë shumë të rëndësishme për vendin tonë, kur është koha e përcaktimit të statusit për Kosovën, e njëherazi, kur ka ardhur koha që të ndahet shapi nga sheqeri për pronat e çamëve në trojet e tyre etnike.
Me këtë lloj "përgjimi grek", Shqipëria nuk ka imunitet ndaj dobësive që mund të ndihen në politikat e saj qeveritare. Nëpërmjet celularëve, vendi ynë "mik" i njeh mirë pikat e dobëta si në politikat energjitike (prandaj luan si macja me miun, për ta detyruar vendin tonë t'i shtrijë dorën edhe Jushçenkos), në politikat financiare (tregun financiar shqiptar e dominojnë bankat greke), e për rrjedhojë, të bie të dëgjosh nga diplomacia shqiptare edhe për "pavarësi të kushtëzuar" për Kosovën, të bie rasti të dëgjosh nga politikanët e lartë shqiptarë se çështja çame do të zgjidhet sipas Traktatit të Miqësisë (në një kohë kur vetë grekët e grisin dhe e shqyejnë këtë traktat, duke u treguar tërësisht të njëanshëm në sipërmarrjen e tyre politike).
Nëse përgjimet vodafonike do të lihen më gjatë të marrin frymë, atëherë nuk do të jetë vetëm Tavo, që do të ankohet për keqtrajtim minoritarësh grekofonë, nuk do të jetë vetëm Dule, që do të ketë shkuar "tek dentisti", kur qeverisë i duhen vota në parlament për të miratuar ligje që ajo i konsideron të rëndësishme, por mund të jetë edhe vetë Janullatosi që mund dhe do të dalë në publik, për t'u shprehur me tone të ashpra se minoriteti grek nuk gëzon të drejtat e tij të shprehjes së lirë të nacionalitetit dhe besimit, e për pasojë firma e Barozos, do të vlejë si "të shkruash në akull".
Më parë se integrimi i Shqipërisë "të shkruhet në akull", qeveria shqiptare duhet të mendojë një orë e më parë për të liberalizuar tregun e telefonisë së lëvizshme, duke u ofruar mundësi reale partnerëve tanë strategjikë të "Korridorit 8-të", qoftë nga Italia e Turqia. Në të kundërt "pavarësia e kushtëzuar" nuk do të artikulohet vetëm për Kosovën, por do t'i shkojë për shtat edhe vetë vendit që e artikulon.
Për rrjedhojë, "Hasta la vista Europë"....
15 vite pas rënies së bustit, çfarë ka ndodhur më kastën enveriste
20 Shkurti, rënia e bustit, distancim nga enverizmi
Nga Zamir GJURGJI
Dhjetëditëshi i dytë i muajit shkurt të këtij viti, vjen fort i ngarkuar me ngjarje të rëndësishme politike, si siglimi i Marrëveshjes së stabilizim-asociimit (MSA), mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Ky ishte kryelajmi ogurbardhë i të gjithë shqiptarëve, por kjo kryengjarje që kulmon pikërisht më datë 18 shkurt 2006, lidhet organikisht me një datë po aq të shënuar për të gjithë shqiptarët, 20 shkurtin e vitit 1990.
Ishte pikërisht data 20 shkurt e vitit 1990, preludi i lirisë, dita kur të gjithë shqiptarët i dhanë grushtin dërrmues simbolit të diktaturës së Enver Hoxhës. Në këtë eveniment, shtresa e antikomunistëve origjinarë, ka qenë shtylla kurrizore e ndryshimeve demokratike në shoqërinë politike shqiptare, e pikërisht kjo shtresë i gëzohet më shumë siglimit të një marrëveshjeje për të cilën ka lënë jo vetëm kohën, por edhe kokën.
Gjatë këtyre 16 vjetëve tranzicion të vështirë nga diktatura në demokraci, shqiptarëve u është dashur të bëjnë një luftë të paepur për shembjen e të gjithë idhujve okultë që na la pas diktatura e, në këtë kontekst, partitë tradicionale antikomuniste - ndër to edhe PLL-ja - që janë ndeshur ashpër me këtë murtajë të totalitarizmit qysh në embrion, kanë luajtur një rol të rëndësishëm, e aspak për t'u anashkaluar apo harruar.
Legalistët nuk janë stepur aspak të luftojnë me guxim politik që, fitoren mbi simbolin e diktaturës, ta konvertojnë në përfitim vlerash të mirëfillta demokratike, kapitale të cilat i shkojnë në dobi shtetit demokratik e legal. Në këtë luftë parimore, shpeshherë antikomunistët origjinarë janë parë edhe si "arkaikë", "folklorikë" e jashtë kohe, si për të na bërë me dije se komunistët dhe vetëm komunistët, janë ata që mund të gëzojnë edhe të drejtën e oksidentofilisë së sotme, ashtu si edhe të oksidentofobisë së djeshme.
Por rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (25 janar 2005), i shkundi fort neokomunistët, bijtë e atyre që totalitarizmin e ngritën në sistem.
Kjo rezolutë zhvleftëson të gjitha tezat pseudo-demokrate të "analistëve progresistë", të cilat e quanin antikomunizmin e gjysmës së shekullit të shkuar, si një kapitull i mbyllur për njerëz të "vlerësuar me letra".
Rezoluta ua mohon të drejtën "e pacenueshme" oksidentofilëve të sotëm (oksidentofobëve të djeshëm social-komunistë), kur shprehet se... "vetëdija publike për krimet e kryera nga regjimet totalitariste komuniste, është mjaft e dobët"...
Kjo rezolutë (që vjen në kohën e duhur, vetëm tri javë para siglimit të MAS mes BE dhe Shqipërisë) lançohet po nga "kryeqyteti" i Europës së Bashkuar dhe na bën me dije se fajtorët dhe vuajtësit nuk mund të jenë kurrë bashkë, për t'u integruar në kontinent. (..."Debatet dhe dënimet që janë bërë deri më sot në nivele shtetërore (për makiato, çaj apo kapuçino - shënimi im) në disa prej vendeve të Këshillit të Europës, s'mund ta çlirojnë komunitetin ndërkombëtar nga marrja e një pozicioni të qartë ndaj krimeve të kryera prej regjimeve totalitare komuniste").
Në këtë kontekst, është për t'u inkurajuar nisma e qeveritarëve të sotëm për të anashkaluar (edhe pse jo abroguar 29 nëntorin e totalitarizmit), pasi shembja e simbolit të diktaturës (20 shkurti 1990) dhe hyrja në binarët e demokracisë (18 shkurt 2006), nuk mund të kuptohen qartë, nëse treni i demokracisë shqiptare gjykon si të pakalueshëm "Kryqëzimin Kasandra" të (jo vetëm) 29 Nëntorit, edhe pse një dyzinë zydi-kroistësh, "do hanë edhe bar" që "treni i tyre" të jetë Orient -Ekspres.
Analiza
Si po funksionon politika millosheviçiane, me Sllobodanin në Gjykatën e Hagës
Histeria e pavlerë e Beogradit
Nga Dardan Mitrovica
Pas ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, partitë politike serbe, të cilat asnjëherë, pra edhe gjatë gjithë kohës së regjimit të Millosheviçit, kurrë nuk janë dalluar për diferencë qëndrimesh ndaj çështjes së Kosovës, përveçse për "unitet të çeliktë", vendosën të shpëtojë ç'të mundnin, duke rënë në ujdi për të organizuar njëfarë opozite me emrin "Otpor". Skema ishte e qartë: pavarësisht nga humbja ushtarake, të vazhdohej kursi i Millosheviçizmit pa Sllobon, për të mashtruar komunitetin ndërkombëtar me gjoja demokratizimin e Serbisë. Me këtë skemë, pas disa ngurrimeve, ra dakord edhe vetë Sllobo, që vendosi ta lëshojë pushtetin, pasi një turmë e vogël e armatosur me disa shishe
"molotov" dhe e prirë nga një fadromë, e cila dreqi e di nga mbiu në mes të sheshit dhe që çuditërisht nuk u pengua nga policia e Beogradit, "sulmuan" dhe thyen disa xhama të ndërtesës së parlamentit, çka shënoi edhe "rrëzimin" e Millosheviçit.
"Opozitarët" fitimtarë, Koshtunica, Xhinxhiç dhe Drashkoviç, nga mëngjezi e deri në darkë, madje edhe nëpër mediat perëndimore, para dhe pas kësaj farse groteske të rotacionit të pushtetit, mallkonin Sllobon, herë për "qëndrime refraktare ndaj Perëndimit, që e nervozuan atë", e herë për "lëshime të paprincipta në këmbim të ruajtjes së lëkurës".
Më i egri në qëndrimet ndaj Perëndimit ishte dhe mbetet Koshtunica, i cili e akuzoi bashkësinë ndërkombëtare për një kryqëzatë të njimendtë kundër Serbisë, deri edhe për komplote dhe konspiracione antiserbe me frymëzim nga qarqe çifute, në toplistën e të cilëve qëndronin SHBA-të dhe Britania, dhe personalisht presidenti Klinton e kryeministri Bler.
Këto qëndrime të udhëheqjes së re të Beogradit, dëshmonin dhe dëshmojnë qartë se shovinistët serbë nuk kishin mësuar asgjë nga historia shekullore e kaluara e afërt, sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX, (që u shoqërua me kasaphanën e ish Jugosllavisë), ndaj jo vetëm nuk shfaqën shenja remorsi dhe nuk u kërkuan falje publike boshnjakëve e shqiptarëve, por për gjithçka ngjau, në stilin e njohur bolshevik, akuzuan "armiqtë e jashtëm...".
Edhe ditët e fundit, në prag të hapjes së negociatave të Vjenës, për Statusin e Kosovës, e gjithë klasa politike, mediat, deri edhe Kisha Ortodokse serbe, kanë shpërthyer një fushatë antiperëndimore, duke e paragjykuar totalisht procesin e negociimit, çka të bën të dyshosh për dështim të paralajmëruar të procesit në Vjenë, me të njëjtin stil dhe kokëfortësi me të cilën vepruan para 7 vitesh edhe në Rambuje.
Më i ashpri në qëndrimet ndaj Perëndimit, Kosovës dhe shqiptarëve, këto ditë tensioni politik në Beograd, ka qenë nënkryetari i Partisë Radikale Serbe të ultranacionalistit Sheshel, Tomislav Nikoliçi, i cili ishte i pari që hapi siparin e qëndrimeve refraktare të Serbisë për mospranimin e opcionit të Pavarësisë së Kosovës, teksa në një prononcim për mediat theksoi se "Kosovën do ta mbrojmë me të gjitha mjetet".
Menjëherë pas Nikoliçit, zëdhënësi i qeverisë serbe, Gjuriç, deklaroi për mediat se "Eshtë fatale dhe e dëmshme për interesat shtetërore të Serbisë, të krijohet atmosfera se Kosova është humbur..., çka ne do ta pagëzojmë me emrin grabitje të pjesës së territorit të Serbisë". Sipas tij, "Qeveria e Serbisë, në prag të fillimit të negociatave, u bën të ditur të gjithëve se Kosova është, ka qenë dhe do të jetë Serbi dhe për këtë arsye, Serbia hedh poshtë çdo mundësi të imponimit të zgjidhjes për Kosovën".
Duke përshkallëzuar sulmet antiperëndimore, pas zëdhënësit të tij Gjuriç, stafetën e mori kryeministri Koshtunica, i cili akuzoi Drejtorin Politik të Ministrisë së Jashtme britanike Xhon Sevërs, për "qëndrim të njëanshëm, proshqiptar, ende pa filluar bisedimet për Statusin e ardhshëm të Kosovës", gjatë një prononcimi për mediat pas takimit me diplomatin britanik në Beograd.
Në të njëjtën linjë, edhe udhëheqësit e serbëve të Kosovës, deklaruan se z.Sevërs u kish thënë atyre gjatë takimit zyrtar në Beograd, se "zgjidhja përfundimtare duhet të respektojë vullnetin e shumicës së banorëve të Kosovës".
Menjëherë pas kësaj, ata nxitën turma "serbësh të Kosovës", të cilët u tubuan dhe demonstruan para ambasadës britanike në Beograd, në shenjë proteste për deklaratën e diplomatit të lartë britanik, të cilin e akuzuan se "la të kuptohet qartë se Londra mbështet
pavarësinë e Kosovës".
Edhe Peshkopi serb Artemije, pavarësisht statusit të tij aspak politik, bëri thirrje që "përfaqësuesit serbë në negociata, të mos e nënshkruajnë dokumentin zyrtar të pavarësimit të Kosovës, por ta kundërshtojnë këtë akt tradhtie dhe ta shpallin Kosovën si pjesë të okupuar të territorit tonë...", çka e shoqëroi me kërcënimin se "çdo shtet ka të drejtë të luftojë për çlirimin e territorit të tij të okupuar", duke lënë të kuptohet qartë se është ai dhe Kisha që kryeson, janë për luftë të serbëve kundër shqiptarëve, NATO-s dhe
Perëndimit.
Reagimi simultan dhe i orkestruar i serbëve gjatë ditëve të fundit, në prag të samitit negociator të Vjenës midis palëve shqiptare e serbe, nën drejtimin e Ahtisaarit, vjen si përgjigje domethënëse e shprehjes së vendosmërisë së faktorit ndërkombëtar dhe klasës politike të Kosovës për jetësimin e përpjekjeve, idealit dhe amanetit të z.Rugova për kurorëzimin e Pavarësisë së Kosovës shqiptare.
Vlerësimet superlative të udhëheqësve të demokracive botërore për z.Rugova pas vdekjes, pa përjashtim kishin refren dhe emërues të përbashkët mbështetjen e kauzës së tij të pavarësimit, për çka ai u bë një mit i shqiptarëve dhe mik i denjë i burrështetasve më të mëdhenj të planetit.
Këto vlerësime, sërish dhe indirekt, emetuan mesazhin e mbështetjes zyrtare të opcionit të Pavarësisë, si kurorëzim i procesit të negociatave, detyrimisht deri në fund të këtij viti.
Kësisoj, vdekja e z.Rugova, e mirëpritur në Beograd me shpresën e shtyrjes së negociatave, rënies së kredibilitetit, mbështetjes ndërkombëtare dhe potencialit negociues të faktorit shqiptar, avulluan shumë shpejt pas zhvillimeve të fundit në Prishtinë, teksa faktori politik shqiptar dëshmoi përgjegjshmëri dhe vizion maksimal politik, qoftë në përzgjedhjen dhe votimin e pasardhësit të denjë të Ibrahim Rugovës, presidentit të ri të Republikës së Kosovës z.Fatmir Sejdiu, ashtu edhe në unifikimin e qëndrimeve dhe përgatitjen cilësore të platformës së negociatave të Vjenës.
Por goditjen e fundit për iluzionet e pathemelta të Beogradit lidhur me ardhmërinë e Kosovës, e dha qëndrimi i prerë i shteteve anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB, që kryesohet aktualisht nga SHBA-të, për "mbështetjen e opsionit real të Pavarësisë..., konform vullnetit politik të popullit të Kosovës", çka e bëri të qartë edhe presidenti Sejdiu, pas mbledhjes së fundit të K.S. të OKB.
Por edhe mediat ndërkombëtare, vëmendja dhe sensibiliteti i të cilave kulmoi dukshëm pas vdekjes së ish presidentit Rugova, tashmë janë drejtuar në shqyrtimin analitik të tendencave të qëndrimeve të faktorëve ndërkombëtarë, duke lexuar qartë në to, gjendjen e mjeruar të Beogradit dhe pozitën superiore të faktorit shqiptar, bash në prag të negociatave.
Jo rastësisht, të obseduar nga tradita historike dhe paranoja e së kaluarës së hidhur të marrëdhënieve serbo-austriake, përzgjedhjen e Vjenës si vend organizator të samitit të negociatave, pas Rambujesë dikur të bekuar, e që pasoi me bombardime mbi Serbi, disa analistë serbë e kanë konsideruar si "Vaterloja e Serbisë", si "ripërsëritje e gjëmës së Fushë-Kosovës së vitit 1389...", e të tjera stilema krahasuese, që dëshmojnë qartë dëshpërimin që ka mbërthyer mbarë Serbinë, në të cilën nuk gjendet askush me mendje të
kthjellët, e që të bëjë dallim me të tjerët.
Nga të gjitha qëndrimet e shtypit europian, pas reagimeve nervoze të Beogradit, bie në sy gazeta zvicerane "Noje cyrhrer cajtung", e cila në një artikull me titullin "Të vërtetat e pakëndshme për Serbinë", pasi trajton indinjatën serbe ndaj deklaratës së diplomatit britanik Sejërs për Kosovën, shkruan se "i dërguari amerikan Frank Uizner, i ka kërkuar Beogradit që t`i thotë të vërtetën popullit dhe ta bëjë të qartë se, për shkak të politikës së Millosheviçit dhe të radikalëve serbë të Sheshelit, Serbia e ka humbur Kosovën".
Tashmë serbët nuk po dinë se çfarë të kërkojnë në Vjenë. Dhe marramendja e tyre kryesisht ka si shkak frikën nga opinioni i brendshëm, para të cilit e gjithë klasa politike e ndjen veten të skualifikuar politikisht dhe të flakur jashtë politikës që u siguron privilegjet e pushtetit dhe mbështetjen e një populli të indoktrinuar e margjinalizuar me mite e mitologji të rreme. Politikanët "demokratë" të Serbisë pas-millosheviçiane, të cilët shkurorëzimin e Sllobos para ndërkombëtarëve e bënë kauzë të pushtet-marrjes, tashmë janë të bindur se Sllobo, në mendjet e serbëve do të rikthehet si "hero" që luftoi për "Kosovën-djep i Serbisë...", ndërkohë që ata, tërthorazi do të ngjajnë dhe etiketohen si kapitullantë e frikacakë.
Pikërisht për shkak të kësaj klime terrorizuese, gjasat maksimale janë që delegacioni serb të mos pranojë ta nënshkruajë marrëveshjen përfundimtare të negociatave të Vjenës, sikundër vepruan edhe në Rambuje. Por kjo nuk ndryshon asgjë. Me, apo pa firmën e tyre, e ardhmja e Kosovës tashmë është vendosur, dhe ky nuk është paragjykim i procesit, por verdikt i një gjykimi të bazuar në logjikën politike, historike dhe në të drejtën ndërkombëtarisht të njohur, të vetëvendosjes së një populli.
Prej këtu buron edhe bindja se serbët ushqejnë më kot iluzione të rrejshme, të bjerruna.
Fokus
Prapaskenat e vendimit të Gjykatës greke për shitjen e pronave të çamëve
Pasoja e sherrnajës greke
Nga Astrit KOLA
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë të Greqisë, i parapriu dhe ligjëroi verdiktin arbitrar të qeverisë dhe shtetit grek për përfundimin e sekuestros konservative ndaj pronave të shtetit
shqiptar, nënshtetasve shqiptarë dhe "çamëve armiq të shtetit grek". Këto akte administrative e anticivilizuese i hapën rrugë shitjes së këtyre pronave në favor të shtetasve grekë, çka qartësoi përfundimisht skenarin e sherrit "Tavo" dhe kërcënimin poshtërues të presidentit
Papulias, që deklaroi se "rruga për integrimin e Shqipërisë në BE, kalon nga
Athina".
Tashmë askush nuk e vë në dyshim se anullimi i vizitës së z.Papulias në Sarandë, para dy muajve, ishte thjesht një pretekst i sajuar keq dhe me nxitim. Dhe nuk mund të ishte
ndryshe, përderisa diplomati me përvojë Papulias, dëshmoi nervozizëm histerik, teksa konsideroi fyerje të mjaftueshme për të anulluar takimin me homologun
shqiptar, protestën paqësore të qytetarëve të paktë çamë, tubuar në rrugët e Sarandës.
Papulias e di mirë se vizitat dhe takimet e rëndësishme zyrtare, nuk mund të anullohen aq lehtë, qoftë edhe kur ekziston gjendje pasigurie apo tensionim i situatave në marrëdhëniet ndërshtetërore, e jo më për shkak protestash të rëndomta paqësore!
Papulias ka qenë funksionar i lartë i diplomacisë greke më 20 korrik 1991, kur ish presidenti amerikan
Bush-senjor, megjithë kërcënimet serioze të organizatës terroriste greke "17 Nëntori", vrasjeve të bujshme të funksionarëve të CIA-s, ushtarakëve, djegies së
bankave, selive të kompanive dhe makinave të diplomatëve amerikanë, jo vetëm që nuk e anulloi vizitën dyditore në Athinë, por nuk u ankua as kur garda speciale e tij, neutralizoi 8 terroristë grekë, të armatosur deri në dhëmbë.
Presidenti Bush nuk reagoi as kur Partia Komuniste Greke e Maria Demanaqit, dhe organi i saj zyrtar, pasuar nga gazeta të tjera
ekstremiste, shpërthyen në histeri anti-amerikane për neutralizimin e terroristëve që kishin përgatitur atentatin vrastar, dhe këtë e bëri vetëm e vetëm në respekt të shtetit, popullit, institucioneve dhe
"demokracisë antike greke, që frymëzoi dhe parapriu demokracinë dhe qytetërimin botëror".
I pyetur nga shtypi amerikan për të komentuar alergjinë greke ndaj vendit që i fali Greqisë së Andrea Papandreut 10 miliardë $, dhjetëra avionë "F - 15", miliarda $ - qira për bazat amerikane dhe investime kolosale të kompanive amerikane, Bush deklaroi se "populli grek e meriton ndihmën e dhënë...", dhe se "... bujaria amerikane nuk kërkon kundërvleftë
greke".
Mediat amerikane e morën mesazhin, dhe "demokracia antike greke" eklipsoi çdo kundër-reagim të superfuqisë botërore.
SHBA-të toleruan edhe kur Andrea Papandreu bubullonte kundër "Imperializmit janki" nga Bukureshti e Havana, teksa mbante fjalime antiamerikane në krah të Fidel Kastros dhe Nikolae Çausheskut.
Ato sërish toleruan, kur rrugët e Greqisë mbusheshin me turma ekstremistësh që digjnin flamujt amerikanë dhe poshtëronin çiftin presidencial nëpërmjet akteve të turpshme mbi fotografitë e
tyre, gjatë sulmeve ajrore të NATO-s mbi trupat serbe në Kosovë, në pranverën e vitit 1999.
Papulias, në stilin e njohur të arrogancës greke, kërcënoi hapur shqiptarët në Gjirokastër, teksa parakaloi në revistë një kompani trupash speciale
greke, të armatosura deri në dhëmbë, bash në kohën që presidenti Moisiu e priste në Sarandë.
Jo rastësisht Athina zyrtare përsëriti dhe potencoi me tone arrogante akuzat e Tavos për
"keqtrajtim të minoritetit grek në Shqipëri", çka, çuditërisht, u pasua me përgënjeshtrimin e kësaj akuze nga ambasadori grek në Tiranë, z.Karkabaqis.
Guximi i mjekut Tavo për të akuzuar Karkabaqis-in si "përçarës të minoritetit grek në Shqipëri", shpjegon qartë mandatin që i kish dhënë Athina për të sajuar incidentin në Nepravishtë, ku ai mobilizoi jo pak minoritarë për t'u përleshur me policinë dhe për të filmuar ngjarjen, ku "i thyen brinjët", që iu ngjitën brenda ditës!!!
Kërcënimet dhe akuzat e Tavos në parlament, largimi demonstrativ i deputetëve socialistë nga salla, vizita e kryesocialistit Rama në Athinë dhe deklaratat e tij për
"ndihmën dhe partneritetin krucial të Greqisë", dhe "shpërblimin me miqësi e mos'hapje të problemeve
të vjetra, të tejkaluara dhe aspak realiste", ishin boshti i skenarit për përgatitjen e sulmit të fundëm mbi çështjen çame dhe injorimin e të drejtës së pronësisë së shtetit dhe shtetasve shqiptarë në Greqinë administrative.
Reagimi i mekur i shtetit shqiptar ndaj mandatës greke, nulifikoi vlerën e Traktatit dypalësh të Miqësisë Shqipëri-Greqi, të marsit 1996, si dhe detyrimet që rrjedhin prej tij për zgjidhjen, konform së drejtës ndërkombëtare, të njërit nga problemet që mban peng marrëdhëniet e njimendta miqësore e me përfitim reciprok midis dy vendeve.
Akti i pashoq antishqiptar, ndërmarrë së fundmi nga Drejtësia dhe shteti grek, i kundërvihet në mënyrë flagrante detyrimit kushtetues të institucioneve dhe shtetit
shqiptar, për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesave të shtetit, shtetasve dhe bashkatdhetarëve çamë nënshtetas të Greqisë, konform preambulës së Kushtetutës sonë.
Ndaj bashkatdhetarëve çamë të deportuar me dhunë nga zervistët prohitlerianë, shteti i atëhershëm grek kreu një akt të qashtër spastrimi etnik, teksa akuzoi dhe deportoi si
"kolaboracionistë të pushtuesve gjermanë" mbi 40 mijë, pleq, gra e fëmijë, ndërkohë që më vonë shpalli heronj të Greqisë dhe u ngriti përmendore andartëve që luftuan krahas Divizionit 23 të
Rajhut, të bashkëkryesuar nga generali nazist Kaltz dhe Napolon Zerva.
Çështja çame nuk është vetëm një problem i pazgjidhur pronësie, por në radhë të parë është problem i rikthimit të çamëve në trojet stërgjyshore. Ajo mund të konsiderohet e vënë në rrjedha normale dhe në rrugët e zgjidhjes së
merituar, vetëm atëherë kur, krahas ripranimit nga shteti grek, të ligjërohet edhe njohja e shtetësisë greke për ta, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përfitimet që rrjedhin prej këtij akti juridiko-administrativ, konform kushtetutës
greke.
Probleme të pazgjidhura pronësie midis nënshtetasve të të dy vendeve, konform edhe "Traktatit...", mund të konsiderohen thjesht ato të mbetura pezull midis shtetit grek nga njëra anë, dhe shtetit e nënshtetasve shqiptarë jo çamë nga ana tjetër, në territorin aktual
të Greqisë londineze.
Në kushtet e krijuara, vullneti personal i z.Berisha, artikuluar qartë në deklaratën para mediave, është i pamjaftueshëm nëse shteti shqiptar dhe institucionet e tij, nuk cedojnë me fillimin e menjëhershëm të negociatave për zgjidhjen e këtij handikapi të ri, krijuar enkas nga shteti grek, në përmbushje të detyrimeve reciproke ndërshtetërore, të përcaktuara në pikën 5 të "Traktatit...".
Nuk ka rrugë tjetër përveç reagimit me instrumenta adekuatë diplomatikë, dypalësh dhe shumëpalësh, pas sensibilizmit dhe angazhimit ndërkombëtar, ndaj këtij përshkallëzimi flagrant të qëndrimeve antishqiptare të Greqisë.
Ka ardhur koha të deklarohet publikisht dështimi i bujarisë dhe marrëzisë së pashpjegueshme të shtetit shqiptar, i cili padrejtësisht, në vitin 1991, u dha në pronësi minoritarëve grekë dhe Vangjel Tavos, bash pronat stërgjyshore të pronarëve legjitimë shqiptarë, në zbatim të ligjit 7501.
Ndoshta e meritojmë këtë racizëm dhe histeri antishqiptare, në vazhdën e qëndrimeve aspak reciproke të Greqisë ndaj trajtimit të problemit të pronave të shtetit e shtetasve shqiptarë, si dhe atyre të bashkatdhetarëve çamë, nënshtetas të Greqisë. Ndoshta ky është shpërblimi i harresës për shenjtorët e shqiptarizmës, masakruar nga andartët për shkollat shqipe; harresës së masakrave greke në vitet 1914, 1922 dhe 1940, të cilat populli i nguliti në kujtesë me cilësorët "theroritë e grekut të parë; grekut të dytë; grekut të tretë", për çka zervistët na e ndëshkuan sërish kujtesën e shkurtër, teksa nënave shtatzëna u shqyen kurmin me bajoneta, vajzat i përdhunuan e therën si berra, ndërsa foshnjat çame i
kallën në zjarr, gjatë genocideve shtazarake të qershorit 1944 dhe marsit 1945 mbi Çamërinë shqiptare.
Speciale
KE: Qeveritë shqiptare po injorojnë shenjtërinë e pronës
Kthimi i pronës te i zoti, kusht për integrim
Komisioneri europian, Reinhard Priebe, në një letër konfidenciale shkruan se shteti dhe qeveritë shqiptare të paspluralizmit, po cedojnë gabimisht, me qëllim, në kundërshtim me udhëzimet e KE dhe kartat ndërkombëtare për të drejtat dhe liritë e
Njeriut, gjatë hartimit të përsëritur dhe zbatimit në praktikë të Ligjit për Kthimin dhe Kompensimin e pronave, duke shkelur afatet kohore për zbatimin e
tij. Ndërkombëtarët do t'i kthejnë problemet e pronësisë së ligjshme në Shqipëri, në kryetemat të diskutimeve dypalëshe gjatë vitit 2006, sidomos lidhur me moszbatimin e ligjit të fundit për kthimin dhe kompensimin e
pronave, të miratuar në vitin 2004. Komisioni Europian ka konstatuar një sërë shkeljesh në procesin e kthimit dhe kompensimit të
pronave, ku më të rëndësishmet janë mosrespektimi i afateve kohore të ligjit për kthimin dhe kompensimin e pronave, mosregjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme në zonat urbane dhe ato bregdetare, si dhe vazhdimi i procesit të privatizimit.
Drejtori për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, Reinhard Priebe, në një letër konfidenciale drejtuar Shoqatës
"Pronësi me Drejtësi", thekson se Komisioni Europian po monitoron hapat që do të ndërmarrë Shqipëria për zbatimin e procesit të kthimit të pronave në favor të pronarëve të ligjshëm, duke e përfshirë këtë çështje edhe në hartimin e ligjeve të
reja.
Komisioneri europian, duke ndjekur nga afër ecurinë e njërit nga proceset më të diskutuara në Shqipëri, ka konstatuar shumë parregullsi në procesin e kthimit dhe kompensimit të
pronave.
"Siç ju kam theksuar edhe në letrën time të 17 majit dhe 25 qershorit 2005, Komisioni Europian është në dijeni të plotë të lojës që po bën Shteti në zbatim të këtij
ligji, duke pasur parasysh se kjo është ekstremisht e rëndësishme dhe po e ndjek atë nga afër", thuhet në letër.
Sipas ligjit të "Kthimit dhe Kompensimit të Pronave", shteti shqiptar duhet të vinte në dispozicion të Komitetit Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit të
Pronave, hartën e tokave të lira, të cilat do të përdoreshin për kompensimin e pronarëve, por hartat përkatëse nuk janë përfunduar akoma, dhe pritej të ishte muaji shkurt, ai gjatë të cilit do të ishte përfunduar kjo hartë, por fatkeqësisht kjo hartë jo vetëm nuk u paraqit, por kryetari i Komisionit shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, Sokrat Sina, raportoi se për mospërfundimin hartografik të evidentimit të pronave konform vendndodhjes dhe çmimeve të tyre, fajin e ka mungesa e
fondeve.
Këtë deklaratë qesharake, afro 18 muaj pas emërimit të tij në këtë post të lartë, z.Sina e bëri gjatë seancës së raportimit në komisionet parlamentare të
Kuvendit, me ç'rast fajësoi qeveritë e Nanos dhe Berishës për mosakordimin e fondeve të nevojshme për këtë
proces. Por në vend që të viheshin pikat mbi dobësitë e punës së këtij Komisioni dhe deputetët të mësonin të vërtetën rreth aktivitetit tejet të diskutueshëm të këtij enti të rëndësishëm, për ngritjen e të cilit forcat politike ranë në konsensus gjatë legjislaturës së
kaluar, qoftë për funksionet emergjente, ashtu edhe për përbërjen ndërpartiake, deri edhe të përfaqësuesve të shoqatave të pronarëve legjitimë.
Por në vend që problemi i mosfunksionimit të këtij Komiteti të ishte preokupacioni kryesor i deputetëve, kryeaxhendë e tyre dhe kryelajm, u bë sherri midis Sinës dhe Kosovrastit, i cili e akuzoi kryetarin e Komitetit për mungesë predispozicioni në përmbushjen e detyrës dhe ngritje pretekstesh për gjoja mungesë
fondesh, me qëllim justifikimi të moskryerjes së detyrës brenda afateve
ligjore, ndërkohë që Komisioneri Priebe në letrën e tij ka patur si shqetësim kryesor shkeljen e afateve të vendosura nga ligji për Kthimin dhe Kompensimin e
pronave, të miratuar në vitin 2004.
Në këtë ligj janë përcaktuar disa afate kohore, të cilët duhet të respektohen për të arritur në mbylljen e këtij procesi brenda 10 vjetësh, por meqenëse realisht këto afate janë
shkelur, edhe përfundimi i procesit të kthimit dhe kompensimit të pronave do të vazhdojë shumë më gjatë. Një problem tjetër i prekur nga ndërkombëtarët është edhe procesi i regjistrimit fillestar të pasurive të
paluajtshme. Ky proces është tepër i rëndësishëm për të pasur të dhëna të sakta mbi gjendjen e pronave në Shqipëri.
Më problematik paraqitet regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme, veçanërisht në zonat urbane dhe zonat
bregdetare. Ndërkohë nga ana tjetër, KE-ja do të vazhdojë të shfrytëzojë çdo mundësi për të detyruar autoritetet shqiptare që të shpejtojnë progresin në drejtimin e
duhur, për këtë problem. Gjithashtu, këtë vit, problemi i kthimit dhe kompensimit të
pronave, do të mbetet një nga pesë prioritetet kyçe e afatshkurtëra për plotësimin e kuadrit ligjor të reformave në përgjithësi.
Pronarët, kërkojnë verifikim nga KE dhe BE
Pronarët shqiptarë vazhdojnë të kërkojnë dërgimin e një komisioni verifikues nga Komisioni Europian dhe
BE, për të qartësuar situatën në të cilën ndodhet procesi i kthimit dhe i kompensimit të
pronave.
Shoqata "Pronesi me Drejtesi" i ka drejtuar një letër Drejtorit për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Europian, z.Reinhard
Priebe, në të cilën sqarohen të gjitha problematikat që kanë karakterizuar këtë proces ndër vite.
Në këtë letër, ndër të tjera theksohet se "Ndarja e tokave tona në favor të të tretëve po vazhdon, dhe në kuadrin e premtimeve elektorale, po merren nisma
ligjore, që sigurisht do të miratohen nga shumica parlamentare, në kurriz të interesave të pronarëve, por edhe në kundërshtim me ligjin e vitit 2004. E thënë më thjesht, jo vetëm nuk do të na kthehen pronat tona, por do shpronësohemi edhe për ato pak toka që na ishin dhënë me ligjin e mëparshëm, në favor të pushtuesve të paligjshëm të
tyre. Ne jemi të bindur, se në kuadrin e kësaj fushate që ka nisur, do ndërmerren edhe nisma të tjera
ligjore, që në emër të shumicës parlametare, të vazhdojnë të shpërndahen edhe ato pak prona shtetërore që kanë
mbetur, për të plotësuar kërkesat e klasës së re politike në pushtet", thuhet në letër.
Letra në fjalë është dërguar para se të merrej vendimi për bllokimin e procesit të privatizimeve të ndërmarrjeve shtetërore, dhe kjo çështje ka zënë një vend të rëndësishëm në këtë letër.
"Praktika e deritanishme, tregon se ligji i vitit 2004, ashtu siç kemi theksuar ne, është i pazbatueshëm, ka një kosto te papërballueshme për shtetin shqiptar.
I gjithë procesi i zbatimit të ligjit nuk është transparent, dhe pronarët shikojnë se si prona e tyre po kalon në favor të klaneve mafioze që kërkojnë të pastrojnë paratë e pista.
Asnjë shkelje e ligjit nuk po hetohet, dhe të gjithë pronarët kanë humbur totalisht besimin se problemi i tyre do të gjejë
zgjidhje", përfundon letra.
Pas letrës së Priebe-s, bllokohen privatizimet
Pas letrës së dërguar nga komisioneri europian, z.Reinhard Priebe, lidhur me abuzimet që po bëhen në zbatim të procesit të kthimit dhe kompensimit të
pronave, menjëherë qeveria shqiptare ka marre masat e para. Një nga çështjet e prekura prej tij, ishte edhe vazhdimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore në kundërshtim me ligjin për Kthimin dhe Kompensimin e pronave.
Brenda një kohe shumë të shkurtër, Ministri i Ekonomise, Tregtisë dhe Energjitikës, Genc Ruli, theksoi se është bllokuar procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, si pasojë e mospërputhjeve me ligjin për "Kthimin dhe Kompensimin e Pronave".
Sipas vetë ministrit, procesi i privatizimit është pezulluar, pasi legjislacioni ekzistues ka mospërputhje, e në disa raste bie ndesh me Ligjin Nr. 9235
"Për Kthimin dhe Kompensimin e ish-pronareve".
Përfshirja e pronarëve në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shtetërore, do të ndikojë në uljen e faturës financiare për kompensimin e kësaj
kategorie. Nga ana tjetër, në procesin e dhënies me qira të pasurisë së ndërmarrjeve shtetërore, ka mungesë transparence në drejtim të treguesve të nxitjes së biznesit
(koefiçientit të nivelit të investimeve dhe numrit të të punësuarve), formalizëm në formën e konkurrimit
etj..
Tashmë pronarët shqiptarë po presin të përfshihen në skemën e
privatizimeve, megjithëse numri i ndërmarrjeve të mbetura ende në pronësi të shtetit është shumë i vogël.
Letra e komisionerit Priebe për pronarët
Komisioni Europian (Drejtoria e Përgjithshme e Zgjerimit: Drejtori për Ballkanin Perëndimor
Ju falenderoj për letrën tuaj... me të cilën përsëri paraqisni problemet që kanë të bëjnë me kthimin e pronës dhe kompensimin, dhe në veçanti me zbatimin e ligjit të vitit 2004 për Kthimin dhe Kompensimin e pronave, dhe për një zhvillim të ri
legjislativ...
Siç ju kam theksuar dhe juve në letrën time të 17 majit dhe 25 qershorit 2005, Komisioni Europian është në dijeni të plotë të lojës që po bën Shteti në zbatim të këtij
ligji, duke pasur parasysh se kjo është ekstremisht e rëndësishme dhe po e ndjek atë nga afër.
Në letrën tuaj, ju kërkoni që ne të ushtrojmë presion të fuqishëm për këtë problem në Raportin tonë të nëntorit për Shqipërinë. Unë jam i lumtur t'ju konfirmoj, se ne e realizuam një gjë të tillë në pjesën politike të
Raportit, ku ne theksuam që shumë nga afatet e vendosura në ligjin e vitit 2004 janë
shkelur, dhe se regjistrimi fillestar i pasurive të paluajtshme nuk ka përparuar në masën e
duhur, veçanërisht në zonat urbane dhe zonat bregdetare. Ne kemi raportuar gjithashtu, vazhdimin e privatizimeve të paligjshme të pronës, në një kohë kur procesi i kthimit dhe kompensimit nuk është
zbatuar, një aspekt që ju e theksoni në letrën tuaj.
Çdo vit Komisioni propozon një bashkëpunim Europian për Shqipërinë, për të ndihmuar dhe drejtuar qeverinë në vendosjen e prioriteteve të reformës. Këtë vit në kemi theksuar në mënyrë të veçantë, problemin e kthimit të pronës, duke e përcaktuar atë si një nga pesë prioritetet kyç afatshkurtëra.
Unë ju siguroj përsëri, se Komisioni Europian po monitoron hapat që do të marrë Shqipëria për të zbatuar procesin e kthimit të pronës, duke e përfshirë këtë çështje edhe në hartimin e ligjeve të
reja, dhe ne do të vazhdojmë të shfrytëzojmë çdo mundësi për të detyruar autoritetet shqiptare që të shpejtojnë progresin në drejtimin e duhur për këtë problem.
Juaji sinqerisht, Reinhard PRIEBE
Farsa tragjikomike me pronat dhe pronarët
Fatkeqësisht, megjithë disponimin e Komisionit Europian, kushtet e ashpra dhe këshillat e z.Priebe, parlamenti, me një procedurë të përshpejtuar dhe aspak transparente, i dha goditjen përfundimtare pronarëve legjitimë, teksa privatizoi në favor të pushtuesve të pronave jo vetëm pronat e zëna prej kohësh e të pakthyera nga komisionet e kthimit të pronave nëpër rrethe e qarqe, por edhe të pronave të zëna kohët e fundit, e të regjistruara në hipotekat shqiptare, çka thënë ndryshe, nuk është asgjë tjetër veçse heqje arbitrare e titujve pronësorë, mbivendosje e pronave në Hipoteka dhe kalimin e titujve pronësorë në favor të zaptuesve të pronave të pronarëve legjitimë shqiptarë.
Ky akti i fundit i Legjislativit shqiptar, ka shkaktuar sërish reagimin e z.Priebe, por mesa duket pa sukses, pasi qeveritë shqiptare mesa duket e kanë kuptuar se askush në Europë nuk e ka seriozisht në kërcënimet e tyre për kushtëzimin e proceseve integruese të Shqipërisë me Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, dhe se pronarët janë të braktisur në dhimbjen dhe mashtrimin e tyre, përderisa ligjet dhe praktikat administrative kundër tyre nuk rreshtin së miratuari dhe vepruari.
___________________________
12 Shkurt 2006
___________________________
Legalistët përshëndesin zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës
PLL: Sejdiu, faktor uniteti në Kosovë
Spahiu: "Ne kemi besimin e plotë se hapat dhe sukseset e arritura deri tani nën drejtimin e të paharruarit, Presidentit Rugova, do të vazhdojnë më tej dhe do të jetësohen gjatë mandatit Tuaj, drejt pavarësimit të Kosovës... Ruajmë bindjen se zgjedhja Juaj është një tregues i qartë i përgjegjshmërisë së klasës politike të Kosovës... dhe do të shërbejë si faktor i unitetit të klasës politike dhe popullit të Kosovës.
Editorial
Dritëhijet e çështjes sonë kombëtare
Nga Murat BASHA
Zhvillimet e ditëve të fundit, konturuan qartë dritëhijet e çështjes sonë kombëtare: suksesin e radhës në Kosovën shqiptare, ku Kuvendi përzgjodhi Presidentin e Republikës së pavarur të Kosovës, dishepullin, pasuesin dhe mikun e z.Rugova nga njëra anë, dhe dështimin e radhës gjatë zvargies dëshpëruese të çështjes Çame, nga ana tjetër.
Kësisoj, gëzimi që na erdhi nga Kosova, u zymtua nga mënxyra që na erdhi nga Çamëria shqiptare, pas vendimit shokues të shtetit dhe institucioneve greke për shitjen në favor të qytetarëve grekë, të pronave të çamëve-nënshtetas grekë, të spastruar e deportuar etnikisht, krahas grabitjes me "ligj" të pronave të nënshtetasve shqiptarë dhe shtetit shqiptar në Greqinë administrative.
Kjo tabllo ku dritëhija shtrihet në të gjithë gjatësinë gjeografike të trungut shqiptar, dëshmoi me stilin më sinjifikativ, thënien e politologut Arbër Xhaferri, se "Aty ku shqiptarët luftuan për trojet dhe lirinë e tyre, u shpërblyen, dhe kjo pasi e bindën botën demokratike për drejtësinë e kauzës së tyre..., duke i siguruar kombit shqiptar aleatët e natyrshëm, çka do të thotë se lirinë e merituam dhe e fituam, kryesisht, me gjakun dhe sakrificat tona".
Kjo sintezë politologjike, zbulon qartë faktin tronditës të mungesës së strategjisë dhe përpjekjeve të organizuara të shqiptarëve për rifitimin e të drejtave kombëtare në Çamërinë shqiptare.
Në Kosovë, klasa politike ridëshmoi përkushtimin dhe vendosmërinë për ta realizuar me çdo kusht pavarësimin, pas zgjedhjes spektakolare të Presidentit të Republikës, z.Fatmir Sejdiu, emri i të cilit ndjell fatbardhësinë me përmasa thuajse profetike, teksa pasoi z.Rugova, që mbante emrin Ibrahim (babai i profetëve), e që meritueshëm u shfaq si kryeprofeti i Kauzës shqiptare të Kosovës.
Tashmë, udhëtimi i zotërinjve Sejdiu, Kosumi e Petersen, për pjesëmarrje në samitin e Këshillit të Sigurimit të OKB, shënoi fillimin e kurorëzimit me sukses të aksionit të gjithanshëm politik e diplomatik të shqiptarëve për njohjen dhe jetësimin e pavarësimit të sigurt të Kosovës shqiptare. Dhe s'kishte si ndodhte ndryshe, pas atyre luftërave, qëndresës së pashembullt dhe përpjekjeve titanikë përballë një armiku historik, gjatë një shekulli të tërë.
Ndërsa në Jug, pas një shkujdesjeje dhe limontie të pashembullt, pësuam goditjen më të rëndë, që rrezikon humbjen përfundimtare të çështjes Çame, të cilën, pothuajse me gjysmë zëri, për turpin e klasës sonë politike, pranuam ta reduktojmë thjesht në një çeshtje të rëndomtë pronash e pasurish.
Por, në fundore, pas analizës së thellë, ndoshta ia vlen të pohohet se ne, zogistët dhe legalistët atdhetarë, kurrë nuk rreshtëm së ngrituri zërin për Kauzën e Çamërisë, duke kërkuar jo vetëm rikthimin e çamëve të dëbuar me dhunë në trojet stërgjyshore, por edhe rifitimin prej tyre të së drejtës së shtetësisë greke, si hap i parë i njohjes ndërkombëtarisht të të drejtave tona kombëtare atje, e më pas të zgjidhjes së saj hap pas hapi.
Kjo kërkesë e ligjshme, bazuar në të gjitha kartat dhe të drejtat ndërkombëtare, nuk ndryshon aspak nga kërkesa e Greqisë-aleate të Serbisë, për kthimin e serbëve të Kosovës në ca fshatra, kërkesë kjo e përsëritur dhe në vazhdën e qëndrimeve konstante të Greqisë, edhe në samitin e fundit, para dy javësh të ministrave të Jashtëm të vendeve ballkanike, në të cilin, habitshëm, Shqipëria u përfaqëua me nivel të zbritur, vetëm nga sekretari i Përgjithshëm i ministrisë së Jashtme, z.Roland Bimo.
Ne legalistët ishim të bindur se kërcënimi i fundit i presidentit të Greqisë Karolos Papulias, për gjoja rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE, që kaluaka vetëm nga Athina, ishte thjesht preludi i një mandate të re në raportet me Greqinë, dhe nuk u gabuam.
Por, pas kësaj goditjeje të pritshme, e së cilës ia bëmë hyzmetin në mënyrën më të keqe të mundshme, ndonëse është marrëzi të bësh profetin, gjithsesi ndjehemi shumë më të lehtësuar në krahasim të forcat e tjera politike që, deri më tash, e kanë injoruar çështjen Çame, duke gatuar dështimin e radhës.
Tashmë kur vendimi i fundëm i Greqisë grisi edhe Marrëveshjen e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Greqi, nënshkruar në marsin e vitit 1996, ndoshta ka ardhur koha që klasa politike shqiptare të ndërgjegjësohet për tolerancën e skajshme, frymën e nënshtrimit dhe mungesën e reciprocitetit në marrëdhëniet ndërshtetërore me fqinjin jugor.
Jo rastësisht grekët na goditën pikërisht në prag të fitores në Kosovë, duke shfrytëzuar kësisoj pamundësinë për të mbrojtur njëkohësisht të gjitha aspektet e çështjes sonë kombëtare.
Tashmë e pësuam këtë goditje nokdauni, ndaj së cilës duhet reaguar sa më parë, me të gjitha forcat, ndërkombëtarisht, aq më tepër kur janë vetë grekët ata që, gjithmonë dhe me shpifje, janë ankuar "për shkelje të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri", ndërkohë që ndaj shqiptarëve zbatojnë ligjet e xhunglës.
Fitorja e pritshme dhe ende e pakremtuar kundër Serbisë, duhet shndërruar në kauzë beteje për të përgatitur përballjen e vështirë, por jo të pamundur me Greqinë "demokratike", goditja e pabesë e së cilës na kujton sesa mjerane janë pretendimet e pacifistëve tanë të pështirë për "Dy popuj miq", për "marrëdhënie miqësore, partneriteti", e deri "strategjike", me shtetin i cili, që prej 140 vjetësh, përparon dhe zgjerohet në kurriz të trojeve etnike shqiptare, duke përgatitur edhe aneksimin e "Vorio-epirit".
Tabloja bardhezi e çështjes sonë kombëtare, e nxirë nga dora e tejzgjatur e Greqisë, është imazhi që ngriu buzëqeshjen tonë, pikërisht në kohën kur përgatiteshim të kremtonim pavarësimin e Kosovës shqiptare, si për të na kujtuar se lufta jonë ende nuk ka mbaruar, dhe se betejat që na presin, do të kërkojnë mund e sakrifica, ndoshta edhe flijime...
Kryesore
Legalistët përshëndesin zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës
PLL: Sejdiu, faktor uniteti në Kosovë
Partia Lëvizja e Legalitetit
Mesazh Urimi
Prof. Dr. Fatmir Sejdiut
President i Kosovës
Kam nderin dhe kënaqësinë që, në emër të legalistëve shqiptarë, t'Ju uroj vëllazërisht për zgjedhjen tuaj në postin e rëndësishëm të Presidentit të Kosovës.
Ne kemi besimin e plotë se hapat dhe sukseset e arritura deri tani nën drejtimin e të paharruarit, Presidentit Rugova, do të vazhdojnë më tej dhe do të jetësohen gjatë mandatit Tuaj, drejt pavarësimit të Kosovës.
Ne, Ju urojmë suksese në detyrën e re dhe ruajmë bindjen se zgjedhja Juaj është një tregues i qartë i përgjegjshmërisë së klasës politike të Kosovës.
Ne kemi bindjen se zgjedhja Juaj do të shërbejë, gjithashtu, edhe si faktor i unitetit të klasës politike dhe popullit të Kosovës.
Vëllazërisht
Ekrem Spahiu
Kryetar i Partisë Lëvizja e Legalitetit
PLL kundërshton agresionin e shtetit grek ndaj shqiptarëve etnikë në Greqi
Vendimi i gjykatës greke, tërësisht i padrejtë
Vendimi i fundit i Gjykatës së Lartë të Greqisë, i qeverisë së Karamanlis-it dhe i gjithë shtetit grek për përfundimin e sekuestros konservative ndaj pronave të "nënshtetasve shqiptarë dhe çamëve armiq të shtetit grek dhe shitjen e tyre shtetasve grekë", ka ngjallur indinjatën e thellë të legalistëve dhe lidershipit të PLL.
Ky akt administrativ anticivilizues, në kundërshtim flagrant me çështjen kombëtare shqiptare dhe të Drejtat e Liritë Themelore të Njeriut, tashmë ka bërë copë e çikë Traktatin dypalësh të Miqësisë Shqipëri-Greqi të marsit 1996, si dhe detyrimet që rrjedhin prej tij për zgjidhjen, konform të së drejtës ndërkombëtare, të njërit nga problemet që mban peng marrëdhëniet e njimendta miqësore e me përfitim reciprok midis dy vendeve. PLL shpreh indinjatë të thellë për heshtjen dhe indiferencën e pashpjegueshme të institucioneve të shtetit shqiptar, pas këtij akti të pashoq antishqiptar të Drejtësisë dhe shtetit grek. PLL ka bindjen se çështja Çame është pjesë e rëndësishme e çështjes sonë kombëtare dhe për zgjidhjen e saj, institucionet e shtetit shqiptar, të përmbushin detyrimin kushtetues konform preambulës së Ligjit Themeltar të Shtetit. PLL vlerëson se zgjidhja e çështjes Çame nuk është vetëm një problem i pazgjidhur pronësie, por në radhë të parë është problem i rikthimit të çamëve në trojet stërgjyshore, krahas njohjes së shtetësisë greke, bashkë me të gjitha të drejtat dhe përfitimet që rrjedhin prej kësaj. Probleme të pazgjidhura pronësie, PLL konsideron thjesht ato të mbetura pezull midis shtetit grek nga njëra anë, dhe shtetit e nënshtetasve shqiptarë jo çamë nga ana tjetër, në territorin administrativ grek. PLL i kërkon shtetit shqiptar dhe institucioneve të tij, fillimin e menjëhershëm të negociatave për zgjidhjen e këtij handikapi të ri, krijuar enkas nga shteti grek. PLL shpreh bindjen se vendimi i fundit i Greqisë, është përshkallëzim i qëndrimeve antishqiptare lidhur me deklaratat për gjoja shqetësimet e saj për problemet e minoritetit grek në Shqipëri, dhe shantazhit të hapur të presidentit të Greqisë Papulias, se "integrimi Shqipërisë në BE, kalon nga Athina". PLL e konsideron fyerje antishqiptare, vazhdën e qëndrimeve jo luajale dhe aspak reciproke të Greqisë ndaj pronave të shtetasve shqiptarë dhe bashkatdhetarëve çamë, nënshtetas të Greqisë, ndërkohë që shteti shqiptar, padrejtësisht, u ka dhënë minoritarëve grekë prona të pronarëve legjitimë shqiptarë, në zbatim të ligjit 7501. PLL do të vazhdojë ta ngrejë zërin në mbështetje të të drejtave të ligjshme të bashkatdhetarëve çamë, të përfaqësuar nga Shoqata Çamëria, dhe do të përshkallëzojë kërkesat dhe presionin politik ndaj institucioneve të shtetit shqiptar, deri në zgjidhjen përfundimtare të Çështjes çame, si pjesë e zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare, duke kërkuar kthimin e tyre në trojet amtare.
Anëtarët e kryesisë, takime në bazë për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore
Legalistët vijojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale
Tiranë - Gjatë javës që u mbyll, anëtarët e kryesisë së PLL, Spahiu, Basha, Tujani etj., të shoqëruar edhe nga drejtuesit e degës së PLL Tiranë, Ndregjoni, Kurti e Kola, kanë vijuar takimet me nëndegët e seksionet e kësaj dege, me qëllim ngritjet e forcimin e strukturave për zgjedhjet e ardhshme lokale. Drejtuesit legalistë kanë theksuar në këto takime se zgjedhjet e ardhshme lokale janë një shans që duhet shfrytëzuar maksimalisht për ringritjen e PLL, pas humbjes që pësoi në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2005, në kuadër të LZHK-së. Spahiu u ka kërkuar strukturave lokale që të angazhohen maksimalisht në këto zgjedhje, qoftë për shkak të detyrimit që kanë të gjithë legalistët për të ngritur sa më lart imazhin e PLL, qoftë edhe për interesa direkte të bazës, pasi këto zgjedhje janë për pushtetin lokal dhe anëtarët e degëve e nëndegëve mund të fitojnë direkt, duke u bërë këshilltarë, ose edhe drejtues njësish vendore. Ndërsa nënkryetari Basha ka kërkuar më shumë gjallëri në aktivitetin e nëndegëve të Tiranës, pasi, sipas tij, Tirana është një mundësi e pakufizuar për secilin që të shfaqë aftësinë e mundësitë që ka. Basha ka theksuar se duhet punuar më me kujdes me elementin e ri dhe nuk ka kursyer vërejtjet në këtë drejtim. Në një takim të zhvilluar në nëndegën 4, sekretari Tujani është shprehur se duhet më shumë vëmendje në drejtim të dokumentimit ekzakt të anëtarësisë, pasi kjo është e domosdoshme për të sotmen dhe të ardhmen e aktivitetit të PLL. Ndërsa kryetari i degës Ndregjoni, i cili ka shoqëruar në të gjitha këto takime drejtuesit e lartë të PLL, është shprehur optimist për punën e bërë deri më sot, dhe ka deklaruar se kjo punë e bërë, nuk mund të na nxjerrë të zhgënjyer. Në takimet e bëra në nëndegët e Kamzës dhe të Kombinatit, veterani Hamit Kurti ka shprehur nevojën për një aktivizim më të dukshëm të pinjollëve të familjeve zogiste. Ai tha se ne kemi qenë të shtypur egërsisht nga regjimi komunist, por tani kemi rastin të tregojmë se jemi bij të denjë të atyre burrave që e kanë ndërtuar këtë vend.
Këto takime të kryesisë së PLL në nëndegët e seksionet e PLL, pasojnë ato të zhvilluara në qytetet Lushnje, Fier, Shkodër, Kukës, Laç etj.. Në zgjedhjet e vitit 2003 për pushtetin lokal, PLL ka pasur një rezultat të përgjithshëm rreth 2.4 %, i cili konsiderohet i mundëshëm të kapërcehet në këto zgjedhje të ardhshme, që mund të mbahen në fund të vitit 2006. Ndërsa në shifra e përqindje si numër këshilltarësh e drejtuesisht vendorë, ky rezultat i vitit 2003, është disa herë më i lartë se ai i zgjedhjeve të vitit 1996 e 2000. Legalistët janë shumë optimistë se këto zgjedhje do të tregojnë realisht forcën e padiskutueshme që ka kjo parti në bazë me elektoratin e vet natyral.
Korresp. i "Atdheu"
Komente
Karikaturat, profeti dhe profanët
Nga Zamir GJURGJI
Botimi dhe ribotimi i një dyzine "karikaturash" të profetit Muhamed nga një gazetë lokale daneze, e më pas në shtypin euro-perëndimor, ka ndezur një debat të thellë në botën mbarë, nëse është, apo jo, ky, një veprim i drejtë në emër të lirisë së shprehjes?
Eshtë mëse e vërtetë që e drejta e shtypit për informim është një nga arritjet e mëdha të botës demokratike perëndimore, në luftë të parreshtur me regjimet totalitare, por, po ashtu, është e vërtetë se shtypi vetë gjendet në një sfidë kardinale, mes informimit të opinionit publik dhe deformimit të tij.
Shprehja lapidare "atje ku e vërteta nuk është e lirë, liria nuk është e vërtetë", na bën të analizojmë më thellë "siamezët" e vërtetë - e lirë, për të kuptuar më pas se nuk mjafton që vetëm "liria të jetë e vërtetë, por mbi të gjitha që edhe "e vërteta të jetë e lirë", larg prangave të farsitetit e falsitetit.
Por, sa të vërtetë ka në vetvete "karikatura e Profetit", për të gëzuar natyrshëm statusin e përcaktorit "e lirë"?
A mund të karikaturohet Muhamedi a.s. si person dhe si profet?
a- si person:
Për të hedhur më shumë dritë rreth kësaj (pikë)pyetjeje, që shtrohet tashmë në opinionin publik ndërkombëtar, duhet shtjelluar se çfarë kuptohet me termin "karikaturë". Ky term është etimologjikisht i prejardhur nga gjuha latine në gjuhën italiane (pasardhëse e drejtpërdrejtë e latinishtes), e për rrjedhojë ai, (termi), është më i saktë për t'iu referuar, nëse e marrim "pranë burimit".
Konkretisht: karikaturë - vizatim a pikturë, në të cilën ekzagjërohen difektet (mangësitë) apo tiparet (e fytyrës) së personave, kur dëshiron t'i bësh qesharakë. ( Il Novisssimo MELZI, Linguistico, faqe 190).
Për t'iu nënshtruar procesit të karikaturës, personi duhet, sëpari, të ekzistojë vizualisht, e më pas t'i nënshtrohet procesit të ekzagjërimit (teprimit), apo mangësive në tipare (të fytyrës).
Fakti që Profeti Muhamed nuk ekziston si i tillë, askund në botë - as si portret, as i vizatuar dhe as i pikturuar - na bën me dije se, diçka që nuk ekziston, nuk lë asnjë mundësi teorike për ta ekzagjëruar a deformuar (pasi nuk ka pasur formë paraprake); nuk të lë mundësi teorike as edhe të shformosh tiparet e fytyrës, pasi praktikisht nuk është i gjallë fizikisht, që më pas të të lindë mundësia teorike të kryesh këtë proces. (Nëse nuk ekziston një kapital, është absurd të flitet më pas për teprica kapitalesh, a mangësi të tij, e kjo logjikë ekonomike vlen shumë mirë edhe për fushën e religjioneve).
b-si profet
Duke shkuar më tej në shtjellimin e karikaturës së një profeti - tashmë në planin subjektiv, pasi njeriu nuk është vetëm objekt, por edhe subjekt - del në pah absurditeti i "lirisë pa kufi të shtypit", ku liria e shprehjes i lë vend lirisë së shfrehjes.
Ashtu sikundër laikët gëzojnë të drejtën për ta konsideruar lirinë e shtypit si "të shenjtë" - çka është e sanksionuar ligjërisht - ashtu edhe besimtarët e të gjitha feve, gëzojnë të drejtën e pasjes së shenjtë lirinë e besimit, që gjithashtu është e sanksionuar ligjërisht. (Kushtetuta gjermane në Nenin 4 të saj, shprehet: "Liria e besimit, ndërgjegjes dhe përkatësisë fetare e botëkuptimore, janë të shenjta, të paprekshme. Praktikimi pa pengesa i fesë, është i garantuar").
Mbi këtë trase të shtruar të drejtash e detyrimesh (është mëse e njohur aksioma juridike se çdo e drejtë lind një detyrim), lëviz lirshëm shoqëria njerëzore në një sistem demokratik perëndimor.
Nëse besimtarëve të Zotit, kudo në botë, u lind detyrimi të respektojnë shenjtërinë e shtypit, ashtu edhe shtypit i lind detyrimi të respektojë shenjtërinë e besimit. E kjo shenjtëri (e besimit), nuk mund të konceptohet kur ndaj simboleve fetare ushtrohet "karikaturimi", pasi vetë ai nuk mund të kuptohet nëse nuk i nënshtrohet ridikulizimit, talljes a përqeshjes (shih formulimin gjuhësor të termit- shënimi im).
Liria e shtypit mund të konvertohet në progres, nëse i paraprin vërtetësisht ngjarjeve dhe fenomeneve që shqetësojnë mirëfilli një shoqëri njerëzore, ndërsa kur shtypi është i lirë t'i paraprijë "vendit të shenjtë", atëherë meriton të etiketohet me termin që e mishëron, profan. (profan - latinisht. pro- përpara, fanum- vend i shenjtë, ai që i paraprin vendit të shenjtë).
Prandaj, mes koncepteve të progresizmit dhe profanizmit, ka ndryshime hane Sham, hane Bagdat., ashtu siç ka ndryshime konceptuale mes ndjesisë së shprehjes dhe shfrehjes.
P.S. Eshtë për t'u përshëndetur qëndrimi parimor i medias shqiptare në përgjithësi, e cila, diku me censurë e diku me autocensurë, ia arriti të shmangë një provokim shpirtëror të një pjese dërrmuese të kombit shqiptar, duke mos ribotuar karikaturat. Ashtu siç vlen shprehja "gjithshka që shkëlqen, nuk është prej ari", ashtu vlen edhe shprehja që, "jo gjithçka që vjen nga perëndimi, nuk është e perënduar". E këtë gjë, media shqiptare ia arriti ta kuptojë në kohë...
OPINION
Një piktor në Ministrinë e Kulturës (5)
Trim-luanër nëpër ferra...
Nga Gjon ANALISTI
(Vijon nga numri i kaluar)
-Më ke thënë se ishin shokët e Partisë ata që ia futën dhe e paditën atë ballistin e qelbur, Skënder Muçon, tek gjermanët. Pa ma shkoqit njëherë këtë punë, se dua ta di tamam se si ia futën dhe si e futën në dhe qelbësirën? - e pyeti shefi, piktorin, plot kërshëri!
-Ta tregon vëllai ty shef, por aman mos e llafos me njeri, se na del pastaj ndonjë këlysh ballisti, ndonjë Muço që mund të ketë shpëtuar dhe pastaj na bën gjëmën, për të marrë haknë.
-Mua do më tregosh ti se si ruhet sekreti? Akoma nuk e paske kuptuar se unë jam me ty, domethënë me ne, dhe jo me ata, domethënë me ariun?! - tha shefi me ton qortues dhe seriozitet prej eprori.
-Po ja shoku shef... Ki Skënder Muçoja, që medemek mbahej për avokat i madh e me gjuhë perëndimi, kish vendosur të bënte politikë të madhe më të gjitha krahët: pra edhe me partinë tonë, domethënë me komunistët; edhe me Abaz Kupnë e zogistëve; edhe me Mehdi Frashnë e Rexhep Mitrovicnë e Regjencës; edhe me gjermanët, edhe me aliatët e mëdhenj, domethënë me inglizët dhe amerikanët. Madje kishte zëra që thonin se nuk e kishte për gjë të takonej edhe me sovjetikët e misionit aliat të Ivanovit, por edhe me Miladinë, Dushanë, Vukmanoviçnë, Stoiniçnë e Dizdareviçnë e Titos.
Mirëpo me këtë politikë të madhe dhe me gojën që e kish brisk, ai po na hapte shumë punë në Vlorë e në tërë Jugun, ngaqë thoshte se në këtë luftë të çmendur, duhet të shpëtojmë sa më shumë nga Shqipëria dhe shqiptarët. Dhe sipas tij, duhet që jo vetëm që të mos vritemi me njëri-tjatrin për hiçogjë, por edhe vatanë ta ruajmë e të mos e djegim, se është toni, se këta të mëdhenjtë janë vetëm për të na ngatërruar e për të na bërë mish për top. Se ata e filluan këtë luftë, por kur vjen puna, gjithmonë e gjejnë gjuhënë me njëri-tjatrin, se medemek, gjithmonë kur zihen atllarët, shqelmat i hanë gomerët, domethënë ne shqiptarët. Dhe se ne nuk jemi aq budallenj sa të na e hedhin e të na bëjnë shesh lufte, e të vritemi për punët e tire, se medemek ata as vatanin nuk na e shtojnë, as tagjinë nuk na e shtojnë, por vetëm kriejnë punët dhe pllanet e tire me duart tona...
Dhe që thua ti shef, me këtë politikë të madhe ai po na hapte punë dhe po ngatërronte dynjanë, ndaj u shqetësua shumë Partia tonë nga punët dhe llafet e tija të hidhura.
Babai dhe xhaxhai më dëftenin se për këtë punën e tija, u mblodh partia dhe gjykoi se, me këto parulla, Skënder Muçoja po na prishte punë se po na largonte njerëzinë nga lufta çlirimtare dhe se po bënej faktor i madh politik dhe aleat me të mëdhenjtë. Sepse duke qënë edhe avokat i çquar, edhe orator nga goja, po i nxirrte komunistët budallenj e të paditur, ngatërrestarë dhe sherrxhinj që luftonin për pushtet dhe jo për poppull e Shqipëri. Ndaj vendosnë t'ia këndojnë këngën e ta degdisin në atë dynja, por jo me dorë të Partisë, sepse ai kish nam të madh në popull e prishte punë, por me dorë të huaj, pra që edhe mishi të piqej, edhe helli të mos digjej. Dhe që thua ti shoku shef, ia bënë pllanë dhe e ruajtën tek u takua fshehurazi me inglizët, ku dreqi e di çfarë llafosi, por vetëm u muar vesh që ata e respektonin shumë dhe u kërkuan shokëve tanë që ta gjenin gjuhën e përbashkët me Ballin dhe Skënder Muçon, për të luftuar sëbashku.
Po shokëtë kishin kohë që ia kishin gatuar pllanë, dhe s'kishin nge të dëgjonin gjepura inglizësh. Se ata, borgjezë muti ishin, ndaj edhe mbanin anën e Muço borgjezit, që ishte avokat i borgjezisë, që donim ta përmbysnim. Ndaj u mblodh qarkori i Partisë dhe njerëzit tanë që i kishim edhe fashistë edhe komunistë të fshehtë, dhe që punonin si nëpunës në qeverinë e Regjencës, lajmëruan Gestapon, nëpërmjet letrave anonime me të cilat hiqnim qafe ata që i kishim në gji e që nuk u pëlqenin shokëve, por edhe nga raportimet direkte, e që të tëra qëllonin në një pikë, në atë që Skënder Muçoja kish rënë në ujdi me inglizët dhe ishte aliat i fshehtë i tire.
Që thua ti, gjermanët vendosën ta gjurmojnë Muçon, derisa e pikasën dhe i ranë hilesë që ai punonte në të dija krahët, domethënë llafoste e bënte ujdira edhe me gjermanët, edhe me inglizët. Dhe njëditëza, pasi e thirrnë gjoja për t'u llafosur, gjermanët morën dhe e vranë, duke na e hequr qafe.
Ja kështu ia bëmë qënit, e vramë me dorë të huaj dhe e shpumë në përrua, duke dalë me duar të pastra nga kjo mesele.
Pastaja, babai me xhxhanë i nxorën këngën për ta njollosur e poshtëruar në të tërë krahinën. Dhe që thua ti, kënga thoshte: "Skënde Muço avokati / ngrihu se ardhi sahati / tutje po të pret xhelati / avokat, i gjori tija / të vajti kot revanija / të vajti kot kabunija / vanë kot mishi e tepsija / gropën ta hapi Partija / kokën ta hëngri tradhëtija / se deshe të na mashtroje / pushtetin të na zaptoje / Shqipërinë ta trashëgoje / harrove këngën që thotë / ja do bënet Vlora e jona / ja do bënet shkrumb e hi / ajo do të mbetet tona / ndryshe s'ka as Shqipëri / Skënder Muço, gjarpëri / seç ta nxorrëm ujtë e zi / të shpumë atje ku s'kthehesh / qën bir qëni do të mbetesh...".
Mirëpo pasi kënga u përhap në tërë krahinën dhe e mësuan e kënduan edhe çiliminjtë, Partia dha urdhër që të ndalonej sa më parë, sepse kështu tradhëtonim veten dhe populli e kuptonte që i kishim dashur e gatuar vdekjen Muços, dhe pastaja fillonte e dyshonte se mos kishim bërë ujdi me gjermanët kundër Ballit, se pastaja na binte poshtë edhe propaganda se po bënim luftë me hasmin që na kish pushtuar vatanë, dhe se në vënt që ta luftonim, i dërgonim në pusi shqiptarët.
U mërzitnë babai me xhaxhanë, se u bënë shumë këngë të tire që u ndaluan nga Partia, po shoku Hisni i mori dhe i kandisi duke u thënë se këngë ata duhet t'u krrenin e t'u këndonin vetëm trimërive, dhe jo të nxirrnin në shesh marifetet që bënte Partia për të vrarë ata që donin të na merrnin pushtetin, se pastaja populli na quante vrasës të pabesë dhe na merrte inat, se në fakt, asnjë luftë nuk po bënim me hasmin, por vetëm po vriteshim me njëri-tjatrin...
-Po babai me xhaxhanë, si reaguan pas kësaj që u tha shoku Hysni? - pyeti shefi!
-I dhanë të drejtë. Se në fakt, që thua ti shef, asnjë luftë me hasmin nuk kishin bërë deri atëherë, veçse medemek kishin bërë sikur po organizoheshin për të luftuar. Po këtë ta them vetëm ty, se të kam mik, dhe të ma ruash llafnë, se nuk na intereson, se na qesh dynjaja pastaja, se luftën që medemek bëmë, e shfrytëzuam për të marrë pushtetin e për ta gëzuar, si dje, edhe sot, që bërtasim se kemi qënë dhe jemi aliatë të Amerikës dhe Inglizit, që nga koha e luftës...
-Ç'thua more i paudhë, se po më luan mënç! Si more nuk paskemi luftuar?! Po luftën në Gjorm e Mesaplik, kush e bëri?
Po ç'luftë bëmë more shoku shef! Luftën në Gjorm e bënë ballistët e qënit, që u vranë e u prenë me hasmin. E bënë ata të çmëndurit e Dukatit, Radhimës e të Lumit...
-Po çeta "Plakë", ajo e Kuçit dhe ajo e "Bregut", ku vanë e çfarë bënë, që nuk paskërkan luftuar?
-Po ç'ke more shoku shef që nxehesh! Ta tregon vëllai ty. Asnjë luftë nuk bëmë, as në Mesaplik, ku vetëm shkrehëm ca pushkë, lamë pas ca të gjorë, që i mori plumbi, ndërsa të tjerët u fshehën, ikën nga sytë këmbët, shkuan thellë në male, medemek për të ruajtur forcat, ngaqë nuk kishin fishekë. Atje ku vanë, për hir të së vërtetës, populli i atire fshatrave i priti sa më mirë s'bënet: hëngrën e pinë nëpër fshatarët që ishin me partinë dhe lanë ballistët të coptoneshin me hasmin. Po ama atire u thanë që tërë luftën që gjëmonte, e bënim, na, medemek partizanët, dhe jo ballistët, sikundër thuhej apo pandehte njerëzia. Dhe budallenjtë e gjorë besonin. Se çdo të bënin tjatër, kur flisnin e mburreshin të tërë shokët me një gojë, duke treguar trimëritë e shoshoqit dhe të tiret.
Se po të kishin bërë luftë, sikundër themi e këndojmë tani, i bie që të keshnë luftuar edhe babai me xhaxhanë. Dhe po të ish kështu, unë nuk rrija pa ta thënë, vetëm e vetëm që të lëvdohesha ndopakogjë, por nuk dua të të gënjej, dhe nuk më ka hije të të lëvdonem kot së koti, ty, që të kam mik, e që po ta hap zëmrën.
Se ne i lëvdohemi atire që nuk e dinë, po jo njëri-tjatrit, se nuk kemi çfarë t'i themi, veç në gënjefshim veten.
Pastaja na e nxorri namin keqaz ai tradhëtari, Xhelal Staravecka, që ish me ne, komandant batalioni në Brigadë të parë... Se kur pa ai, që ne nuk bënim asnjë luftë kundër hasmit, por vetëm bënim pllane për të vrarë ballistët dhe zogistët, domethënë vetëm shqiptarët, dhe kur pa me sytë e tija se si i torturonte Dushani shqiptarët e gjorë, për t'u mësuar tanëve se si bëneshin torturat mbi ballistët dhe zogistët, iku nga Brigada dhe u bashkua me ballistët, të cilëve u dëfteu tërë bëmat dhe pllanet tona. Dhe pastaj ballistët dhe zogistët na telendisën, me gojën e atij tradhëtarit, dhe na akuzuan botërisht. Ja kështu është e vërteta, pavarësisht se ne ua mbyllëm gojën me plumb dhe dajak tërë njerëzisë dhe nxorëm këngë për vete, medemek për luftën që kishim bërë kundër hasmit.
Nga të tërë tanët, vetëm ai i çmënduri i çetës së "Bregut" luftonte, ai Zaho Koka. Luftonte më kokën e tija, prandaj edhe ia gjetën shokët anën dhe e hoqnë qafe, se i diskretitoi të tërë, ngaqë nuk pranonin të luftonin. I telendiste me fjalë, kurse ata i përgjigjeshin se duheshin ruajtur forcat dhe fishekët, për një ditë të zezë, që do të vinte shpejt, e kur do t'u jepnin dërrmën ballistëve, zogistëve dhe tradhëtarëve...
Vijon në numrin e ardhshëm
Intervista
Intervistë me z.Astrit Kola, kryeredaktor i gazetës "Atdheu" dhe zëdhënës i PLL (4)
Astrit KOLA: Albtelekomi duhet t'u mbetet shqiptarëve
(Vijon nga numri i kaluar)
Ju folët për mungesë të kontrollit të territorit nga shteti aktual, duke cituar një analist të njohur! Çfarë mendoni për këtë problem, të cilin e nënvizuat me shqetësim?
Një nga tiparet dhe atributet funksionale të një shteti të vërtetë, është kontrolli mbi territorin, çka ndryshe përkthehet: sovranitet dhe pushtet i plotë i shtetit dhe institucioneve të tij mbi territorin ku shtrihen. Fatkeqësisht, ky kontroll i ka munguar shtetit shqiptar pas vitit 1990. Natyrisht që ky handikap nuk mund të imagjinohej në diktaturë, sepse ajo ka si parim kryesor kontrollin e plotë mbi njerëzit që lëvizin mbi territor, dhe rrjedhimisht edhe mbi territorin. Por kontrolli mbi territorin, është dhe duhet të jetë prerogativë e padiskutueshme edhe e shtetit demokratik, sepse demokracia është sistem shoqëror vlerash, që ngrihet dhe kulmon mbi themelet e shtetit dhe mishërohet në veprimtarinë funksionale e frymën ligjore të vetë institucioneve të shtetit dhe mbi shoqërinë që e ka ideuar e ngritur këtë sistem vlerash, që ka ideuar dhe hartuar kuadrin ligjor mbi të cilin ndërtohen dhe fuksionojnë institucionet shtetërore. Nga kjo rezulton se anarkia, sidomos në lëvizjen e lirë të njerëzve dhe veprimtarinë e tyre ekonomike, nuk ka lidhje me demokracinë, pra me njohjen, garantimin ligjor dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të anëtarëve të shoqërisë. Çdo tendencë për të përqasur arbitrarisht këto koncepte, është marrëzi politike, sepse apologjetëve dhe propagandistëve të këtij absurdi, do t'u thyheshin hundët me uzurpimin e pronave personale, madje deri edhe shtëpive - në emër të lëvizjes së lirë - dhe atëherë do ta shihnim se si do të reagonin! Këtu e kam fjalën për mbrojtësit e uzurpatorëve në kurriz të pronarëve të ligjshëm. Sepse edhe qoftëlargu, nuk guxoi t'i zhdukte tapitë dhe dokumentacionin arkivor të pronave, që i trashëgoi nga qeverisjet paraardhëse, ndërkohë që ishte aq i plotfuqishëm sa të përvetësonte florinjtë dhe më pas të çontë në botën tjetër pronarët legjitimë..., por kurrë nuk guxoi të tjetërsonte totalisht pronat e patundshme, sidomos tokën. Toka nuk mund të tjetërsohet me ligje në emër të shumicës, apo në favor të të tretëve, përveçse për nevoja madhore të shoqërisë. Dhe vullneti i "shumicës", pra edhe i uzurpatorëve, nuk përbën argument "demokratik" për të vepruar në dëm të "pakicës-pronare e ligjshme", sepse e drejta e pronës së ligjshme është universale, pra edhe në favor të "pakicës".
Grabitja e pronës nuk ka lidhje me "demokracinë", që, pikësëpari, është sistem qeverisjeje dhe vlerash që garanton të drejtat e pakicës përballë atyre që përbëjnë shumicën, e që mund të kenë edhe pushtetin! Dhe sa më të garantuara të jenë të drejtat e pakicës në një shoqëri, aq më e lartë është shkalla e demokracisë që ajo ka ndërtuar.
Mësimi më i madh i historisë së përbotshme, është konkluzioni se të gjitha luftërat, gjatë gjithë kohërave, janë bërë për grabitje me dhunë të pronave dhe pasurive të të tjerëve, kryesisht të tokës, që është pasuria më e madhe dhe e përjetshme në këtë planet, deri në ditën e "apokalipsit".
Sot, kushdo dhe pa kurrfarë ngurrimi, uzurpon pronën e më të dobëtit, apo atë publike, dhe pastaj turremi ta legalizojmë, apo t'ia shembim..., ose edhe ia falim "gabimin", nëse lyen dhe vajis qerren!!!
A e kuptoni sa qesharake është mbetja akoma tek planet urbanistike të Adil Çarçanit, dhe tek modeli: ndërto e shemb, sipas "nevojave publike", apo faktit nëse ke marrë leje nga të pushtetshmit, apo jo?!!
Meqë ra fjala, cili është mendimi juaj për qëndrimin ndaj ndërtimeve të paligjshme, në sensin e riparimit të pasojave të moskontrollit të plotë mbi territorin?
Unë kam koncept tjetër për këtë problem, pra për prishjen e ndërtimeve pa leje, sidomos nga uzurpatorët që janë kryetrimat që e bëjnë këtë, duke shfrytëzuar dobësitë e shtetit. Unë jam që shteti të shembë edhe ndërtime pa leje të pronarëve legjitimë në pronën e tyre, nëse këto pengojnë zbatimin e projekteve të rëndësishme me interes publik, e jo më për ndërtime pa leje të uzurpatorëve, nëse ato pengojnë dhe dëmtojnë interesat publike. Por këtu mendoj se duhet të jemi prudentë dhe të kemi parasysh edhe një problem madhor: shkatërrimin në vazhdimësi të pronës publike dhe investimeve të qytetarëve, që, me mendjelehtësi, kapërcejnë apo injorojnë ligjin dhe shenjtërinë e pronës ku ndërtojnë, qoftë ajo private apo shtetërore. Dhe kjo sepse, që nga 1991 e deri më sot, vendi ka njohur rrebeshe vandalizmash që kanë shkatërruar një pjesë të madhe të mundit dhe djersës së shqiptarëve... Kujtojmë këtu Valën e parë, rrebeshin e shkatërrimeve të vitit 1991, me pretekstin e shkatërrimit të "bazës ekonomike të socializmit - pronës shoqërore, shtetërore e kooperativiste mbi mjetet e prodhimit". Pasoja ishte barbari e vërtetë, e ngjashme me pushtimet. E tillë barbari, nga analet e historisë, kujtohet vetëm gjatë shkatërrimeve të turqve gjatë shtypjes së kryengritjeve të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit; të pragluftës ballkanike; disa vjet më vonë të austriakëve gjatë LPB, (ku gjithçka u rrafshua me tokën, deri edhe pemët); apo gjatë LDB, lokalisht, gjatë operacioneve ndëshkimore të pushtuesve nazi-fashistë, pa harruar këtu edhe shkatërrimin e pasurisë së shtetit shqiptar nga vetë shqiptarët kur kapitulloi Italia, si dhe në rastet kur shteti komunist rrafshoi pronat dhe shtëpitë e "armiqve të pushtetit popullor".
Gjatë periudhës 1991-1995, erdhi Vala e dytë e barbarisë, shkaktuar nga "pronarët e rinj", në kuadër të privatizimeve të objekteve për një copë bukë! Këta shkatërruan pothuajse gjithçka, vetëm e vetëm për të marrë e shitur tullat, si dhe për të liruar, përdorur e shitur trojet e huaja, me vlerë të madhe, sipas skemës qeveritare: përparësi privatizimit duke penguar procesin e kthimit të pronave - kjo në favor të klientelës së pushtetit të kohës dhe komunistëve që paguanin nën dorë e korruptonin nëpunësit e shtetit demokratik, çka në shumicë realizoi privatizimet në favor të të majtëve, duke e shitur pushtetin ekonomik tek ata që, më vonë, sponsorizuan rebelimin dhe blenë demokomunistë të shumtë, që sot na ngatërrohen nëpër këmbë.
Më pas mbërriti Vala e tretë kriminale e fondacioneve huamarrëse, të drejtuara nga komunistë-aleatë të PS, që përpinë pothuajse të gjitha kursimet e mendjelehtëve që guxuan..., bash para syve të shtetit.
Paskëtaj, gjatë vitit 1997, mbërriti Vala e katërt e barbarëve, që dogjën e shkatërruan pothuajse gjithë institucionet shtetërore, pronën publike dhe një pjesë të madhe të pronës private.
Pastaj, me ndërrimin e pushteteve dhe me sebepin e luftës kundër kioskave, filloi Vala e pestë e shkatërrimit të objekteve e pasurive, pavarësisht ku dhe mbi tokën e kujt ishin ngritur, por me dallimin që klientela e pushtetit u shpërblye me troje e leje ndërtimi, në kurriz të pronës publike, sikundër veproi Bashkia e Tiranës duke dhënë leje për uzurpimin e Parkut të Liqenit artificial, për rikuperimin e "dëmeve" të klientëve politikë.
Vala e gjashtë filloi pas rrokadës së pushteteve të 3 korrikut, e që po vazhdon me planin për të prishur afro 3 mijë ndërtime pa leje në të gjithë Shqipërinë.
Fatkeqësisht, të gjitha këto valë barbarie, kanë bërë gjëmën nën hundët dhe sqetullat e pushteteve politike. Këto "tsuname" (ndërtim-shkatërrimet e pronës së shqiptarëve), sipas specialistëve, kanë shkaktuar dëme prej 400-500 milionë $ secila, përfshirë këtu edhe piramidat, ku nga totali prej 1.3 miliardë $, afro 500 milionë janë zhdukur përfundimisht, ndërkohë që diferenca është rishpërndarë, drejt ose padrejtësisht, por nuk është zhdukur.
Fatura e plotë e kësaj marrëzie, në radhë të parë politike, kap shifrën afro 3 miliardë $ dëme ndaj pasurisë së shqiptarëve. Dhe të vazhdosh këtë marrëzi, do të thotë të veprosh me ndërgjegje kundër vendit tënd, e në shërbim të armiqve tanë.
Vazhdimi i rrënimeve në emër të "ndëshkimit të paligjshmërisë", nga shteti i sotëm demokratik, është krijimi i psikozës se demokracia di vetëm të shkatërrojë pasuritë e shqiptarëve, ngaqë është e paaftë t'i menaxhojë ato, bashkë me iniciativën e lirë, investimet dhe kursimet e qytetarëve, për shkak të pamundësisë së vendosjes së kontrollit mbi territorin dhe edukimit të shtetasve me frymën e ligjit. Kjo psikozë sjell një dëm kolosal dhe i ndih akuzës së armiqve tanë se "shqiptarët nuk dijnë të bëjnë shtet".
Cili mendoni se është mekanizmi i minimizimit të këtyre dëmeve në të ardhmen, derisa të sigurohet kontrolli i plotë i shtetit mbi territorin?
Për të minimizuar efektet rrënuese të valës së fundme, para shkatërrimit të pritshëm, mendoj se shteti mund të përdorë çdëmtimin financiar, pra Politikën e Gjobave, si ndëshkim ligjor për paligjshmërinë. Sepse politika e gjobave dhe çdëmtimit financiar për dëmet apo kundravajtjet ligjore, është praktika më e njohur, sot e gjithë ditën, edhe në botën perëndimore. I tillë është edhe prekaucioni, domethënë lehtësimi i penalizimit apo mosprivimi i lirisë me burg, në shkëmbim të garancisë pasurore të pakthyeshme. Thënë ndryshe, përvoja e çdëmtimit financiar të shtetit apo të të tretëve, nëpërmjet Politikës së Gjobave, është masa më efikase që mbledh rripat dhe minimizon makutërinë apo dhunimin arbitrar të pronës së të tjerëve.
Pra përveçse në rastet kur ndërtimet pa leje dëmtojnë planet urbanistike e me rëndësi publike në perspektivë, mendoj se ato nuk duhen prishur. Shteti, në këtë rast, lipset të aplikojë gjoba të mëdha e të ekzekutueshme, deri në vlerën e gjysmës së kostos reale të ndërtimit të objektit. Ndërsa si kundërvleftë, në rastin e uzurpimit të pronës private, uzurpuesi duhet t'i çdëmtojë pronarit dyfishin e vlerës së truallit, përllogaritur sipas çmimeve të tregut, gjithmonë nëse ky i fundit e pranon këtë kompromis.
Nëse do të veprohej kështu, nuk besoj se do të mbeteshin më trima që do të hidhnin paratë ku t'u tekej!
Shteti aktual nuk mund të përdorë dy standarde në raport me paligjshmërinë në zënien me ndërtime të pronës private e asaj publike: njërin që e toleron nëpërmjet legalizimit, sikundër po ideohet, dhe tjetrin standard, që shoqërohet me prishje të ndërtimeve pa leje!!
Ndërsa në rastet kur ndërtimi i paligjshëm, vërtetohet se është ngritur me para të krimit, shteti duhet ta shtetëzojë atë e më pas t'ia kalojë në pronësi, si kompensim dhe dëmshpërblim pasuror, pronarëve të ligjshëm, të pakompensuar ende.
Në rastet që përmendëm më lart, sidomos në bregdet, kurrsesi nuk duhet bërë shkatërrimi i ndërtimeve me pretekstin e mungesës së lejes së ndërtimit, sepse askush nuk mund të na thotë se ku qëndron ndryshimi i "ligjshmërisë" midis një ndërtimi të bërë me leje korruptive apo benefici abuziv me klientelën politike të pushtetit në një vend krejt të papërshtatshëm e që pengon planet perspektive, dhe një ndërtimi tjetër, "pa leje", ndërtuar në një vend të përshtatshëm, pavarësisht pronësisë! Ndryshe do të na dalë si në Durrës, Sarandë e Golem, kur pas prishjes si të "paligjshme", të ndërtimeve të të padëshirueshmëve të pushtetit socialist të kohës, në të njëjtin vend u dhanë leje për ngritjen e ndërtimeve të Natasha e Spartak Paço-Poçit dhe klientelës socialiste.
Apo thënë ndryshe, çfarë dallimi kanë ndërtimet e 80 socave, ndaj atyre të 320 "demokratikasve" (gjithsej afro 400 të tilla), ligjëruar me lejet e ndërtimit që, dy javë para përfundimit të mandatit, firmosi e shpërndau "falas" Miri Hoti i Bashkisë së Durrësit, në këmbim të shitjes së votave për mandatin e pasardhësit të shquar Lefter Koka? Mos më thoni se socialistët nuk i blenë votat e të shiturve të PD në tetor 2003, në Durrës, teksa dy vjet më vonë, PS i humbi 6 mandatet në këtë rreth! Veç në paçin parashutuar alienë pëdëistë nga qielli në Durrësin-bastion të PD, më 3 korrik. Shifrat dhe realitetet elektorale të pas '90-ës në Durrës, aty janë, sikurse edhe vendimet e Mir-socit.
Edhe Fatos Nanos iu ligjërua ndërtimi i "Taivani"-t nga konsensusi i përkryer i këshilltarëve demokratikas e atyre socialistë në Bashkinë e Tiranës, para një viti, duke ligjëruar kësisoj riuzurpimin e një trualli publik, "çlirimin" e të cilit nga kioskat, socat e trumbetuan si fitore madhore disa vjet më parë!!!
Po kështu mund të flasim edhe për ndërtimet pa leje, të shembura nga pronari i Sarandës Fatos Nano, para dhe pas 3 korrikut, apo ato të ndërtuara me lejen e gjokëve e gjikëve të Sarandës dhe Vlorës, pa harruar këtu Kakomenë!
Instrumenti që i vë kapakun batërdisë së uzurpimit të pronave private e publike me ndërtime, me apo pa leje, dhe që mundëson kompensimin e pronarëve të ligjshëm, është verifikimi i ndërtimeve dhe i burimit të investimeve në të gjithë vendin, sipas Ligjit Anti-Mafia, çka do t'ua linte barrën e provës së vërtetimit të burimit të ndershëm, bash rojeve e shërbëtorëve "pronarë", që hanë në darkë bukë me çaj, e që për 15 vjet veçse kanë lypur copa buke.
Sipas jush, cila do të ishte mënyra më efikase e zgjedhjes së drejtuesve dhe titullarëve në universitete?
Sikurse e kam theksuar edhe në intervistat e kaluara, "pushteti pedagogjiko-shkencor" ka qenë mekanizmi më i urryer i instrumentalizimit dhe politizimit për interesa partiake, të sistemit arsimor në përgjithësi, dhe atij universitar në veçanti. I gjithë enturazhi aktual i patriarkëve të Arsimit në Shqipëri, është pjellë dhe emërtesë e politikës, kryesisht asaj kom-socialiste, që me anë të këtij sistemi, uzurpoi dhe siguroi shkollimin, punësimin dhe më pas vazhdimësinë e pushtetit të etër-bijve, si dhe privilegjet financiare e gjithfarë të tillash, që vinin nga pushteti arsimor. Kjo ishte edhe arsyeja e "miratimit" me shpejtësi, në prag të dorëzimit të çelësave të pushtetit, të dy universiteteve në Durrës e Berat, pa kurrfarë infrastrukture dhe fondesh buxhetore të planifikuara më parë. Kësisoj edhe soc-llapushët e rënë nga pushteti punësoheshin, edhe qeverisë së re i ngrihej "lak-litari i Nastradinit" nëpër këmbë, që të thyente qafën sa më parë, bash në "varreza".
Unë jam plotësisht i bindur se të gjithë drejtuesit e katedrave, dekanateve e rektorateve të sotëm, janë emëruar nga Nano, Ruçi dhe polit-byroja e PS, me sugjerim nga lart dhe "vullnet nga poshtë", nëpërmjet zgjedhjeve "demokratike".
Gjatë diktaturës, trupa pedagogjike universitare ishte totalisht e ngritur mbi baza krahinore e politike, prej nga vinte edhe kasta e PPSH, dhe, për inerci, ky nepotizëm krahinor e politik u trashëgua edhe pas '90-ës, duke arritur abisin pas qershorit 1997.
Pa dashur të hyj më thellë në brendësi të synimeve, parimeve dhe kritereve të reformës së grupit të punës për reformimin e Akademisë dhe Arsimit të Lartë, për çka mendoj se pasqyra e z.Berisha referuar instituteve të A.SH, organigramës së tyre, punës shkencore dhe fondeve, është ngjethëse dhe domethënëse, mendoj se në krye të dekanateve dhe fakulteteve, qeveria dhe ministria e Arsimit duhet të emërojnë titullarët, si garanci për kryerjen e reformave planifikuara, që do të mundësonin firmosjen dhe jetësimin e Kartës së Bolonjës. Unë jam i bindur se reformat në A.SH dhe universitete, janë dhe duhet të jenë thellësisht politike. Dhe s'ka si të jetë ndryshe, përderisa janë jetësimi në praktikë i politikave shkencore dhe arsimore të një qeverisjeje politike, produkt i votës politike, në mbështetje të partive politike të maxhorancës së sotme. Sepse reformat të tilla janë, politike. Sepse nuk ka dhe nuk mund të ekzistojnë reforma totale sistemore, që të mos jenë produkt i politikave, që burojnë nga programe politike të votuara e të mishëruara gjithashtu në programe qeverisëse tërësisht politike. Dhe këtu nuk hyn fare "Autonomia" e shumëpërfolur, e cila nga vetë kuptimi, nuk është pavarësi e plotë, dhe s'mund të jetë e tillë, përderisa paratë i paguan qeveria politike, që menaxhon paratë e taksapaguesve-zgjedhës politikë.
Referuar zgjedhjeve të titullarëve drejtues në universitete, mendoj se ata nuk duhen zgjedhur bazuar në titujt shkencorë, por në aftësitë organizative dhe përkushtimin për reformimin e thellë të arsimit universitar. Dhe në këtë drejtim, sërish, kurrfarë autonomie, qoftë edhe ajo me targë perëndimore, nuk mund të qëndrojë në këmbë përballë vullnetit politik të maxhorancës, që mishëron dhe përfaqëson mbështetjen e shumicës së zgjedhësve!!!
Unë edhe sot e gjithë ditën, nuk arrij të kuptoj e perceptoj se çfarë principesh dhe idealesh të larta mund ta shtyjnë një shkencëtar, pedagog vizionar atdhetar, për të kandiduar për postin e dekanit apo rektorit, përveçse përfitimeve të pista apo të dyshimta financiare, si në keq-menaxhimin e fondeve, e për çka aq shumë përflitet, ashtu edhe në shitjen e paturpshme të tezave e testeve të provimit, apo shtesave të të drejtave të studimit, që akordohen nga dikasteri!!!
Unë jam i bindur se jashtë këtyre interesave kriminale, asnjë pedagog, autor tekstesh, e që i ka të shenjta dijet shkencore dhe pasionin për mësim-dhënien, nuk do të pranonte të bënte menaxherin, duke u shkëputur nga studentët dhe veprimtaria akademiko-shkencore e drejtpërdrejtë, në këmbim të postit të një menaxheri që ngjan rëndom me një drejtor që merret edhe me pastruesit. Dhe për këtë, kam bindje të plotë e të palëkundur.
Për ta ilustruar, do të sillja shembullin e një drejtuesi të lartë në një universitet unikal të Tiranës, mik i Fatos Nanos dhe beniamin i PS, i cili pasi dha eksterierat e universitetit që drejton, për lokale në bashkëpronësi me Kacangjelin dhe soc-kastristët, arriti të shndërrojë në Pub-privat edhe interierin e shkollës, ambiente këto ku shullëhen, drogohen e vilen nga xhepat, studentët që largohen nga mësimi, pasi pedagogët e kësaj "shkolle autoritetesh" takohen me ta një herë në Shën-Llesh.
Jeni shprehur se universiteti ynë po shkatërrohet. Cili mendoni se është mekanizmi më efikas për ringjalljen e arsimit tonë dhe arritjen e standardeve që kërkon nënshkrimi Kartës së Bolonjës?
Ashtu sikundër edhe PLL ka deklaruar e sugjeruar, lipset reformimi rrënjësor i përmbajtjes së teksteve shkollore. Dhe masa më e mirë për arritjen e këtij qëllimi, është hartimi me shpejtësi i teksteve alternative, çka do t'i jepte fund pushtetit të pakufizuar të autorëve dhe teksteve të hartuar nga sharlatanët kom-socë, që kanë uzurpuar katedrat dhe shkollat tona.
Gjithashtu, në thellim të praktikës së liçensimit të shkollave private, me shpejtësi, qeveria dhe Ministria e Arsimit, mendoj se duhet të liberalizojnë regjimin e liçencave për hapjen e fakulteteve privatë alternativë, pas paraqitjes, shqyrtimit të imtësishëm të programeve dhe pedagog-kandidatëve për jetësimin e tyre, qofshin këta pedagogë aktualë, të tjerë jashtë fakulteteve, apo të pensionuar. Sepse vetëm kështu, nëpërmjet konkurrencës, mund të shpartallohet Mafia socialiste që ka uzurpuar Arsimin tonë, dhe mund të përmirësohet me shpejtësi cilësia skandaloze e programeve, e dijeve, e mësim-dhënies dhe diplomave, pasoja këto të një pushteti kriminal dhe klientelës së tij politike, tashmë të shembura më 3 korrik. Për këtë, mundësisht brenda këtij viti kalendarik, pra qysh në shtator, pas shqyrtimit të programeve dhe trupës pedagogjike alternative, qeveria lipset të stimulojë me ambiente, kredi të buta e afatgjata, ngritjen e shpejtë të fakulteteve alternative, krahas kontrollit të tarifave e të normës së fitimit të tyre, si masa e vetme për garantimin total të mundësisë së shkollimit universitar të të gjithë maturantëve e të të privuarve nga kjo e drejtë ndër vite, apo ndjekjes së fakulteteve të dyta për intelektualët që dëshirojnë të ndjekin të tillë.
Stimulim financiar shteti duhet të sigurojë edhe për autorët e teksteve alternativë, gjithmonë pas ballafaqimit dhe kontrollit për cilësinë, me bindjen e plotë se bash mësuesit dhe pedagogët më të ndershëm, janë ata që e kanë kokën plot dhe janë të aftë të hartojnë tekste bashkëkohore, çka deri më tash nuk e kanë bërë ngaqë janë të varfër dhe pengohen nga pushtetet me anë të të cilave klanet pseudo-shkencore me prapavijë politike, kanë uzurpuar shkollat dhe arsimin shqiptar të të gjitha niveleve.
Gjithashtu, me prioritet, qeveria dhe ministria e Arsimit, mendoj se duhet të shohin edhe liberalizimin e rrjetit shkollor të ciklit të ulët e 8-vjeçar, në këmbim të cilësisë dhe tarifave të përballueshme nga familjet e nxënësve, në të gjithë vendin.
Për sa më sipër, kam shpresë se ky liberalizim do të ndihmohet e konceptohet drejt nga kryeministri, personalisht, si ish pedagog i apasionuar, duke garantuar kësisoj suksesin e njërës nga reformat, të cilën qeveria mund ta ideojë e përballojë. Një reformë e tillë, jo vetëm që do ta ndryshonte përmbajtjen dhe cilësinë e arsimit tonë, por do të ishte shpëtimtare.
Pavarësisht zërave dhe komenteve të shumtë për reformat e domosdoshme në administratë, cili është mendimi juaj konkret në këtë drejtim?
Reforma në administratë është jetike për fatet e shqiptarëve dhe suksesin e kësaj qeverisjeje. Asnjë qaravitje ndërkombëtare e kombëtare e kom-socave, asnjë "Status Nëpunësi Civil" dhe asnjë komision i politbyrosë së PS për të shkurtuarit nga puna, nuk mund dhe nuk duhet ta ndalojë atë.
Gjatë 8 viteve të pushtimit socialist të vendit, banda e kriminelëve e shkatërroi administratën duke e mbushur me banditë rebelimi, e deri tek vrasës bashkëqytetarësh dhe deputetësh që i bënin aksionet vrastare duke mobilizuar komisariate të tërë dhe institucione të shtetit. Megjithatë, krimi më i rëndë i tyre nuk ishte largimi i kundërshtarëve politikë, por korruptimi total i administratës me shkeje të rënda ligjore dhe përfitime materiale, madje deri tek pastruesit dhe sportelistët, që kërkonin rryshfete. Dokumentet-prova aty janë, le të shfrytëzohen ato dhe do të shohësh se, në shkëmbim të penalizimit për abuzime ligjore e financiare me postin zyrtar, të gjithë të korruptuarit do të paraqitnin vullnetarisht dorëheqjen, duke e liruar shtetin edhe nga barra e pagimit të një vit rroge. Dhe këtu nuk kam parasysh vetëm përfituesit e vërtetë nga grabitja e fondeve nën administrim, por edhe ata frikacakë, që mund të mos e kenë ngjyer gishtin apo ndyer ndërgjegjen, por që mundësuan me firmat e tyre grabitjet e shefave, në kundërshtim me ligjet, sidomos atë për administrimin e vlerave materiale e monetare, që edhe sot e kësaj dite mbetet një nga ligjet më të mira, e që diktatura e kish nxjerrë për të shmangur abuzimet që shkatërronin pushtet-shtetin e saj, çka ishte e drejtë ekskluzive vetëm e kupolës dhe hierarkisë së lartë partiako-shtetërore.
Kom-socat tanë nuk kanë përse ankohen për largimet nga puna të afro 2 mijë nëpunësve nga 120 mijë gjithsej, teksa pas 29 qershorit 1997 e spastruan administratën nga të paktët kundërshtarë politikë (sepse në shumicë ishin ata që mbetën në punë pas nenit 24/1, që demokomunistët e miratuan si Atu të "luftës dhe diferencimit politik", por që në fakt e përdorën kundër demokratëve dhe jo kundër socave të takëmit të tyre. Për këtë mjafton të kontrollohen dhe ballafaqohen borderotë, dhe do të shihet se pas 29 qershorit 1997, vetëm 20 % e administratës u rinovua, të tjerët ishin dhe mbetën, madje që nga koha e Tao Taos dhe Tos Nanos.
Socat nuk mund ta mohojnë faktin që, pasi i përdorën për të bërë rebelimin, banditët e tyre, me apo pa uniformë, i punësuan masivisht në ministrinë e Rendit dhe të Mbrojtjes. Madje në këtë dikaster, 99 oficerë-rebelë u emëruan bash në hierarkinë madhore të Ushtrisë, dhe që të gjithë ishin me përkatësi krahinore nga Zona e Parë Operative Vlorë-Gjirokastër. Këta dhe të tjerë, pasi shkelën betimin ushtarak, shkatërruan ushtrinë dhe dogjën atdheun, sot protestojnë për rroga e pensione, që mendojnë se u takojnë si shpërblim i gjakut dhe këtyre mënxyrave. Por të gjithë jemi dëshmitarë të faktit që bash këta, në emër të "reformës!!!", pas triumfit të rebelimit, për arsye "përkatësie politike", flakën nga puna 1500 oficerë të specializuar e trajnuar nga NATO dhe ushtritë e vendeve të kësaj aleance. Për këto të vërteta ka shkruar shtypi opozitar i kohës, madje bash gazetarë të opozitës me përkatësi krahinore nga "Zona e Parë", të cilët i njihnin mirë zjarrvënësit dhe shkatërruesit-bashkëkrahinarë të shtetit dhe ushtrisë, gjatë viteve 1997-1999. Asokohe, këta ushtarakë të përzënë nga Ushtria, krijuan edhe një shoqatë, protestuan, denoncuan publikisht zjarrvënësit hierarkë të "Ushtrisë së re", por pa dobi. Sot, haxhilerët dhe qatipët sërish protestojnë, sepse duan pensione të larta për meritat në shkatërrimin e Ushtrisë, më '97-ën dhe më pas, e të cilën e kanë katandisur zi e më zi.
Edhe ndokush që mund të ketë shpëtuar pa u ndotur nga administrata e kom-socave, të jeni të sigurt se është krejtësisht i paaftë profesionalisht dhe bashkëfajtor në dështimin e madh që shoqëroi barbarinë e shkatërrimit të shtetit gjatë pushtimit socialist.
Thjesht rasti i inxhinierit atdhetar Xhevahir Ngjeqari, i cili i vetëm, ka arritur të poshtërojë dhe të nxjerrë zgupthi një bandë të tërë të paaftësh të tubuar në ministrinë e Transporteve nga soc-poçat, mjafton për të argumentuar domosdoshmërinë e reformës së thellë për largimin e të paaftëve nga administrata. Kjo bandë jo vetëm që nuk trembet e turpërohet nga dështimi përballë Ngjeqarit, por vazhdon të vegjetojë dhe të hakmerret kundër atyre që po e diskretitojnë, ngaqë askujt nuk i bie ndërmend se ata duhen nxjerrë me shkelma nga zyrat që kanë uzurpuar. I njëjti takëm të paaftësh, prej vitesh të tëra pengon liçencimin e biznesmenëve që duan të investojnë për rivënien në punë të hidrocentraleve të vegjël ekzistues, apo që duan të ndërtojnë të rinj, çka do të zbuste krizën tonë energjitike dhe humbjet në rrjet, që vijnë për shkak të transmetimit në distancë nga burimi...
Të paaftët pengojnë sepse nuk dinë të bëjnë tjetër, dhe sepse duan para, si rryshfet. Madje edhe kur denoncohen, arrijnë të justifikohen e mbrohen se gjoja ngurrojnë, ngaqë po përgatisin një ligj të ri për koncensionet!!! Por ky justifikim nuk vlen, përderisa ata që paguan, e morëm liçencën, pavarësisht se preteksti i draftit mund të vlente edhe për ta, dhe se, në shumivën e rasteve, kërkesat për liçensim i kishin paraqitur më vonë se kokëfortët që nuk pranojnë të japin rryshfet.
Specialistë të shquar e të ndershëm, më kanë pohuar se këto banda të paaftësh, që në kohën e komunizmit bridhnin botën, si të përkëdhelurit e pushtetit, në këmbim të privilegjeve dhe posteve ku emëroheshin, u molloisnin gjepura, në terma të huaj, kolegëve, sekretarëve të partisë dhe drejtorëve injorantë. Ky takëm jo vetm që nuk guxoi ta dëshmonte aftësinë në kushtet e ekonomisë së tregut, por pasi u pajis me të gjithë teserat e mundshme të partive në pushtet, me thonj e me dhëmbë mbeti në administratë, gjatë gjithë rotacioneve të paspluralizmit. Sot këta obskurë, janë pronarë të projekteve të mëdha që i kanë grabitur nëpër institutet e studimeve dhe projektimeve, duke na dhënë shembullin më të shëmtuar të grabitjes së pronësisë intelektuale dhe të hierarkimit të sharlatanizmit me ndihmën e politikës.
Janë pikërisht ky takëm kriminelësh me diploma, që sot, me po këto projekte të grabitura e të hartuara nga studiues që sot ndoshta vuajnë për bukën e gojës, i zhvat shtetit shuma përrallore për "studime fizibiliteti dhe projekte investimesh publike".
Kjo bandë duhet penalizuar, dhe jo më të ngurrohet për ta flakur nga administrata.
Ky takëm, mjafton të merret në provë për ta dëshmuar paaftësinë, nisur edhe nga logjika elementare se dështimi "qeverisës" dhe shkatërrimi i shtetit e institucioneve, nuk kanë kurrfarë lidhjeje me aftësitë profesionale dhe përkushtimin ndaj detyrës. E kundërta është paradoksale.
PLL është shprehur publikisht dhe ka kërkuar reformë rrënjësore në KESH! Cili ështe mendimi juaj personal!
Si bashkëpjestar i vizionit dhe mendimit politik të PLL dhe lidershipit të saj, edhe unë ndaj të njëjtin mendim.
Në përgjigje të pyetjes suaj, më lejoni të bëj një retrospektivë për KESH-in gjatë viteve të tranzicionit.
Në kohë të Çarçanit dhe Harilla Papajorgjit, Komisioni i Planit të Shtetit dhe diktatura, të varnin për llape nëse KESH planifikonte tejkalim të normës prej 23 % të humbjeve teknike dhe joteknike në rrjet. Dhe kjo nuk ishte demagogji e planifikimit socialist, por përvojë konkrete, në vazhdimësi. Ndërsa pas vitit 1990, takëmi i hajdutëve me koperturë politike, guxoi të planifikonte humbje mbi 50 %, duke arritur në "realizime" faktike deri në 72 % humbje në rrjet, nxjerrë ky si indeks i pranuar e i justifikuar paturpësisht, si dhe tërthorazi, nëpërmjet arkëtimeve që justifikonin vetëm 28 % të prodhimit total të elektronenergjisë nga H/C-et dhe termocentalet. Dhe kjo sepse hajdutët e KESH filluan të merrnin rrushfete në këmbim të mosfaturimit të energjisë së harxhuar nga konsumatorët privatë-pronarë të linjave të prodhimit.
Për të përligjur këtë situatë skandaloze, justifikimi u gjet në "rritjen e humbjeve faktike për shkak të amortizimit të linjave të tensionit të mesëm e atij të lartë", përçka u planifikuan dhe u realizuan investime rinovuese në shuma të mëdha, por pa sukses.
Pas vitit 1997, e njëjta bandë e kom-socëve të KESH u mbajt në punë për të vazhduar skemën e vjedhjeve, tashmë në favor të "bizneseve socialiste" dhe qeveritarëve të rinj, të cilët u shndërruan në pronarë të vërtetë të KESH, por gjithsesi duke fshehur kuotat e prodhimit dhe duke ulur pakëz (në kufijtë 42-50 %), humbjet e planifikuara e faktike në rrjet.
Por socat ndoqën edhe një skemë tjetër për të vjedhur nëpërmjet KESH, ndonëse indirekt. Ata planifikuan fonde kolosale për gjoja rinovim të rrjetit ekzistues dhe investime të reja për ngritjen e nënstacioneve, prej nga grabisnin pjesën e luanit. Pas "reformës" së çmimeve të elektroenergjisë dhe ngritjes së tyre arbitrare e në kuota marramendëse në krahasim me koston, ata arritën ta nxjerrin KESH-in edhe me fitim, ndërkohë që vlera e arkëtimeve nga konsumatorët familjarë, u katërfishua.
Vjedhjet dhe dështimet tyre në menaxhim ishin aq të mëdha, saqë për të rregulluar gjoja menaxhimin e KESH-it dhe për ta "ngritur atë në standarde bashkëkohore", në vitin 2002 pajtuan edhe Enel-in italian, në emër të të cilit grabitën 7 milionë $, që gjoja ia paguan kësaj kompanie, e cila dështoi totalisht dhe me turp.
Pikërisht për të diskretituar këto praktika abuzive, ish deputeti krutan i PD, inxhinieri i talentuar Dilaver Qesja, pasi i shkatërroi në media keqmenaxhuesit hajdutë të KESH, në një interpelancë parlamentare diskretitoi edhe kryehajdutin Nano, teksa llomotiste gjepurat që i kishin shkruar ndihmësit injorantë. Kaq ngushtë u zu Nano-dështaku, sa u detyrua të replikonte me akuza për gjoja paaftësi të z.Qesja në punën e tij si inxhinier i filialit elektrik në Krujë, çka shkaktoi ilaritet në sallën e Kuvendit.
Thelbi i replikës së z.Qesja konsistonte në argumentimin se investimi prej 150 milionë euro i planifikuar nga qeveria për gjoja rritjen e prodhimit nëpërmjet ndërtimit të parkut energjitik të Vlorës me kredi të BB, ishte aspak rentabël dhe se, nëse ky investim kolosal do të përdorej për ngritjen e nënstacioneve dhe rinovimin sipas parametrave bashkëkohorë të rrjetit të tensionit të mesëm e atij të lartë, atëherë humbjet teknike dhe joteknike në rrjet do të zbrisnin në kufij minimalë, çka e konvertuar në vlerë monetare do të ishte ku e ku më fitimprurëse financiarisht, në raport me skemën e qeverisë dhe, njëkohësisht, do të shërbente si ndërhyrje shpëtimtare për normalizimin e parametrave teknikë të rrjetit tonë energjitik.
Këtë konkluzion të z.Qesja ma kanë mbështetur ustallarë të energjitikës shqiptare, të cilët vlerësuan lart dijet dhe aftësitë e tij. Mendimi i tij profesional, në atë interpelancë u hodh poshtë nga maxhoranca varrmihëse me në krye varrmihësin më të talentuar Nano, por z.Qesja triumfoi teksa zhvleftësoi dhe ridikulizoi edhe batutat bajate të hazër-xhevapit pijanec dhe llapush-sejmenëve të tij, që popullonin stafin kryeministror, qeverinë dhe parlamentin që shkoi.
Kam menduar se z.Qesja do të ishte sërish deputet, apo të paktën drejtuesi kryesor i KESH pas 3 korrikut, por fatkeqësisht kjo nuk ngjau!!
Për fatin e zi të shqiptarëve, gjatë pushtimit socialist u planifikuan në buxhet dhe u lëvruan afro 1 miliardë euro për blerje energjie, "investime kapitale (përfshirë edhe nënstacione të reja)" e "rinovime" të rrjetit, për të cilat nuk kam as dyshimin më të vogël se, gjysma e fondeve të akorduara, u vodh. Por fatkeqësisht, sërish jemi aty ku ishim dhe, me gjasë, do të dergjemi ende në errësirën për të cilën kontributi i kom-socave është vendimtar, e për çka mbetet vetëm të dekorohen, përderisa edhe në fund të mandatit, ata jo vetëm që guxuan të bëjnë rrush e kumbulla plot 150 milionë euro, por edhe kur, pasi grabitën me mënyra të kamufluara 50 milionë euro në arkën e KESH, përsëri nuk u hyri gjemb në këmbë.
Por përderisa reformën në KESH ka mbetur ta bëjë takëmi i Demir Agastrës, (ish drejtori devolli i KESH-it të Tiranës), për të cilin Harasan-"gëlqerja e pashuar" u ankua publikisht se e kishin transferuar në "internim", në Has, mirë të na bëhet, se e meritojmë errësirën.
Këtij debili që erdhi nga Devolli me një gjel plaçka, para do vitesh, për meritat e shquara, ata që e emëruan, le t'i vënë kuzhineta edhe vilës së tij 5-katëshe, të ndërtuar në Selitë me paratë e "djersës" që i rrodhi "çurkë" gjatë drejtorllëk-errësirës së kryeqytetit ndër 5 vite, sepse është "gjynah".
Të tillë si Demkë-devolliu ka sa të duash në KESH. Ndoshta këtë takëm ka patur parasysh edhe devolliu tjetër, Agolli...
Tani duan të na i ngrenë sërish çmimet e elektro-energjisë, pa marrë parasysh koston reale të prodhimit, që është jo më shumë se 20 lekë të vjetra për kilovator. Dhe kësaj nuk i thonë reformë çmimesh, por Anti-reformë, sepse reformat e vërteta e të studiuara, shoqërohen me ulje të çmimeve e tarifave, për shkak të rritjes së efikasitetit në menaxhim, dhe jo e kundërta. Por në Shqipëri ndodhin paradokse, sepse jemi unikalë...
Duke marrë shkas edhe nga një analizë e juaja, cila mendoni se do të ishte konkretisht rruga e përmirësimit të situatës në KESH?
Si gazetar, gjithmonë i kam ballafaquar me specialistë, idetë që gjallojnë në shtypin tonë, e që, për turp të atyre që bëjnë ekspertin në organet qeverisëse dhe mbushin xhepat me para e suksese, teksa vazhdojmë rrokullimën drejt "nadir-it" në klasifikimet botërore, këto ide vazhdojnë të injorohen e anashkalohen, çka më kujton shprehjen "po vure prapanicën të gatuajë, s'ka nevojë për menu, sepse dihet gjella që do të hash...".
Duke e përmbledhur informacionin, më konkludon se, nëse KESH-i ynë do të hartonte strategji të sakta për konjeksionin e rrjetit tonë me atë të KEK-ut të Kosovës, jo vetëm që nuk do të njihnim më kriza, por valuta e importeve për 2 miliardë kilovatorë nevoja vjetore, do të arkëtohej nga vëllezërit tanë, që nuk janë Jushçenko-sllavi i Ukrainës, për të na lënë në terr, e as kompanitë ballkanase e më gjerë, që ta masin kokën me pe, duke na shitur energji me çmime shumë më të larta se ato të bursës së Londrës!
KEK i Kosovës ka kapacitete të instaluara që mundësojnë prodhimin e 11 miliardë kilovatorëve në vit, ndërkohë që nevojat vjetore të konsumit të brendshëm atje, janë vetëm 4 miliardë. Pra rezervat në kapacitetet prodhuese, janë 7 miliardë. Pavarësisht se reformimi i njimendtë teknik e strukturor i KEK-ut të Kosovës është penguar hatashëm nga paaftësia e sharlatanëve të emëruar nga UNMIK, tashmë, pas pavarësimit të Kosovës shqiptare, kjo korporatë do të arrijë ta marrë veten e të kapë kuotat e dikurshme të prodhimit, jo shumë të largëta, por bash të kohës kur sundonte Sllobo dhe administrata serbe.
Natyrshëm që kolonizatorët serbë do të merrnin maksimumin e fitimeve nga shfrytëzimi i resurseve të Kosovës, pra edhe nga KEK, kuotat e prodhimit të të cilit para vitit 1999, dëshmonin edhe aftësitë profesionale të shkëlqyera të inxhinierëve shqiptarë, por njëkohësisht ato vërtetuan indirekt edhe kapacitetet teknike e të prodhimit që mund të arrihen me lehtësi edhe sot. Mirëpo UNMIK-u, që nuk ka dëshmuar kurrfarë ndjeshmërie dhe përgjegjësie në qeverisjen e vendeve ku është instaluar dhe ka drejtuar, fakt ky tashmë i njohur botërisht, jo vetëm që nuk mundi të rrisë kuotat e prodhimit të elektro-energjisë nga Tec-et e Kosovës, por arriti t'i lërë në errësirë edhe vëllezërit shqiptarë të përtej kufijve administrativë, (për të mos na ndarë në errësirën tonë), aqsa në mënyrën më perfekte, një qytetar shqiptar e cilësoi këtë realitet me fjalët: "Qyshse 'struja' u ba rrymë, kena metë n'errsinë, pa drita. E tash na duhet me thirrë prap shkjaun, me na ndriçue...".
Duke perifrazuar mendjendriturin Arbër Xhaferri, do të thoja me plot gojën se ka ardhur koha të integrojmë tregun komplementar mbarëshqiptar në hapësirën ballkanike, për të mbijetuar dhe mundësuar më pas integrimin e shumëdëshiruar në BE, para së cilës duhet të shkojmë të integruar ndër vedi, më parë...
Këto që them, meritojnë të thuhen me piskamë, që të hyjnë në veshët e pushtetarëve...
Kur të tjerët thonë gjepura, përse ne që mendojmë ndryshe, nuk paskemi të drejtë ta themi mendimin tonë?! Hajt të ulemi dhe t'i lëmë mënjanë monologjet dhe fjalimet programatike në mbledhjet e punës.
Përse vallë pushtetarët e lartë paskërkan të drejtë të na përsërisin, nga viti në vit, fjalimet e shkarrashkruesve që mbajnë për ekspertë, ekspertiza dhe profesionalizmi i të cilëve na ka katandisur këtu ku jemi, në vend të fundit dhe me shpresa të bjerruna! Ka ardhur koha që gjërat të thirren me emrin e tyre.
Më lart jeni shprehur kalimthi edhe për agroturizmin! A mund ta konkretizoni mendimin tuaj për zhvillimin e këtij sektori?
Koncepti "agroturizëm" nënkupton tërësinë funksionale të dy sektorëve prioritarë për ekonominë tonë. Por nëse për turizmin ekziston një frymë dhe konceptim nxitës, nisur edhe nga interesat të drejtpërdrejta të politikanëve-pronarë të trojeve dhe ndërtimeve turistike në bregdet, për bujqësinë askush nuk po e vë ujin në zjarr.
Nisur nga ideja e "komplementaritetit ekonomik të faktorit shqiptar", që citova më lart nga z.Xhaferri, më rezulton se nacionalizmi ekonomik i shqiptarëve, pavarësisht kushteve mizerabël që ofron turizmi ynë, do të mbetet shpëtimtar për gjallërimin e turizmit tonë bregdetar (jo atij malor, të cilit nuk i ka ardhur koha, ende). Por nëse vëllezërit tanë përtej kufijve, kanë vendosur të frekuentojnë bregdetin (për të cilin armiqtë serbë ndërmorën disa pushtime gjatë shekullit të kaluar), politikanëve dhe nëpunësve tanë të "varfër", do t'u sugjeroja miqësisht që të mos dëftejnë se kanë aq para sa të frekuentojnë plazhet e huaja, e ku shpenzimet që bëjnë ua nxjerrin zbuluar "ndershmërinë", duke dëshmuar edhe mungesë atdhetarie, si dhe frikë për zbulimin e harxhimeve prej sheikësh.
Për turizmin, do të thoja se ka ardhur koha që, pjesë integrale e zhvillimit të tij, duhet të bëhen edhe pronarët legjitimë shqiptarë, qoftë kur zotërojnë prona në bregdet, ashtu edhe në sensin e kompensimit me të tilla, për të mos ua dhënë këto mundësi vetëm paçove, poçëve, finove, pustinëve, carapulëve e nanove të ish pusht-shtetit, apo klientelës së tyre politike, deri edhe të huajve që kanë gardhuar bregdetin tonë, takëme klienteliste këto, që janë shpërblyer me qindra hektarë për gjoja fshatra turistike, në pronë private dhe shtetërore. Ndoshta ka ardhur koha që drejtuesit e Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, të thirren e të japin llogari, se ç'kanë bërë për të justifikuar pagën dhe punësimin në një organizëm të ngritur me sugjerimin e ndërkombëtarëve, afro 6 vjet me vonesë, në përmbushje të detyrimit kushtetues lidhur me pronat, si dhe atij moral e administrativ, lidhur me kërkesat e bashkësisë ndërkombëtare dhe personalisht të z.Priebe, bash në prag të përmbylljes zyrtare të negociatave për Asociim-stabilizmin në BE.
Ndërsa lidhur me bujqësinë, do të theksoja se e kam ndjerë vehten keq, teksa kam dëgjuar ministrin e Bujqësisë të shprehet se, "në muajin mars" ky dikaster do të "shpalosë platformën e punës" për këtë sektor jetik. Dhe kjo sepse nuk arrij të kuptoj se çfarë kanë bërë këta politikanë gjatë 8 vjetëve në opozitë dhe gjatë 8 muajve në pushtet, që akoma nuk paskërkan mundur të hartojnë dhe shpalosin masterpalanet e zhvillimit perspektiv të bujqësisë shqiptare!!!
Duke qenë plotësisht i mendimit se duhen denoncuar abuzimet dhe klientelizmi politik me grantin japonez dhënë për fermerët shqiptarë, me çka për muaj të tërë është marrë dikasteri i Bujqësisë, apo me investimet për rrjetin drenazhues e kullues për parandalimin e përmbytjeve, deri tek shembja e ndërtimeve vërtet penguese mbi kolektorë..., akoma nuk është bërë e qartë, me statistika, se çfarë nivelesh të prodhimit vendas trashëgoi kjo qeveri, dhe cilat janë objektivat, në shifra e afate, nga dikasteri aktual i Bujqësisë.
Ndërkohë që Sokrati i Komitetit Shtetëror për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, dha alarmin në Kuvend për mungesë totale të fondit të tokës së lirë për kompensimin e pronarëve, çfarë do të thoshte ministria e Bujqësisë për 140 mijë hektarë tokë të ish NB-ve, me të cilat, dikur, është shpërblyer padrejtësisht klientela politike e pushteteve, sa kohë që ministria e Bujqësisë ka qenë dhe mbetet dikasteri i ngarkuar ligjërisht për ndjekjen dhe realizimin e "reformës së tokës" konform Ligjit 7501?
Çfarë projektesh ka ky dikaster për rishikimin e marrëveshjeve të Tregtisë së lirë me vendet e rajonit, marrëveshje këto krejtësisht me leverdi të njëanshme, që kanë penalizuar e asfiksuar përfundimisht prodhimin tonë të brendshëm bujqësor? Çfarë draftesh po harton ajo për miratim në qeveri e Kuvend, për zgjidhjen e këtij problemi akut, për të cilin përfaqësuesit e agrobiznesit kanë ngritur shqetësimin e tyre të natyrshëm? Dhe nëse nuk ka të tilla, atëherë për çfarë vlejnë grantet në bujqësi, e përse u dashka bërë fushata e betejave me bajlozët e shpërdorimit korruptiv të këtyre granteve e kredive, sikurse edhe i famshmi subvencionim i çmimit të naftës për fermerët?
Çfarë projektesh ka ministria e Bujqësisë për rigjallërimin e prodhimit të duhanit dhe industrisë së prodhimit vendas të cigareve, teksa importojmë thuajse totalisht të gjithë duhanin që konsumojmë, ndërkohë që dikur eksportonim sasira të mëdha?! Çfarë mendohet nga ky dikaster për rikthimin tek tradita e vjetër e Belshit, Shtojit e Sheldisë, me duhane të cilësisë më të lartë, që dikur çanin me sukses tregjet botërore?
Çfarë projektesh ka ky dikaster për ngritjen dhe stimulimin e industrisë agro-ushqimore, teksa importet e huaja në këtë lëmë thithin afro 200 milionë euro në vit, ndërkohë që tradita jonë ka qenë e shkëlqyer, madje para vitit 1990, shteti eksportonte sasi të mëdha të produkteve të kësaj industrie, ku veçanërisht shquhej duhani?
Çfarë projektesh ka ky dikaster për rritjen e numrit të krerëve në të imta e gjedh, ndërkohë që, megjithëse popullsia e vendit është dyfishuar, akoma kemi arritur vetëm 25 % të numrit të krerëve të bagëtive në krahasim me vitin 1960?!
Çfarë projektesh ka ky dikaster për stimulimin e fermerëve për kultivimin e bimëve medicinale dhe etero-vajore, të cilat dikur na siguronin të ardhura të mëdha nga eksporti? Dhe së fundmi, a do të bëjë ndonjëherë vlerësime krahasuese ky dikaster, të kuotave të prodhimit bujqësor të kohës së merhumit, me ato të sotmet? Sepse do të ishte fatale dhe diskretituese për demokracinë, që kuotat e prodhimit të kohës së diktaturës, të jenë shumë më të ulta se ato aktualet. Sepse kështu njerëzit do t'i lëshonin rahmet qoftëlargut, dhe sepse inferioriteti në këtë drejtim, do të ishte pohim indirekt i supremacisë së sistemit komunist në ekonomi, duke poshtëruar kësisoj kapitalizmin, si sistemi i begatimit dhe prosperitetit ekonomik e shpirtëror të shoqërisë!!!
Po lidhur me pyjet dhe gjendjen e tyre aktuale, cili është opinioni juaj?
Një nga krimet më të mëdha kundër vendit dhe ardhmërisë së tij, pas vitit 1990, është shkatërrimi barbar dhe prerja pa kriter e pyjeve.
Para vitit 1990, megjithëse ngrohja e popullatës bëhej duke përdorur dru zjarri, dhe megjithëse industria e nxjerrjes së mineraleve konsumonte sasi kolosale lënde drusore, përfshirë këtu edhe industrinë e ndërtimit, që kryesisht përdorte lëndë drusore për dyer e dritare, në vend të përdorimit masiv aktual të duraluminit, gjendja e pyjeve ishte e shkëlqyer. Më pas filloi katastrofa, që u stimulua nga ndjenja e fitimit të privatëve në kurriz të kësaj prone publike, nga korrupsioni i zyrtarëve që çoi deri në miratimin e ligjit kriminal që lejonte eksportin me çmime qesharake të lëndës drusore, gjysëm të përpunuar, ligj që vazhdon të veprojë edhe sot.
Por pas vitit 1997, pushtuesit socialistë e shkatërruan totalisht këtë pasuri të madhe të shqiptarëve, çka për pasojë dhe si qëllim në vetvete, kjo u shoqërua edhe me shkatërrimin e ekosistemeve, erozionin masiv dhe nivelin e lartë të ndotjes për shkak të shkatërrimit të "mushkërive të gjelbëra". Çuditërisht, bash për këto merita, edhe tash, pas 8 muajve të ndërrimit të pushtetit politik, nuk u gjend asnjë demokratikas për të zëvendësuar drejtorin e Përgjithshëm aktual të Pyjeve në ministrinë e Bujqësisë, mikun e Nanos dhe anëtarin e KPD-së socialiste, Kolë Malajn!!!
Kjo simbiozë e demokomunistëve me kom-socat, më shpjegon skandalin e dikurshëm të vitit 1995, (pasojë e mendësisë së të njejtit takëm qeveritarësh të babëzitur, pavarësisht nga ngjyrat politike), kur kërkohej me çdo kusht firmosja e një marrëveshjeje koncesionare e tipit të "Trenit elektrik Durrës-Rinas", me kredinë tregtare prej 15 milionë $ nga BERZH dhe BEI, (të marrë përsipër nga shteti shqiptar!!!), vetëm e vetëm që një kompani ndërkombëtare me emrin "Snajder", e specializuar për shfrytëzimin dhe përpunimin e lëndës drusore, të merrte të drejtën e koncensionit për shfrytëzimin e pyjeve tanë, në afate të stërzgjatura. Vetëm këmbëngulja e specialistëve të ndershëm e anulloi këtë projekt varrmihës të pyjeve tona, pasi u shpjegua mungesa totale e rentabilitetit dhe e mosplotësimit të kushteve minimale për punonjësit shqiptarë, sidomos pas argumentimit të grabitjes së dyfishtë të pyjeve dhe humbjes financiare të shkaktuar nga pagimi në kohë të shkurtër të principalit dhe interesave tepër të larta, ndërkohë që përfituesit do të ishin kompania e huaj dhe të korruptuarit tanë.
Megjithë këtë anullim fatlum, shkatërrimi i pyjeve nuk u parandalua, teksa privatët shqiptarë shesin për 5 aspra, lëndë drusore në Itali e gjetkë, duke na shkatërruar pyjet.
Shembulli i anullimit të koncensionit të mësipërm, më kujton përgjegjshmërinë e qeverisjeve të të madhit Ahmet Zogu, i cili për të mos pranuar marrëveshje koncesionare me kushte të disfavorshme për shtetin shqiptar, (sëbashku me parlamentin që i shqyrtoi ato në maratonën afro 4 vjeçare), zvarritën nënshkrimin e marrëveshjeve koncesionare me gjigantët botërorë të naftës, sikundër Anglo-Persian Oil-company dhe Standard Oil-company, gjatë periudhës 1922-1926, pavarësisht presionit dhe interesave politike, që vinin nga jashtë Shqipërisë. Po të tilla, pra vetëm me kushte të favorshme për shtetin shqiptar, pas shqyrtimit të kujdesshëm e të zgjatur në kohë, Mbreti Zog dhe paralamenti i kohës, miratuan dhe dekretuan marrëveshjet koncesionare me SVEA-n e AIPA-n, gjithmonë duke patur në qendër të vëmendjes interesat e shtetit dhe shqiptarëve, dhe jo ato personale.
Në përfundim të retrospektivës së mësipërme, theksoj bindjen e kolauduar edhe në konsultat me specialistë të shquar të kësaj fushe, se vetëm anullimi i liçencimit të shfrytëzimit të pyjeve nga privatët, amendimi i ligjit për pyjet me masa të ashpra për kundravajtjet dhe shfrytëzimi racional e i kontrolluar vetëm për dru zjarri, për një periudhë gati 20 vjeçare, mund të rikuperojë dëmet kolosale dhe gjendjen aktuale të pyjeve tona. Në të kundërt, kjo pasuri e madhe kombëtare, erozioni rrënues, shkatërrimi i ekosistemeve dhe "mushkërive të gjelbërta", do të jenë të pakthyeshme.
Eshtë krijuar përshtypja se kapitulli i fajdeve dhe kompensimi, qoftë edhe në masën 11 %, i deklaruar dikur, tashmë janë mbyllur dhe kursimet e shqiptarëve kanë humbur përfundimisht! Cili është mendimi juaj për këtë problem?
Problemi i Fajdeve dhe i të ashtuquajturave Piramida, është misteri dhe njëkohësisht treguesi më sintetik i poshtërimit që klasa politike i ka bërë shqiptarëve. Dhe kur mendon se fajdetë e piramidat shërbyen si "shkaqe" dhe pretekste të rrënimit dhe pragluftës civile të '97-ës, atëherë indirekt bëhet e qartë se zbardhja e Fajdeve, që u përdorën politikisht për shkatërrimin e Shqiptarisë, ishte dhe duhet të mbetet një prioritet madhor i maxhorancës së sotme në pushtet, e cila edhe u fajësua e u përmbys me dhunë e gjak nga rebelimi. Shembulli më domethënës i vetëfajësimit të kom-socave për fajdetë, ishte emërimi i 100 drejtuesve më të lartë të fondacioneve mashtruese, në detyra të rëndësishme shtetërore pas 29 qershorit 1997. Pra, në vend që t'i penalizonte "të emëruarit e Berishës në krye të fajdeve-(sipas Gjino-ushit)", maxhoranca e pas-rebelimit i emëroi ata në detyra të larta, në këmbim të kontributeve...
I vetmi përjashtim, madje unikal, ishte mos-emërimi i kryebanditit të Jugut, gjeneral Xhevat Koçisë, që bëri edhe shef-grumbulluesin e parave, edhe drejtuesin e turmave të "grabitura nga PD", edhe kapobandën e rebelimit të armatosur. Mesa duket, do të ketë qenë dëshira e këtij "luftëtari" për t'i shtyrë ditët në limonti e pasuri, pas luftës "heroike".
Unë jam i bindur se kapitulli i rebelimit është mbyllur plotësisht, por nuk duhet mbyllur ai i grabitjes së parave dhe shkatërrimit të kompanive rentiere e investuese, sidomos pas fillimit të auditimit nga "Deloitte&touch", kur këto kompani e pranuan funksionimin e mëtejmë si shoqëri aksionere me pjesëmarrjen dhe kontrollin e qytetarëve-aksionerë. Dhe kjo bindje më buron nga fakti se askush, pra as kompania menaxhuese dhe e auditimit "Deloitte&touch", nuk e zbardhën gjendjen e tyre financiare, rentabilitetin dhe kapacitetet drejtuese e menaxhuese, për çka më vonë kjo kompani pohoi presionet politike të Nano-qeverisë, në këmbim të 6 milionë $ që mori për "ekspertizën".
Kurrë nuk e kam besuar se komisionet parlamentare, pra ato të ngritura nga parlamenti si tempulli i demokracisë, nuk janë gjë tjetër veçse komisione për mbylljen e pusetave që kutërbojnë, sepse ky do të ishte fillimi i diskretitimit publik të parlamentarizmit-sintezë e demokracisë aq të ëndërruar. Por ja që kështu ndodhi.
Për t'i ndihur sadopak zbardhjes së këtij krimi makabër, do të citoja vetëm disa shifra tronditëse, që të kuptohen përmasat e kësaj grabitjeje gjigante të parave të shqiptarëve. Konkretisht, askush nuk sqaroi se cilët ishin grabitësit e shumës prej 130 milionë $ të VEFA-s, që u tërhoqën me urdhër të Malajt, Finos, Nanos e Ruçit, nga sportelet e Bankës Kombëtare Tregtare, ndërkohë që dokumentat janë aty!? Cilët janë përfituesit e blerjes për pesë kacidhe të aseteve të piramidave, a janë hipotekuar ato, në emër të kujt dhe çfarë mendon të bëjë qeveria aktuale në këtë drejtim!? Cila është e vërteta e 100 milionë $ të transferuara e të verifikuara në njërën nga bankat svicerane, në pronësi të VEFA-s, riatdhesimi i të cilave është refuzuar nga pala svicerane me argumentin absurd se, si para të vëna me anë të krimit, ato sekuestrohen!!? Cila është e vërteta, çfarë di dhe çfarë kanë bërë Prokuroria e Përgjithshme dhe qeveria aktuale, lidhur me kalimin e paligjshëm dhe fshehjen e 150 milionë $ të kompanive në Greqi, nga sekser-trafikanti Vavilis, ndërkohë që ky është kapur dhe sëshpejti po ekstradohet nga Italia për në Greqi!?
Qeveria aktuale duhet të fillojë sa më parë sqarimin e këtyre pikave të errëta, sepse askush me mend në kokë nuk do të guxonte të bënte shaka me probleme dhe shifra të tilla.
Askush të mos pandehë se shqiptarët kanë harruar, sikurse edhe të mendojë se maxhoranca e sotme, që gjithmonë ka deklaruar vetëm përgjegjësinë morale për lejimin e fajdeve, (duke ia lënë barrën e turpit dhe grabitjes socialistëve), sot të bëjë harraqin e të paditurin, teksa ka pushtetin dhe të gjitha instrumentat për t'i shkuar deri në fund këtij problemi.
Tingëllojnë gjepura pretendimet se "gabuam..., dhe e morëm reston nga votuesit...". Jo! Përgjegjësitë penale të rënda, nuk janë përgjegjësi politike! Ndryshe do të duhej të pohonim se ekziston një politikë penale diferencuese, e llojit të komunizmit, sipas së cilës politika, kurrë dhe asnjëherë, nuk mund të penalizohet!!! Por jo, nuk mund të jetë kurrsesi kështu, sepse këtë absurd e përgënjeshtron praktika demokratike botërore, dhe njëkohësisht ky pohim do të zhvleftësonte totalisht "luftën kundër korrupsionit", përderisa askush nga politikanët nuk do të penalizohej për grabitjen e 1.3 miliardë $!!! Atëherë shtrohet pyetja: kur penalizohet një politikan dhe ç'vlerë kanë akuzat nominale për korrupsionin e socialistëve, nëse harrohet grabitja e parave të fajdeve?
Unë akoma nuk e kuptoj përse nuk e kanë emëruar Fahrudin Arapin në ndonjë post të lartë, për kontribute madhore dhe aftësi të rralla profesionale? Athua vallë t'i ketë ditur shkaqet e vërteta të paprekshmërisë së Fahrudinit, ish kryeministri Fatos Nano, i cili, kur Arapi iu ankua se e sulmojnë politikanët dhe mediat, nga të gjitha anët, i tha publikisht në festën e PS më 10 qershor 2004, bash në ish vilën e shokut Enver: "Mos e çaj trapin Faro..., se s'kanë çfarë të të bëjnë..."?!
Ndoshta edhe Arapi, edhe Komisioni i tij, përbëjnë Top-sekret shtetëror!!!
Cili është mendimi juaj për përplasjet lidhur me të ashtuquajturat institucione të pavarura, kushtetuese, dhe a duhet që ato t'i nënshtrohen reformave?
Ne jemi vend i paradokseve, dhe ngatërrojmë kompetencat e Ekzekutivit, me gjoja luftën politike. Po ju sjell dy shembuj me kuptime të ndryshme, nga praktika amerikane, ku presidenti është njëkohëisht edhe kryeministër.
1-Pavarësisht fërkimeve dhe pretendimeve të ish shefit të CIA-s, Huverit, për "të dhëna kompromentuese në dëm të ish presidentit Xhon Kenedi", si dhe ndihmës politike të opozitës republikane, Huveri dha dorëheqjen sapo iu kërkua nga Shtëpia e Bardhë.
Arsyeja është e thjeshtë: posti nuk merret me tapi dhe as trashëgohet. Ndaj, kur dorëheqjen e kërkon eprori, je i detyruar ta japësh, pa një, pa dy. Aq më tepër kur eprori ka arsye mëse të mjaftueshme për të motivuar kërkesën për dorëheqje vullnetare.
2-Të gjithë e mbajmë mend rastin e skandalit "Levinski", kur prokurori Keneth Starr ngriti akuzën publike ndaj ish presidentit Klinton. Pavarësisht nga fakti se Klintoni nuk u hakmorr, pasi mbi të gjitha kishte ndjenjën e qytetarisë dhe përgjegjësisë për detyrën, prokurori Starr u shpreh publikisht se, nëse Presidenti (pra kryeministri i SHBA-ve), do t'ia kërkonte dorëheqjen pas përfundimit të procesit, ai do ta jepte atë "pa mëdyshje, dhe vetëm e vetëm për faktin se këtë ia kërkonte Presidenti, që është drejtuesi më i lartë dhe politikani më i votuar në Amerikë!".
Rastet e përmendura nuk kanë nevojë për koment. Por ky moral nuk vlen në Shqipëri, teksa askush nuk e njeh institucionin e dorëheqjes pas kërkesës së drejtuesve më të lartë të shtetit. Këta tanët kanë lindur shefa dhe drejtorë, dhe opozita ulëret për çimentimin e tyre në karriget që janë të shtetit, i cili ka titullarë dhe përgjegjës për postet publike me rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo nuk vlen për nivelet u ulta të administratës, por vetëm për nivelet e larta, qofshin ato edhe poste në krye të institucioneve kushtetuese.
Ishte Rexhep Mejdani ai që ia kërkoi dorëheqjen Nanos më 18 shtator 1998, dhe ky u detyrua ta pranonte kërkesën e kryetarit të shtetit, ndërkohë që në partinë-pronë të tij, as që kish menduar dhe as që do të denjonte ta jepte dorëheqjen, edhe nëse ia kërkonin.
Të gjithë nëpunësit duhet t'u binden lëvizjeve nga postet në zbatim të reformës, sidomos titullarët që nuk janë përfaqësues politikë të forcave politike në pushtet, por veçse të përzgjedhur e të propozuar nominalisht nga organi i emertesës, apo dekretuesi, qofshin këta edhe të miratuar nga parlamenti.
Opozita jonë, me ulërimat për mbrojtjen me çdo kusht të "institucioneve të pavarura", dekonspiron emërimet politike të klientelës së saj, sepse nëse këta titullarë nuk do të ishin të përzgjedhurit e saj, as që kish për ta vënë ujët në zjarr, e jo më të mobilizonte rrylat e fytit dhe mediat, duke shurdhuar edhe ndërkombëtarët.
Nëse këto institucione qënkërkan të "pavarura", prej nga varen ato dhe a mund të ketë pavarësi të shenjtë që nuk lejuaka as kontroll. Ndryshe ç'kuptim do të kishte parimi i njohur "check&ballance", nëse ato do të shpalleshin të paprekshme e të pakontrollueshme?!
Cili është komenti juaj për përplasjen Prokuror i Përgjithshëm - maxhorancë?
Unë nuk arrij ta kuptoj guximin e këtij njeriu që, në vend të dorëheqjes me vrap, hedh vickla, ndërkohë që meriton byzylykët për moskryerje me dashje të detyrës dhe shpërdorim të postit zyrtar! Mesa duket, ky njeri di shumë për këta politikanë të mallkuar dhe sa herë bën kakërdhi, shantazhon indirekt banditët me kollare, që ta mbrojnë ose të zbrapsen.
Ky njeri pretendon dhe deklaron paturpësisht se "në Prokurori nuk ekziston asnjë dosje për korrupsion të politikanëve...", por harron se në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Nero-tani, Divizioni 21 i Natalia Çea-s, Interpoli dhe Brukseli, kishin dërguar thasë me dosje korrupsioni e trafiqesh kriminale në Shqipëri, tek të gjitha institucionet e linjës. Madje vetë Nero-tani ka deklaruar publikisht se këto dosje implikonin politikanë të lartë të përfshirë në kontrabandë dhe trafiqe, dhe se për këtë arsye, në zbatim të detyrës e për të mos mbajtur përgjegjësi, ai ia kish plasur në derë Mejdanit thesin e dosjeve, dhe se, mesa ish informuar, Xhepi i presidencës ia paskësh faturuar ato Prokurorisë së Përgjithshme të Rakipit, të cilin e kish udhëzuar që t'u shkonte deri në fund problemeve!!! Ku janë tani këto dosje, mos vallë i ka zhdukur Rakipi? Zor ta ketë patur këtë guxim!!!
Sollaku e di mirë zhurmën që pasoi sulmet e Kacangjelit me shokë kundër Natalia Çea-s dhe Divizionit 21 të drejtuar prej saj, pas denoncimit publik nga ky institucion i Euro-doganave, të kontrabandës dhe trafiqeve, sikundër e di mirë se ato u përzunë me përdhunë dhe me para korruptive, që gjithsesi nuk arritën të pengojnë ardhjen e dosjeve të tjera nga Brukseli dhe Interpoli, që ndërprenë karrierën e "bletëve dhe papadhimëve" të soc-pusht-shtetit.
Po për vjedhjen e Thesarit të Kërrabës, a ka ndonjë mendim Prokurori i Përgjithshëm i vendit që ka pjellë skandalin më absurd të të gjithë kohërave. Dhe nëse s'ka ndonjë mendim, për çfarë rri në Prokurori, çfarë bën atje?! Por Sollaku e ka të vështirë të fshijë nga kujtesa e shqiptarëve tundjen nga Kacangjeli në KPD të dosjes së kuqe të vjedhjes së "Thesarit të Kërrabës", si përgjigje shantazhuese publike, ndaj akuzave të Nanos për Shkëmbin e Pëllumbave, e të tjera bëma të Naçit, Baçit&company!!!
Po për trafiqet kriminale, a ka ndonjë mendim ky njeri, dhe a e kanë shqetësuar deklaratat publike të trafikantit Blendi Mane, që pretendon për lidhje të zyrtarëve të lartë socialistë me trafikun e klandestinëve, të cilin ai e ka bërë vetë, e për të cilin ka mbushur faqe të tëra intervistash të dhëna në Shqipëri për mediat perëndimore, pasi ka bërë edhe një vit burg, gjatë të cilit ka patur punë vetëm me Prokurorinë e Sollakut?
A mund të mos quhet shpërdorim me dashje i detyrës prej tij, mosndjekja dhe moszbardhja e afro 400 vrasjeve në dy rrethe të Veriut gjatë periudhës 1997-2001, për të cilat nuk është zhvilluar asnjë proces gjyqësor, pra nuk është formuluar asnjë akuzë publike nga Prokuroria, ndërkohë që shteti ka paguar afro 1000 policë të dy komisariateve dhe mbi një duzinë prokurorësh vartës të Sollakut??
E përse paguhet e punon ky njeri, i cili nuk guxon të përgënjeshtrojë akuzën më ngjethëse të kryeministrit, i cili akuzon se organi që Sollaku drejton, pra Prokuroria, pretendon pa droje se është thjesht organi i formulimit të akuzës publike dhe jo edhe organ përgjegjës për hapjen e proceseve dhe ndjekjen penale!!! Ai e di ky farë juristi se Prokuroria është e detyruar të iniciojë hapjen e proceseve, sa herë që shikon shkelje të ligjit, madje t'u shkojë proceseve deri në fund? Përse bën të paditurin ky prokuror, kur Fatos Nano, pasi lëshoi akuza të rënda kundër ministrave socialistë të KPD, i kërkoi Prokurorisë së Përgjithshme që, "kryesisht", të merrte në konsideratë akuzat e tij si shef i maxhorancës dhe ish kryeministër, dhe të fillonte procedimin penal për të akuzuarit prej tij, deri edhe për lidhje miqësore me kriminelë të njohur e me precedentë penalë?
Ky njeri që, në emisionin "Opinion" të Fevziut, para dy vjetësh, shpalosi mediokritetin dhe papërgjegjshmërinë ekstreme, me një gjuhë profesionale prej bariu, mbeti në kujtesën e shikuesve për gafën më të pashmbullt, teksa deklaroi se shumë procese penale mbeten të pambyllura në Prokurori për shkak se ky organ nuk ka ekspertë kontabël dhe specialistë të ekonomisë për vërtetimin e korrupsionit dhe akuzave të KLSH, të cilat pothuajse i njoroi si të përgjithshme dhe jo konkrete (pra duke bërë ekspertin)!!! Por në atë emision, shijen më të hidhur e la anashkalimi nga Sollaku i pyetjes për vjedhjen e 1.2 milionë $ në "Albtelecom", nëpërmjet një tenderi me prokurim të drejtpërdrejtë, në favor të një firme fantazëm italiane për blerje kabllosh, pasuar nga lëvrimi i fondeve në xhepat e saj pa kurrfarë garancie. Gjithashtu Sollaku nuk bëri asgjë për hetimin e vjedhjes prej 9 milionë $, shkaktuar nga shkëmbimet, "kambizmi", gjatë 1 muaji prej "AlbTelecom" pa kurrfarë nevoje, bërë me urdhër të mikut të Nanos, Dhimitër Raftit grek, asokohe nëndrejtor i përgjithshëm i Telekomit, nëpërmjet ish Bankës Kombëtare Tregtare të menaxhuar nga një tjetër grek, me emrin Spiro, nën shembullit e grekut tjetër Dhimitër Gazhga, sipas së njëjtës skemë vjedhjeje, "kambizmit", (gjatë viteve 1988-1990, ku u zhdukën 340 milionë $ të shqiptarëve)!!?
Unë jam i bindur se Sollaku do të përfundojë me dështim dhe turp, sikundër paraardhësi i tij Rakipi, dhe shpresoj se Prokurori i Përgjithshëm pasues, nuk do të jetë "pinjoll i një familjeje të varfër, por të shquar...".
Meqenëse përmendët korrupsionin në Albtelecom, cili është komenti juaj për perspektivën e këtij gjiganti, sidomos pas gjasave të anullimit nga qeveria dhe parlamenti aktual, të marrëveshjes për privatizimin e tij nga kompania e shumëpërfolur "Calik"?
Tashmë është bërë i qartë menaxhimi i kësaj kompanie në mënyrën më kriminale të mundshme nga raftët-grekë të pushtuesve socialistë, sidomos në zbatim të marrëveshjeve të disfavorshme të interkonjeksionit me grekët e AMC dhe Vodafon dhe kompanive korruptive të miqve të Nanos, të liçencuara për gjoja menaxhimin privat të rrjetit rural të telefonisë fikse, ndonëse çuditërisht, as për këto mënxyra, kryeprokurori Sollaku nuk di dhe nuk ka dëgjuar gjë!!!
Tashmë të gjithë janë pajtuar me domosdoshmërinë e anullimit të këtij privatizimi korruptiv, në shifra qesharake, teksa në marrëveshjen e të cilit "Calik-energy" detyrohet që për 5 vjet të investojë vetëm 1 milionë euro dhe të mos përmbushë asnjë kusht për punojësit, pagat, apo krijimin dhe sigurimin e kushteve sociale të tyre.
Sipas kësaj marrëveshjeje, shifra e mbetur prej 100 milionë euro, pas marifeteve të Kacangjelit, shlyhet në dy këste, përkatësisht 40 dhe 60 milionë euro, ndër të cilat i pari shlyhet pas një vit shfrytëzimi, ndërsa tjetri 1-2 vjet pas këstit të parë.
Bazuar në fitimin real, dhe jo në atë korruptiv, i bie që shlyerja e çmimit të blerjes të bëhet falas, pra nga vetë fitimet në kohë të AlbTelecom-it, ndërsa më pas fitimi i marrë mbetet i pastër dhe shkon drejt e në xhepat e aksionerëve të vërtetë, që mendohet të jenë bash ata që e firmosën këtë marrëveshje të turpshme privatizimi.
Më habit mos'anullimi i menjëhershëm i këtij privatizimi, teksa "Calik" ka mashtruar se është ortak i "Turktelecom", ndërkohë që nuk ka paraqitur kurrfarë dokumentash për të vërtetuar këtë pretendim, çka përgënjeshtrohet edhe nga fakti se ky i fundit është privatizuar në masën 100 % nga një kompani gjigante libaneze, në shumën marramendëse prej 6.3 milionë euro.
Por qeveria gaboi rëndë dhe i hodhi vetes hije dyshimi, teksa shpalli tenderin për përzgjedhjen e ndonjë kompanie auditimi të huaj, "e specializuar në këtë fushë", e cila jo vetëm ka gjasa të na zhvasë miliona euro, si dikur "Deloitte&touch" e Benit, Baçit, Cacit dhe Tos-fahrudinit, por edhe të bjerë në ujdi me "Calik"-un për ta nxjerrë totalisht, ose pjesërisht, të rregullt këtë marrëveshje poshtëruese.
Po përse vallë qeveria nuk iu drejtua Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacioneve (IUT-International Union of Telecomunications), që është enti ku janë anëtarësuar kompanitë private e shtetërore të afro 30 vendeve më të mëdha të botës? Sepse vetëm në këtë rast do të shpresonim, pa dilema, në realizimin e një auditimi objektiv, të ndershëm dhe bindës, ndoshta edhe falas, dhe përgjigjia e të cilit do të vinte në një kohë rekord, për të na çliruar nga dyshimet tunduese, për të na hapur kësisoj sytë dhe perspektivat aq të dëshiruara?
Unë jam i bindur se ustallarët pranë qeverisë e dinë mirë këtë variant auditimi dhe e njohin reputacionin e shkëlqyer të IUT, por mendoj se shtyhen nga motive të errëta.
Personalisht jam kundër zhveshjes së shtetit nga ky aset fitimprurës, të cilit vetëm infrastruktura e shpërndarë në të gjithë territorin e vendit i kushton 1 miliardë euro, përveç tregut monopol të telefonisë fikse, klientelës gjithnjë në rritje dhe liçencës së operatorit të tretë celular, që Cac-greku dhe Raq-raft-greku kurrë nuk ia dhanë e lejuan të përdorej, për të mos konkurruar bashkatdhetarin Kokalis, pronar të AMC dhe Vodafon, që kanë vendosur tarifat oligopol për shqiptarët, ndër më të lartat në botë.
Padyshim që, në rastin më të keq, pra në atë të privatizimit të detyruar(!!??), rruga më e mirë për parandalimin e një poshtërimi pasues gjatë këtij procesi që duhet përsëritur, është privatizimi në favor të shqiptarëve, me pjesëmarrjen e qytetarëve të interesuar dhe biznesit të ndershëm, privatizim, që minimalisht duhet të kapë shifrën dyfish të të parit, e që është ofruar nga biznesmenët tanë. Por jam dhe do të mbetem që marrëveshja e privatizimit të parashikojë investime të mëdha dhe sigurimin e të adhurave fiskale minimalisht 50 milionë euro në vit në buxhetin e shtetit, ndryshe pasuria publike e shqiptarëve do të njihte grabitjen e radhës, me pasojë korruptimin më kriminal të pushtetit.
Shpresoj se ky gabim me pasoja të rënda do të evitohet, ngaqë askush nuk mund ta marrë aq lehtë guximin të justifikohet me padijen, që kurrë nuk ka qenë e nuk mund të jetë argument.
Cili është mendimi juaj për luftën pa kompromis dhe zero-tolerancën ndaj krimit, të shpallur si prioritet nga qeveria?
Në kuptimin që ne legalistët kemi për shtetin, ky qëndrim i qeverisë më duket i arsyeshëm dhe normal. Por nuk jam aspak entuziast për ndonjë fitore ndaj krimit në Shqipëri. Sepse duke parë prioritetin që i ka vënë vetes ministri i Brendshëm dhe dikasteri i tij - atë të "luftës pa kompromos kundër krimit të organizuar", në të cilin nënkuptohet kryesisht lufta kundër segmenteve shqiptare të trafikut ndërkombëtar të drogave, kuptohet fare qartë se, në fundore, përfituesit kryesorë do të jenë europianët, të cilëve nuk do t'u shkojë më drogë nga Shqipëria. Por sërish jam i bindur se ata nuk do të shpëtojnë nga droga, e cila do t'u hyjë nga kanale të tjera, joshqiptare, që do t'i promovojë shumë shpejt krimi i organizuar ndërkombëtar, për ta futur drogën në kontinentin e droguar. Ndërkohë, rinia shqiptare as që mendohet se mund dhe se do të shpëtojë vërtet nga droga, përkundrazi... Sepse kapot e trafikut do të kërkojnë të shtojnë konsumatorët brenda Shqipërisë, për të kompensuar kësisoj fitimet që janë mësuar të arrijnë nëpërmjet tranzitit dhe diferencës së çmimeve në rritje progresive gjatë segmenteve të trafikimit, deri në destinacionin europian.
Ne e dimë shumë mirë se droga na ka hyrë masivisht nëpër shkolla dhe se Blloku i Tiranës gëlon nga spaçatorët dhe përdoruesit, që i bëjnë karshillëk policisë dhe ligjit.
Nga ky këndvështrim më tingëllon qesharak iluzioni se po fitojmë mbi krimin e organizuar, me të cilin kryesisht kuptojmë trafiqet dhe trafikantët e të gjitha llojeve, ndërkohë që krimin e organizuar e kemi në politikë, administratë, biznes dhe në ekonominë tonë tejet informale. Ky është krimi i vërtetë i organizuar në Shqipëri, dhe jo vetëm për nivelin e lartë arsimor dhe profesional të kupolës, për koperturën-koracë të padepërtueshme teksa mbrohet nga politika dhe nga segmentet e administratës që merret me luftën ndaj tij, pra Rendi dhe Drejtësia, e që vajiset kaq fuqishëm nga biznesi kriminal, që pastron paratë e krimit në Shqipëri.
Një miku im, gazetar investigativ, më thoshte se vilat më luksoze në Tiranë dhe bregdet, janë pronë e shefave të antidrogës, drejtorëve dhe kryekomisarëve të Rendit, prokurorëve dhe gjyqtarëve tanë, që paratë i numërojnë me kile.
Në kuptimin e ngushtë të krimit, si armik i jetës së njeriut, rrezikun më të madh për jetët e shqiptarëve e paraqet krimi ordiner, vrasjet për motive banale, motive pronësie apo gjakmarrjeje, shtuar këtyre edhe vetvrasjet dhe vdekjet nga aksidentet apo nga pakujdesia në punë, si në ndërtim, KESH etj..
Nisur nga këto komponente që ushqejnë vdekjen e njerëzve tanë, më rezulton se bilanci i ardhshëm i jetëve të humbura për arsyet e mësipërme, nuk do të përmirësohet aspak në krahasim me kohën e pushtimit socialist. Dhe kësisoj, policisë së përkushtuar më shumë se kurrë, do t'i mbeten si trofe fitoresh dhe suksesesh, vetëm viktima, dosje dhe kriminelë!!! Sidomos këta të fundit, që pasi t'i kapë në këmbim të jetëve të humbura të policëve tanë të varfër, shteti ynë human do të përgatisë fët e fët grazhdet dhe stallat për t'i vënë këta monstra në majmëri, nëpër burgjet ku tashmë gjakësorët kanë mundësi të mësojnë edhe kompjuterin dhe të përdorin edhe internetin, që janë bash mjetet tona të punës, si gazetarë!
Pra, na rrofshin përgëzimet e Interpolit dhe PAMECA-s për "luftë pa kompromis kundër trafikut të drogave", apo konsideratat e zyrtarëve të Brukselit për "suksese...", ndërkohë që varrosim çdo ditë policë të vrarë, deri edhe foshnja...
Ndonëse nuk kam thënë as gjysmën e atyre që do të dëshiroja, ngaqë problemet dhe hallet tona janë të pafundme, ju lutem ta mbyllim këtë intervistë, që padashur na mbërriti tek engjëjt e masakruar..., për ta vazhduar në një kohë tjetër...
Ju faleminderit për intervistën!
Fund
Intervistoi: Zamir GJURGJI
___________________________
5 Shkurt 2006
___________________________
Legalistët kërkojnë një rezolutë parlamentare për dënimin e genocidit komunist
PLL: Komunizmi duhet dënuar si nazizmi
PLL i bën edhe njëherë apel opinionit kombëtar e ndërkombëtar, të angazhohen e të veprojnë në drejtim të dënimit pa asnjë mëdyshje të krimeve të regjimit komunist në Shqipëri, kurse fajtorët që janë të njohur me emër e mbiemër, të dalin para gjyqit, ashtu siç dolën nazistët në Nyrenberg
Editorial
Vendimi i mirëpritur i Mbretit
Nga Murat BASHA
Deklarata e fundme e Oborrit Mbretëror lidhur me vendimin e vazhdimit të aktivitetit politik të Mbretit Leka vetëm në funksion të çështjes dhe politikës kombëtare, ka intriguar mediat dhe lojën politike që po zhvillohet në gjirin e pretendentëve për "trashëgimtarë politikë të LZHK", bash kur është qartësuar për të disatën herë se kjo lëvizje e mbylli misionin e saj më 3 korrik 2005, në përputhje edhe me aktin e themelimit, që e përcaktonte atë thjesht si lëvizje elektorale qytetare. Por pas 3 korrikut, elementë me ndikim politik, që donin të sfumonin e asfiksonin PLL, vazhduan gjoja të elaborojnë dhe artikulojnë qëndrime politike në emër të LZHK, për t'u rifaktorizuar në skenën politike.
Mbreti Leka, kurrë nuk ka qenë, dhe për pasojë nuk mund të jetë, as sot e as në të ardhmen, palë me ndonjë forcë politike, ngaqë qëndron mbi palët dhe mbi partitë politike. Ndaj inicioi dhe udhëhoqi një front elektoral sikundër LZHK, me përbërje të formacioneve politike, shoqërisë civile, individëve të shquar të qytetarisë shqiptare dhe qytetarëve që mbështesnin një moral të ri politik, me karakter kombëtar, për forcimin e identitetit kombëtar. Dhe në LZHK, Mbreti Leka ishte dhe mbeti deri në fund, pra deri më 3 korrik 2005, udhëheqës shpirtëror që nuk kishte asnjë ambicje politike për deputet apo ministër, për shkak se qëndron mbi palët dhe politikën, si Mbret i ligjshëm, që nuk ka abdikuar nga froni, ngaqë edhe mohimi i të drejtës për Fronin Mbretëror i është bërë nga Kongresi i Përmetit, që është kongres thjesht i një partie politike (PKSH), nga 4 parti që zhvilluan veprimtari politike gjatë LDB, sikundër ishin edhe OKLL, "Balli Kombëtar" dhe Partia Fashiste Shqiptare.
NMT Mbreti Leka e ka deklaruar publikisht përfundimin e misionit të LZHK pas 3 korrikut, me ç'rast edhe PLL u shkëput nga formacioni zgjedhor i LZHK me vendimin e saj të datës 18 korrik 2005, dy javë pas zgjedhjeve, çka u përshëndet edhe nga vetë Mbreti, që mori pjesë në këtë takim, ku deklaroi se "Ne (Mbreti flet në shumës), gjithmonë e kemi vlerësuar veprimtarinë e Legalitetit për karakterin kombëtar dhe vendosmërinë për realizimin e objektivave të Statutit dhe Programit të PLL. Kjo vlen edhe për ditët e sotme dhe Ne ju përkrahim në vendimin që keni marrë", pra për shkëputjen nga LZHK, sipas marrëveshjes që legalizoi krijimin e LZHK si formacion elektoral.
Partitë që e kanë firmosur marrëveshjen e aderimit në LZHK para zgjedhjeve, si dhe detyrimin për të konkurruar në emër të saj janë PLL, Partia Konservatore e Armando Ruços dhe ish Partia Fshatare e Koçi Tahirit, pra asnjë parti tjetër, që mund të pretendojë se mban "tapitë" e inekzistentes LZHK.
NMT Mbreti Leka, pas 3 korrikut ka shprehur gjithashtu konsiderata të larta për PLL, në një intervistë ekskluzive për gazetën "Atdheu" të datës 25 shtator, në prag të Kongresit XVI të 8 tetorit, ku ka theksuar se "Legaliteti ka ecur shumë përpara që prej kohës kur drejtohej nga z.Gurollari dhe është fuqizuar shumë. Por fatkeqësisht, prej LZHK-së, në zgjedhjet e 3 korrikut ajo është dëmtuar...". Dhe kjo deklaratë përkthehet qartë se, pas zgjedhjeve, Mbreti ka përkrahur politikisht vetëm PLL, që është e vetmja parti që ka në program kthimin e Monarkisë, pra asnjë formacion tjetër politik, e aq më pak LZHK-në, për të cilën Mbreti mendon se e ka dëmtuar shumë partinë me të cilën ai ka lidhje shpirtërore, Legalitetin.
Në mbledhjen e Komitetit Drejtues të PLL të datës 18 korrik 2005, vetë Mbreti ka deklaruar se "Ne besojmë se shumë prej figurave që u angazhuan (në LZHK), do të vijnë për të vazhduar veprimtarinë në P.L.L...".
Ndërsa lidhur me fatin e LZHK pas 3 korrikut, Mbreti Leka ka deklaruar tërthorazi mosekzistencën e mëtejshme, pra shkrirjen politike të LZHK, kur nuk përmend asnjë formacion politik bartës të misionit të LZHK, por vetëm "idetë dhe frymën politike të LZHK", teksa deklaroi se "Ne jemi duke diskutuar mënyrat dhe format se si do të vazhdojnë idetë dhe fryma e LZHK-së, sepse e kemi këtë detyrim ndaj Kombit Shqiptar".
Edhe paragrafi i fundit i deklaratës së fundit të Oborrit Mbretëror, kur i referohet LZHK, e bën të qartë se këtij formacioni i është bërë e qartë se ka forumet e tij drejtuese për ta vazhduar më tej veprimtarinë politikë.
Në vazhdën e përkushtimit atdhetar dhe kontributeve madhore politike në favor të çështjes kombëtare, në takimin e 18 korrikut, me forumin më të lartë drejtues të PLL, Mbreti deklaroi sërish se "Ne jemi të vendosur të vazhdojmë angazhimin tonë në politikën kombëtare shqiptare, me moton "Atdheu mbi të Gjitha!"
Tashmë, në pikun e intensifikimit të punës dhe përpjekjeve për zgjidhjen e çështjes kombëtare, në prag të pavarësimit të Kosovës, Mbreti Leka u dha fund hamendjeve dhe spekullimeve për afeksione dhe lidhje me formacione politike të përkohshme, pa fizionomi e në trajtë fronti politik pa ngjyrë, duke deklaruar sërish se qëndron në politikë vetëm në funksion të çështjes kombëtare, ndaj edhe nuk mund të mbartë asnjë detyrim politik për sipërmarrje të falimentuara, që janë drejt likujdimit të aksioneve të mbetura dhe shkrirjes përfundimtare.
Si gjithmonë, PLL ka qenë dhe do mbetet mbështetëse e vendimeve dhe pozicionimeve të qarta të NMT Leka I - Mbret i Shqiptarëve, në raport me detyrimet për zgjidhjen e çështjes sonë kombëtare.
Kryesore
Legalistët kërkojnë një rezolutë parlamentare për dënimin e genocidit komunist
PLL: Komunizmi duhet dënuar si nazizmi
PLL i bën edhe njëherë apel opinionit kombëtar e ndërkombëtar, të angazhohen e të veprojnë në drejtim të dënimit pa asnjë mëdyshje të krimeve të regjimit komunist në Shqipëri, kurse fajtorët që janë të njohur me emër e mbiemër, të dalin para gjyqit, ashtu siç dolën nazistët në Nyrenberg
Paraditën e së shtunës së datës 4 shkurt 2006, PLL, me anë të një deklarate të lexuar nga kryetari Spahiu, në prani të panelit të lidershipit legalist Nënkryetari Basha dhe Sekretari Tujani, dhe të mediave të shumta, shprehu mbështetjen e plotë të legalistëve shqiptarë për rezolutën e fundit të Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës, në të cilën dënohen edhe njëherë me ashpërsi, krimet e diktaturës gjakatare komuniste dhe të sistemit shtetëror komunist, të instaluar në të gjithë Lindjen e Kuqe gjatë pothuajse gjithë shekullit XX. Në prononcimin e tij z.Spahiu theksoi se "propozimet tona të kahershme kanë qenë për dënimin referendar mbarëpopullor e të klasës politike për regjimin komunist, si regjim që kreu krime barbare kundër njerëzimit, si dhe dënime për ofiqarët që kanë kryer akte antinjerëzore e gjenocidale në mjaft shtete ish komuniste, por edhe në Shqipëri gjatë 45 viteve diktaturës, për çka ne kemi qenë dhe jemi që fajtorët të dalin para drejtësisë në gjyqe... Sot, 15 vite më pas, shohim që asgjë e tillë nuk është bërë, dhe xhelatët e djeshëm janë ende në pozita mjaft të rëndësishme në strukturat shtetërore."
Ndër të tjera, Spahiu vlerësoi në veçanti pikën 12 të rezolutës, e cila thekson simpatinë, konsideratën dhe vlerësimin maksimal ndaj viktimave të regjimeve komuniste.
Në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve për qëndrimin e mëtejshëm politik të PLL ndaj rezolutës në fjalë, sipas kryelegalistit, Partia Lëvizja e Legalitetit mbështet plotësisht krahasimin që bën Rezoluta e KE-së, në pikën 5, të krimeve të komunizmit me ato të nazizmit. "Ne si legalistë theksojmë se krimet e kryera nga regjimi komunist në Shqipëri, janë edhe më të rënda sesa ato që kanë kryer nacional-socialistët në Gjermani e gjetkë. Edhe në Rezolutë theksohet se sipas teorisë së luftës së klasave, u justifikua "eleminimi" i njerëzve të cilët konsideroheshin të rrezikshëm për regjimet komuniste, ndërsa nënvizon në pikën 3 të saj se: - një numër i madh viktimash në secilin prej këtyre vendeve, ishin bashkatdhetarë me hierarkët e regjimeve komuniste në fuqi".
Më tej kryelegalisti theksoi se Partia Lëvizja e Legalitetit bashkohet plotësisht me pikën 6 të rezolutës së KE-së, ku thuhet se "është mjaft e dobët vetëdija publike ndaj krimeve të kryera nga regjimet komuniste", si dhe në paragrafin ku thuhet që "Partitë komuniste janë legale dhe aktive në disa vende, madje në disa raste, ato nuk e kanë distancuar vetveten prej krimeve të kryera nga regjimet komuniste totalitare në të shkuarën". Duket sikur në këtë pikë, anëtarët e Asamblesë së KE-së kanë pasur parasysh Partinë Socialiste të Shqipërisë, e cila kishte pushtetin deri para pak muajsh. Ndër të tjera z.Spahiu theksoi se PLL i bën edhe njëherë apel opinionit kombëtar e ndërkombëtar, të angazhohen e të veprojnë në drejtim të dënimit pa asnjë mëdyshje të krimeve të regjimit komunist në Shqipëri, kurse fajtorët që janë të njohur me emër e mbiemër, të dalin para gjyqit, ashtu siç dolën nazistët në Nyrenberg.
Në përfundim të prononcimit, z.Spahiu theksoi: "PLL vlerëson se Kuvendi i Shqipërisë duhet të adaptojë këtë Rezolutë për të dëshmuar se mbështet dënimin e krimeve të regjimit komunist në Shqipëri.
Korresp. i "Atdheu"
Deklaratë për mediat e PLL
Partia Lëvizja e Legalitetit, mbasi u njoh me rezolutën nr. 1481 të Asamblesë Parlamentare të KE-së, datë 25 janar 2006, mbi "Nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste", shpreh edhe njëherë bindjen e saj se ky proces jetik duhet të fillojë sa më parë edhe në Shqipëri.
PLL dhe legalistët, brenda dhe jashtë vendit, që në fillim të instalimit të regjimit komunist, e kanë kundërshtuar atë dhe kanë luftuar e kontribuar për përmbysjen e tij. Ndërsa pas vendosjes së pluralizmit, kanë kërkuar fillimin e procesit të dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, ku edhe sot, në forma të kamufluara, vazhdojnë të veprojnë e ndikojnë fuqishëm, qendrat dhe celulat e sistemit komunist.
Ne shprehim solidarizimin tonë me këtë rezolutë, e cila në thelbin e saj i referohet rezolutës nr. 1096 të KE-së, së vitit 1996, mbi "Masat që duhen marrë për të çmontuar trashëgiminë e regjimeve të mëparshme totalitare komuniste".
E gjithë klasa politike shqiptare e pranon, me ose pahir, faktin që viktimat e komunizmit gjatë këtyre 15 viteve, janë trajtuar vazhdimisht dhe thjesht si viktima, që meritojnë veçse mëshirë, po kurrsesi drejtësi.
Ne jemi të bindur se dënimi i komunizmit si ideologji, sistem dhe regjim çnjerëzor, bashkë me dënimin ligjor të xhelatëve dhe ofiqarëve të tij për krime lufte dhe ato kundër njerëzimit, mund të bëhet vetëm me rrugë të drejtësisë dhe gjyqe kundër kasapëve të diktaturës, të cilët nuk kanë denjuar të kërkojnë as falje publike.
PLL i kërkon kryetares së Kuvendit zonjës Jozefina Topalli dhe deputetëve të të gjithë spektrit politik, që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë në mbështetje të këtij dokumenti shumë të rëndësishëm të Asamblesë Parlamentare të KE-së, për dënimin e krimeve që shkaktoi diktatura komuniste në Shqipëri.
04.02.2006
Rezolutë e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës
KE: Ja pse duhet dënuar komunizmi
Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, Strasburg
"Mbi nevojën për dënim ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste"
Rezoluta 1481
(Debatuar në seancën e pestë të Asamblesë së KE-së më 25 janar).
(Shih dokumentin doc.10765, raporti i Komitetit të Çështjeve Politike, raportues z.Lindblad)
(Tekst i aprovuar nga Asambleja më 25 janar 2006 në seancën e pestë)
1.Asambleja Parlamentare i referohet Rezolutës së saj 1096 (viti 1996), mbi masat që duhen marrë për të çmontuar trashëgiminë e regjimeve të mëparshme komuniste totalitare.
2.Regjimet totalitare komuniste të cilat sunduan në Europën lindore dhe qendrore gjatë shekullit të kaluar, dhe që janë ende në fuqi në vende të ndryshme të botës, kanë qenë karakterizuar, pa përjashtim, nga dhunimi i rëndë (masiv) i të drejtave njerëzore. Dhunimet kanë pasur ndryshime në varësi të kulturës, vendit dhe periudhës historike, por kanë përfshirë vrasje individësh dhe kolektive, vdekje në kampe përqendrimi, vdekje nga uria, internime (deportime), tortura, punë skllavëruese dhe forma të tjera të terrorit fizik masiv, persekutime mbi baza etnike dhe fetare, dhunime të lirisë së ndërgjegjes, mendimit dhe të shprehjes, të lirisë së shtypit, dhe gjithashtu mungesë të pluralizmit politik.
3.Krimet janë justifikuar në emër të teorisë së luftës së klasave dhe parimeve të diktaturës së proletariatit. Interpretimi i të dy këtyre parimeve legjitimonte "eleminimin" e njerëzve, të cilët konsideroheshin si të rrezikshëm për ndërtimin e një shoqërie të re dhe, si të tillë, armiq të regjimeve totalitare komuniste. Një numër i madh viktimash në secilin prej këtyre vendeve, ishin të së njëjtës kombësi. Por veçanërisht në rastin e Bashkimit Sovjetik (BRSS) ky numër i viktimave në shifra totale ishte shumë më i madh sesa në vendet e tjera.
4.Asambleja njeh që, përtej krimeve nga regjimet totalitare komuniste, disa parti komuniste të Europës, kanë dhënë kontribute për të shkuar drejt demokracisë.
5.Rënia e regjimeve totalitare komuniste në Europën lindore dhe qendrore nuk është pasuar në të gjitha rastet prej hetimesh ndërkombëtare të krimeve të kryera prej tyre. Për më tepër, autorët e atyre krimeve nuk janë nxjerrë para gjykatës nga komuniteti ndërkombëtar, siç u bë në rastin e krimeve të llahtarshme të kryera prej Nacional Socializmit (nazizmit).
6.Si pasojë, vetëdija publike për krimet e kryera nga regjimet totalitare komuniste është mjaft e dobët. Partitë komuniste janë legale dhe aktive në disa vende, madje në disa raste ato nuk e kanë distancuar vetveten prej krimeve të kryera në të shkuarën prej regjimeve totalitare komuniste.
7.Asambleja ka bindjen se vetëdija për historinë është një prej parakushteve për të shmangur krime të ngjashme në të ardhmen. Për më tepër, gjykimi moral dhe dënimi i krimeve të kryera, luan një rol shumë të rëndësishëm në edukimin e brezave të rinj. Pozicionimi i qartë i komunitetit ndërkombëtar për të shkuarën, mund të jetë një referencë për veprimet e tyre në të ardhmen.
8.Përveç kësaj, Asambleja beson se ato viktima të krimeve të kryera nga regjimet totalitare komuniste që janë ende të gjallë ose familjet e tyre, meritojnë simpati, konsideratë dhe vlerësim për vuajtjet e tyre.
9.Regjimet komuniste totalitare janë ende vepruese në disa vende të botës dhe krime vazhdojnë të kryhen përsëri. Mprehtësia e interesave shtetërore nuk duhet t'i frenojë këto vende që të kritikojnë në mënyrën e duhur regjimet e sotme komuniste totalitare. Asambleja dënon fort të gjitha dhunimet e të drejtave njerëzore.
10.Debatet dhe dënimet që janë bërë deri më sot në nivele shtetërore në disa prej vendeve të Këshillit të Europës, s'mund ta çlirojnë komunitetin ndërkombëtar nga marrja e një pozicioni të qartë ndaj krimeve të kryera prej regjimeve komuniste totalitare. Ai ka një detyrim moral për të vepruar kësisoj pa u vonuar më tepër.
11.Këshilli i Europës është pozicionuar fort në këtë debat në nivel ndërkombëtar. Të gjithë ish vendet komuniste të Europës, me përjashtim të Bjellorusisë, janë tashmë anëtarë të tij (KE) dhe se mbrojtja e të drejtave njerëzore e shteti ligjor, janë tashmë vlera themeltare për të cilat ai përpiqet.
12.Nga ana tjetër, Asambleja Parlamentare dënon fuqishëm dhunimet në masë të të drejtave njerëzore të kryera nga regjimet komuniste totalitare dhe shpreh simpati, konsideratë dhe vlerësim për viktimat e atyre krimeve.
13.Për më tepër, ajo u bën thirrje të gjitha partive komuniste ose post-komuniste në vendet e tyre, të cilat deri më sot nuk e kanë bërë një gjë të tillë, të rivlerësojnë historinë e komunizmit dhe vetë të shkuarën e tyre, duke u distancuar qartë prej krimeve të kryera prej regjimeve totalitare komuniste dhe t'i dënojnë ato pa asnjë mëdyshje.
14.Asambleja beson që ky pozicionim i qartë i komunitetit ndërkombëtar do të shtrojë udhën e një pajtimi të mëtejshëm. Për më tepër, shpresojmë shumë se kjo do t'i nxisë historianët në të gjithë botën të vazhdojnë kërkimet e tyre duke synuar përcaktimin dhe verifikimin objektiv të asaj që ka ngjarë.
Intervista
Intervistë me kryeredaktorin e "Atdheu" z.Astrit Kola
Politikës i mungon vizioni
(Vijon nga numri i kaluar)
Nisur nga mendimi juaj se kjo është qeveri emergjence, si do ta gjykonit pozitën e z.Berisha, i cili ka përgjegjësinë kryesore para shqiptarëve për nxjerrjen e vendit nga kriza?
Pavarësisht se z.Berisha bën pjesë tek optimistët kurajozë, çka e dëshmon edhe publikisht, për të mbajtur gjallë shpresat e shqiptarëve dhe atyre që e kanë votuar dhe e mbështesin fuqishëm në politikë, unë do ta konsideroja pozitën e tij tejet të dëshpëruar, dhe nuk do t'ia uroja asnjë kryeministri shqiptar, e jo më këtij misionari, që beson aq shumë tek kauza dhe misioni i tij i nxjerrjes së vendit nga kriza, drejt përfundimit me sukses të këtij tranzicioni të stërmundimshëm e raskapitës për mbarë shqiptarët.
Mendoj se rrezatimi i shpresës është i pamjaftueshëm për politikanin. Detyra e tij është jetësimi i shpresave nëpërmjet qeverisjes së suksesshme, ku programet antikrizë duhet të jenë kryefjala e strategjisë konceptuale dhe veprimtarisë praktike administrative gjatë mandatit qeverisës. Edhe më parë Shqipëria ka njohur kriza të tilla totale, por ato janë kapërcyer për shkak të qartësisë konceptuale të shtetarëve shqiptarë, përcaktimit të prioriteteve politiko-qeverisëse, përzgjedhjes së stafeve të afta e të përkushtuara me atdhetarizëm të pashoq. Fatkeqësia e klasës politike aktuale është miopia politike, cektësia e njohjes dhe gjykimit të realiteteve, vlerësimi i gabuar për mbështetje të pakufizuar të Bashkësisë ndërkombëtare, dhe, në fundore, mbivlerësimi i iluzionit se "Shqipëria do të bëhet, qoftë edhe për inat të shqiptarëve".
A mund t'i konkretizoni me fakte këto perceptime dhe konkluzione?
Po, fare thjeshtë!. Z.Berisha duhet ta dijë mirë se është kryeministri i afro 2 milion shqiptarëve që jetojnë nën minimumin jetik të varfërisë, të cilin asnjë qeveri nuk po guxon ta përllogarisë dhe publikojë, thjesht për shkaqe politike, e për të cilat janë pajtuar të dy partitë kryesore, pavarësisht nga të qënit në pozitë apo opozitë. Ky minimum jetik, që sipas specialistëve është 150 $ në muaj, pra 1800 $ për frymë në vit, është afro 40 % më i ulët se shifra zyrtare e PBB për frymë (2.500 euro), e deklaruar nga Milva Ikonomi dhe Fatos Nano para 3 korrikut, shifër që është tërësisht fiktive dhe zë vend për propagandë tek shumica e shqiptarëve që nuk dinë aritmetikë, ndonëse ua bëjnë kokën dhallë me xhidipi-ra, implementime, performanca, involvime, etj..
Politikanët tanë demagogë, të cilëve një kulturolog mendjendritur "u ka zili pafytyrësinë, që ua sjell mbroth të tëra punët private...", e dinë mirë se mjerimi dhe uria janë tirania më e urryer mbi zverkun e njeriut të kohëve moderne, sepse me mjerimin mbi shpinë dhe me urinë, liria dhe demokracia kthehen në fiksione pa vlerë, që janë ku e ku më poshtë se ngazëllimi i qenve dhe maceve që ushqehen me "Uiskas", e që mbrohen stoikisht nga Brixhidë Bardo.
Z.Berisha gjithashtu e di mirë se është kryeministri i 1 milionë të papunëve; 1 milionë pronarëve që u kanë grabitur pronat dhe presin drejtësi; i afro 1.2 milionë uzurpuesve të paligjshëm të pronave të të tjerëve, e që presin të legalizohen; i 100 mijë të pastrehëve, që flenë nëpër baraka, apo kanë mbetur pa shtëpi për shkak të forcave të natyrës; i 700 mijë ish të përndjekurve të paintegruar, që janë shndërruar, për turpin tonë, në qytetarë të dorës së dytë; i afro 500 mijë fëmijëve shqiptarë që nuk dinë të shkruajnë e lexojnë shqip, ngaqë jetojnë me familjet në emigracion; i afro 100 mijë fëmijëve të pashkolluar e pothuajse gjysëm-analfabetë, për shkak të mungesës së kushteve për t'u arsimuar; i afro 1 milionë të rinjve injorantë, të cilët kanë mbaruar apo shkojnë formalisht në shkollë, që kanë humbur kuptimin e jetës, që nuk dinë asgjë nga ato që mësohen në shkolla, përveçse disa emrave si "Madona" shqiptare, "Moli" i Bregut të Lumit, e të ndoca karrum-xacave të rap-it e hip-hopit; i afro 100 mijë përdoruesve e spaçatorëve të drogave, brenda e jashtë vendit; i afro 100 mijë delinkuentëve dhe kontigjenteve të sigurt të krimit, brenda e jashtë vendit; i afro 80 mijë të diplomuarve të papunë, ndonëse të shkolluar në vend dhe Perëndim; i afro 400 mijë militantëve dhe përkrahësve politikë që e ndoqën pas në opozitën e stërmundimshme, të papunë e të mbytur në borxhe, me emra në listat e dyqaneve të ushqimeve; i afro 200 mijë çifteve të të rinjve të papunë e pa shanse për strehim, çka i pengon për të krijuar familje, shkak ky që ka rritur ndjeshëm moshën mesatare të martesës dhe riprodhimit bilogjik, (me pasoja të rënda për të ardhmen e racës sonë); i afro 100 mijë të papunëve që i shtohen çdo vit radhës gjigante të tregut të punës, për shkak të diferencës së skajshme (e që po thellohet), midis grupmoshave kandidate për tregun e punës, nga njëra anë, dhe aftësive minimale absorbuese të tregut aktual të punës në Shqipëri, apo atij të huaj, të planifikuar nga qeveria me partnerët perëndimorë, lidhur me emigracionin legal apo skemat e IOM-it, nga ana tjetër; i afro 10 mijë lypësave nëpër rrugët e Shqipërisë; i afro 5 mijë fëmijëve të trafikuar, që enden rrugëve të botës, nën kthetrat e shfrytëzimit shtazarak të Mafia-s; i afro 50 mijë vajzave që, nën dhunën barbare të tutorëve prostituojnë rrugëve të Europës, duke u ekspozuar ndaj rrezikut vdekjeprurës të AIDS-it, etj.. E kështu mund të vazhdonim pafundësisht.
Këto shifra do të ngjethnin edhe Toni Blerin e parajsës britanike, po shyqyr Zotit që nuk lemerisin sypatremburit tanë...
A mund të rendisni faktorë të tjerë që penalizojnë ëndrrën tonë për zhvillim?
Po! Pavarësisht shifrave zyrtare, z.Berisha është kryeministri i vendit me shanset më minimale për rritje ekonomike, që do të mundësonin konkurrencën e ekonomisë shqiptare me ato të fqinjëve, në kushtet e rivalitetit të egër, që potencohet edhe për shkak të ndikimit negativ të zbatimit të marrëveshjeve të Tregtisë së Lirë në kuadër të OBT, etj.. Dhe kjo sepse ritmet tona të rritjes së defiçitit tregtar dhe konsolidimit të modelit doganor do të na shkatërrojnë totalisht, duke na shndërruar në skllevër modernë të të tjerëve, teksa ministri i Financave jep mandatën se "borxhi publik ka kapur shifrën 50 % të PBB".
Fatkeqësisht, gjatë këtyre viteve, u mësuam me këngën e sirenave për "ritmet e rritjes ekonomike prej 8 %", krejtësisht të pamjaftueshme, madje të dyshimta për vërtetësinë, ndërkohë që niveli i jetesës së shqiptarëve bie me ritme katastrofike.
Dhe meqë jemi tek ritmet e rritjes ekonomike, do të përqasja një shembull nga praktika botërore, rastin e rritjes ekonomike prej 22 % të Kinës në vitin 1999, e cila e konvertuar në vlerë absolute në valutë, ishte 20 miliardë $ më e vogël sesa vlera absolute e rritjes prej 1.3 % e Gjermanisë në të njëjtin vit. Dhe kjo do të thotë se saldo-ja aktive e ekonomisë shqiptare rritet me ritme qesharake, pavarësisht shifrave impresionuese në aparencë, sepse po të nisesh nga zero dhe të mbërrish tek 0.5, natyrisht që ke rritje kolosale, ashtu si në dimër, kur i shpëtojmë ngricave nën 0 gradë celcius, dhe, kur nën rrezet e diellit na ngrohet gjaku, kujtojmë se shpëtuam paq... Fillojmë të shullëhemi symbyllur, duke parë ëndrra me behar, lule e gjeth dushku...
Ritmet tona të rritjes njëshifrore (që tallen edhe nga socat që na kanë drejtuar pothuajse gjatë gjithë 6 dekadave të fundit), është krejtësisht e pamjaftueshme për të përballuar nevojat tona gjithnjë e më të mëdha, shtuar atyre rritjen demografike dhe amortizimin e shpejtë fizik të infrastrukturës urbane dhe ekonomike të trashëguar, e që kërkon fonde kolosale për riparime e arnime.
A e dini ju se në ritme kohore zhvillimi, nisur nga gjenda, kuotat aktuale dhe potencialet investuese, për nga niveli i zhvillimit ekonomik ne jemi 20 vjet pas Maqedonisë, që është vendi i parafundit në Europë? Dhe kjo sepse infrastruktura urbane dhe ekonomike e vendit fqinjë, e kalon vlerën e 40 miliardë $, dhe mbi 60 % e saj është ndërtuar e rindërtuar totalisht pas investimeve të fuqishme të shtetit, me financime e teknologji perëndimore, pas tërmeteve të viteve 1964 dhe 1967, pa përfshirë këtu investimet e mëvonshme??! Krahasojini këto shifra me 500 milionë $ e investimeve tona të planifikuara e asnjëherë të realizuara, por pasi të keni llogaritur edhe firot prej 20-40 % të hajdutëve, atëherë hajde flasim. Por të lutem mos më flit për monostradën Fushë Krujë-Lezhë, traseja e së cilës ka qenë ndërtuar që në kohë të qoftëlargut, e së cilës iu rruajtën 100 milionë euro, iu hodh vetëm një shtresë asfalti, larë deri tash me gjakun e afro 1 mijë fatkeqëve. Mos t'i përmendim gjithashtu as "investimet" në 2 mijë shkollat-ish-stalla të Salarisë, Progonatit, Madheshit e Kokërdhokut, për të shpërndarë "dritën e dijeve të partisë" nëpër malet e stanet ku qerpiçi u suvatua dhe thuprat u mbuluan me tjegulla, mrekulli kjo e Teme-crna-Rukës dhe Memo-ushit, apo për shkollat e Tiranës, ku tavanet bien mbi kokat e fëmijëve...
Po të llogaritësh edhe borxhin e jashtëm prej afro 1.7 miliardë euro, për të cilin vetëm interesat vjetore (detyrimisht të pagueshme e vështirësisht të negociueshme), kapin shifrën prej 220 milionë euro, atëherë tabloja e ekonomisë sonë jo vetëm që nuk mund të quhej më "e zymtë", por do të meritonte cilësorin "e nxirë".
Në këto kushte, cila mendoni se do të jetë perspektiva jonë?
Nuk e di, më duket tejet e errët, nëse nuk ndodh mrekullia, pra ndonjë "Plan Marshall" për të ndrequr njëherë e mirë hallet e një populli që është sa lagjia "Bronks" e Nju Jorkut. Por nuk e besoj një mrekulli të tillë, ashtu sikurse nuk besoj tek "Mesia", që do na vijë nga kjo klasë politike e papërgjegjshme dhe pa vizion. Nuk besoj më se z.Berisha do të arrijë ta negociojë sërish borxhin tonë të jashtëm me anë të Klubit të Parisit, sikundër ia arriti në vitin 1995, kur mundësoi nulifikimin e borxhit prej 500 milionë $ që na lanë mbi shpinë Ramiz Aliagoviçi, Tao Tao, Tos Nano e Yll-son-ahmet Yllbufi.
Tashmë, as Beniamino Andreata e Xhuliano Amato, nuk na shpëtojnë dot!
Nuk është puna se do të vdesim për bukë në mes të Europës, porse do të jemi skllevër të neokolonializmit modern të fqinjëve rivalë ekonomikë, që kapen me thonj e me dhëmbë pas zhvillimit, që është ylli polar i çdo kombi e shoqërie në kushtet e globalizmit dhe sfidave të pafundme të proceseve integruese, që na vijnë në formë rekomandimesh për standarde..., kufizime kuotash..., shmangie të skemave proteksioniste ekonomike, etj., ndërkohë që në kuadër të OBT, GATT; OPEC, të tjerët, madje më të mëdhenjtë e planetit, po kacafyten deri në kërcënime luftërash, për interesa jetike...
E për çfarë perspektive ekonomike mund të flasësh, kur nuk kemi kuptuar sesi përdoren depozitat e shqiptarëve për të financuar zhvillimin, dhe jo sikundër u përdorën për të mbushur gropat e zeza të defiçiteve buxhetore të shkaktuara nga makutëria e qejfeve të qeveritarëve që po do t'u japë fund z.Berisha! Sepse ne e lëshuam gjithë tregun tonë bankar në duart e të huajve, që po mbledhin dhe menaxhojnë jashtë Shqipërie, kursimet e shqiptarëve, duke nxjerrë dividente marramendëse. A e dini ju se me 2.5 miliardë euro depozita të shqiptarëve në Bankën e Kursimeve dhe me miliarda të tjera të tyre në bankat e botës, apo që qarkullojnë në tregun tonë informal, jashtë sistemit bankar, shtetarë të mëdhenj e gjenialë si Ahmet Zogu, Mehdi Frashëri, Koço Kotta, Pandeli Evangjeli, sot do të ndërtonin pa frikë H/C-et e Skavicës, Banjës, Kalivaçit mbi Vjosë, Tec-et, autostradat, akset dhe arteriet rrugore e hekurudhore të "Korridori 8", Durrës-Morinë-Prishtinë-Nish, Rrugën e Arbërit, Veri-Jug, ato të bregdetit adriatik e jonian..., do të ndërtonin industrinë shpëtimtare të agro-turizmit, do të integronin tregun komplementar në mbarë hapësirën shqiptare në Ballkan dhe do ta lulëzonin Shqipërinë brenda një dekade?! Por fatkeqësisht, kjo është një ëndërr iluzore!
Çfarë dhe ku bëmë keq më së shumti, ku gabuam më rëndë dhe si?
Ne nuk gabuam, bëmë gafa, faje, krime, sepse punuam mbrapsht, në mënyrën më antishqiptare dhe më të poshtër të mundshme, nga padija apo me qëllim. Ne, në vend që të privatizonim sektorët jorentabël të ekonomisë, u turrëm të privatizonim bash ato që mbanin në këmbë financat e shtetit!! Po nëse e zhveshim dhe e zhvasim shtetin nga të gjitha pasuritë, kush do t'i hartojë e zbatojë politikat sociale në shërbim të popullit më të varfër të Europës, kush do t'i financojë projektet e mbrojtjes së vendit dhe ato të sigurimit tonë kombëtar, ndërkohë që jemi i vetmi vend ballkanik që shkatërrojmë armë e municione, teksa të tjerët, si Greqia, Serbia, e deri tek Maqedonia fantazmagorike, vazhdojnë të armatosen deri në dhëmbë!!!
A e dini ju Jon Iliesku i Rumanisë nuk pranoi ta privatizonte në favor të të huajve, bankën më të madhe të Kursimeve të këtij vendi, pavarësisht recetave dhe këmbënguljes së institucioneve financiare ndërkombëtare, me argumentin "Nuk mund të pranoj t'i shndërroj rumunët në skllevër dhe çirakë të të huajve, sepse do të më dënonte historia dhe fëmijët e vendit tim...???".
A dini të më thoni se në momentet kur janë publikuar skemat e privatizimeve në banka e sektorë të tjerë, të ketë dalë ndonjë ministër financash apo ekspert i qeverisë, për të na thënë se këto asete jetike kombëtare po privatizohen ngaqë ne shqiptarët nuk dimë t'i menaxhojmë, dhe sepse këta privatizuesit e huaj do të derdhin në arkën e shtetit, më shumë para sesa rezultonte norma e fitimit që nxirrnin menaxherët nëpunës të shtetit shqiptar?? Jo dhe jo, nuk është bërë një gjë e tillë, është mbajtur i fshehur ky fakt, pra e vërteta që shteti shqiptar, megjithë menaxhimin kriminal, nxirrte dhe arkëtonte shumë më tepër të ardhura në buxhet sesa ato që derdhin sot pronarët e aseteve të privatizuara, dhe kësaj i thonë tradhti kombëtare dhe vjedhje në dritë të diellit të pasurive të shqiptarëve. A patë ndonjë politikan të sojit të Kacangjelit, Kacislamit, apo Kac-ben-llallalla-Katundit, të përgënjeshtronte akuzat që pasuan dhënien me koncension të Aeroportit të Rinasit për 5 aspra, e ku sipas përllogaritjeve të ekspertëve, gazeta "Shekulli" deklaroi humbjen e 430 milionë eurove nga shteti shqiptar gjatë 20 vjetëve të koncensionit, ndërkohë që është shitur (falur) e gjithë hapësira ajrore e Shqipërisë, konform një marrëveshjeje ku investimet e kompanisë fantazëm koncesionare, kapin shifra qesharake??!
Sot, me po të njejtën papërgjegjshmëri, deklarohet deri edhe dhënia me koncension apo privatizimi i hidrocentraleve, dhe nëse këtu nënkuptohen edhe H/C-et e mëdha, atëherë ky do të ishte një skandal që do t'i jepte fund gjithë pasurisë shtetërore.
E kemi pranuar idenë e shtetit "minimal", gjithmonë në sensin e një administrate fleksibël, të përkorë e të aftë për të përballuar ngarkesën e punës në funksion të "shërbimit e shërbesave", por jo shtetin xhuxh, që s'ka asgjë si pasuri, pasi ta lajnë e rruajnë. Nuk mund të pranojmë të mbetemi sërish pa arra, apo që arrat të na i shesin sekserët me pushtet.
A e dini ju se vetëm nga pseudomenaxhimi i depozitave të Bankës së Kursimeve nga sharlatanë që dikur kishin varrosur financat shqiptare bashkë me gazhgat, canët, santot, aliagoviçët e çar-çan-anët, në "kambizëm", apo nga pasues me diplomë mekanikësh, dividenti vjetor i BK në favor të pronarit Ministri e Finacave, kapte shifrat 50-60 milion euro në vit, çka do të thotë se tani këto fitime i merr Raifajsen-bank.
A e dini ju se fatura 80 milion $ e shitjes korruptive të AMC, bashkë me liçencat e saj e të Vodafon, u likujduan jo menjëherë, por vetëm pas dy vjetëve, ndërkohë që shuma e fitimit vjetor të arkëtuar prej tyre në xhepat e Kokë-kalis ishte dy herë më e madhe se vlerat e privatizimeve, çka do të thotë se ato u falën, e bashkë me to edhe Siguria kombëtare dhe privacia e shqiptarëve, bash tek një kompani bashkëpronare me telekomin e shtetit grek, i cili është akoma në gjendje lufte me Shqipërinë. A e kuptoni ju se skandali i fundëm në Greqi, ku u përgjua e gjithë elita politike, biznesi, e deri Ambasada amerikane, është vërtetim indirekt i ekzistencës së përgjimit të mbarë politikanëve shqiptarë, skandal i cili akoma nuk ka plasur, ngaqë nuk ka kush ta zbulojë, pasi kemi humbur të gjitha të drejtat dhe mundësitë e kontrollit?!! A e kuptoni se kjo do të thotë, as më pak e as më shumë, por bash humbje e pavarësisë dhe sovranitetit të shtetit shqiptar, teksa qeveritarët dhe politikanët e tij, bashkë me sekretet, janë në duart dhe mëshirën e Sokrat Kalit???. Por për ta zbutur alarmin që lexoj në sytë tuaj, po e ndërroj kursin, duke e zhvendosur vëmendjen nga kjo temë e rëndë, për të mos bërë profetin... Ja, shihni përshembull, AMC-në e varfër të Sokratit, të cilit iu këput shpirti për shqiptarët, e që po e mban këtë gjigant me "humbje"... Dhe kjo do të thotë se ai, që prej 6 vjetësh nuk paguan asnjë kacidhe në tatim-taksat e shtetit shqiptar, ndërkohë që financon pafund Miss-e shalësh e kaltarësh dhe media e veshgjatë të studiove ku molloisen gjepura. Bash këtij takëmi, sokratët grekë e shqiptarë jo vetëm që u bëjnë reklamë e madhe duke gozhduar shikuesit para syresh e duke u poshtëruar inteligjencën me hajvan-llëqe-lloqe, po është arritur deri aty sa t'u sponsorizojnë deri edhe veshjet e studiove, ku bashkë me të ftuarit, recitojnë vjershat e mjerimit tonë intelektual kolektiv, e ku halleve të vërteta të shqiptarëve u kalohet tangent. Kështu blihet shtypi dhe opinion-bërësit, që u çanë duke u specializuar në Greqi, ku Kokalis nuk harron t'u servirë në mëngjes, mbi komodina, mijëra euro që i grabit në Shqipëri, duke blerë kësisoj agjenturën e frrok-çupërisë së shtypit, që leh tërë ditën për "helen-ët", për "rrezikun islamik" të shqiptarëve paganë, dhe që sikurse shprehet dikush, "poston papra pordhët e pordhëtarëve të pordhuar të politikës dhe mediave, që, megjithë zellin e skajshëm, nuk arrijnë dot të bëhen pordhacë profesionistë..., të cilëve me anë kateterësh e kanylesh, e deri forcepsesh intrarektalë, t'i shpëtojmë nga timpanitë e meteorizmat e plëncit dhe zorrëve të prishura e thartuara nga tejngrënai e babëzia, e që u prodhojnë vetëm indole, skatole e merkaptane që merojnë dynjanë, e para të cilave ipriti, luiziti e fosgeni me të cilët nazistët mbytën çifutët, janë hiçogjë..., dhe këtë ta bëjmë për të shpëtuar shqiptarët nga ndotja më e ndyrë..., gjithmonë në kuadër të ekologjisë respiratore".
E keni vënë re sesi, në surdinë, i gjithë ky takëm, kur flet për grekët, i quan ata helenë?. Jo më kot, sepse duan t'u mveshin atyre me zor, pas 25 shekujsh, lavdinë e dikurshme dhe indirekt t'u ligjërojnë ekspansionin territorial, por jo në drejtim të Turqisë, por të Vorio-epirit, deri në Shkumbin. Kjo do të ishte njësoj sikur Berluskonin, ta zëmë, po këta ta quanin "kryeministri romak", çka do të na jepte të drejtë të nënkuptonim Uellsin, Jorkshirin dhe Albionin e lashtë. Apo nëse z.Berisha ta quanim "kryeministri ilir", çka gjithashtu, sipas albanologut gjenial, Karl Patç-it austriak, do të nënkuptonte përfaqësuesin e atyre që dikur shtriheshin deri në Bavarinë e sotme!!! Dhe meqë jemi në këtë pikë, shtetari mendjendritur Xholiti, ish kryeministër dhe ministër i jashtëm i Italisë në vitet 1912-1920, në kujtimet e tij pohon se në të gjitha kontaktet dhe korrespondencën zyrtare me homologun Bertold të Austrisë (me të cilën Italia ishte lidhur me Aleancën Trepalëshe), ngurronte dhe kish frikë të përmendte fjalët Piemont dhe Tirol, sepse bëhej qameti... Kurse këta tanët, Hamit-Kostë-Kahreman-lisin e Greqisë, të cilët vetë grekët i thërrasin me përbuzje "Kostaq...", e kanë pagëzuar "kryeministri helen...".
Por gjithsesi, ndonëse me mundim, takëmi ynë i mediave, duke bërë zhurmuesin dhe pehlivanin, ia arrin të devijojë vëmendjen e shqiptarëve nga problematika e vërtetë ngjethëse e ulëritëse, që megjithatë nuk hyri kurrë në veshët e shtupuara të kretin-politikanëve, që llapin e premtojnë papushim, duke mashtruar popullin dhe duke i hipur kalit të dështimit, që deri më tash i ka nxjerrë vetëm në një breg, atë të mirëqenies personale, teksa i shndërroi pronarët e kacidheve të komunizmit, në sheikë miliarderë të popullit dhe vendit më të varfër, brenda pak vitesh dhe me ndihmën e politikës. Sepse nuk pamë ndonjë "Bill Gejts" shqiptar që të ngrejë perandori ekonomike mbi aftësitë që kulmon iniciativa e lirë, e që bën mrekullira në ekonominë e tregut dhe kapitaleve të çliruara nga kolektivizmi!
Folët për varfërinë, për të ardhurat për frymë të shqiptarëve, a mund ta konkretizoni paradigmën tuaj, dhe në këtë kontekst, çfarë mendoni se duhet bërë?
Kryeministrit tonë të nderuar do t'i kujtoja se, megjithëse pandeh se ka marrë në dorëzim çelësat e një vendi me të "ardhura vjetore 2500 euro për frymë", akoma nuk ka marrë guximin të na kujtojë se në vitet 1995-1996, kur të ardhurat për frymë të deklaruara zyrtarisht, ishin në shifrat 800 $, pra afro 3 herë më të vogla, ndonëse çmimet ishin 2-3 herë më të ulëta se ato aktualet, por ama kostoja e jetesës ishte shumë më e lartë se tani!!! Dhe shkaku i kësaj përmbysjeje janë monopolet dhe oligopolet që bëjnë ligjin, në politikë e administratë, e që bashkërisht kanë rënë dakord për të mbajtur në këtë kuotë çmimet, për të siguruar normë maksimale fitimi dhe për të grabitur bashkërisht shqiptarët.
Për të parandaluar këtë murtajë kriminale, të mëdhenjtë Xhon Mejnard Kejnsi dhe Fridrih Hajek, pavarësisht edhe këndvështrimeve të ndryshme, i pari duke propaganduar kontrollin dhe ndërhyrjen e shtetit në ekonomi, dhe i dyti ideimin e planifikimit nga lart dhe politikat "sociale"-demokrate, sugjeruan kontrollin mbi tregjet, çmimet dhe normën e fitimit, për të parandaluar krizat dhe rentabilitetin fiktiv e të imponuar jo nga tregu dhe zhvillimi i natyrshëm i konkurrencës, por nga shkatërrimi i qëllimshëm i saj nëpërmjet situatave dhe politikave monopoliste.
Pra bashkë me skemën fiskale dhe buxhetin, qeveria duhej patjetër të paraqiste edhe masterplanin e politikave të kontrollit dhe uljes së çmimeve, prej çka, natyrshëm, do të vijonte edhe ulja e barrës fiskale dhe përgjysmimi i premtuar i taksave, që do të ishin shpëtimtare për rritjen e xhiros së mallrave e të masës së parave në treg, çka indirekt do të ndikonte edhe në rritjen e masës së konsumit dhe mirëqenies. Sepse që prej 10 vjetësh, në Shqipëri nuk ka ndodhur ndonjë hiperinflacion i valutave të forta, që të na dyfishohen çmimet dhe kostoja e jetesës, por thjesht është thelluar polarizimi i skajshëm i shoqërisë, që ka pjellë bijtë proletarë të mjerimit, të cilët në kushtet e thellimit të varfërisë dhe mungesës së perspektivës, sot, nën ndikimin e ideve revolucionare të trashëguara nga opozita neokomuniste dhe prirjeve anarkiste që stimulohen nga organizime kuazi-bolshevike të sindikatave dhe partive të majta të ruç-gjinushërisë, me kontigjente veteranësh, metalurgësh, minoritarësh e fshatarësh të etur për ujë, mitingashësh e turmash çaushërie të paramilitarëve me kallashët e 97-ës të fshehur nën sepete, ka rrezik të na rikthejnë çmendurinë e asaj kohe, shkaktuar nga etja për pushtet.
Po përse druheni nga ndonjë mundësi e zhvillimeve të tilla destabilizuese?
Druhem sepse megjithë pranimin e dështimit në qeverisje, krerët socialistë dhe gjinushëria e majtë, janë shpërndarë njëherësh në të gjithë vendin, për të derdhur mallkime mbi qeverinë e re, duke e akuzuar madje deri edhe për fajësi të plotë në krizën energjitike dhe duke kërkuar me çdo kusht zgjedhje të parakohshme në 2007-ën. Dhe për shkak të faktit se skalionet e elektoratit fanatik të PS dhe vatrat latente të rebelimit të '97-ës janë pikërisht në Jug të vendit, por edhe për arsyen e shpartallimit të Mafia-s së skafeve e të drogës së këtyre trevave, kundër-reagimi i mundshëm i soc-mafiozëve më rezulton të jetë i mundshëm dhe natyrisht i dhunshëm, në të ardhmen.
Jo rastësisht u organizua rebelimi i ujit në Nepravishtë, nxitur nën rrogoz nga socialistët, të cilët dërguan atje, për t'i hedhur benzinë protestës, bash një deputet minoritar, i cili prej 8 vjetësh as që e kish parë me sy elektoratin e tij, e jo më t'i digjej barku për ujë, sikundër bashkëfshatarët që protestonin me të drejtë për ujin e jetës.
Dhe mbi të gjitha dyshoj për gjëma të planifikuara, ngaqë, për bashkëshoqërim idesh, më vjen ndërmend dhe më drithëron një vlerësim dhe përcaktim tronditës i situatës në Jug të vendit nga analisti Mero Baze, që i njeh mirë ato zona, e që kish konkluduar se shteti aktual nuk ka kurrfarë kontrolli mbi territorin e Jugut të vendit, ku, sipas tij, ligjin vazhdonin ta bënin kontigjentet më të inkriminuara të Mafia-s socialiste.
Z.Berisha e di shumë mirë sesi u përgatit incidenti i rebelëve mafiozë të Jugut në vitin 1994, në Tepelenë, ku gëlonin traktet e vorioepirotëve të Karathanos, bash gjatë kohës që po luhej një ndeshje futbolli, e ku rebelët ishin të armatosur deri në dhëmbë, me armë që, sipas librave të magazinave të ushtrisë, i binte të mos kishin dalë nga depot e saj. Por nëse kishin dalë apo jo, këtë mund ta thotë më mirë Gramoz Ruçi, që numëronte dhe shpërndante kallashët e Poliçanit më '90-ën e '91-shin, para se të bëheshin hyrje më depot e Ushtrisë.
Rebelimi nuk shpërtheu asokohe në Tepelenë, ngaqë u anullua në momentet e fundit. Por dëshmitarë okularë i panë mirë "komandot-paramilitarë" dhe armatimin, që përveçse për rebelim me sebep një ndeshje futbolli të arbitruar "keq", nuk kishin shkaqe të tjera madhore, në vazhdën e strategjisë së tensionit, sfidës ndaj shtetit dhe gjoja të reagimit allagjinushian të "popullit të majtë", të rebeluar kundër "diktaturës së Berishës", të cilën Gjinua i PSD e zbuloi bash më 1994, pasi e kish mjelë pushtetin e demokratikasve, që e kishin votuar me pahir në Peqin e Cërrik, me urdhër nga lart, dhe nga i cili i biri i gjeneralit gjakatar e i katapultuar në politikë nga Aliagoviçi që e kish dekretuar si ministër punist, "Skënder"-beu vetulltëndë i së majtës M-L u divorcua bash atë vit, me pretekstin e refuzmit të "kushtetutës së diktaturës berishiane".
(Vijon numrin e ardhshëm)
Komente
Keqpërdorimi i statusit të deputetit
Nga Zamir GJURGJI
Kur të dielën e 22 janarit mediat përcollën lajmin e dhunimit të deputetit socialist Vangjel Tavo nga policia, ishin të paktë ata që u intriguan, dhe kjo për shkak të eklipsimit të këtij lajmi nga vdekja 24 orë më parë e Presidentit të Kosovës, z.Rugova. Madje nuk ishin të paktë ata që menduan se ky incident ishte i fabrikuar nga propaganda e PS për të motivuar mungesën e strategjisë dhe aksionit të njimendtë politik opozitar.
Dhe kjo jo pa shkak, duke u nisur edhe nga fakti se z.Tavo ka qenë ndër deputetët më të padukshëm të parlamentit, ndonëse fitoi bindshëm mandatin e tretë në zonën minoritare të Gjirokastrës.
Vangjel Tavo, më parë, ka mundur të fiksohet në celuloid dhe në kujtesën e gazetarëve, vetëm pas fjalimit të ashpër kundër kryeministrit Berisha, në seancën speciale të miratimit të programit të qeverisë dhe kabinetit qeveritar, në shtator të vitit të kaluar.
Në atë fjalim, z.Tavo na solli në kujtesë "heronjtë" minoritarë të vitit 1995, të cilët i konsideroi "viktima të diktaturës së Berishës", sikundër edhe "martirët" e tjerë të minoritetit, që ish Presidenti dhe regjimi i tij i paskëshin "përndjekur po aq egërsisht sa edhe diktatori Hoxha".
"Skipetari i kuluar" Tavo, në atë panegjirikë lëshoi akuza edhe më të ashpra sesa Harallamb Karathano i Rinisë Vorio-epirote, duke dhënë alarmin e rikthimit të një "regjimi" gjatë të cilit, sipas tij, përndjekja e minoritetit ka qenë një politikë konstante shtetërore, bazuar kjo në faktin se po i njëjti protagonist, pra z.Berisha, ish dekretuar në krye të qeverisë.
Pavarësisht konsideratave të z.Tavo dhe bashkëmendimtarëve të tij për trajtimin e minoritetit, për fakte e përvoja që i njohim të gjithë, përveçse një keqardhjeje, diskuri i tij patetik nuk zgjoi kurrfarë emocioni tjetër. Dhe kjo sepse shumëkush mendoi se, ky sulm nga pupitra e Kuvendit, nuk ishte asgjë tjetër veçse pjesë e skenarit të luftës së acaruar politike në Shqipëri dhe e skemës së konfliktualitetit permanent që shqiptarët janë të dënuar të përjetojnë që pas vendosjes së pluralizmit.
Megjithë atmosferën mortore, dy ditë më vonë, mediat vizive e risollën incidentin Tavo nëpërmjet një kronike ku deputeti minoritar i përgjigjej gazetarëve me zë të mekur, shtrirë në shtratin e spitalit të Gjirokastrës, duke u ankuar për dhunim me pasojë "lezionime të rënda, sidomos në brinjë".
Por pas zhvillimeve të fundit në Kuvend, sidomos pas largimit demonstrativ e sfidant të deputetëve të PS, PSD dhe PAD nga salla bash kur z.Berisha mbaroi sqarimet e rastit, pas pohimeve të vetë ministrit të Brendshëm referuar dhunës, dhe sidomos pas konferencës për shtyp të PS, ku mediave iu dhanë sekuenca në të cilat policia e Shtetit po qëllonte me shkopinj gome fshatarët e tubuar në protestën e ligjshme, u bë e qartë përfundimisht se incidenti "Tavo" do të shfrytëzohej politikisht dhe do të merrte përmasa në rritje, shoqëruar padyshim edhe me pasoja.
Pavarësisht faktit nëse është goditur apo jo deputeti Tavo, ky incident i turpshëm dëshmoi se dhuna policore mbetet akoma instrument "në kufijtë e ligjit", gjithsesi tejet poshtërues për shqiptarët dhe i patolerueshëm sidomos tani kur kemi nevojë më shumë se kurrë për paqe sociale dhe detantë politike.
Askush nuk është në gjendje të sqarojë se deri ku, turma e fshatarëve provokoi policët me skafandra, por fakti që fshatarët po protestonin për grabitjen e ujit të jetës, qëndron mbi motivet që kulmuan nervozizmin e policisë dhe shkaktuan incidentin.
Ky akt i turpshëm dhune dëshmoi se në logjikën ligjore të shkaktarëve, e drejta e një firme për të bërë biznes me ujin e paktë, qëndron mbi të drejtën e fshatarëve të gjorë që mbrojtën burimin e jetës, dhe se interesat e bisnesit privat janë ku e ku më të rëndësishme se interesat publike të qytetarëve.
Por grotesku i apologjetëve zyrtarë të këtij incidenti arriti kulmin kur, për mediat, u shpërnda lajmi se "Këshilli Kombëtar i Ujit" ishte ai që kish dhënë pëlqimin për "liçencimin e shfrytëzimit të 4 litrave ujë në sekondë nga firma në vendburimin e Nepravishtës...".
Askush nuk e beson këtë përrallë, sepse edhe mjaltë të kishin qenë ato 4 litra, nuk do ta justifikonin investimin e madh që firma ka planifikuar dhe ka kryer gjer më tash, ashtu sikundër është e vështirë të besohet nëse e kanë dhunuar deputetin Tavo, apo është rrëzuar, i shtyrë nga turmat e grave e fëmijëve që largoheshin nën panik, ulërima ngjethëse dhe goditjet e pamëshirshme të shkopinjve të gomës.
Gjithashtu, në kufijtë e të pabesueshmes mbetet edhe përkushtimi i deputetit Tavo për shqetësimin madhor të elektoratit, të cilin as që e ka zënë me gojë për 8 vjet radhazi, për çka ai ndërmori edhe mundimin të rreshtohej krahas zgjedhësve, përballë policisë!
Gjithsesi, avashllëku i shtetit për të sqaruar incidentin e turpshëm dhe amplifikimi i dhunimit të z.Tavo dhe fshatarëve, është provë e faktit se jo vetëm nuk jemi çliruar nga demonët e dhunës, por po na mungon edhe vullneti për të mos përsëritur të kaluarën jo të largët, kur demokracia dhe shqiptarët u penalizuan nga papërgjegjshmëria e politikës dhe përdorimi i shkujdesur i organeve të rendit për zgjidhje "ligjore".
Tashmë incidenti ka marrë dhenë, ka vajtur deri në Athinë e Strasburg, dhe druajmë se sërish do të penalizohemi... Dhe kjo jo sepse kanceleritë dhe organizmat politikë perëndimorë kanë kohë të merren me një incident të tillë, që nuk mungon as në Paris e Londër, por sepse është "dhunuar" një deputet minoritar.
Kësisoj, interesat e biznesit në fjalë, fatura e ujit të burimit të Nepravishtës, brinjët dhe rrëzimi në kanal i z.Tavo, do të rëndojnë sërish mbi imazhin tonë, mbi institucionet tona të gjunjëzuara nga pesha e krimit të organizuar, ordiner e korrupsionit, dhe mbi ardhmërinë tonë që nuk po mundet të çlirohet nga spiralja e dhunës.
Nga të gjithë këta komponentë penalizues, më me peshë mbetet z.Tavo, pas të cilit frenezia greke do të ndërtojë paradigmën e re të "diskriminimit e dhunës së shtetit shqiptar kundrejt minoritetit, deri edhe tek deputetët minoritarë...".
Le të lutemi që ky incident i turpshëm, që mbi gjithçka dëshmoi se në vizionin e maxhorancës, partnershipi i qeverisë me biznesin është më i rëndësishëm se interesat publike - të mos iniciojë rifillimin e dhunës ndaj emigrantëve tanë në Greqi, teksa vdekjet tragjike të Gramozit dhe Edisonit, të masakruar me thika bashkë me simbolet kombëtare mbi trup, akoma nuk janë shlyer nga kujtesa jonë dhe kur gjaku i tyre akoma nuk është tharë.
Le të lutemi që "shkopi i Maliqit" në duart e pushtetit të mos na rikthejë pas, në vitet kur, me mllef, iu vërsulëm njëri-tjetrit për dasi politike, për paratë e futura tek Sudja... dhe kur, pas "relaksit", morëm urët e zjarrit, dogjëm Shqipërinë dhe shkrumbëtirën e mbuluam me varre!
Tash nuk na mbetet gjë tjetër veçse të belbëzojmë: O Zot..., na mbro nga "kuajt e Trojës dhe..., zemërimi i akejve...".
Projektimi aktual i së kaluarës
Nga Sazan PIPA
Nisur nga premisa aksiomatike se ekonomia është garancia për ekzistencën dhe suksesin e çdo qeverisjeje apo sistemi politik, që para 2 mijë vjetësh, perandoria Romake investoi dhe ndërtoi "Via Egnatia"-n në zemër të trojeve ilirike, me qëllim zhvillimin ekonomik, për rrjedhojë edhe ekspansionin politiko-ekonomik, dhe transportin e lehtësuar të ushtrisë nëpër korridorin rrugor që ruhej nga mijëra karakolle (postoblloqe) ushtarake. Natyrshëm që ky investim shërbeu dhe e justifikoi plotësisht veten, duke lidhur skajet ballkanike e lindore të Perandorisë, me Italinë dhe Romën metropolitane. Edhe limanet e shumta të bregdetit adriatik dhe jonian të Ilirisë, ishin tregues të madhështisë së ideve për zhvillimin ekonomik, kontrollin mbi territoret dhe intensifikimin e shkëmbimeve tregtare.
Thënë shkurt, trojet iliro-shqiptare kanë qenë dhe mbeten traseja e kryqëzimeve të rrugëve që lidhin Perëndimin me Lindjen, çka meritueshëm ideoi emërtimin e Shqipërisë "Porta e Adriatikut dhe Mesdheut".
Pikërisht kjo rëndësi strategjike, ka qenë edhe shkaku i përplasjes së egër të interesave politike, ekonomike e ushtarake midis Italisë, Austro-Hungarisë dhe Serbisë, në fillim të shekullit XX.
Tashmë nuk janë të panjohura synimet e Italisë për ndërtimin e porteve të fuqishme në Vlorë, Sarandë, Durrës dhe Shëngjin, me ç'rast ajo ndërmori pushtimin e tyre në nëntor 1914 dhe u kërkoi Fuqive të Mëdha "protektoratin" mbi këto hapësira.
Edhe Austro-Hungaria projektoi rrjetin rrugor e hekurudhor në mbarë Ultësirën perëndimore, që fillonte në Shkodër e zbriste deri në Jug, brigjeve të Osumit dhe Vjosës. Si fillim të këtij projekti, gjatë Luftës Parë Botërore, austriakët ndërtuan edhe viaduktin hekurudhor që lidhi Durrësin me Tiranën.
Për të mos mbetur më pas, Serbia kërkoi Veriun e Shqipërisë londineze deri në lumin Mat, vetëm e vetëm për të siguruar e ndërtuar korridorin hekurudhor që do të kalonte në segmentet Nish-Prizren-Kukës-Tropojë-Shkodër, duke e mbathur atë edhe me portin që planifikohej të ngrihej mbi limanin e Shkodrës, gjatë segmentin të lundrueshëm Liqen-Bunë-Adriatik, si dhe shfrytëzimin, e më pas zgjerimin dhe shndërrimin e limanit të Shëngjinit në një port të madh, çka, sipas planeve të saj, kishte rëndësi strategjike.
Edhe Mbreti Zog, i ndërgjegjësuar plotësisht për rëndësinë e këtyre objektivave strategjikë gjatë kohës së qëndrimit 2-vjeçar në Vjenë dhe Romë, si edhe për shkak të synimeve të qarta për zhvillimin e vendit, financoi, realizoi dhe projektoi shumë arterie rrugore, fatkeqësisht, pa arritur të realizojë ato hekurudhore.
Pas 7 Prillit 1939, Italia ideoi dhe projektoi, përveç rrugëve automobilistike, edhe segmentet hekurudhore që do të lidhnin fushat naftëmbajtëse me portet kryesore të vendit, si dhe të gjitha qëndrat e banuara të Ultësirës perëndimore.
Gjatë viteve të komunizmit, këto projekte, ndonëse në standarde primitive për kohën, nxitën Jugosllavinë e Titos të insistonte dhe ndihmonte konkretisht në ndërtimin e hekurudhës Tiranë-Durrës, kryesisht me aksion vullnetar, sipas projekteve dhe drejtimit teknik nga specialistë jugosllavë, çka u ndërpre pas prishjes së marrëdhënieve dypalëshe në vitin 1948, duke lënë në mes ëndrrën për ndërtimin e hekurudhave, të projektuara që në kohë të kryeministrit Pashiq.
Pas vitit 1990, rrjeti hekurudhor ekzistues jo vetëm që u amortizua e abandonua, por rëndësia e tij pothuajse u injorua plotësisht, teksa në kapërcyell të vitit 1996, ish ministri i Transporteve deklaroi "inefektivitetin" e hekurudhave shqiptare, shkatërrimi i të cilave dhe përdorimi për skrap, ishte bërë burimi kryesor i fitimit dhe aktivitetit ekonomik për Drejtorinë e Përgjithshme të Hekurudhave.
Çuditërisht, si për të sfiduar injorimin e rëndësisë kapitale ekonomike të rrjetit hekurudhor nga qeveria e asaj kohe, bash disa ditë pas deklaratës së ministrit shqiptar, një funksionar i lartë i ministrisë analoge të Gjermanisë, në mes të Tiranës njoftoi interesimin e madh të shtetit të tij për hekurudhat shqiptare dhe përgatitjen e projekteve për financimin e modernizimit të rrjetit ekzistues, zgjerimit të tij dhe lidhjes me rrjetin shumë të zhvilluar të fqinjëve, sidomos me korridoret që kalonin nëpër Luginën e Preshevës (pra edhe në Bujanovc e Preshevë), atij Mitrovicë-Prishtinë-Prizren-Gjilan-Tetovë-Shkup-Selanik, si dhe të segmenteve Shkodër-Bajzë-Mali i Zi.
Madje masterpani amerikano-europian e "Korridorit 8", një ndër përparësitë kishte shoqërimin e tubacioneve të naftës e gazit me hekurudhën paralele, duke kaluar përmes Shqipërisë së sotme.
Pavarësisht sabotimit të këtij korridori, idea e bashkëngjitjes dhe bashkëshoqërimit të hekurudhës si komponent integral të tij, ishte dhe mbetej prioritare.
Sot, në kushtet e mbajtjes në fuqi të sanksioneve dhe izolimit persistent të Serbisë, ndërtimi i rrugës Durrës-Prishtinë-Nish, e dhe krahas saj edhe të hekurudhës që ka mbërritur deri në Rrëshen, paraqet rëndësi të madhe strategjike dhe ekonomike, për çka edhe Serbia është shumë e interesuar, për shkak të përfitimeve të mëdha që burojnë nga shkurtimi i shpenzimeve të transportit që thith aktualisht korridori hekurudhor Nish-Selanik.
Pikërisht për të intensifikuar vëllimin e transporteve ndërballkanike të mallrave dhe udhëtarëve, Greqia, për të ndihmuar aleatin e saj strategjik Serbinë dhe për të nxjerrë maksimumin e përfitimeve nga ekspansioni i saj ekonomik në vendet e Ballkanit, nisur edhe nga interesi i përbashkët i tyre, inicioi sëfundmi edhe takimin e paradoditshëm në Athinë, ku mori pjesë edhe ministri ynë i Transporteve.
Në këtë takim u bë e qartë se, konform edhe projekteve ekzistuese, mundësitë e shtrirjes dhe modernizmit të rrjetit hekurudhor ndërballkanik janë shumë të mëdha dhe tejet efektive nga pikëpamja ekonomike, çka u pranua njëzëri nga të gjithë pjesëmarrësit e këtij samiti. Dhe jo pak, por bëhet fjalë për ndërtimin e 14 akseve hekurudhore, që do të lidhin kryeqytetet e Ballkanit, çka për ta intriguar dhe përqasur me masterplanet e njohura, organizatorët e etiketuan "Projekti që do të lidhë me rrjet hekurudhor kryeqytetet e Europës Juglindore", ku sipas specialistëve, teknologjia që do të përdoret do të mundësojë arritjen e shpejtësive të mëdha.
Këto parametra teknologjikë mundësojnë rritjen në maksimum të kapaciteteve të përpunimit të ngarkesave dhe volumit të transportit të mallrave e udhëtarëve, çka sjell efektivitet dhe rentabilitet të lartë ekonomik, justifikim të shpenzimeve dhe vetshlyerje të shpejtë të investimit.
Sikundër u theksua, ky masterplan, me afat realizimi përfundimtar vitin 2013, e që do të zbatohet në dy faza, përfshinte edhe hartimin e miratimin e një memorandumi bashkëpunimi, që u nënshkrua nga të gjithë ministrat e Transportit të vendeve pjesëmarrëse.
Për projektin në fjalë, që mundëson atashimin dhe lidhjen e mëvonshme edhe me Rusinë, Bjellorusinë dhe Ukrainën, përveç vendeve ballkanike, ishte e interesuar edhe Moldavia, në emër të së cilës mori pjesë dhe firmosi memorandumin edhe ministri i saj përfaqësues.
Drafti i miratuar dhe i firmosur, ishte hartuar sipas modelit të marrëveshjeve të fundit ndërmjet Greqisë, Turqisë dhe Bullgarisë, që mundësojnë lidhjen e segmenteve Selanik-Sofje dhe Selanik-Stamboll.
Rëndësia e pranimit dhe miratimit të këtij masterplani, qëndron në njohjen dhe ndërgjegjësimin e qeverisë shqiptare për efektivitetin shumë të lartë të një rrjeti hekurudhor ndërballkanik dhe avantazheve shumë të mëdha që krijohen nga sendërtimi konkret i projekteve madhore të artierjeve hekurudhore, projekte këto që, jo më kot, e vunë Shqipërinë në syun e cikloneve politike dhe zhvillimeve të përgjakshme që paraprinë dhe shoqëruan dy luftërat botërore, gjatë të cilave vendi ynë u bë shesh beteje, e që më pas determinuan të gjitha qëndrimet gjeopolitike e gjeostrategjike të pasluftës dhe, në vazhdimësi, gjatë gjithë Luftës së Ftohtë e më pas.
Tashmë, maksima e famshme, "E kaluara historike është projektuar dhe rrënjosur thellë në të tashmen dhe të ardhmen", është më konkrete se kurrë. E rëndësishme është ta devijosh atë në hullinë dhe rrjedhat e natyrshme të interesave kombëtare, për të nxjerrë përfitimin maksimal dhe për t'i hapur rrugë formësimit të proceseve jetike integruese e globalizuese, gjithmonë nëse u konvenojnë interesave të shqiptarëve.
Odiseja e investimeve strategjike
Nga Dardan MITROVICA
Vizita e paradokohshme e kryeministrit Berisha në Itali, niveli i lartë i përfaqësimit, takimet me shtetarët kryesorë, axhenda e ngjeshur, gama e gjerë e bashkëpunimit dhe interesave reciproke, fryma e përzemërt, etj., kurorëzuan jo vetëm suksesin e plotë të saj, por edhe fillimin e një faze të re të riintensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe, rënë në kuota minimale gjatë qeverisjes së kaluar.
Konotacioni dhe mesazhet e kësaj vizite zhvlerësuan totalisht propagandën e ish pushteteve për gjoja marrëdhënie preferenciale me Italinë, për "partneritet strategjik", për miqësira kryeministrash me jallan-shahitë tifozat e Milan-it në shkallët e "San Siro"-s apo "Xhuzepe Meaca"-s. Por kjo vizitë dëshmoi gjithashtu se interesimi i shtetit dhe biznesit italian, mbeten akoma në nivele shprese për politikën, zhvillimet e demokracisë shqiptare, si dhe për ekonominë tonë thellësisht të privuar nga investimet strategjike, jetike për ardhmërinë.
Tashmë as që mund të gjendet ndonjë marroq optimist, që të mos pranojë nivelin e mjeruar të ekonomisë shqiptare, në lëngatë dhe në prag të katastrofës, viktimë e mungesës së vizionit qeverisës, koncepteve autarkike dhe modelit importues, që u konvenojnë monopoleve tona ligjbërëse.
Italia, si fuqia e pestë ekonomike botërore, ndër prioritetet e saj të politikës së jashtme, në Kixhi e Kuirinale ka akoma të gdhendura platformat shekullore të hartuara që në kohën e ish kryeministrit Krispi, të ngritura në art nga ish shtetarët e ish kryeministrat e mëvonshëm: Xholiti, Nitti, San Xhuliano, Sonnino, Tittoni etj., që përcaktuan ekspansionin politik e ekonomik përtej Adriatikut, në Ballkan, me urë-kalimi Shqipërinë, si prioritet madhor, mirëfilltazi në gjurmët e perandorisë Romake, që ndërtoi "Via Egnatia"-n e famshme.
Bash mbi këtë filozofi ekspansioni u mbështetën edhe ëndrrat e Çianos dhe Duçes, që dëshmuan se Shqipëria ishte në toplistën e prioriteteve ekspansioniste të Italisë në prag të Luftës Dytë Botërore.
Tash, në kushtet kur hapësira politike shqiptare, pas pavarësimit të shpejtë të Kosovës, po merr dimensione të reja, tregu shqiptar në Ballkan është dhe do të mbetet komponenti më intrigues i planeve prioritare të kapitalit italian, vizionin ekonomik të të cilit e mishëron më së miri vetë kryeministri Berluskoni.
Ndaj, në këtë vazhdë, në kufijtë e tendencës dhe instrumentit për ekspansion ekonomik, Federexport-Piemonte, përfaqësues zyrtar i "Confindustria" italiane të një prej rajoneve më të pasur dhe më të fuqishëm të Italisë, Piemontit, miratoi me Konfindustria-n shqiptare, marrëveshjen për hartimin e një liste të industrialistëve italianë, përfaqësues të 4600 bizneseve, të interesuar të investojnë në Shqipëri, veçmas apo në bashkëpunim me operatorët ekonomikë shqiptarë.
Askush nuk e vë në dyshim vullnetin e qeverisë Berisha për lehtësimin e procedurave administrative e fiskale për investitorët italianë e të tjerë të huaj, apo klimën favorizuese të politikave ekonomike që qëndrojnë në themel të skemave të gjallërimit të ekonomisë sonë, por kjo nuk mjafton. Sepse nga marrëveshjet e deri tek realizimet, madje detyrimisht të suksesshme, "qëndron një mal i tërë", por edhe për faktin se joshja e ëmbël për investitorët italianë nuk mund ta kapërcejë e anashkalojë aq lehtë përvojën e hidhur që afro 6 mijë biznesmenët italianë të periudhës 1992-1997, provuan gjatë viteve '97-98 të shekullit që lamë pas, kur shumë syresh lanë kokën dhe fitimet për shkak të kërcënimeve të bandave kriminale, çka u pasua me largime masive të italianëve nga Shqipëria.
Fatkeqësisht, kjo klimë armiqësore dhe ky presion i bandave mafioze, shpesh me koperturë shtetërore, akoma vazhdon të ushtrojë trysninë mbi biznesmenët italianë.
Shembulli më domethënës i këtij fakti është rasti skandaloz i biznesmenit kalabrez Santo Malaspina, martuar me një vajzë shqiptare dhe vendosur familjarisht në një komunë të Myzeqesë. Ky biznesmen italian, jo vetëm që është kërcënuar hapur për mosvazhdimin e biznesit (të mbyllur aktualisht), pas një investimi prej 1 milion euro, por është "gjobitur" nga entet shtetërore me shkaqe absurde, që kulmuan me djegien "rastësore", brenda pronës private, të një makine të shtrenjtë të tipit "Land Rover".
Zotëri Malaspina, i trembur natyrshëm pas "incidenteve" në pronën dhe mbi aktivitetin e tij, në një kronikë të "Njuz 24", rrëfeu për tarifat e stërmëdha prej mijëra euro në muaj, që prej qershorit të kaluar, të vëna nga KESH-i dhe Ndërmarrja lokale e Ujërave, në këmbim të furnizimit të munguar dhe ndërprerjes enkas të energjisë dhe ujit të pijshëm.
Me lot në sy z.Malaspina rrëfeu për rrënimin tashmë të planeve të tij për investimin prej afro 5 milionë euro në disa dynym tokë të familjes së nuses, çka operatori dhe gazetari e ilustruan edhe me pamjet filmike të makinës së djegur nga keqbërësit, në oborrin e pronës.
Ai dëshmoi se askush nga organet e rendit e të drejtësisë, nuk e kishte vënë ujët në zjarr për të hetuar e ndjekur lidhur me autorët dhe "incidentet" që ia kishin rrënuar dhe mbyllur biznesin, çka bie në kundërshtim flagrant me vizionin dhe angazhimet e qeverisë për krijimin e një klime maksimalisht joshëse dhe të favorshme për investitorët e huaj në Shqipëri, veçanërisht për ata italianë!
Fatkeqësisht, rasti "Malaspina" nuk ndryshon shumë nga rasti "Kurum", ku kompania me të njëjtin emër, me metoda të ngjashme, por me shtrëngesën e jakave të bardha, detyrohet të mbyllë aktivitetin e saj pas investimit prej 18 milionë euro, duke lënë pa punë afro 800 punëtorë dhe metalurgë elbasanas. Kësaj radhe, mbi "Kurum" ndikon "gjobitja" me dyfishin e çmimit të energjisë në krahasim me konsumatorët e tjerë, akorduar nga KESH.
Papërgjegjshmëria e ministrisë së Ekonomisë për furnizimin me energji me çmim të padiferencuar të "Kurum" dhe neglizhimi i negociatave të kërkuara nga sindikalistët lidhur me zbatimin e detyrueshëm të kontratës kolektive të punës nëpërmjet angazhimit të drejtëpërdrejtë të shtetit shqiptar si palë, konform edhe marrëveshjes midis kontraktorëve, miratuar edhe nga parlamenti shqiptar, ndonëse u kundërvihet hapur synimeve të qeverisë, interesave të saj e të punonjësve, nuk shërbeu për asgjë.
Në kushtet e niveleve kritike të papunësisë, falimentimit të bizneseve për shkak të konkurrencës së monopoleve dhe efekteve kaskadë të zbatimit të marrëveshjeve të tregtisë së lirë në kuadër të OBT, injorimi i incidentit "Kurum" nuk është asgjë tjetër veçse simultan dhe përkues "rastësor" për nga papërgjegjshmëria dhe shkakësia me incidentin "Malaspina", çka e vë në pozita shumë të vështira qeverinë dhe skemat e saj për krijimin e një klime partnershipi e bashkëpunimi me interes të ndërsjelltë me biznesin.
Në këtë kontekst, gadishmëria e lartë e qeverisë për të dërguar, për ditë të tëra, forca të policisë së Shtetit në mbrojtje të një investimi privat në Nepravishtë të Gjirokastrës, ku për shkak të zellit të tepruar u arrit madje edhe në konfrontim të panevojshëm të saj me fshatarët dhe në "incidentin" e njohur Tavo - bën kontrast të dukshëm dhe të habitshëm në raport me incidentet "Kurum" dhe "Malaspina".
Ky qëndrim me dy standarde, pavarësisht nga niveli administrativ i përgjegjësisë konkrete, deformon dashamirësinë dhe vullnetin pozitiv të z.Berisha dhe të qeverisë, për jetësimin e skemës së stimulimit të investimeve të huaja (akoma virtuale) dhe të zhvillimit normal të veprimtarisë ekonomike të operatorëve të sipërcituar, apo të tjerëve që do të guxojnë në të ardhmen.
Ballkanizmi serb me petkun e Hantingtonit
Nga Astrit Kola
(Vijon nga numri i kaluar)
Vetë Kosutiç e pranon se tezat e Hantingtonit për shkaqet thelbësore të konfliktit të përgjakshëm në Ish Jugosllavi, nuk janë pranuar dhe marrë seriozisht nga gjeopoliticienët e studiuesit në mbarë botën, kur pohon se "Argumentimi nga Hantingtoni i ngjarjeve në territoret e Ish Jugosllavisë është plotësisht i saktë dhe i vërtetë, por tezat e tij për disintegrimin e saj, nuk janë pranuar". Kosutiç mundohet të spekullojë me një sofizëm të trashë në këtë pohim, kur pretendon se "tezat e tij për disintegrimin...", nuk janë pranuar. Ai e di shumë mirë se "disintegrimi" është pasoja dhe jo shkaku që, sipas Hantingtonit dhe dishepullit Kosutiç, është "Përplasja e Qytetërimeve" dhe "religjioneve" si derivat i tyre. Kjo do të thotë se tezat dhe teoria e Hantingtonit nuk janë pranuar totalisht, pra as pjesërisht, ndaj nuk është aspak e vërtetë se "Ai (pra Hantingtoni), veçanërisht ka nxjerrë në pah se roli i Serbisë në disintegrimin e Jugosllavisë nuk është vlerësuar objektivisht". Dhe arsyeja e injorimit me të drejtë të teorisë së Hantingtonit, e për pasojë edhe të tezave e pseudoteorive të ithtarëve të tij serbë, është konkluzioni logjik se në Jugosllavi nuk janë përplasur qytetërimet, por shtetet dhe kombet, sepse nuk janë, e nuk mund të jenë kurrsesi, qytetërimet ato që zhvillojnë luftërat midis tyre, por janë shtetet dhe kombet.
Duke këmbëngulur për të vërtetuar indirekt Përplasjen e Qytetërimeve dhe politikën e kanonierave si thelb i kësaj përplasjeje midis Fuqive të Mëdha-përfaqësuese të qytetërimeve të ndryshme, Kosutiç pohon në vijim se "... nga ana tjetër, lufta e popujve ballkanikë kurrë nuk ka qenë e lirë nga ndikimi i Fuqive të Mëdha dhe aspiratave të tyre për sigurimin e sferave të interesit në Ballkan".
Por edhe këtu ai përsëri bie brenda, vetëpranon pathemeltësinë e tezës dhe inkoherencën logjike të tij, kur deklaron se "lufta e popujve ballkanikë nuk ka qenë e lirë nga ndikimi"... Pra paska qenë lufta e para, dhe pastaj ndikimi i jashtëm në këto luftëra. Po përse shpërthyen luftërat në Ballkan, për 'mustaqet e Çelos'(??!)". Aspak, ato shpërthyen për territore, pushtete, pasuri, hapësira jetike e burime jetese, të atyre që nuk i kishin dhe synonin t'ua merrnin të tjetërve, pra autoktonëve, domethënë më të vjetërve, dhe, në fundore, pra në rastin që na intereson..., t'ua merrnin shqiptarëve, si kombi dhe populli më i lashtë i Ballkanit.
Ndaj nuk është aspak e vërtetë edhe teza tjetër e Kosutiç se "Një nga rrethanat me ndikimin më negativ në shpërthimin e luftërave në ish Jugosllavi, ka qenë lidershipi komunist i Jugosllavisë së para viteve '90-të, i cili nuk mundi të ndërtojë bazat social-politike për krijimin e një shoqërie të qytetëruar, multietnike dhe pluraliste".
Nuk ka sesi të jetë e vërtetë kjo, sepse komunizmi jugosllav dhe mbarë komunizmat në pushtet në të gjithë Lindjen, përveç atij shqiptar - që ishte dhe mbeti deri në fund kolaboracionist i armiqve historikë dhe komprador, ishin dhe mbetën ideologji nacionaliste dhe ultranacionaliste. Sepse, pikësëpari, modeli i komunizmit jugosllav, për nga trashëgimia etatiste ishte vijim i perandorisë shumëkombëshe të krjiuar nga Versaja, perandori ku ligjin e bënte dinastia serbe e Karagjorgjeviçëve dhe borgjezia nacionaliste serbe, dhe sepse, në fundore, me hyqmin e Fuqive të Mëdha të Perëndimit, aleat gjatë dhe pas LDB, si dhe duke patur shembëlltyrë e sistem referimi Perandorinë komuniste staliniste të BRSS me 16 republikë-kombe e shumë më tepër kombësi, edhe perandori komunist Tito, ëndërroi të bëhej një "Stalin" alla-jugosllav në Ballkan. Madje edhe Federata e famshme ballkanike e iniciuar dhe mbështetur nga Dimitrovi e Tito, këtë synim kishin, pra krijimin e një perandorie komuniste, për dhe nën zotërimin e sllavëve të Jugut të Europës.
Në këto kushte e nën pushtetin e këtyre psikozave perandorake të paranoidëve-prelatë të komunizmit jugosllav me në krye Titon, do të ishte naivitet dhe marrëzi, pretendimi për paaftësi apo pamundësi në "krijimin e një shoqërie të qytetëruar, multietnike dhe pluraliste". Sepse aty ku ka ambicje për grabitje trojesh, pasurish, resursesh jetike, kryesisht ekonomike, të pushtetarëve të mbarsur me urrejtje etnike, nuk mund të ketë shanse për krijim shoqërish multietnike e pluraliste. Dhe Kosutiç e di shumë mirë këtë, sepse ishin vetë Tito, Rankoviçi, Kardeli, Pijade, Gjilasi, Jovanoviçi, Krajgeri etj., ata që emëruan deri në zv/ministër, në qeveritë komuniste jugosllave të pas LDB, bash ideatorin e shpërnguljeve, spastrimeve etnike e ekspansionit kolon-ialist serb të ultranacionalizmit serbo-kroat në pushtet, Vasa Çubrilloviçin, të cilin askush nuk e akuzoi pas lufte si, ta zemë "këlysh dhe ideolog të borgjezisë nacionaliste serbe", i tillë që në kohën e Mbretërisë SKS, zyrtarisht që kur nxori Memorandumin famëkeq që mban emrin e tij në vitin 1937, e që për meritë dhe zbatim të të cilit u thirr dhe u emërua në poste të larta qeveritare. Dhe nuk është aspak çudi fakti që bash predikuesit e "Bashkim-vëllazërimit (Bratstvo-jedinstvo)", dënuan vendimet e Konferencës së Bujanit, goditën e shpartalluan me ndihmën e Hoxhës e Miladinit, vendimet e Konferencës së Mukjes dhe bashkë me ta edhe të firmëtarëve komunistë Gjinishi e Dishnica, dhe në fundore, goditën bash vendimet dhe Rezolutën e Kongresit IV të PKJ të Drezdenit të vitit 1928, si dhe ato të Konferencës V Kombëtare të PKJ mbajtur në Zagreb në vitin 1940, ku afirmimi i të drejtës së vetvendosjes deri në shkëputje ishte një e drejtë e rezervuar për të gjitha kombet nën Mbretërinë SKS, pra e njohur edhe për shqiptarët e Kosovës dhe Metohisë, por edhe për ata të Sanxhakut, që konsideroheshin si "minoritet i shtypur", dhe si një "popull i tiranizuar nga borgjezia serbe", sikundër pohon së fundi, ustai i historiografisë bashkëkohore serbe, akademiku me titull Prof. Dr. Dimitrije Bogdanoviç, në trajtesën
"Çështja e Kosovës - e kaluara dhe e tashmja".
Dhe këto fakte Kosutiç i di shumë mirë, sepse ato kanë përfaqësuar thelbin e akuzave të historiografisë ultranacionaliste dhe akademikëve të Serbisë kundër PKJ së "molepsur me ideologji antiserbe".
Ndonëse konfuz, është më i pranueshëm dhe më elegant në skakierën e demagogjisë, akademiku tjetër serb Zoran Vidojeviç, kur zhvillimet e përgjakshme në Ish Jugosllavi ia faturon skemës së paragjykuar "Perëndimore" të të famshmit parafabrikat të "Ballkanizimi"-t dhe "kontekstit botëror-historik" të rivaliteteve të Fuqive të Mëdha.
Por është fakt i njohur që Fuqitë e Mëdha ndërhynë në ish Jugosllavi vetëm pasi filloi konflikti, pra pasi Millosheviçi e kish hartuar planin që, në rastin më të keq të shpërbërjes së Federatës pas largimit me dëshirë të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnje -Hercegovinës dhe Maqedonisë, me anë të forcës së Armatës jugosllave që udhëhiqej kryesisht nga gjeneralët serbë, do të merrte e të aneksonte maksimumin e mundshëm të trojeve dhe pasurive në favor të Serbisë.
Por Fuqitë e Mëdha, të cilat në arkivat e tyre kishin dhe kanë të gjitha hartat e kufijve historiko-etnikë të kombeve të ish Jugosllavisë, (madje ishin arkitektë të krijimit të Jugosllavisë së Versajës pas LPB dhe asaj të Titos pas LDB), nuk mund të lejonin Sllobon të bënte çfarë të dëshironte, sepse e dinin shumë mirë se, kryesisht kroatët, nuk do të qëndronin duarlidhur të shikonin sesi Millosheviçi do të grabiste trojet e tyre etnike, sepse kjo përkthehej luftë, me rrezik shpërthimin e një konflikti kontinental, madje mbarëbotëror. Dhe kjo intolerancë presupozohej dhe u sendërtua konkretisht edhe për faktin se Perëndimi nuk i kish krijuar më kot strukturat e Sigurisë ndërkombëtare, e s'kish si të linte "Hitlerin e Ballkanit" të ndizte flakë gjithë Evropën, pavarësisht se pas tij qëndronte Rusia, e aq më keq kur bash kjo Rusi e kalbur bënte karshillëk teksa mezi shpëtoi nga kthetrat e Gorbit pas ndërhyrjes Perëndimit dhe ra nën Carin pijanec, Jelcin, të cilin Perëndimi po e mbante me bukë dhe mbështetje politike për ta ndihur në ndalimin e proceseve restauruese retrograde të segmenteve bolshevike ultranacionaliste të Zhirinovskit, Zhuganovit e Lebedit, kundër të cilëve ky Perëndim i bekuar investoi qindra miliardë $ dhe kapacitete njerëzore të stërmëdha gjatë Luftës së Ftohtë, për t'i neutralizuar dhe mposhtur përfundimisht.
Pra teza e "ballkanizimit" nuk përfaqëson ndonjë teori konspirative apo masterplan të kancelerive perëndimore për ndikimin dhe kushtëzimin e zhvillimeve ballkanike, por thjesht një stilemë metaforike të qarqeve akademike e diplomatike perëndimore për cilësimin Post Factum, të tendencave dhe proceseve ndëretnike gjeopolitike në Ballkan.
Dhe në këtë kuptim, akademikët e historiografët serbe, kanë mbetur në bataqet e psikologjisë dhe tezave ideologjike të Komunizmit, që gjithmonë shihte armiq të jashtëm, që "ndikonin, hartonin skema dhe sabotonin". Ndaj bash për shkak të këtyre atavizmave ideologjikë qesharakë, sot nuk gjendet asnjë akademik serb që të dënojë Sllobon dhe ultranacionalizmin serb, si shkaktarë të konfliktit ndëretnik në ish Jugosllavi, shoqëruar me ambicjet e tij aneksioniste e luftënxitëse. Pra kjo është edhe arsyeja pse serbët janë kaq solidarë në urrejtjen kundër Perëndimit, gjë që e dëshmuan deri në fund të konfliktit, që u shndërrua në ritual të shenjtë ultranacionalist të një kombi të tërë që bashkoi duart dhe mallkimet nëpër urat e Danubit, Savës dhe në kishat serbe kundër Klintonit, Blerit dhe NATO-s gjatë luftës së Kosovës.
Vidojeviç, në teorinë e tij pretendon se fenomeni historik i "ballkanizimit" përbëhet nga dy shtresa, ku e para qëndron në "vazhdimësinë e konflikteve kombëtare dhe religjioze, si dhe luftërave për krijimin dhe përcaktimin e kufijve territorialë të shteteve kombëtarë ekzistues". Kurse e dyta, sipas tij, qëndron në "disintegrimin e shteteve kombëtarë e religjiozë të përzier, sikundër ndodhi me popujt e dy ish Jugosllavive, (asaj të Versajës dhe asaj të Titos - shën. i A. K), apo sikundër do të ndodhë edhe me këtë të sotmen e Rambujesë, pas shkëputjes së Kosovës, Metohisë, Sanxhakut dhe Malit të Zi".
Klasifikimi i mësipërm i Vidojeviçit (dhe jo referimi në raport me parafabrikatin "ballkanizim"), për hir të së vërtetës duhet pohuar se është plotësisht i saktë, sepse thjesht dëshmon një ndarje konceptuale, në dy pjesë, të procesit të shpërbërjes së ish Jugosllavisë, kundruar ky Post Factum në rastin e analizës së "shtresës së parë" dhe "Ad intentorum", pra logjikisht, pas arsyetimit mbi premisat dhe tendencat. Ndaj ky klasifikim, sidomos ai i shtresës së dytë vlen të merret në konsideratë dhe të theksohet thjesht për faktin e vërtetësisë së zhvillimeve të ardhshme në Jugosllavi, pra për shkëputjen e Kosovës, Metohisë, Sanxhakut dhe Malit të Zi nga Jugosllavia e Rambujesë. Ndaj, për të mos ia ngrënë hakun, duhet pohuar se Vidojeviç është ndër të paktët akademikë serbë që e pranon këtë tendencë disintegruese, që do të bëhet realitet ndofta brenda kësaj dekade, duke e shpënë kësisoj Serbinë në kufijtë administrativë të Kongresit të Berlinit, ndonëse ajo meriton të izolohet në Rashkën e Vjetër e Shumadi, të cilat në vitin 1844, kur kryeministër ishte babai i Naçertanies dhe shovinizmit etatist serb, Ilia Garashanini, kishin një sipërfaqe vetëm prej 37 mijë km katror, pra katër herë më të vogël sesa sot.
Dhe nëse kjo shpërbërje ndodh tash e mbrapa, në frymën dhe garancitë e Perëndimit demokratik, si dhe konform të drejtës së kombeve për vetvendosje, kjo nuk do të nbdodhte për shkak të "skemave perëndimore të ballkanizmit", por për shkak të dështimit të skemave neokolonialiste të Serbisë pas fillimit të çmontimit të përbotshëm të sistemit kolonialist modern dhe zëvendësimit të tij me sistemin e bashkësive integruese të shteteve sovrane.
Ndaj edhe Vidojeviç nuk kishte si t'i shpëtonte paranojës komuniste e ultranacionaliste serbomadhe, kur në "konkluzionet" e teorisë së tij thekson se "Ballkanizimi', s'është gjë tjetër veçse produkt legjitim i politikës imperialiste të rivalitetit midis Fuqive të Mëdha. Sot bota gjithnjë e më shumë kushtëzohet nga shpërndarja gjeografike e shteteve tutore dhe e trafikut të ndikimeve të tyre, që procesin e globalizimit e shohin si 'perëndimorizim".
Po ku ka imperializëm perëndimor pa koloni more shoku Vidojeviç? Të tillë ka vetëm dy, që janë Lindorë për nga përkatësia sistemike e të organizmit etatist, që janë Federata Ruse me kolonitë dhe Federata Serbe me kolonitë ekzistuese.
Më kot Vidojeviç mundohet që teorinë e tij ta kurorëzojë me gjoja zbulimin e tre paradigmave ndikuese teorike të "perëndimorizimit", teksa thërret në ndihmë tezën e "Konfliktit të Qytetërimeve" të Hantingtonit, tezën ilustrative të ndarjes figurative të zonave të influencës, sipas "fushës së madhe të shahut", të diplomatit të shquar Zbigniev Brzezhinski dhe cilësorin-konkluzion "Fundi i historisë" i gjeopoliticienit Frensis Fukujama, lidhur me përcaktimin taksonomik të modelit të politikës botërore.
Në një përpjekje të mjerë për të vërtetuar paradigmat në kokën e tij të sëmurë, Vidojeviç vazhdon të pretendojë se "pa i analizuar këto (pra paradigmat), është e pamundur të kuptohen determinantet e jashtme dhe gjithnjë e më shumë së brëndshmi, të fenomenit të ballkanizimit". Sipas tij, "Të ndryshme në shumë aspekte, këto paradigma janë të lidhura midis tyre nga qëllimet dhe funksionet, ngaqë ato kanë të përbashkët karakteristikën e vlerësimit të Qytetërimit Perëndimor si qytetërim superior ndaj të tjerëve".
Dhe pasi ka derdhur mllefin kundër Qytetërimit Perëndimor, vërtetësisht superior ndaj qytetërimit sllav dhe atij ortodoks Lindor, Vidojeviç pohon një të vërtetë të madhe kur pranon se "Vendet perëndimore përdorin strategjinë e mbrojtjes së një qytetërimi nga armiqtë e tij dhe bashkë me to edhe strategjitë e shtrirjes së interesave perëndimore në mbarë globin".
Ta pret mendja që Perëndimi do të hartojë strategji të mbrojtjes nga armiqtë inferiorë... A nuk u shemb Roma nga armiqtë inferiorë: barbarët gotë, visigotë, austrogotë, hunë, vandalë etj.?
Ndaj Perëndimi mbrojti dhe do të mbrojë shqiptarët e Ballkanit si pjesë e qytetërimit të tij, dhe në fundore, me pëlqimin e tyre, do të shtrijë interesat perëndimore, pra edhe ato të "qytetërimit superior" në trevat e etnosit shqiptar që nuk është aspak inferior, kudo, pra edhe të atyre në përbërje të shteteve përfaqësuese dhe amplifikuese të qytetërimeve inferiore bashkëkohore, pasojë kjo e aneksimeve të padrejta historike, e për të cilat Perëndimi është koshient, qoftë në vlerësim dhe njohje, qoftë edhe në synimin e ndreqjes së padrejtësive si shenjë e remorsit moral të një qytetërimi që përfaqëson sumumin e vetëdijes dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore e demokracisë.
P.S. Akademikët serbë të analizuar në këtë cikël shkrimesh, që të gjithë kanë të përbashkët të njejtin gabim konceptual, historicist e historik, gabim të cilin ata e anashkalojnë qëllimisht, e që është konkluzioni i pakundërshtueshëm se: Konfliktet e përgjakshme midis palëve ndërluftuese (pa përjashtim), në territoret e vjetra të fillimshekullit XX në ish Jugosllavi, u vërejtën edhe gjatë dy luftërave të përbotshme, pra gjatë LPB e LDB. Thelbi bazal i shkaqeve të këtyre konflikteve nuk është aspak "Përplasja e Qytetërimeve", por lufta midis popujve ballkanikë për monopolin e territoreve, burimeve jetike dhe fuqisë ekonomike e asaj njerëzore, gjithmonë me dallimin esencial të dy kampeve, agresorëve dhe viktimave, të parët për të grabitur pasuri, territore pas genocidit, të dytët për të mbijetuar...
Fund
Opinione
Një piktor në Ministrinë e Kulturës (4)
Hidhe këmbën..., bëja t'ëmën
Nga Gjon ANALISTI
Vijon nga numrat e kaluar
-Gjatë kohës së pushtimit fashist, nuk më ke thënë se çfarë lufte kanë bërë babai dhe xhaxhai, bashkë me çetën ku ishin inkuadruar? - e pyeti kuadroviku piktorin.
-Më vjen keq që ju shoku shef po dyshoni nëse kanë luftuar, apo jo, babai dhe xhaxhai, apo vetëm kanë bërë e kënduar këngë!? Ata kanë luftuar, aq sa u ka dhënë urdhër shoku Hysni. Përshembull, kur ardhi në Vlorë ai maloku, ai çeçeni, ai qëni Halil Alia, pas luftës së Gjormit dhe Mesaplikut, medemek për të vënë qetësinë në Vlorë, shoku Hisni, që ishte edhe mik me Qazim Koculë, që nga ana e tij ishte mik për kokë me xhaxhanë e shokut Hisni, Murat Tërbaçnë, ngaqë ishin armiq për vdekje me atë malokun tjatër, atë çeçenin, Ahmet Zogun, u lidhnë për të vrarë me pusi Halil Alinë, që kish thënë se nuk donte të vritej me shqiptarët. Ndaj çeta e tire, nën komandën e shokut Hisni, pasi mori vesh se ku do të vente Halili me ca trima nga pas, i zunë pusi. Kish plasur luftë e madhe dhe nga të shtënat e para ishin vrarë disa horra të Halilit. Por kish qëlluar trim i madh qëni, kish çarë rrethimnë duke shtënë më këmbë, me mitroloz. Dhe u shpëtoi, e jo vetëm kaq, po u lëshua kundër tire dhe i kish vënë përpara, derisa u kish kapur rob një partizan...
-Po mirë more, po ne e dimë se partizanët kanë qënë më trima se ata qelbësirat, ç'po më thua kështu, që u paskësh çarë rrethimin Halil çeçeni dhe i paskësh vënë para si bagëti!!! Se kështu armiqtë më dalin më trima se partizanët pastaj! - tha shefi
-Ashtu është shoku shef, s'ta luan as topi fjalën. Po babai me xhaxhanë, që desh i kishin mbushur poturet të gjorët, thonin se partizanët nuk kishin patur fishekë, ndërsa Halili ishte i mbushur plot me gjerdanë, prandaj...
-Mirë e mora vesh se sa trima paskan qënë, po më thuaj tani si i vajti filli atij partizanit që kapi rob Hailil maloku? - pyeti shefi.
-Ja si i kish vajtur. E kish kapur Halili për zverku dhe pasi i kish futur koburen në gojë, e kish kërcënuar të tregonte se si e kishnë marrë vesh partizanët nga do kalonte Halili, që i kishnë dalë para!? Ki partizani i gjorë kishte treguar se shokut Hisni i kish dërguar një letër vetë Qazim Koculi, ku i kish treguar se nga do të kalonte Halili, të cilit Qazimi dhe shoku Hisni ia kishnë bërë benë ngaqë ishte malok-çeçen dhe se kishte shkuar të shtronte Vlorën e të vendoste qetësinë, gjë që i kish tërbuar Qazimnë, shokun Hisni dhe partinë në Vlorë, ndaj edhe kishin vendosur ta vrisnin e ta coptonin që ta hanin qëntë, se në Vlorë dhe në Shqipëri, ligjin e bënin ata, jo malokëria e çeçenëria...
Pasi kish marrë vesh të vërtetën, Halili e kish falur partizanin e gjorë dhe pasi i kish dhënë një shqelm bithëve, i kish thënë të shkonte në shtëpi dhe jo të dilte malit për të vrarë vëllezërit, medemek, siç kish treguar derëziu, kur kishte vajtur në çetë e i kish rrëfyer shokut Hisni, që ishte zverdhur e bërë meit, pasi kishte marrë vesh që i kish dalë sekreti... Ndaj, pas disa ditësh, e kishin hequr qafe të gjorin, medemek si spiun i partisë dhe çetës, ngaqë kish nxjerrë sekretin e partisë para armikut.
-Po midis Qazimit dhe Halil-malokut, si vajti puna më vonë? - pyeti shefi.
-Si vajti? Zi e më zi vajti thuaj, sa s'ka si bëhet. Kish vajtur maloku si i tërbuar në Prefekturën e Vlorës, me kobure në dorë, dhe kërkonte me zë të lartë Qazimnë.
I gjori Qazo, u kish kërkuar ndihmë trimave të tij që ta mbronin, por të tërë kishin mbushur brekët, rezilët, që medemek ishin zgjedhur si trimat më të mëdhenj të tërë krahinës së Vlorës. E që thua ti shef, çeçeni e kish gjetur Qazimnë meit në fytyrë dhe pasi i kish vënë koburen tek koka, i kish kërkuar të tregonte me të mirë përse e kish prerë në besë. Qazimi i kish kërkuar që t'i falte jetën, se pastaj do t'ia tregonte të tërë meselenë. Halili i kish thënë se do të mendonej, pasi kish humbur shokët, që i kish bashkëfshatarë, që i kish marrë në besë e që po i dërgonte xhenaze në shtëpi... Pastaj, pasi të merrte vesh të vërtetën, do të mendonej, ndryshe, nëse Qazua s'do t'i tregonte, Halili kish thënë se do ta vriste në vënt, pasi e kish marrë vesh punën e pusullës së Qazos për shokun Hisni.
Thonë se Qazimi, medemek i kish thënë se e kish lajmëruar shokun Hisni se ku ta takonte Halilnë e t'i dilte para, se medemek shoku Hisni i kish thënë se, si komisar komunist, që gjithmonë bënte punë sqaruese me ata që ishin të gënjyer, kishte deklaruar se kishte në pllan vetëm të fliste me Halilnë e gënjer, që ta bindëte të largonej nga fashizmi dhe të bashkohej me luftën nacional-çlirimtare. Por Halil qëni, thonë se kish thënë se nuk e hante këtë gënjeshtër, se po të ishte për të llafosur për këtë që medemek thoshte Qazimi, shoku Hisni në fillim do të kish llafosur e bindur Qazimnë, që e kish edhe mik shtëpie, e se llafosja nuk bënej me prita e plumba, ku i ishin vrarë shokët, dhe prandaj ia kish zbrazur në kokë koburen Qazimit, mu në mes të zyrave, sa ishte meruar dynjaja dhe Sheshi i Flamurit ishte bërë naaaaaaa, ishte bërë, ishte mbyllur e tërë Vlora brënda, për dy minuta...
Kur e mori vesh shoku Hisni, kishte thënë që më mirë që e kish vrarë Halili, Qazimnë, se do të detyrohej ta vriste vetë, me urdhër të shokut Enver, e kështu do të prishte edhe miqësinë familjare. Po kështu si u bë, faji do t'i mbetej atij malokut, që shoku Hisni ia bëri benë prapë para Partisë dhe çetës, se do t'ia derdhte trutë...
Dhe kështu bëri. Kur i ardhi dita shokut Hisni, pasi shkoi në Dibër me Divizionin e Pestë, ku ishte komisar, gjatë inkursionit në Veri të Shqipërisë, kish urdhëruar Brigadën e Pestë të shokut Shefqet, që t'ia zinte, o gjallë o vdekur, Halil Alinë. Dhe urdhëri ishte zbatuar, pasi ishte nisur e tërë brigada, me mortaja e mitroloza anglezë, bashkë me anglezët dhe arropllanët e tire, që kishin bombarduar nga ajri, për tre ditë, Maqellarën dhe istikamet e Halilit, ku ishte bashkë me nja 30 trima të betuar. Po kish qëndruar fort qëni dhe nuk ishte dorëzuar...
Mirëpo pasi partizanët kishin djegur tërë Maqellarën dhe fshatrat përreth, pasi kishin vrarë e lidhur edhe pleq, gra e fëmijë të bashibozukëve, Halili kishte dalë nga llogoret dhe ishte hedhur në sulm si i ndërkryer, ku ishte vrarë e rrëzuar për tokë vetëm pasi kishte ngrënë plot 100 plumba... Pastaj kishte ngordhur maloku i qënit.
Kur e mori vesh shoku Hisni, e gradoi shokun Shefqet dhe u tha anglezëve se kish vrarë armiknë më të madh të Partisë dhe se tani, bashkë me Haxhi Lleshin dhe Dali Ndrenë, do ta shtronte Dibrën dhe do t'i nxirrte tym e flakë, që ta mbante mënt sa të ishte jeta... Dhe kështu ish bërë, kishin vrarë e djegur aq sa nuk kishte vrarë e djegur as sërbi gjatë 50 vjetëve të fundit në Dibër, thoshnin malokët që, medemek, ishin bërë me Partinë!!
Pastaj trimat ishin ulur e kishin ngrënë mishëra të malokëve të vrarë, që i kishin pjekur në zjarrin e shtëpive që digjeshin edhe... Pastaj, babai me xhaxhanë kishin bërë dhe kënduar këngën, që thoshte: "Ta marrë vesh e tërë Shqipëria / u vra qëni Halil Alia / se kështu urdhëroi Partia / do t'u djegim nëpër shtëpia / do t'u djegim e t'u pjekim / sa të harroni edhe sërbin / se deshët të kundërshtoni / ndaj nuk duhet të jetoni... /... ngrije këmbën, hidhe këmbën / Dibrës o, t'i bëjmë tëmën...".
Pa u këndua kënga e qeshnin trimat, e puthnin babanë me xhaxhanë!... Por më pas, u dha urdhër që të mos këndonej më kjo këngë, pasi ishin mërzitur Haxhi Lleshi me Dali Ndrenë, që kishin thënë se, u bë çfarë u bë, por Dibrës nuk duhej t'ia kujtonin sërbin dhe t'i shanin t'ëmën, se pastaj duhej ta shuanin të tërën, por kjo ishte punë që nuk bënej..., pasi Dibra, medemek ishte edhe e tirja, dhe se boll zjarr dhe gjak ishte bërë, se nuk kishte më nevojë, se ishte shtruar përfundimisht.
Dhe kështu u bë! U vendos që kjo mënxyrë të bënej më tutje, në Mat, në Kurdari e Martanesh, pastaj drejt e në Lumë, tek Muharrem Bajraktari... Dhe kështu u bë.
(Vijon numrin e ardhshëm)
Pavarësia e Kosovës - opcioni i vetëm
Nga Hajredin KAZHANI
Historikisht, trojet shqiptare janë lakmuar prej të huajve. Për shkak të kësaj lakmie, Shqipëria është bërë placdarmë e luftrave shekullore.
Shqiptarët janë popull autokton në trojet e veta. Kjo tezë tashmë është analizuar dhe vërtetuar shkencërisht nga historiografia, dhe kjo nuk ha kurrfarë diskutimi, dileme apo hamendje tjetër.
Mbretëria dardane ka qenë një mbretëri ilire, në tokën ilire, që më vonë mori emrin Kosovë.
Ballkani vloi si kazani i dreqit ndër shekuj, në luftërat midis popujve ballkanikë. Historikisht, kur një shtet i gadishullit tonë është sulmuar nga ndonjë shtet tjetër jo ballkanik, kurrë nuk ka patur përkrahjen e shteteve të tjera ballkanike.
Shqipëria jo vetëm që nuk është përkrahur ndonjëherë nga vendet ballkanike, por përkundrazi, është sulmuar për t'u coptuar.
Vëmendja e politikës shqiptare, sot është drejtuar nga Kosova, klasa politike e saj dhe nga komuniteti ndërkombëtar, që do të vendosin bashkërisht për zgjidhjen e statusit final, drejt pavarësimit...
Gjatë luftës së Kosovës, e drejta e shqiptarëve dhe solidariteti i vendeve demokratike me shqiptarët, gjetën përputhje të plotë.
Shqiptarët e Kosovës luftuan që të çlirohen nga sundimi serb, kundër ushtrisë së Millosheviçit, por jo kundër pakicës serbe në Kosovë, e cila fillimisht u tremb nga frika e natyrshme e ndonjë hakmarrjeje të shqiptarëve, por një gjë e tillë nuk ngjau.
Qeveria e Kosovës, pakicës serbe dhe të gjitha pakicave të kombësive të tjera, u ka premtuar garanci të plota për standarde demokratike në përgjithësi dhe respektim të të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut. Kjo do të thotë që askush nga joshqiptarët e paktë që banojnë në Kosovë, nuk ka pse të trysnohet psikologjikisht apo të trembet, sepse asnjë lloj represioni nuk do të ushtrohet mbi to.
Kosova e ka thënë fjalën e vet: kërkon Pavarësi dhe sovranitet. Radhën e ka diplomacia ndërkombëtare, e cila do të synojë mirëkuptimin e të gjitha palëve, por gjithsesi duhet t'u japë të drejtat legjitime shqiptarëve, duke synuar të shlyejë borxhin që u ka atyre për padrejtësinë që u shkaktoi me vendimet e Konferencës së Londrës, ku u coptua trungu etnik shqiptar dhe Kosova iu aneksua padrejtësisht Serbisë dhe Malit të Zi, coptim që kish filluar që në vitin 1878 kur trungut tonë etnik iu shkëputën me dhunë Ulqini, Nikshiqi, Kotorri e Tivari, Toplica, Kosanica, Vranja, Kurshumlia etj..
Aktualisht në Kosovë janë përmbushur të gjitha kërkesat e Komunitetit ndërkombëtar për mirëtrajtimin e serbëve dhe kthimin e tyre, gjë të cilën ngurrojnë ta bëjnë vetëm ata serbë që i kanë lyer duart me gjakun e shqiptarëve, para dhe gjatë konfliktit në Kosovë.
Kosova duhet të shpallet shtet i pavarur e sovran, dhe jo me pavarësi të kushtëzuar. Dhe kjo sepse shteti i ardhshëm i Kosovës, nën monitorimin e vazhdueshëm të ndërkombëtarëve, sikurse të gjitha demokracitë e reja, është në gjendje t'i plotësojë të gjitha standardet demokratike, sepse populli i saj ka derdhur gjak pikërisht për lirinë dhe demokracinë e munguar, ndaj këto nuk mund t'ua mohojë të tjerëve. Edhe drejtësia duhet të funksionojë për të gjithë anëtarët e shoqërisë, pavarësisht nga përbërja etnike dhe religjioni, i cili duhet të luajë rol pozitiv në edukimin me ndjenja paqësore të besimtarëve dhe jo të merret me politikë e të ushqejë ndjenjat shoviniste të qarqeve antishqiptare dhe atyre kundër paqes e bashkëjetesës në harmoni të shumicës prej 95 përqind të shqiptarëve me pakicat e papërfillshme në Kosovë.
Përveç pavarësisë dhe sovranitetit të plotë të Kosovës, asnjë opcion tjetër nuk mund të pranohet nga shqiptarët, dhe askush nuk mund dhe duhet të guxojë të nënshkruajë akte të tjera që përjashtojnë pavarësinë e sovranitetin e pakushtëzuar. Diplomacia shqiptare duhet të investojë për suksesin e këtij aksioni madhor kombëtar, dhe jo për dështimin.
Vetëm Kosova e pavarur dhe sovrane, sipas dëshirës së popullit të saj, mund të qetësojë Ballkanin.
Shqiptarët nuk mund të pranojnë asnjë zgjdhje tjetër përveçse vetvendosjes së popullit të Kosovës, vullneti i të cilit përfaqësohet nga klasa politike dhe grupi i negociatorëve.
Asnjë parim, qoftë edhe ai i mosndryshimit të kufijve, nuk mund të pengojë shprehjen dhe respektimin e vullnetit të kosovarëve për pavarësi. Edhe parimi i mosndryshimit të kufijve, nënkupton mosndryshimin me dhunë nga pala që kërkon ndryshimin.
Në këtë rast Kosova nuk po ushtron dhunë, dhe kjo do të thotë se Serbia nuk mund të ushtrojë dhunë, dhe jo vetëm nga frika, sepse e provoi njëherë, por sepse dhuna e saj nuk vlen, pasi parimi i "mosndryshimit të kufijve me dhunë" nuk nënkupton mbështetje dhe legjitimim të dhunës së shtetit aneksues që kundërshton ndryshimin (në këtë rast Serbisë), për arsyen e thjeshtë sepse kjo do të çonte në njohjen dhe legjitimimin e neokolonializmit, praktikë shtetërore dhe politikë kjo tashmë e tejkaluar nga bashkësia demokratike ndërkombëtare.
Vetëm Kosova e pavarur mund të vinte në jetë ëndrrën e rilindasve.
___________________________
29 Janar 2006
___________________________
Prishtinë - Princi Leka, kryetari Spahiu dhe drejtues të PLL, marrin pjesë në ceremoninë për Rugovën
Princi Leka dhe kryetari Spahiu, nderim Rugovës
Princi Leka dhe një delegacion i PLL, i kryesuar nga kryetari Spahiu, i kanë bërë nderimet figurës së Presidentit Rugova në ceremoninë e zhvilluar në Prishtinë. Princi Leka ka kontakuar gjatë këtyre ditëve me disa prej krerëve politikë të Kosovës. Edhe kryetari Spahiu ka marrë kontakte me politikanë të lartë të Kosovës
Editorial
Nga Havier Solana
Trashëgimia e Rugovës
Vdekja e presidentit Ibrahim Rugova ishte një shok i madh për Kosovën. Ai ishte një burrë që i ka kushtuar jetën e tij mbrojtjes së të drejtave të popullit të Kosovës. Por vdekja e tij ishte gjithashtu një humbje e madhe për Ballkanin dhe Europën, pasi Ibrahim Rugova ishte gjithashtu një burrë i paqes, i vendosur përballë dhunës dhe shumë i angazhuar për idealin e paqes, ideale këto që janë në themel të ndërtimit të Europës dhe të cilat do të forcojnë sot transformimin demokratik të Ballkanit.
Presidenti Rugova ishte i respektuar nga e gjithë bota për angazhimin dhe vendosmërinë për paqen, por gjithashtu populli i Kosovës e donte për angazhimin e tij lidhur me të ardhmen. Ishte një nga ironitë mizore të fatit që ai ndërroi jetën tani në momentin kur ai duhej më shumë se kurrë, momentin që ai priste, që të udhëhiqte për të ndihmuar statusin e ardhshëm të Kosovës. I gjithë Ballkani ka bërë shumë progrese gjatë këtyre viteve. Rreziku i luftërave është mënjanuar, reformat kanë ecur përpara dhe shenjat e zhvillimit ekonomik janë të dukshme. Gjithsesi, "puna e pambaruar" dhe në mënyrë të veçantë moszgjidhja e statusit të Kosovës mbetet një barrë e rëndë. Ka ende grupe radikale në pjesë të ndryshme të Ballkanit, të cilat besojnë, që nëse vendimi i Kosovës mund të shkojë në një drejtim apo në një tjetër, kjo do të krijojë mundësinë për të rihapur çështjen e territoreve ose çështje etnike. Ky problem i pazgjidhur krijon një sens të pasigurisë politikisht dhe ekonomikisht.
2006 është viti në të cilin ky problem do të trajtohet përfundimisht dhe pritet të zgjidhet. Asnjëri nuk duhet të nënvlerësojë vështirësinë. Gjurmët e konflikteve të mëparshme janë ende prezente, tensionet dhe mosbesimet janë pengesa të mëdha për progresin. Kjo do të kërkojë angazhim të madh nga partitë dhe vendosmëri nga lidershipi i Komunitetit Ndërkombëtar për ta çaur proçesin drejt një konkluzioni të suksesshëm. Me Marti Ahtisarin, Kombet e Bashkuara kanë zgjedhur njeriun e duhur për të kryesuar procesin. Nëse procesi i negociatave për statusin është i vështirë, çmimi i justifikon përpjekjet. Një zgjidhje e ndershme dhe e qëndrueshme për Kosovën do të thotë që i gjithë territori i Ballkanit do të hedhë një hap përpara. Organizimi territorial i rajonit nuk do të jetë më në pyetje, fantazmat e të kaluarës do të dëbohen një herë e mirë. Qeveritë dhe shoqëritë do të mund të fokusohen në një agjendë të vërtetë, në zhvillimin ekonomik, në progresin në reforma drejt Bashkimit Europian. Nëse projekti për një zgjidhje përfundimtare për Kosovën, do të jetë i suksesshëm, kjo do të jetë e mundur vetëm pasi i gjithë rajoni ndan të njëjtat aspirata për të ardhmen, që do të shuajë të gjitha mëritë e të kaluarës. Ajo që e bashkon Ballkanin sot është se konsensusi për të marrë pjesë në integrimin europian është fat i tyre i përbashkët. Pushteti magjik i Bashkimit Europian i drejton përpjekjet për reformat politike dhe ekonomike dhe asistenca konkrete e BE ndihmon në krijimin e kapacitetit për të ecur përpara në këtë drejtim.
Zgjuarsia dhe autoriteti i Ibrahim Rugovës do t'i mungojë Kosovës, sidomos gjatë këtyre kohëve. Por, sinqerisht, unë mendoj që trashëgimia e Rugovës do të udhëheqë liderët politikë të Kosovës që të ruajnë bashkimin dhe përgjegjësinë. Kjo është mënyra më e mirë për të respektuar kujtimin e Kosovës. Kjo është gjithashtu ajo që Komuniteti Ndërkombëtar po kërkon nga ata dhe populli i Kosovës pret prej tyre.
KRYESORE
Prishtinë - Princi Leka, kryetari Spahiu dhe drejtues të PLL, marrin pjesë në ceremoninë për Rugovën
Princi Leka dhe kryetari Spahiu, nderim Rugovës
Princi Leka dhe një delegacion i PLL, i kryesuar nga kryetari Spahiu, i kanë bërë nderimet figurës së Presidentit Rugova në ceremoninë e zhvilluar në Prishtinë. Princi Leka ka kontakuar gjatë këtyre ditëve me disa prej krerëve politikë të Kosovës. Edhe kryetari Spahiu ka marrë kontakte me politikanë të lartë të Kosovës
Për të marrë pjesë në ceremoninë mortore të presidentit Rrugova shkoi në Prishtinë edhe një përfaqësi nga Partia Lëvizja e Legalitetit. Këtë grup e kryesonte kryetari Spahiu dhe në përbërje të tij ishin edhe zotërinjtë Nevruz Ndregjoni-kryetar i Degës së PPL Tiranë, si dhe drejtuesit e Degës së PLL Kukës, zotërinjtë Halit Muçmata dhe Xhevdet Sopi.
Në paraditen e datës 25 janar, kryetari Spahiu, së bashku me pjesëtarët e tjerë, u pritën nga drejtuesit e parlamentit të Kosovës dhe më pas u integruan gjatë gjithë kohës së qëndrimit atje në protokollin që organizatorët e ceremonisë mortore kishin parashikuar për delegacionet e partive kryesore politike të ardhura nga Shqipëria.
Z.Spahiu, së bashku me drejtuesit e partive të tjera qeverisëse të Shqipërisë, bënë homazhe dhe vendosën kurora me lule pranë arkivolit me trupin e pajetë të presidentit Rrugova.
Pas këtyre homazheve, delegacioni i legalistëve shqiptarë u prit nga drejtuesit e Kuvendit të Kosovës dhe partive politike të Kosovës.
Në librin e ngushëllimeve vendosur në ambientet e parlamentit të Kosovës "Për personalitetet", kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit shkruajti këtë mesazh:
"Në emër të Partisë Lëvizja e Legalitetit të Shqipërisë, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Rugova, institucioneve të Kosovës dhe popullit shqiptar të Kosovës për ndarjen nga kjo jetë të presidentit Rugova. Ne legalistët e vlerësojmë këtë humbje të madhe...
Dr. Rugova, me përkushtimin, mençurinë, punën, urtësinë dhe vizionin e tij, bëri që Kosova të shkojë drejt pavarësisë së saj.
U prehtë në paqe shpirti i Tij.
***
Më datë 26 janar, delegacioni shqiptar i kryesuar nga Presidenti Moisiu, ku në përbërje të tij përveç personaliteteve të tjera ishin edhe Princi Leka dhe kryetari i PLL z.Ekrem Spahiu, bënë të gjitha nderimet e tjera të organizuara në ceremoninë kryesore të mbajtur në sallën "1 Tetori" si dhe në varrezat e Velania-s.
Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova ka qenë një mik i vjetër i Mbretit Leka dhe humbja e tij është një humbje e madhe për të gjithë zogistët shqiptarë. Me aktivitetin e tij politik, Rugova ka zënë tashmë një vend të pakrahasueshëm në historinë shqiptare. Ai ka qenë dhe mbetet simboli i pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe ceremonia e tij mortore ku morën pjesë personalitete nga gjitha bota, ishte një njohje de facto e pavarësisë së Kosovës. Së fundi, edhe një pjesë e lidershipit politik të Kosovës si z.Sabri Hamit, janë shprehur se Rugova ishte një nacionalist. Zogistët janë pjesa më e dukshme e politikës që ka kërkuar dhe kërkon bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe në fund, realizimin e aspiratës mbarëkombëtare, Shqipërinë etnike.
Korresp. i "Atdheu"
Zyra e Shtypit e Familjes Mbretërore Shqiptare në Francë
Rugova, mbrojtësi i drejtave legjitime të shqiptarëve
Paris, France, 21 janar 2006
Zyra e Shtypit në Paris e Oborrit Mbretëror Shqiptar, thellësisht e trishtuar, deklaron:
Kombi shqiptar humbi një personazh historik, që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova, të cilit i bëjmë nderimet tona më të mëdha për kurajon e tij politike, ka luftuar deri në fund në favor të pavarësisë së Kosovës. Ne i paraqesim familjes së tij dhe gjithashtu edhe bashkëpunëtorëve të tij, ngushëllimet tona më të sinqerta.
SKENDER ZOGU
HYLLE SPAHIJA
PATRICE NAJBOR
Skënder Zogu, France
Vdekja Presidentit Ibrahim Rugova është një humbje e madhe për kombin shqiptar. Amanetin që na ka lënë Presidenti, do ta plotësojmë duke punuar për pavarësinë e Kosovës. Ngushëllimet tona familjes së tij, si dhe të gjithë bashkëpunëtorëve të tij.
Me shumë respekte,
Skender Zogu.
25 Janar 2006
Hyllë Spahija, Creteil-France
Ngushëllime të siqerta familjes së Presidentit Ibrahim Rugova, si dhe gjithë popullit të Kosovës. Jeta dhe veprat e President Rugova vlerësojnë historinë e kombit shqiptar.
Me nderime dhe respekt,
H.Spahija
26 Janar 2006
Patrice Najbor, France
Kombi shqiptar humbi një personazh historik, që ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtje të të drejtave legjitime të shqiptarëve të Kosovës. Presidenti Ibrahim Rugova, të cilit i bëjmë nderimet tona më të mëdha për kurajon e tij politike, ka luftuar deri në fund në favor të pavarësisë së Kosovës.
25 janar 2006
Speciale
Gjithçka rreth ceremonisë së përcjelljes së presidentit Rugova për në varrezat e dëshmorëve të Kosovës
Rugova, Gandi shqiptar, që pavarësoi Kosovën
Presidenti i Kosovës pushon përjetësisht që prej së enjtes së shkuar në Varrezat e Dëshmorëve, në Velani. Ndërsa po hidhte shikimin e fundit mbi njeriun me të cilin kishte ndarë jetën e saj, Zonja e Parë e Kosovës, Fanë Rugova kishte mbërthyer fort në gjoks Flamurin e Dardanisë Antike. Flamurin të cilin presidenti Ibrahim Rugova deshi ta shohë për flamur të shtetit të ardhshëm të Kosovës. Gjashtë ushtarë nderi të TMK-së e kanë palosur me kujdes flamurin dhe ia kanë dhënë në pronësi Fanës, ndërsa djemtë e saj, Mendimi e Uka dhe vajza Teuta kishin bërë bashkë shikimin në vetëm një drejtim, në arkivolin me trupin e babait të tyre e presidentit të Kosovës. Ky shikim i kishte mbërthyer të enjten të gjithë kosovarët, të cilët i kanë bërë një nderim të dinjitetshëm njeriut që i udhëhoqi ata në ëndrrën e tyre për liri e pavarësi për më shumë se gjashtëmbëdhjetë vjet.
Kosova i ka dhënë lamtumirën e fundit Presidentit të saj Ibrahim Rugova, duke e varrosur atë në Varrezat e Dëshmorëve në lagjen Velania të kryeqytetit, jo shumë larg Rezidencës, ku për vite me radhë ai udhëhoqi luftën politike për pavarësinë e Kosovës si kryetar i LDK-së dhe president i Kosovës. Rugova ndërroi jetë më 21 janar të këtij viti, katër muaj e gjysmë pasi mjekët kishin konstatuar se ai vuante nga kanceri në mushkëri, kurse vdekja e tij erdhi në një moment shumë të vështirë politik për Kosovën, disa javë pasi ishte hapur edhe zyrtarisht procesi i bisedimeve për përcaktimin e statusit politik të Kosovës.
Arkivoli në shtrat të topit
Ashtu siç ishte paraparë nga Këshilli për Varrimin e presidentit Rugova, në mëngjesin e djeshëm para trupi të pajetë të presidenti të vendit ka bërë nderime Njësiti i TMK-së, ndërsa që nga ora 9:00 kanë filluar që në hollin e Kuvendit të Kosovës të mblidhen zyrtarë të lartë institucionalë dhe politikë të vendit. Familja e presidentit Rugova ka mbërritur rreth orës 9:10 në hollin e Kuvendit, duke bërë nderime para arkivolit të kryefamiljarit të tyre. Ata, më pas, kanë qëndruar në këmbë në anën e djathtë të arkivolit, derisa një numër i madh i zyrtarëve politikë e institucionalë kanë mbushur pothuaj tërë hapësirën e Kuvendit. Arkivoli i mbyllur i presidentit Rugova ka qenë i mbuluar me Flamurin e Dardanisë, ndërsa pranë tij kanë qëndruar katër pjesëtarë të Gardës Ceremoniale të TMK-së. Në hollin e Kuvendit kanë qëndruar kryetari i Kuvendit, Nexhat Daci, kryeministri Bajram Kosumi dhe tërë Qeveria e vendit, ish-kryeministri Ramush Haradinaj, komandanti i TMK-së, Agim Çeku, dhe zëvendësi i tij, Sylejman Selimi, anëtarë të Kryesisë së Legjislativit, deputetë, kryetarë komunash e përfaqësues të partive politike dhe jetës publike. Në homazhet e fundit para bartjes së trupit të pajetë të presidentit Rugova, në hollin e Kuvendit ka qëndruar edhe kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, ai i Partisë Reformiste Ora, Veton Surroi, dhe koordinatori i grupeve të ekspertëve për bisedime rreth statusit, Blerim Shala. Qetësia ka mbizotëruar plotësisht në atë kohë në hollin e Kuvendit të Kosovës, derisa deputetë e përfaqësues të jetës politike janë parë të përlotur. Në mënyrë mjaft të saktë të organizimit të ceremonive, rreth orës 09:15 janë rreshtuar të gjitha elementet e ceremonisë së funeralit, përfshirë edhe Togun e Nderit të TMK-së, ndërsa pjesëtarë të TMK-së kanë filluar të largojnë kurorat dhe lulet nga arkivoli. Në hollin e Kuvendit është vërejtur një emocion i thellë në momentin kur pranë arkivolit të presidentit Rugova me hapin ushtarak janë afruar pjesëtarë të TMK-së, të ngarkuar për bartjen e tij. Bartja jashtë e trupit të pajetë të presidentit Rugova nga Kuvendi i Kosovës është përcjellë me lot të të shumë të pranishmëve aty. Ata i janë bashkuar më pas pjesëtarëve të TMK-së, të cilët pas para arkivolit kanë pasur portretin e presidentit të ndjerë dhe shtatë kurora lulesh. Menjëherë pas daljes nga Kuvendi, Togu i nderit i TMK-së ka nderuar me armë trupin e pajetë të presidentit, nderim ky që ka vazhduar derisa sa presidenti i ndjerë është vendosur në Shtratin e Topit.
Më pas, i prirë nga një veturë e TMK-së, që bartte altoparlante me muzikë funerale, kortezhi mortor është përcjellë nga pjesëtarët e TMK-së me kurora lulesh dhe një veturë e TMK-së që bartte Shtratin e Topit, ku ishte vendosur arkivoli i presidentit Rugova. Pas tyre ishte një veturë xhip ku ndodheshin anëtarët e ngushtë të familjes Rugova. Pas tyre ishin përfaqësues institucionalë e politikë duke ecur ngadalë në këmbë. Në rreshtin e parë të kësaj turme kanë qëndruar shefi i UNMIK-ut, Jesen-Petersen, kryeparlamentari Daci, kryeministri Kosumi, komandanti i TMK-së gjeneral Agim Çeku, zëvendësi i tij gjeneralmajor Sylejman Selimi, zëvendëskryeministri Adem Salihaj e nënkryetari i LDK-së, Kolë Berisha. Arkivoli me trupin e pajetë të presidentit Rugova është nisur në orën 9:30 për në Sallën "1 Tetori", duke kaluar kah ndërtesa e Kuvendit Komunal, pjesës së quajtur 'Te Plepat', përshkuar rrugën "Nëna Terezë", udhëkryqin te Fakulteti Filologjik dhe udhëkryqin te Mensa e Studentëve.Mijëra qytetarë kanë përcjellë parakalimin e kortezhit në të dy anët e rrugëve. Disa dhjetëra qytetarë kanë qëndruar afër daljes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ndërsa gjatë tërë rrugës ata kanë qëndruar në të dyja anët e rrugës. Ata kanë hedhur lule mbi arkivolin e presidentit Rugova, ndërsa shumica prej tyre kanë qajtur me zë të lartë. Pranë hyrjes së ndërtesës së Qeverisë në rrugë ka qëndruar pos të tjerëve edhe ish-i dërguari i posaçëm i OKB-së për vlerësimin e standardeve, ambasadori norvegjez në NATO, Kai Aide. Ndërsa, kryeministri Kosumi ka ndërprerë rrugëtimin në këmbë brenda kortezhit kur është afruar tek hyrja për në ndërtesën e qeverisë.
Varri i mermertë i Rugovës
Skalitur në mermer të bardhë, në pllakën e të cilit ka të shkruar vetëm: Ibrahim Rugova (1944-2006), varri i presidentit Rugova është mbështjellë dje përreth nga një petk i veshur në ngjyra të kaltra dhe të bardha. Kuq e zi ndërkaq, ka qenë i veshur shtrati i topit në automjetin e TMK-së, me të cilin arkivoli me trupin e presidentit është përcjellë gjatë tërë rrugëtimit të tij deri në banesën e fundit, me nderime të larta ushtarake. Fare pranë varrit, në një shtyllë të ngritur, në gjysmështizë ka valuar flamuri i Presidentit, derisa qindra flamuj të tjerë të presidentit qëndronin në duart dhe krahët e atyre që e kishin adhuruar atë gjatë tërë jetës. Disa prej tyre janë përkulur dhe kanë puthur varrin e presidentit, ndërkohë që mijëra të tjerë me një disiplinë të pashoqe përcillnin ceremoninë mortore. Nuk mungonin lotët, ndërsa miqtë, institucionet dhe diplomatët e huaj po lëshonin mbi varrin e presidentit kurora lulesh. Gjatë tërë kohës, rojet e nderit të TMK-së po nderonin pranë varrit të presidentin. Kolegët e tyre nga Shërbimi Policor i Kosovës ndërkaq, po mbanin rendin, derisa krerët më të larët të dy besimeve në Kosovë, ata të besimit krishterë dhe islam, të renditur me kujdes po i jepnin nderime presidentit. Këta të fundit, janë ofruar pranë varrit të presidentit dhe janë lutur për shpirtin e tij, ndërkohë që nuk kanë rrjedhë fare pak sekonda kur familja e presidentit është ndarë nga varrin i tij e mijëra qytetarët të cilët deri në atë moment po nderonin në distancë, janë futur brenda hapësirës ovale që ishte rezervuar për ceremoninë e varrimit dhe kanë shkuar për ta parë, prekur e puthur varrin e Presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.
Prishtina në lot, pret një pasues si Rugova
Qytetarë të shumtë nga tërë Kosova, pleq e të rinj, kanë mbushur rrugët e Prishtinës, për të shkuar në varrimin e presidentit dr. Ibrahim Rugova. Ata e kanë vlerësuar lart figurën e tij, për krijimin e shtetit të Kosovës. Rugova, thonë ata, ishte njeriu i paqes, i fjalës që mbajti premtimet, dhe do të jetë çdo herë ikona e shtetit të Kosovës. Fazli Lajçi, një plak 73 vjeç nga Rugova kishte nxjerrë nga dollapi tirqet e tij në mëngjesin e të enjtes dhe kishte mbështjellë rreth kokës edhe qefinin tradicional të viseve të Rugovës, dhe ishte nisur për në Prishtinë, për ta nderuar edhe një herë njeriun e "besës dhe fjalës", siç thotë ai.
Për 16 vitet e fundit Fazliu thotë se i ka qëndruar besnik fjalëve të presidentit të ndjerë, dr. Ibrahim Rugova, dhe sa herë që kishte pasur fushatë apo vizitë në Pejë nuk kishte përtuar të shkojë atje ta sheh apo edhe t'ia shtrëngoj dorën presidentit. "Këto tesha i kam ruajt për ndonjë rast të veçantë dhe nuk i veshi shpesh, por sot kam ardhur ta përcjelli ma t'madhin e kombit tonë. Kurrkush nuk ka ba sa Ibrahim Rugova", shprehet Fazliu, duke treguar flamurin e presidencës që e mbante me vete. "Në shtëpinë time çdo herë ka qenë fotografia e Ibrahimit, edhe sa të jam gjallë unë nuk ka me guxua me e hek kush. Njeri më të mirë se ai ne nuk kemi pasur, qe shumë kohë...", thoshte plaku rugovas. "Ibrahimi e ka pas babën prej anëve tona edhe njerëzit që e kanë njohur thonë se ka qenë burrë i mirë e i fjalës. Dihet kush është familja Rugova këtu, ata janë dëshmu shumë herë edhe i kanë jep shumë Kosovës", shprehet Fazliu, duke shtuar se "nuk kam pritua të vij se as ai nuk ka pritua për ne kurrë". Ai shprehet optimist, se në postin e presidentit të Kosovës, do të vijë një njëri që do të vazhdojë rrugën e dr. Rugovës, për pavarësinë e Kosovës. "Rugova ka thënë se pavarësia do të vijë këtë vit, edhe ne e besojmë të gjithë. Edhe pse ai nuk do të jetë, për mua ai është kryetari i Kosovës çdo herë, po ishalla këta të tjerët merren vesh tash", thoshte Lajçi, duke tentuar që të shkonte sa më afër sallës "1 Tetori", ku po bëheshin imazhet e fundit për presidentin Ibrahim Rugova. "Ai ka qenë si baba i kombit, ka ba veprime si Ismajl Qemajli, bile edhe më shumë se krejt njerëzit e njohur i ka pru në Kosovë, edhe na ka ba vend të njohur", shton Fazliu 73 vjeçar, i cili kishte vendosur që të përcillte në këmbë kortezhin funeral të presidentit të ndjerë deri në banesën e tij të fundit, në lagjen Velania.
Inxhinieri Sylejman Krasniqi, nga fshati Hamidi i komunës së Obiliqit, ishte afruar deri te porta e oborrit të sallës ku gjendej arkivoli i presidentit, dhe shumë delegacione të huaja duke bërë homazhet e fundit. Ai mbante në duar dy foto të presidentit Ibrahim Rugova, duke qarë me lot. "E kam dashtë shumë, nuk jam mërzit më pak se për një anëtar të familjes se sa për Rugovën", thotë Krasniqi. Ai thotë se serbët ia kanë vrarë anëtarët e familjes së tij, babën nënë dhe motrat, por edhe vdekja e presidentit ka qenë një lajm i rëndë. "Unë jetoj në një objekt të burgut, jam punëtor i KEK-ut, dhe nuk kam shumë kushte të mira, por shpresa e jonë si popull ka qenë të Ibrahim Rugova, e tash nuk e di se çka do të ndodh. Kjo është një ditë e zezë për në, por shpresoj që dikush që do ta pasojë do të jetë një person i besueshëm i tij", theksoi Krasniqi. Ai thotë se nuk ka pasur rast ta takoj Rugovën ndonjë herë personalisht, por nuk ka pushuar ta admirojë. "Ai e ka integruar Kosovën dhe e ka dërguar më afër Europës. Ne duhet të punojmë më shumë për ta çuar amanetin e tij në vend. Shpresojmë se do ta zgjedhin një njëri të mirë, megjithëse si Rugova, Kosova zor do të ketë për disa vite", mendon inxhinieri Krasniqi. Ai thotë se radhëve të gjata që prisnin gjatë tri ditëve të fundit drejt hollit të Kuvendit të Kosovës, ku ishte paraparë që qytetarët të kenë mundësi t'i bëjnë homazhe presidentit Rugova, i ishte bashkuar dy herë. "Kam pritur nga 6 orë për ta nderuar presidentin, dhe nuk mendoj se me gjithë ata njerëz që kemi qenë i kemi dal borxhit Rugovës, sepse ai ka bërë shumë për popullin tonë", theksoi Krasniqi.
DEKLARATAT
Deklarojnë liderët politikë, shqiptarë e të huaj
Berisha: Besoj te mençuria e klasës politike në Kosovë
Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje se e shikon me shumë optimizëm të ardhmen e Kosovës. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Berisha u shpreh se institucionet e krijuara dhe uniteti i partive politike në Kosovë do ta çojnë këtë vend drejt integrimit në Bashkimin Europian dhe në NATO. "Kosova ka një udhëheqje politike shumë të mençur, të përkushtuar dhe të vendosur, dhe jam i bindur se vërtetë ai nuk do të mund të firmosë, por faktikisht bashkëpunëtorët e tij, institucionet, themelet e të cilave janë që prej viteve të shkuara, institucionet e lira të Kosovës, institucionet e dala nga vota e lirë, forcat politike që janë të gjitha në unitet për sa i përket ardhmërisë së Kosovës, vlerave të shtetit që ndërtojnë, do ta bëjnë këtë. Kështu që unë e shoh me një optimizëm real dhe të sigurt Kosovën një vend të lirë, të integruar plotësisht në Bashkimin Europian dhe NATO, një shoqëri perëndimore, një vend sovran, të pavarur të qytetarëve të barabartë para ligjit, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike", u shpreh dje kryeministri Berisha. I pyetur se si u ndje në ceremoninë mortore të mikut të tij, Berisha tha se Presidenti Rugova ka themeluar Kosovën moderne. "Ai themeloi Kosovën moderne, vlerat më të mira shpirtërore të shqiptarëve dhe të qytetërimit perëndimor, dhe i vendosi ata në themelet e këtij shteti, paqen, mirëkuptimin, tolerancën, lirinë, pavarësinë", përfundoi Berisha.
Jesen- Petersen: Lamtumirë miku im, Ibrahim!
Këndimi i "Himnit të Flamurit" dhe i propozimit për himn të Kosovës që e kishte bërë vetë Presidenti Rugova, "Kur ka ra kushtrimi në Kosovë" ka hapur ceremoninë zyrtare të përshëndetjes së fundit të mysafirëve vendorë e ndërkombëtarë që kanë ardhur për t'i bërë nderimet për Presidentin e ndjerë.
Personalitete të shumta të politikës ndërkombëtare i kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh pranë arkivolit të Presidentit i cili qe vendosur në sallën "1 Tetori".
Gjashtë pjesëtarë të Togut të Nderit kanë rrethuar gjatë tërë kohës arkivolin e tij, në sallën me podium të dekoruar me ngjyrë të kuqe dhe të kaltër që i përgjigjeshin flamurit të disenjuar nga ai vite më parë. Në ballë të sallës qe vendosur një portret i Presidentit të ndjerë, kurse rreth tij, mysafirët ishin ulur nëpër karrige duke krijuar një formë amfiteatri të skenës.
Shefi i UNMIK-ut, Soren Jesen- Petersen, duke iu drejtuar anëtarëve të familjes së ngushtë Rugova, Zonjës Fanë dhe fëmijëve të saj Mendimit, Ukës dhe Teutës ka thënë se prania e një numri kaq të madh të njerëzve këtu si dhe prania e tyre gjatë këtyre ditëve tregon për rëndësinë e kryetarit Ibrahim Rugova dhe për personalitetin e tij.
"Përkundër motit të ftohtë dhe përkundër largësisë, ne kemi ardhur këtu me mijëra veta për t'i thënë lamtumirën e fundit. Kryetari Rugova ia solli ndërmend botës, nganjëherë indiferente, mjerimin e Kosovës. Sot, ajo nuk është më indiferente. Tani bota ka arritur te ai, për t'iu bashkuar popullit të Kosovës, për të bërë homazh dhe për të bërë lamtumirën e ngrohtë", ka thënë Jesen- Petersen duke shtuar se të gjithë ata që u takuan me Presidentin Rugova u befasuan nga urtësia dhe përkushtimi i tij. "Ai ishte i bindur në besimin e tij dhe ishte i palëkundur në metodat e tij. Gjatë gjithë jetës së tij, ai iu përkushtua vetëm mjeteve paqësore dhe ballafaqimit të dhunës me vizionin", ka thënë ai.
"Në një kohë dhe në një rajon ku shumëkush kthehej nga e kaluara, kryetari Rugova gjithmonë ishte i orientuar nga e ardhmja. Ai ia shtroi rrugën Kosovës dhe iu përmbajt asaj në mënyrë të palodhur", ka shtuar Jesen- Petersen.
"Rruga e tij çoi dhe do të çojë drejt një Kosove demokratike, shumetnike dhe të lirë, një Kosove të integruar thellësisht në Europë dhe e cila mban lidhje të forta me SHBA-të, lidhje këto për të cilat ai bëri aq shumë për t'i ndërtuar", ka thënë ai.
Gjatë tërë jetës ai iu përkushtua një qëllimi politik, por, sipas shefit të UNMIK-ut, jeta e tij nuk përcaktohet vetëm nga ky qëllim. "Ai ishte Babai i Kosovës, por ishte baba edhe në familjen e tij të ngushtë. Ne, së bashku me familjen e tij, bashkëndiejmë për humbjen të cilën nuk mund ta zëvendësojmë", ka thënë ai.
"E nderuara Zonja Fanë, Mendim, Ukë, Teutë, Ju falënderoj që i dhatë popullit të Kosovës dhe botës bashkëshortin dhe babanë tuaj. Pasionet intelektuale të Ibrahim Rugovës për letërsi dhe ideologji e bënë atë një personalitet të kompletuar dhe i dhanë atij një bujari të shpirtit të cilin të gjithë do ta kujtojmë dhe admirojmë", ka thënë ai.
"Sot me ne të paktë janë ata njerëz që nuk kanë koleksion të kristaleve të bukura të cilat Presidenti i zgjedhte me kujdes dhe i mbështjellte pas përfundimit të takimit me të. Koleksioni im në zyrë dhe në shtëpi, gjatë muajve të ardhshëm do të ma përkujtojë vazhdimisht humbjen të cilën të gjithë ne e ndjejmë.
Sipas numrit një të administratës ndërkombëtare në Kosovë, Presidenti Rugova ka lënë një zbrazëtirë pas vetes, por poashtu ka lënë edhe një vizion, i cili do ta çojë Kosovën përpara.
Ai, ka thënë Jesen- Petersen, është vizioni përmbushjen e të cilit ai nuk e priti, por "realizimi i të cilit do të arrihet përmes unitetit dhe përkushtimit të atyre që do të shkojnë pas hapave të tij. Ky do të jetë përkujtimi i vërtetë për të". "Presidenti Rugova u nda prej nesh por kujtimi për të dhe ëndrra e tij vazhdojnë të jetojnë. Le të prehet në qetësi, në tokën e Kosovës, të cilën e deshi aq shumë", ka thënë ai.
"Lamutmirë miku im, Ibrahim", tha Jesen- Petersen në gjuhën shqipe.
Kolë Berisha: Rugova do të mbetet udhëheqës shpirtëror dhe historik i Kosovës
Kolë Berisha, nënkryetari i LDK-së, duke iu drejtuar familjes Rugova dhe të pranishmëve tha se ku flet loti, fjala nuk ka vend. Në fakt, vetë Berisha, dora e djathtë e Presidentit të ndjerë, nënkryetar i parë i LDK-së, nuk iu ka përmbajtur lotëve. Pasi ka përfunduar fjalimin, ai vazhdimisht është parë duke qarë për bashkëpunëtorin e tij shumëvjeçar.
"E sot më zëshëm se kurdoherë më parë po flet loti, po flasin sytë, po flet dhembja, po flet pikëllimi ynë i thellë dhe i pafund", ka thënë Berisha, duke kërkuar mirëkuptim për ata që në këto momente dobësie u dridhet buza dhe i tradhton loti", ka thënë ai përvajshëm.
Në saje të punës intelektuale, politike dhe diplomatike të presidentit Rugova, ai tha se periudhën e tij, historia do ta quaj Epoka e Rugovës.
"Më duket se më mirë se unë dhe më mirë se cilado penë tjetër, përgjigjen më të mirë dhe më të sinqertë e dha populli, i cili për këto gjashtë ditë zie dhe pikëllimi kombëtar, përkundër temperaturave të ulëta dhe orëve të tëra duke qëndruar në këmbë, qëndruan në radhë për t'i bërë homazhe, për ta nderuar dhe falënderuar, për t'i qenë mirënjohës deri në përulje Presidentit të tij të parë tashmë të ndjerë për të gjitha ato, që bëri ai për të", tha në mes tjerash Kolë Berisha.
Nderimet që populli i bërë për gjashtë ditë me radhë trupit të pajetë të Presidentit, ai tha se ishin leksioni më i mirë dhe më kuptimplotë për të gjithë ata që kanë marrë apo pretendojnë të marrin votën e popullit. Gjithashtu leksion i mirë, ai vlerësoi se kanë qenë edhe deklaratat e ngushëllimet, që kanë përcjellur burrështetasit më të mëdhenj botërorë me rastin e vdekjes së Presidentit.
Duke rikujtuar kohën, kur kishte filluar të ashpërsohej brutaliteti dhe barbaria e regjimit serb, Berisha tha se shkrimtari atëherë 40 vjeçar, duke iu përgjigjur zërit të Atdheut la mënjanë për pak kohë punën e letrave dhe bashkë me një grup intelektualësh shqiptarë, me një program më shumë kombëtar se sa partiak, formoi lëvizjen e parë legale demokratike shqiptare. Si rezultat i këtij organizimi, ai tha se u promovua për herë të parë një filozofi politike në këtë pjesë të Europës dhe të botës, u krijuan institucionet e pavarura si dhe u vunë bazat e një shteti të ardhshëm të pavarur e sovran të Kosovës.
"Kosova e humbi njeriun i cili me veprimet e tij ndryshoi rrjedhat e historisë. Kosova humbi njeriun dhe udhëheqësin historik, me emrin e të cilit lidhet jo vetëm formimi, zhvillimi, stabilizimi dhe rezistenca paqësore aktive e forcës së parë aktive të popullit të Kosovës, LDK-së, por e humbi artikuluesin e denjë të kërkesave për liri, pavarësi dhe demokraci të Kosovës, njeriun dhe intelektualin e kalibrit europian i cili me orientimin e tij përfitoi simpatinë e botës perëndimore dhe e solli bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë", tha ai në mes tjerash.
Në fund Kolë Berisha tha se ai do të mbetet gjithmonë President i Kosovës, udhëheqës i saj shpirtëror dhe historik.
Alfonso Xhekson shpreh mbështetjen nga SHBA-të për Kosovën
Alfonso Xhekson, përfaqësuesi i qeverisë së Shteteve të bashkuara të Amerikës në ceremoninë e varrimit të Presidentit Rugova, i dërguari nga Presidenti Xhorxh Bush, ka shprehur gatishmërinë e qeverisë së tij për ta mbështetur Kosovën në ecjen e saj rrugës së filluar nga Presidenti i ndjerë, duke bërë thirrje për unitet të faktorit politik kosovar.
"Ju keni një mik dhe dëshirat më të mira nga SHBA-të. Tani është koha që të bashkohemi dhe të përfundojmë punën e Presidentit Rugova, që të bisedoni për të ardhmen e Kosovës. Ju lutem, mos iu shmangni kësaj rruge", ka apeluar Xhekson duke e konsideruar krenari për të lejen e dhënë nga Presidenti i tij për ta përfaqësuar popullin amerikan në ngushëllimet për familjen e Presidentit Rugova dhe popullin e Kosovës.
"Ne e ndajmë me ju pikëllimin. Sot një njeri i mrekullueshëm na ka lënë, një dijetar dhe person demokratik, një njeri i përkushtuar ndaj popullit të tij dhe ndaj tokës së tij, dhe një mik i vërtetë i SHBA i cili e gëzon respektin tonë ashtu siç e gëzon respektin e mbarë botës", ka thënë Xhekson duke shtuar se "SHBA-të janë të zotuara ndaj vizionit të Presidentit Rugova dhe popullit të Kosovës për prosperitet, që Kosova të jetë shtëpi për gjithë popullin e saj, pjesë e Europës dhe perëndimit dhe të jetë e sigurt në familjen e kombeve". Përderisa ka kaluar nëpër fjalë të luftëtarit amerikan për të drejta të njeriut, Martin Luter King, i dërguari amerikan është shprehur se "ne mundemi shumë mirë që të kërkojmë një mesazh të paqes në bazë të të cilit mund të kërkohet një sistem i paqes, për ata që e marrin pishtarin për të ecur përpara".
Nexhat Daci: Shpirti i Presidentit do të na prijë në finalen e madhe
Kryeparlamentari Nexhat Daci, pasi ka përmendur disa nga figurat dhe heronjtë më të rinj të Kosovës, tha se që nga sot atyre ju bashkohet simboli dhe prijësi i krenarisë sonë, që u bë legjendë për së gjalli duke shpëtuar dhe ruajtur substancën tonë kombëtare nga fashizmi i fundshekullit XX, Presidenti i respektuar Ibrahim Rugova. "Kosovë, këta shpirtra, që prehen në qetësi të parajsës e gjithësisë janë fanarë që gjithmonë do të shndrisin ardhmërinë tënde të sigurt në bashkësinë e botës demokratike, të prirë nga SHBA-të dhe bashkësia europiane", tha Daci.
Duke i drejtuar Presidentit Rugova ai tha se në botën e përjetshme, në parajsë e presin shpirtrat e mëdhenj të bashkëpunëtorëve të tij në rrugën e paqes, lirisë, tolerancës dhe shtetësisë së Kosovës, që në përpjekjet shekullore u flijuan për lirinë e Atdheut.
Pavarësisht pikëllimit që ka mbërthyer Kosovën, kryeparlamentari Daci tha se ajo beson që shpirti i Presidentit bashkë me plejadën e të parëve tanë "do të na prijnë në finalen e madhe të pavarësisë në të cilën dinjitetshëm na udhëhoqi ai".
"Presidenti ynë i dashur, pushoni i qetë në parajsën e gjithësisë, sepse në këtë botën tonë kalimtare, asnjëherë nuk gjetët kohë pushim. Ju e përmbushët ëndrrën tuaj, i bëtë themelet që Kosova të jetë shtet i lirë dhe i pavarur, krijuat mirëbesimin dhe filozofinë paqësore e ndërtuese që të gjithë qytetarët pa asnjë dallim të gëzojnë liri të plota dhe të drejta të barabarta", theksoi Daci. Në mes tjerash, ai ka falënderuar bashkësinë ndërkombëtare, Amerikën dhe Jesen Petersenin, për ndihmën që po i japin popullit dhe institucioneve të Kosovës. "Amerikë dhe bashkësi europiane, frymëzues për Kosovën demokratike, shtet të të gjithë qytetarëve që jetojnë dhe zhvillohen të lirë dhe të barabartë për të gjitha etnitë e saja, na prini në realizimin e projektit të Presidentit Ibrahim Rugova, i cili nga sot do të prehet i qetë në Kosovë, në Dardaninë e tij Antike", tha në fund të fjalimit të tij, kryeparlamentari Nexhat Daci.
Kosumi: Rugova imazhi patriotik i Kosovës
Bajram Kosumi, kryeministër i Kosovës ka thënë se Presidenti Rugova i ka dhënë fuqi lëvizjes paqësore politike të viteve 1990 e cila kulminoi me luftën për liri e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe me intervenimin e NATO-s për t'i dhënë fund shtypjes dhe dhunës njëshekullore në Kosovë.
"Sot po i bëjmë nderimet e fundit Presidentit të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova duke i kujtuar figurën dhe duke vlerësuar lart një jetë të tërë dhe punën e tij të madhe për Kosovën. Po i bëjmë nderime njeriut të Kosovës dhe të pavarësisë së saj, njeriut që i dha imazh bashkëkohor lëvizjes patriotike të shekullit XX në Kosovë", ka thënë shefi i ekzekutivit të Kosovës duke shtuar se emri i Presidentit Rugova, njeriut, siç ka thënë ai, të bashkimit dhe tolerancës, të mirëkuptimit dhe të forcës intelektuale, të durimit dhe qëndrueshmërisë është i lidhur pashkëputshëm me pavarësinë e Kosovës, të cilën e bëri të njohur gjithkund në botë.
Kryeministri Kosumi ka thënë se vdekja e Presidentit Rugova, në periudhën më të rëndësishme për Kosovën, shton nevojën për një unitet edhe më të madh të popullit dhe të udhëheqjes së tij, për ta rrumbullakësuar procesin e gjatë dhe të mundimshëm për liri dhe për krijimin e shtetit modern dhe demokratik të Kosovës.
"Bashkimi i ynë në këtë kohë të rëndësishme, vizioni i qartë për të ardhmen tonë do të na ndihmojë që ta përballojmë sfidën më të madhe historike, atë të bërjes së shtetit sovran të Kosovës, dëshirë kjo e pashijuar deri në fund e Presidentit të parë të Kosovës së lirë", ka thënë ai.
"Rruga drejt të ardhmes sonë ishte e rëndë dhe e mundimshme por shoqëria kosovare dhe institucionet e Kosovës kanë dëshmuar pjekuri për të marrë mbi vete të gjithë përgjegjësitë për ardhmen e Kosovës dhe për proceset e tashme dhe të ardhme", është shprehur Kosumi duke shtuar se në këto çaste kur po e nderon Presidentin e Pavarësisë, Kosova ka hyrë në fazën e pandalshme të realizimit të lirisë dhe pavarësisë.
"Ajo po tregon se mundet të bëhet faktori më i rëndësishëm i sigurisë dhe stabilitetit në rajon. Historia e mundimshme e Kosovës në fund të shekullit XX, pjesë e fuqishme e së cilës është edhe Presidenti Rugova ka dëshmuar përfundimisht në rrënjën dhe trungun europian të Kosovës", ka thënë Kosumi.
Por, më shumë se kaq, Kosumi ka thënë se dëshira e kosovarëve është që Kosova të jetë anëtare e BE-së, në mënyrë që të shkojë në vend vizioni i Presidentit Rugova. "Ky është nderimi më i madh dhe shpërblimi i merituar për Presidentin Rugova", është shprehur Kosumi.
Joe DioGuardi: Dr. Rugova, filozof i rezistencës paqësore
Në emrin tim si President dhe të anëtarëve të bordit drejtues të Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane, dërgojmë ngushëllimet tona të thella, tek Familja e Presidentit të Kosovës shqiptare, Prof. Dr. Ibrahim Rugova, tek kolegët e tij dhe tek populli i Kosovës.
Dr. Rugova ishte filozofi i kundër-dhunës dhe duke përdorur rezistencën paqësore, ai arriti t'i përgjigjej Serbisë, pushtimit brutal të Kosovës prej saj, duke shpëtuar shumë jetë shqiptarësh. Ne kujtojmë me këtë rast, guximin dhe bashkëngjitjen në Lidhjen Qytetare në Ëashington D.C më 1990, kur bëmë paraqitjen e aspiratave të shqiptarëve për demokraci, luftën e gjatë për liri të popullit të Kosovës.
Dr. Rugova do të kujtohet gjatë si një lider, i cili e filloi i pari lëvizjen për pavarësi. Ne mund të bëjmë atë më të mirën në këtë përkujtimore, duke punuar më shumë drejt rrugës së Pavarësisë së Kosovës - një realitet mëse i afërt.
Sinqerisht, Joseph J. DioGuardi ,
President i LQSHA
Shirley Cloyes DioGuardi
Këshilltare e Çështjeve Ballkanike
Luan Gashi: Rugova, diplomati i urtë e atdhetar
Humbjen e thellë e të pazëvendësueshme të Presidentit të Kosovës shqiptare, Dr. Ibrahim Rugova, e ndjejnë të gjithë bashkatdhetarët dhe mbarë trojet shqiptare.
Presidenti Rugova u mësoi shqiptarëve diplomacinë e suksesshme, urtësinë e një politikani të moderuar dhe si rezultat i kësaj Ai u imponoi shqiptarëve respektin, duke e konsiderue Presidentin Rugova ma tepër se një lider politik, një lider të vërtetë shpirtnor.
Rugova i mësoi shqiptarët se vetëm nën harmonizimin ndërpartiak mund të arrihet rruga globale gjithkombëtare e bashkimit të trojeve tona etnike.
Rugova e filloi karrierën e tij në letrat shqipe dhe e përfundoi si arkitekt dhe vizionar i Pavarësisë së Kosovës, por edhe si simbol i bashkimit dhe integrimit të të gjithë shqiptarëve në një rrugë të përbashkët...!
Pa dyshim që Dr. Ibrahim Rugova rreshtohet ndër figurat ma enciklopedike të shqiptarëve të shekujve XX-XXI.
Humbja e Presidentit Rugova është humbja ma e madhe e shekullit për mbarë shqiptarët, për të cilët jam i bindur dhe besoj plotësisht se do të ndjekin parimet dhe idealet që ai na la si trashëgimi.
Luan H. Gashi është nënkryetar i PLL për trishtetëshin: Nju Jork; Nju Xhersi dhe Konektikat të SHBA-ve
POLITIKA
Spahiu, takime në Kukës, Shkodër dhe Laç
Legalistët programojnë fushatën e ardhshme për pushtetin vendor
Megjithëse kushtet atmosferike kanë qenë të vështira, legalistët kanë gjetur kohën e duhur dhe kanë shfrytëzuar çdo mundësi për të mos e ndërprerë aktivitetin e tyre politik. Gjatë këtij muaji janë zhvilluar mbledhje të Komiteteve Drejtuese të PLL, në rrethe të ndryshme. Gjatë javës që u mbyll, mbledhje të tilla u zhvilluan në rrethet Kukës dhe Shkodër.
Në këto dy mbledhje, në Shkodër e Kukës, mori pjesë edhe kryetari Spahiu, i cili e vuri theksin te përgatitja e strukturave lokale për të qenë në funksionim të plotë gjatë zgjedhjeve të ardhshme vendore, që për PLL janë të një rëndësie të veçantë mbas atij rezultati dëshpërues të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2005.
PLL Kukës: Do të rrisim përfaqësimin në zgjedhjet e ardhshme vendore
Kukës - Më datë 24 janar 2006, Komiteti Drejtues i Degës së PLL Kukës, zhvilloi mbledhjen e tij të programuar, në të cilën kryetari i Degës z.Halit Muçmata, shkurtimisht paraqiti një ekspoze të aktivitetit partiak në këtë Degë.
Në frymën e kësaj ekspozeje të punës konkrete, edhe drejtuesit e tjerë si zotërinjtë Sulejman Dida, Xhevdet Sopi, Fadil Elezi, Skënder Selmani, Arben Shehu, Sami Dida etj., në fjalën e tyre më shumë u ndalën te përgatitja e infrastrukturës së nevojshme për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Aktualisht legalistët kuksianë drejtojnë komunën e Bushtricës dhe këshillat e komunave të Bicajt e të Shtiqnit dhe gjatë zgjedhjeve të kaluara, ata kanë arritur rezultate zgjedhore që kanë mundësuar futjen e 14 këshilltarëve legalistë në këshillat vendore të rrethit Kukës.
Sigurisht që synimi i legalistëve të këtij rrethi është që, në zgjedhjet e ardhshme vendore, të arrijnë rezultate edhe më të mira, pasi tashmë kjo Degë ka arritur krijimin e një mbështetjeje të konsoliduar elektorale dhe drejtuesit e saj kanë fituar një përvojë të pasur për fushatat zgjedhore.
PLL Shkodër: Përgatitja për zgjedhjet e ardhshme, prioriteti ynë
Shkodër - Anëtarët e Komitetit Drejtues të Degës së PLL Shkodër, kanë vendosur që, të shtunën e fundit të çdo muaji, të zhvillojnë mbledhjen e Komitetit Drejtues të Degës. Dhe për t'i qëndruar korrekt kësaj nisme, ditën e shtunë, më datën 28 janar 2006, u zhvillua mbledhja e Komitetit Drejtues të kësaj Dege.
Kryelegalisti shkodran z.Ilir Kuka, mbajti raportin ku evidentoi punën e deritanishme. "Por qëllimi kryesor i kësaj mbledhjeje - theksoi ai - është vendosja e piketave ku do të mbështetet puna e strukturave të PLL në ditët dhe javët e ardhshme".
Diskutuesit e tjerë si nënkryetari z.Bajram Xhafa, sekretari i Degës z.Ferdi Lluja, z.z.Burhan Agri, Myzafer Arifi, Riza Spahiu, Flamur Hoxha, Rrok Rrinaj, Loro Rrotani, Ndue Marku etj., vlerësuan se është koha e përshtatshme për të bërë hapat e domosdoshme për të përballuar fushatën e ardhshme zgjedhore për pushtetin lokal. Ideja ishte që një forum më i gjerë i legalistëve të kësaj Dege, të mblidhej dhe të aprovone një projekt për aktivitetin deri në zgjedhje. Po ashtu në këtë mbledhje u ngrit si çeshtje nevoja e zgjedhjeve të reja në forumet partnere të PLL. Për këtë arsye, u la si detyrë të bëhen zgjedhjet e reja në forunet e Senatit të veteranëve legalistë, të Rinisë dhe Gruas së kësaj Dege.
Diskutuesit në fjalët e tyre shprehën besimin se votat e marra në zgjedhjet e fundit parlamentare në emër të LZHK, jo vetëm që do të shkojnë në favor të PLL, por ato do të njohin rritje në shifra. Kjo edhe për faktin se zgjedhjet vendore janë të lidhura drejtpërdrejt me interesat e bazës legaliste.
Në fund u vendos që më 25 shkurt 2006, të bëhet një aktiv i zgjeruar për fillimin e pregatitjeve për zgjedhjet vendore.
Legalistët kurbinas: do forcojmë bashkëpunimin me PD
Po këtë fundjavë, kryetari Spahiu zhvilloi një takim me drejtuesit kryesorë të Degës së PLL Laç. Kryetari i Degës z.Mark Lleshi, e informoi kryetarin Spahiu për punën e deritanishme, por edhe lidhur me përgatitjet për mbledhjen e Komitetit Drejtues të Degës, që do të zhvillohet në ditët e ardhshme. Zotëri Lleshi theksoi se marrëdhëniet e legalistëve kurbinas me Degën lokale të PD janë mjaft pozitive dhe shprehu bindjen se ky bashkëpunim do të thellohet në të ardhmen. Ai tha se Degët e PLL e PD në Laç, kanë pasur gjithmonë bashkëpunim të frytshëm, në varësi të interesave lokale, të cilat janë sendërtuar edhe në marrëveshje konkrete. Edhe drejtuesit e tjerë të kësaj Dege, gjatë bashkëbisedimit u shprehën optimistë për gjendjen organizative dhe politike aktuale dhe theksuan bindjen se përvoja e derisotme do t'u shërbejë që në zgjedhjet e ardhshme kjo degë të arrijë rezultate të larta, sidomos në këto momente kur nevoja e bashkëpunimit me PD dhe përvojat në këtë drejtim kanë rezultuar mjaft të frutshme, çka ka rritur respektin dhe vlerësimin e ndërsjelltë midis këtyre forcave politike të djathta.
Korresp. i "Atdheu"
INTERVISTA
Intervistë me z.Astrit Kola, kryeredaktor i gazetës "Atdheu" dhe zëdhënës i PLL
Astrit Kola: Pushtetet vazhdojnë abuzimin me intelektualët
(Vijon nga numri i kaluar)
Z.Kola, në intervistën e numrit të kaluar ju u shprehët për raporte të veçanta të z.Berisha me analistët e njohur të mediave. Cili është mendimi juaj lidhur me debatin e fundit televiziv në emisionin "Opinion" të Fevziut dhe a e lëkundi ky debat mendimin tuaj për raportet e sipërcituara mes kryeministrit dhe ustallarëve të mediave?
Kompozimi i këtij debati në "Opinion", ndarja e roleve midis protagonistëve..., e deri tek impostimi vokal i ustallarëve të mediave që bënë gazetarin përballë shefit të qeverisë, për mendimin tim nuk ishte, as më pak e as më shumë, sesa një shantazh i hapur ndaj kryeministrit të frustruar ndaj atyre që jo vetëm pretendojnë dhe bëjnë faktikisht opinionin mediatik e publik në këtë vend, por që u është mbushur mendja se bëjnë edhe shiun, edhe erën. Pra këta, të yshtur nga grandomania, ngaqë ia kanë arritur të rrëzojnë edhe z.Berisha më '97-ën, edhe z.Nano më '2005-ën, iu vërsulën kryeministrit duke i kërkuar llogari për premtimet parazgjedhore dhe 100 ditët, të cilat nuk mjaftojnë as për të ngrohur motorët e turbinave të qeverisjes, e jo më për të bërë shamatë e shantazhe...
Por këtë takëm, me përjashtim të Mero Bazes, as që e ha meraku për fatet e këtij vendi, sepse në të gjithë gër-mërr-et që ka prodhuar deri më tash nëpër mediat, kurrë nuk kanë trajtuar probleme kruciale të vendit, përveçse kanë molloisur mbi bazë thashethemesh dhe politikash që bëhen nëpër kafenetë dhe hotelet luksoze të kryeqytetit.
Ky takëm e ka hallin të shantazhojë pushtetin në këmbim të ndonjë trualli, reklame, përfitimi postesh apo lejeje ndërtimi, të joshur nga përvoja e "King"-Artur-mashkulloritit, apo "Mulla Omar"-it të RTSH. Nuk e besoj që kryeministri ta ketë ngrënë këtë shantazh, sepse nuk e njoh për kaq frikacak saç e pandehin.
Këtu jemi dhe do shohim, do flasim e do shkruajmë...
Një nga komponentët më të rëndësishëm që PD shfaqi gjatë vitit të kaluar, e të cilin e ka vënë në themel edhe të qeverisjes aktuale, është ai intelektual. Komponent që, natyrshëm dhe me efektivitet maksimal, kulmoi me KOP-in. A ndani edhe ju të njejtin mendim me mua?
Mendoj se sistemet dhe modelet politike të kompleksuara, gjithmonë kanë amplifikuar përdorimin e intelektualëve, duke propaganduar se kanë siguruar mbështetjen e tyre dhe se janë bartës së frymës e filozofisë së shtresës më të ndritur të shoqërisë, pra të njerëzve të dijes, kulturës dhe mendjes. Druaj se kjo po ngjet edhe tani, sepse ne gjithmonë i kemi thurur ditirambe pikërisht asaj që na ka munguar. I kemi thurur ditirambe ndërgjegjes kombëtare dhe Rilindjes, pikërisht kur ato kanë qenë më të rrezikuara dhe më të tradhtuara se kurrë; u kemi thurur lavde lirisë dhe pavarësisë së atdheut, bash kur ato i kemi patur më të kufizuara se kurrë dhe kur më shumë se gjysma e kombit lëngonte nën thundër të armiqve shekullorë; i kemi thurur lavde "demokracisë socialiste", që paturpësisht etiketohej hapur si "diktaturë e proletariatit", duke krijuar kësisoj paravolinë absurde "demokraci - diktaturë(!!??)"; u kemi thurur lavde udhëheqësve mendjendritur të komunizmit, bash kur e gjithë Byroja Politike e PPSH në pushtete e qeveri, përbëhej nga sharlatanë të padiplomuar, e ku më i shkollepsuri syresh lëvdohej se kish mbaruar "fakultetet-kurse të "filozofisë M-L" të KGB e UDB, për çka edhe e shqyen njëri-tjetrin pas akuzave monstruoze, gjatë luftës për pushtet; glorifikuam besën, bash kur pabesinë e kishim armën e varrosjes së njëri-tjetrit dhe kombit; glorifikuam demokracinë dhe kapitalizmin si sistemet ekonomiko-shoqërore më të ndritura e më produktive të shoqërisë, bash atëherë kur në drejtim të tyre vumë kontigjente injorantësh obskurë, që ishin ku e ku më poshtë sesa mesatarja e nivelit arsimor e profesional të vendit, e ku mendjendriturit jo vetëm që nuk u ftuan në politikë e qeverisje, por morën arratinë nga përzënia, dhe nga nevoja për bukën e gojës...
Kështu, me këtë avaz theqafës, na bie që, nën shembullin edhe të profecive të Nadire Muhametit nga Senegali, të glorifikojmë e dekorojmë si ministra e profesionistë mendjendritur, edhe Ben-adhamudh-piramidën e Llallalla-Katundit apo Kacangjelin, që na shpunë në vend të fundit në botë, në të gjitha klasifikimet, si për të na vërtetuar, duke na e përplasur në fytyrë, maksimën proverbiale të gjeniut Faik Konica: "Ti Halim që s'di këndim, je ministër për arsim...".
Hierarkia e vlerave në këtë vend, që kurrë nuk u vendos me garë dhe përballje të ndershme, gjithmonë është përcaktuar nga politika dhe pushteti. A dini ju të më thoni se kush tjetër, përveçse lidershipit komunist, i shpalli dhe i kulmoi, pa garë dhe pa miratimin e vetë artistëve, sharlatanët e shumtë që morën titujt: Artist, Piktor, Skulptor... - i Popullit?
Dhe a e dini ju se bash këta mbahen sot, ende, si maja e arteve dhe kulturës në Shqipëri!!! Janë bash këta që me socrealizmin i shërbyen PPSH-së dhe diktaturës, e sot u shërbejnë partive dhe pushteteve në Shqipëri. Pra të përzgjedhurit si "të mëdhenj" nga xha Pilo e xha Pali, mbahen ende si korifej të kulturës shqiptare.
Bash në këtë frymë papërgjegjshmërie dhe fabrikimi personal të hierarkisë së vlerave, në vitin 2000, Rexhep Majdan-ozi i Presidencës dekoroi me titullin e lartë, atë që mban emrin e mëndjendriturit Naim Frashëri, marangozin e Akademisë së Shkencave!!!
Edhe pushtetet e pas '90-ës këtë bënë, e mbushën vendin me profesorë të pafund.
Para vitit 1990, titulli Profesor njihej thjesht si titull pedagogjik dhe kuazi-akademik (jo shkencor, sepse të tillë ishin "B.vj.shk.", "Docent" dhe "Dr. i shkencave") dhe jepej vetëm pas viteve të gjata në mësimdhënie nëpër katedra, aktivitet i gjatë studimor e hulumtues dhe vështirësisht i klasifikueshëm si mirëfilltazi shkencor, kombinuar me veprimtari botuese në buletine studimore e shkencore prej afro 2800 faqesh, si dhe për autorësinë apo bashkautorësinë e domosdoshme në tekstet universitare e atyre të shkollave të mesme të profilizuara, apo kurseve intensive pasuniversitare.
Dhe për ta thyer pakëz këtë diskur të rëndë me konotacion akademik, më lejo të të rrëfej një shaka të një mikut tim mendjendritur, që thotë se "veshëgjatët janë shumë të dobishëm për shefat dhe pushtetarët, sepse janë të nevojshëm e të domosdoshëm për të bërë diferencën për të gjithë takëmin e gjeni(t)alëve e pusht-shtetit. Ata (veshgjatët), janë shumë të lehtë dhe efikasë në përdorim..., mjafton të mbushësh thesin me ta, dhe, sa herë të të lipsen, fut dorën në thes..., i kap nga veshët llapushë dhe i nxjerr menjëherë, pa mundim. Pastaj ata kanë edhe cilësinë e vyer që shtohen shumë..., dhe kësisoj sigurojnë bollëkun e komoditetin e domosdoshëm që u lipset mëtonjësve të pushtetit për të qëndruar në krye...".
A e dini ju se bodrumet e Bibliotekës Kombëtare janë të mbushura dëng me "temat shkencore" të autorëve të titujve shkencorë të akorduar për çimkat, morrat, karkalecat, mizat, ferrat, organizimin e vogël të punës së skuadrës kooperativiste, e deri për metodat e shtimit të kalit? Ja pra ku jemi, bash aty ku kemi qenë..., pra asgjëkundi!
Shpresoj që KOP-i të mundet të mbulojë mungesën fatale të kapaciteteve dhe platformave qeverisëse shpëtimtare, apo të sfumojë sadopak shijen e hidhur që lë ky parlament, që është padyshim më skandalozi që ka parë ndonjëherë Shqipëria.
Ky institucion, pra më i larti në hierarkinë e institucioneve të një republike parlamentare, është ku e ku më poshtë se ai që doli nga pseudozgjedhjet e 31 Marsit 1991, që megjithëse popullohej në shumicë nga kryetarë kooperativash, të paktën përbëhej nga njerëz me përvojë pune organizative e shtetërore, qoftë edhe minimale, e që gjithsesi ishin provuar disi në drejtim dhe organizim, në sytë e të gjithëve, pra nuk ishin alienë, apo të paprovuar asgjëkundi!
Do t'u lutesha juve, si mik dhe koleg, të më ndihmoni të paktën të gjej e lexoj ndonjë program apo platformë shpëtimtare të ndonjë eksponenti të KOP-it. Ma merrni seriozisht këtë kërkesë dhe mos u përpiqni të më kandisni duke më rrëfyer për të tilla, hartimet në formë editorialesh apo opinionesh të ndoca "Liberalëve", teoritë e të cilëve i bëri copë e çikë një njeri i vetëm, Prof. Dr. Hysamedin Ferraj, në dy polemika shkatërruese.
Në përfundim të kësaj pyetjeje, do të ofroja për ilustrim postulatin e mendjendriturit Gustav Lëbon, që thotë se "Fuqia intelektuale, shkalla e qytetërimit, e zhvillimit teknologjiko-ekonomik dhe në përgjithësi niveli kulturor i një vendi, nuk maten me numrin e të diplomuarve apo përqindjen e lartë të arsimimit masiv, por kryesisht dhe vetëm me sasinë dhe cilësinë e intelektualëve që përfaqësojnë elitën e elitës së shoqërisë së atij vendi".
Nisur nga ky përkufizim, pa rënë në fatalitet, ndoshta duhet pohuar se këta jemi dhe këtë meritojmë..., pra këtë pushtet, këtë perspektivë zhvillimi, këtë klasë politike, etj., etj..
Më lart përmendët Akademinë e Shkencave. Cili është në fakt opinioni juaj për reformën e shumëpërfolur në këtë Akademi dhe a e justifikon ajo gjithë këtë zhurmë që po bëhet?
Jam menduar dhe konsultuar gjatë për këtë problem, dhe më rezulton se qëllimi kryesor i saj është atashimi i instituteve shkencore pranë fakulteteve, si dhe ngritja e universiteteve në stadin dhe standardet shkencore që kërkon nënshkrimi i kartërave dhe Marrëveshjes së Bolonjës. Deri këtu mirë, sepse në njëfarë mënyre kjo është edhe pranim i dështimit shkencor e pedagogjik të katedrave të mbushura dëng me sharlatanë me tituj shkencorë të tipit të Xhelal Gjeçovit e Agron Ganit, të cilët nuk do të dinë ku të futen kur të botohet libri i historianit të talentuar Kastriot Dervishi për Historinë e Shqipërisë.
Në tekstet tona të Historisë është stampuar enverizimi dhe atavizmat antishkencorë të historiografisë enveriste. Përveç disa etiketimeve ekstreme, vlerësimi i periudhave kryesore ka mbetur si më parë; janë të njejtët autorë apo bashkëmendimtarë të tyre dhe, nëpër tekstet në qarkullim, thjesht është bërë redaktim i teksteve apo dorëshkrimeve të vjetra dhe të pabotuara asokohe. Edhe korrupsionin e lartë dhe rryshfetin nëpër universitete, pikërisht ky takëm sharlatanësh e ka futur.
Shkencëtarët dhe pedagogët e vërtetë, nuk mund ta ndyjnë shkencën dhe pedagogjinë me të tilla fëlliqësira.
Por druhem se përveç qëllimit të lartpërmendur, qëllimi i ustallarëve që qëndrojnë në prapaskenë të kësaj reforme është uzurpimi i një pushteti që deri më tash ndodhej në duar të enveristëve të Akademisë, thënë ndryshe, në duart e PS dhe Gramoz Ruçit e majko-Pandushkës. Ky pushtet nuk është dosido, por pushtet "shkencor", që do të përdoret për të spostuar fillimisht të padëshiruarit e të paaftët aktualë, e më pas për të mbathur me tituj shkencorë veshgjatët e politikës, si instrument për t'u siguruar karrierë të sigurt, sikundër po e sigurojnë atë dhe punësimin, mbajtësit e ndoca master-ave që nuk dihet përse janë marrë e ku hyjnë në punë.
A e dini ju se një miku im është marrë nga rruga dhe është bërë dekan në një fakultet, dhe vetëm pas disa ditësh, me urdhër të hierarkëve të PS i është dhënë titulli Profesor. Dhe ai sot vazhdon të mbajë ende vendin e punës, madje titulli dhe vendi i punës, tejet i rëndësishëm, është bërë shkas që të ketë e fitojë çdo ditë privilegje që, më parë, as që mund t'i imagjinonte.
Kryeministri ynë, profesor i nderuar dhe i apasionuar madje, nuk e di, përshembull, se unë njoh disa pedagogë të pompuar nga ish pushteti, që punojnë burllakë në Vollgë apo dokerë në Tamiz, ku kanë shkuar gjoja të dërguar nga fakultetet, "për specializim", dhe paguhen pa ndërprerje në fakultetet, ku mbahet fshehurazi kjo e vërtetë.
Z.Berisha gjithashtu nuk e di faktin se në Akademinë e Arteve të Bukura, shumica e pedagogëve nuk kanë as leksione të miratuara e të botuara, por as konspekt leksionesh emergjence. Atje mësimi jepet rrumpallë, dhe në planin teorik studentët janë profanë të vërtetë, pasi të tillë janë edhe pedagogët, të cilëve po t'u dërgosh kamerat dhe mediat e shkruara për të investiguar, do të marrin arratinë...
Aty jo vetëm që nuk mund të flitet për Akademi, që është institucioni i nivelit më të lartë të kualifikimit shkencor dhe punës studimore e pedagogjiko-shkencore, por puna që bëhet dhe njohuritë që jepen, janë të denja vetëm për kurset e analfabetizmit të "pas-çlirimit".
(vijon në numrin e ardhshëm)
ANALIZA
Shqiptaret dhe perplasjet me serbet
Perplasja e qyteterimeve ne variantin e akademikeve serbe
(Vijon nga numri i kaluar)
Jevtiçi serb fyen inteligjencën njerëzore dhe logjikën normale, kur deklaron se "Muslimanët e Bosnje-Hercegovinës nuk e pranojnë shkakun e religjionit si shkak i konfliktit midis tyre e serbëve. atje".
E si mund të pranohet ky pohim, pra se shkaku i konfliktit të përgjakshëm në Bosnje midis mlladiçëve e boshnjakëve të paarmatosur, qënkërka shkaktuar nga alergjia reciproke dhe pamundësia e bashkëjetesës midis imamëve dhe besimtarëve myslimanë nga njëra anë, dhe popëve serbë e besimtarëve të tyre nga ana tjetër!!!
Nuk është ndyshimi në besimin fetar, shkaku themelor dhe më kryesori, i shpërthimit të konfliktit rrënqethës në Bosnje, që mori përmasat e një Holokausti bash para hundëve të qytetërimit botëror. Ndonëse kjo diferencë besimesh u përdor paturpësisht si një ndër pretekst-sebepet e konfliktit të imponuar nga serbët, sa kohë që këta të fundit u munduan të shfarosnin kushërinjtë e largët të familjes së tyre të përbashkët "jugo-sllave" për t'u grabitur tokën e pasurinë. Dhe këtë aventurë, nacional-shovinizmi serb e ndërmori me papërgjegjshmërinë më minimale, thjesht duke i paraqitur myslimanët e Bosnje-Hercegovinës si "placdarmë dhe burim kontigjentesh fizike të terrorizmit islamik", që kërcënuaka "Perëndimin", sa kohë që po sulmonin për të shfarosur edhe sllovenët e kroatët, në zbatim të planit shtazarak të larjes përfundimtare të hesapeve midis serbëve dhe joserbëve në Jugosllavi.
Me këtë "blickrig" alla-hitlerian, serbët dhe Millosheviçi synonin për ta vënë Perëndimin para faktit të kryer, si gjithmonë, e për t'i mbyllur paskëtaj bilancet pozitive të ultranacionalizmit serb me ndonjë konferencë paqeje, mundësisht në tokën e aleatëve të tyre shekullorë dhe nën ndikimin e trysninë e tyre e të Rusisë, në vendimet përfundimtare të coptimit të të tjerëve dhe njohjes së realiteteve të arritura në terrenin e luftës. Mirëpo fatmirësisht, serbët nuk ia arritën këtij qëllimi, madje ata humbën edhe Kninin, Krajinën dhe Sllavonia-n Lindore, duke u detyruar të ristrehojnë në Serbi afro 200 mijë kolonë-refugjatë serbë.
Dhe për t'ua thyer hundët këtyre hitlerianëve të Ballkanit, amerikanët, që përgatitën Dejtonin (dhe jo Versajën e ëndërruar prej serbëve), edhe Republikës Srpska nuk i dhanë mundësinë e nuk ia plotësuan dëshirën që të fitonte të drejtën e bashkimit me atdheun amë - Serbinë, me ç'rast Koshtunica shpërtheu vrerin e grumbulluar të serbëve, në sulmet mediatike që drejtoi kundër Perëndimit dhe SHBA-ve, e në të cilat nuk kurseu as idhullin e tij, Millosheviçin, që e akuzoi për "bashkëpunim ekstrem me SHBA-të dhe Perëndimin antiserb".
Ishin pikërisht amerikanët ata që ndikuan dhe ia arritën t'ia vënë byzylykët në duar (duke e plasur në birucat e Hagës), edhe vetë plakës së moderuar serbe, Biljana Plavshiçit, që flirtonte në Pale me Mlladiçin e Karaxhiçin, me të cilët kishin ndarë detyrat, e ku, sipas tyre, plaka do të bënte politikën e përfaqësimit "pacifist" të serbo-boshnjakëve, ndërsa të banditët do të bënin spastrimin etnik përfundimtar të myslimanëve të gjorë.
Jevtiç nuk mund të bëjë të paditurin për faktin se Perëndimi e di mirë se, në morinë e shkaqeve që paraprinë dhe ndezën Luftën e Parë Botërore, Luftën e Dytë Botërore, e deri tek më i fundit, e më i rëndomti ndër konfliktet rajonale, nuk ka patur dhe nuk mund të ketë në themele religjionin, si shkak thelbësor. Dhe kjo vlen si e vërtetë aksiomatike, që nga kohët e kryqëzatave të famshme.
Religjioni kurrë nuk ka qenë shkak thelbësor, përveçse sebep, pra pretekst i sipërfaqshëm e demagogjik...
Jevtiç gjithashtu gabohet rëndë dhe fyen sërish mendjen më të zakonshme kur deklaron marrinë se "përveç religjionit islamik, myslimanët e Bosnjes nuk kanë ndonjë formë tjetër të bashkekzistencës kolektive midis tyre si myslimanë".
Dhe gabohet sepse religjioni, për boshnjakët, është shndërruar në filozofi politike e mendësi jetese, ashtu si edhe për serbët (dhe grekët); pra si një ndër komponentët kryesorë të kulturës dhe identitetit të tyre kombëtar, pas degëzimit të pandërprerë dhe largimit kohor, në aspektin ontogjenetik e filogjenetik, të trungut të tyre etnik nga trungu etnik serb, kroat, malazez, slloven, maqedonas, bullgar etj., të sllavëve të Jugut.
Pra historia e formimit të kombit boshnjako-hercegovinas, nuk mund të jetë e ndryshme nga ajo e krijimit të kombeve të tjerë, ku natyrisht religjioni ka kontribut të rëndësishëm, por thjesht, (siç theksova edhe më lart-A.K), në aspektin e krijimit të profilit dhe identitetit etnik, sikundër historia njeh edhe për popujt e besimit protestant e atij ortodoks, që determinuan edhe procesin e komb-formimit të popujve të tjerë pas Shizmës së Madhe të Kishës...
Ndonëse nuk është aspak i vërtetë pohimi i Jevtiç se "Myslimanët e Bosnjes e të Hercegovinës, janë vetë ata që e përcaktojnë kulturën e tyre si esencialisht religjioze, dhe se nga ky këndvështrim, na bëhet e qartë se përse Bosnje-Hercegovina ka patur Islamin si zanafillë", nuk do të kishim arsye për t'u habitur nëse do të ishte vërtet kështu. Dhe kjo sepse, nëse do ta pranonim pa rezerva këtë, i njëjti pohim do të kish vlerë edhe për serbët dhe besimin e tyre ortodoks, besim i cili jo vetëm që u ka dhënë shteteve të tyre fytyrë religjioze, (që nga koha e Stefan Dushanit), por sikundër e pranojnë edhe vetë ata, ortodoksia është garanti i unitetit dhe fillesa e ngjizjes së tyre kombëtare, duke përfshirë edhe aspiratën kombëtare të "Serbisë së Madhe".
Por Jevtiç i kalon të gjitha caqet e vetpërmbajtjes dhe logjikës formale, (këtij atributi thelbësor të mendjes njerëzore), kur pohon tezën absurde se "Vetë teoria e Islamit është e implikuar me ekspansionizëm konstant, çka logjikshëm u shpreh në Bosnje-Hercegovinë dhe u shtresëzua në bazamentin e luftës atje".
Nuk ka qenë "ekspansionizmi islamik" i boshnjakëve, që shkaktoi luftën... Por përkundrazi, ka qenë ekspansionizmi i shovinizmit militarist serb, për hapësira jetike e deri në daljen me çdo kusht të Serbisë në bregdetin Dalmat dhe detin Adriatik.
Edhe aventura e marrjes me dhunë të Istrias pas LDB, nuk ishte thjesht ëndërr e vjetër e kroatit Tito (e deri e prekursorëve nacionalistë-ustashëve kroatë të Ante Paveliçit), por në radhë të parë ishte ëndërr e shovenëve komunistë serbë, (sikundër edhe e çetnikëve të Drazhe Mihajlloviçit), që përfaqësonin shumicën vendim-marrëse të lidershipit politik e ushtarak të PKJ dhe Armatës komuniste të Jugosllavisë.
Dhe meqenëse religjioni nuk mund të përdorej kaq trashë për të argumentuar konfliktin ndëretnik në Jugosllavinë e dekadës së fundit të shekullit XX, Jevtiç e kthen pllakën kur tezën e Hantingtonit për "Përplasjen e qytetërimeve", mundohet ta përdorë si argument të analizës së tij për shkakun e konfliktit serbo-shqiptar në Kosovë, apo kur pohon se "Konflikti serbo-shqiptar në Kosovë, është ndofta jo pastërtisht religjioz, por plotësisht një Përplasje Qytetërimesh(!!!)".
Këtë konkluzion të Jevtiç e kundërshton akademiku serb Budimir Kosutiç, që pohon se "Shpërbërja e Repubikës Socialiste Federative të Jugosllavisë nuk mund të jetë kurrsesi pasojë e Përplasjes së Qytetërimeve. Në të kundërt, ajo është provokuar dhe stimuluar nga veprimi i një numri të konsiderueshëm faktorësh, të jashtëm e të brendshëm". Por ky autor e ka të vështirë të pohojë se shpërbërja e RSFJ ishte rezultante spektakolare e luftës ndëretnike që shpërtheu atje, dhe për pasojë, Kosutiç e ka sërish të vështirë të na i shesë shkaqet që provokuan dhe stimuluan konfliktin, si qëllim i vërtetë i shpërthimit dhe zhvillimit të tij të përgjakshëm.
Gjithsesi le të kthehemi tek Jevtiç.
Ky spekullant serb, lidhur me konfliktin serbo-shqiptar në Kosovë, shprehet se "Kosova dhe konflikti atje, përbëjnë një rast të veçantë. Dhe kjo sepse situata në Kosovë ka qenë e ndryshme..., sepse rëndom, në themel të konfliktit atje ka qenë problemi tejet i agravuar i nacionalizmit shqiptaromadh (!!!)".
Po përse ky konflikt qënkërka i veçantë për nga natyra (sipas jevtiçëve serbë), përderisa të njejtën akuzë, (pra të nacionalizmit kroato-madh, me fillesë Ustashët), serbët dhe historiografia e tyre hedhin edhe kundër kroatëve që në fillim të shekullit XX, madje i konsiderojnë ata si agjenturë e Vjenës, duke përfshirë këtu edhe ish ministrin e Jashtëm të Mbretërisë SKS të kohës së Konferencës së Versajës, kroatin Trumbiq!!!
Sipas Jevtiçit, qënkërka nacionalizmi shqiptaromadh ai që i paska nxitur Millosheviçin dhe serbët për të filluar masakrat kundër shqiptarëve të pambrojtur në vitet 1998-1999, kundër grave, pleqve dhe fëmijëve!!!.
Ndryshe nga nacionalizmi religjioz islamik i boshnjakëve, sipas Jevtiç "Nacionalizmi shqiptaromadh, për hir të së vërtetës, duhet pohuar se është thellësisht sekular (laik, pra jofetar), ngaqë harku i popullit shqiptar ndahet në anëtarë të 3 besimeve të ndryshme fetare. Megjithatë, ky hark në ish Jugosllavi ka qenë jo plotësisht në raporte të tilla, ngaqë myslimanët, ndër shqiptarët e Jugosllavisë përbëjnë vetëm 95 %, pjesa tjetër janë të krishterë".
Jevtiç me të drejtë pohon se nacionalizmi shqiptar në ish Jugosllavi është thellësisht sekular, për shkak se feja kurrë nuk ka dalë mbi shqiptarinë ndër bashkatdhetarët tanë, gjatë historisë. Madje ky ka qenë edhe ndër apelacionet e synimet e shenjta të filozofisë së Rilindjes sonë kombëtare.
Por Jevtiç dëshmon inkoherencë konceptuale dhe gjykimi shkencor, kur në trajtimin e rezistencës së armatosur të shqiptarëve gjatë konfliktit në FYROM, të shkaktuar nga represioni i shovinistëve spurdhjakë maqedonas, thekson se "... po t'u referohemi ngjarjeve në Maqedoni, atje separatistët shqiptarë janë transformuar dhe janë vetshpallur si aktivistë të një lëvizjeje religjioze-islamike(!!!)".
Po cili pohim i Jevtiç-demagogut konfuz, qëndron? Ai që nacionalizmi shqiptar është sekular, apo që është në trajtën e një "lëvizjeje religjioze islamike(!!!)".
Dhe për të vërtetuar me çdo kusht tezat e Hantingtonit për "Përplasjen e Qytetërimeve", thjesht si fiksacion i sëmurë që determinon gjithë psiqikën e tij, Jevtiç e mbyll tautologjinë me paragrafin kakofonik se "... kur e gjithë kjo vlerësohet krahas konfliktit midis grekëve, bullgarëve dhe turqve, që e kanë filluar konfliktin religjioz me shfaqjen e Selxhukëve, vërehet se tezat e Hantingtonit lidhur me përplasjen e përgjakshme të religjioneve (pra edhe të qytetërimeve) në amfiteatrin ballkanik, vërtetohen plotësisht".
Dihet se turqit selxhukë erdhën për toka në Ballkan, por Jevtiç nuk na i shpjegon dot me tezën e "religjionit", luftërat e përgjakshme të Stefan Dushanit dhe Nemanjiçëve në mesjetë kundër ortodoksëve të Ballkanit, madje deri Athinë e Pire, apo ato midis bullgarëve, grekëve e serbëve, që nga fillim-shekulli 19, e deri 140 vjet më vonë, në fund të LDB.
Ashtu si paraardhësit akademikë serbë të sipërcituar, edhe Budimir Kosutiç, ithtar i Hantingtonit, thekson se "Shpërbërja e ish Jugosllavisë, është pasojë e përplasjes së qytetërimeve në Ballkan".
Madje ky autor injoron shkaqet ekonomike dhe ideologjike që frymëzojnë luftërat pushtuese për hapësira jetike, (shkaqe që frymëzuan edhe Boshtin fashist, para dhe gjatë LDB, e të cilat Hitleri i shprehu krejt hapur), duke njohur vetëm diferencat kulturore si faktorë kauzalë!!! Ndaj, duke pretenduar t'u veshë argumentave të tij themele shkencore, Kosutiç thekson se "Bazuar në tezat kryesore shkencore, sipas të cilave burimet bazë të përplasjeve në botë, gjatë, në fund, dhe pas Luftës së Ftohtë, nuk janë kryesisht ekonomike apo ideologjike, por kulturore, studiuesi i shquar amerikan, Samuel Huntington, konkludon në veprën e tij se shpërbërja e RSFJ është pasojë e përplasjes së qytetërimeve në territoret e saj, çka ka sjellë ndarje qartësisht të dukshme, me kufij religjiozë, ndarje të qytetërimeve, midis shteteve dhe kombeve".
Por Kosutiç dhe idhulli i tij Hantington, nuk janë në gjendje të shpjegojnë faktin se gjatë konflikteve të serbëve dhe maqedonasve me shqiptarët, të parët nuk gjetën dot aleatë ortodoksë midis shqiptarëve të këtij besimi, që të dilnin kundër vëllezërve të një gjaku. Dhe kjo sepse gjatë këtyre konflikteve nuk determinonin diferencat kulturore e fetare, por ato kombëtare, konform interesave dhe platformave të hartuara nga çdo komb, sipas parimit të kombësisë dhe arealit teritorial autentik për shqiptarët, kundër të cilit qëndronin ideologjitë nacional-shoviniste të fqinjëve.
Ndaj sërish gabohet Kosutiç, kur kërkon që shkaqet e thella të konflikteve ballkanike, kërkon t'i gjejë tek ndikimi i faktorëve të jashtëm (ekstra-jugosllavë), duke na e paraqitur këtë konflikt si të importuar, teksa shprehet se "Megjithatë, Hantingtoni injoron vendet islamike që mbështetën myslimanët boshnjakë(!!!), ndërsa bota ortodokse mbështeti ortodoksët serbë, ndonëse lehtësisht dhe me ndrojtje - për shkak të varësisë nga Perëndimi.
Vendet islamike nuk dhanë ndonjë ndihmë të konsiderueshme gjatë konfliktit në Bosnje, sepse po ta kishin bërë këtë, (për shkak të fuqisë së llahtarshme ekonomike e ushtarake disponibël), ky konflikt jo vetëm që nuk do të lejohej të zgjaste 3 vjet, por bilanci i tij tragjik nuk do të rëndonte nga boshnjakët myslimanë, përveçse nga serbët agresorë e luftënxitës.
Do të ishte mirë të ngjante kështu, pra që vendet islamike të mbështesnin boshnjakët e paarmatosur... Pasi vetëm ekuilibri i raportit të forcave ushtarake në terren dhe atyre në tryezat diplomatike, do ta mbyste që në embrion konfliktin e përgjakshëm që mori jetët e 300 mijë viktimave të pafajshme boshnjake, gjysma e të cilëve ishin "engjëj"-fëmijë.
Të gjorët boshnjakë, edhe atëherë kur, bashkë me kroatët shpërthyen ofensivën e pranverës dhe verës së vitit 1995 kundër ushtrisë së Mlladiçit, u ndaluan me forcë nga ndërkombëtarët, pas ndërhyrjes së vëllait të madh sllav- Rusisë, tashmë duke u nxjerrë dhe duke u valvitur para hundëve kartën e Paqes, por kjo vetëm kur gjëma ishte bërë dhe bota kish parë me sy, nëpërmjet mediave, krimet më rrënqethëse, që e poshtëruan dhe e njollosën aq shumë ndërgjegjen e njerëzimit, përdhosur nga gjakatarët, ndër të cilët serbët kryesojnë rank-listën, me meritë...
(Vijon në numrin e ardhshëm)
In memoriam, legalistit që jetën dhe idealet ia kushtoi Mbretërisë Shqiptare
Mark Dod Lleshaj, tribuni i nacionalizmit shqiptar
Teksa shkuan për t'i bërë homazhet e merituara Presidentit të Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ibrahim Rugova, shumë nga legalistët shfrytëzuan rastin për të bërë një vizitë në qytetin legjendar të Prizrenit, bash aty ku u formësua e institucionalizua platforma atdhetare mbarëkombëtare e Rilindjes sonë, Kauza e Shqiptarizmës.
Me këtë rast, legalistët bashkidealistë u interesuan dhe bënë nderimet e merituara mbi varrin e legalistit të përkushtuar, zogistit të flaktë, besnik e atdhetar, kapidanit Mark Dod Lleshaj.
Kapidan Marku ndërroi jetë para 22 vjetësh, bash në Prizrenin e lavdishëm të Kosovës sonë martire, sipas dëshirës së tij të zjarrtë, që iu realizua me ndihmën e Zotit...
Marka Doda lindi në vitin 1911 në Prosek të Mirditës, bash në derën e një familjeje të madhe e shumë të njohur në mbarë krahinën e ma gjanë. Ai u rrit duke u edukuar me traditat ma të bukura shqiptare: Nderin, besën, burrërinë dhe bujarinë.
Shkollën fillore e mbaroi në Prosek, kurse shkollën e mesme dhe Shkollën Ushtarake i mbaroi në Tiranë, këtë të fundit pranë Shkollës Mbretnore, prej nga në vitin 1931 diplomohet dhe gradohet oficer i Ushtrisë Kombëtare, karrierë e cila i mundësoi gradimin deri në kapiten të Ushtrisë Mbretnore Shqiptare.
Kapidan Marku shërbeu në Gardën Mbretnore deri në ditën e mbrame të Shqipërisë së Pavarur, pra deri më 7 Prill 1939, kur murtaja fashiste pllakosi vendin.
Deri në fund të kësaj periudhe ai i shërbeu me besnikëri dhe përkushtim të pashoq atdhetut dhe Mbretit, besnikëri dhe përkushtim që ai i demonstroi deri në fund të jetës së tij të dlirë e të panjollë prej shqiptari të ndershëm e nacionalisti të papepur.
Kapidan Marka Doda nuk e pushoi kurrë luftën kundër pushtuesve të huaj dhe atyre serbosllavë me gjak të shprishur shqiptari, kundër të cilëve luftoi që nga 7 prilli 1939 e deri në fund të vitit 1951, duke qëndruar si komit i çetave të lirisë kundër nazi-fashizmit dhe komunizmit, në malësitë e Mirditës, Lezhës, Pukës dhe Kurbinit.
Meqenëse ishte mik për kokë i Kapidanit të Oroshit, (legjendës antikomuniste Gjon Marka Gjoni), dhe për shkak të qëndrimit e luftës së paepur kundër këlyshëve të Moskovit dhe Beligradit, Marka Doda u bë shënjestër e Sigurimit famëkeq të Shtetit, i cili në shenjë hakmarrjeje ia persekutoi barbarisht dhe ia internoi familjen nëpër kampet e Beratit, Tepelenës dhe Lushnjes, ndërsa vëllanë e shtrenjtë Bardhokun, ia pushkatuan në shenjë hakmarrjeje të verbër e vrastare, siç dinin ta bënin ata.
Në pamundësi për ta vazhduar rezistencën kundër komunizmit në atdhe, kapidan Marku detyrohet të largohet përtej kufijve, në Jugosllavi, ku qëndroi që nga fundi i vitit 1951 e deri në fund të vitit 1966, kur më në fund arriti të kalojë në Itali bashkë me bashkëshorten e tij, zonjën e nderuar Cecilja.
Në vitin 1967, zotni Marku bashkë me zonjën Cecile, mundën të shkojnë në SHBA-të, ku punuan me ndershmëri dhe stabilizuan jetën e tyre, duke u angazhaur me përkushtim në radhët e diasporës nacionaliste, veçanërisht asaj zogiste.
Fatkeqësisht, në vitin 1983, bashkëshortja e nderuar e kapidanit, zonja Cecilja, ndërroi jetë dhe sipas amanetit të saj, bashkëshorti e varrosi atë në vendlindje, në qytetin historik të Prizrenit.
E gjithë jeta e tij në emigracion, ishte një sagë përpjekjesh të mëdha për idealet kombëtare dhe ato zogiste, të cilat për shkak të vështirësive objektive i kulmoi vetëm gjatë emigrimit në SHBA-të në radhët e OKLL, ku u shqua për vendosmëri të patundur, besnikëri, eksperiencë, zgjuarësi dhe aftësi të rralla organizative, duke arritur deri në detyra të rëndësishme, ndër të cilat spikasin të qënit anëtar i përhershëm (deri në vdekje) i Komitetit Qendror të OKLL, por sidomos si nënkryetar i Këshillit Kombëtar.
Fatkeqësisht, kapidani i pamposhtur ndërroi jetë në Prizren në vitin 1985, (teksa kish vendosur të rregullonte në mënyrë madhështore varrin e bashkëshortes së shtrenjtë), për shkak të një ataku kardiak, që bëri të pushojë përfundimisht zemrën e madhe të trimit atdhetar, që deri në rrahjen e fundit trokiti për shqiptarizmën dhe idealet mbretërore të mishëruara në fugurën sublime të Sovranit August, NMT Leka i Parë - Mbret i Shqiptarëve.
Për të mos e ndarë këtë çift të mrekullueshëm, që gjithë jetën rrezatoi e blatoi mirësi dhe dritë fisnikërie, miqtë e familjes vendosën ta varrosin kapidanin pranë bashkëshortes së shtrenjtë, pra në Prizrenin të cilin kapidani e konsideronte kryeqendër të Rilindjes sonë Kombëtare dhe kryeqytet të Shqiptarizmës.
Kapidan Marka Doda la në Shqipëri tre djem dhe dy vajza, si dhe një vëlla e shumë të afërm të tjerë, pinjollë të denjë të familjes së madhe Lleshaj, që vazhduan rrugën e tij të antikomunizmit, legalizmit dhe zogizmit, duke lartësuar emrin e shquar të familjes dhe idealet e Kapidanit Mark Dod Lleshaj dhe të brezave parardhës të kësaj familjeje.
Sazan PIPA
Nekrologji
U nda prej nesh dijetari legalist Dr. Zyhdi Zekja
Më 1 janar 2006, u nda nga jeta, nga të afërmit e bashkatdhetarët, mes dhimbjesh dhe lotësh, në Itali, Dr. Zyhdi Zekja.
"Profesor Zyhdia", siç e thërrisnin dhe e njihnin të gjithë shkodranët, u lind në Shkodër në vitin 1926. Ai ishte trashëgimtar i denjë i një familjeje të nderuar qytetare shkodrane, të z.Hasan Zekja.
Shkollën e mesme, Dr. Zyhdiu e mbaroi në Gjimnazin e Shkodrës me rezultate të shkëlqyera, dhe për këtë arsye arriti të fitojë të drejtë dhe bursë për të vazhduar studimet e larta në Pragë të Çekisë, në fakultetin Kimi-Biologji, të cilin e përfundoi me rezultate shumë të mira. Mbas mbarimit të studimeve, Prof. Zekja caktohet fillimisht pedagog në Gjimnazin e Shkodrës. Mbas një pune intensive dhe këmbëngulëse shkencore, z.Zekja mbron doktoraturën në fushën e Kimisë, për çka emërohet me meritë si pedagog në Universitetin Shtetëror të Tiranës, ku shquhet për një përgatitje të lartë pedagogjike e shkencore, si shembull në mësim-dhënie, duke u emëruar edhe shef i Katedrës.
Në momentin që Prof. Zekja kishte formuar plotësisht portretin si pedagog dhe shkencëtar i njohur në qarqet shkencore e pedagogjike të Universitetit Shtetëror të Tiranës, diktatura e pagjumë u kujtua se Prof. Zyhdiu rridhte nga një familje tregtare shkodrane dhe se për këtë arsye nevojitej patjeter qarkullimi i tij, çka do të thoshte largim nga Universiteti, si i padenjë politikisht.
Për këtë arsye, Prof. Zyhdiun e detyruan të linte Tiranën dhe të rikthehej në qytetin e lindjes, ku e emërojnë mësues në shkollën e Mesme Veterinare.
Me fillimet e demokracisë Prof. Zyhdiu u rreshtua me bashkidealistët e tij në Partinë Lëvizja e Legalitetit, idealet e së cilës i trashëgonte nga babai dhe i kultivoi nga studimet e shumta që ai bënte sidomos lidhur me periudhën e Monarkisë Zogiste. Ndaj Prof. Zekja, me formimin e tij të admirueshëm, në çdo auditor sillte fakte të reja historike për Mbretin Zog i Parë, për meritat e tij të mëdha në formimin dhe drejtimin e shtetit shqiptar, si dhe për qeverisjen e suksesshme monarkiste.
Duke vlerësuar meritat e tij dhe angazhimin politik serioz, legalistët e zgjedhin Prof. Zyhdiun në postin e lartë të nënkryetarit të Këshillit Kombëtar të PLL.
Profesor Zekja dha një kontribut të çmuar për PLL dhe demokracinë në sektorin e medias, sepse që me fillimet e demokracisë parlamentare, ai shkruajti në gazetat e ndryshme që botoheshin në Shkodër e në Tiranë, sikundër gazetat "Shkodra", "Atdheu", "Rimëkëmbja", etj.. Në të gjitha këto organe ai trajtoi me intelektualizëm dhe kompetencë problemet e demokracisë.
Të paharruara do të mbeten kujtimet që ai solli për figura të shquara nacionaliste, si dhe paralelet që ai trajtoi, duke përqasur superioritetin e padiskutueshëm të zhvillimeve dhe ndryshimeve të Shqipërisë dhe mbarë kombit shqiptar nën drejtimin e urtë të Mbretit Leka i Parë, pavarësisht nga largësia e tij, në Johannesburgun e Afrikës së Jugut.
Të gjitha këto shkrime, Prof Zyhdiu i përmblodhi në librin e tij "Tradita dhe ideali".
Prof. Zyhdi Zekja ishte një studiues dhe hulumtues i palodhur i shkencave dhe dijeve. Ai shquhej për tolerancë dhe ishte gjithmonë i respektuar nga shokët, miqtë, bashkidealistët dhe opinioni i shëndoshë atdhetar.
Pikërisht për këto vlera të mëdha morale, shpirtërore e atdhetare, Dr. Zyhdi Zekja do të mbetet i paharruar për ne, shokët e tij të idealit.
Namik Kruja
Enis Dizdari
Shënim
Vazhdimin e shkrimit "Një piktor në Ministrinë e Kulturës" do ta botojmë në numrin e ardhshëm.
___________________________
29 Janar 2006
___________________________
Ndërroi jetë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, pas një sëmundjeje të rëndë
Ibrahim Rugova, simboli i pavarësisë së Kosovës
Humbja e tij ka shokuar mbarë shqiptarët, por në veçanti legalistët, të cilët Kauzën e pavarësimit të Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare me bashkimin përfundimtar të trojeve tona etnike, e kanë kauzë të shenjtë dhe pjesë përbërëse të programit partiak dhe të filozofisë politike.
Editorial
Sa vlejnë komisionet e bipartizanëve
Nga Murat Basha
Reforma zgjedhore në Shqipëri po kthehet në një gangrenë të pashërueshme ndërsa hapat e ndërmarra së fundi, nuk duket se do ta ndryshojnë këtë kurs të nisur tashmë prej një dekade. Ai korpus rregullash apo më mirë të themi nenesh ligjore që është pagëzuar me emrin Kod elektoral, pavarësisht se është bërë me konsensusin e dy elefantëve të politikës shqiptare, prapë është kundërshtuar rreptë po prej tyre, sipas rastit, kur ka humbur njëri apo tjetri në përleshjet elektorale. Ndërsa projekti i miratuar së fundi në Kuvend, duket ashiqare se është një zgjatim i varianteve të mëparshme sipas skemave "bipartizane". Pra kemi të bëjmë me një tendencë të dukshme që jeta politike të polarizohet në "ngjyrat" bardh e zi, gjë që e dimë të gjithë se nuk i përputhet realitetit politik. Edhe filozofikisht është provuar se strukturat binare të gjykimit, nuk i qëndrojnë kritikës. Po pse atëherë xhanëm këmbëngulet që të vazhdohet me të njëjtat skema, pavarësisht nëse ato vijnë me kungime "ndërkombëtarësh" apo me "konsensus" bipartizan?! Dihet se shijen e pushtetit në Shqipëri e kanë lezetuar më shumë se të gjithë, dy partitë elefante, dhe kjo mund ta bëjë të kuptueshme pse ato kërkojnë të mbahen me truke të tilla ligjore si të vetmet "superfuqi" politike në vend, por gjithsesi, nuk duhet harruar se kjo lloj politike "bashkëqeverisëse" nuk mund të të shpjerë larg. PS-ja e provoi këtë gjë me ish aleatet e veta, të cilat e lanë në baltë në momentin e parë që e ndien veten të rrezikuara. Edhe nga krahu demokrat, nuk duhet të ketë dyshime se e njëjta gjë mund të ndodhë me aleatet e saj, nëse ekzistenca e disa partive të djathta kërcënohet rëndë. Në njëfarë mënyre, PD-ja ka një histori të ngjashme me ish aleatet e pas-22 marsit, megjithëse jo në formën që e pësoi PS-ja. Pra, tendenca për të minimizuar vlerat e partive të ashtuquajtura të vogla në Shqipëri, është në radhë të parë një hipotekim i sigurt i një krize të ardhshme për vetë partitë e ashtuquajtura të mëdha. Në këto kushte, ajo që duhet bërë urgjentisht, është krijimi i një kuadri ligjor të ndershëm, me rregulla të pranuara nga të gjithë, dhe që ka në themel të vet, pikërisht barazinë e shanseve të të gjithë për të dalë para votuesve shqiptarë. Vetëm në këto kushte nuk mund të ketë kriza të prodhuara që në letër. Le të marrim një shembull, ligjin për financimin e partive, i cili është aq skandaloz, saqë çdo njeri që ka sadopak njohuri mbi politikën, e kupton se kemi të bëjmë me një hile të ligjëruar. Me atë ligj, favorizohen paraprakisht të gjitha partitë që sot janë në parlament, (ku pjesën e luanit e kanë partitë elefante), ndërsa pjesa tjetër e elektoratit shqiptar, e papërfaqësuar për 100 arsye në parlament, nuk merr financime shtetërore, ndërkohë që ato janë para të taksave të të gjithëve, e në fund të fundit, edhe të atij elektorati të papërfaqësuar e që në shifra është bajagi i madh. Edhe njëherë, dalim të çeshtja primare, pra te rregullat e lojës zgjedhore: - nëse duam të kemi demokraci në Shqipëri, pushtete të ligjshme e të pakontestueshme paraprakisht, duhet që këto rregulla loje të jenë të ndershme dhe të pranuara nga të gjithë. Duke krijuar komisione "bipartizane", këto rregulla do të jenë asgjë më shumë se "kode bipartizane" të cilat do të shkaktojnë destabilitet të sigurt të jetës politike në vend. Le që dihet se këto komisione kanë qenë në favor të interesave të PS-së që nga viti 1997 e këtej, çka duhet ta bëjë PD-në të mendohet mirë, para se të bjerë në ujdira të tilla.
Ne nuk kemi pse të shpikim variante të reja e të panjohura të vlerësimit të verdiktit të votuesve. Eksperienca botërore është kaq e madhe dhe kaq e pasur, saqë nuk na duhet mundim tjetër, përveç adaptimit të saj në kushtet e një vendi sa i yni. Dhe eksperienca botërore flet qartë se vetëm një kuadër i ndershëm rregullash, mund të prodhojë atë efekt çudibërës e shërues të kësaj krize të vazhdueshme që quhet reformë elektorale. Së fundi, shtojmë nga eksperienca jonë se në raste diskutimesh të tilla, "superfuqitë" politike e shtyjnë në afate cajtnot-i marrjen e masave për rregullimin e gjendjes, ndërsa zgjedhjet e ardhshme lokale, s'duan edhe shumë kohë, dhe nuk dihet se me ç'rregulla do të luhet ajo pjesë e lojës "bipartizane".
KRYESORE
Ndërroi jetë presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, pas një sëmundjeje të rëndë
Ibrahim Rugova, simboli i pavarësisë së Kosovës
Humbja e tij ka shokuar mbarë shqiptarët, por në veçanti legalistët, të cilët Kauzën e pavarësimit të Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare me bashkimin përfundimtar të trojeve tona etnike, e kanë kauzë të shenjtë dhe pjesë përbërëse të programit partiak dhe të filozofisë politike.
Agjensitë e lajmeve të mbarë kontinentit dhe botës, emetuan dje, pasditen e datës 21 janar 2206, lajmin e hidhur se, në Prishtinë, ndërroi jetë pas një sëmundjeje të rëndë, udhëheqësi shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës, kryetari historik i Lidhjes Demokratike dhe njëkohësisht President i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Ibrahim Rugova.
Dhimbja për vdekjen e z.Rugova ka shokuar mbarë shqiptarët, në të gjithë botën, në Kosovë dhe në atdheun amë, sepse z.Rugova mishëronte idealin e madh kombëtar, dhe ishte arkitekti i pavarësimit të Kosovës, pas ndërkombëtarizimit të suksesshëm që ai personalisht i bëri Kauzës së Kosovës shqiptare.
Zotëri Rugova nuk është vetëm lideri historik i shqiptarëve të Kosvës, por edhe miku i shtrenjtë i shumë personaliteteve të mëdha të politikës botërore, të cilët ndikuan fuqimisht në ecurinë e procesit të pavarësimit të saj, që tashmë është shndërruar në një proces të pakthyeshëm.
Humbja e tij ka shokuar mbarë shqiptarët, por në veçanti legalistët, të cilët Kauzën e pavarësimit të Kosovës dhe zgjidhjen e çështjes kombëtare me bashkimin përfundimtar të trojeve tona etnike, e kanë kauzë të shenjtë dhe pjesë përbërëse të programit partiak dhe të filozofisë politike.
Mendjendrituri dhe shqiptari i madh Ibrahim Rugova, mik personal i Mbretit Leka i Parë, do të mbetet përjetësisht i gjallë dhe i pavdekshëm në mendjet dhe zemrat e legalistëve dhe mbarë nacionalistëve shqiptarë, si mishërimi i shqiptarizmës dhe sendërtimit të ëndrrës së çlirimit të Kosovës shqiptare drejt bashkimit kombëtar.
Me humbjen e tij Kauza shqiptare humbi një ndër ideologët, luftëtarët e vijës së parë dhe një ndër politikanët më të shquar e të përkushtuar, që mbi gjithçka vuri aspiratat e bashkëkombasve, duke u bërë shembull frymëzimi për brezat e tashëm të shqiptarëve dhe të atyre që do të na trashëgojnë.
Në këto çaste të dhimbjes së madhe të përbashkët, mbarë legalistët shqiptarë, në Shqipëri, trojet etnike dhe diasporë, dhe veçanërisht lidershipi i PLL, i shprehin familjes së z.Rugova, LDK dhe lidershipit të saj, ngushëllimet më të thella për këtë humbje të madhe e të pazëvendësueshme. Dhimbje kjo që shkaktohet nga mungesa e njeriut të madh dhe atdhetarit të shquar, që u bë mbrojëtsi dhe përfaqësuesi shpirtëror i Kauzës së shtrenjtë të shiptarizmës, në zemrën e Kombit shqiptar, në Kosovën martire që, së shpejti, do të kurorëzohet me pavarësinë e pakthyeshme.
I qoftë i lehtë dheu amë, për të cilin z.Rugova shkriu jetën e tij.
I paharruar qoftë kujtimi i atdhetarit të madh Ibrahim Rugova, jeta dhe vepra e tij e pavdekshme për Kosovën dhe Shqipërinë etnike.
Korresp. i "Atdheu"
POLITIKA
Spahiu, takime për reformën zgjedhore
Kryetari i PLL-së, z.Ekrem Spahiu, ka zhvilluar ditët e fundit një sërë takimesh me krerë partiakë e institucionesh të ndryshme vendase dhe të huaja, në lidhje me hapat që duhen hedhur për reformën zgjedhore. Në këto takime ai ka paraqitur opcionet e PLL-së në lidhje me mënyrën se si duhet të përpilohet ligji kryesor i zgjedhjeve, që vazhdon të mbetet detyrim i papërmbushur i demokracisë shqiptare.
" PLL-ja, si parti e legjitimitetit kërkon që partitë politike, Qeveria, Kuvendi, OJQ-të, organizmat ndërkombëtare që monitorojnë reformën zgjedhore, si dhe të bashkërendojnë veprimtaritë e tyre për realizimin e reformës zgjedhore" - tha Spahiu.
Më tej z.Spahiu vuri gishtin mbi një plagë që mbetet ende e pashërueshme në lidhje me procesin zgjedhor në Shqipëri, listat e zgjedhësve, të cilat sipas tij duhet të përgatiten nga organet përkatëse të pushtetit vendor dhe të mos u lihet partive politike të merren direkt me këtë çështje.
Në lidhje me sistemin zgjedhor, kreu i legalistëve Spahiu u shpreh se PLL-ja është e mendimit për një sistem proporcional, për një prag elektoral 2.5% me 0.5 rritje në çdo palë zgjedhje, për të arritur deri tek 4 përqindëshi.
Z.Spahiu u shpreh kategorik përsa i përket qëndrimit ndaj fenomenit që ai e quajti "tjetërsim i votës" nëpërmjet blerjes, presionit dhe mashtrimit, duke kërkuar që ndaj dhunuesve të votës së zgjedhësve të merren masa të rrepta ligjore.
Këto takime janë në vazhdë të takimeve konsultative që PLL-ja ka kryer dhe kryen me të gjitha institucionet e rëndësishme vendore e ndërkombëtare, si me Presidentin Moisiu, takime bilaterale me drejtues të lartë të partive të koalicionit qeveritar, si edhe me funksionarë të OSBE-së.
Spahiu, takime në degët Lushnje e Fier
Spahiu: Zgjedhjet vendore të radhës, shansi i PLL për ringritje
Në fund të javës së shkuar, kryetari i PLL Spahiu ka zhvilluar disa takime në degët Lushnje e Fier me komitetet drejtuese të këtyre degëve. Në qendër të këtij inkursioni nëpër degë ka qënë organizimi dhe evidentimi i saktë i të gjithë anëtarësisë si dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme vendore. Në takimin në komitetin drejtues të degës së Lushnjes, kryetari i kësaj dege Axhami foli për punën e bërë deri më sot, si dhe paraqiti në detaje hapat e bëra për organizimin e PLL në njësitë vendore për zgjedhjet e ardhshme. Ai u shpreh optimist për mundësitë e PLL në zgjedhjet e ardhshme. Edhe në takimin në Fier, Spahiu mori mesazhe mjaft shpresëdhënëse për ecurinë e aktivitetin e degës. Kryetari i degës z.Koçi Gega tha se në prioritet e punës së degës janë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme.
Spahiu u shpreh në këto takime se zgjedhjet vendore të radhës, janë shansi i PLL për ringritje, pas zgjedhjeve të "dushkut 2005".
"Atdheu"
Takim i kryetarit të PLL dega Tiranë z.Nevruz Ndregjoni me drejtoren e Zyrës së OSBE për rajonet Tiranë -Durrës
OSBE, takim me kreun e PLL Tiranë, Ndregjoni
Tiranë - Kryetari i PLL Tiranë, z.Nevruz Ndregjoni ka zhvilluar një takim me drejtoren e zyrës rajonale të OSBE për Tiranën dhe Durrësin, me kërkesën e kësaj të fundit. Në këtë takim është biseduar rreth shtrirjes dhe aktivitetit të degës së PLL Tiranë, si dhe për marrëdhëniet e kësaj partie me partitë në pushtet dhe opozitë. Ndregjoni ka shpjeguar në terma konkretë mbi çeshtjet e diskutuara dhe ka theksuar se PLL është një parti monarkiste, e djathtë dhe kundërshtuese e fortë e mentaliteteve komuniste që vazhdojnë të gjëllijnë në jetën politike shqiptare. Më tej biseda është zhvilluar rreth aktivitetit të brendshëm të PLL ku Ndregjoni ka folur mbi zhvillimet e fundit siç janë procesi i konferencave të degëve dhe kongresi i 16-të i PLL. Ndregjoni ka falenderuar përfaqësuesit e OSBE-së për interesimin e vazhdueshëm që ata kanë pasur ndaj zërit të PLL dhe është shprehur optimist për vazhdimin e këtij komunikimi në të ardhmen. Siç dihet, përfaqësuesit e OSBE-së, në degët rajonale në shumë qytete të vendit, kanë marrë kontakte me drejtuesit lokalë të PLL dhe kanë pasur në vazhdimësi një bashkëpunim të frutshëm. Dega e PLL Tiranë është më e madhja në vend dhe natyrisht ka qenë gjithmonë në vëmendjen e përfaqësuesve të OSBE-së. Ky takim i z.Ndregjoni u zhvillua në selinë e OSBE-së, më datë 16 janar 2006 (ditë e hënë). Në fund të takimit, përfaqësuesja e OSBE-së u nda nga z.Ndregjoni me premtimin se edhe në të ardhmen do të vijojë bashkëpunimi mes të dyja palëve.
"Atdheu"
INTERVISTA
Intervistë me z.Astrit Kola, kryeredaktor i gazetës "Atdheu" dhe zëdhënës i PLL
Astrit Kola: Ja arritjet dhe dobësitë e qeverisë "Berisha"
Z.Kola, ju e keni cekur herë pas here në gazetën "Atdheu" bilancin e 100 ditëve të qeverisë së z.Berisha, megjithatë dëshirojmë të kishim një koment tuajin rreth këtij bilanci?
Mendoj se ky bilanc, gjithsesi është pozitiv në raport me keq-qeverisjen paraardhëse, ndonëse 100 ditë janë shumë pak për të bërë një vlerësim të saktë. 100-ditëshi i z.Berisha ishte më tepër konvencional, dhe synonte të shpaloste një filozofi të re qeverisjeje, thelbësisht të ndryshme nga paraardhësja, e për të cilën unë nuk kam as më të voglin dyshim. Por pika më e fortë e këtij bilanci është konotacioni i fortë moral që shënoi ai në drejtim të shkurtimit të shpenzimeve operative dhe të vënies në dietë të qeverisë së re. Edhe ulërimat e socialistëve këtu e kanë shkakun, sepse po u çirret maska e shpenzimeve barbare të buxhetit të vendit më të varfër të kontinentit, megjithëse z.Berisha akoma nuk i ka hapur kartat e grabitjes që pushtuesit socialistë i bënë vendit gjatë 8 vjet qeverisjeje. Presim ta bëjë këtë, gjithmonë nëse arrin të kuptojë se ka mandat qeverisës dhe jo tapitë e pronarit të shtetit e të shtetasve taksapagues; dhe se transparenca nuk ka vlerë vetëm për qeverisjen e tij, por edhe atë të paraardhësve, të cilën askush nuk mund ta konsiderojë si kapitull të mbyllur me humbjen në zgjedhje, ashtu sikundër synojnë ta trumbetojnë socat, që i tremben furtunës antikorrupsion, sidomos pas sirenave të alarmit për heqjen e Sollak-sallakut.
Megjithatë, ju si gazetë nuk u ftuat në takimin që kryeministri zhvilloi me mediat për të analizuar bashkërisht bilancin e 100 ditëve. Cili është komenti juaj për këtë mungesë?
Nuk ishte aspak mungesë. Shpresoj të ketë qenë harresë aksidentale, ndonëse dyshoj se për disa rekrutë të rinj të mediave, pranë kryeministrit, emri "Atdheu" është shumë më pak familjar dhe i dëshiruar sesa emri sugjestionues "Klan", prej të cilit në atë konferencë mungonin vetëm qentë e racës, pasi sikundër konstatoi edhe gazetari Çlirim Peka, edhe rojet dhe shoferët e "Klan"-it merrnin pjesë në atë konferencë.
Dëshiroj që shkaku i harresës të mos ketë qenë hija e rëndë e shokut Cac Janullatosi, që shuguron martesat e korrierëve të mediave që na harruan derën për të sjellë ftesën, se pastaj punët dhe inatet do të shkonin larg...
Megjithatë, më mirë që nuk u thirrëm për të ngrënë përshesh, me gushore në qafë, sikundër hëngrën kolegët në koktejlin e përgatitur, e që ndërpreu në mes pyetje-përgjigjet me sebepin e Krishtlindjeve, Vitit të Ri dhe dialogut politikan-gazetarë, ku të shumtët munguan, ngaqë ishin angazhuar me magjen dhe shtambën që shtroi pushteti i ri.
Gjithsesi, kur kujtoj konferencat qesharake të para '97-ës, ku i njëjti takëm korrierësh të mediave, shpërndante në emër të Presidencës, dy ditë para, fletë të verdha pyetjesh për gazetarë të llojit të Pëllumb Bataj-t e Rakip Sulçe-s, mendoj se kjo konferencë qëndronte shumë më lart për nga noviteti që solli.
Më lejoni t'ju kujtoj z.Kola se kryeministri ka dobësi dhe afeksion të veçantë për gazetarët, ndonëse do të dëshiroja të dija mendimin tuaj për këto raporte, të cilat për z.Berisha janë shumë të rëndësishme dhe u vërejtën edhe gjatë fushatës së fundit...
Kjo që ju thatë, më kujton skandalin e vitit 1994, kur u arrestuan gazetarët Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, gazeta e të cilëve gati rrezikoi planet e NATO-s dhe SHBA-ve për sulmet kundër banditëve të Mlladiçit në Bosnje, dhe i dha shkas Millosheviçit të dyfishonte trupat e Armatës së Tretë serbe në Kosovë, të mbështetura edhe nga afro 200 tanke, që u vendosën në kufijtë tanë shtetërorë.
Megjithatë, pavarësisht nga dackat e amerikanëve për dekonspirim të planeve të përbashkëta, sidomos të vendndodhjes dhe misioneve të avionëve spiunë që niseshin nga aeroporti i Gjadrit, Kryekomandanti i Përgjithshëm i Forcave tona të Armatosura e dëshmoi menjëherë dobësinë për dy gazetarët, pasi urdhëroi lirimin e tyre, madje i mori ata me vete në Kinë, për ta shoqëruar gjatë vizitës zyrtare atje. E ku kishte mrekulli më të madhe për të gjorët që kishin qëndruar ndoca ditë në birucën e ftohtë, e që gjatë gjithë jetës së tyre para vitit 1990, nuk e kishin kaluar as Manatinë e Balldrenin për të shkuar në Lezhë për të parë "Besëlidhjen" e Furde Ramës, e jo më të shikonin Murin e Madh, Peqinin e Kinës dhe provincën e Guanxhout!
Ndërsa lidhur me afeksionin e kryeministrit për gazetarët, jam dakord me ju, por vetëm me një saktësim të nevojshëm. Unë jam i bindur se z.Berisha, si pakëz mazokist, vdes për gazetarët që e kopanisin dhe ka zët për ata që e duan dhe lëvdojnë. Ja, përshembull, shih sa fort i do kohëjonsat që desh e kallën në '97-ën... Nga dashuria e tepërt e bënë, kuptohet!... Po ama, mos më thuaj se e di ku përfunduan Bataj e Sulçe, që nuk u dihet as nishani.
Meqë ra fjala, mos i merr aq seriozisht ato përrallat që dëftehen aq shpesh për terrorin ndaj "Koha Jonë", sepse këto i kundërshton ai 8 milion dollarëshi që gazeta mori nga pushteti i z.Berisha në formën e reklamave dhe sponsorizimeve nga bankat, entet prokuruese, dikasteret dhe pushteti vendor i PD-së, para '97-ës.
Më gjej mua, ti, një media që nuk do të lehte e angullinte duke bërë opozitë të porositur e sponsorizuar me 8 milion $. Kësisoj opozite e bëjnë të gjithë..., pavarësisht se Nikolla bëri lojë të dyfishtë dhe mori edhe para të tjera të shumta nga PS-ja e varfër...
Sa për atë historinë e djegies të Redaksisë së kësaj gazete, nuk kam qejf të flas më shumë, por veçse po të tregoj se, pasi ishin larguar gazetarët, dhe pasi ishin vendosur disa mekintoshë të viteve '70-të mbi tavolinat me kompesatë të kalbur, që për t'u djegur i mbuluan me kapicë kartonash, u vu flaka në bashkëpunim me rojet..., që u lodhën duke hedhur benzinë. Paskëtaj, i varfëri fondacion "Soros" akordoi nja 300 mijë $ ndihma dhe kompjutera të fjalës së fundit, për të "shpëtuar" nga rrënimi "dallëndyshen e parë të shtypit opozitar", çka, nga ana tjetër, u shpërblye me antireklamën e tipit "Reichstag", duke trefishuar tirazhin e Ben Blushit.
Pikërisht këtë dashuri të z.Berisha me "Klan"-in e ndërtuar nga kohëjonsat veteranë, komentonte para dy ditësh edhe gazeta "Standard" e këshilltarëve të kryeministrit, teksa shkruante, e zeza mbi të bardhë, se "KLAN dhe Berisha janë sot në një epokë marrëdhëniesh shumë të mira...".
Çfarë prisni ju si rezultat i qeverisjes së re në të ardhmen, dhe, nga treguesit e deritashëm të saj, cila mendoni se do të jetë ecuria e kësaj qeverisjeje në sensin e efikasitetit dhe ritmeve të zhvillimit ekonomik?
Natyrisht që nuk pres mrekullinë..., por nuk pres gjithashtu as ritme breshke, të cilat guxojnë t'i stigmatizojnë edhe vetë socat. Unë pra nuk mendoj se mund të ketë krahasim midis sundimit të "pushtuesve" socialistë dhe një qeverisjeje, të paktën të ndershme dhe shumë më të përgjegjshme. Dhe kjo sepse socat tanë, gjatë mandatit qeverisës 8-vjeçar, janë sjellur më poshtërsisht se avarët barbarë dhe normanët e Robert Guiskardit, me këtë popull e me këtë vend. Pra nuk shpresoj që apologjetët e paguar ose jo, të fillojnë të bëjnë krahasime me skëterrën për të lartësuar qeverisjen aktuale.
Unë dhe bashkidealistët e mi presim që të shkatërrohet modeli doganor i qeverisjes, i instaluar gjatë këtyre 15 viteve, e bashkë me të pres të flaket psikologjia e kollajllëkut në qeverisje, sipas parimit "mblidh para me anë të sistemit fiskal dhe shpërndaji ato me anë të buxhetit, duke lënë mënjanë edhe ndoca qindra milionë që përfundojnë në gropa të zeza...". Sepse kështu nuk shkojmë asgjëkundi!
Pres që vullnetet politike dhe platformat e dikurshme të opozitës, të cilat flakeshin me përbuzje nga banditët në pushtet, bash nën hundët dhe para syve të FMN dhe BB, të mishërohen në parime dhe drafte ligjore që do t'u jepnin fund situatave monopol dhe do t'i jepnin frymëmarrje të menjëhershme ekonomisë.
Por shoh se lufta antimonopoliste as që ka filluar, madje duket sikur po veprohet në kahje të kundërt, dhe këtë e dëshmojnë çmimet e mallrave në treg, të cilat jo vetëm që nuk janë ulur, por po njohin ngritje!!!
Por nëse thirrjeve të analistëve të ekonomisë për stimulimin, me politika e platforma qeverisëse, të prodhimit vendas, ndonjë këshilltar i kryeminiustrit u bën replikë me shkrime të titulluara "Iluzionet e patriotizmit ekonomik", atëherë modeli doganor dhe ai monopolistik importues e tregtar do të na mbeteshin përjetësisht në qafë; e kështu, defiçiti tregtar do të varrosë ekonominë tonë absurde, me informalitet në masën 60 %; se kështu, hemoragjia e valutës do të shkaktojë kolaps financiar, të cilit nuk besoj se ka budallenj që mendojnë e shpresojnë se mund t'i kundërvihen bankat e huaja të nivelit të dytë, që kanë mbytur tregun shqiptar pas privatizimeve antishqiptare të gjigantëve tanë financiarë; dhe sepse kështu, borgjezia kompradore që po bën yrysh drejt pushtetit, do të shesë edhe atë pak pavarësi politike që na ka mbetur, pas shitjes totale të interesave ekonomike tek të huajt. Dhe se, në fundore, duke vazhduar kësisoj, nuk ka nevojë për qeveri dhe qeverisje.
Po për përbërjen nominale të qeverisë dhe stafin e ngushtë të kryeministrit, cili është opinioni juaj?
Për ministrat e qeverisë, nuk është se kam ndonjë mendim... Më saktë, do të thoja se, përveç ndonjë konsiderate pozitive për ata kryesorët, nuk kam kurrfarë mendimi, aktualisht. Por nuk mund të rri pa vërejtur se mosha e re dhe seksi nuk mund të shërbejnë si kritere emërimi në një qeveri emergjence, që ka marrë përsipër të zgjidhë krizën totale e rrënuese që lanë pas "pushtuesit" që u larguan nga pushteti qendror pas zgjedhjeve të 3 korrikut.
Ndërsa lidhur me stafin e ngushtë të kryeministrit, do të thoja se është e drejta e tij për të përzgjedhur, pasi ai i mban përgjegjësitë... Veçse do të dëshiroja që, në përfundim të mandatit qeverisës, këshilltarët të botonin libra me këshillat që përgatisin për kryeministrin, për të kuptuar se për çfarë e kanë këshilluar dhe si e sa e kanë justifikuar postin e vështirë të këshilltarëve kryeministrorë. Por druhem se, nëse ata do ta bënin këtë gjë, pra botimin, do të rezultonin dialogje për teza të aspektit teorik, ku do të dominonte ekskluzivisht mendimi i kryeministrit, i cili duke mbetur neokartezian dhe "skllav" i dyshimit sokratik, (cilësi kjo karakteristike e një shkencëtari dhe biologu të njimendtë, sikundër ai), që, pasi t'i kishte shkuar deri në fund studimit të thelluar të problemeve në fjalë, teorikisht dhe praktikisht, dhe pasi të kishte fiksuar në kokë mendimin dhe zgjidhjen përfundimtare, z.Berisha do ta vazhdonte bashkëbisedimin me këshilla të pafundme për ndihmësit. Dhe kjo do të thotë se ai po përgatit këshilltarët e ekzekutivit të mandateve pasardhëse qeverisëse, çka gjithsesi më rezulton pozitive. Dhe kjo përkthehet se kryeministri ka zgjedhur të këshillojë, sesa të këshillohet, çka bën pjesë në stilin e tij unikal të punës dhe bashkëbisedimit.
Por ngado që ta vërtitësh, stafi i ri është ku e ku më lart sesa ai që z.Berisha kishte përzgjedhur në kohën që mbante postin e Presidentit të Republikës, gjatë periudhës 1992-1997. Sepse asokohe, rrethi i miqve të mi mendjendritur, tregonte papushim barcaleta për këshilltarët e tij, përveç z.Pollo, të cilët, sipas tyre, askush nuk i njihte për profesionistë në zanatet e tyre, përfshirë këtu edhe Sollakun, i cili ishte bashkëfajtor në disa dekrete dhe lëvizje politike të sensit ligjor dhe kushtetues, që binin në kundërshtim edhe me vetë Paketë-shkrepsen kushtetuese në fuqi, së cilës rebelët i vunë flakën më '97-ën, bashkë me Shqipërinë...
Asokohe, miqtë e mi intelektualë qeshnin me lotë kur deklaronin se të tillë këshilltarë nuk do t'i pranonte as kryetari e komunës së Kasharit, e jo më kryetari i Shtetit.
Madje më kujtohet se një dekret presidencial i llojit normativ në lidhje me të Përndjekurit, jo vetëm që binte në kundërshtim kryekëput me ligjin e atëhershëm në fuqi, por mbeti pa u ratifikuar nga parlamenti i kryesuar nga z.Arbnori, çka u bë shkas që miku im i shtrenjtë, gazetari i njohur Halil Laze, i cili nuk jeton më, ta trajtonte këtë skandal në një shkrim të veçantë, të titulluar "Një dekret që qëndron në erë".
Gjithsesi, jam i bindur se shumë gjëra do të bëhen më mirë se më parë dhe pësimet do të bëhen mësime për ne të gjithë. Sidomos në drejtim të qeverisjes, ku një rol të rëndësishëm ka edhe stafi i ngushtë kryeministror.
Intervistoi: Zamir Gjurgji
Koment
Parlamenti, tregu informal i partive të vogla
Nga Zamir Gjurgji
Publiku shqiptar u njoh ditët e fundit me një ngjarje që shkaktoi një pështjellim të thellë në parlamentin shqiptar, ku "ndryshimet në reformën zgjedhore" vunë në të njëjtën linjë dy partitë më të madha , PD dhe PS.
Menjëherë pas këtij votimi "surprizë", të gjithë aleatët e vegjël, u bashkuan pa dallim "bindje dhe kahje politike", për të kundërshtuar në kor këtë reformë zgjedhore, e cila i linte këto të fundit me bisht ndër shalë.
Nuk jam kundërshtar i idesë se partitë e vogla duhet të luajnë rolin e tyre në gjirin e politikës shqiptare,por e gjej me vend të shprehem se mënyra se si vepruan , duke bojkotuar parlamentin, dhe si ato kërcënuan, për dalje nga koalicionet, ështënjë barrë shumë e rëndë se supet e tyre të brishta e kalçifikuara politikisht.
Në të njëjtën tryezë "kërcënuese" ishin të bashkuar si LSI-ja kritizere e "Dushkut 2005" (dikur mbështetëse e Dushkut 2001), ashtu edhe Dule kritik "për erën e Dushkut" e përfitues i "gjetheve të tij", si Lesi që kishte përfituar "nga Dushku rozë në Dushkun blu" ashtu edhe PSD-ja dhe PAD-ja që kishin përfituar Dushk pas Dushku rozë".
Kësisoj, nëse marrëveshja PS dhe PD për reformën zgjedhore ishte një borxh që PD-ja ia kishte PS-së , (siç u shpreh z.Topi) dhe ka nuanca të amoraliteteitit politik, marrëveshja mes partive të vogla të të dyja krahëve, ishte akti i mirëfilltë i imoralitetit politik.
Në kohën kur partitë e vogla e ngrenë pistën e debatit e tyre me partitë e mëdha për Çështjen Dushk, logjikisht është e kuptueshme se ato po kundërshtojnë vetveten e, pasi prej "formulës Dushk" gjenden në Parlament. Eshtë e vërtetë se partitë e mëdha e krijuan Dushkun si mjet për të zgjeruar territoret e tyre të aleancave, por "oborret e zgjeruara" me një "7501" zgjedhor, nuk kanë asnjë lloj të drejte morale e ligjore, që më pas të kërkojnë edhe "tapinë" e pronarit të truallit të politikës. Kjo është çështja.
Prandaj, edhe qëndrimi unison 8-partiak, për të kundërshtuar marrëveshjen mes të mëdhenjve është një tregues i qartë se ku kanë rënë politikisht ato parti, të cilat pasi marrin "kredi" politike të njëra "Megabankë"politike, të nesërmen, harrojnë se u lind detyrimi dhe janë rrjedhimisht debitore për të kthyer me interesa "kredinë" e marrë. Përkundrazi, atyre u merr koka erë që "kredinë" (borxhin) ta konsiderojnë si kapital të tyre të pastër, që mund ta investojnë kudo në tregun e politikës shqiptare.
Në këtë mënyrë, parlamenti shqiptar, me skenat dhe pas-kuintat e tij, tregoi qartë se kur partitë e vogla hyjnë në parlament në kurriz të të tjerëve, ato janë në gjendje që në një ditë të vështirë t'i ngulin thikat pas shpinë atyre që vetë i kanë mbajtur si rriqna në trup.
Edhe vetë LSI-ja, për hir të së vërtetës është humbëse në skemën e Dushkut të 3 korrikut, por është mbështetëse në Dushkun pararendës (pasi Ilir Meta asokohe ishte kryeministër socialistëve të pandarë me Nanon) . Po ashtu edhe PDS-ja e Milos është realisht humbëse kuotash politike nga Dushku i fundit, por në Dushkun e 2001-shit ishte përfituese e social-demokratëve të pandarë me Gjinushin !!!
Nëse do të kishte një parti që do të ngrinte realisht zërin mbi skenat dhe prapaskenat e Dushkut, është vetëm PLL-ja , që në kuadër të LZHK-së, humbi kapitalet e saja reale politike, si pasojë e lulëzimit të tregut informal të partive fantazma, që në 3 korrik buzëqeshin, e në ditët në vazhdim skërmisin dhëmbët për më shumë poste e pushtet të pamerituar...
Përkujtimore
Diaspora nacionaliste në SHBA, përkujtoi 30-vjetorin e vdekjes së Gjeneral Abaz Kupit
Legalistët e SHBA nderojnë figurën e gjenral Abaz Kupit
Nga Beqir SINA, Nju Jork
Si çdo vit, edhe sivjet, legalistët dhe mbarë nacionalistët shqiptarë që jetojnë në SHBA, u tubuan për të përkujtuar 30-vjetorin e vdekjes së Gjeneral Abaz Kupit. Partia "Lëvizja e Legalitetit", e Trishtetëshit, sëbashku me familjen Kupi, me komunitetin shqiptar, entet fetare dhe politike, mbretërorët, anëtarët e saj, miq dhe dashamirë të familjes së heroit të nacionalizmit, Abaz Kupi, mbushën sallën e restoratit "Le Cordon Bleu" në Kuins-Nju Jork. Përveç heroit të luftërave që kulmuan me 7 Prillin 1939, ata përkujtuan themeluesin e lavdishëm të Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit (OKLL) - sot, Partia Lëvizja e Legalitetit.
Tubimin përkujtimor e hapi dhe e drejtoi kryetari i Degës së PLL për SHBA-të, z.Hakik Mena i cili në përshëndetjen për të ftuarit ndër të tjera the: "Mirë se keni ardhë në përvjetorin e tridhjetë të përkujtimit të vdekjes së Gjeneral Abaz Kupit. Heroit tonë kombëtar - birit të betuar të Mbretit Zog, njeriut që i zbardhi faqen Shqipërisë më 7- Prill 1939. Kjo datë na mbush me nder e respekt duke u përulur edhe një her para këtij burri të madh - këtij luftëtari të vendosur, guximtar, këtij patrioti, fisniku dhe mbi të gjitha besnik i Mbretit Zog - Mbret i Shqiptarëve!" tha ai.
Lutjen fetare të rastit e kreu Imam Isuf Balaj, i cili iu lut Allahut që "të ndihmojë popullin shqiptar në rrugën drejt prosperitetit e përparimit, për të mos e lënë kurrë Atdheun pa bij të mendjes, të penës e të pushkës; të ruajë shqiptarët nga armiqtë e tyre shekullorë dhe t'u japë mundësi të realizojnë ëndrrën e bashkimit kombëtar; ta bekojë atdheun, të bashkojë trojet tona etnike dhe shqiptarët, kudo që ndodhen; t'u falë atyre dituri, arsimim, përparim dhe lumturi", - e mbylli lutjen e tij Imam Balaj.
Pas ekzekutimit të Hymneve kombëtare të Shqipërisë dhe SHBA-ve, z.Mena i ftoi të pranishmit për mbajtjen e një minutë heshtje zie në nderim të veprës dhe figurës madhore të Gjeneral Abaz Kupit.
Më pas z.Mena ia dha fjalën njërit ndër veteranët më të nderuar të komunitetit shqiptar në SHBA, ing. Hajdar Tonuzit, i cili falenderoi përzemërsisht të gjithë pjesëmarrësit e këtij tubimi përkujtimor me rastin e 30 vjetorit të vdekjes së Heroit kombëtar, Gjeneral Abaz Kupit.
Në emër të atdhetarëve dhe anëtarëve vatranë, tubimin e përshëndeti kryetari i Federatës PanShqiptare të SHBA-ve "VATRA", Dr. Gjon Buçaj.
Në vijim, në emër të Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), e mori fjalën për të përshëndetur të pranishmit dhe familjarët e Heroit, kryetari i kësaj Dege për SHBA-të z.Agim Rexhaj, i cili vlerësoi lart rolin dhe kontributin e Heroit të nacionalizmit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit.
Pas z.Rexhaj, fjala e të cilit u duartrokit gjatë, familjarët dhe të pranishmit i përshëndeti z.Muhamet Omari, një ndër drejtuesit kryesorë të Grupimit "Shqiptaro-amerikanët për Demokraci", i cili ndër të tjera theksoi se "Përkujtimi i përvitshëm i figurave të tilla madhore sikundër Heroi i qëndresës së shqiptarëve kundër pushtuesve nazi-fashistë, Gjeneral Abaz Kupi, është detyrë e shenjtë kombëtare, sepse ata janë kolona vertebrore e qëndrestarëve atdhetarë, që gjithë jetën luftuan, u përpoqën, punuan dhe ushqyen ndjenjën e madhe të shqiptarisë. Gjeneral Abaz Kupi ishte ndër ata që u 'martua me shqiptarizimën', por kolera e kuqe, që e kishte mbështetjen e saj në Serbi, Greqi dhe Rusi, si dhe tradhtarët shqipfolës, që kurrë nuk na u ndanë, përdorën të gjitha mënyrat për ta rrënuar çështjen tonë kombëtare shqiptare, atë çështje për të cilën luftoi deri në fund të jetës Gjeneral Abaz Kupi".
Ndërsa intelektuali dhe veprimtari atdhetar Niko Kirka, në fjalën e tij të përshëndetjes u shpreh se "Eshtë shumë e vështirë që vendi i një individi të shquar siç ishte Heroi krutan Abaz Kupi, të lidhet me një datë të caktuar historike, pa u lidhur me konvencione të tilla madhore si Parti, në këtë rast PLL e lavdishme, dhe me Kombin tonë shqiptar. Kur kujton 7 Prillin 1939, menjëherë të shkon mendja tek Bazi i Canës, pavarësisht se komunistët vunë në fillim togerin trim Mujo Ulqinaku, pra komandantit të tij, majorit kreshnik Abaz Kupi, duke vënë kështu, qëllimisht, ushtarin para komandatit. Por roli i Gjeneral Abaz Kupit ka qënë shumë i rëndësishëm dhe vendimtar në qëndresën heroike kundër pushtimit fashist, i cili nuk shënoi thjesht okupimin e përgjakshëm të atdheut tonë, por ndërpreu dhunshëm edhe vazhdimësinë e mëtejshme të zhvillimit normal të shtetit dhe kombit shqiptar. Pikërisht data e mallkuar e 7 Prillit, ishte ajo që devijoi rrugën e zgjidhjes së çështjes tonë kombëtare në përgjithësi dhe të problemeve shqiptare në veçanti, pengesa të cilat vazhdojnë të na dëmtojnë edhe sot", - tha ndër të tjera z.Kirka.
Pas tij, tubimin e përshëndeti zonja Vera Gjata, sekretare e Shoqatës atdhetare "Çameria" në SHBA, e cila pasi përgëzoi Degën e Partisë Lëvizja e Legalitetit në SHBA për nderimin që po i bënte në vazhdimësi, kujtimit dhe veprës heroike të Gjeneral Abaz Kupit, theksoi se "Në këtë përvjetor të 30-të, ne përkujtojmë sërish me nderim të thellë jetën dhe veprën e këtij luftëtari trim e të papërkulur, që gjithçka e shkriu në mbrotje të çështjes sonë Kombëtare". "Emra të tillë, që nuk kanë kursyer asgjë për kombin, lirinë dhe pavarësinë e tij, janë burim frymëzimi për të gjithë brezat, dhe ne na takon që figura të tilla, t'i kujtojmë me mirënjohje të përjetshme. Eshtë fatkeqësi dhe humbje e madhe për brezat e rinj që, për një kohë të gjatë, regjimi komunist ia arriti të shmangë nga kujtesa dhe të lërë në hije atdhetarë të tillë si Gjeneral Abaz Kupi", e mbylli fjalën e saj plot emocione zonja Gjata, duke merituar duartrokitje të nxehta.
Pas saj, legalisti i shquar z.Fuad Myftia, ish Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës Kombëtare Lëvizja e Legalitetit në mërgim (OKLL), solli në fjalën e tij kujtime tejet interesante rreth njohjes me Heroin Abaz Kupi.
Ndërsa ish ambasadori i Shqipërisë në OKB gjatë viteve 1992-1997, z.Pëllumb Kulla, në fjalën e tij theksoi ndër të tjera: "Kam një kënaqësi dhe një gëzim të veçantë për faktin se kujtimi i Heroit Abaz Kupi është kaq i fuqishëm sa të mbledhë shqiptarët e diasporës, që vazhdojnë ta respektojnë veprën e tij dhe t'i japin asaj dimesionet që meriton". "Përkujtesa e kësaj date që lidhet me burrin e shquar të kombit shqiptar, është një krenari për familjen, është një krenari për komunitetin shqiptar në SHBA dhe për mbarë shqiptarët, kudo që ndodhen, është një krenari e denjë për të gjithë ata atdhetarë që kanë luftuar e që janë përpjekur për atdheun dhe çështjen tonë kombëtare. Kjo përkujtimore është nderim edhe për shqiptarët që kanë ëndërruar dhe kanë dëshiruar me të gjitha forcat dhe mundësitë për të mundësuar përmbysjen e komunizmit në Shqipëri. Dhe ky është momenti kur njerëzit refelektojnë dhe bëhen njësh apo pjesë e pandarë e historisë", - e mbylli fjalën e tij z.Kulla.
Pas tij e mori fjalën diplomati tjetër dhe njëkohësisht publicisti i njohur (ish ambasador i Shqipërisë në Turqi në periudhën 1992-1997) dhe një ndër veprimtarët e shquar të diasporës nacionaliste amerikane, z.Skënder Shkupi, i cili pasi përshëndeti familjarët dhe organizatorët e tubimit, shprehu vlerësime të larta për figurën e Heroit Abaz Kupi.
Pas z.Shkupi, e mori fjalën për të përshëndetur të tubuarit z.Sali Bollati, kryetar i Shoqatës atdhetare "Çamëria" për mbarë SHBA-të, i cili ndër të tjera theksoi se "Ky përvjetor dhe prania jonë, tregojnë se Heroi Abaz Kupi eshte ende "gjalle". "Jane ende të gjalla idealet e tij, vepra, puna dhe lufta që ai bëri për Shqipërinë dhe kombin mbarë. Për të shpërblyer veprën e tij, mendoj se duhet të ngrihet një fondacion, i cili të merrte përsipër ngritjen e shtatores së tij në Tiranë, Durrës dhe Krujë. Varrit i Heroit, ka ardhur koha që të nderohet sikundër i takon një komandanti të lavdishëm dhe të vendoset në tokën mëmë dhe eshtrat të prehen përjetësisht në atdheun e tij dhe tonin...", - e mbylli fjalën e tij plot emocione z.Bollati.
Pas tij, një ndër veteranët e PLL z.Rasim Sina, u përqëndrua në fjalën e tij tek dimensionet madhore të kësaj figure legjendare, si edhe të figurave të tjera që, padrejtësisht, u errësuan dhe u denigruan vazhdimisht nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Tejet emocionuese dhe plot kureshtje ishte fjala e autorit të librit monografik për Heroin Abaz Kupi, z.Makasen Bungo, i cili solli disa fakte te reja nga jeta dhe vepra e Gjeneral Kupit.
Atmosferën e ndezën fjalët dhe përshëndetja e poetit antikomunist Tahir Hysa, i cili recitoi vargje të krijuara enkas për Heroi në këtë përvjetor.
Në fund të tubimit, organizatorët dhe pjesëmarrësit, në emër të familjes së nderuar Kupi, i përshëndeti dhe i falenderoi djali i madh i Gjeneral Abaz Kupit, zoti Petrit Kupi.
Hajdar Tonuzi: Kupi, krutani legjendar
Sot, u mbushën 30 vjet nga dita e dhimbshme, kur legjendari i Krujës, Heroi kombëtar Abaz Kupi, u nda prej nesh njëherë e përgjithmonë, duke i dhënë lamtumirën kësaj bote, bashkatdhetarëve dhe atdheut për të cilin e molisi malli. Ndofta jo rastësisht Heroi lindi në qytetin heroik të Krujës. Ndofta, edhe për koiçidencë, jeta dhe vepra e fatosit të Krujës, qe e inspirueme dhe ndikueme në atë drejtim, për t'u bërë hero mbas 500-vjetëve, në shekullin XX, nën shembullin e Heroit të pavdekshem kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Sot jemi tubue në shenjë respekti e mirënjohjeje për veprat e tij atdhetare, për sakrificat e pandërprera në interes e dobi të atdheut dhe mbarë kombit shqiptar. Vepra dhe lufta e tij heroike më 7 Prill 1939, të cilën Naltmadhnia e Tij Zog i Parë Mbret i Shqiptarëve i'a besoi këtij burri si komandant legjendar, shkroi faqet më të lavdishme të historisë sonë kombëtare.
Abaz Kupi qe i pari në Europë, që i'u përgjigj me zjarr fuqisë fashiste, e cila kishte dalë si kuçedër për t'i hapur varrin kontinentit plakë, dhe ndoshta mbarë botës. Pa luftën e 7 Prillit 1939, historia jonë kombëtare do të kishte qenë shumë e varfër.
Gjon Buçaj: Abaz Kupi, fatosi i lirisë
Teksa jemi mbledhur të përkujtojmë fatosin krutan të lirisë dhe njërin prej burrave që kanë dhanë aq shumë për çështjen tonë kombëtare, nuk mund të mos kujtojmë edhe idhullin e tij e të mbarë shqiptarëve, kryetrimin e betejave për liri, pavarësi të plotë dhe ndërtim të shtetit e të së ardhmes së shqiptarëve, NMT Mbretin Zog i Parë.
Qëndresa e Heroit Abaz Kupi në Durrës dhe Krujë, më 7 Prill 1939, në zbatim të urdhërave të Mbretit Zog, nuk shënoi vetëm rreshtimin në ballë të rezistencë kundër një armiku qindra herë më të fuqishëm, por me shpirtin, guximin dhe trimërinë e Abaz Kupit, shkroi faqet më të lavdishme të rezistencës shqiptare për liri. Ky fatos i lirisë që u shndërrua në legjendë, dhe ata që, nën urdhërin e tij luftuan heroikisht, i dhanë nder e lavdi kombit shqiptar, pa droje për gjakun e derdhur trimnisht, siç bani heroi Mujo Ulqinaku. Ata që e kryen këtë vepër të pashoqe për nga lavdia e trimnia, sot jo vetëm na kanë lanë kujtimet ma të pashlyeshme, por edhe krenarinë si komb, që ta shpallim botnisht se shqiptarët kurrë nuk nënshtrohen, e përkulen, para kujtdo qoftë, pasi ata dijnë vetëm të derdhin gjak e të mbrojnë me çdo çmim vendin e tyre, varret e të parëve, të ardhmen e fëmijëve...
Prandaj e meritojnë lavdinë dhe respektin tonë, deri në amëshim..., sa kohë që do të rrojë kombi ynë.
Agim Rexhaj: Abaz Kupi, tribun i nacionalizmit shqiptar
Kam nderin e madh që, në emër të Degës së LDK për SHBA-të, të marr fjalën në këtë 30- vjetor perkujtimor, që i kushtohet njanës prej figurave ma të ndrituna të kombit shqiptar, Gjeneral Abaz Kupit. Duke kujtuar e nderuar veprën dhe lavdinë e këtij tribuni të nacionalizmit shqiptar, ne sot, të gjithë sëbashku, demokratë e nacionalistë të mbledhur këtu, në Nju Jork, shprehim njëherësh dashurinë dhe respektin e madh që kemi ndaj këtyne burrave, që dhanë aq shumë për Shqipëri e shqiptarizëm.
Unë mundem pa frikë ta konsideroj këtë që banë atdhetarët legalistë dhe demokratët në diasporë, si punë me të vërtetë me vlera kombëtare, si dhe një përpjekje të ndershme të çdonjanit prej nesh për të përkujtuar çdo vit të gjithë ata burra që luftuan për çlirimin e Shqipërisë nga kthetrat e komunizmit, për demokratizimin e saj, çlirimin e Kosovës dhe pavarësimin e saj, si dhe për ma shumë liri e të drejta të shqiptarëve në Maqedoni etj.. Të gjitha këto vepra sëbashku, kanë të bajnë edhe me një çlirim në shpalosjen e mendimeve dhe vlerësimin e veprës së tyre historike.
Ne shqiptaret kemi një fat të madh; që Kosova, nën udhëheqjen largpamëse e të mençur, të burrit të urtë, Presidentit Rugova, me anë të luftës heroike të popullit të saj liridashës e paqedashës, me UÇK-në, SHBA-të, NATO-n dhe aleatët e demokracive të mëdha - mundëm ma në fund ta çlirojmë Kosovën tonë ta shtrenjtë.
Dhashte Zoti që, sëshpejti, Kosova jonë shqiptare ta gëzojë edhe njohjen formale të Pavarësisë.
Viti 2006 le të mbetet në histori si vit vendimtar i njohjes së Pavarësisë së Kosovës.
Kështu, sëbashku, atdhetarë e demokratë të vërtetë, duke kujtuar figurat ma të ndrituna të kombit tonë, të shkruajmë me gërma që nuk fshihen kurrë, edhe historinë e re të kombit shqiptar, duke i shërbyer atij ashtu si na mësuan e banë heronjtë që luftuan e punuan për çeshtjen tonë, duke na lanë pas një thesar të çmuar, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë pas nesh.
Ne dhe ju sëbashku, po i kontribuojmë edhe Pavarësisë së Kosovës dhe zgjidhjes së çeshtjes shqiptare në Çamëri, Kosovën Lindore, Maqedoni e Mal të Zi.
Skënder Shkupi: Mëkatet e historisë, ndaj Abaz Kupit
Që prej vitit 1944, kur komunistët morën pushtetin në Shqipëri, pati përpjekje të ethshme për të denigruar të gjitha ato figura nacionaliste të së kaluarës. Nëpërmjet shkrimtarucëve, ose personave që fshiheshin prapa të ashtuquajturës krijimtari popullore, shpesh u stigmatizuan dhe u satiririzuan shumë nga figurat e së kaluarës sonë të lavdishme, nacionalistët, njerëzit e ndershëm dhe atdhetarët e vërtetë. Megjithatë, një fakt mbetet tejet interesant; vetëm për Abaz Kupin, komunistët nuk arritën të sajojnë as edhe një varg satarik. Aq e fuqishme ishte figura e tij.
Pastërtia dhe rruga e drejtë e tij, nuk u dha asnjë shkas dhe nuk u krijoi asnjë mundësi komunistëve të të gjitha maskarallëqeve dhe poshtërsive, të kapnin diçka nga Abaz Kupi dhe figura e tij, për ta denigruar e mbuluar me baltë.
Në këtë këndvështrim, them se sot, është mëkat që ende në Shqipëri, nuk organizohet ndonjë aktivitet që t'i kushtohej kësaj date që sot po përkujtojmë, pra pikërisht 30-vjetorit të përkujtimit të ndarjes nga jeta të Gjeneral Abaz Kupit.
Sot, do të kishte qenë e udhës që në Tiranë, Krujë dhe Durrës, ku ai edhe organizoi rezistencën e tij historike, do të kishte qenë e udhës të organizoheshin e mbaheshin tubime të tilla përkujtimore.
Megjithatë, mendoj dhe jam optimst se, shumë shpejt, Gjeneral Abaz Kupi do të marrë përmasat e tij të vërteta edhe në Atdheun tonë, në Shqipërinë tonë.
Refleksion
Dilemat e integrimit ndërshqiptar dhe atij në BE
Nga Sazan Pipa
Në një artikull analitik, pas një autopsie dhe prerjeje sagitale, "The economist", (botuar dhe cituar nga gazeta "Tirana observer"), stigmatizon ashpër dështimet periodike të politikave integruese të BE pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, rënies së Perdes së Hekurt dhe legalizimit të pluralizmit në vendet ish komuniste të gadishullit tonë problematik.
Artikulli i prestigjiozes londineze, me sarkazmën tradicionale angleze, që në titull nënvizonte "dështimin" prej dy herësh dhe "shansin e tretë të BE" për integrimin e vendeve ballkanike në komunitetin e shteteve që, tashmë, është shndërruar në "tokën e premtuar" për vendet aspirante për integrim, ku bën pjesë edhe Shqipëria, por dhe Kosova që pritet të pavarësohet së shpejti...
Përveç fakteve të njohura për mungesën e unifikimit të qëndrimeve dhe të një strategjie të studiuar të BE në fillesat e dekadës së fundit të shekullit të kaluar në Ballkan, artikulli ironizon se akoma në BE "nuk është e qartë sesa do të zgjasë joshja për të hyrë apo sa tërheqëse mund të bëhet faza 'para-hyrëse'... Në rastin më të keq, BE-ja do të përfundojë duke ndarë Ballkanin, në vend që ta modernizojë atë, duke ndarë rajonet në vende në rrugën e anëtarësimit..., dhe në pjesën tjetër në geto, statusi i të cilave do të jetë i pasigurt dhe braktisja 'para-hyrje' mund të bëhet akoma më keq, duke shkurtuar ndihmat", konkludon në mënyrë shkallmuese analiza, që duket qartë se është artikull redaksional...
Dhe për ta theksuar e mbathur më tej argumentin e mundësisë së pakësimit të paragjykuar të ndihmave dhe investimeve në Ballkan, pasi ironizon literalisht me nëntitullin "Meritat e imperializmit austro-hungarez", revista fshikullon se "... Presidenca e BE, që zakonisht është një organizëm i kotë..., ka rënë nën kryesimin e investitorit të vetëm në Ballkan, nën Austrinë".
Jo rastësisht, pasi evokon ish emërtimin e dikurshëm të perandorisë dykrerëshe dhe disponimin e Austrisë së sotme kundër integrimit të Turqisë, në vijim të politikave të rivalitetit midis këtyre ish-perandorive në fillim-shekullin XX, "The economist", përveç faktit që Austria është "investitori i vetëm në Ballkan", përqas edhe sugjerimin e Michael Emerson të QSPE në Bruksel, sipas të cilit "vendeve ballkanike mund t'u jepet anëtarësia e bashkimit të doganave mes BE dhe Turqisë, duke zhvendosur kësisoj një lëmsh të 31 marrëveshjeve të tregtisë".
Dhe satira e artikullit arrin kreshendon, kur tekstualisht shkruhet e bardha mbi të zezë, se "Këto janë ide të mira në vetvete, por më i rëndësishëm është mesazhi që ato përcjellin: se Ballkani ka rëndësi edhe ngaqë nuk derdhet më gjak në të...".
Thellësisht skeptik për një zhvillim sipas skemave të planifikuara në Bruksel, "The economist", pasi dëshmon ankthin e BE për të ndryshuar "status quo-në e brishtë të Ballkanit, me shpresë për më mirë...", thekson "..., por do të ishte budallallëk të vësh bast për këtë gjë.".
Pavarësisht konsideratave të mësipërme, sipërmarrja e klasës politike shqiptare për integrimin e vendit në BE, është jo vetëm e vështirë në lidhje me ritmet dhe afatet që do të mundësonin anëtarësimin përfundimtar, por edhe në raport me skemat e zgjerimit të këtij organizmi. Për vështirësitë e ecurisë së proceseve integruese, në Shqipëri ekziston paqartësi e skajshme dhe ky proces është shndërruar në një kazus demagogjik, të cilin LSI e ka përdorur edhe si thelb të programit politik dhe emërtimit zyrtar, duke shfrytëzuar joshjen e ëndrrës së kahershme të shqiptarëve për t'u bërë pjesë e familjes europiane.
Që në fillimet e pluralizmit, pas premtimeve verbale në kontaktet me përfaqësuesit perëndimorë, politikanët tanë futën natyrshëm në leksikun e tyre termin "integrim", të cilin filluan ta premtojnë, por gjithmonë pa sqaruar thelbin, kushtet, afatet dhe përfitimet. Më pas ky deformacion profesional i politikanëve ambiciozë, u shndërrua në sloganin politik të ditës e të modës. Tashmë është bërë pothuajse e qartë se integrimi është çështje standartesh politiko-demokratike, ekonomike, ushtarake, gjeopolitike (deri tek interesat e vendim-marrësve), dhe realizohet nëpërmjet reformave të thella në të gjitha fushat, me rezultate të prekshme e të matshme, gjithmonë e domosdoshmërisht të vlerësuara si të tilla nga perëndimorët.
Pas vështirësive konkrete dhe kërkesave të panumërta që duheshin përmbushur, për politikanët tanë u bë e qartë se Integrimi nuk ishte më çështje dëshirash dhe vitesh të pakta. Në këto kushte Integrimi u pa si slogani më atraktiv, madje u përdor enkas si instrument i luftës politike.
Natyrshëm, dështimet shqiptare në të gjitha fushat, do ta shtynin integrimin në kohë dhe do të prodhonin inflacion marramendës të këtij termi.
Por shembullin më grotesk të shpërdorimit politik të konceptit "Integrim" e dha ministresha veterane e ministrisë së Integrimit, Ermelinda Meksi, në kongresin e PS të vitit 1999, tek u justifikua se "... reformat që kërkohen për integrimin e vendit janë penguar për shkak të mungesës së stafeve të specializuara, ngaqë nuk na la diktatura e Berishës të shkollohemi!!!".
Më pas integrimi u shpall leva e Arkimedit për pushtetin dhe filloi të lakohej në të gjitha rasat, me vend e pa vend, duke u shtrirë deri tek planifikimi familjar i hallexhinjve që s'dinë të përdorin kontraceptivët.
Politikani që e kulmoi idenë e përdorimit politik të Integrimit ishte ish-kryesocialisti Fatos Nano, i cili fabrikoi edhe një Komision parlamentar "Ad hoc", të cilin ia dha opozitës për ta drejtuar, gjatë legjislaturës së kaluar, duke i mbyllur kësisoj gojën nëpërmjet "bashkëfajësisë" dhe "ndarjes së përgjegjësive të qeverisjes".
Në ujëra të turbullta noton ende, aktualisht, dikasteri i Integrimit, gjë të cilën e konfirmoi para do kohësh edhe ministresha e re Troshani, teksa u kërkoi deputetëve të komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme, ndihmë konkrete për "hartimin e strategjisë dhe përshpejtimin e ritmeve të integrimit...(!!!)".
Askush sot nuk flet shkoqur për "stacionet" që duhen kaluar për të arritur në Evropë dhe për objektivat afat-shkurtëra, afat-mesme e afat-gjata, përveçse artikulimit me bujë të vendimit të BE për mundësinë e mbylljes së negociatave dypalëshe me Shqipërinë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-asociimit, në pranverën apo verën e sivjetshme.
Ekspertë të kësaj fushe argumentojnë se, në rastet kur reformat dhe arritjet janë konkrete dhe sipas recetave - kufiri kohor i anëtarësimit në BE të vendeve të pazhvilluara, sintetizohet në formulën (3 herë 4 + 5) vjet. Sipas kësaj formule, meqenëse jemi në fillim të rrugës, gjithmonë në e vazhdofshim - i bie të anëtarësohemi pas 17 vjetësh, pra në vitin 2022.
Pikërisht ky afat (pra afro 17 vjet), u është dashur vendeve ish komuniste si Çekia, Polonia e Sllovenia, që ishin më të përparuara në arritjen e standardeve demokratike dhe atyre të Tregut të lirë, dhe po aq u është dashur edhe Bullgarisë e Rumanisë, që janë kandidate për anëtarësim të afërt.
Aktualisht, arritja e standardeve ekonomike për intensifikimin e proceseve integruese të vendit, është vështirësuar së tepërmi pas nënshkrimit nga ish ministresha E. Meksi, të marrëveshjeve ekonomike në kuadër të OBT, lidhur me kuotat e shkëmbimeve tregtare dhe tarifave përkatëse me vendet e rajonit e më gjerë, duke shmangur përfundimisht çdo masë proteksioniste me karakter ligjor e administrativ për mbrojtjen e prodhimit vendas. Shembulli më domethënës i këtij konkluzioni është edhe ulja e tarifave doganore për importet e hekurit, çeliqeve e prokateve nga 15 % në 10 %, çka rrezikon edhe largimin nga vendi të kompanisë "Kurum" dhe mbylljen pasuese të furrnaltave të Elbasanit, shoqëruar me flakjen nga puna të punëtorëve dhe mbylljen e këtij aktiviteti prodhues, ndër të paktët vendas.
Pikërisht këtë dukuri dhe direktivë, (sikundër edhe në rastin e Shqipërisë), në nënshkrimin dhe respektimin e marrëveshjeve të sipërcituara, ka patur parasysh edhe eksperti i Brukselit, z.Emerson, teksa thekson se "vendeve ballkanike mund t'u jepet anëtarësia e bashkimit të doganave mes BE dhe Turqisë, duke zhvendosur kësisoj një lëmsh të 31 marrëveshjeve të tregtisë".
Fatkeqësisht, apo për qëllime përdorimi si instrument retoriko-politik, "vikitimë" e iluzionit joshës të Integrimit europian, ka rënë edhe klasa politike shqiptare në Kosovë, teksa i kushton një vend të rëndësishëm synimeve integruese në BE, pikërisht në prag të kurorëzimit me sukses të negociatave për pavarësimin...
Meqenëse standardet demokratike në mbarë hapësirën shqiptare po njohin rritje të pandërprerë e të vlerësuar si të tillë, faktorit shqiptar në rajon i lipset realizimi i komponentit tjetër të integrimit, atij të Tregut të lirë dhe zhvillimit ekonomik, tashmë të bazuar mbi platforma dhe skema të detajuara, në themel të të cilave duhet të qëndrojë synimi i zbatimit të "komplementaritetit të faktorëve ekonomikë shqiptarë në të gjithë hapësirën rajonale", sikundër thekson politologu Arbër Xhaferri.
Dhe kjo do të thotë se, në zbatim të "31 marrëveshjeve të tregtisë" të Emersonit, tregu shqiptar në Ballkan nuk duhet të synojë vetëm shfrytëzimin maksimal të resurseve turistike në Adriatik e Jon, sikundër u sugjerua edhe në mbledhjen e fundit të qeverisë, por edhe të hartimit të strategjive të përbashkëta për elektroenergjinë midis KESH-it tonë dhe KEK të Kosovës së Pavarur, midis tregut bujqësor dhe atij të industrisë së materialeve të ndërtimit të Kosovës dhe shqiptarëve të Maqedonisë dhe atij shqiptar të këtej kufijve administrativë, etj..
Kapacitetet e instaluara të KEK të Kosovës mundësojnë prodhimin e 11 miliardë kilovatorëve, çka para vitit 1999 janë shfrytëzuar plotësisht në favor të Serbisë, ndërkohë që prodhimi aktual është vetëm 4 miliardë, aq sa edhe nevojat për konsum të brendshëm. Dhe ky reduktim i imponuar i prodhimit të KEK, ndodh pikërisht kur Shqipëria importon nga kompani joshqiptare afro 2 miliardë kilovatorë, që kushtojnë afro 80 milionë Euro. Gjithashtu, fermerët shqiptarë përtej kufijve, nëse kontraktohet, mund t'i plotësojnë të gjitha nevojat tona për drithëra, konserva, fruta e prodhime të agroindustrisë, të cilat në strukturën e importeve tona zënë afro 50 %, shifër kjo afro 700 milionë Euro. Po kështu edhe për industrinë e materialeve të ndërtimit, me afro 200 milionë Euro, etj..
Nuk ka rrugë tjetër për rrafshimin e kufijve ndarës midis shqiptarëve, për integrimin ekonomik e shpirtëror, për zhvillimin harmonik dhe zbutjen e defiçitit tonë tregtar prej afro 1.2 miliardë Euro, përveçse hartimit të politikave komplementare të prodhimit dhe shkëmbimeve në mbarë hapësirën shqiptare.
Vetëm kur Integrimin të mos e kundrojmë dhe përdorim si qëllim në vetvete, apo si instrument të luftës së paprinciptë politike, por thjesht si vizion për zhvillim të demokracisë dhe tregut, atëherë proceset integruese në BE do të rrjedhin natyrshëm dhe jo të sforcuara. Kësisoj, pavarësisht vështirësive objektive, pengesave e paragjykimeve burokratike, apo mungesës së vullnetit politik të vendeve anëtare të BE, integrimi ynë i njimendtë do të jetë real, dhe, në rastin më të keq, nuk do të kushtëzonte ardhmërinë tonë dhe përballimin e sfidave të konkurrencës së ashpër midis kombeve në këtë milenium, konkurrencë kjo e natyrshme; për tregje, ekspansion kapitali, për zhvillim qoftë edhe në kurriz të të tjerëve, për ndikim e kushtëzim politik, për mirëqenie dhe interesa ekzistenciale.
Analiza
Shpërbërja e Jugosllavisë, Perëndimi dhe shqiptarët
Teza e Huntigtonit, sipas serbëve
(Vijon nga numri i kaluar)
Milorad Ekmeçiç pretendon në mënyrë absurde se "Filozofia e 'Përplasjes së Qytetërimeve' solli diçka më tepër sesa teoritë e tjera, ngaqë na e ka siguruar bazamentin e një ideologjie politike për zëvendësimin e dominimit trishtues të ish Marksistëve dhe Liberalëve".
Sërish, Ekmeçiç, me mendjemadhësinë karakteristike serbe, mendon se mund të na bindë për këtë përfundim të pretenduar si aksiomatik, ndërkohë që as filozofia në fjalë, dhe as mendimi "dominues e trishtues" i Marksistëve e Liberalëve, nuk kanë mundur të shpjegojnë shkakun e vërtetë të përplasjes së "qytetërimeve", i cili është thjesht përplasje interesash për dominim tregjesh, për zona influence dhe rivalitet ekonomik e gjeopolitik, që janë instrumentat dhe njëkohësisht leva e Arkimedit për ekzistencën dhe intensifikimin e raporteve të forcës së protagonistëve dhe aktorëve, si dhe të status quo-së aktuale në skenën politike botërore.
Ekmeçiç gjithashtu nuk mundet të çlirohet nga tundimi për të sulmuar Katolicizmin dhe Vatikanin, gjithmonë dhe vetëm nga pozitat e Orthodoksisë, sidomos pas zgjedhjes së Papës Benedikti XVI, teksa pa kurrfarë argumenti thekson se "Ideologjia Konservatore e Kishës Katolike sot, përpiqet të mbushë vakuumin ideologjik pas kolapsit që shkaktoi Lufta e Ftohtë. Dhe që nga sot, kjo është edhe forca kryesore filozofike e Europës dhe SHBA-ve, bashkërisht".
Sikundër theksova edhe më lart, nuk është e nuk mund të jetë Ideologjia Konservatore e Kishës Katolike, forca kryesore filozofike e Europës dhe SHBA-ve sot, sepse ndryshe nuk ka si shpjegohet aksioni i gjithanshëm politiko-diplomatiko-ushtarak i tyre në Bosnje e Kosovën myslimane, në kundërshtim të plotë me skemat shoviniste të utranacionalizmit serb në Jugosllavi, apologjet i të cilave, ndonëse i kamufluar, është edhe Ekmeçiç-akadhemyku serb.
Më pas, me të njejtën grandomani të marrë, allaserbe, Ekmeçiç, duke shtrembëruar të vërtetat dhe zhvillimet aktuale gjeopolitike, konkludon se "Shfrytëzimi i teorisë mbi Përplasjen e Qytetërimeve, me gjasë, mund të shtojë armiqësinë tradicionale ideologjike dhe intolerancën që buron nga kohët e konfliktit me Bashkimin Sovjetik, drejt një grupimi të fuqive botërore".
Edhe vetë Ekmeçiç nuk e beson këtë që thotë, sepse pavarësisht fuqizimit të Rusisë, Kinës, daljes së Indisë e të tjerëve në skenën politike botërore, grupimet politike, ekuilibrat e vendosur dhe raportet aktuale të forcave, është vështirë të ndryshojnë balancën e fuqive botërore në drejtimin që do të donte Ekmeçiç dhe serbët, dhe këtë e demonstruan më së miri qëndrimet e fuqive të supozuara si pretendente dhe prishëse të mundshme të status quo-së, gjatë zhvillimeve të fundit në Jugosllavi në konfliktin ushtarak të Kosovës, kur Rusia dhe Kina, totalisht proserbe, u tërhoqën pasi dështuan me sukses, madje duke u marrë me pastrimin e "rrënojave" të një superfuqie proserbe, bash në mes të Beogradit.
Edhe akademiku serb Predrag Markoviç, në teorinë e tij mundohet të vërtetojë tezat e Hantingtonit, të cilat i konsideron si "teori në trajtën e një harte, e cila shpërfill detajet, por që tregon më së miri 'rrugët kryesore' në botë, pas përfundimit të Luftës së Ftohtë".
Sipas këtij akademiku, "Për Hantingtonin qytetërimet nuk janë gjë tjetër veçse 'fiset njerëzore të fundit', të përcaktuara e identifikuara në bazë të religjionit dhe pandryshueshmërisë historike".
Por edhe kjo tezë nuk është aspak e vërtetë, dhe përgënjeshtruesit më të mirë të saj janë sërish Bosnja dhe Kosova myslimane, të cilat Perëndimi i konsideron plotësisht pjesë të qytetërimit të tij, pavarësisht diferencave në religjione, dhe këtë Markoviçi serb e di mirë.
Gjithashtu, Markoviç bën sikur harron se ishte pikërisht Hantingtoni, ai që në shtjellimin e teorisë së përplasjes së qytetërimeve, (ashtu sikundër mësuesi i tij Tojnbi), arriti në përfundimin aksiomatik se "Qytetërimi perëndimor, natyrisht është superior mbi të gjithë të tjerët", duke shembur kështu ëndrrën iluzore të balancimit ortodoks të kësaj supremacie, qoftë edhe me ndihmën e Kinës, Indisë, etj., përveç Rusisë dhe Greqisë.
Por edhe vetë Hantingtoni është konfuz teksa në trajtimin e shkaqeve të "Përplasjes së Qytetërimeve", i largohet thelbit të këtij konflikti teksa deklaron se "... modernizimi, urbanizimi, zhvillimi i teknologjisë dhe media, nuk mund ta sjellin bashkërisht qytetërimin, por ato ofrojnë një instrument të ri në konfliktin e tyre të përjetshëm". Dhe konfuzioni i Hantingtonit në këtë pikë vjen sepse, sikundër e thashë më lart, janë shkaqe të tjera ato që qëndrojnë në themel të këtij konflikti, pavarësisht trajtave, forcës së shkaqeve, apo shpërfaqjes së jashtme e të dukshme.
Duke qenë i bindur në faktin se qytetërimi Perëndimor nuk ka ndërmend të falë e braktisë popujt europianë myslimanë të Bosnjes dhe Kosovës, për t'ua lënë ato, si pre, ortodoksëve sllavë, Markoviç përpiqet të bëjë diversion kur e pranon me dhimbje këtë të vërtetë, thjesht për të zier vorbën e vorbullës antishqiptare sllave, teksa deklaron se "Hantingtoni e shpërfill karakterin heterogjen të vetë qytetërimit perëndimor dhe origjinën joperëndimore të disa elementëve bazalë të tij (nënkupto boshnjakët dhe kosovarët - sipas A. K.).
Dhe për të justifikuar qëndrimet refraktare të Perëndimit lidhur me ritmet dhe ardhmërinë e integrimit të serbëve në gjirin e familjes europiane e më gjerë, Markoviç deklaron me dhimbje se "Po aq shpejt sa historia e Perëndimit buron nga trevat e popujve ekzistues dhe realitetet historike, pamundësia e renditjes së çdo shteti në cirkuitet e mbyllura qytetëruese, bëhet e dallueshme".
Markoviç dhe të tjerë akadhemykë serbë, bëjnë sikur harrojnë se edhe babai i gjeopolitikës serbe Jovan Cvijiq, me njohuritë dhe trajtimin e tij empirik mbi Ballkanin, injoron kompleksitetin kulturor dhe identitetin etnik e fetar të popujve ballkanikë. Dhe kjo sepse, sikundër edhe për serbët, në fundore të tendencave dhe thelbit të historisë bashkëkohore, pavarësisht përpjekjeve e spekullimeve, religjioni nuk mundi të bëhej kriteri fundor (sole criterion) për klasifikimin e qytetërimeve, çka e pranon edhe vetë Cvijiqi. Madje në këtë përfundim arritën edhe dy baballarët e tjerë të kulturës moderne serbe, Dositej Obradoviq dhe Vuk Karaxhiç, të cilët u orvatën të studionin, secili në mënyrë të pavarur, Perëndimin dhe Lindjen, si dhe elementët e Ortodoksisë, Katolicizmit dhe Islamizmit, por këto shtigje, për hir të së vërtetës, përveçse drejt një deskripsioni e një narracioni naiv, nuk i shpunë ata asgjëkundi për të vërtetuar ndonjëfarë identiteti unikal, e aq më pak të ndonjë supremacie të kombit ortodoks serb mbi fqinjët e tij ballkanikë, ortodoksë apo jo të tillë, sikundër me shqiptarët e boshnjakët myslimanë, kroatët e sllovenët katolikë dhe bullgarët ortodoksë.
Më kot dhe pa kurrfarë nevoje, si masë të pranueshmërisë dhe aderencave të natyrshme me Perëndimin e qytetërimin perëndimor, (gjithsesi, të mirëpritur pa paragjykime), kulturologët serbë pretendojnë se "Kultura serbe arriti në Europë para shtetit serb dhe i mbajti fort pozitat e saj edhe në kohërat e acarta të krizave të shtetit serb, sikundër po bën edhe aktualisht". Dhe kjo jo sepse nuk është e vërtetë që kultura serbe arriti në Europë para shtetit serb, por sepse, duke përdorur si argument këtë fakt, serbët nuk thonë asgjë të re dhe domethënëse, ndonëse synojnë dhe u përpoqën ta bindnin Europën se asgjësimi i kulturave të fqinjëve nëpërmjet dhunës, zhbërjes së qëllimtë, asimilimit dhe aneksimit territorial, (si dhe vetë kultura serbe) - janë shkaqe mëse të mjaftueshme për të ngjizuar një shtet serb shovinist dhe me tendenca të ekspansionit territorial konform Naçertanie-s dhe ideologjive simotra të Serbisë së Madhe, ndonëse për hir të së vërtetës, fillimisht ia arritën kësaj në vitet 1870-1913, gjë të cilën Perëndimi dhe Europa, duke reflektuar, po e ndreqin po vetë, nëpërmjet pavarësimit të Kosovës dhe konsolidimit të shtetit të brishtë të Bosnjes.
Qytetërimi Përëndimor tashmë e ka kuptuar se vetëm në trajtën e identiteteve kulturore, etnike e fetare, si dhe të bashkëjetesës së tyre të denjë, që qëndron në themelitë e çdo kulture e religjioni që nuk bie pre e politikave antihumane, mund të ndërtohet godina madhështore e qytetërimit në trajtën e një familjeje, diverse për nga cilësitë, por e bashkuar për nga parimet e humanizmit, vlerave të mëdha me origjinë hyjnore dhe atributeve e resurseve bazale respektive njerëzore.
Për ironi, janë vetë akademikët serbë ata që, më në fund, pranojnë se avangarda e kombit serb, pra kultura e tij, për vetë pamjaftueshmërinë e argumentave dhe "karakterit unikal heterogjen dhe kombinimit të saj me traditat e ndryshme, thjesht veçse e ka rritur pranueshmërinë dhe pëlqyeshmërinë e saj në Perëndim, dhe jo më tepër". Dhe s'kish si të ndodhte ndryshe, sepse kultura, ku nënkuptohet edhe religjioni, nuk mund të jenë argumenta gjeopolitikë për jetësimin e realiteteve politike, në kundërshtim me ato etnike e kulturore të popujve të tjerë, apo për krijimin e të tjerave realitete politike, sa herë që shovinizmit serb i rritet oreksi.
Akademikët serbë, hiqen formalisht si prekursorë të paralajmërimit të rrezikut islamik, të cilin e përdorin për qëllime aneksioniste, sepse nëse do të ishin të bindur se "Islamizmi dhe rreziku që ai përfaqëson", do të ishin ulur këmbëkryq në Bosnje e Kosovë, bashkë me Bin Ladenin, do t'i kishin mbushur brekët dhe do të hiqnin menjëherë dorë prej Bosnjes dhe Kosovës. Por ata e dinë se "rreziku islamik" është një alarm fiktiv, që nuk mund të përbëjë kurrfarë argumenti për një ngjizje ndërshtetërore, aleancë të mundshme dhe mbështetje pasuese të Perëndimit me Serbinë, realizuar kjo nëpërmjet mashtrimit dhe kauzave të rreme. Ndaj edhe ata detyrohen të deklarojnë me qaravitje se "Për serbët dhe për anëtarët e tjerë të bashkësisë së Kishës Ortodokse, adoptimi i teorisë së Hantingtonit nënkupton pranimin e një pozite dytësore në vijë-ndarjen e përgjakshme midis Krishtërimit dhe Islamit".
Pikësëpari, Perëndimi nuk po përplaset me Islamin, por me disa segmente politiko-militariste që përdorin e që spekullojnë me Islamin, që nuk është filozofi dhe religjion që mbështetet mbi dhunën. Prandaj terroristët islamikë, që nuk janë të vetmit që ka njohur qytetërimi dhe historia botërore, e kanë të vështirë ta motivojnë dhunën e tyre qoftë edhe me një rresht të vetëm të Kur'anit, që është libër i shenjtë i Zotit, gjë të cilën askush nuk merr dhe nuk ka marrë përsipër ta hedhë poshtë, deri tash.
Sëdyti, aleanca, bashkëpunimi dhe partnershipi i Perëndimit me shumicën e vendeve islamike, përjashton masivisht të supozuarin konflikt midis Perëndimit dhe Islamit. Dhe, sëtreti, përveç boshnjakëve e shqiptarëve të Kosovës shqiptare kundër Serbisë ortodokse, dhe çeçenëve kundër Rusisë ortodokse, serbët nuk mund të përqasin asnjë fakt tjetër të përplasjes religjioze midis kombeve me besim mysliman me ortodoksët, që në përqindje zënë një masë të papërfillshme në besimin e Krishterë në përgjthësi, ku vetë ortodoksët janë një pjesë aq e vogël e që kanë një ndarje aq të qartë teologjike dhe religjioze, (për pasojë edhe kulturore me Perëndimin e krishterë), saqë ata më kot mundohen ta përfshijnë edhe Perëndimin në vorbullën e konfliktit me anë të përdorimit të shkaqeve të sajuara, thellësisht politike dhe aspak kulturore e kulturologjike.
Ndaj është i dështuar edhe akademiku tjetër serb Miroljub Jevtiç, kur përpiqet që tezën e "Përplasjes midis Qytetërimeve" në përgjithësi dhe në Ballkan, në veçanti, përpiqet ta argumentojë në dritën e tezave të Samuel Hantigtonit, teksa thekson se "Hantingtoni i përmend rastet e Bosnjes dhe Kosovës si shembuj të përplasjes dhe konfliktit midis qytetërimeve dhe nëse do të fillonim me paraqitjen dhe analizën e situatës aktuale, atëherë do të shihnim se vlerësimet e tij janë totalisht të vërteta, ndonëse Muslimanët e Bosnje-Hercegovinës nuk e pranojnë këtë, pra shkakun e religjionit si shkak i konfliktit, megjithëse ata vetë nuk kanë ndonjë formë tjetër të bashkekzistencës kolektive midis tyre si myslimanë".
Nga sa më sipër, cinizmi i Jevtiçit është i pashoq, kur si shkak të konfliktit në Bosnje ai përcakton dhe identifikon religjionin, duke nënkuptuar atë mysliman. Dhe kjo sepse nuk është religjioni, pra besimi islam i ndryshëm nga ai ortodoks serb, shkaktari i luftës serbo-boshnjake, por është vetë shteti ortodokso-militarist serb, madje me bekimin e Patrikanës serbe dhe patriarkëve që bekuan e bekojnë kriminelët, duke i shpallur heronj të Kauzës serbe dhe duke i strehuar deri edhe në manastiret; sepse ishin serbët ata që shpërthyen luftën dhe ndërsyen armatat e tyre të armatosura deri në dhëmbë kundër myslimanëve të paarmatosur.
Mlladiç dhe kriminelët e tjerë ishin gjeneralë serbë të Ushtrisë shtetërore të Millosheviçit dhe militarizmit serb, dhe nuk ishin aspak në vartësi të Alija Izetbegoviçit. Madje edhe sot, këta kriminelë, që janë shpallur hapur si heronj të kombit serb, (që gjatë luftës së Kosovës u bashkua dorëpërdore), paratë e rrogave i marrin në borderotë e Armatës së Jugosllavisë e Serbisë, dhe jo në ato të qeverisë së rotacionit etnik të Bosnjes. Madje edhe për t'u fshehur, ata fshihen e strehohen masivisht nga koshtunicët e tadiçët e Serbisë, dhe jo nga boshnjakët! Dhe këtë të vërtetë e ka bërë të qartë, personalisht dhe publikisht, vetë shefja e Tribunalit të Hagës, Karla del Ponte, ditët e fundit, teksa ka deklaruar se zotëron të dhëna të plota që "Mlladiç e të tjerë kriminelë, strehohen në Serbi, madje mbrohen nga Ushtria serbe", dhe se për këtë ka kërkuar zyrtarisht edhe "mbështetjen e SHBA-ve dhe BE për të ushtruar trysni për dorëzimin e tyre në Hagë".
Nëse boshnjakët u tubuan sëbashku për të mbrojtur ekzistencën e tyre, në prag të zhdukjes, kjo nuk u bë për shkak të religjionit, por thjesht të rrezikut. Sepse nuk ishte besimi islam ai që e rreshtoi Fikret Abdiçin renegat në krah të serbëve gjatë konfliktit, kur ai u ngrit kundër kombit të tij "islamik".
E përse qënka feja myslimane ajo që shërbeka si mjet i bashkëjetesës midis boshnjakëve sot, ndërkohë që ishte pikërisht kombësia përkatëse dhe rreziku i përbashkët i zhdukjes, që i bashkoi ata përballë serbëve gjakatarë!
Por edhe i ashtuquajturi argument i "bashkëjetesës" së boshnjakëve sot, bie poshtë ngaqë në këtë republikë, boshnjakët paqësorë po bashkëjetojnë sërish, nën të njejtën çati shtetërore, me kroatët dhe serbët, madje po bashkëqeverisin e po mundohen të mbijetojnë duke ngritur shtetin e brishtë e të keqmenaxhuar nga OKB, e cila ka dështuar të prodhojë ringritje ekonomike e stabilitet qeverisës, pavarësisht përpjekjeve titanike të Ashdaunit amerikan.
(Vijon në numrin e ardhshëm)
Opinione
Tender i hapur për një opozitë të mbyllur
Zamir Gjurgji
Zhvillimet e fundit në gjirin e politikës shqiptare kanë nxjerrë në pah një problem i cili për një kohë të gjatë, sidomos pas 3 korrikut, ka qenë ambalazhuar trashë. Politika shqiptare nuk ka një opozitë të mirëfilltë, e cila të luajë rolin e saj sipas të gjitha rregullave demokratike, rol që është sa i nevojshëm aq edhe i domosdoshëm në demokraci.
Tentativa e liderit të LSI-së Ilir Meta për të thirrur në një tryezë të përbashkët si Berishën e PD-së ashtu edhe Ramën e PS-së, shërbeu si një lakmues i shpërfaqjes të luftës së egër dhe të ashpër që zhvillohet mes dy opozitave: asaj të drejtuar nga "integralistët" e Metës dhe asaj të drejtuar nga "separatistët" e Ramës. Në këtë tryezë, mungesa e PS-së ishte rasti më flagrant se "trëndafili' dhe "gjembi" nuk mund të rrijnë në një kërcell, e jo më në të njëjtën vazo të së njëjtës tryezë.
PS-ja, me stilin e saj klasik të stigmatizimit të çdo lloj elementi a partie që është ballas, e që nuk është në krah të saj, nëpërmjet liderit të saj latant Pandeli Majko, e konsideroi LSI-në si "gardhin e jashtëm të oborrit të zgjeruar të mazhorancës qeverisëse".
Njëherazi, partia që ende ndjen mungesën e liderit të saj legjendar Fatos Nano, shpejtoi të merrte inisiativën e mbajtjes së një tryeze me forcën kryesore të pozitës, edhe pse u gjet një sebep si ai i reformës zgjedhore. Takimi mes PD dhe PS - në kontrast me takimin mes PD dhe LSI - u zhvillua në një status më të ulët përfaqësimi, në atë mes Sekretarit të Përgjithshëm Majko dhe atë të Nënkryetarit të PD-së, z.Bamir Topi. Pas këtij takimi, partitë në fjalë u deklaruan publikisht se kishin gjetur në parim gjuhën e përbashkët për të mos prekur kushtetutën, dhe se "do të vazhdonin të ishin më shumë bashkëpunuese në të ardhmen".
Menjëherë pas këtij takimi, edhe njeriu që mban dy kunguj në një sqetull, Edi Rama, për herë të parë pas "telenovelës politike Di Stasio", u shpreh me tone të zbutura se do të bashkëpunonte në rrugë ligjore me liderin e PD-së Sali Berisha. ( Vetëm pak kohë më parë ishte vetë Rama, që deklaroi publikisht se takimet me "Saligjin" do t'i zhvillonte vetëm në dyert e Prokurorisë e Gjykatave, ndërsa në të njëjtën kohe, kreu i ZP-së Erion Braçe deklaroi se "heq dorë nga posti i kryeredaktorit të gazetës "ZP" nëse Rama takohet me Metën", por Braçe nuk shprehet fare për deklarimin e Ramës se "do të bashkëpunojë me Berishën" !!!)
Nuk u vonua shumë dhe lideri i LSI-stëve Ilir Meta, duke u shprehur me tone ku nuk fshihej aspak ngjyrimi emiocional i xhelozisë dhe sarkazmës politike, kur deklaroi se... "PS-ja po i lutet PD-së për presidentin e ardhshëm"...
Me këtë panoramë të zhvillimit të politikës opozitare në Shqipëri, mazhoranca duket qartë se jo vetëm që ka forcuar pozitat e pozitës, por i ka mbetur në dorë të përcaktojë edhe se cila është opozita, të faktorizojë a defaktorizojë si njërën palë ashtu edhe tjetrën. E kjo situatë është jo vetëm qesharake, por edhe dramatike, pasi politikës shqiptare i mungon opozitarizmi real, i nevojshëm për funksionimin normal të demokracisë në Shqipëri. Për hir të vërtetës, edhe pse PS-ja ka luajtur të gjithë gurët për të përçarë opozitën "e djeshme" - me etiketime "konstruktive dhe "destruktive a obstruktive" - opozitat e sotme gjenden në pozita edhe më mjerane krahasuar me ato "të djeshme", pasi janë thuajse inekzistente politikisht për t'u përballur me pozitën. Ato janë fort ekzistente vetëm për të luftuar njëra-tjetrën se kush do të marrë statusin e opozitës, kush do të kalojë "ylberin " pas breshërit të korrikut, pasi 29 nëntori përbashkues rezultoi një mirazh në shkretëtirën e ideve dhe objektivave të një opozicioni politik, ndërsa "Zogu i zi", më tepër i ndau se i bashkoi " dy krahët e së njëjtës shqiponjë".
Në këtë situatë, mazhoranca është e detyruar të bëjë edhe opozicionin e vetvetes, aq shumë të nevojshëm për të luftuar arbitrarizmin dhe vetkënaqësinë që të jep pushteti në çdo vend , qoftë edhe në atë më demokratikun. Ajo duhet të korrigjojë të djeshmen dhe të vetkorrigjojë të sotmen, e detyruar kjo nga rrethanat politike të mungesës së opozitarizmit, që po vetëbojkotohet.
Në këtë kontekst, rasti "KRTSH-së" duket se është më përgjithësues. Nëse Rama bojkoton këtë institucion, atëherë ligjërisht është "prefekti" që e zëvendëson, por nëse Rama bojkoton institucionin e opozitarizmit ( të cilit i takon ligjërisht ta kryejë), atëherë me hir e me pahir, opozitarizmi i kalon "ad interim" kryeministrit, pasi Ilir Meta, duke qënë opozita e opozitës së (o)pozitës, mbetet thjesht disident politik. E kësisoj , ky i fundit nuk ka "letra të rregullta dushku" për të hyrë në tenderin e hapur për një opozitë të mbyllur.
Kësisoj, këtë lojë "çil e mbyll" të opozitarizmit, vetëm Nano duket se do ta zgjidhë...
Shënim
Vazhdimin e shkrimit "Një piktor në Ministrinë e Kulturës" do ta botojmë në numrin e ardhshëm.
___________________________
15 Janar 2006
___________________________
Princi Leka dhe drejtuesit e PLL, marrin pjesë në përvjetorin e shoqatës "Çamëria"
Princi Leka: Çështja kombëtare, në rrugë të mbarë
Familja Mbretërore dhe lidershipi i Legalitetit, kanë deklaruar edhe njëherë se çështja çame ka qenë dhe do të mbetet detyrim madhor kushtetues, programor dhe moral, në qëndrimet dhe veprimtarinë politike të tyre, çka kurrsesi nuk mund të reduktohet thjesht në pjesëmarrjen në aktivitetet përkujtimore të Shoqatës politiko-atdhetare "Çamëria"
EDITORIAL
Çështja çame, e braktisur nga politika
Editorial
Nga Murat BASHA
Para disa ditësh, shoqata politiko-atdhetare "Çamëria", përkujtoi 14 vjetorin e themelimit të saj, dhe me këtë rast ftoi në këtë përvjetor të gjitha partitë dhe shoqatat atdhetare simotra. Por për fat të keq, pjesëmarrja e partive politike linte shumë për të dëshiruar, teksa mungonin pothuajse të gjitha, përveç PLL, që përfaqësohej nga lidershipi i saj, PR që përfaqësohej nga kryerepublikani Mediu, si dhe të ndonjë partie tjetër të djathtë.
Si gjithmonë në këto raste, nderonin shoqatën me pjesëmarrjen e tyre edhe përfaqësuesit e Familjes Mbretërore, personalisht Princi Leka, si edhe përfaqësues të Oborrit Mbretëror shqiptar, që sollën edhe përshëndetjen e Mbretit Leka i Parë.
Pavarësisht ngrohtësisë së mesazheve dhe atmosferës së këtij përvjetori, mungesa e partive politike dëshmon se çështja e drejtë çame, si pjesë e natyrshme e çështjes sonë kombëtare, nuk bën pjesë në axhendën e partive shqiptare, përveçse në programin dhe idealet e partive të djathta nacionaliste. Dhe kjo është tepër e dhimbshme.
Partitë politike shqiptare dhe mediat tona kozmopolite, gjithmonë kanë mbetur në fund të karvanit kur janë trajtuar të drejtat e shenjta kombëtare të shqiptarëve të mbetur jashtë trojeve tona etnike, dhe kësisoj barra e mbrojtjes së këtyre interesave, ka rënë mbi partitë nacionaliste që konsiderohen si jashtë mode e anakronike.
Por sapo fragmente të çështjes sonë kombëtare janë ndërkombëtarizuar dhe për këtë janë sensibilizuar edhe kanceleritë perëndimore, të gjithëve u ka dalë gjumi i madh letargjik dhe kanë marrë flamurin e protagonizmit duke bërë "politikë të madhe", madje me dimensione panballkanike, kontinentale e globale.
Ky takëm është i lezeçëm, sepse përveç protagonizmit, me veprime indirekte, po duan të nxjerrin nga bashkëkohësia partitë nacionaliste dhe të injorojnë kontributet e tyre, vetëm e vetëm që të shiten si partnerë të Perëndimit demokratik dhe faktorë të stabilitetit ballkanik e më gjerë, ndonëse të gjithë e dinë se faktor paqeje e stabiliteti nuk mund të jenë frikacakët që nuk guxojnë të trazojnë ujërat dhe heshtin, por vetëm ata që dinë të bëjnë edhe paqen, edhe luftën, po të jetë nevoja.
Vrapuesit protagonistë u turrën të parët në Kosovë, dhe sapo u hap drita jeshile për negociatat e pavarësimit të Kosovës, dolën e hartuan rezoluta që nuk kanë kurrfarë fuqie e vlere, përveçse për të shitur pakëz atdhetari, si dhe për t'u treguar bashkëkombësve se "jemi edhe ne", se "jemi gjallë e po digjemi për vatanë". Por kur bie fjala për çështjen çame, me gjysmë zëri deklarojnë se "kjo është thjesht një çështje pronësie, që duhet zgjidhur me mirëkuptim, me frymë bashkëpunimi", etj., ndërkohë që kjo çështje është thellësisht kombëtare dhe mbetet edhe si detyrim i shteti shqiptar që rrjedh nga kushtetuta (preambula e saj).
Nuk mund të jetë thjesht çështje pronash, çështja çame... Madje ajo nuk mund të jetë assesi çështje e komunitetit çam që banon në Shqipëri, pasi edhe nëse ndonjë çami i shkrepet të shesë pronat e tij të trashëguara tek grekët, apo tek shteti grek, përfshirë këtu edhe varret e martirëve e të të parëve, këtë lajthitje nuk duhet ta lejojë vetë shteti shqiptar. Pra kjo do të thotë se bash çamët janë të fundit që duhet të vendosin për zgjidhjen e këtij problemi, pasi duhet të jenë shqiptarët e tjerë ata që, të parët, duhet të pyeten e të vendosin për këtë çështje, kryesisht.
Nëse do të bëjmë analogji, e ashtuquajtura e drejtë e serbëve për t'u rikthyer në Kosovë, po mbrohet me forcë nga shteti serb, madje deri aty sa asnjë serb nuk po guxon e nuk mund të guxojë të shesë, ta zëmë, tokat e manastireve pseudoserbe e me arkitekturë shqiptare të Pejës, Deçanit e Jabllanicës, në të cilat para vitit 1978 meshohej shqip, për shqiptarët ortodoksë, e që u shpallën manastire "serbe" vetëm pas vendimeve të Kongresit të Berlinit dhe fuqizimit të shtetit serb me përkrahjen e Rusisë.
Vënde të shenjta janë edhe varret e shqiptarëve, tokat dhe shtëpitë e tyre në Çamërinë shqiptare, ku grekët gjithmonë kanë qenë argatë, që punonin tokat e pronarëve shqiptarë, pavarësisht nga rangu shoqëror. Ndaj çështja çame është çështje ndërshtetërore, zgjidhja e së cilës fillon nga njohja e shtetësisë greke, dhe, më pas, nga heqja e shtetësisë shqiptare dhënë nga diktatura e Hoxhës, si shenjë e njohjes shtetërisht dhe pranimit të spastrimit etnik nga pseudoshteti grek i pushtuar asokohe nga gjermanët dhe i përfaqësuar nga aleati i tyre pronazist Napoleon Zerva.
Kur them heqjen e shtetësisë shqiptare, nuk nënkuptoj pasojat juridike të saj, pasi askush nuk do të guxonte t'u mohonte vëllezërve çamë të drejtat që kanë në Shqipëri, por ky akt normativo-ligjor do të ishte shtysë imponuese për shtetin grek dhe Bashkësinë Ndërkombëtare për njohjen e shtetësisë greke të tyre, bashkë me të gjitha të drejtat vijuese të pranuara nga kartat e të drejtave ndërkombëtare, të firmosura si palë nga shteti grek. Dhe kjo do të thotë që asnjë përjashtim selektiv nuk mund të bëhet për gjoja heqjen e shtetësisë për "kolaboracionistët" e gjermanëve, pseudofakt të cilin gjykatat greke në mbarim të LDB, nuk mundën ta "vërtetonin" më shumë se kundër disa qindrave çamëve shqiptarë.
Ndaj duhen mbështetur çamët dhe e drejta e tyre kombëtare, jo thjesht pronësore, nga partitë shqiptare, bashkë me të drejtën e riatdhesimit në trojet stërgjyshore, ashtu sikundër Serbia dhe ndërkombëtarët kërkojnë për ndoca kriminelë paramilitarë serbë, që, para se të kthehen në Kosovë, kërkojnë si parakusht amnistinë për krimet e luftës dhe genocidit antishqiptar. Dhe kjo do të thotë se nuk mund të ketë dy standarde: një për serbët dhe një për shqiptarët çamë, ashtu sikundër përrallisin karamanlisët dhe papulët e Greqisë në takimet diplomatike me përfaqësuesit legjitimë të shtetit shqiptar.
Ndaj duhen mbështetur çështja çame dhe të drejtat e tyre, e që kurrsesi nuk duhet të mbeten peng i një Traktati Miqësie, në zbatim të të cilit do të duheshin qindra vjet, me ritmin e breshkës, që grekët të pranonin krijimin qoftë edhe të komisioneve dypalëshe për zgjidhjen reciproke të çështjeve pronësore.
Ndaj edhe PLL po e përkrah çështjen çame, duke e shndërruar atë në pjesë të detyrimit programor e moral, para të cilit pjesëmarrja në aktivitetet e shoqatës "Çamëria" është kontribut minimal në raport me detyrimet kushtetuese e kombëtare, që tashmë janë braktisur nga politika shqiptare, e cila gjithmonë i ka joshur çamët për t'u marrë votat, por kurrë nuk i ka përkrahur e ndihmuar, ndonëse do të jetë e para që do të marrë sërish flamurin në rastin e ndonjë ndërkombëtarizimi të mundshëm, duke hyrë në pazare e duke i injoruar partitë nacionaliste, si të ishin kundër zgjidhjeve të pjesëve e të së tërës çështjes sonë kombëtare, e cila nuk do të vonojë të afrojë, në përmbushje të aspiratës legjitime për bashkim kombëtar.
POLITIKA
Gjykata kushtetuese hapi siparin e drejtësisë së vërtetë
Deklaratë e PLL për mediat
Pavarësisht vullnetit të vonuar të Gjykatës kushtetuese për shfuqizimin e nenit që bën fjalë për masën e kompensimit sipas ligjit Nr. 6290 "Për Dëmshpërblimin Financiar në Favor të të Përndjekurve Politikë...", të miratuar nga ish maxhoranca socialiste, PLL e përshëndet këtë vendim.
Legalistët e konsiderojnë vendimin në fjalë si shprehje e predispozicionit, detyrimit dhe përgjegjësisë ligjore e morale të Gjykatës kushtetuese ndaj kushtetutës në aktuale në fuqi, Kodit Penal, të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, si dhe kartave respektive ndërkombëtare, të nënshkruara nga shteti shqiptar.
PLL, ndonëse e ndërgjegjshme për paramendimin politik që shërbeu si shtysë për vendimin e sipërcituar, e vlerëson atë si një shuplakë ndaj papërgjegjshmërisë së ish maxhorancës, konceptimit paragjykues klasor dhe aplikimit prej saj të dy standardeve në dëmshpërblimin e kësaj shtrese konform dispozitave të Kodit Civil, ndryshe për ish të përndjekurit dhe ndryshe për ish nomenklaturën e lartë komuniste dhe ish kryesocialistin Fatos Nano.
PLL tashmë vlerëson se shfuqizimi i këtij neni ka krijuar të gjitha hapësirat ligjore për rishqyrtimin në tërësi të ligjit në fjalë, për amendimin apo edhe miratimin e një ligji të ri, për një dëmshpërblim të saktë të viktimave të diktaturës, sidomos pas shprehjes së vullnetit pozitiv të maxhorancës aktuale në këtë drejtim, si shprehje e natyrshme e detyrimit politik, juridik dhe moral ndaj shtresesë që mbajti barrën e krimeve të diktaturës.
PLL konsideron se tashmë për përmirësimin e këtij ligji nevojitet bashkëpunimi me përfaqësuesit legjitimë të shoqatave të të Përndjekurve, gjë të cilën ish maxhoranca as që denjoi ta bëjë, ndonëse iu ofrua konsulenca e nevojshme.
PLL do të vazhdojë angazhimin e saj në mbështetje të shtresës së ish të përndjekurve, në përmbushje të detyrimit programor, moral dhe në respektim të përkatësisë së saj nga kjo shtresë, që jo vetëm është dëshmia e gjallë e krimeve të diktaturës, por është edhe prekursore e idealeve demokratike dhe mbështetësja më e fuqishme e pluralizmit politik dhe demokracisë parlamentare që duam të ndërtojmë e konsolidojmë.
Zyra e Shtypit e PLL
INTERVISTA
Intervistë e z.Gjergj Thanasi, drejtor i Departamentit të Marrëdhëniëve Publike të PLL
Gjergj Thanasi: Duhet një reformë e thellë në gjithë administratën e lartë
Z.Thanasi, cili është komenti juaj për provokacionin e rëndë të hedhjes në erë të një kryqi të vendosur në Bushat të Shkodrës?
Hedhja në erë e kryqit është një provokacion tipik i organeve të specializuara të fqinjëve tanë, me synimin për t'u vënë, shqiptarëve në përgjithësi, dhe qeverisë Berisha në veçanti, etiketën "terroristë islamikë".
Kryqi i Bushatit duhet parë në një kuadër më të gjerë, si hallkë e një zinxhiri ngjarjesh. Kështu, në Ohër provokohen myslimanët lokalë, shqiptarë apo turq, pak rëndësi ka, për t'i shtyrë ata drejt radikalizmit islamik, në mënyrë që shovinistët e Shkupit e të Beogradit të dalin si mbrojtës të qytetërimit europian, nga shqiptarët e "egër", çuna tezesh apo djem xhaxhallarësh me Bin Ladenin.
Djallëzori Nano, në bashkëpunim me vëllain e Majlindës (Ketës), me efiçiencë solli në vende kyçe, në Mesihatin islamik shqiptar, njerëz me hipoteka nga e kaluara si "kapje" kosovarësh, që donin të arratiseshin nga parajsa e Enverit, diku nga Librazhdi, apo individë që në përputhje me akordin Kadri Hazbiu-KGB, viheshin në shërbim të AVO-s për të spiunuar bashkëkombasit e vet studentë, ose patriotë "hungarezë antisovjetikë. Dhe në kushtet e reja, bënin fushatë për kandidatët e Fatos Nanos, të shquar për mbylljen e kishave dhe xhamive në vitin 1967, si njerëz fetarë e muslimanë të mirë...
Shqiptarët duhet të jenë vigjilentë, për të mos shkaktuar asnjë diskordancë me partnerët euro-atlantikë, veçanërisht ata amerikanë. Për më tepët që këtij kavalli i bien të tërë, që nga Tadiçi tek Frrok Çupi, që nga Boshkovski tek Nano (Mustafaj), që duan ta nxjerrin kryeministrin e vendit detyrimisht njeri të Iranit në Ballkan.
Fatkeqësisht, ridimensionimi i rolit serbo-sllav në Ballkan, me trysninë e drejtpërdrejtë amerikane, e bën jo të domosdoshme që ATSH-ja shqiptare të ketë për drejtor Frrok Çupin.
Si e komentoni procesin e pavarësimit të Kosovës dhe çështjes kombëtare në përgjithësi në trojet etnike?
Në Ballkan po fryn era proshqiptare, të cilën nuk mund ta frenojë kush e s'mund ta pengojnë as gazetat që mbajnë apelativin "shqiptare". Mjafton fakti që në paralagjen "Çair" të Shkupit do të ngrihet brenda këtij viti një statujë 7 metra e lartë e Skënderbeut, pikërisht në atë zonë ku vetëm pak vite më parë ishte akt trimërie të flisje shqip.
Kosova e Pavarur, është ridimensionim i peshës edhe të vetë Shqipërisë zyrtare, kështuqë, mund të mos jetë më e nevojshme që në krye të saj të jenë kuislingë, me dhe pa mjekër. Ndoshta, më në fund po vjen dita që edhe Shqipëria të qeveriset nga burrat, jo nga burrat zonja, pa shtyllë kurrizore, por me llogari bankare nga Limasoli i Qipros në Ishujt Kaiman, përtej Trekëndëshit të Bermudeve.
Cili është vlerësimi juaj për disa hapa reformatorë të ndërmarrë nga qeveria e z.Berisha, sidomos në tatime e dogana?
Fatkeqësisht, në korrik do të jepet hesap për mbledhjen e taksave e tatimeve, përballë FMN-së dhe BB-së. Gjendja nuk është rozë. Ka vetëm një ulje të vogël të rryshfetit të rrjepur nga biznesi, nga hidra me shumë kokë e doganë-tatimeve dhe asgjë tjetër. Siç duket, kryeministri Berisha nuk ka gjetur personin e duhur për të pastruar hauret e Avgjisë, ku kanë mbaruar punë për 8 vjet socialistët.
Partnerët perëndimorë mund t'i mirëkuptojnë doganierët dhe tatimorët, të cilët marrin një rryshfet modest prej 10 mijë eurosh në muaj, por nuk mund të imagjinojnë sesi një nëpunës i tillë shteti, me dy vjet punë bën një investim prej 2 milionë dollarësh, në tulla llaç, pajisje, vlerë trualli etj..
Pra, investime të tilla të bëra nga Kakavija në Tiranë tregojnë se administrata doganore-tatimore ka në përbërje jo vetëm rryshfetxhinj të thjeshtë, por edhe trafikantë rajonalë me lidhje politike me të majtën e kriminalizuar, nga Salaria tek Bashkia e Tiranës. T'i heqësh nga puna për shkelje të Kodit Etik është nder, sepse këta shkelës të ligjit me famë rajonale i bën të "përndjekur politikë". Ndër këtë organizatë kriminale të mbuluar nga qyrku i nëpunësisë shtetërore, korrieri (mule) i kapur me heroinë pranë Janinës është ndoshta në shkallët të ulta të hierarkisë. Sa i përket thyerjes së monopoleve, premtim i kahershëm i mazhorancës, nuk është bërë asgjë. Nëse do marrim në shqyrtim statistikat import -eksport të dhjetorit, në firmat importuese të kafesë, karburanteve, cigareve, sheqerit, orizit, duralit, hekurit, birrës etj., nuk kemi asnjë firmë të re që të ketë më shumë se 3% të tregut, përveç anëtarëve të vjetër socialistë të klubit të monopoleve dhe oligopoleve. Në sektorin e magazinave doganore, përsëri të njëjtët njerëz të lidhur me hierarkinë Nano - Ruçi - Rama - Koçi - Poçi, vazhdojnë të nxjerrin superfitime, kurse vetëm një kontroll i përciptë me minimumin e profesionalizmit, veçanërisht për tranzitimet e karburanteve dhe kafesë nga Durrësi drejt Kosovës, do të nxirrte një evazion vjetor prej mbi 20 milion eurosh, të cilat do të mjaftonin për njëzet milion kilometra rrugë nga Durrësi në drejtim të Prizrenit, edhe sikur ndërtimin ta kryente ndonjë nga firmat hajduto-preferenciale të Edi Ramës. Asnjë kontroll nuk është bërë në këto vrima të zeza të fiskut socialist, përkundrazi, administrata doganore dhe deri diku ajo tatimore, është bërë objekt barceletash tallëse në mjediset rozë, për kapjen e 5 shisheve spumante tepër në bagazhin e refugjatëve që vinin për festa në shtëpi, apo në gjobitjet e një dyqanxhiu te "Myslym Shyri" se s'kishte kasë dyqani.
Në vitin 1996, monopolin e kishte firma "AKA" me pronar një Angjel, në vitin 2006 e ka Banana-Frut shpk, me pronar përsëri një Angjel. Ku është premtimi për çrrënjosjen e monopoleve? Mjafton një kontroll i kryqëzuar si ai që aplikon roja e financës me doganat italiane, për të bërë kthimin në buxhet të dhjetëra e dhjetëra milionë eurove, si rrjedhim, për t'u ballafaquar ballëhapur me FMN-në në korrik.
Partnerët, veçanërisht ata të përtej Atlantikut nuk mund t'ia falin qeverisë Berisha që nëpunës të lartë të Drejtorisë së Doganave, të jenë bashkëpronarë në hije të agjensive doganore, që ndër të tjera mbulojnë edhe konteinerët, që sjellin tranzit kokainën latino-amerikane në Shqipëri nga portet e Gadishullit Iberik. DEA dha kontribut thelbësor në largimin e butë nga pushtetit të Nano-Noriegës ballkanik.
Nuk mund të pritet qëndrim tolerant ndaj administratës Berisha vetëm për faktin se janë të ndershëm, por baronët e drogës u kalojnë topin ndër shalë, se në vende kyçe janë punësuar njerëz baballëkë, që ua ha sorra qurrat në hundë.
Ka mjaft diskutime rreth efektivitetit të forcave të rendit e të sigurisë. Cila është përshtypja juaj rreth këtyre pikave nevralgjike të shtetit?
Gazeta "ZP", me kryeredaktor të parë shokun Enver, e kryeredaktor të fundit shokun Erion, një autogol kërpi të ministrit Olldashi, e fryu dhe e bëri tra. Normal, mospastrimi i bash-komisarëve të kuq, bashkëpronarë të linjave kryesore të trafikut, do të sjellë edhe dështime. Është turp i madh për administratën Berisha (polici-penitenciare, polici-shteti) që trafikantë të mbyllur në burg, të drejtojnë kontrabandën rajonale me celularë nga biruca. Kur janë tek 313-ta përdorin AMC, e kur kalojnë në Vaqarr, komandojnë me Vodafone.
Partnerët ndërkombëtarë bëhen ekstremisht dyshues kur bosët e importit të sheqerit aktivizojnë linjat e vjetra të vitit 1995 të importimit të sheqerit, ndër të tjera edhe nëpërmjet një firme nga Birmingami i Anglisë, e cila ndonëse nën survejimin e Degës Speciale Britanike dhe NCIS-së, përsëri tenton të përdorë krahun e armatosur të Nanos dhe të Ramës, për të trafikuar edhe materiale strategjike. Për gjëra të tilla, injoranca nuk është argument. Për gjëra të tilla nuk paguajnë gardianët apo doktorët e burgjeve që fusin celularë e "jericho" për të burgosurit VIP, nuk paguajnë as drejtorët e përgjithshëm, madje as anëtarët e kabinetit. Paguan gjithë populli shqiptar.
Një rast analog është edhe hajduti i 2KR-së denoncuar me kurajo nga z.Gjana, i cili i mban krahun e firmës "geothemica eteria" e menaxhuar nga pensionistë të EYP-it, në dëm të Firmës "Azrom LTD", e menaxhuar nga veteranë të "Shin bet"-it hebre.
Në këtë rast nuk bëhet fjalë thjesht për të vjedhur paratë e japonezëve, prandaj dhe impakti i veprimit kurajoz të Ministrit në fjalë, është kombëtar dhe jo thjesht një hajdut më shumë që shkon të takojë vartësit e z.Sollaku.
Siç thonë anglezët, "veprimet flasin me zë më të lartë sesa fjalët". Kriminelët u druhen veprimeve shumë më tepër sesa fjalëve. Kurse vendim-marrësit nuk duhen të kenë frikë nga stihia zëpë-rse, se po kthehen kolonelët e 97-ës, e nuk duhet të kenë frikë të emërojnë në poste kyçe të policisë shqiptare malokë nga veriu, të cilët kanë shkollimin e nevojshëm policor, dashurinë për Shqipërinë çertifikuar me gjak plumbash Buzan-cërriku dhe ekspertizën e nevojshme për të zhbjerrë kriminalitettin deri në nivelin e tretë, aty ku takohet me politikën.
Met Bozat dhe Zan Caushët duhet ta kuptojnë se në të gdhirë të 4 korrikut kanë rënë nga pushteti, duan apo s'duan ata, dhe "kuajt e Trojës" që hanë akoma tërshërë në grazhdet e kryeministrisë, pak mund t'i ndihmojnë. Ka ardhur koha të përdoret për të mirën e Shqipërisë shkollimi, trainimi, ekspertiza, eksperienca, qëndrueshmëria dhe ndershmëria e kolonel Koliqëve.
Socialistët banditë dhe banditët socialistë duhet ta kuptojnë se kjo pranverë do të jetë e vështirë për ta, por nuk ka problem, burgu për burrat është...
Intervistoi: Zamir Gjurgji
KOMENTE
Mafia shqiptare, togat e zeza dhe uniformat blu
Nga Zamir GJURGJI
Deklarimet e prera dhe të qarta të prokurorit italian z.Mandoi se "mafia shqiptare nuk është më një formacion virtual, por se ajo është shumë e pranishme në aktivitetin e saj kriminal edhe në brigjet e përtej Adriatikut", kanë shkaktuar një furtunë "7 ballëshe" në det të hapur.
Njëherazi, një lajm tjetër i hidhur vjen nga institucionet europiane, barometri i të cilave e rendit Shqipërinë si një nga vendet më të papreferuara për t'u integruar sa më shpejt në kontinentin "plak".
Me një stad kaq të lartë të krimit të organizuar, e më një shkallë kaq të lartë të korrupsionit të togave të zeza, integrimi në Europë mbetet realisht një "përrallë nga e kaluara".
Një analizë më e vëmendshme e klimës së disfavorshme për shqiptarët - për të qenë krahas kombeve të zhvilluara - do të na bënte me dije se është vetë politika e Athinës zyrtare, ajo e cila po siglon çdo lloj "debie" në regjistrin themeltar të "kontabilitetit" të Brukselit zyrtar.
Duke qenë këshilltarë direktë të qeveritarëve shqiptarë, gjatë 8 viteve në radhë, si në drejtësi ashtu edhe në ekonomi, etj., grekët ia kanë arritur që të gjithë dështimet e shqiptarëve t'i stimulojnë, t'i afishojnë dhe t'i trumbetojnë si "dështim vetëm të shqiptarëve", ndaj të cilëve nuk duhet treguar interes se mund të jenë popull i civilizuar. Dhe, kësaj gjëje ia kanë dalë mbanë deri më tash.
Të jesh pjesë integrale e gjyqësorit në Shqipëri, duhet patjetër të kesh kryer shkollimin me bursat e Kokalisit; të jesh biznesmen i fuqishëm, duhet patjetër që të ngresh sipërmarrje me bashkëpronarë biznesmenët grekë. Të jesh kryeministër afat-gjatë në Shqipëri, duhet me patjetër të shijosh buzuqin dhe metaksanë greke, të jesh i përkëdheluri i medias, duhet domosdoshmërisht të shprehësh simpati për kulturën helenike dhe antipati për traditën kulturore shqiptare. Të jesh historian i spikatur në Shqipëri, duhet medoemos të rishkruash historinë për "dy popujt miq"; të vish në pushtet, duhet që të përkëdhelësh PBDNJ-në, dhe, të qendrosh gjatë në të (në pushtet), duhet të kryesh ritet "e kultit të individit" para rasos së zezë së anti-shqiptarit Anastas Janullatos. E, mbi të gjitha, të jesh jetëgjatë në pushtet, duhet ta kesh fort keq me Ankaranë zyrtare, "ta mbash mirë" me Romën, por "t'i bësh mirë" vetëm Athinës. Ndryshe, rrota e pushtetit sillet si në vitin 1997.
Mbi këtë shtrat ideologjik e shpirtëror zhvillohet edhe lufta ndaj krimit të organizuar dhe degjenerimit të sistemit të drejtësisë.
Për të mbajtur në këtë gjendje apatike sistemin politik në Shqipëri, opozita aktuale po përdor të gjitha mjetet që të mos i hapen petët lakrorit. Në këtë kontekst mund të kuptohet edhe lufta e paprinciptë e të kryekorruptuarit Edi Rama ndaj qëndrimeve juridike e parimore të Ministrit të Transporteve Lulëzim Basha, mund të deshifrohet edhe "trimëria" e "njeriut që qesh" Pandeli Majko në mbrojtje të skalioneve grekofone e grekofile që operojnë ende në Këshillin e Lartë të (Ç)Drejtësisë, mund të kuptohen edhe shashkat tymuese të kokërruarit të Fierit në mars 1997, "katarsistit" Petro Koçi, mund të kuptohet edhe pompoziteti i "shën shkatërrimit" mediatik Nikollë Lesi (asokohe Shesheli i radikalëve serbë kërkonte publikisht llogari në parlamentin serb se ku kishin shkuar 17 milion dollarët e investuar për të shkatërruar Shqipërinë), mund të kuptohet edhe loja "hapa-dollapa" e Dules me Karamanlisin dhe Stefanopullosin, mund të kuptohen e ç'mund të kuptohen... sillogjet e denoncuara nga Bashkim Gazidede në Parlament... asokohe kur robinhudi Zani Çaushi, pasi "u linte shëndenë" burgjeve greke, bëhej kryetari de facto i Shtetit shqiptar, e pozonte kryelartë "gropën në gjoks" para Romano Prodit të shastisur nga situata e krijuar, ku gëlonin mediat e shumta greke.
Deklarimet e Mandoit duket se i kanë shkundur pak nga "lavdia" kapuçonët e zinj e vitit 1997, të ringjitur 9 vjet më pas në podiumin e Zogut të Zi, pasi tashmë socialistët shohin vetveten si në skaner. Qëndrimi i tij (i Mandoit), duket qartë se i jep të drejtë ministrit të Brendshëm, Sokol Olldashi, i cili nuk po stepet aspak nga kërcënimet që i vijnë atij dhe uniformave blu nga krahët dhe sqetullat e Edi Ramës, dhe pengesat e panumërta që i krijohen nga zyrat e Theodhori Sollakut.
E gjej me vend të citoj një shprehje të goditur të z.Gjergj Thanasi, kur thotë se... "nyja gordiane nuk zgjidhet, por pritet", pasi ky është qëndrimi edhe i z.Mandoi, kur thotë se "pasuritë e mafiozëve shqiptarë duhet të sekuestrohen".
Edhe pse prokurori Sollaku është një nga personat që i di mirë fijet e krimit - pasi është ai vetë që i ka "lidhur gonxhe" ato - z.Olldashi gëzon jo vetëm aftësi profesionale, por njëherazi edhe reputacion të lartë moral për t'u shkuar punëve deri në fund. Vlen të merret në konsideratë edhe eksperienca e luftës ndaj mafies siçiliane, e cila edhe pse luftohej dhëmb për dhëmb nga "karabinieria", mbrohej e tradhtohej nga "celularët e prokurorëve", paçka se këta të fundit, kur gjendeshin para faktit të kryer - në më të shumtën e rasteve - e kthenin pistoletën nga vetja...
Vetëm atëherë integrimi i Shqipërisë në Europë, nuk kalon (lexo: ndalon) nga Athina.
Opinione
Gjykata e Hagës vë në vend nderin e Luftës së Kosovës
Propaganda serbe, duke kurdisur akuza false dhe të montuara me qëllim politik, ka paditur padrejtësisht luftëtarët e UÇK-së, duke shpresuar që me këtë padi të ngritur, të akuzojë gjithë kosovarët si kriminelë lufte.
Me një demagogji të shtirur si pro-perëndimore, serbët hiqen sikur nuk dijnë të dallojnë llojet e luftërave të drejta me ato të padrejta, duke u shfaqur si komb i gjoja i qytetëruar, të cilit i takon me çdo kusht të integrohet sa më parë në familjen europiane. Ata nuk duan të pranojnë që kjo liri e fituar në Kosovë, është meritë e popullit të Kosovës, edhe pse e paguar me çmim të lartë.
Edhe Gjykata e Hagës ka vërtetuar me fakte juridike se luftëtarët e UÇK-së nuk janë kriminelë lufte, por përkundrazi, i bën me dije institucioneve relevante europiane, se këta liderë janë të pafajshën dhe se kanë luftuar për një kauzë të drejtë.
Nga ana tjetër, serbët, me strategjitë e tyre djallëzore, bëjnë çmos për të penguar Qeverinë e Kosovës të realizojë aspiratat e saj të shpallura publikisht e botërisht, duke thurrur intriga dhe komplote të panumërta.
Me të drejtë shqiptarët e Kosovës kërkojnë Pavarësinë, mbështetur në të drejtën ndërkombëtare të vetë-vendosjes, për të qenë të lirë, e për të ecur me nder e dinjitet krahas me popujt e tjerë perëndimorë.
Qeveria e Beogradit ende nuk e pranon se tashmë Kosova, de facto, është jashtë juridiksionit të saj. Edhe për republikat e tjera që ishin nën Jugosllavi, serbët nuk pranuan pavarësinë e tyre, por megjithatë, ato (republikat) sot janë të pavarura nga Beogradi.
Kjo ëndërr e kahershme e kosovarëve, u bë realitet dhe duhet të mbrohet me të gjitha mjetet politike e diplomatike që ka në dispozicion Tirana zyrtare.
Evropa tashmë është e ndergjegjësuar për padrejtësitë e bëra ndaj shqiptarëve dhe duket se po tregon vullnetin e duhur që t'i shkojë deri në fund problemeve të akumuluara me kohë.
I gjithë opinioni ndërkombëtar, tashmë është i bindur se Kosova duhet të jetë një shtet i lirë dhe i pavarur, çka do të sillte stabilitet politik në rajonin e trazuar të Ballkanit.
Në shqiptarët, shpresojmë dhe urojmë që kjo ditë të vijë sa më parë, ndërsa serbët do të jenë të detyruar ta pranojnë edhe këtë fakt të kryer, edhe pse është jashtë dëshirave dhe orekseve të tyre të fryra.
E drejta vonon, por nuk harron - thotë populli.
Ing.Apollon Muhaxhiri
Sekretar i shoqatës "Të Moshuarit e vetmuar të Shqipërisë"
ANALIZA
Shpërbërja e Jugosllavisë, Perëndimi dhe shqiptarët
"Përplasja e Qytetërimeve" dhe shovinistët serbë
Nga Astrit KOLA
(Vijon nga numri i kaluar)
Akademiku Terziç, me arrogancë dhe mendjemadhësi karakteristike serbe, duke iu referuar rëndësisë së veprës shkencore të Danilevskit, Spenglerit dhe Tojnbit, dedikuar marrëdhënive ndërkombëtare dhe zhvillimit të shoqërisë njerëzore në Evropë e më gjerë, në vend që të trajtojë thelbin e veprës së tyre, sipas të cilit luftërat dhe kolonizimet janë armiqtë më të mëdhenj të paqes, zhvillimit dhe shoqërive të qytetëruara, e redukton rëndësinë e veprës së tyre thjesht në kontribute metodologjike e didaktiko-shkencore, kur deklaron se "Megjithëse disa nga konceptet e tyre teorike burojnë nga refleksione jashtë shkencës historike, ata padyshim që i kontribuan jo vetëm nxitjes, por edhe zhvillimit të teorive shkencore dhe metodologjisë së shkencave historike".
Në vijim Terziç kalon në tautologji idioteske, teksa tezat e tij historiciste i mbath me pseudoargumentin se "Shkenca e historisë, në sensin modern, përmban rëndësinë e hapjes së rrugëve të reja, që për nga gjerësia dhe universaliteti japin parakushtet më favorizuese për zhvillimin e disiplinave të tjera shkencore, sepse secili prej tyre ka një thelb historik".
Dhe më poshtë, në vazhdën e "argumentimit" të teorisë së tij "Rreth përplasjeve apo konfliktit të qytetërimeve në Ballkan", Terziç qëllimisht i largohet thelbit të konflikteve ndërballkanike, teksa i redukton këto konflikte thjesht në rezultate të konfrontimeve me natyrë religjioze dhe, duke e kaluar arbitrarisht peshën specifike të kontributeve qytetëruese vetëm tek fetë e krishtera, me çka synon të vërtetojë se kombi i tij serb, i krishterë, kur është konfrontuar me të tjerët (nënkupto shqiptarët jo të krishterë), i ka ndihur qytetërimit, çka sipas tij, i jep të drejtën të reflektojë mbi ngjarjet historike në këtë frymë. Ndaj ai deklaron me mëndjelehtësi se "Që nga Shën Agustini e deri tek Samuel Hantingtoni (duke iu referuar vetëm Epokës së Krishterë të historisë së botës), përpjekjet e drejta shkencërisht dhe të natyrshme, janë fokusuar mbi reflektimin universal të ngjarjeve historike dhe se koncepti i qytetërimit në sensin bashkëkohor të fjalës, është shfaqur në shekullin 18, shekull që jep një vizion të "shoqërisë civile dhe optimiste"...
Por ai bën sikur harron, ose kur qëllimisht anashkalon maksimën e famshme të historianit frëng Konkorde, sipas të cilit "Shekulli i 18 ishte mrekullia shekullore e iluminizmit, teksa bëri të besohej gjithnjë e më shumë se luftërat pushtuese dhe kolonizimet, si dhe politikat e forcës së më të mëdhenjve kundër të vegjëlve, nuk do të mundin dot të fshehin skllavërinë dhe mjerimin e popujve të pushtuar dhe kolonizuar".
Nuk është aspak e vërtetë se Danilevski, Spengleri and Tojnbi, e shikojnë qytetërimin thjesht si një unitet thelbësor historik (sikundër deklaron Terziç), e që tek Danilevski theksohet si "tipologjia historiko-kulturore"; se tek Spengleri "kultura zë vëndin primar ndër katalizatorët e qytetërimit dhe jo demaskimi i kolonizimeve...", ndërsa Tojnbi na i jepkërka vend qendror religjionit në konceptin e tij historiko-filozofik, duke flakur atë që nuk është kriter i mjaftueshëm për përcaktimin e një kufiri ndarës midis qytetërimeve.
Dhe nuk mund të jetë kështu përderisa njëri ndër historianët më të mëdhenj botërorë, francezi Fernand Breudel, në studimin e tij të shkëlqyer "Historia e qytetërimeve: E kaluara shpjegon të tashmen", me qytetërim nuk nënkupton aspak thjesht "tendencën e karakteristikave kulturore të fenomeneve që rrokin tërësinë e jetës", dhe se kjo tendencë, "krahas konceptit tradicional të historisë, përfshin historitë specifike - historinë e gjuhës, letërsisë, historinë e shkencës, artit, historinë e ligjit dhe të së drejtës, atë të traditave, teknologjisë, besimeve, feve, jetën e përditshme", sikundër pretendon Terziç.
Në këtë vepër, Breudel ka realizuar saktësisht autopsinë e historisë së kombeve si histori e përgjakshme pushtimesh, luftërash dhe aventurash të çmendura që e kanë frenuar zhvillimin dhe kanë rrezikuar madje dhe ekzistencën e shoqërisë njerëzore, e ku padyshim që komponentja kulturore ishte ndër vektorët kryesorë të zhvillimit. Por kjo vetëm sa i takon disa prej konkluzioneve të pjesshme të këtij autori në fund të veprës së tij, që dominohet jo nga interpretimi historicist, por nga shpalosja e fakteve kokëforta historike e shkencore, që tingëllojnë tragjike, dramatike dhe të dhimbshme.
Shkëputja nga konteksti i citimeve spekullative nga Terziç, nuk e ndihmon atë të përligjë kombin serb dhe gjoja kontributet e tij për qytetërimin, me argumenta pseudohistoriciste.
Pastaj Terziç e nxjerr kokën teksa fetishizon qytetërimin e një kombi aleat e proserb ortodoks, atij grek, teksa thekson se "... qytetërimi Ortodoks (ose Krishtërimi Lindor) dhe qytetërimi i Krishterë Perëndimor, janë shartuar me qytetërimin Helen, prej nga edhe rrjedhin drejtpërsëdrejti si pasardhës dhe trashëgimtarë. Gjë që nuk është aspak e vërtetë, sepse, sëpari, Ortodoksia dhe Katolicizmi nuk janë shartesa, por janë dy pjesë të një trungu të ndarë me sebepe doktrinare teologjike, por në thelb janë ndarje politike për zona influence, pas shpërbërjes së Perandorisë së famshme Romake, në Perandoritë e Lindjes dhe të Perëndimit, ndarje e cila u projektua teorikisht në Shizmën e Krishtërimit. Vetë fakti që Ortodoksia edhe sot përdoret si instrument politik për ndikime dhe aleanca politike të shteteve ortodokse, madje shpesh dhe në shumicën e rasteve, në kundërshtim me interesat dhe aleancat e shteteve të kombëve të krishtera, e hedh poshtë totalisht tezën e Terziçit.
Qytetërimi Perëndimor nuk mund të quhet pasardhës i Qytetërimit Helen, në asnjë aspekt, përveçse në atë kohor, pra që vjen në kohë pak pas të parit, nëse do të përmendim paraardhësit gjenialë dhe frymëzuesit e të parit: Qytetërimet egjiptiane dhe ato Mesopotamike e Asiro-babilonase. Dhe kjo sepse Terziç ka harruar se Qytetërimi Romak dhe ai Ilir, janë të njejtë në moshë, në mos paksa më të vonë se Qytetërimi grek, i cili i rivalizon ata fort, thjesht në rrafshin kulturor e filozofik, dhe aspak në atë ekonomik, shtetëror, e deri në atë të rrafshit organizativ shumë-shtetëror, sikundër është ngrehina gjeniale e Perandorisë së përbotshme Romake, në të cilën Qytetërimi ilir ishte arkitrau kryesor.
Këto qytetërime, pra ato ilirike e romanike, nuk mund të konsiderohen aq lehtë si trashëgimtarë të Qytetërimit helen, sikundër pretendon Terziç, sepse pavarësisht nga huazimet dhe përftimet e natyrshme me sens zhvillimin, trashëgimtarë të drejtpërdrejtë të këtij qytetërimi lipsej të ishin grekët e sotëm, që më tepër ngjajnë me evgjitë ekstraplanetarë, sesa si pasardhës të atij Qytetërimi të lavdishëm që ata e pretendojnë si qytetërim gjenial e të paarritshëm të "stërgjyshërve" të lashtë.
Por këtë spekullim trashanik, Terziç e përdor si trampolinë për të kaluar të qaravitjen e mëposhtme, që ka të bëjë me injorimin që Perëndimi u bën përpjekjeve të terziçëve serbë e grekë, për t'i bërë ata pjestarë në ndarjen e vlerave të mëdha e të qenësishme, në vendim-marrjet dhe projektet madhore të zhvillimit. Ndaj Terziç me dëshpërim deklaron se "... në kohën tonë vërehet një frymëzim perëndimorist, për ta reduktuar konceptin e Europës vetëm në një pjesë të saj, ose, më saktë, vetëm në një qerthull kulturor. Kjo shihet që nga titulli i dokumentit 'Për Europën e Kulturës', i programit të Konferencës me të njëjtin titull, me autor studiuesin gjerman Manfred Buhr".
Pastaj Terziç kalon në sulm të hapur ndaj Perëndimit, kur nënvizon se "Fatkeqësisht, pas një vështrimi kritik të luftërave ndërballkanike, shtrirë në kohë, veçanërisht referuar raporteve dhe traditave kulturore Ortodokse (kryesisht referuar serbëve), në Perëndim janë ringjallur disa paragjykime dhe klishe të vjetra".
Pastaj, nga rrafshi i ngushtë serb, Terziç kërkon në ndihmë Ortodoksinë për të përligjur injorimin që Perëndimi i bën sipas tij Ortodoksisë, teksa thekson se "Argumentat qytetërues janë instrumentalizuar politikisht. Ai shkruan se "Shpesh 'bizantinët' dhe pikëtakimet e qytetërimit bizantin me atë Europian, interpretohen dhe 'harrohen' me keqdashje, duke anashkaluar vlerësimin e Filip Gerard se epoka bizantine ka qenë 'njëra nga më magjepsëset dhe më ndikueset në historinë e njerëzimit' dhe një urë lidhëse midis kulturës klasike, humanizmit dhe Rilindjes, që janë themelet e Europës bashkëkohore".
Pastaj, me një "gjetje" të marrë allaserbe, dhe me anë të instrumentit të tij të preferuar historicist, Terziç, duke iu referuar, gjoja literalisht, një historiani slloven, të cilit nuk ia përmend emrin, e që sipas tij qënkesh profesor në Universitetin e Padova-s, citon që ai të paskësh thënë se "... disintegrimi i Jugosllavisë është shkaktuar nga paaftësia për të vendosur dialogun midis serbëve dhe sllovenëve, thënë ndryshe midis Europës Lindore dhe asaj Qendrore(!!!)".
Pastaj, me një kapërcim pindarik, Terziç thërret në ndihmë idhullin e tij Samuel Hantingtonin dhe teorinë e tij të Përplasjes së Qytetërimeve, i cili na paskërka konstatuar se "Lufta e Bosnjes shënoi një tjetër episod të përgjakshëm në vazhdimin e konfliktit midis qytetërimeve, konflikt midis forcave të Ortodoksisë, Islamit dhe Perëndimit". Dhe duke u munduar ta përdorë Hantingtonin, nga frika për të mos e keqpërdorur dhe keqinterpretuar, Terziç vijon se "... me këtë të fundit, pra me Perëndimin, Hantingtoni nuk thotë se nënkupton Krishtërimin Perëndimor ose Katolicizmin Roman...".
Në vazhdën e synimit për të justifikuar përdorimin e tezës së Hantingtonit si instrument analize dhe zgjidhjesh për ngatërresat ballkanike, Terziç deklaron se "Zgjedhja e objektit të diskutimit 'Përplasje apo konflikt qytetërimesh në Ballkan', buron nga synimi për t'i kontribuar pastrimit të thellë të udhëkryqeve dhe ngatërresave komplekse ballkanike dhe ç'tensionimit të situatës së marrëdhënieve të acaruara ndërmjet këtyre qytetërimeve", por ai nuk na thotë se si (!!!), ndonëse nga tezat dhe autorët që sjell në citim, ai i njeh vetes aftësi të mëdha kulturologjike.
Edhe akademiku Milorad Ekmeçiç, në trajtesën "Përplasje e qytetërimeve apo sistem i ri global i Fuqive të Mëdha?", mundohet të modifikojë teorinë e Hantingtonit dhe të shprehë mllefin e tij kundër Fuqive të Mëdha, për gjoja padrejtësitë që i kanë bërë kombit serb, teksa përpiqet, (ndonëse për hir të së vërtetës duhet theksuar se nuk është i vetmi), të bëjë përpjekje për trajtimin e lidhjeve dhe afërsisë konceptuale midis "Balancës së Fuqive" dhe "Përplasjes së Qytetërimeve", ku, sipas tij, "analiza dhe referimi tek Lufta e Ftohtë ka rritur emergjencën e një grupi Fuqish të Mëdha për zëvendësimin e balancës së dikurshme të dy superfuqive, me një raport të ri forcash midis tyre".
Qasja e këtyre tezave, të afërme por edhe të dallueshme, nuk sjell asgjë të re në sensin teorik dhe politologjik, megjithëse teoria e famshme e "Equilibrium politico" (iniciuar me Marrëveshjen e Paqes së Lodit të vitit 1452 në Itali), në shekujt pasardhës u përhap në mbarë Europën Perëndimore, duke njohur ndryshime në vitet 1648, 1713, 1815, 1919, 1945 dhe 1991.
Tashmë është bërë gjithashtu e njohur se Johann L. Kluber, në veprën "Gjeneza dhe zhvillimi modern i Europës", botuar afro dy shekuj më parë, në vitin 1819, vlerëson se "... përveç fuqisë ushtarake dhe zgjerimit të shtrirjes së popullatës, të gjitha burimet e fuqizimit të kombit mund të shtohen, dhe se gjatë pesë shekujve të fundit, zhvillimi i qytetërimit, gradualisht, evidentoi faktorët primarë sipas të cilëve janë klasifikuar kombet".
Pikërisht njërin nga burimet kryesore, atë territorial, kanë përdorur serbët dhe grekët kundër shqiptarëve, për t'i superuar ata, për t'i asimiluar, për të mbijetuar dhe për t'u zhvilluar vetë. Pra, thjesht kërkesat dhe luftërat për Hapësira jetike, bashkë me tendencat aneksioniste, kanë qenë zemreku që kurdisi luftërat dhe konfliktet e përgjakshme në Ballkan, sidomos dy shekujt e fundit.
Tojnbi i madh, në renditje të shkaqeve të "Përplasjes së qytetërimeve", që në fillesën e kësaj teorie, ka përkufizuar se fuqia dhe rëndësia e një kombi janë në raport të drejtë me madhësinë e qytetërimit dhe dinjitetit të tij e të qytetarëve të tij. Tojnbi gjithashtu, gjatë shtjellimit të argumenteve të tij kundër tendencave për Përplasjen e Qytetërimeve, zbulon apelatorin e madh të Paqes, që është "Qytetërimi, si urdhëri më i lartë kulturor", teksa thekson se "Janë dhënë disa impulse për refuzimin e mëvonshëm të teorisë Gjermane, sipas së cilës kultura është shpirtërore dhe qytetërimi shpirtëror e teknologjik e shtyjnë përpara njerëzimin. Përkundrazi, qytetërimi është urdhëri më i lartë kulturor".
Duke iu referuar Samuel P. Hantingtonit dhe duke shfaqur haptas alergjinë ndaj Perëndimit dhe veçanërisht SHBA-ve, Ekmeçiç thekson se "... në opinionin e tij (Hantingtonit - shën. i A.K.), modernizimi i botës dhe lartësimi i qytetërimit, nuk janë të barasvlefshëm me Perëndimorizimin. Dhe në vend të synimit e përpjekjeve për të dominuar botën, SHBA-të duhet të bashkojnë pjesën perëndimore të globit dhe duhet ta mbrojnë atë (nënkupto edhe Serbinë - shën. i A.K.). Por Ekmeçiç nuk na thotë se ku bëjnë pjesë shqiptarët, dhe si mendon ai se duhen sugjeruar SHBA-të që të bëjnë për shqiptarët, pra për fatet e tyre, meqenëse Ekmeçiç padyshim, sikundër akademikët e tjerë serbë, nuk i konsideron ata si pjesë të Perëndimit, nisur thjesht nga psudopremisa fetare. Ai në vijim e nxjerr hapur fytyrën prej shovinisti serb, kur deklaron se "Kufijtë e Përgjakshëm të Islamit, sot janë vatra të përplasjes së qytetërimeve. Solidariteti Katolik me separatizmin Katolik në Jugosllavi, sikundër edhe i mirënjohuri shpërthim demografik i Myslimanëve në Kosovë dhe Bosnje, janë arsyet e luftrave civile dhe fetare në trevat serbe".
(vijon numrin e ardhshëm)
OPININON
Koka e prerë dhe florinjtë e anglezëve
Nga Gjon ANALISTI
(Vijon nga numri i kaluar)
-Po shoku Enver, a ka ardhur ndonjëherë në shtëpinë tuaj gjatë luftës, sidomos gjatë kohës që ndërmori inkursionin kundër Xhepit dhe Qorrit në Vlorë, apo më pas?
-Jo shoku shef, asnjëherë nuk e patëm këtë fat... Por babai dhe xhaxhai e kanë takuar në Progonat, në vjeshtë të vitit 1943, pas kapitullimit të Italisë, tek kushërinjtë tanë. I mori me vete ahere vetë shoku Hisni dhe vajtën për ta pritur e për t'i siguruar jetën Kumandarit dhe Shtabit, nga ballistët e Labërisë. Po që thua ti more shef, që ma hëngre zemrën, ngaqë je yni, do të të rrëfej një ngjarje të rëndë lidhur me rrethanat e takimit të babait dhe xhaxhait me shokun Enver gjatë Luftës, sepse të besoj si vetes time...
-Fol pa frikë, se vetëm varrit do t'ia tregoj... Pastaj jemi edhe tanët more mik, që të kam rixhanë, se ti qënke nga familje e lidhur me Partinë dhe me Luftën - i tha shefi plot besim.
-Që thua ti shef, babai me xhaxhanë, që qëndronin në qendër të fshatit bashkë me shokun Hisni, duke pritur miqtë e shquar, të cilëve u kishin dalë përpara çetat e trimave, për t'i pritur e shoqëruar, kishin pandehur se do të shihnin ndonjë div-dragua, se kështu e kishin përshkruar e kënduar shokun Enver... Kur ç'të shohin thuaj... Shoku Enver kish hipur mbi një mushkë alpine italiane, që e mbante për kapistalli Frederik Nosi dhe e tërhiqte duke shkumëzuar rrëpirave të Labërisë. E fortë kish qënë e gjora, po ç'mbante mbi kurriz thuaj... Mbante Kumandarin, të cilit i kish vajtur barku deri ne goja, si grua shtatzënë në muajin e vet, me gushën varur..., plot dy kuintalë burrë, veshur me qillota, xhaqetë ushtarake inglizi, çorape leshi deri tek gjunjët dhe këpucë Ingliterre, me qafa e thundra...
Kur arritën në qendër të fshatit, shoku Enver sapo kullufiti copën e fundit të një çokollate angleze, që e pikasëm nga amballazhi që flaku përtokë, e drejt të cilit u turrën fëmijët, kush e kush ta merrte më parë për ta lëpirë...
Sapo kish zbritur nga mushka, me gulçima, Kumandari kish dhënë urdhër të ushqenin mushkën me tërshërë, dhe pastaj kish përshëndetur me grusht fshatarët dhe partizanët.
Pasi kishin hirë dhe ishin rehatuar në një konak, mbi sixhadetë me lesh një pëllëmbë, shoku Enver, pasi kishte rrokëllirë një katruve të madhe plot me dhallë të ftohtë, kishte dhënë porosinë të shtronin drekën, me mishëra të pjekur dhe me të përbrëndëshme të skuqura e të bëra kukurec. Mirëpo të gjorët mikpritës nuk e dinin se Kumandari kishte marrë me vete, për siguri, një aradhe të tërë me trima, plot një batalion, ndaj i zuri paniku kur ai urdhëroi që të shtrohej mish për të gjithë, se helbete ishte luftë, dhe pastaj, për hir të së vërtetës, me partinë ishte bashkuar rrogozi i katundarisë, kurse të kamurit ishin të tërë me Ballin...
Dhanë e morën të gjorët nga frika, se si t'ia bënin hallin për të gjetur berra..., dhe më në fund i dhanë kararë... Por që thua ti, belaja ishte shtuar kur Kumandari kërkoi që, bashkë me mezetë, t'i sillnin edhe djathë Erindi...
"E kemi të mirë Kumandar, e kemi djathë deleje nga stanet tona, djathë Salarie..., me nam...", - kishin thënë të gjorët...
"Dua djathë Erindi këtu..., muarët vesh apo jo", - kish gjëmuar Kumandari. Ç'të bënin të gjorët..., e ndanë mëndjen të dërgonin djemtë në Gjirokastër për të përmbushur urdhërin..., nga halli...
-Po çfarë halli xhanëm, përse thua aq shpesh "të gjorët"? Kush janë të gjorët në këtë mesele dhe çfarë ka këtu për ta bërë muhabenë me psherëtima, sepse s'po kuptoj asgjë?... - e pyeti shefi piktorin.
-Prit shef vëllai, se do të ta tregoj fije për pe se ç'ngjau, se këtu fillon edhe sekreti, për të cilin të kërkova besimnë... Që thua ti, djelmuria ishte nisur për të gjetur berra lart në mal, në stanet e Salarisë. Kishin ndarë mëndjen t'ia vidhnin ato një bariu që kish një tufë dhe stanin e tij në mal, e që ishte ballist nga bindjet. Ky kopuk, gjithmonë kish shtruar sofër e konak me mishëra e bollëk të ngrënash për çetat e Ballit të asaj ane.
Më të errur, trimat e çetës territoriale i vanë atij në stan fshehurazi, këmba-doras, për ta vrarë e për t'ia marrë gjënë në befasi, por për dreq kish lehur me potere qënuria dhe u ishte vërsulur keqas, gati i kish shqyer. Pa do ti që plasën pushkët dhe trimat, në luftë dhëmbë për dhëmbë e për jetë a vdekje, i vranë të tërë qëntë e ballistit... Ahere e kuptoi horri se nuk ishin ujqër, por njerëz që kishin shkuar t'ia merrnin kopenë... Kish qëlluar maskarai mbi trimat, në errësirë, kuturu e pa nishan pushke.
Do ti që, gjatë tërheqjes, një plumb e zuri komisarin e çetës territoriale mu atje ku s'tregohet... domethënë në fund të kërbishtes, në zorrën e trashë... E kishte zënë aq keq, sa s'kishte proktolog t'i bënte derman..., dhe gjaku iu derdh rrëke për lirinë e vatanit...
U detyruan kështu, dy nga shokët, që ta shpinin të plagosurin në fshat, ndërsa të tjerët mbajtën të shtrënguar rrethimin..., që ta vrisnin ballistin, që kështu të mos të merrej vesh edhe marifeti..., pra, edhe një ballist më pak, edhe kopeja të vente në shërbim të Partisë e të Luftës heroike nacional-çlirimtare...
Kështu shokët vendosën ta mbanin të rrethuar stanin, sepse e dinin që ballisti ishte vetëm. Ndërsa dy të tjerë, me nja njëqind berra, i urdhëruan ta dërgonin tufën në Progonat, sipas urdhërit...
Shokët qëllonin me batare, për ta detyruar ballistin të harxhonte fishekët, derisa ta zinin të gjallë, që të mos mbetej jallan-shahit në këtë punë...
Mirëpo derëziu komisar i plagosur, gjatë rrugës dha shpirt, por si trimat ama..., me emrin e Partisë dhe të Kumandarit në gojë...
Kur mbërrinë në fshat në të gdhirë, trimat e lirisë shpunë xhenazenë në shtëpinë e komisarit dhe menjëherë hapnë fjalë se i kish sulmuar pas shpine një çetë ballistësh kur po kalonin pranë stanit të atij tradhëtarit, me hilenë e ballist-qafirit, dhe se në luftime trimërore kish dhënë jetën, për liri e për vatan, komisari i çetës territoriale.
Shkuan pastaj djemtë, atje tek ishin shtruar udhëheqja e Partisë dhe e Luftës, dhe dëshmuan fët e fët tërë ngjarjen... Shokët e udhëheqjes ishin bërë zeher, por trimat e çetës territoriale të fshatit kishin bërtitur të tërë me një gojë: "Mos u bëni merak shokë, se nuk vamë bosh, kokë lamë e kokë morëm, sipas zakonit të vëndit, madje njëqind-fish, sepse i morëm edepsëzit plot njëqind krerë...".
"Pushoni more hajvanë, - kish bërtitur shoku Shefqet, - se na turpëruat, se nuk e bëjmë kokën e komisarit me kokë bagëtish, se fundi i fundit bagëtitë tona morëm, se neve na takojnë, kështuqë na kanë kokën borxh ballistët e qënit..., prandaj të marrim hak sa më parë...".
Mirëpo shoku Enver ishte xhindosur akoma më keq dhe kish bërtitur me të madhe: "Nisuni shpejt dhe ma zini të gjallë qënin që vrau komisarin, ta bëni gjakun deri në gju dhe t'ia prisni kokën ballistit ashtu siç ua ka mësuar shoku Dushan, e të ma sillni këtu në tepsi, ndryshe..., dhe trimat u nisën sakaq... Pastaj, pasi ishin menduar gjatë e gjërë, shokët kishin urdhëruar zhdukjen e gjurmëve të bagëtisë, ndaj kishin shpënë nja njëzet trima për t'i therur shpejt e shpejt dhe mishin e të përbrëndëshmet, kishin porositur që t'i dërgonin pranë Shtabit, pasi të errej...
Pas kësaja, që thua ti, kishin vajtur në mënyrë të organizuar në mort, në shtëpinë e komisarit të gjorë, ku ulërinin dhe çirreshin graria, sa të digjej xhani... Vetëm shoku Enver dhe Shtabi nuk kishin vajtur, për arsye sigurie... dhe mallëngjimi.
Shokët kishin kërkuar të varrosej shpejt e shpejt komisari, se ishte kohë lufte, dhe duhej të mos kënaqej armiku nga xhenazetë e partizanëve, se demoralizohej edhe populli dhe ulej autoriteti i Luftës..., ndaj kishin bërë gati varrin dhe pushkët, për të shkrehur bataretë.
Po do ti që, një motër e trimit, luaneshë e vërtetë, ishte hedhur mbi të vëllanë e vdekur dhe kërkonte që, para se ta shtinin në dhe, t'i merrej haku, ndryshe..., shkumbëzonte luanesha...
Ç'të bënin shokët e gjorë, kishin rënë në hall..., pastaj kishin menduar dhe kishin kandisur gratë e Partisë që ta qanin trimin me ligje, dhe të kërkonin të merrej hak i tmerrshëm..., deri në prerjen e kokës së armikut, medemek me kërkesë nga poshtë, nga baza, pra sipas ligjit dhe zakonit të Partisë..., dhe ku të zireshin ballistët të vriteshin, t'u digjeshin shtëpitë e t'u merrej malli e gjëja, e t'u jepeshin partizanëve dhe familjeve të tyre...
Nuk kish vonuar shumë dhe aty nga dreka ardhën shokët nga stanet, me kokën e ballistit në dorë dhe të larë kokë e këmbë me gjak ballisti, të cilin e kishin therur si berr, pasi i ishin mbaruar fishekët. E mori vesh tërë fshati myzhdenë dhe trimat vanë e ia shpunë kokën e prerë, motrës së komisarit dhe grarisë...
Sakaq, babai me xhaxhanë, kishin sajuar e kënduar në mort këngën që thoshte: "Fli i qetë hero-komisar / hakën s'lëmë pa ta marrë / mbi ballistë e tradhëtarë / kokën ua presim me hanxharë...".
Motër-luanesha, pasi ishte kënaqur sa s'bëhet me kokën e ballistit, ua kish lëshuar qënve për ta ngrënë dhe pastaj kishte urdhëruar varrosjen e trimit... Ishin mbajtur fjalimet dhe ishin shkrehur bataretë mbi varr dhe, në darkë, të tërë ishin qetësuar. Pasi kishin ngrënë mishërat e darkës, udhëheqja ishte shtruar në mbledhje tërë natën, dhe i kishin dhënë karar që të bëheshin reprezalje mbi familjet e ballistëve në tërë krahinën, në shenjë hakmarrjeje, dhe haku të merrej deri atje ku s'vete, derisa gjaku të vente në gju të kalit, ashtu siç kish thënë tekstualisht shoku Shefqet, pra "... gjer në gju të mushkës së Kumandarit...".
Pa ishte ulur dhe shoku Enver dhe kish krrerë një qarkore, ku kërkonte gjak dhe luftë të hapur kundër ballistëve e tradhëtarëve. Sakaq, qarkorja dhe urdhëri për gjak u shpërndanë brënda natës në tërë Shqipërinë, dhe mbi ballistët vloi shpagimi i tmerrshëm.
Atë këngën e babait dhe vëllait, shokët e udhëheqjes nuk e kishin pëlqyer, sepse, sipas tyre ishte shumë e rëndë..., ndaj kishin porositur poetin partizan të Shtabit që të krrente një këngë më të mirë, dhe paskëtaj, nga kjo punë doli ajo kënga e famshme partizane, që këndohet edhe tani e që thotë: "Hakmarrje bërtasin martirët nga varri / se gjaku i tyre me gjak duhet larë... / Hakmarrje rini / dëshmori thërret / që ra për liri / mbi truallin e vet...".
Pa kishin thirrur edhe Dhora Lekën dhe i kishin kërkuar të bënte muzikën dhe t'ua mësonte këngën partizanëve dhe korit të atashuar pranë Shtabit. Ajo kish nxjerrë partiturat që i kish sjellë Dushani nga Serbia dhe Ivanovi nga Rusia, kish zgjedhur muzikën më të mirë, muzikë serbe, dhe kështu dolli ajo kënga e famshme që, në kohë të Partisë këndohej nga kori i Ushtrisë dhe veteranët nëpër festa brigadash, betejash legjendare dhe në datat e çlirimit të rretheve e të mbarë Shqipërisë nga tradhëtarët.
Hë shef, pse i ke shqyer sitë, nuk më beson? - pyeti piktori i habitur, në fund të ligjëratës së gjatë...
-Ç'thua more, si të të besoj, kjo që thua ti është e pabesueshme... Pastaj si ka mundësi që unë, që kam mbaruar shkollën për masovik, e që kam kënduar e dëgjuar kaq shumë libra e histori me ngjarje të kohës së Luftës, të mos e kem dëgjuar këtë ngjarje, që përveç heroikës, përfaqëson një trimëri të padëgjuar dhe një subjekt të shkëlqyer për një roman me temë lufte, të cilën po duan të na e mohojnë tradhëtarët që mbetën gjallë dhe këlyshët e tyre!!!
-Eeeeeee, mirë thua ti, po ç'e do se u dha urdhër që ahere, që të mbyllej kjo mesele, sepse zunë ballistët dhe propaganda e tradhëtarëve që ta përhapnin, si ngjarje makabër dhe si argument vëllavrasjeje, dhe kështu, siç më ka thënë edhe babai, që në kohë të Luftës e më pas, u përdorën të gjitha mjetet që të mbylleshin gojët e këqia, e askush të mos guxonte ta shkonte as nëpër mënd atë historinë e kokës së prerë të ballistit, që edhe trupin e morën partizanët e ua dhanë qënve ta coptonin, që të mos mbetej më as nam e as nishan.
Po thuaj ti se dardha bie nënë dardhë dhe çfarë pjell macja gjuan për minj, thotë populli, ndaj e kemi të trashëguar ne trimërinë dhe zakonin që na la amanet Dushani, që rahmet pastë... Pse kot, ashtu rastësisht, i premë neve me sopatë e me hanxhar kokat dhe trupat e atire horrave të Gazidedes më '97-ën, mu në mes të Universitetit të Vlorës?! I premë që studentët e shkolluar të mësojnë edhe si priten kokat e armiqve, t'i lyejnë duart deri edhe me gjak tradhëtarësh dhe të mos harrojnë se si e morëm pushtetin dhe si duhet ta mbajmë, me të gjitha mënyrat, me shkollë e pa shkollë... Djemtë tanë dhe veteranët tanë trima, që udhëhoqën kryengritjen popullore të '97-ës e bënë, ia bënë fora si ngahera, sipas traditave, si dikur, pse, kush e bëri???
-Pusho more i paudhë, se edhe muret kanë veshë..., se ne ua zgjatëm, që në kohë të Koçit dhe shokut Kadri. Pastaj, a e di ti se ka ardhur edhe Gazidede-qëni, që di shumë gjëra..., dhe na gjen belaja..., prandaj duhet të mbyllim sqepin e të rrimë urtë, që të mbetemi sërish brënda kalasë... Prandaj dua të të punësoj edhe ty, që të jemi sa më shumë nga tanët... Po gjene prapë nuk të besoj për atë që më tregove, si ka mundësi?!!...
-Si more shef nuk më beson, po për këtë është jallan-shahit edhe Arshin Xhezua, ish kryeredaktori i "Zërit të Popullit" për 10 vjet radhazi gjatë kohës sonë të pushtetit, para 90-ës. Ja, ta tregon vëllai ty. Që thua ti, vajti Arshini në Labëri gjatë mesit të viteve 70-të, dhe si njeri besuar i Partisë, një veteran ia kish treguar të tërë ngjarjen, dhe nuk e kish porositur që të mos e tregonte askund, ngaqë kish menduar se, si njeri i lartë i Partisë, e dinte që duhet ta mbante të fshehur dhe nuk ishte nevoja të porositej. Po do ti që Arshin mavria ngrihet dhe krren një reportazh për gazetën "Zëri i Popullit", ku e tregon të gjithë ngjarjen e kokëprerjes së ballistit dhe masakrave që u bënë mbi tërë familjet balliste me urdhër të Partisë dhe shokut Enver ato ditë! Nuk ia botuan, kuptohet, por ia tërhoqën veshët, duke ia bërë të qartë se kjo gjë dëshmon për Terror të Kuq..., ndaj edhe janë fshehur dhe zhdukur dokumentat e Partisë dhe shokut Enver, që përmbajnë urdhëra për masakra gjatë kohës së Luftës, që të fshihet terrori mbi tradhëtarët dhe lufta civile që bëmë asokohe për të marrë pushtetin. Mirëpo Arshini nuk ka zënë mënd, por ngrihet dhe e boton këtë fakt në një intervistë të para disa ditëve në gazetën e re "Tirana Observër", të enjten e parë pas Vitit të Ri. Do të ta sjell gazetën që ta lexosh, e të bindesh. Eeeeee..., nuk të gënjej unë ty more shef vëllai, por kjo është e vërteta. Tek e fundit mirë ia bëmë..., por këto gjëra duhen mbajtur fshehur, nuk duhen nxjerrë në pazar. Prandaj ia derdhëm trutë edhe atij qënit, Azem Hajdarit, që donte të nxirrte kasetat me bëmat tona të '97-ës..., prandaj edhe e mbyllëm atë meselenë me Komisionin e famshëm për "Hetimin e ngjarjeve të Marsit 1997", me anë të votave plebishitare të djemve tanë në Parlament. Prandaj edhe e meritoj punësimin unë shoku shef, se, siç e kupton edhe vetë, jam i ngritur politikisht dhe, mbi të gjitha, jam njeri i besuar i Partisë, se jam nga familje që ka derdhur gjak për këtë ditë, që dua dhe meritoj ta gëzoj, unë dhe fëmijët e mi, brez pas brezi, se Shqipëria e jona është..., ne e bëmë...
-Po tjetër luftë, keni bërë juve, përshembull a keni marrë pjesë në Helmës, në Kongresin e Rinisë komuniste?
-Si ore nuk kemi marrë pjesë! Ja përshembull, babai më tregonte se kur kishin vajtur atje, kishin takuar Mestan Ujaniknë me Kahreman Illnë, që ishin krietrimat e Skraparit, njëri komandant dhe tjatri komisar. Atje, që thua ti, kishin ardhur edhe ata englezët e misioneve aleate, dhe kërkonin florinjtë që kishin hedhur ajropllanët e tire, e që thuhesh se i kishin rruar Mestani me Kahremanë. Pa do ti që u nxe Enveri dhe kërkonte florinjtë... Po Mestani e mohoi që t'i kish marrë, prandaj u zunë e u kacafytnë me dorë në kobure, dhe ahere Enveri ia bëri benë... Ndaj edhe babai ndënji gati dhe ia nxuarr këngën shpejt e shpejt, se e dinte se çfarë do ta gjente Mestanin.
Që thua tinë, kënga thoshte: "U zu Enveri me Mestanë / sa lemeritën tërë dynjanë / Ore ti Mestan Ujaniku / do të të ha si kokërr fiku / Ndaj nxirre arin me të mirë / se ende pa u gdhirë / jetën kam për të ta nxirë / Se ti që je Ujanik... / po më ngjan si petanik / na jep verdhushkat me vërtik / ndryshe, ta bëj kokën shinik...".
Pa këtij Mestanit me mustaqe di pëllëmbë, nuk i bënte syri tërr nga kërcënimet, ndaj ia plasi Enverit mu në si, me fjalë që u përhapnë, e që më pas shërbyen për të bërë këngën që thoshte: "Ti o i biri i Anesë / s'më trëmb dot me kobure kresë / se unë s'kam pietur as për bimbashin / hundëmadh e buzëtrashin / e jo të pies për kopilë / që na shëtisin me kobilë / me kobila e me pela / mbushur xhepat plot me thela... / Se ua mbush plëncin me plumba / që të veni kollotumba...".
Do ti që puna vajti keq e u nxenë gjakrat, sidomos kur filluan të shqyhen gazit trimat e Mestanit, nga kënga e tij që mori dhenë. Që thua ti, babai më tregonte se Enveri desh të bënte diçka, po s'ia mbajti se Mestani të bënte pastërma, mu në mes të Skraparit, se nuk pieste për njeri ai, ishte tamam kokë-gdhë. Ndaj si e kish kokën, ashtu edhe shkoi më vonë, kur Enveri ia mori hakën.
-Po në Përmet, ku u vunë themelet e pushtetit tonë popullor, ka marrë pjesë familja juaj? - pyeti kuadroviku.
-Posi nuk ka marrë, more shef. Babai më tregonte se i kish thirrur shoku Hisni, atë dhe xhaxhanë, dhe u kish dhënë urdhër që të venin në Përmet se ishin zgjedhur deputetë dhe se do të mblidheshin për të bërë ligje për popullin.
Pa kishin shqier sitë nga habia, babai me xhaxhanë dhe i kishin thënë shokut Hisni: "Po ç'deputetë jemi ne more shoku Hisni, kur s'na ka zgjedhur populli e kur nuk janë bërë zgjedhje, se është luftë?!... Ku dimë neve të gjorët si bëhen ligjet..., se ne jemi analfabetë..., boll u lodhën këta shkollarët të na mësojnë shkrim e këndim nëpër kurset e analfabetizmit të çetës, po ne meazallah se na hin gjë në kokë".
"Nuk ka nevojë për zgjedhje, se ato i bëjmë vetë neve, kur të duam, e s'piesim për njeri, as për trutë tuaja s'ka nevojë, e as për ato firmat gërraba që do vini në kartë. Edhe ne të tjerët jemi elifi-matrakë në këto punë..., por masat i kanë marrë Dushani me Miladinë, që kanë shkuar në Jugosllavi e kanë shpurë fjalë tek Tito, që ka dërguar këtej Nijaz Dizdareviçnë, që na ka sjellë ligjet nga Jugosllavia, e po na pret në Përmet, ndaj nisi sa më parë, se përveçse jeni emëruar deputetë, do të merrni edhe grada, e do të bëhi zabitë ushtrie, dëgjuat? Hajt nisuni tani dhe të ma mbani firomën dhe vrapin në Përmet" - u kish thënë shoku Besnik, e ata sakaq ishin nisur, sipas urdhërit të Partisë.
Pasi vanë në Përmet të telefosur nga rruga, në të gdhirë, shqien sitë kur panë barakat, se kishin dëgjuar se armiku e kish djegur Përmetin tre herë, po ata nuk panë gjëkundi gjurmë djegiesh, se të tëra barakat ishin në këmbë dhe llafet që ishin përhapur, kishin qënë propagandë, se medemek, nga lufta e madhe, okupatorët për hakmarrje, ngaqë s'kishin ç'u bënin partizanëve, e kishin djegur Përmetin për herë të tretë...
Sa mbërrinë me kartën e shokut Hisni, që kish mbërritur me kalë, para tire, u dhanë kartën e Kongresit për ta firmosur, dhe ata, pasi zhgrrapën kartën, kërkuan bukë e ujë... Po në vend të tire u dhanë nga një shqelm bithëve dhe i futën në një magazinë të madhe, në muret e së cilës kishin varur fotografitë e Titos, ku medemek po bënesh Kongresi... Po ç'kongres ziu po bënej atje..., po bënej hataja thuaj..., po zireshin për grada e nishane... Më tepër nga të gjithë bërtisnin Agush Gjergjevica, Mestan Ujaniku, Gjin Marku, Bedri Spahiu e Mehmet Shehu. Se ata udhëheqësit e mëdhenj, donin të bëneshin të tërë gjenerala e kolonela. Ndërsa ata më derdimenët, prisnin se mos u jepnin ndonjë majorllëk-aa, kapitenllëk-aa, togerllëk a kapterllëk... Do ti që, pasi mbaroi sherri i nishaneve dhe u qetësuan të gjithë, babait dhe xhaxhait u ra nga një copë kapterllëk, bashkë me uniformat dhe isharetet, ndërsa për këmbët u ranë opinga, në hise...
-Po ndonjë ligj, bënë ata në Përmet? - pyeti shefi
-Po, votuan vetëm një ligj, atë me Nr. 37, që fliste për tatimet e jashtëzakonshme mbi fitimet e luftës nga gjakpirësit. Që thua ti, babai tregonte se njëri nga deputetët, që kish mbaruar shkollën tregtare në Vlorë dhe dinte shkrim e këndim, pieti për këtë ligjin e tatimeve dhe tha me zë të lartë se delegatët e kongresit nuk kishin të drejtë të bënin e të firmosnin ligje; se ata gjakpirësit që do të tatoheshin, e kishin mbajtur me bukë fukaranë, në mes të luftës, e jo më t'i kishin pirë gjakun, ndaj nuk e shëkonte të drejtë këtë punë; se ata po mbanin me bukë e florinj edhe Partinë e partizanët, dhe se ky ligj mbante një numër të rremë, medemek 37, në një kohë që 36 të tjerët para tij, nuk ishin parë gjëkundi dhe se nuk dihet se kush i kish krrerë e firmosur...
"Pusho more..., u bëre ti të na tregosh se kush janë ata..." - i kish thënë Enveri. "Pse kot morëm pushkët neve, që t'u lëmë florinjtë e çifligjet atire? Kush e ka prurë këtë këtu, që po na flet si këlysh i borgjezisë... Ky ta dijë mirë se ligji për tatimet është bërë nga shokët jugosllavë për t'u mbledhur floririn e për t'u marrë çifligjet atyre që i kanë, se me gjakun tonë i kanë vënë, se janë tonat e se do t'ua marrim pa i pyetur, me kobure kokës do t'ua nxjerrim, sapo të marrim pushtetin..." - bubullonte kriekomandanti që ish graduar gjeneral-kolonel.
Që thua ti more shef, do të të rrëfej një të fshehtë, se të zura mik, po mos ia thuaj njeriu...
-Pa hë, ta dëgjojmë..., se nuk ta nxjerr llafin - tha kuadroviku
-Po ja se ç'bëri vaki! Dizdareviçi urdhëroi të bënej pushim, të hahej dreka dhe pastaj të fillonte Kongresi, pasdite... dhe kështu u bë. Këtire derdimenëve si puna e babait dhe xhaxhait, u dhanë bukë gruri dhe konserva italiane, ndërsa gjeneralët dhe kolonelët e porsagraduar të Ushtrisë partizane Nac-çlirimtare, bashkë me jugosllavët, hëngrën mishëra të pjekur, dhe konserva e ushqime të hedhura me arropllan nga englezët.
Do ti që, pas nja di orësh, pasi kishin filluar medemek Kongresin, këtire delegatëve mamlukë, si puna e babait dhe xhaxhait, u shpërtheu barku dhe të vjellat, se konservat kishin qënë të prishura, me bombazh... Do t'i që shpërtheu qenefi dhe e tërë salla u ndot, saqë zunë e duallën të tërë në panik, kush e kush ta mbante vrapin i pari në ferrë, a në përrua, buzë Vjosës.
"Ikni nga sitë-këmbët, se ka rënë tifua, ka rënë dizanteria" - thërrisnin njerëzia dhe merrnin arratinë.
Që thua ti, disa trima vdiqën, por nuk vajtën dëm, se i bënë dëshmorë..., ua hapën varrë me evgjitërinë e Përmetit dhe i kallën në dhe me batare, se e meritonin, se kishin rënë për atdhe...
"Shporruni more bithëmutër - u ish hakërryer shoku Hisni, babait dhe xhaxhait - zhdukuni edepsëzë, se na ndyet e turpëruat..., e të ma mbani vrapin në fshat, të mblidhni zorrët e bithëve e pastaj, pasi të qetësohi, t'u thoni njerëzisë se e muarrëm pushtetin dhe se u hodhën firmat në kartë për Shqipërinë tonë popullore, dëgjuat more qafirë... - u kish dhënë urdhërat dhe munxët shoku Hisni, dhe ata të gjorët, me shpirt në dhëmbë e mut në shalë, kishin marrë malet për të shpërndarë myzhdenë...
-Po me Kongresin, ç'u bë? - pyeti kuadroviku.
-Po ç'kongres more shef, aq e pati edhe Kongres-ziu, u pëgër i tëri. Po gjene mirë që bëri Shqipërinë dhe ia dha pushtetin popullit.
Pa do ti që vanë babai dhe xhaxhai në fshat, sa gjallë-vdekur. Mblodhën gratë e fëmijët dhe i urdhëruan që të mos tregonin se u kish rënë tifua trimave, atje në Përmet. Pa u mblodhën plakat, me ato marifetet e tire dhe u zunë e u mblodhën barkun trimave..., se helmim kish qënë, jo tifo zorrësh.
-Po pastaj ç'u bë? - pyeti shefi.
-Po ja, u ngritën trimat nga shtrati, dërguan fjalë e mblodhën fshatin, dhe i dhanë myzhdenë e Përmetit...
Pa u ngrit babai të këndojë këngën që e kish bërë që kur ishte shtrirë në shtrat, e që ia priti me iso labe edhe xhaxhai, e pastaj tërë fshati, e që thoshte: "Pa na mblodhën në Përmet / na emëruan deputetë / dhe u bëmë me pushtet / pa bëmë ligje për milet / dhe përzumë satrap e Mbret / Shqipërinë e morëm vetë / me flori e bereqet / me çifligje, tokë e det / se na ra në kësmet...".
Qanin njerëzia nga gëzimi, për ligjet dhe për vatanë... Pa zunë të puthnin e të nduknin deputetët e tire, babanë dhe xhaxhanë. E ç'të shëkoje more shoku shef, harenë e gëzimin deri në të gdhirë, por që e prishën bataretë...
-Ç'batare mor lumëmadh? - pyeti shefi.
-Po ta them se të kam mik dhe ma ruan llafin... Që thua ti, njëri nga ata kushërinjtë që kish qënë ndoca ditë me Ballin, e që e kish dredhur ngaqë ishte zënë me kumandarin e çetës balliste, që e kish sharë kur kish marrë vesh se kishte pritur Dushanë në shtëpi, kish ikur nga Balli dhe kish vajtur në çetën e Kuçit. Atje, kish parë një çupë faqekuqe e vithegjërë, medemek partizane, që e kish stërvitur e prurë Duq-Dushani dora vetë, në çetë... Kjo çupa, që thua ti, largonesh herë pas here e zbriste në përrua, dhe sa herë që e bënte këtë gjë, gjithmonë e ndiqnin partizanët bandillë të çetës.
Ki kushëriri inë, Velua, kështu quhej, njëditëza kish pietur shokët se ku shkonte aq shpesh ajo çupa dhe përse i venin pas djelmuria në përrua? Ata kishin qeshur, dhe i kishin thënë se herën tjatër do ia linin radhën atij, që t'i vente pas çupës, se pastaj ia tregonte ajo punën që do të bënte. Dhe kështu u bë...
Do ti që vajti Velua... dhe pasi mbaroi misionin që i ngarkuan shokët, u kthie shend e verë që andej...
Po ki budallai, që ish trim e mëndje-hu, si tërë raca jonë, u bë yrnek kur, pas di orësh, vajti çupa përsëri në përrua dhe kur një bandill na i vajti nga pas. Pa u ngrit si furtunë derdimeni Velo dhe e kapi për fyti bandillin, duke e kërcënuar me kobure në ballë dhe në sitë e të tërë shokëve, që të mos guxonte më, as ai dhe askush tjatër, që t'i vente pas çupës, në përrua, se e gjente belaja dhe ua derdhte trutë. Dhe ata ashtu bënë, se i bëri zap, të tërë, Velo trimi...
Po do ti që çupa u rëndua, u rrumbullakos dhe u fry si kacek... Zuri të qajë dhe vajti tek komisari i çetës... Ki, pasi e pieti mirë e mirë, thirri edhe djelmurinë... Kuptonet që të tërë ia vunë fajin Velo-ballisto-partizanit të gjorë. Kështu i ardhi radha edhe këtij për t'u pietur... Dhe kish dëftuar të vërtetën budallai..., por kur komisari e kish urdhëruar që ta merrte çupën për nuse, të vente në fshat, të bënte dasmën dhe pasi ta linte nusen e re në shtëpi, të kthehej në çetë, Velua jo vetëm që nuk kish pranuar propozimin e komisarit, por kish zënë të shante çupën, që e kish quajtur "baxhella e çetës".
Shtrëngo e liro i ziu komisar, por Velua nuk hante pykë... Pastaj komisari kish mbledhur gjyqin partizan, kish urdhëruar ta çarmatosnin Velon, dhe i kish bërë rixha tri herë, që të pranonte me të mirë të martonej, për hir të çetës dhe partisë, por ai nuk kishte pranuar. Pastaj komisari e kish kërcënuar me pushkatim, po ki budallai prapë nuk kish pranuar... Ahere komisari kish urdhëruar ta pushkatonin, gjë që e kishin bërë në të gdhirë, tamam kur në fshat po festohej për pushtetin e ri dhe deputetët e popullit...
Pasi u dëgjuan bataretë e shkrehura mbi ditëzinë, vanë burrat në drejtim të çetës, kur ç'të shihnin: Velon e gjorë të bërë shoshë, ndërsa shokët i qëndronin mbi krie dhe po e qanin me këngë e ligje: "Tri herë të pieti komisari / i vendosur, JO, i the / Lule Velo, lule djali / që re për atdhe...".
U mallëngjyen edhe fshatarët e gjorë, zunë të qanin e të këndonin të gjithë, me vaj e me ligje, dhe vendosën ta merrnin Velon e ta varrosnin në fshat, ashtu si e meritonte, ashtu si shtihen në dhe trimat që bien për atdhe. Dhe ashtu u bë... Velua u shpall dëshmor... Pa u mblodh urgjent qarkori i Partisë dhe ia dërgoi çupën partizane në shtëpi, ku shokët e deleguar u thanë prindërve të Velos se ata të di i kishte martuar çeta, para se të vritej trimi në luftime... Ndaj dhe njerëzit e Velo-dëshmorit e pranuan me gëzim nuse-vejushën e Velos, pasi për këtë martesë kish vendosur Partia, që askush nuk ia bënte fjalën dysh, por edhe ngaqë Velua do të linte farën mbrapa...
Do ti që bashkë me çlirimin e vatanit lindi edhe djali i Velos, që shokët e Partisë e të çetës ia vunë emrin Çlirim.
Po njëri nga ata ballistët e poshtër, që çoç kishte dëgjuar nga kjo histori, pasi kishte parë djalin që ngjante tëpkë me Dushanin hundëshkabë e vetulla-rrëzuar, kish nxjerrë këngën: "Velo trimi, partizani / nuk polli për së gjalli / por kur u çlirua vatani... / E kish ndihur vetë Dushani / krietrim zemërluani / që shtoi Velon me kalamanë / që i mbushi plot këto anë / me kulishë serbi e partizanë / me heronj e me titanë...".
-Po mirë, e lanë këtë ballist të qelbur të hidhte baltë mbi gjakun dhe familjen e dëshmorit Velo? - pyeti i ndërkryer dhe i skuqur kuadroviku.
-Jo more shoku shef, jo..., nuk e la kush qënin që të pëgërte gjakun e heronjve dhe nderin e familjeve të partizanëve. Sepse, që thua ti, këtij ballistit të poshtër ia treguan mirë këngën... E kapën të gjallë, e hoqën zvarrë dhe ia derdhën trutë e ua çuan kufomën qënve të staneve..., ndërsa familjen ia internuan në kampin e Tepelenës, ku ia mbitën në Vjosë, një e nga një të tërë kulishët, zagarët e bushtrat, duke ia marrë hakën e Velos dhe trimave të Përmetit...
(Vijon numrin e ardhshëm)
KULTURA
Përshtypje nga ekspozita e skulpturës, promovuar në Muzeun Historik Kombëtar
Ballafaqim konceptual në Akademinë e Arteve
Promovohet ekspozita unikale e skulpturës
Pasditen e datës 11 janar 2006, në një nga ambjentet e ekspozimit të Muzeut Historik Kombëtar, u hap një ekspozitë retrospektive lidhur me veprat e 25 studentëve, të diplomuar, apo në vazhdim të studimeve, e të specializuar në atelierin e Materialeve të Përziera të Fakultetit të Arteve Figurative.
Këtë ekspozitë, e dyta e studentëve të këtij atelieri pas asaj të hapur më 12 dhjetor të vitit të kaluar në Akademinë e Arteve të Bukura, me punë të tjera, e hapi pedagogu drejtues i këtij atelieri, skulptori i njohur Fatos Kola, kurator i ekspozitës, i cili foli shkurtimisht për qëllimin dhe rëndësinë e hapjes së kësaj ekspozite. Në këtë promovim që ndolli natyrshëm kureshtjen e të pranishmëve të shumtë, merrnin pjesë edhe personalitete të shquara të artit dhe kulturës shqiptare si Prof. Ramadan Sokoli, Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Prof. Dr. Beqir Meta, Prof. Hilmi Kasemi, themelues i këtij atelieri 12 vjet më parë, pedagogë, kritikë, artdashës, familjarë të krijuesve dhe dashamirës të arteve figurative. Por më i rëndësishmi është fakti i pjesëmarrjes në përurimin e kësaj ekspozite, të drejtusve të lartë të PLL, përkatësisht të zotërinjve Murat Basha-nënkryetar i PLL, Artan Tujani-Sekretar i Përgjithshëm, Neritan Kolgjini-Sekretar për Marrëdhëniet me Mediat dhe Publikun, Nevruz Ndregjoni-drejtor i Departamentit të Organizimit pranë PLL dhe njëkohësisht kryetar i Degës së PLL Tiranë, si edhe e Zëdhënësit Politik të PLL dhe njëkohësisht kryeredaktorit të gazetës "Atdheu", z.Astrit Kola.
Pjesëmarrja e drejtuesve të lartë legalistë në këtë ekspozitë, u realizua jo thjesht në respekt të ftesave të veçanta, por veçanërisht në frymën e respektit dhe vlerësimit për shkollën tonë kombëtare si fidanishte e edukimit atdhetar të rinisë, si dhe të faktit që ky atelier kultivon studimet mbi artin kombëtar të trashëguar që nga pasardhësit ilirë, çka qëndron në themel të filozofisë politike të PLL si parti nacionaliste, që mbi gjithçka vendos kombin dhe vlerat kombëtare, përfshirë edhe ato kulturore.
Pas fjalës së hapjes foli porositësi, organizatori dhe një ndër kontributorët kryesorë të ekspozitës, historiani i shquar Prof. Dr. Beqir Meta, i cili pasi vlerësoi me superlativa cilësinë e lartë të punimeve në planin skulpturor të formës artistike, si dhe në planin e punimeve studimore për risjelljen në forma të larta artistike të veprave skulpturore dhe objekteve arkeologjike ilire, zbuluar në tumat dhe qytezat tona antike, shprehu keqardhjen për mosangazhimin për bashkëpunim të Dekanatit dhe Rektoratit të Akademisë së Arteve të Bukura, për arsye që ai i cilësoi si enigmatike.
Pas z.Meta e mori fjalën skulptori i shquar Hilmi Kasemi, një ndër themeluesit e këtij atelieri, i cili pasi vlerësoi punët e ekspozitës, shprehu gjithashtu keqardhjen për qëndrimin refraktar të drejtuesve të Akademisë dhe Dekanatit, si dhe mospraninë e tyre dhe pedagogëve kolegë në këtë aktivitet të rëndësishëm.
Kjo ekspozitë, që përmbante afro 64 punime tejet cilësore, të përzgjedhura, shënoi një sukses të vërtetë për nga niveli i lartë, larmia e stileve, këndvështrimeve studimore e materialeve të përdorura, me përzierje stilistike e të formës, që nga metalet e deri tek druri, plastika, qeramika, qelqi, rezina, etj..
Ky atelier që ka mbushur veçse 13 vjet nga hapja, ka shënuar suksese jo vetëm në raport me nivelet më të larta të shkollës shqiptare të skulpturës, por ka regjistruar edhe dy triumfe të bujshme në dy konkurset ndërkombëtare ku janë ballafaquar universitetet tona, të zhvilluara përballë akademive më të forta në mbarë botën, sikundër janë ato italiane të Milano-Breras, Bolonjës, Romës, Peruxhias, Udines, Umbrias, Karrarës, etj., në të cilat studiojnë mbi 10 mijë studentë, ndër më të talentuarit, nga të gjitha vendet e planetit.
Fjalën e hapjes së kësaj ekspozite e mbajti pedagogu i këtij atelieri z.Fatos Kola, i cili pasi bëri një përshkrim të shkurtër të punës dhe arritjeve të atelierit që drejtohet prej tij, ndër të tjera kumtoi edhe problemet akute që përballon ky atelier dhe programi me të cilin mbarështrohen studentët, për shkak të ndryshimeve konceptuale midis tij dhe studentëve që specializohen në këtë zhanër, nga njëra anë dhe "Këshillit Shkencor" të fakultetit të Arteve figurative, i cili kish kërkuar, para një muaji, suprimimin e këtij programi dhe atelierit respektiv në mes të vitit shkollor, pa kurrfarë motivacioni bindës qoftë edhe formal, e që sipas Kolës, "aspak të argumentuar shkencërisht dhe konform standardeve pedagogjike, artistike e profesionale...".
Në këtë aktivitet u lexuan gjithashtu edhe mesazhet inkurajuese të pedagogëve të shquar të këtij fakulteti, tashmë me banim jashtë atdheut, të të mirënjohurve Prof. Hilmi Kasemi nga Italia, dhe Prof. Vasiljev Nini nga SHBA-të, në adresë të studentëve dhe pegagogut të këtij atelieri Fatos Kola, mesazhe të cilat përmbanin edhe nota të ashpra kritike për qëndrimet sipas tyre "thellësisht të papërgjegjshme të Këshillit shkencor" për suprimimin e këtij atelieri.
Kjo ekspozitë që do të qëndrojë e hapur për 10 ditë, ofron jo vetëm suksesin e merituar dhe cilësi të lartë artistike, por edhe ashpërsimin dhe kulmimin e një debati për probleme konceptuale të shkollës shqiptare të skulpturës, bash në prag të implementimit të programit të universiteteve tona konform standardeve dhe Kartës së Bolonjës për unifikimin shkencor të programeve dhe parametrave, drejt njësimit të diplomave tona me ato europiane dhe krijimit të formatit akademiko-shkencor e pedagogjik për shkëmbimin e përvojave midis tyre.
Përkrahësit e konceptit dhe programit të këtij atelieri, e shikojnë mjaft të lehtë procesin të adoptimit të Kartës së Bolonjës, pasi sipas tyre ata jo vetëm që kanë mundur të pranohen për të konkurruar me shkollën bolonjeze të skulpturës, por edhe e kanë mundur atë dy herë në ballafaqimet në konkurset ndërkombëtare të zhvilluara në Itali gjatë viteve 2003 dhe 2004.
Zhvillimet e fundme në Akademinë e Arteve, në Fakultetin e Arteve Pamore, shënojnë rastin e parë dhe unikal të përplasjes konceptuale dhe programore në shkollat tona të larta, çka përbën risi dhe me gjasë do të shoqërohet me debate publike që do të përqasin problematika të thella e të panjohura më parë, tejet domethënëse dhe determinante për zhvillimet perspektive në të vetmen Akademi të Arteve në vend.
Korresp. i "Atdheu"
Fatos Kola: Atelieri që lartësoi shkollën shqiptare të skulpturës
(Fjala e rastit e kuratorit të kësaj ekspozite, pedagogut Fatos Kola)
Të nderuar miq, kolegë, studentë dhe dashamirës të pranishëm!
I emocionuar më shumë se kurrë për praninë dhe respektin tuaj, më lejoni t'ju shpreh mirënjohjen për pjesëmarrjen në hapjen e kësaj ekspozite. Çdokush nga ju, që mund të ketë patur rastin apo fatin të përjetojë emocionet e mësuesisë, do ta ndjejë gjithëkuptimësinë e kësaj ngjarjeje në jetën time prej edukatori.
Këtu, në këtë Akademi, kam të thyer e të coptuar punën time të diplomës; kam vizatimet e kohës studentore, të ndaluara si herezi; kam krijimet dhe kujtimet e viteve të punës si mësues në fshatrat e thella të Matit; kam përpjekjet si pedagog, për mbajtjen gjallë të një atelieri, që u krijua pas viteve '90-të në degën e skulpturës; kam punën rraskapitëse me studentët e mi, të cilët më bëjnë fatlum me ardhjen fizike, me prurjet e punëve dhe talenteve në Akademinë tonë.
Me fjalë të thjeshta, Atelieri i Materialeve të Përziera, është pagëzuar kështu sepse synon që, me përdorimin e elementëve të ndryshëm si metalet, qeramika, plastika, qelqi, rezina etj., të krijojë vepra arti vëllimore, pra tredimensionale, praktikë kjo e njohur që në lashtësi, që gjendet dhe është zbuluar me shumicë edhe gjatë kërkimeve arkeologjike në gjurmët e qytetërimit tonë mijëravjeçar e atij botëror.
Në këtë atelier, nëpërmjet kërkimit dhe krijimit në hapësira të ndryshme, me anë të kodeve të gjuhës vizive, studiohen dhe krijohen kompozime të elementëve artistikë, për të dhënë realitete të panumërta, siç janë linjat, dritat, hijet, hapësirat, sipërfaqet.
Të gjithë këto elementë stimulojnë një përdorim të gjerë të materialeve dhe teknikave të reja, që deri më sot janë konsideruar si të papërshtatshme për shprehjen e artit, sikundër janë kolazhi, asamblazhi, pluhuri material, përdorimi i plastikave, i rezinës, etj..
Pra pikërisht bashkëpërdorimi dhe bashkëtingëllimi i disa materialeve për të sjellë në jetë një entitet figural estetik, qëndron në themelin e veprimtarisë së këtij atelieri, si në kahjen studimore ashtu edhe në atë krijuese, për të realizuar kësisoj shndërrimin e materialeve të gjalla në forma të gjalla.
Por sot nuk jemi mbledhur thjesht dhe vetëm në një ekspozitë me krijime të ish studentëve, sot kolegë, apo të studentëve aktualë, për të pasqyruar krijimtarinë me materiale të përziera, në këto 13 vjet të ekzistencës së këtij atelieri.
Jemi mbledhur për të përkujtuar punën, sukseset dhe rrugën e vështirë që përshkuam sëbashku, të dashur kolegë e studentë, por ndofta jemi tubuar në një homazh të fundëm të lamtumirës së këtij atelieri, për shkak të shtrëngesës së paskrupullt të një takëmi varrmihësish të artit, që kanë marrë përsipër të zhbëjnë artin e skulpturës së materialeve të përziera, sikundër kanë bërë dikur me anë të metodës së socrealizmit, tashmë me metoda gjoja "moderne" dhe me tagrin e të ashtuquajturve "autoritete". Janë pothuajse i njëjti takëm dhe me të njëjtën mendësi, që nuk dallojnë në asgjë nga korifejtë e dikurshëm të socrealizmit, që ishin më të besuarit e PPSH për anti-artin që mbollën, për gjuetinë e shtrigave ndaj kolegëve dhe studentëve, dikur me forcën e diktaturës së proletariatit, ndërsa sot me fuqinë e pushtetit të fokusuar në të ashtuquajturin "Këshill shkencor", që vetëm me shkencën, pedagogjinë apo artin, nuk ka kurrfarë lidhjeje.
Sot ne jemi ndarë, pa dëshirën tonë, në dy kampe të kundërta, dhe kjo vetëm për shkak të diferencimit që ata të vetëquajturit NE, bënë nga pjesa tjetër që nuk mendojmë dhe nuk veprojmë si ata.
Ne nuk jemi si ata, sepse në këtë atelier, ku çfarë bie jashtë bie brenda, pa kurrfarë kushtesh dhe investimesh, studentët dhe unë punojmë shumë, studiojmë, eksperimentojmë, krijojmë, por edhe triumfojmë.
Në atelierin tonë bëhet shumëfishi i punëve, i detyrave dhe i temave krahasuar me të tjerët. Programi ynë i njohurive, është shumë i ngjeshur dhe i lodhshëm. Punët tona janë të evidentuara dhe të filmuara. Kurse në anën tjetër, të ashtuquajturit "autoritete", vijnë kur të duan dhe ikin kur të duan nga shkolla. Ata ndodhen njëkohësisht në disa vende dhe shtete, dhe po njëkohësisht paguhen në disa bordero.
Në atelierët e tyre të pajisura më së miri, me bazë materiale e laboratore, vendin e studimeve të mirëfillta e ka zënë koncepti "vishja si të duash e të dalë ku të dojë".
Vendin e studimeve për formën, ngjyrën volumin, e kanë zënë të famshmit video-instalacione e performanca, ku mbizotërojnë si detyra e si punë diplome, eksponatet e tipit togje gazetash, shiringa që futen në vena dhe nxirren prej tyre, si për të praktikuar drogmenë, si dhe Sid-ët fatkeqë, që në vend që t'i kultivojnë me njohuri e shprehi për artin dhe me kërkesën për punë artistike konform detyrave, i poshtërojnë duke i nxjerrë të pozojnë me qemane në dorë.
Përfaqësuesit e këtij takëmi, pasi uzurpojnë Galerinë e Arteve dhe ekranet e mediave, fitojnë çmime në ekspozitat e mbushura me nallane, dërrasa të kalbura, tuba qenefi, shishe plastike, bunkerë të mbuluar me brekë, grumbuj të rrobave të gabit dhe, mbi të gjitha, me performancat e Nikoletave të gropës së Hajdin Sejdisë. Pikërisht për kësisoj antiarti, Ata shpërblehen me honorare marramendëse, me tituj, me pompozitet mediatik, me bordero të shumëfishta, udhëtime jashtë shtetit, botime luksoze e me të drejtën për t'u vetshpallur "elitë artistësh të mëdhenj, modernë..., kontemporanë, performantë..., etj..".
Ky takëm dështakësh, injorantësh dhe obskurësh, ka zgjedhur rrugën e kollajllëkut në art dhe mësim-dhënie, dhe jo rrugën e punës dhe studimeve, sepse kjo e fundit kërkon përkushtim, larg abuzimeve me studentët dhe detyrën...
Ndaj ata kanë gjetur dhe përzgjedhur Nikoletat dhe të ashtuquajturin "Art Konceptual", që nuk dallon asgjëkundi me "artin e socrealizmit", ku idea dhe koncepti i paraprijnë dhe kushtëzojnë të ashtuquajturin "krijim", i cili që nga ky moment pushon së qëni i tillë.
Pra vëndin e krijimit artistik, që ka origjinë hyjnore dhe është sumumi i artit të njëmendtë, ky takëm e ka zëvendësuar me Nikoletat e rrugëve, që janë punëtorët dhe fshatarët e dikurshëm me kazma e pushkë krahit, e që tashmë recitojnë bejte për vargje dashurie dhe pozojnë në skena pornografike.
Ata, si art i vërtetë, duan t'u shesin shqiptarëve problemet sociale si homoseksualizmin, pedofilinë, pornografinë, travestitët, perversitetin njerëzor, drogën dhe të gjithë plagët sociale, që s'kanë asnjë lidhje me artin dhe krijimtarinë artistike.
Unë nuk bëj pjesë në takëmin e tyre dhe nuk mendoj e punoj si ata.
Unë, studentët e mi do t'i angazhoj dhe fus në rrugën e studimit dhe të artit të vërtetë, në përmbushje të detyrës funksionale si edukator dhe mësim-dhënës, për ta merituar rrogën time modeste, që del nga prindërit taksapagues të studentëve.
Ju premtoj se bashkë me studentët, (gjithmonë nëse Ata, fuqiplotët, nuk arrijnë të suprimojnë me fuqinë e posteve dhe pushteteve të pamerituara), programin tim dhe Atelierin e Materialeve të Përziera - do të luftoj që të triumfoj sërish mbi akademitë prestigjioze të Italisë, guxim të cilin kurrë nuk e kanë marrë Ata, ligjbërësit antiart që sundojnë në Akademinë tonë.
Unë, këtë takëm dështakësh e kam mundur prej kohësh, me veprat e mia, me artin tim, me programin, dijet, leksionet, përkushtimin tim, me studentët e mi dhe aftësitë e tyre, dhe sërish jam gati të përballem me ta për hir të artit, për hir të shkollës sonë, prindërve dhe studentëve.
Jeta është garë, sfidë dhe konkurrencë. Unë dhe studentët e mi, e pranojmë këtë realitet grishës, dhe jemi gati të përballemi.
Ju faleminderit për përkrahjen, ngrohtësinë, besimin dhe praninë tuaj, që dëshmon se jemi pranë jush, se kemi mbështetjen tuaj dhe të Drejtën...
Edhe njëherë, Ju faleminderit!
Ilmi Kasemi: Ju keni koncentruar arritjet e skulpturës shqiptare
(Skulptorit, profesor Fatos Kolës dhe studentëve, me rastin e hapjes së ekspozitës së 12 vjetorit të Atelierit të skulpturës së "Materialeve të Përziera")
Inisiativa që keni ndërmarrë për të kujtuar 12 vjetët e punës së Ateliesë "Materiale të Përziera", është për t'u përshëndetur.
Organizimi i këtij manifestimi "të vogël", brenda mureve të Atelierit, të kujton Aristotelin, i cili flet për politikën, kur thotë: "... Stadiumi i parë i politikës është familja, i dyti fshati dhe i treti qyteti...".
Ju po përkujtoni një ngjarje brenda familjes, në atë "stadium" ku 12 vjet më parë filloi loja e parimeve universale të formimit të skulptorit. Aty ku, për herë të parë, me një program të vetëm, u përfshinë tre teknikat bazë të skulpturës, kategoritë që rrjedhin prej tyre dhe materialet që u përgjigjen atyre në mënyrë adekuate.
Dua të kujtoj edhe njëherë këtu se nuk qemë të parët ne, që gjetëm këto parime. Nevoja bëri që ato të përkufizonin antipodin e bipolarizimit të organizimit programor të shkollës së lartë të skulpturës së deriatëhershme.
Atëherë skulptura kishte dy atelierë, një të skulpturës maxhore dhe një të asaj minore, ku respektivisht, me sa më kujtohet, ekzistonin atelierë të skulpturës monumentale dhe kavaletit, dhe ato të aplikuar të qeramikës.
Të ndryshonte kjo tablo sterile, me terminologji bajate dhe njëkohësisht të çuditshme, pa asnjë bazë shkencore, nuk ishte e vështirë.
Pikërisht në vitet '90-të, në Institutin e Lartë të Arteve nuk u kërkua liria, sepse atë, artistët e antikitetit grek e patën fituar kundra barbarisë perse, por u kërkua që pikërisht aty të vinte Fidia, që të dëshmonte se teknikat themelore të skulpturës ai i pati aplikuar në Partenon dhe Olimpia.
Duhej bërë shkolla. Duhej bërë qoftë edhe një atelier i vogël, që të rrokte këto teknika, të elaboronte materiale të ndaluara, koncepte "dekadente". Nuk qe e vështirë se ne nuk shpikëm gjë, Fidia na ndihmoi dhe u themelua atelieri i materialeve të përziera.
Ky emërtim, në pamje të parë duket sikur tenton vetëm të japë përgjigje me anën e materialeve të problemit, por edhe kështu, për kohën ai qe efikas, sepse do të ishte përgjigjia e vetme e mundshme kundër despotizmit, mono-materialitetit, mono-konceptualitetit, e gjithfarë mono-sh që vinin vërdallë.
Nuk është vendi dhe koha që unë të shpjegoj në hollësi, por dua vetëm të kujtoj që rrëzimi i piramidës monstruoze të asaj shkolle, duhej bërë. Më duket akoma sot e çuditshme, pas rreth 15 vjetësh, që ekzistojnë akoma komisione me komisionerë që vejnë notat e studentëve. Akoma individët mësim-dhënës dhe mësim-marrës, presin notat e kompetentëve, dhe kjo është kinezëri e pastër!
Më duket akoma e çuditshme që atelieri nuk ka një laborator. Më duket edhe më e çuditshme, që ajo pikon çfarë bie jashtë.
Por më i tmerrshëm është fakti që atelieri synohet të mbyllet, që synohet të rinovohet apo të reformohet.
Prof. Fatosi, unë e di që dialogun e ke për zemër. Të sugjeroj miqësisht që të kërkosh akoma ballafaqim idesh, sepse nuk dua të besoj që skulptorët pedagogë të Akademisë së Arteve të kenë lajthitur, ndaj më lejo që, nëpërmjet teje t'i përshëndes, sepse kanë qenë ish-pedagogë dhe kolegë të mi.
Përshëndes gjithashtu të gjithë pedagogët që kanë dhënë mësim në atë atelier. Të gjithë kontribuesit privatë, shokë e miq që kanë ndihmuar me nga një copë gur, dru apo hekur.
Besoj se vazhdimi i dialogut do ta shëndoshë situatën, sepse ne ecëm me parimin "mos e prek Kainin", por kjo s'do të thotë që Kainin sot ta quajë Abel dhe Abelin ta quajmë Kain.
Urime e përshëndetje
Ilmi Kasemi
Breshia- Itali
Nini: Mjaft, atyre që shkatërruan skulpturën
Departamentit të Arteve Vizuale
Atelieri i "Materialeve të Përziera"
Akademia e Arteve të Bukura, Tiranë
Me rastin e 12 vjetorit të krijimit të "Atelierit të Materialeve të Përziera", në Departamentin e Arteve Vizuale të Akademisë së Arteve të Bukura, më lejoni t'u përshëndes dhe t'u uroj thellësisht nga zemra.
Ky atelier që u ngrit si një domosdoshmëri e kohës për jetën artistike të shkollës shqiptare të Skulpturës, me ndryshimet dhe hapjet e përgjithshme që ndodhën në Europën Lindore dhe në Shqipëri, bëri të nevojshme e të domosdoshme që edhe skulptura të krijonte mundësi për ndryshim e zhvillim.
Një nga këto zhvillime ishte edhe hapja e Atelierit të "Materialeve të Përziera", atelier që nuk kishte ekzistuar më parë, e që kishte për synim të plotësonte dhe të pajiste studentët me koncepte të reja, në përshtatje me materiale të ndryshme, e me një njohje të shumëllojshme dhe të pafundme të artit dhe mjeshtërisë së skulpturës.
Ai shumë shpejt do të thyente kanunin e deriatëhershëm, që ishte vetëm modelim, skulpturë kavaleti, skulpturë monumentale dhe skulpturë në gurë dhe dru.
Një nga gjërat që të binte në sy menjëherë, sapo shikoje artet tona në krahasim me artet e vendeve të zhvilluara, ishte se përveç përmbajtjes politike që mbartnin artet tona, tek të huajt të binte në sy pikërisht lëvrimi në pafundësi i materialeve të përziera e ndërthurjes së tyre, gjë të cilën pedagogët e studentët tanë, nuk e njihnin dhe nuk e përdornin.
Dhe tani shkolla jonë nuk i ka mundësitë që të zhvillojë e të zbatojë një art bashkëkohor, për të cilin mund të ekzistojnë njohuritë, por jo mundësitë për ta krijuar, përsosur dhe zbatuar atë.
Pikërisht ky Atelier synonte të pajiste e krijonte një laborator të gjerë, ku do të ndihmoheshin jo vetëm studentët e tij, por edhe të gjithë studentët që donin të krijonin, konceptonin e zbatonin veprat e tyre të ndërthurura në materiale të ndryshme e të qëndrueshme. Por ky projekt gjithmonë është zvarritur dhe penguar qëllimisht e në forma të ndryshme, pavarësisht nga rezultatet e larta të studentëve në simestër e në diploma, të cilat i realizonin e zbatonin duke shfrytëzuar njohjet dhe miqësitë me repartet e ndryshme të mjeshtërive private, jashtë Akademisë dhe me shpenzimet e studentëve dhe ndihmën modeste të pedagogëve.
Një nga gabimet e mëparshme të drejtuesve të kohës së qoftëlargut, ishte edhe fakti i mbylljes së njërës nga atelieret kryesore, atë që kemi mbaruar shumë nga ne skulptorët e dikurshëm. Tani po bëjmë një gabim tjetër, atë të mbylljes së një atelieri shumë të rëndësishëm për të ardhmen e Shkollës shqiptare të Skulpturës, pra të vetë dhe të vetmes Akademi shtetërore, sikundër është kjo e jona. Pa një atelier të tillë, me një laborator të fuqishëm të skulpturës, ku të njihen dhe të ndërthuren të gjitha teknikat e mundshme të përdorshme, që përdoren edhe në nivelet e shkollave të larta në mbarë botën, kjo shkollë do të funksionojë thjesht për nevojat "e ngushta të titujve" dhe "të rrogave të pedagogëve".
Boll më me metodat e mbylljes së dyerve të zhvillimit, boll, se u lodhëm. Mos harroni se ne kemi qënë dhe jemi një nga vendet më të mbyllura në botë.
Përshëndes të gjithë studentët dhe përfaqësuesit e krijimit dhe zhvillimit të këtij atelieri. Pavarësisht nga mbylljet burokratike që mund të bëhen, ku Atelier do të funksionojë dhe do të zhvillohet tek studentët dhe artistët, sepse "Materialet e Përziera" janë ato që gjejnë zbatimin më të gjerë në interior dhe eksterior.
Edhe njëherë, urime dhe suksese!
Ju përshëndes me respekt,
Prof. Vasiliev Nini
Hot Shops Art Center
O. NE. USA